Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zhvillohet Konferenca Rajonale per Bujqesine, ne Qarkun e Lezhes

Të reja

Zhvillohet Konferenca Rajonale per Bujqesine, ne Qarkun e Lezhes

28 Jun 2008    
Ndryshimi im dhe i Partisë Socialiste, është shumë i thjeshtë. Ka një vit që vetëm dëgjojmë njerëzit. Ka një vit që i japim njerëzve në çdo fshat të drejtën që të flasin, të thonë mendimet e tyre dhe mendimet e tyre të dëgjohen, sepse duke i mbledhur këto mendime, duke i analizuar, duke i zgjedhur midis tyre ato që duken më të vlefshme në këto momente, ne do të ndërtojmë programin tonë.

Nëse ka një sektor, ku mund të thuhet se është pasqyra më e mirë e politikës së vjetër, që për 17 vjet, në mënyrë lineare ka çuar drejt degradimit vendin, ky është sektori i fshatit. Është shprehur kështu Kryetari i PSSH Edi Rama gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës Rajonale për Qarkun e Lezhës zhvilluar në fshatin Fushkuqe . Gjatë bashkëbisedimit fermerët janë shprehur të lodhur dhe të zhgënjyer nga premtimet e deri tanishme, duke pohuar se aktualisht gjenden tërësisht të pambështetur në një kohë që çmimet e produkteve bujqësore rriten çdo ditë dhe prodhimet e tyre kalben në fusha. Rama theksoi se Dialogu me Shqipërinë është një instrument për të vjelë nga shqiptarët në mbarë vendin hallet, fenomenet dhe sugjerimet.

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH, Edi Rama në Konferencën Rajonale të Qarkut Lezhë zhvilluar në FushëKuqe:

“Nëse ka një sektor, ku mund të them se është pasqyra më e mirë e politikës së vjetër, që për 17 vjet, ka vazhduar në mënyrë lineare drejt degradimit, ky është sektori i fshatit. Mjafton të shikosh fshatin shqiptar, për të parë se çfarë mendjesh dhe zemrash e kanë qeverisur shqipërinë sot e 17 vjet. Mjafton të shohësh fshatin shqiptar se si gjithçka po shkon në fund dhe për çfarë arsyesh gjendja ekonomike e vendit është gjithmonë e më dëshpëruese, për një shumicë gjithmonë e më të madhe. Pa folur këtu për një pakicë më të vogël që pasurohet përditë e më shumë. Në këtë zonë, mendoj që mund të shihet fare qartë edhe se çfarë prodhon politika e pa paorientuar, e pavendosur, pa sy për të parë, pa vesh për të dëgjuar dhe pa zemër për të ndier, ku sheh se çfarë hataje vazhdon të zhvillohet me pronën.

Në 17 vjet, për qeveritë shqiptare nuk ka pas dhe vazhdon të mos ketë fshat. Kush jeton në fshat, është mbrapa botës për këto qeveri. Kush jeton në fshat është jashtë horizontit të shikimit të qeverisë, kush jeton në fshat le të marri rrugën dhe të gjej ku të mundet shpëtim.

Ne duhet të bashkohemi të gjithë, se këtu kemi një hall të përbashkët, për fshatin dhe tokën, që nuk zgjidhet pa një aksion të përbashkët. Është një trashëgimi e përbashkët, prej të cilës nuk çlirohemi dot, nëse nuk bashkohemi dhe të ndërtojmë një traditë të re. Është fjala të mos shikojmë flamurin e partisë, as udhëheqësin, as llogoret ku partia i ka futur njerëzit. Ne duhet të shohim në sy njëri-tjetrin dhe të themi, a do të dalim nga kjo situatë, duke i detyruar partitë që të merren me programin për njerëzit dhe jo për pushtetin. Sepse pushteti nuk është qëllim, por mjet për të realizuar qëllimet. Nëse partitë vazhdojnë ta kenë pushtetin qëllim dhe kjo u bëhet e mundur ngaqë ata të cilët i ndjekin, i votojnë sy mbyllur, gjendja do të shkojë më keq se kaq. Ne duhet të hapim sytë rreth e rrotull, duke parë te çdo njeri, me të cilin kemi një hall të përbashkët për të ndarë dhe një problem për të zgjidhur. Përpara se të jemi socialist dhe demokrat, jemi njerëz që duhet të jetojmë me dinjitet në fshatin, tokën dhe familjen tonë. Për këto të treja, duhet të kemi një qëndrim të përbashkët, duke hapur sytë mirë kur mbështetim një parti, një program apo një udhëheqës tjetër.

Partia Socialiste po mbledh në gjithë Shqipërinë mendime, të cilat po i analizon. Kur ta kemi gati programin, do të vijmë prapë dhe do të themi se çfarë do të bëjmë konkretisht.

Nëse unë do të bëja politikën e 17 vjetëve, se do ta mbushim kanalin këtu, madje, do të bëjmë edhe një kanal të ri, madje, do të keni edhe një pishinë që të laheni. Gjithashtu, do t'ju sjell edhe ujë nëpër shtëpi, që ta shisni në Itali. Mund t'ju them edhe shumë të tjera si këto, por unë sot nuk ju bëj këto premtime.

Ndryshimi im dhe i Partisë Socialiste, është shumë i thjeshtë. Ka një vit që vetëm dëgjojmë njerëzit. Ka një vit që i japim njerëzve në çdo fshat të drejtën që të flasin, të thonë mendimet e tyre dhe mendimet e tyre të dëgjohen, sepse duke i mbledhur këto mendime, duke i analizuar, duke i zgjedhur midis tyre ato që duken më të vlefshme në këto momente, ne do të ndërtojmë programin tonë.

Nuk kam ardhur këtu për të dhënë premtime, sepse nuk i kam akoma. Sigurisht kam premtimin kryesor, që politika jonë është krejtësisht ndryshe. Kur ju ka ardhur ndonjë parti, që dy vjet para zgjedhjeve, të thotë se çfarë mendon ti? Asnjëherë. Kanë ardhur në fushatë, kanë thënë se do të bëjnë gjitha të mira, kurse ju i keni dhënë votën, e pastaj i keni parë në televizor. Në 4 vjet në televizior, nuk ke parë që të zihen për faktin se si të ujitin tokën e juaj, por të zihen kush i tha dhe ku do shkojnë, që janë muhabete pa vlerë. Ky është ndryshimi ynë me këtë që sapo përmenda. Çdo gjë është e thjeshtë. Mbasi t'i bëjmë një analizë të gjitha takimeve, do të fillojmë në shtator të diskutojmë pjesë pjesë se si do t'i zgjidhim. Nga goja ime nuk do të dëgjohen premtime, që mjafton të jepni votën për mua, që Fushë Kuqja të bëhet Lulë Kuqe.

Konferenca Rajonale e Bujqësisë e Qarkut Lezhë e zhvilluar në fshatin Fushëkuqe është në vazhdën e konferencave rajonale që po zhvillohen në 12 qarqet e vendit.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm