Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zgjedhja e 25 prillit është zgjedhje për të vazhduar ndërtimin e Shqipërisë së të ardhmes

Të reja

Zgjedhja e 25 prillit është zgjedhje për të vazhduar ndërtimin e Shqipërisë së të ardhmes

11 Apr 2021    

Fjala e Kryeministrit Rama me të rinjtë, Tiranë – Rruga drejt 25 Prillit –

Para se të vinim këtu, më erdhi një dhuratë nga një grup punonjësesh në një sipërmarrës në Berat. Kjo atlete.

Në fakt, më erdhën dy palë, një palë të bardha dhe të zeza. Këtu kam marrë të majtën dhe të djathtën. Kjo atlete është Philip Plein, një emrat më të njohur në botën e modës. Kjo atlete e prodhuar në Berat shitet sa frengu pulën në Europë.

 Ajo që ne duam, ajo që unë dua, është që këtë dekadë ku ne kemi hyrë dhe me Planin tonë të Veprimit për 2021-2025 të nxisim dhe të arrijmë që gjithë struktura jonë, gjithë rrjeti ynë i fabrikave që prodhojnë me material porositësi të kalojë në një nivel tjetër. Ato gra duart arta, ata sipërmarrës kurajozë që krijojnë kaq shumë punësim dhe që kanë çarë në tregjet e huaja të fillojnë të hynë në tregjet e huaja me Made in Albania, jo më me markat e strënjohura, por me markat shqiptare. Me këto dijeni të fituara, me këtë eksperiencë të fituar, me këtë këmbëngulje për punë dhe për të shkuar përpara, shqiptarët pa diskutim mund t’i krijojë. Natyrisht, jo për të arritur në majat e botës, por për të arritur që t’iu shesin produktet e tyre atyre që kanë më pak nëpër Europë e botë dhe njëkohësisht, për t’iu ofruar të gjithë të rinjve këtu në Shqipëri, produktet e kësaj cilësie, por Made in Albania dhe të cilat kushtojnë më lire, por bëjnë të njëjtën punë.

Nga ana tjetër, nuk mora të majtën dhe të djathtën e bardhë, mora të majtën e bardhe e të djathtën e zezë, për të thënë që për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët. Për mua dhe për të gjithë ne, sfida e madhe është që të bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm.

Sfida jonë e madhe është jo vetëm kundër të gjithëve, siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë. Vetëm kundër atyre që janë bashkë, për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq sesa 8 vjet më pare, ndërkohë që, nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart, kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë vetëm sepse ne nuk jemi vetëm, por jemi të bashkuar me të gjithë ata që pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht përkatësive të tyre krahinore, kanë një besim të brendshëm se jeta e tyre mund të bëhet më e mirë këtu duke punuar e duke mos pritur që jeta të ndryshojë sa hap e mbyll sytë me receta çudibërëse dhe duke rendur pas një partie e një partie tjetër.

Është shumë e vërtetë që ndryshimi mes dje dhe sot është i jashtëzakonshëm, por është po kaq e vërtetë që ndryshimi që duhet të bëjmë mes sot dhe nesër duhet të jetë edhe më i jashtëzakonshëm.

E kush do ta bëjë, ata që thonë se 8 vjet më parë ndodhi një aksident dhe që e ftojnë popullin sot të lajë fajin që 8 vjet më parë i largoi nga zyrat?

Çfarë aksidenti ndodhi 8 vjet më parë, kur e gjithë rinia ishte futur në rrugët qorre të atyre universiteteve që jepnin diploma pa asnjë vlerë. Kur universiteti që ishte investim i kursimeve të prindërve, i kohës dhe mundit të të rinjve krijonte vetëm rreshta të pafundëm të papunësh.

Sot, ne nuk diskutojmë më për diploma false, nuk diskutojmë më për diploma që blihen. Sot, ne diskutojmë si universitetin tonë ta çojmë në një nivel tjetër. Sot, ne nuk diskutojmë që të mbrojmë fëmijët e atyre që nuk kanë një mbiemër të njohur, që nuk kanë prindër të pasur, nuk kanë rreth të lidhur me një parti apo një tjetër që të hynë në universitet aty ku e meritojnë, por se si t’ia bëjmë që ata, të cilët sot hynë në universitet si e meritojnë e aty ku e meritojnë, të kenë një arsim të lartë edhe më cilësor, të kenë diploma edhe më të vlefshme duke futur këtu universitete të huaja, duke thirrur këtu universitete të mirënjohura  në botë dhe në Europë, që të bëhen bashkë me universitetet tona dhe që në universitetet tona vajza dhe djem të Shqipërisë të studiojnë në ato programe, të barazvlefshme të atyre universiteteve, në ato ende ku ato janë dhe të marrin të njëjtat diploma pa pasur nevojën të ikin  matanë kufijve dhe të shpenzojnë shumë më tepër.

Kjo është plotësisht e mundur!

Kjo mund të bëhët sot, nuk mund të bëhej dje. Dje, në radhë ta parë duhej të pastronim të gjithë fushën e minuar të universitetit tonë. Kush mund të vinte dje dhe të interesohej seriozisht për këtë ofertë tonën, që është në planin tonë të veprimit 2021-2025?

Kush mund të hynte në xhungël e atyre universiteteve që ishin shëmbëlltyra e diskretitimit të plotë të politikës dhe e ndarjes së frikshme mes fjalës dhe veprës?

Askush!

Kush mund të vinte dje nga emigracioni, për të rindërtuar shtëpinë e gjyshërit dhe stërgjyshërit në një fshat dhe për të bërë një agroturizëm prej të cilit fiton shumë më tepër sesa nga puna për dikë tjetër në emigracion?

Kush mund të vinte dje të investojë 2.5 miliardë në Portin e Durrësit, për ta bërë një nga portet më të mëdha turistike të Mesdheut?

Kush mund ta mendonte dje që ne do të hapnim një aeroport të dytë e do të fillonim punën për të tretin e të katërtin në Shqipëri?

Kush mund ta mendonte dje se Shqipëria, sot do të ishte gati për të hyrë në një tjetër fazë të luftës për t’u bërë e ardhmja e të gjithë fëmijëve të vet?

Nuk kishte sesi!

Por ajo që është më e rëndësishmja për të gjithë vajzat e djemtë, për të gjithë të rinjtë është që të mos bëjnë gabimin e madh të mendojnë se po nuk u more me politikë, po nuk votove, është njësoj si të po të votosh. Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikan.  Unë nuk jam futur në këtë rrugë për t’u bërë politikan. Unë jam futur në këtë rrugë, sepse isha në emigracion. Më ka shtyrë në këtë rrugë, besimi shumë i fortë që ky vend bëhet dhe nëse ky vend nuk është bërë e nëse në këtë vend, hera-herës, njerëzit kanë rënë pre e recetave çudibërëse dhe pastaj kanë përfunduar në fund të greminave, kjo ka ardhur nga fakti se ajo shumicë kritike njerëzish që besojnë te puna, besojnë te vetja, guximi e vendosmëria e tyre, i kanë lënë të tjerët të marrin vendime për ta, ua kanë deleguar të tjerëve fatin e tyre. Unë kam ardhur këtu e jam futur në këtë rrugë, pikërisht sepse nuk doja më që fatin tim, të familjes tim, të vendit tim t’ua delegoja të tjerëve.

Unë jam këtu sot, përsëri, për t’iu thënë shqiptarëve mos ndaloni, mos ktheni rrugën, mos u lodhni dhe mos u dorëzoni, sepse ngjitja më tej drejt majës ku ne duam të mbërrijmë, është e vështirë. Sa më lart të ngitesh, aq më shumë tundimi për t’u ndalur, tundimi për të bërë pushim, për t’u kthyer pas, për të gjetur një rrugë tjetër, bëhet më i fortë.

Kjo botë është e atyre që nuk ndalen.

Kjo botë është e atyre që nuk pushojnë.

Kjo botë është e atyre që kokëforcërisht vazhdojnë të ngjiten.

Kjo botë është e atyre që edhe kur rrëzohen, ringrihen e vazhdojnë të ngjiten.

Kjo botë nuk ka qenë kurrë e atyre që gjejnë rrugën më të lehtë, më të shkurtër.

E prandaj populli na ka lënë një porosi dembabadem, rruga më e shkurtër të nxjerrë më gjatë.

I ranë shqiptarët shkurt, kur shkuan pas Haxhi Qamilit dhe iu ra shumë gjatë. I ranë shqiptarët shkurt kur shkuan pas Sudes, Vehbiut e Xhaferrit e iu doli shumë gjatë. I ranë shqiptarët shkurt edhe më pas e përsëri iu doli më gjatë.

Kjo rrugë nuk është e shkurtër, kjo rrugë është e gjatë, por ama, kjo është rruga që na çon në majë.

Unë nuk jam këtu për veten time nga maja nga ku flas.  Nëse do të ishte në aspektin personal, unë i kam realizuar të gjitha, i kam prekur të gjitha majat që mund të prekë dikush që merret me politikë. I kam patur të gjitha nderet që mund të ketë dikush që votohet nga populli i tij dhe nëse do të ishte një bilanc personal, thjesht për veten time, do të ishte shumë e lehtë për mua. Por unë nuk jam ngjitur këtu, bashkë me ju, për të ndaluar këtu.

Ka një dallim shumë të madh.

Ne, unë, Erjoni, ju të gjithë e duam pushtetin për Shqipërinë. Ata e duan e duan Shqipërinë për pushtetin. Për ta, Shqipëria është vendi i të gjitha të zezave kur ata nuk kanë pushtetin, ndërsa kur ata janë në pushtet, Shqipëria është plaçkë dhe shqiptarët janë mish për top. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, duke përsëritur të njëjtën gjë. Dikush që përsërit të njëjtën gjë dhe pret një rezultat tjetër është thjesht budalla, kështu thotë një fjalë e mençur.

Ne jemi këtu për të vazhduar të ngjitemi, jemi këtu për të vazhduar të bëjmë atë që kemi mision, atë që kemi marrë përsipër me kurajo dhe vendosmëri, për të bërë më të vështirën e për të mos i rënë shkurt. Jemi këtu për të bërë edhe për ekonominë, mirëqenien, turizmin, energjinë, teknologjinë, arsimin dhe shëndetësinë, atë që po bëjmë sot, duke fituar mbi tërmetin, mbi armikun e padukshëm. Nëse kjo kundër pasojave të tërmetit dhe armikut të padukshëm është një luftë që shihet çdo sekondë dhe jetohet e fitohet në çdo sekondë, duke i dhënë rezultate në çdo sekondë, tjetra është një luftë që duhet bërë në çdo sekondë, edhe pse shumëkush nuk e sheh në çdo sekondë.

Po kthehem përsëri tek atletet. Na duhet të vazhdojmë të bëjmë me insistim bashkimin e forcave me të gjithë njerëzit e zakonshëm. Nuk ka pasur në historinë tone, një tjetër forcë qeverisëse që ka komunikuar kaq shumë me popullin e vet, ka bërë kaq shumë për t’i dhënë akses popullit në veshët e qeverisë dhe veshët e kryeministrit.

Sot, Shqipëria ofron 95% të shërbimeve për publikun online. E kemi nisur me 14 shërbime në 2013-ën, sot çdo qytetar e ka shtetin në xhep, mjafton të marrë smartphone, kompjuterin më të afërt dhe aplikon për një shërbim. Por jemi ende në mes të rrugës, sepse duhet që më tutje, shteti dhe të gjitha shërbimet e tij të vijnë direkt në xhepin e popullit dhe të mos jetë më vetëm njëra anë që t’i mund të aplikosh online, por dhe përgjigja të të vijë online për të gjitha shërbimet. Një pjesë e madhe vjen, një pjesë tjetër duhet të vijë më tutje. Ndaj ne duhet të vazhdojmë.

Disa që janë zgjuar tani për fushatën elektorale, më shkruajnë “tani u kujtuat të lëvizni e të bëni gjëra”. Unë di të them që mjafton të shikosh kilometrazhin në makinën time për të nxjerrë konkluzionin që rrugëtimi im, qysh ditën e parë nëpër të gjithë Shqipërinë, është një udhëtim më i gjatë sesa të bashkosh të gjithë udhëtimet që kanë bërë të gjithë kryeministrat, qysh kur është krijuar shteti, nëpër Shqipëri, për të parë dhe takuar njerëzit. Për mua, kjo detyrë, të parën ka nderin, por edhe mundësinë e jashtëzakonshme për të ndihmuar njerëzit, padallim.

Edhe kur flas për dy atletet, të dyja këmbët dhe domosdoshmërinë të ecim së bashku, pavarësisht bindjeve politike, përkatësive krahanore dhe statusit social, kam parasysh se kur ne nisëm të kurojmë plagët e tërmetit, nuk i pyetëm njerëzit me kë jeni, por ecëm sëbashku me të gjithë njerëzit.

Kur i morëm familjet e mbetura pa strehë në pak sekonda, me mijëra e mijëra, nuk i ndamë socialistët në hotel dhe demokratët në çadra, përkundrazi, i sistemuam të gjithë njësoj.

Kur filluam të rindërtonim shtëpitë, nuk thamë të fusim në shtëpi socialistët e më pas të shohim çdo bëhet me demokratët, por po i sistemojmë të gjithë një e nga një, pa i ndarë.

Kur ne u bëmë i dyti vend në këtë lagjes mes Europës që siguroi vaksinimin masiv, nuk thamë të vaksinojmë njëherë socialistët e më pas, demokratët, të vaksinojmë gjyshërit dhe gjyshet e socialistëve e më pas, gjyshet dhe gjyshërit e demokratëve. Por me ndjesitë e nderit e privilegjit më të madh dhe mundësisë për t’u shërbyer njerëzve në luftë për jetën, ne i vaksinuam dhe po i vaksinojmë të gjithë, padallim.

Disa thonë “për detyrë e keni”. Patjetër, të gjithë ata që zgjidhen, për detyrë zgjidhen. Dallimin mes tyre e bën vetëm faktin se kush e bën detyrën mirë dhe kush keq, kush detyrën e konsideron nder dhe privilegj për të shërbyer e kush e konsideron privilegj për vete, familjen, rrethin e tij dhe mundësi për të rrëmbyer. Ky është dallimi.

“Sikur po e bëni me lekët e tuaja,”, - thonë disa të tjerë. Qysh në kohën e Greqisë së lashtë dhe qysh nga dita e krijimit të shtetit, ideja që krijoi shtetin ishte si të kemi një administrim të përbashkët të të ardhurave tona për ato që nuk i bëjmë dot vetë. Shtëpinë e bën vetë, pro rrugën në lagje nuk e bën dotg vetë, fëmijën në shkollë e çon vetë, por shkollën e të gjithë fëmijëve nuk e bën vetë, kur vjen puna për të çuar dikë në spital, spitalin nuk e ndërton vetë.

Këtu ndahen përsëri, ata që lekët e njerëzve i kthejnë në vepra për njerëzit, kontributet e njerëzve i kthejnë në shërbime për njerëzit dhe ata, të cilët i bëjnë rrush e kumbulla.

Sot ka dy mundësi, të ndryshojmë rrugën, të mos vazhdojmë të ngjitemi, por t’i biem shkurt e të përfundojmë edhe njëherë, siç kemi përfunduar në të shkuarën, sa herë kemi dashur t’i biem shkurt. Ndërkohë që zgjedhja tjetër është të vazhdojnë të ndryshojnë gjërat, sepse kudo duhet ndryshim në vazhdim, por duke vazhduar të ngjitemi, duke forcuar solidaritetin mes nesh, mes njerëzve. Duke forcuar solidaritetin mes të gjithë atyre, të cilët nuk jetojnë me politikë dhe për politikën, por me punën dhe për punën, me familjen e për familjen, jetojnë në një komunitet dhe duan më shumë për komunitetin.

Nuk jemi të rënë nga qielli, të pagabueshëm. Kush punon e nuk gabon? Sa më shumë të punosh, aq më shumë rritet mundësia të gabosh. Sa më shumë të flesh, aq më shumë ulet mundësia të gabosh.

Zgjedhja e 25 prillit është zgjedhje midis forcës së karakterit, për të vazhduar të ngjitemi me çdo kusht, duke kuptuar, duke e futur mirë në kokë se Shqipëria, e ardhmja jonë nuk bëhet duke ofruar receta çudibërëse, që gjithmonë dalin në përfundime të hidhura, por bëhet duke këmbëngulur dhe duke vazhduar.

Shumëkush që është jashtë shkruan dhe komenton duke pasur patrasysh Gjermaninë, Francën, Anglinë ku jeton, por askush nga këta që shkruajnë nuk kujtohen se as në Francë, Angli, Gjermani nuk vidhnin dritat deri para 6-7 vjetësh, as nuk paguante gjysma për gjysmën tjetër që jetonte në kurriz të njërës gjysëm. As në Francëm Angli e Gjermani, reforma në drejtësi nuk është bërë në këto 4-5 vjet. Sistemi i drejtësisë nuk është ngritur as në 4-5 vjet, as në 14-15 vjet.

Nëse ne duam që në këtë botën tonë të vogël t’u ngjajmë atyre, duhet të shohim si e bënë ata botën e tyre të madhe dhe në botën e tyre të madhe ka vetëm një emërues të përbashkët për t’u ngjitur, forca e karakterit, forca për të rezistuar dhe për të mos rënë pre e sirenave të recetave çudibërëse, forca për të besuar tek puna. Forca për t’u lodhur dhe për t’u çuar sërisht për t’u lodhur, deri kur të vijë rezultati.

Unë e di shumë mirë që sot, shumë të rinj shikojnë në Instagram bashkëmoshatarë të tyre me Benz, Bentley, avionë privatë, vila, shikojnë plot disa këtu e disa jashtë dhe e duan atë që shohin menjëherë dhe nisen. Është shumë e dhimbshme kur një i ri largohet dhe ndërkohë nuk e ka as zanatin për të përballuar jetën atje, as përgatitjen për t’u përballur me çfarë e pret atje. Bie pre e atyre që marrin të rinjtë e i fusin në shtëpitë e barit në Holandë, apo rrjetet e drogës në Agngli, apo i trajtojnë si skllevër. Unë nuk dua që të rinjtë të mos ikin, por ajo që unë dua është që të rinjtë të zgjedhin dhe nëse vendosin të ikin, të jenë të armatosur me një zanat e atje ku ikin të jenë shqiptarët që dinë të ofrojnë një shërbim, jo shqiptarët që bien pre e lloj lloj duarve të zeza e i bëhet jeta skëterrë.

Për ta bërë këtë duhet kohë dhe shumë durim, sepse nuk bëhet kalimi nga “kristali”, “vitrinat” e llamarinat tek ai nivel, në një kohë kaq të shkurtër, që mund të jetë kohë e gjatë për jetën e një njeriu, por tmerrësisht e shkurtër për historinë e një vendi. Nëse ne duam ta shkruajmë deri në fund historinë tonë, historinë e kësaj gjenerate na duhet të rezistojmë me forcën e karakterit dhe jo të kthehemi mbrapsht.

Unë jam këtu në mesfushë, kemi bërë pjesën  e parë të ndeshjes, tani fillon pjesa e dytë dhe ose do bëjmë pjesën e dytë dhe do fitojmë ose do bëjmë gabimin ta anulojmë lojën e pastaj mos të gjejmë më as fushën për disa vite.

 Unë nuk besoj tek ata që i marrin të rinjtë dhe ju thonë “merrni veturën, merrni dhe tre shokë brenda, bjerini borive, nxirrni flamurin, nisuni dhe mblidhuni atje sepse po shkojmë drejt fitores.

E para njëherë, nuk po shkohet drejt asnjë fitoreje në atë mënyrë dhe e dyta, është mënyra më e lehtë, por është dhe ajo rruga shumë e shkurtër që të nxjerr gjatë që t’i marrësh të rinjtë e ti fusësh në atë korsi me zhurmë, me ndotje, me bori, me flamuj e me idenë se boll që tani të ikin me shpejtësi e në fund të rrugës ne do gjejmë atë Shqipëri që nuk po e gjejmë sot.

Atë Shqipëri që ne nuk po e gjejmë sot këtu, ne do ta gjejmë këtu, por do ta gjejmë këtu duke këmbëngulur, duke punuar, duke duruar dhe duke ecur përpara.

Nuk ka rrugë të shkurtër për të fituar luftërat. Nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të përballesh me sfidën sy më sy dhe në këtë përballje sy më sy me sfidën jemi të gjithë ne sot, ndërkohë që të tjerët i bëjnë bisht përballjes sy më sy me sfidën dhe ndërtojnë përballje  për të na përçarë e për ta përçarë këtë vend.

Prandaj të dashurit e mi, këto ditë që kanë mbetur deri në 25 prill, të gjithë atyre të rinjve që u thonë “ik se janë të gjithë njësoj, nuk dua të votoj, ik se kështu, ik se ashtu”, thuajini vetëm një gjë në fund, ose në fillim, ose dhe në fund dhe në fillim.

Sa më shumë nga ju të mos votojnë, sa më shumë nga ju të mendojnë se vota nuk vlen, aq më shumë nga ju bëhen bashkëfajtorë me ata pak, të cilëve u ngelet në dorë të vendosin edhe për ju. Ndërkohë që ju duhet të vendosni për veten tuaj dhe këtu nuk ka një zgjedhje mes engjëjsh dhe djajsh, nuk ka një zgjedhje mes jetës së bukur “ohoho” dhe jetës së vështirë “obobo”.

Këtu ka një zgjedhje mes ngjitjes më tutje duke rezistuar, këmbëngulur, duruar dhe rirënies duke pushuar.

 Faleminderit shumë!

 Ne, në 25 prill do të fitojmë, por nëse për ata fitorja është për të na mundur ne, për ne fitorja është për të mundur Shqipërinë e të shkuarës e për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë këtu, për ta bërë Shqipërinë një shtëpi, ku çdo vajzë e çdo djalë të jetë krenar, jo për historinë vetëm, as për bukuritë e Shqipërisë vetëm, as për traditën e për familjen e vet vetëm, por të jetë krenar për kushtet e shtëpisë e pastaj të zgjedhi të rrijë aty apo të shkojë diku tjetër e të rikthehet përsëri. Në mes të kësaj lagjeje këtu, ne jemi të rrethuar po të shikoni më tutje nga shtëpi të ndërtuara me gjak, nga shtëpi të ndërtuara me mund të madh, me durim të madh, me këmbëngulje të madhe, nga shtëpi të ndërtuara nga njerëz që ikën nga skutat më të thella të varfërisë nëpër male e nëpër periferi dhe erdhën këtu për të kërkuar Amerikën e tyre dhe ato shtëpi nuk u ndërtuan as sa hap e mbyll sytë, nuk u ndërtuan as me fajde, as me magji, por u ndërtuan me vite të tëra pune dhe durimi dhe unë i them të gjithë atyre që dinë se çfarë është puna, që e dinë se si fitohet me punë që e dinë se sa e vështirë është të rrisësh të ardhmen me punë, që ata janë njerëzit tanë. Nuk kanë rëndësi bindjet, nuk ka rëndësi prejardhja e tyre, nuk ka rëndësi statusi i tyre social. Ata janë njerëzit tanë.

 Atyre u them harrojeni partinë dhe partitë dhe votoni numrin 12.

 Votoni numrin 12, ne kemi një 12 të madhe, shumë të madhe, 12 e ngritjes së flamurit të pavarësisë.

 Ne socialistë të kemi një tjetër 12, 12-n e ditës që lindi Partia Socialiste dhe ne shqiptarët sot kemi këtë 12-n e vogël për të bërë ato punë të mëdha që mbeten akoma për t’u bërë që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm