Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vota në 25 prill do jetë për vazhdimin e mëtejshëm të rrugës së reformave

Të reja

Vota në 25 prill do jetë për vazhdimin e mëtejshëm të rrugës së reformave

27 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit – Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në Krujë:

Shumë faleminderit në radhë të parë jo për formalitet, por realisht është e domosdoshme. Unë dua me gjithë zemër ta falenderoj Eglantinën. Ndërkohë që shikoja pjesëmarrësit në këtë takim, mu kujtua një kohë disi e largët, kur unë kam ardhur në Krujë për herë të parë si kryetar i sapozgjedhur i PS-së dhe u futa në takim, vetëm burra. Nga i pari te i fundit, burra. Kudo që shkoja në takimet prezantuese, pasi mora besimin që do dretoja PS-në, ishin vetëm burra. Kur fillova ta ngre pak zërin dhe pyes, po gratë ku janë? Ku ka gra, thonin.

Natyrisht më vinte pastaj pyetja, po ju nga keni dalë. Nuk e bëja pyetjen, por u thoja kush ju pret në shtëpi kur shkoni; për ju kush kujdeset, po fëmijët tuaj kush i ka lindur, ju vetë?

Ka qenë një rrugë e jo e lehtë për të ndryshuar atë realitet, që ishte trishtues jo vetëm në PS-së, por edhe në Parlament dhe në këshillat bashkiakë.

Kruja ishte një nga ato zonat ku edhe kjo punë nuk ishtë fort e lehtë, sepse burrat ndiheshin më të rënduar nga zamani që të mos hapnin rrugë kollaj. Në këtë aspekt, Tina ka bërë një punë fantastike. Kur në fillim i thashë, po sikur ti të shkosh në Krujë sepse je nga Kruja, ajo kishte shqetësimin kryesor se aty, problemi kryesor është që pjesa më e bukur për mua e punës në politikë që është të punoj me gratë dhe vajzat, është shumë e vështirë se burrat që nuk janë dhe aq të prirur që t’ua u hapin rrugën dhe të pranojnë që gratë mund të jenë pjesë e vendmimmarrjes, të pranojnë që gratë mund të ngjiten në pozicionet që meritojnë.

Sot, pamja është komplet tjetër. Nuk është vetëm pamja, edhe realiteti brenda PS-së, por edhe realiteti i përfaqësimit në këshillat bashkiakë ku ne i kemi imponuar atë që unë bëra në krye të herës me Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në këtë realitet shumë të ndryshuar, natyrisht ka ende shumë për të bërë për gratë dhe për vajzat dhe është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të bëjmë sa më shumë për gratë e për vajzat.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që Tina e ka pikasur edhe njeriun e duhur për të qenë këtu.

Milva është një deputete e Durrësit. Ka drejtuar fushatën e vitit 2017 në Durrës dhe është nga Durrësi. Thjesht do të kujdeset posaçërisht për Krujën, me marrëveshjen që dhe Tina do vazhdojë të jetë e pranishme, kryesisht dhe posaçërisht me projektët për gratë dhe vajzat.

Jo të gjithë e dinë që gjysma e gjysmës time më të mirë është nga Kruja, sepse e ëma e Lindës është nga Kruja. Kështu që në një farë mënyre, duke ardhur këtu në Durrës, gjë që unë e kam bërë nisur në radhë të pare, nga domosdoshmëria për t’i kushtuar një vëmendje të veçantë Durrësit dhe këtij Qarku, sepse ka një potencial të jashtëzakoshëm, por në një farë mënyrë është e lidhur dhe me një pjesë të rrënjëve të mia, që unë në një farë mënyre i përkas dhe do të duhet ta mbaj detyrimin për t’u kujdesur posaçërisht dhe për Krujën.

Me investimin e madh që ne do të nisim në muajt në vijim në Durrës, për traformimin e portit tregtar në një port të madh turistik, që do të jetë një nga portet më të mëdha të Mesdheut, detyrimisht do të sjellë shumë më tepër mundësi për Krujën dhe Shijakun.

Sot ishim në Shijak në një zonë ku është ndërtuar një agroturizëm nga një djalë, i cili është ekzaktësisht prej asaj zone, ka mbiemrin e asaj zone, ka qenë emigrant dhe është një ndër kuzhinierët më të shquar shqiptar. U kthye e punon tek një nga restorantet më të mira të vendit, në mes të Tiranës dhe ndërkohë ka investuar kursimet e tij për të ndërtuar një agroturizëm që është i një standarti absolutisjt me 5 yjë ndërkombëtar. Fakti që sipërmarrja e tij, sado që dukej në fillim një aventurë e madhe, sepse në një territor të izoluar totalisht në dukje dhe ne e nxitëm dhe e mbështetëm, po ecën shumë mirë, nuk thotë më shumë sesa të tjera do ta ndjekin.

Me transformimin që po ndodh edhe në Shijak Brenda, unë jam i bindur që Shijaku, më herët sesa vonë do të jetë një zonë mbështetëse e turizmit që zhvillohet në bregun e detit. Ashtu sikundër Kruja ka qenë denbabaden e tillë, por me ndryshimet që janë bërë dhe që do t’i vazhdojmë, duke e bërë shumë më tërheqëse dhe shumë më mikëpritëse, krahasuar me seç ishte një qamet i madh jo shumë vite më pare, do të përfitojë shumë nga prurjet e mëdha që do të sjellë porti turistik. Turistët që do të vijnë në portin turistik do të kërkojnë që si kudo të lëvizin në pellgun përreth. Kruja është destinacioni i parë në momentin që dikush arrin në Durrës dhe pyet apo është interesuar më parë se ku mund të shkojë, duke qenë vizitor i vendosur në Durrës.

Kjo do të thotë shumë më tepër mundësi këtu në Krujë për shërbime, shumë më tepër mundësi për mikëpritje, akomodim, shumë më tepër punësim dhe shumë më tepër të ardhura, sigurisht. 

Nëse i kthehemi pak të shkuarës dhe nëse e shikojmë sot Krujën, është një dallim si nata me ditën. Sot hapëm çezmën dhe filloi të funksionojë ujësjellësi i ri. Një problem i jashtëzakonshëm dhe shumë i shumë i vjetër, prej dekadash të tëra, qysh në kohën e komunizimit që Kruja vuante për uji, sot është zgjidhur. I gjithë qyteti do të ketë ujë 24 orë dhe është një ujë me cilësi shumë të lartë, sipas analizave të bëra. Unë e piva gotën e parë dhe kjo është e rëndësishme, sepse i jep fund një historie dhjetëra vjeçare.

Shumë njerëz me të drejtë thonë akoma flasin për ujin në vitin 2021. Në fakt e turpshme është që flasim për ujin në vitin 2021, por është një turp që do ta mbajnë ata që e kanë jo ne që e trashëguam këtë turp prej dekadash dhe të cilit po i japim fund. Siç po i japim fund këtu në Krujë, do t’i japim fund në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë në një, dy dhe tre vitet që vijnë. Kemi kudo në Shqipëri, kantiere ku punohet për ndërtimin e ujësjellësve që do të sjellin 24 orë ujë të pijshëm furnizim në familjet e qendrave të banuara, e zonave më intensive të banimit.

Nga ana tjetër kam vënë re, me bezdi të them të drejtën këtë periudhë të fundit, ku shumë nga punët po mbarojnë ose janë në process, që “pse tani u kujtuat, për fushatë, pse tani që doni vota?”

Po pse, ujësjellësi që sot filloi të vihej në funksion, u ndërtua tani në fyshatë? U ndërtua për një javë apo për një muaj?

Cila nga veprat që njerëzit i shikojë sot të marrin formë përfundimatre ose të shkojnë drejt përfundimit, kanë filluar për një apo dy muaj?

Jo, ujësjellësi i Krujës ka dy vjet në kaniter që punohet, në 1 mijë e 600 kusur metra lartësi, nga 8 burime të mbedhura bashkë dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë dhe sot finalizohet.
Ata që thonë “tani u kujtuat për shtëpitë”, ku ishin ata. Ka 15 muaj që ka rënë tërmeti, që ishte një goditje e tmerrshme dhe ka 15 muaj, qysh të nesërmen e rënies të tërmetit që ne i kemi ndenjur mbi kokë familjeve, duke mos lënë asnjë familje jashtë si fillim, duke iu dhënë të gjithëve mundësinë të kenë një strehë, qoftë nëpër hotele, që e mbani mend, qoftë nëpër çadra. Pastaj duke vazhduar intensivisht punën për t’i sistemuar nëpër shtëpi. Sepse ne nuk kemi fjetur gjumë asnjë ditë, sepse ne nuk kemi bërë pushim asnjë ditë.

Po shikoja tani pallatin pranë dhe vetëm një e treta ka mbaruar. Sa vite ka ky pallat? Ҫdo ndërtim, çdo pallat, i bërë nga një privat, ku kanë hyrë të gjithë këta që bëjnë interesantin dhe kompetentin kur bëjnë komentet, në rastin më të mirë, në rastin më optimal do dy vjet. Në rastin më të mirë, duke filluar nga momenti kur identifikohet vendi ku do ndërtohet, tek të gjitha procedurat, projekti, marrja e lejes, projekti i zbatimit, tek fillimi i punës.

Ndërkohë, ne, në vetëm 15 muaj kemi sistemuar plot familje në shtëpia të reja shumë më të forta, shumë më të bukura sesa ato që kishin dhe shumë më të mëdha për shumë familje, se aty ku ka rënë një shtëpi me dy, tre, katër kurora brenda, ne kemi dhënë dy, tre apo katër shtëpi të reja. Nuk i kemi lënë të futen prapë të gjithë bashkë në të njëjtin kulm.

Këtu në Krujë lart janë 700 shtëpi. Ka filluar puna me infrastrukturën për pallatet, në një terren jo të lehtë, ku është bërë puna për studimin gjeologjii, për planin, për projektet, për project-zbatimin, garat, lidhja e kontratave dhe në ndërkohë, të gjitha verifikimet e nevojshme. Po ashtu mund të shikoni poshtë Fushë-Krujën, në maj mbarojnë shtëpitë individuale, deri në shtator-tetor mbarojnë pallatet. Edhe aty janë kushte ku e ku më të mira se ato që ishin para tërmetit për ato familje. E njëjta gjë në Bubq, e njëjta gjë me banesat individuale.

Nuk kanë qenë 15 muaj pune të patrazuar dhe pashqetësuar nga asgjë tjetër. Sepse pastaj na erdhi tërmeti tjetër që trazoi gjithë botën, pandemia. Shumë procese që u penguin, shumë procese që u bllokuan madje dhe megjithatë, ja ku jemi.

Ndërkohë në Italinë fqinje kanë me vite, në shumë zona, që janë akoma nëpër rulota e nëpër çadra, sepse ende nuk po kthehen në shtëpi pas rënies së disa tërmeteve një këtu e një atje. Dhe ata që kthehen në shtëpi në Itali apo kudoqoftë pas tërmetit nuk kthehen në shtëpi që i marrin falas nga qeveria, po kthehen në shtëpi që  shlyejnë në vite me një kredi të butë. Ndërkohë që ne kemi bërë një program unikal. Le të futen në google, le ta kërkojnë dhe ta gjejnë një tjetër program, - kemi studiuar shumë programe sesi financohen dhe sesi mbështeten proceset e rindërtimit, - ku është falas. Asnjë qindarkë nuk do t’ju kërkohet atyre që do rikthehen në shtëpi shumë më të mira se më parë. Pa diskutuar shkollat, kopshtet, çerdhet, qendrat shëndetësore e radhë.

E kush do i bënte këto?!

Parafytyroni sikur, larg qoftë, COVID-i të na kishte goditur kur ishin në pushtet këta që sot duan të kthehen prapë, me ato spitale që gjetëm, me ato aparatura mjekësore që gjetëm, me atë staf mjekësor të çoroditur, të demotivuar, të braktisur dhe që, kur shkoje në spital, nuk e merrje vesh kush ishte doktori, kush infermieri, kush pacienti e kush familjari. As bluzat e bardha nuk i kishin të gjithë njësoj. Pa llogaritur që shkohej jo para 70 vjetësh, por deri para 7 vjetësh më parë; ku shkoje spital me çarçaf e batanije me vete, shkoje me ilaçe me vete. Shkoje në spital njësoj sikur shkoje në luftë.

Spitalet, sot janë komplet një realitet tjetër. Shihni spitalin e Krujës si po transformohet. Shikoni shkollat. Natyrisht që ka akoma shumë për të bërë, po mua të paktën nuk më ka lënë kujtesa. Nuk ishte as para 70 vjetësh, as përpara 17 vjetësh, por përpara sesa Arturi të bëhej kryetar bashkie dhe të fillonim bashkë punën për rilindjen urbane në Krujë. E gjithë zona poshtë, që është një bukuri ta shohësh dhe një kënaqësi ta shijosh, kishte kishte vetëm makina, gropa në asfalt dhe plehra. S’kishte asnjë mundësi të shëtisje apo të uleshe lirisht dhe të shijoje gjithë këtë mrekulli që është Kruja vetë, si visitor, sepse ishte sikur të ishe në mes të rrëmujës.

Të po asaj rrëmuje që e patë kur hapën fushatën elektorale. Ajo është kartolina e vizionit të tyre për hapësirën urbane, për bashkëjetesën e njerëzve në të njëjtën hapësirë. Fut makinat, dil me tufa, klith, bërtit, ndot, lër pisllëk mbrapa dhe ik. Këtë kanë bërë me Shqipërinë, sa herë e kanë marrë detyrën.

Këtu në Krujë është shumë interesante, se një pjesë jo e vogël vazhdojnë thonë jemi familje tradicionale, jemi të shpronësuar, jemi të persekutuar dhe jemi me PD-në. Për çfarë arsye, se nuk më doni mua? Se nuk doni komunistët?

E para, komunistin e keni në krye atje, që nuk i ndahet asaj partie. Edhe kur e tërheq këmbën zvarrë dhe ka vënë një kukull atje, që të shfaqet sikur është i pari i punës dhe e drejton me telekomandë nga Lalëzi. Përtej asaj, çfarë rëndësie ka kjo, apo kur merr gamorin për dru me e ngjit lart, e sheh nga ngjyra apo e merr që të ngjitet lart e të mbartë drutë prej andej?

Është shumë e thjeshtë, vota nuk është tifozllik, vota nuk është jam me këtë apo kundër atij, se kështu është historia. Vota nuk është histori. Vota është, sot kush ta bën punën, kush shkon deri atje lart, ngarkon drutë dhe i sjell poshtë.

Mmund të imagjinohet kjo, që një garë midis dy gamorësh, unë qenkam gamor që nuk e bëj dot punën dhe e bën Luli! Me marr një gamor që flen gjumë në këmbë dhe me i thënë shko merr drutë atje? Nuk vijnë drutë kurrë! Humb edhe gamori, po punë e madhe shumë, se është gamori tjetër atje, që e gjen një gamor tjetër më të vogël.

Puna është që nuk vijnë drutë, se ndryshe është e thjeshtë, s’më do mua, s’ka problem. Unë nuk kam dalë për të gjetur nuse, e kam gjetur, gjysëm krutane, gjysëm tironse dhe jam në rregull. S’më do mua, e ke kollaj, bjeri telekomandës e hiqe fytyrën time, shih sport e aty bëj tifozllik. Por punën, kush do ta bëjë? Krujën kush do ta bëjë, që fëmijët e tu, o demokrat, të rriten këtu dhe ta kenë këtu të ardhmen e vet? Të rriten në Shqipëri dhe ta kenë në Shqipëri të ardhmen e vet.

Kjo është pyetja.

Taksën zero kush ta bëri?

Taksën zero kush ta vuri ty? Se unë jam bërë edhe si ata qentë e gjahut kur futen në pyll e kuptojnë me hundë ca ka pylli brenda, dhe unë i njoh nga larg këta kokat e mëdha demokratikase. E pash një aty në pazar, po në rregull nuk ka problem, kur më shef mua le të rri ashtu, por te dyqani vet e ka taksën zero. Kush e bëri taksën zero PD-ja?!

Tani si mund ta bësh që të shkosh të votosh me këmbët e tua meqë e do “gomarin blu” e nuk e do ngjyrën mavi edhe pastaj të të vijë taksa e sheshtë edhe ta hash ti më keq sesa ky këtu. Ti i vogli ta hash më shumë se ai i madhi? Pse? Ti e ke zero taksën. Ose je mësuese, je infermiere, cfarëdo qoftë, që ke një rrogë, si mund të shkosh të votosh për ata kur po ta thonë copë se do venë taksën e sheshtë. Merre bëje llogarinë, shihe sa e kishe rrogën kur e kishe taksën e sheshtë dhe shihe sa të merrnin me atë taksën e sheshtë dhe aq do të të marrin prapë, jo 10% po 9%, po pse do e paguash ti kur sot paguan 2% e 3%.

Po pse do paguash 9% kur sot të thonë, që shiko në Janar të 2022-shit kush e ka rrogën deri në 400 mijë lekë nuk do paguajë taksë mbi rrogën, sic e kanë ata që kanë pagë minimale. 63% e atyre që sot marrin rrogë në këtë shtet, qoftë në privat, qoftë në shtet fitojnë nga kjo. Do i marrësh ato 400 mijë lekë do i çosh në shtëpi, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore i ke për vete, jo për shtetin, i ke për shëndetin tënd, për pensionin tënd. Këtë taksën mbi fitimin që do ta venë këta ti do e kesh zero. Atëherë pse do votosh për ata, se s’të pëlqen Edi Rama, se është shumë i gjatë? Po punë e madhe shumë, shtyp një sustë aty në telekomandë dhe iku Edi Rama se sheh më. Mos e shih fare.

Po kur futen tek facebook-u im dhe thonë “na lodhe”. Po pse u fute?  Të futa me zor unë, “hë më se na mërzite”, “se na çmende”. Po pse u fute? E ke kollaj fare, ik, po shih interesin tënd mos shih interesin e gomarit që fle gjumë. Për interesin tënd duhet gomar që të bën punë, që të mban drutë, që ta merr stivën e druve nga andej dhe ti çon këtej, jo që të le rrugëve. Mos të llogarisim pastaj këtë të PD-së këtë rradhë që është një dardhë që e ka bishtin mbrapa si gjarpër. Ka një bisht që jo të ngec në fyt, po që të rrotullohet në gurmaz që të mos marrësh dot frymë, se ka nga mbrapa Saliun, Ilirin ka edhe Monikën, që është ajo nyja e bishtit.

Për çfarë ta votojnë Partinë Demokratike? Që të marrësh paketë Lulin me Monikën, e me Saliun?

Po hajt se Saliun e duan këta, nuk kemi ca i bëjmë, po Ilirin me Monikën nga mbrapa po ku ka shans që të bëhet punë. Unë e di ça kam hequr dhe i bëmë disa punë, po tani kanë ikur fare. Njeriu me vite ose përmirsohet ose bëhet më keq.

Për të shkuar më tutje na i numërojnë ata vitet sikur ne kemi qenë në shëtitje.

E morëm mandatin e pare, hemoragji nga të gjitha anët, nuk kishte lekë për të paguar rrogat dhe pensionet e fundvitit. Sipas llogarive që bënte FMN-ja, mali me borxhe si mali i Krujës për gjithë ato kompani që nuk kishin dhënë lekët.

E ndalëm hemoragjinë, dhe filluam gjithë ato reforma që nga dritat, tek uji, se janë harruar. Se thonë akoma “ka probleme uji”. Sigurisht që ka e ende, po zgjidhen dhe më në fund është fushata e fundit që do flitet për ujin. Sepse siç u zgjidh në Krujë po zgjidhet kudo.

Tek arsimi çfarë doni që të fillojnë universitetet të japin diploma për qejf? Kujtoni se nuk fillojnë? Po më thoni sa herë e kanë marrë detyrën dhe e kanë bërë ndryshe nga hera e kaluar. Gjithmonë kanë bërë të njëjtën gjë se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.

Edhe programi që kanë është i njëjti vetëm se kanë ndryshuar kursin e këmbimit. Ngaqë kanë fjetur gjumë, premtojnë në program “do ndërtojmë ujësjellësin e Krujës”. Ujësjellësi mbaroi, iku, ata e kanë program. E kanë program do e bëjmë TVSH-n e turizmit 6%, ndërkohë që ka tre a katër vjet që është bërë.

6% është sot, po ja i ka ngelur nga programi i kaluar. Po kur thonë do kthejmë fashat e pagesave të dritave. Prapë historitë nga e para kur hynin vetë poshtë fashave dhe bënin të pasurit sikur ishin të varfër, bënin bizneset sikur ishin familjarë edhe kush e hante, e hante populli.

Mir Luli, Meta dhe Monika, po Gon Duka, se e keni dhe deputet. Po ai çfarë do? Ka qenë Ministër Bujqësie në shekullin e 5-të, para erës sonë. Ka firmosur Luli marrëveshje me Gonin, do jesh i dyti në Durrës, do jesh Ministër bujqësie. Pran Gon Duka, po ça do bej ai? Po Dash Shehi? Po Fatmir Mediu, se këta janë, sa të duket sikur e dëgjove kulmin ka një kulm tjetër. Po Shpëtim Idrizi, po Mesila, po Nard Ndoka?

Megjithëse ai duket më i miri nga të gjithë këta. Kur dëgjon atë duket filozof. Për mos të vazhduar me të tjerët. Kush do jetë kjo qeveria e ndryshimit? Se këta janë të gjithë shalqinj me provë, janë provuar disa herë dhe kanë dalë kunguj. Si doli tani që mund të votohen këta? Për çfarë arsye? Për të ndërprerë të gjitha këto punë që janë nisur, ndërkohë që ne duhet të vazhdojmë punët e nisura. Sepse mandati i tretë është mandati që e bën të pakthyeshme të gjithë arkitekturën e ndërtimit të reformave, nuk mund të kthehet më mbrapa. Ndoshta edhe këtyre ju vjen mendja se nuk kanë reflektuar në asgjë.

Ne nuk diskutohet se kemi të metat tona, kemi bërë gabimet tona. Ato që shumë nga njerëzit i shprehin si mërzi apo pakënaqësi, janë të drejta nuk diskutohet  sepse ne nuk kemi bërë ndonjë mrekulli dhe askush nuk po e  pretendon këtë. Por pavarësisht se jemi në qeveri, pavarësisht se jemi në shumicë, bëjmë një skuadër që është përsëri reflektim, është përsëri shprehje e vetëdijes që duhet të përmisohemi dhe bëjmë një skuadër deputetësh ku mund ta gjejë veten çdo shqiptar.

Nuk e do socialist 24 karat? S’ka problem, kemi ne aty të tjerë që nuk janë të tillë. Që nga moshat, për herë të parë kemi në skuadër një grua që përveçse është një profesioniste e zonja, një qytetare me integritet, është edhe stërgjyshe. Kurrë nuk e kanë pasur pensionistët e Shqipërisë një përfaqësues të kategorisë së tyre të drejtpërdrejtë.

Po e sjell si shembull, por kemi plot gra, plot vajza, kemi burra, kemi djem nga të gjitha rrugët e jetës, një skuadër deputetësh për ta çuar më tutje edhe ripërtëritjen, edhe përmirësimin e përfaqësimit dhe të politikës. Po ata çfarë kanë ata? 

 Shihni, krahasojini skuadër me skuadër. Merrini këtu. Merreni që nga fillimi njëherë. Ne kemi Milvën, ata kanë Palokën. Tani, mund të jesh demokrat i madh, por a votohet Paloka? Çohet vota kot për Palokën? Çfarë do bëjë Paloka? A po, një gjë është e sigurt, në Krujë do rritet konsumi i rakisë dhe i paçes në orën 5 të mëngjesit. 

Kush prodhon paçe e shet raki, e ka një arsye që të thotë “ok, varja të tjerëve, por të paktën do shes raki e do prodhoj paçe se ky do më shkatërrojë”.

 Mund të krahasohet Paloka me Milvën? Nuk ka shans krahasimi. Të bësh këtë krahasim do të thotë të jesh komplet i verbër. Mos shohësh interesin tënd, të mos shohësh interesin e familjes, të mos shohësh çfarë pret ti nga e ardhmja, por të shohësh vetëm tifozllëkun e me tifozllëk të thuash të votoj këtë, se ky të merr përpara, me demek. Se i merren dhe këmbët dhe ikën më shpejt, ngaqë pjesën më të madhe të kohës është i dehur. 

 Për ta mbyllur, është shumë e rëndësishme që në 25 prill njerëzit të votojnë për interesin e tyre, të mos shohin fare asgjë tjetër, të shohin vetëm interesin e tyre dhe unë nuk shoh asnjë kategori në këtë vend që ka interes ta çojë votën në tjetër drejtim, përveç se për të na dhënë ne mundësi të vazhdojmë të ngarkojmë drutë e të vazhdojmë të çojmë përpara e të kryejmë punët që janë nisur, që nga biznesi i vogël që i ka taksat zero e që me ne do të hyjë në një proces të ri komplet që nuk do ketë më inspektor, nuk do ketë më kontrolle fare sepse gjithçka do jetë dixhitale.

 Të gjitha transaksionet do bëhen në kohë reale në mënyrë të dixhitalizuar e vetëm një qendër elektronike në Tiranë do ndjekë gjithë transaksionet dhe vetëm në qoftë se ti nuk regjistron dot transaksionet e tua atëherë ty mund të jepet një sinjal dhe nga ai sinjal të ty vjen një kontroll, por kaq.

 Tek biznesi i madh, që nuk  do t’ia ulim taksën, se ne nuk jemi për teorinë që kush fiton më shumë, duhet të paguajë më pak. Këta që kanë kaq vite që me demek luftojnë oligarkët, thonë do t’jua çojmë atyre dhe janë qindra miliona euro që duan t’i heqin nga buxheti, për kopshte, për shkolla, për çerdhe, për spitale, për infrastrukturë, për ujësjellës dhe tua lënë atyre, sepse është filozofia e tyre, është thelbi i taksës së sheshtë. Ne nuk do tua rrisim, por nuk do t’jua ulim. 15% e kanë, 15% do ta kenë, duke ju garantuar që marrëdhëniet me shtetin dhe lehtësirat që ata kanë përfituar në këtë marrëdhënie do të vazhdojnë të përmirësohen e të shtohen në funksion të qetësisë së plotë të biznesit të tyre. Këtë po!

Të jesh mësuese, e të marrësh aventurën që të shkosh të votosh për këta? Po deri përpara 7 vitesh të ishe mësuese do të thoshte të ishe “mish për top” për fushata elektorale. Hajdeni futuni të gjithë në autobus se erdhi kryeministri. Hajde futuni të gjithë në autobus se do shkojmë në miting në Tironë. Hajde se do shkojmë në miting në Durrës. Hajde se do dalim në miting këtej. Ose ik nga puna, nisu, shko në fshat matanë diellit sepse do futet ky tjetri që e ka sjellë partia, apo e ka sjellë krushqia. Nuk ka më nga këto, mësueset e dinë shumë mirë. Çdo mësuese sot e di shumë mirë që nuk e luan dot njeri nga vendi i punës dhe janë 11 mijë e disa që kanë hyrë në punë vetë, me meritën e vetë, nga portali. E u them të gjithë atyre, shkoni votoni mbrapsht dhe pastaj mos u çudisni kur jeta përsëri t’ju shkojë mbrapsht.  

Po infermieret? Po mjekët? Ne nuk i themi përralla, ne i themi çfarë do bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Pagat ju janë rritur si asnjëherë më parë. Do vazhdojnë t’ju rriten. 40% prapë edhe mësuesve dhe mjekëve, dhe infermierëve. Si iket tani kështu? Po punonjësit e tjerë? Të gjithë sot kanë interes që ne të vazhdojmë përpara, të mundim armikun e padukshëm, të dalim nga pandemia me vaksinimin masiv, ta kemi sezonin turistik më të lehtë se vitin e kaluar, të mbarojmë me rindërtimin e të vazhdojmë me të gjitha projektet e tjera përpara, jo të ndalojmë tani e të kthehemi mbrapa e të presim kur do zgjohet ai që i la një orë në mes të të ftohtit njerëzit e vetë më besnikë, megjithëse i mblodhi atje për të hapur fushatën. Çfarë ka më të rëndësishme një kryetar opozite se sa hapja e fushatës një muaj përpara datës së zgjedhjeve, që i lë një orë njerëzit e vetë më besnikë? Por çfarë ka më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve të tu më besnikë ndërkohë që ti i mbledh të gjithë aty e krijon një vatër shpërndarje të COVID duke u vënë në rrezik jetën e tyre dhe jetën e familjarëve të tyre? Kjo është papërgjegjshmëri!

Dhe ata janë të papërgjegjshëm, nuk kanë sensin e shtetit, nuk kanë ditur kurrë të bëjnë shtet dhe nuk dinë të bëjnë shtet. Dinë të bëjnë vetëm rumpallë. Si ajo rumpalla që bënë atje. 

E njëjta gjë vlen për fëmijët. Për të gjithë fëmijët. Vota në 25 prill në drejtim tjetër nga drejtimi që tregon vazhdimin e kësaj rruge, është kundër fëmijëve.

A mund ta imagjinonit ju që ata të ndërtonin shkollat që po ndërtojmë ne? Se duhet të mi tregoni ku i kanë bërë se nuk kanë qenë një herë, kanë qenë disa herë. Disa herë në pushtet, më tregoni një shkollë, ma gjeni një shkollë në gjithë hartën e Shqipërisë dhe më thoni urdhëro, ja ku e ke, e kanë bërë këta. Nuk ka rëndësi, le ta ketë bërë dhe një kryetar bashkie, më tregoni një. Nuk dinë! Nuk e kanë, e bukura atyre u vret sytë. Sa herë nisim të bëjmë diçka të bukur, fillojnë, nami i zi. Saliut i vrisnin sytë kumbullat e kuqe në Tiranë. I donte pemët me gunga. Kumbullat e kuqe, goxha burrë, kryeministër, merrej me kumbullat e kuqe. Kryetar opozite atëherë në fakt.

Ju vret sytë pastërtia. Janë pastruar nga gjithë ajo ndotje e madhe, nga gjithë ai tmerr i madh gjithë ato qytete, Elbasani, Durrësi, Tirana, Fieri, Vlora. I keni dëgjuar? Nami i zi, inceneratorët, inceneratorët. More zotëri, është pastruar qyteti. More zotëri, nuk ka më ndotje, u mbyll gjithë ajo plagë plehrash në Porto Romano që e ngrinte tymin dukej që këtu. Që këtu dukej tymi kur ngrihej tymi atje mbasdite, e po bëhet një ekopark nuk u bën përshtypje atyre. Ata ndihen mirë me plehrat, me shëmtinë, me rrëmujën, ndihen mirë. Aty janë më të zotë se ne, me thënë të drejtën. Për rrëmujë, për zhgaravina, për të shëmtuar, për të zhargavitur, jo si unë me ngjyra, pa ngjyra fare, bardh e zi. 

Nuk po ju mbaj më shumë, por ju falënderoj për ardhjen, ju falënderoj për durimin, më vjen keq që këto formate janë të ngushta, por sidoqoftë është një fushatë që ka një vlerë, që flitet më shumë, komunikohet më shumë, ngrihet zëri më pak dhe nuk mbulohen me emocionet e turmave dhe të flamujve dhe të muzikës shumë nga boshllëqet që tani dalin sheshit. Shikojini se si janë, janë bosh, janë komplet bosh. Duan të marrin pushtetin dhe nuk dinë për çfarë e duan, përveç se për veten e tyre e për partinë, për llogaritë e tyre. Po gjë tjetër jo. Nuk kanë asgjë në kokë. Program elektoral një menu. Çfarë do ti? Të rritet pensioni? Po patjetër. Po ti? Të ulim sigurimet. Ok, do ti ulim sigurimet, do rrisim pensionin.  Domethënë, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Nuk ka problem, se do ti bëjmë qefin dhe atij që punon e që thotë “sigurimet janë të larta”, por dhe atij që është në pension dhe i do pensionet më të larta. Ti bëjmë qefin të dy palëve, program elektoral. Kjo është menu! Pastaj këtu do rrisim këtë, këtu do rrisim atë, pagën minimale thanë do ta rrisin 360 mijë lekë, ne në plan e kemi, jo në program elektoral, ne nuk kemi program elektoral që t’i bëjmë qefin gjithë dynjasë. Ne kemi plan veprimi. E kemi me laps dhe me letër të llogaritur se ne jemi qeveria dhe do jemi prapë qeveria. E panë që ne e kemi 380 deri në 400. Pra 400 është objektivi maksimal por 380 është minimali, brenda 4 vitesh dhe e bënë 360 euro.

 Keni parë kështu? Menjëherë, tak e ndërruan. Deri në 25 prill do ta bëjnë 450 euro, nuk e kanë problem se nuk kanë gjë në dorë, as do kenë gjë në dorë dhe i rrisin këto. Dhe program. Po çfarë programi? Tramvaji i Tiranës. Dhe në fund pastaj do thonë merr tramvajin e Tiranës, vazhdo.

 Kështu që do më falni se do marrim tramvajin e Tiranës dhe do ikim në Tiranë.

Shumë faleminderit, respekt dhe forca sepse sidoqoftë, njerëzit kanë të gjitha arsyet që të kërkojnë llogari, njerëzit kanë të gjitha arsyet që të ndihen në nevojë për të pasur më shumë. Patjetër që më shumë punë duhet bërë e për këtë jemi këtu, që të bëjmë edhe më shumë se sa kemi bërë. Unë di të them vetëm kaq, që për qarkun e Durrësit, për Durrësin, Krujën dhe Shijakun, se janë të lidhur bashkë, në këto 4 vite do bëjmë më shumë se sa në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku përfshirë dhe vitet tona. Përfshirë dhe vitet tona, duke i futur brenda. Kur ua kam thënë këtë më parë, e kemi mbajtur fjalën sepse kemi bërë për Krujën sa nuk është bërë në të gjitha vitet bashkë, kjo nuk diskutohet dhe nuk ka, le të çohet demokrati më i flaktë dhe le të vijë, me kusht që mos ta ketë komplet kokën të futur në frigoriferin e SHQUP-it, kuptohet se aty nuk ke më çfarë diskuton, por ama sot po ju them, do të bëjmë më shumë se sa kemi bërë edhe ne edhe ata bashkë. Na mjafton vetëm që të konfirmojmë besimin dhe të vazhdojmë punën. Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm