Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vota e çdo shqiptari në 25 Prill shkon për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

Vota e çdo shqiptari në 25 Prill shkon për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

19 Apr 2021    

Takimi Korçë Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Pikat e shiut këtu do i ktheni në breshër në kutitë e 25 prillit.

Unë dua të flas jo për kënaqësitë, por për pakënaqësinë, sepse jam i bindur që nuk ka korçar, sidomos korçar që ta meritojë titullin korçar, po nuk pati edhe pakënaqësi. Nuk diskutohet që edhe të tjerët kanë pakënaqësitë e tyre, por këtu dua të flas si njeriu më i pakënaqur që ju mund të takoni. Unë jam realisht i pakënaqur sepse unë besoj shumë fort, besoj me të gjithë forcën e zemrës e të mendjes, që maja që unë kam parë me sy hapur për Shqipërinë, kur kam vendosur të lë emigracionin e të vij e të futem në rrugën e politikës, është një majë jo vetëm e arritshme, por është misioni ynë që ta arrijmë. Të gjitha këto gjëra që kemi bërë dhe kemi bërë shumë, mua më duken të pamjaftueshme. Kjo është arsyeja pse unë këmbëngul dhe me durim të madh i them vetes, duhet të vazhdosh përpara, duhet të vazhdojmë përpara, sepse nuk mjafton.

Kur hyra sot në këtë stadium, me thënë të drejtën u befasova. Nuk kam qenë asnjëherë, është hera e parë. Nuk e di sa i bukur ka qenë kur keni marrë ato kampionatet, por të them të drejtën, për Korçën e Niko Peleshit ky stadium nuk është një stadium që mund të rrijë edhe shumë gjatë. Unë po ju them, po na dhatë 7, stadiumi i ri i Korçës do të jetë një tjetër gur që do i shtohet gjerdanit të të gjitha punëve të mira që kemi bërë.

Na jepni 7 dhe ju jap fjalën, sado e çuditshme të duket, që në katër vitet e ardhshme, pavarësisht se - meqë jemi vetëm mes nesh në Korçë dhe nuk na dëgjojnë të tjerët, - kemi krijuar shumë xhelozi lartë e poshtë, shumë e shohin Korçën dhe thonë “pse, të tëra Korça do i marri”, do të bëjmë për Korçën më shumë se në të gjitha vitet e marra sëbashku, përfshirë edhe vitet e qeverisjes sonë.

Unë ju siguroj që nuk është një premtim elektoral, por është një bindje e bazuar tek shumëçka, sepse sot, ne jemi në një nivel tjetër këtu në Korçë dhe në Qarkun e Korçës.

Korça, sot është shumë e vogël për të përballuar gjithë atë kërkesë. E vërtetë, çdo javë, shtëpitë e vjetra vazhdojnë rindërtohen, hapin dyert e tyre e bëhen gati për të mik pritur njerëz, por Korça nuk është vetëm qyteti, Korça është shumë më tepër se kaq. Në ndërkohë, Korça është e rrethuar nga të tjera zona fantastike, por prapë është shumë e vogël. E pra, lajmi i mirë është që sot, ne nuk është se e shohim me sytë e mendjes dhe themi duhet bërë një ditë, por sot ne po e lidhim Korçën me Kolonjën, me Përmetin, Gjirokastrën, Tepelenën dhe me bregdetin.

Ju siguroj që nesër, - e jo nesër mbas 10 apo 20 vitesh, por nesër pas disa vitesh, - ata që do të vijnë në Shqipëri për turizëm gjatë verës e do të shijojnë bukuritë e Jonit, nuk do ikin nga Shqipëria pa  marrë rrugën për të ardhur drejt Gjirokastrës dhe Korçës.

E në ndërkohë, brenda qarkut, ne do vazhdojmë të zbulojmë ato, të cilat janë mbajtur mbuluar nga hija e indiferencës dhe e braktisjes për shumë vite në të shkuarën e që kanë filluar të dalin në dritë, që nga Maliqi, pylli i fazanëve, në ato zona të bekuara të një bukurie magjepsëse, në Leskovikun e mrekullueshëm ku për të shkuar të duket sikur je duke udhëtuar në një film për bukuritë e natyrës.

Devolli, i cili nuk mund të jetë i banditëve që dalin natën për të blerë vota, por është i Dritëro Agollit dhe të gjithë devollinjve këtu u them pa i pyetur fare a janë socialistë, a janë demokratë, janë djathtas apo majtas. Kur shkoni të votoni, kini parasysh që Dritëro Agolli ju shikon nga lartë dhe parafytyroni vetëm për një moment veten tuaj, duke votuar në sy të Dritëroit për djalin e Babales. Djali i Babales ka ardhur deputet në Korçën që çoi deputetë Fan Nolin. A e kuptoni sa poshtë ka rënë pazari!

Më kritikoni mua, nuk ka asnjë problem. me siguri unë kam plot gjëra për të kritikuar. Edhe Nikon, nuk ka asnjë problem. Me siguri edhe Niko ka plot gjëra për të kritikuar. E kështu plot gjera për t’u kritikuar, kemi të gjithë ne, sepse në fakt, qysh në krye të herës, qysh se na keni besuar kemi punuar dhe në gjithë këto punë jo gjithçka e kemi bërë mirë. Me siguri në gjithë këto punë plot gjera janë ende për t’u bërë sidoqoftë.

Por më hiqni një kuriozitet, ju dhe të gjithë ata që dëgjojnë. A e imagjinoni dot Petro Nini Luarasin duke votuar për djalin e Babales? Sikur Fan Noli të çohej e t’i thoshin hajde imzot në 25 prill duam një mendje. Të shikonte Nikon dhe djalin e Babales. Çfarë do bënte imzot Noli? Po motrat Qirizai për kë do votonin, për Spahon dhe për Babalen?

Është e vërtetë që unë e ula pazarin, por në fakt e di që ju po prisni dhe unë s’është se do ikja pa jua thënë. Imagjinoheni imzot Nolin duke votuar për Ilir Metën? Imagjoni motrat Qiriazi duke votuar për Saliun? Imagjinoni Petro Nini Luarasin duke votuar për Monikën? Dha jetën për gjuhën shqipe e të votojë për Monikën, që sa herë hap gojën e kafshon gjuhën shqipe sikur e ka çamçakëz. E keni parë si e kafshon gjuhën? Shqipen, jo gjuhën e vetë. Se gjuhën e vet do ishte mirë ta kafshonte ndonjëherë. Por ajo e mban jashtë gjithë kohës.

Le të çohet demokrati më i flaktë, me kusht që të jetë qytetar i këtij qarku, qoftë në qytet, qoftë në fshat e të më thotë, kujt do ja lini ju Korçën?

Korçën e gjithë atyre heronjve, jo vetëm të mendimit, jo vetëm të historisë, por gjithë atyre simboleve të elegancës, të shijes, të kulturës. Korçën që i mësoi shqiptarëve borsalinën. Do ta lini në dorën e jargave të PD-së? Lërë atë partinë tjetër, se ajo qamet i madh fare.

Korça nuk mund të bëhet shami për të fshirë qurrat e politikës në Tiranë. Korça është papion. Korça nuk është shami për hundët e Saliut, as për jargët e Ilir Metës, as për pështymat e Monika Kryemadhit. E më falni se mu duk se bëra atë gabimin që thuhej dikur mos pështyj përtokë. Se këtu në Korçën në fakt, vetëm t’i përmendësh ata, është njësoj si të pështysh tokën. Mbase jam pak i ashpër, por më mirë kështu troç.

Ajo që ne jemi duke bërë është diçka që, jo se ne jemi më të mirët që mund të gjendeshin mbi këtë tokë, por nuk ka tjetër këtu në këtë vend që mund ta bëjë, nuk ka! Dhe jo vetëm që nuk ka, por është njësoj sikur në këtë stadium të fusje një kampion të futbollit dhe të merrje nga ana tjetër, një skuadër ku portieri të ishte një shtangist, sulmuesi të ishte një mundës, mesfushori të ishte një çiklist, ai tjetri andej të ishte një lepur. E si do luante futboll Skënderbeu këtu?

Ne sot jemi në kushtet ku mund ta shohim Shqipërinë përtej pandemisë, mund ta shohim Shqipërinë përtej dhimbjeve, vuajtjeve, sfilitjes, ankthit të thuajse dy vjetëve që futën një stres të madh në të gjitha familjet tona. Ne, sot jemi në kushtet kur e shohim Shqipërinë përtej pandemisë, njësoj si atë dritën që zmadhohet gjithnjë e më shumë sa më shumë i afrohet fundit të tunelit.

Shqipëria përtej pandemisë do të jetë vendi ku do të hapen portat e qiellit dhe portat e detit. 4 porta nga qielli, 4 porta nga deti. Dje hapëm aeroportin e dytë të Shqipërisë, portën e dytë nga qielli i Shqipërisë në Kukës. Mbasi mbaruam ne, doli PD-ja e tha “një tjetër premtim i pambajtur”. Aeroporti u hap, avioni u ul. Ne ishim aty real, nuk ishim në 3D. Me këta asnjë portë nuk hapet. Me këta, portat e të ardhmes gjithnjë kanë qenë të mbyllura. Sa herë ju është dhënë çelësi për të hapur porta të tjera, këta kanë mbyllur edhe portën që ishte hapur.

Të gjitha këto porta do të sjellin shumë më tepër udhëtarë, shumë më tepër turistë. Kkëta do të vijnë në Shqipëri për të zbuluar këtë vend në të 4 anët. Kjo do të bëjë që jo vetëm zonat urbane, por edhe në zona rurale ku janë gjithë ato bukuri magjepsëse të shtrihet rrjeti agroturizmit. Që do të thotë që shtëpitë e vjetra të gjyshërve, njësoj si shtëpitë e vjetra këtu në Korçë, të hapin dyert për të mikpritur me të gjitha ushqimet dhe prodhuesit e zonës të vihen në radhë të parë në shërbim të kësaj mikpritjeje. E kjo do të thotë që emigrantët, vajzat, djemtë që kanë ikur nga fshati kanë vajtur në Europë të kthejnë sytë nga shtëpia e gjyshit. Të investojnë kursimet e tyre e me kursimet e tyre do bëjmë amnisti fiskale. Nuk do themi këto lekët i keni në bankë, apo i keni poshtë jastëkut, mjafton këto mos të jenë lekë krimi, do t’i lëmë të futen në Shqipëri pa asnjë problem. Do t’i japim dhe 5 mijë euro nga shteti që të hapim dhe shtëpinë e gjyshit.

Nga ana tjetër, sot e kemi rritur bujqësinë, ekonominë bujqësore duke çuar eksportet në 400 milionë, nga 100 milionë që i gjetëm. Ambicia jonë është që në 4 vitet e ardhshme t’i çojmë mbi 1 miliard. Është plotësisht e mundur sepse sot është vënë një bast tjetër, sot ne jemi duke u ngjitur, pavarësisht se këmbët na i rëndoi shumë tërmeti, pavarësisht se këmbët na i tërhoqi poshtë pandemia, ne nuk ramë poshtë, ne qëndruam dhe duhet të vazhdojmë të ngjitemi. Sot, në Shqipëri punohet dyfishi i tokës bujqësore që punohej përpara 7 vjetësh. Sot, Shqipëria importon më pak dhe eksporton më shumë. Ju të gjithë i keni bërë rrugët e Shqipërisë me makinë. A ju kujtohet si ishin përpara 6-7 vjetësh, kudo tezgat të mbuluara me fier, që shisnin rrugëve.

[Ja doli njëri e po e prisja, “Rama Ik”. E bukura është që thotë “Rama ik” dhe ikin vetë.]

 Ku janë ato tezga që e bënin Shqipërinë të dukej një merkato bujqësore në të gjitha rrugët kombëtare të saj?

Sepse prodhimet nuk janë më në mëshirë të fatit. Ne kemi ndërtuar 140 pika grumbullimi në të gjithë Shqipërinë dhe sot, fermerët janë gjithmonë e më të bashkuar e janë gjithmonë e më shumë sipërmarrës në bujqësi.

E pra, ne kemi gjithë mundësinë që Shqipërinë ta bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm dhe ta fusin në ligën e kampionëve të Europës për turizëm.

Ne, sot jemi të parët në rajon për prodhimin e perimeve, jemi të parët në rajon për prodhimin e domates, jemi të parët në rajon për prodhimin e shumë produkteve të tjera. Të parët në rajon për mollë. Prodhojmë mollë më shumë se Bosnja, më shumë se Kroacia, Maqedonia, më shumë se Serbia.

E pra, baza është hedhur, por sigurisht unë jam i pakënaqur, jam shumë i pakënaqur. Po të mos isha i pakënaqur, unë nuk do isha këtu sot, nuk do isha në këtë betejë. Fakti që jemi të pakënaqur është një arsye për të vazhduar për t’u ngjitur jo për të ndaluar e për të rrëshqitur.

Ata të cilët vijnë  për ta kuruar pakënaqësinë me premtime boshe, janë ata që e kanë marrë në qafë Shqipërinë në të gjithë historinë e saj, jo vetëm historinë e demokracisë. Ka qenë një Haxhi Qamili që i gjeti shqiptarët të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur dhe u tha hajdeni pas meje se na pret përpara parajsa. U nisën shqiptarët pas tij dhe dogjën veten.

Për të ardhur tek njëri që na kujton këtë tjetrin. Lulzim Basha nuk është një fenomen i ri. Është po ai fenomen që në historinë tonë ka ndryshuar pamje, ka ndryshuar zë, ka ndryshuar mënyrën dhe ka ndryshuar dhe fjalët sipas kohës, por është i njëjti njeri, e njëjta fantazmë e historisë sonë që shfaqet e rishfaqet për të na tërhequr këmbët poshtë, për mos të na lënë të ngjitemi në majën që Zoti ka menduar për shqiptarët, kur e qëndisi Shqipërinë si një pëlhurë nga jugu në veri.

Rrapush Xhaferri, me një autokolonë mori rrugët e Shqipërisë. Ndalonte qytet më qytet dhe u thoshte burrave pse duhet të punoni e të lodheni, ju shkoni në kafene se punoj unë për ju, punon sistemi demokratik dhe Saliu u thoshte njerëzve shkoni pas Rrapushit, kjo është puna e Zotit që i solli Shqipërisë demokracinë. U çmendën burrat e Shqipërisë, shit bagëti, shit toka, shit shtëpi, rri nëpër kafene, jep 1 merr 2. Kur i erdhi radha të merrnin pjesën tjetër, i morën të dy gishtat mu në sy, humbën shikimin dhe si pula qorra hidheshin përpjetë rrethuar nga zjarri që ndezën vetë.

Lulzim Basha është një Rrapush i veshur si dhëndër, i kurdisur, i okllaisur, i ornisur për të marrë rrugët përsëri me makinat nga mbrapa, me flamuj, me dy gishta dhe për të premtuar rrugën e shkurtër. Të rinjve u thotë martohuni se më keni mua, ju jap unë lekë. E kështu u thotë të gjitha shtresave, të gjitha kategorive. Je  pensionist, do ta rrisim pensionin kaq herë. Je, punëtor e ke hall se i ke sigurimet e larta, do t’i ul unë.  Pra, edhe pensionin do ta rrisë, edhe sigurimet prej ku paguhen pensionet do t’i uli. Dini ju si mund të ulet prodhimi i qumështit dhe të rritet prodhimi i  djathit? Funksionon vetëm me këtë fantazmë të historisë sonë që të jep sapunin për djathë, të thotë po e hëngre e hëngre. Pasi ta hash ta qash se mua nuk më duhet më.

Ne nuk mund të biem pre e kësaj tentative tjetër të historisë sonë për të na tërhequr mbrapsht. Ne sot duhet ta provojnë forcën e karakterit tonë. Jo unë, jo Niko, jo skuadra jonë, por ne shqiptarët, të gjithë bashkë duhet të provojmë forcën e karakterit tonë, duhet të provojmë se ne jemi gati t’i rezistojmë tundimit për t’u ulur, për të ndaluar, për të pushuar, për t’ia futur gjumit dhe për të pritur si gomari që pret të mbijë bari. Nuk mbin bari duke pritur. Duhet punuar toka, duhet mbjellë, duhet kultivuar, duhet përkëdhelur, duhet dashuruar në mënyrë që të mbijë bari dhe që toka të marrë hijeshinë e saj.

Miqtë e mi, është koha për të vendosur me forcën e karakterit, për të vendosur për Korçën e atyre me të cilët nënat korçare ushqejnë shpirtin dhe mendjen e fëmijëve që të vegjël, për ata që i shkruajtën këngët korçare, për ata që i kënduan këngët korçare, për ata që e bënë Korçën Parisin e vogël të Shqipërisë, dikur. Kujt do ia lini Parisin e vogël të Shqipërisë, Babales, Saliut, Ilirit, Monikës?

Është e pamundur dhe nuk është problemi se unë kam merak se kjo do të ndodhë. Këtu problemi është që unë nuk e perceptoj dot një pasardhës të atyre korçarëve që ishin krenari korçare, i majtë apo i djathtë s’më intereson, që i shkon mendja të shkojë pas berihajit të atyre që Fan Noli i neveriste, që Faik Konica i shpotiste, që e tërë qytetaria korçare i konsideronte hallin dhe problemin e madh të historisë.

Në 25 prill mendoni dhe për fëmijët tuaj, për ata që nuk votojnë. Nuk ka asnjë borxh një fëmijë i vogël se ti je i djathtë, e punë e madhe fort se je i djathtë. Nuk ka asnjë faj asnjë fëmijë i vogël se ti je i majtë por je i pakënaqur. Shumë mirë që je i pakënaqur dhe pakënaqësinë adresoje duke vendosur që të ngjitesh lartë bashkë me ne, jo duke kthyer kurrizin. Nuk ka asnjë borxh asnjë fëmijë, që ti i majtë apo i djathtë të mos jesh i bashkuar në këtë moment të historisë, kur nuk vendoset se kush do qeverisi, se PS-ja zgjedhjet do t’i fitojë, por ku vendoset si do jetë Shqipëria e kësaj dekade.

E nisa me stadiumin e po e mbyll me diçka që Niko e përmendi. Niko foli për aeroportin turistik. Unë flas për katër porta nga qielli e këtu kam parasysh fluturimet ndërkombëtare, aeroportet komerciale, por është e vërtetë, edhe për stadiumin dua 7, për këtë tjetrin si 6, si 7, Korça do të ketë aeroportin e vetë turistik, sportiv, për fluturimet sportive. Ja kam thënë Rraqkës, nxirr rezultatin më të mirë se çdo herë tjetër dhe në maj të dorëzojmë fondin që t’i të ndërtosh aeroportin turistik. Në maj! Nëse këtu vjen Babalja, jo aeroport turistik, por do bëhet Korça prapë nga e para për t’u zënë në radhë se kush do të të vijë tek dera që t’u japësh kioska, kërnacka, qepë.

Shumë faleminderit!

Rroftë Korça!

Rroftë Devolli!

Rroftë Kolonja!

Rroftë Maliqi!

Rroftë Pusteci!

Rroftë Pogradeci!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm