Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vlora në 25 Prill zgjedh vazhdimin e transformimit të mëtejshëm

Të reja

Vlora në 25 Prill zgjedh vazhdimin e transformimit të mëtejshëm

10 Apr 2021    

Këndi i fjalës Vlorë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Përpara se të vinim këtu ishim në një tryezë me rreth 10 operatorë turistikë. Gjysma prej tyre ishin të majtë, gjysma të djathtë. Nuk po i përmend emrat, i njihni të gjithë dhe nuk ka rëndësi se kush ishin personalisht, madje edhe themelues dhe protagonistë në jetën politike të Vlorës si mbështetës të njohur të PD-së për vite të tëra.

Në atë tavolinë diskutuam për Vlorën, për turizmin dhe perspektivën e zhvillimit të turizmit. Të gjithë ata aty ishin shumë të qartë dhe e thanë shumë troç, ne do votojmë për ty dhe për PS-së sepse ky është interesi ynë, ky është interesi i Vlorës, ky është interesi i punjosëve tanë, është interesi i të gjithë familjeve që ushqehen me punën tone, pasi jo vetëm askush s’ka bërë për Vlorën kaq sa është bërë këto vite, madje askush se ka imagjinuar se mund të ndodhte një përmbysje e kësaj natyre, siç e quajit njëri prej tyre, por ne e dimë shumë mire, tha, se nëqoftëse kjo ndryshon, Vlora do të mbetet bishti i fundit i kavallit dhe nuk do të merret më kush me Vlorën. Disa sepse nuk kanë vizion zhvillimi, të tjerë se do thonë “akoma me Vlorën, prit njëherë”.

Ishte një arsyetim praktik njerëzish që gdhihen në mëngjes dhe ngrysen vonë në darkë me punën, njerësish që krijojnë punë për vetë dhe për të tjerët, njerëzish që krijojnë të ardhura për vete dhe për të tjerët. Nuk ishte një takim tifozësh, për të diskutuar apo për t’u zënë për vendin në stadium. Ishte thelbi i asaj që unë mendoj se duhet të jenë këto zgjedhje dhe i asaj që unë besoj se keto zgjehdje do të jenë në të gjithë Qarkun e Vlorës.

Nëse ka një vend ku “pse”-ja e mandatit të tretë është e ilustruar nga të katërt anët që kthen sytë është ky qark.

Ja ku jemi këtu. Kush e mendonte se do të mlidheshim në këtë mjedis kaq të bukur, që, si themi në gjuhën popullore, duket si jashtë shtetit. Ndërsa disa vite më pare ishte një periferi e braktisur mu në mes të qytetit. Qender historike, një lagje e degraduar e dorës së fundit ku mbyllje hundët për të kaluar nga njëra anë në tjetrën dhe ku duhet të kaloje në rresht për një, sepse nuk të linin kodrat me mallra të përdorura në mes të rrugës. Por, nëse këtej është kjo pamje fantastike që flet vetë, jo vetëm si pamje, por edhe si përmbajtje, - këto hapësira deri dje të braktisura, ditë pas dite po kthehen në hapësira për biznes, në hapësira për punësim, për shërbime dhe për mikëpritje, - po të kthesh kokën pak më matanë ku zhvillohet faza tjetër e këtij projekti, aty nuk jemi akoma në këtë nivel. Kush do ta bëjë fazën tjetër, Leskua?

Po erdhi Leskua këtu, do mbetet aty e do e marrin në krah në të gdhirë, për ta çuar zvarrë në shtëpi. Jo të ketë Leskua këmbë e mëndje që të merret me pjesën tjetër. Thashë Leskua se nuk di kë tjetër të kap në atë skuadrën që kanë sjellë për Vlorën, pasi asnjëri nuk banon në Vlorë e asnjëri s’ka lidhje me Vlorën. Ka një emërues të përbashkët mes tyre që është amaneti i pronave të grabitura në kohën e Saliut. Ata kanë ardhur këtu si përfaqësues të atij klani grabitësish të pronave të vlonjatëve, të lebërve, himariotëve e sarandiotëve dhe të gjithëve me radhë në këtë bregdet, për të risjellë këtu fantazmën që ngriti peshë Orikumin. Ju kujtohet se çndodhi në Orikum para disa vitesh.

Rikthimi i fantazmës së Orikumit është rezultati i votës për ata. Dua t’ua them shumë qartë atyre që janë vlonjatë të zakonshëm dhe që nuk e di unë se çfarë kërkojnë akoma që thonë jemi me PD-në, por janë me PD-në, këtu në Vlorë nuk është votë për interesin e tyre, nuk është votë për ta, është votë për të risjellë ata që e bënë çorap pronën në gjithë bregdetin dhe që sot disponojnë me qindra e mijëra hektarë nëpër letra dhe që vijnë këtu me një platformë që pikën e parë ka, do shfuqizojmë ligjin e pronës. Ligjin që më në fund arritëm ta aprovojmë, ligjin që më në fund arritëm ta miratojmë edhe nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Europës, në Strasburg, ligjin që më në fund po iu kthen tokat atyre që i kanë lënë me gisht në gojë për dekada. Këta duan duan ta shfuqizojnë sepse ai ligj në fakt i pengon që të rivënë në lëvizje atë mekanizmin e tmershëm me të cilin janë përballur me mijëra e mijëra familje autoktone të gjitë të kësaj treve. Atë mekanizmin e tmerrshëm me të cilin u përballën gratë në Orikum, që u gdhinë në mëngjes dhe e panë Orikumin të rrethuar me llamarina për pallate, me investirorë e pronarë njerëz që as kishin lindur, as ishin rritur, as kishin gjyshër, stërgjyshër e katragjyshër në atë tokë.

Si kjo lagje me dy pamje është kudo ku shkon. Sepse kemi një pamje të tranformimit dhe një pamje që kërkon të tranformohet. Ajo që nuk duhet të harrojnë njerëzit është që çfarë po bëjmë këtu është çka është pritur të bëhet prej 100 vjetësh, jo prej disa vitesh. Jam shumë dakord që Vlora akoma ka probleme serioze me ujin e pijshëm. Jam shumë dakord. Por të mos haharrojmë që Vlora s’ka patur kurrë uji të pijshëm dhe sot në Vlorë është shumë më mirë situata e ujit të pijshëm në një sërë zonash. Vajtëm deri në majë të Kuçit dhe uji atje vinte në rubinet. Projekti vazhdon, financimet janë gjetur dhe është thjesht çështje kohë, pune dhe durimi. Nuk ka asgjë që është “me do bëjmë”. Janë të gjitha të financuara.

Jam shumë dakord që nuk është e gjithë Vlora siç kjo lagje apo siç janë pjesë të tjera të Vlorës. Ka lagje të tjera në Vlorë që janë siç ishin, por nuk kemi ndenjur asnjë ditë e asnjë natë kot. Kemi punuar ditë-natë dhe siç po transformohet Kumja, Ҫolja, do transformohet çdo lagje e Vlorës dhe dhe çdo zonë e Vlorës.

Ne sot po bëjmë rrugën e Lumit të Vlorës, sot po ashtu nisëm Selenicën. Shumë shpejt rruga e Lumt të Vlorës do jetë e përfunduar, por nuk është një rrugë që ishte aty, por pritej prej 100 vjetësh. Është një rrugë që e kanë premtuar të tërë, e ka premtuar edhe Enver Hoxha, bashkë me Hysni Kapon e bashkë me çfarëa ishin të tërë ata dhe e nuk e kanë bërë. Është fakt.

Bashkë me rrugën e Lumit të Vlorës po shkon drejt përfundimit edhe rruga Gusmar-Kuç dhe përfundimi i kësaj rruge bën që Labëria e sipërme, nga vendi më i izoluar i Shqipërisë të kthehet në një udhëkryq të turizmit, në një zonë që është në vizionin tone, pol për një transformim të madh jo vetëm turizmit, por edhe ekonomisë së vendit. Do kthehet në një udhëkryq sepse jo vetëm nuk do jetë e izoluar, por ata që do vinë poshtë në bregdet do ngjiten lart në Labërinë për 40 minuta me një rrugë panoramike fantastike. Ata që janë në Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër do ngjiten deri në Labëri e për të shkuar edhe poshtë.

Me këto dy akse që bashkohen sot atje, është hapur një perspektivë jo thjesht për të lëvizur turistët, por për t’u ngritur peshë gjithë ekonomia brenda territorit, jo thjesht në bregdet dhe për t’u shfrytëzuar gjithë prodhimi që e dinë mirë njerëzit çfarë tmerri ishte për ta nxjerrë në treg e që është prodhimi më i dëshiruar për tregun poshtë.

Nëse agroturizmi është një motor i ri i zhvillimit tone, që e kemi vënë ne në punë dhe që do të fuqizohet me kuaj fuqi çdo vit, ajo është një zonë e lindur për agroturizëm, që do ketë vizitorë dhe turistë gjatë gjithë vitit. Të mos çuditet askush dhe e dinë më mirë se të gjithë ne, ata atje, sepse sot që flasim, ende pa mbaruar ende puna dhe ende pa u parë të gjitha këto që them unë, vlera e pronës atje është 20-fishuar. Këta diskutojnë për Rilindjen Urbane si zbukurim, ndërkohë që është ekonomi, transformim social, siç ka ndodhur në Vlorë, një transformim ekonomik dhe social që vetëm do të vazhdojë.

Ata, pikën e dytë të programit kanë anulimin e projektit të Portit të ri turistik të Vlorës, sepse Leskos i pëlqen moli i kohës së qepës atje, por edhe sepse atyre, tërë jetën, sa herë kanë marrë një gjë në dorë, iu pëlqen kur kanë mundësi të prishin, të shkatërrojnë, bllokojnë, pengojnë. Po iu the ndërto, ata nuk dinë. Edhe një vepër e vetme që mund të konsiderohet, Rruga e Kombit, e bënë rrapazhkraba.

Ka kohë Vlora të kthehet mbrapa në këtë farë feje e të merret me Leskon dhe akuzat absurde të Leskos, që vjen nga tradita e një bande të paparë ndonjëherë në shtet, siç ishte KLSH-ja e Leskos? Një bandë që rrinin me metra në xhep për t’iu matur kokën të gjithë dynjasë për raportet që shkruanin. Tani medemek paskan çuar në SPAK edhe portin e ri tregtar. Pse peshkatarët e Vlorës që e gdhijnë në det, të presin të zgjohet Luli nga gjumi që të kapin sardele.

Porti i peshkimit të Vlorës është një turp i vërtetë. Do thoni “pse nuk u bë?” Sepse nuk bëhen dot në kaq kohë ato që nuk janë bërë në 100 vite. Tek Triporti do e ndërtojnë portin e peshkimit dhe portin aktual do e kthejnë në port turistik që do gjenerojë një tjetër nivel ekonomie për të gjithë zonën e që do sjellë këtu turistët me shumë lekë. Ata, të cilët do shpenzojnë këtu e që do bëjnë të ngrihet niveli i çmimeve për të huajt që vijnë këtu për turizëm dhe rrjedhimisht do ngrihet vetvetiu niveli i pagave. Pagat ngrihen duke duke zgjatur dhe forcuar zinxhirin e vlerës.

Aeroporti ka qenë një sfidë shumë e madhe. Sigurisht që do kisha dashur të fillonte më herët, por jo gjithshka ndodh siç e planifikon, sepse ndërsa je duke menduar për aeroport e ke hapur garën për aeroportin, të vjen një virus që të bllokon gjithë industrinë aeroportuale të botës dhe të tërhiqen të gjitha kompanitë nga gara sepse kalojnë nga plani i investimit në planin e mbijetesës. Megjithatë, sot ka përfunduar gara dhe jemi në fazën ligjore të negocimit dhe nënshkrimit të kontratës dhe do fillojë puna.

Midis një mandati të tretë për ne, që do t’i japë Vlorës portin e ri turistik, që fillon pasi ka mbaruar gjithë procedura, dihet kush janë investitorët, projekti, që do t’i japë një port të ri tregtar, do t’i japë peshkatarëve portin e ri të peshkimit brenda portit të ri tregtar, që do t’i japë pasagjerëve një mundësi të re pasi do ketë shumë më tepër fluks, do t’i japë Vlorës një aeroport - e menjëherë pas nënshkrimit të kontratës do hapim garën për aeroportin e Sarandës, - do t’i japë Vlorës tunelin e Llogarasë, që është folur pafund dhe tani është duke u bërë realitet, por nuk është vonesë e shkaktuar nga ne fakti që u rikthye gara nga e para sepse nuk ishin ofertat të rregullta sipas ligjit, por do edhe ai bëhet dhe alternativës tjetër që t’i japë Vlorës, Leskon, bashkë me atë çetën e fantazmave të pronave dhe bllokimin dhe harresën, si do zgjedhin vlonjatët këtë të dytën?

Flas për vlonjatët demokratë, jo për shumicën dërrmuese që as nuk dikutohet që as nuk i konsiderojnë këta fare. Sepse me këngë, me histori, me personazhe historike e traditë familjare, këtu përsëritet gjatë gjithë kohës që Vlora është e para. Më 25 prill nuk është vonë mes PS-së dhe PD-së e lërë më pastaj mes asaj partisë tjetër, por është mes Vlorës dhe të shkuarës së tmerrshme të saj.

Këtu është fjala për të zgjedhur Vlorën.

Unë këtu nuk kam numër fare, unë njoh vetëm një numër këtu dhe në gjithë Shqipërinë, numri 12.

Nuk dua asnjë votë për veten time, por për numrin 12.

4 vite X 3 mandate bëjnë numrin 12.

Numri 12 përcakton pikërisht këtë, jemi me Vlorën, janë me Vlorën, apo me të shkuarën e tmerrshme të Vlorës dhe nuk po kujtoj të shkuarën e tmerrshme të ’97-ës, por kur Vlora ishte e braktisur nga të gjitha qeveritë e Tiranës, sepse një pjesë thoshte ata i kemi në xhep dhe një pjesë thoshte ata nuk bëhen kurrë me ne.

Çdo pjesë tjetër, përveç meje dhe PS-së do thotë “pse akoma duan ata? Ata harrojini sa të jemi gjallë”. Kjo është ajo që dua t’i them të gjithë xhahidurëve këtu. Shikojeni mirë këtë punë, mos shkoni pas berihait sepse nuk është tifozllik këtu, sepse është turp të vihet në diskutim numri 12. Kush e vë në diskutim këtë është turp, sepse ma nxijnë jetën kudo ku shkoj, “Vlora, Vlora”. Këngën që ju këndoni “Vlora, Vlora”, ma këndojnë gjithmonë mua në vesh.

Këngën “Vlora, Vlora” që ju e këndoni, të tjerët ma këndojnë mua në vesh për çfarë shohin që është bërë në Vlorë. Ka ardhur dita që çohen njerëzit në Shkodër e thonë e duam Shkodrën si Vlora. Çohen njerëzit  kudo në Shqipëri dhe thonë e duam si Vlora. Tani, këtu do votojnë Leskon? Apo atë tjetrin. Se ka shpallur kandidaturën Iliri, që të shpëtojë Vlorën.

E dinë mirë ata demokratët se çfarë ndodh kur vjen LSI-ja t’i shpëtojë ata. I mjel dhe përfundon PD-ja nga lopë në lepur i lodhur, që nuk mbahet dot në këmbë. Ilirin se rri me Leskon gjithë ditën dhe vijnë vërdallë natën? Ditën del për të dhënë dekorata. Nuk e di, a i dha ato dekorata sot? Mua më thanë do jepte dekorata këtu për disa parukiere në Vlorë. Parukieres tënde nuk ia jep se parukrierja jote është e lidhur me Damianin e tërmeteve.

Përtej shakasë se nuk është shaka kjo, është bërë qesharak e nuk kemi çfarë bëjmë. Një president që vjen vërdallë dhe u jep dekorata heronjve të popullit. Heronjtë e popullit janë perëndia në tokë. Çohet një tokësor dhe thotë po ju bëj mjeshtre sporti, po ju bëj mjeshtre të punës. I njëjti njeri që jep dekoratë një masazhatori, i jep dekoratë edhe një Heroi të Popullit. E padëgjuar në historinë e botës. Dekoratat për ata që kanë rënë në luftë janë gjë e padëgjuar. Pas vdekjes, pas gjeneratash të tëra, nuk jepen dekorata për ta. Ata varrosen me nderimet më të mëdha dhe kanë titullin më të lartë që ekziston, janë perëndia në tokë, heronjtë e një populli, në gjithë historisë.

Po qëndroi me Leskon ky, mbani mend çfarë po ju them, edhe nja dhjetë ditë, do dekorojë Ismail Qemalin. Mos u çudisni po i patë të dy tapë tek varri i Ismail Qemalit, duke i dhënë dekoratën. Selam Musait ia dha. E pastaj siç janë, ju kujtohet libri i Kadaresë me Shahin verdhën, do nisen të dekorojnë Skënderbeun atje, se Skënderbeun nuk e dekorojnë dot pa praninë e Saliut Këta janë njësoj si të gjithë personazhet tragjikomikë.

E patë çfarë i bënë aeroportit të Tiranës. Këta e bënë dhe e thonë vetë, nuk është puna se e them unë.

Sot pash një shenjë tjetër, një xhagajdur tjetër që u shfaq. Revoltë e policëve të burgjeve. Të njëjtat skema, të njëjta lojëra, të njëjtat rrugë.

Si mund të bëhet Vlora pre? More Vlora nuk bëhet, por edhe një vlonjat i vetëm, si mund të bëhet pre e të njëjtëve, me të njëjtat muhabete? Janë të njëjtët. Kush ka ndryshuar, Luli? Po Luli është një kukull. Kur u duhet të bëjnë një paudhësi, vënë Lulin, e bën Luli. Kush e firmosi atë detin territorial me Greqinë? Luli! Por nuk e bëri Luli, e bëri Saliu. Rrugën e Kombit, kush e bëri? Saliu! Kush e firmosi? Luli! E kështu të tëra!

Çfarë ndryshimi do sjellin ata? Dikush që ishte 4 vjet kryetar në Bashkinë e Tiranës e nuk i punoi sahati që e kishte mbi kokë. Ata janë vetëm për ta çuar orën mbrapsht. Epo ora mbrapsht Vlorës nuk i kthehet.

Në ndërkohë përtej tyre, dua ta bëj shumë të qartë që ne jemi në luftë. Faktikisht jemi në luftë, e gjithë bota është në luftë, por ne jemi në një luftë me dy forca shumë goditëse që na kanë lënë pasojat e tërmetit që duhet t’i fshimë të gjitha një orë e më parë, t’i kthejmë të gjitha familjet shtëpi dhe t’i rindërtojmë të gjitha lagjet e apartamentet se shtëpitë janë drejt përfundimit.

Jemi në luftë eshe me këtë armik të padukshëm që ne duam ta shporrim një orë e më parë nga ky vend, për ta bërë sezonin turistik shumë më të lehtësuar se ai që kishim dhe për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë bërë gjithë këto investime, këta këtu e të gjithë, që të marrin frymë më thellë përmes vaksinimit masiv.

Si po ndodh vaksinimi masiv, se shoh disa që shkruajnë që kjo do ndodhte gjithsesi.  Pse nuk ndodh në Maqedoninë e Veriut? Pse nuk ndodh në Kosovë? Në Malin e Zi apo në Bosnje?

“ Ika ardhur koha”. Asgjëje nuk i vjen koha.

“ E keni për detyrë.” E kemi për detyrë, e kanë pasur dhe të tjerë për detyrë përpara nesh, nuk ka një arsye tjetër për të zgjedhur qeverinë, për të bërë detyrën.

“Jo, nuk i keni bërë me lekët tuaja.” Patjetër. Asnjë qeveri në botë, që nga dita e parë kur është krijuar shteti,  që të punojë për gjë tjetër përveç se të administrojë të ardhurat që mbledh nga kontributet e njerëzve dhe të bëjë detyrën.

Të gjitha këto janë llafe të pakuptueshme, ndërkohë që ne jemi këtu për t’i fituar këto sfida, për ta fituar këtë luftë siç nuk e mendonte askush kur na ra tërmeti dhe të nesërmen u gdhinë dhjetëra, mijëra familje rrugëve, që ne do të ringriheshim kaq shpejt. Siç nuk e mendonte askush që Shqipëria mund të ishte tani në këtë moment, në këtë fazë, lart në fashën e parë të klasifikimit në Europë për vaksinimin, ashtu po ju them që siç nuk mbase nuk e mendojnë shumë, në këtë dekadë do e bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, në agroturizëm e në energji dhe në eksporte bujqësore.

Në Vlorë kemi lidhur marrëveshjen me qeverinë amerikane dhe një nga kompanitë më të mëdha të botës do të vijë ta transformojë TEC-in këtu në një aset të gazit të lëngshëm. Sigurisht, ne do donim ta bënim më përpara, por nuk bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë e mbi të gjitha kur ke një trashëgimi aq të rëndë sa ajo që ne patëm.

Kush vinte këtu?

Sa herë vij këtu në Vlorë, pyes atë Fatmir Hanxharin, atë demokratin e flaktë, i them sa të tjerë kanë ardhur nga Amerika të të blejnë shtëpinë?

12 familje mjekësh amerikanë që blejnë shtëpi  në Vlorë. Kush e mendonte që do vinte ndonjëherë ndonjë i huaj të blinte shtëpi në Vlorë, deri përpara disa vitesh kur Vlora të vetmen rrugë kalimi kishte atë trotuarin 70 pond te Lungomare, që edhe kur dilnin,  burrat përpara, gratë mbrapa, ose ik nuk dal fare. Kurse tani, gratë e Vlorës, vajzat e Vlorës janë në Lungomare, edhe pa burra.

Më takoi njëri një ditë më tha nuk ta jap më votën, nuk më kthehet gruaja në shtëpi para orës 9, më thotë jam në Lungomare. Mirë ta bën i thashë, ka punuar për ty gjithë jetën, të ka pritur gjithë jetën në shtëpi se ti rrije tek trotuari 70 pond e ku të shkonte gruaja, të binte në gropë?

Kush ndalonte në Vlorë?

Shtëpitë atje tek Lungomarja mezi shiteshin dhe Vlora u bë një nga vendet me stokun më të lartë të apartamenteve që nuk shiteshin. Sot hajde bli shtëpi në Vlorë.

Kjo është rruga jonë dhe është plotësisht e mundur që ne të arrijmë aty ku duam për tu ngjitur në majë, dihet që sa më shumë ngjitesh, aq më e vështirë bëhet dhe aq më shumë të vjen tundimi të ndalosh dhe të kthehesh mbrapsht.

Po pse mua nuk më vjen të them, vazhdoni vetëm? Po me kë? Me ata?

Kurrë!

Ata që thonë paturpësisht sot, që para 8 vitesh ndodhi një aksident, domethënë, para 8 vitesh populli u çmend dhe i hoqi ata nga puna e tani populli duhet të korrigjojë gabimin, atyre asnjë shans nuk i jepet më. Kurse Iliir Meta i ka pasur jo të gjitha shanset, por Ilir meta i ka pasur të gjitha gjërat që një vend mund t’i japi një individi dhe i ka marrë si askush tjetër, është i vetmi në historinë tonë dhe në historinë e gjithë Ballkanit, - nuk po them të gjithë botës por mbase dhe të gjithë botës, - që është bërë 30 vjeç Kryeministër, 40 vjeç Kryetar Kuvendi, 50 vjeç President dhe nuk e di a i ka mbushur 50. Çfarë do Ilir Meta tani? Asnjë shans!

Madje ka thënë që po fitoi Edi Rama, unë do jap dorëheqjen. Jo, ne kemi detyrë ta mundim, pastaj a e mban apo nuk e mban fjalën, se mund ta ketë thënë kur ka qenë nën efektin e rakisë së Leskos me ndonjë kofshë keci nga ato të Kontrollit të Shtetit. Nuk e dimë atë dhe nuk mban përgjegjësi njeriu kur është i dehur, por nuk ka rëndësi kjo, rëndësi ka që i ka marrë të gjithë. Çfarë do në Vlorë Ilir Meta që vjen kandidat këtu?

Kështu që Vlora në 25 prill duhet të marrë një vendim.

Unë jam dhe në Durrës. Nëse njerëzit e nënës nuk më duan më shumë se njerëzit e babës, vazhdoni. Unë Vlorën nuk e lë kurrë, edhe sikur tërë të çohen e të thotë këtu mbaroi, unë prapë në Vlorë do vij. Por po flas këtu për angazhimin, jeni në garë me durrsakët tani. Sipas jush i keni mundur gjithmonë, por jeni në garë dhe unë e kam tek 12-ta, nuk e kam tek ajo 8-ta. Mua më duhet 12-ta. I kam thënë Anduelit, mos dil të më thuash jo 1, jo 3. 12! Pastaj pas 12 bëni çfarë të doni, por mos i bëni të gjithë që t’i fusni si ai autobuzi i Kuçit se del fleta e pavlefshme. Po që të jeni brenda, numrin 12. Se Vlora është 12, e dini ju këtë? Është se flamuri u ngrit në ’12-ën. Vlora është e 12-ës. Vlora pa 12 nuk do ishte Vlorë e Vlora pa 12 në 25 prill nuk do jetë më Vlora që mund të jetë me 12, kështu që Vlora e 12-ës voton 12.

Vlora e atyre, se ka pasur gjithmonë, edhe në ’12-ën nga ata të kecave, Vlora e kecave të bëjë çfarë të dojë. Ne duam 9 mandate këtu, pastaj ato 3 të tjerat t’i ndajnë si të duan. Normalisht Damiani thotë ata nuk do ndajnë mandatet, por do ndajnë Bujarin,, do ta marri Likja. Të bëjnë çfarë të duan, por 9 i vë vulën që ne të vazhdojmë bashkë dhe që ta bëjmë Vlorën një vend ku realisht të jetë e ardhmja e të gjithë fëmijëve. Pastaj ata rriten, kanë dëshirë të ikin jashtë, por ama këtu ta kenë shtëpinë e të jenë krenarë jo vetëm për historinë, të jenë krenarë jo vetëm për natyrën, jo vetëm për traditën, por të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë, t’i ftojnë bashkëmoshatarët e tyre e t’u thonë ja kjo është Vlora, kjo është shtëpia ime. Këtë duam ne dhe fundi i mandatit të tretë do të jetë një arsye për të thënë që dy herë 12 dhe Vlora u bë dhe nuk ka më gjë që e kthen mbrapa. Pastaj të bëjnë çfarë të duan.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm