Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vizioni ynë për Shqipërinë 2030 dhe Programi ynë Qeverisës në Mandatin e Ri

Të reja

Vizioni ynë për Shqipërinë 2030 dhe Programi ynë Qeverisës në Mandatin e Ri

12 Jun 2021    

Fjala e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Sot për Shqipërinë është një fillim i ri nga një stad shumë më i lartë, i pa krahasueshëm me atë të 8 viteve më parë.

Shqipëria ka lënë pas tranzicionin! Ky program reflekton tërësisht fazën e re të zhvillimit ekonomik, social dhe politik të Shqipërisë së re në dekadën që i takon tërësisht Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Vizioni ynë, programi ynë përtej mandatit të tretë mbështetet në pesë shtylla kyçe që përfaqësojnë përparësitë e dhjetë vjeçarit për familjet shqiptare dhe për Shqipërinë.

  • Shtylla e parë: Rimëkëmbja e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia.

Një vit e gjysmë më parë pyetjes: A ka dritë në fund të tunelit? I përgjigjet realiteti i sotëm: tunelin e lamë pas, Shqipëria ka filluar të ringrihet pas dy goditjeve të mëdha që do kishin bërë të tuteshin kombe e shtete më të mëdha e më të pasura se ne.

E mundëm pandeminë.

E tërmetin e 26 nëntorit do ta kemi, më të gjithë rrënojat, shkatërrimin, e humbjet e jetëve të të dashurve të shumë familjeve, në kujtesë përgjithmonë. E mbi atë kujtesë, po ngremë jo vetëm shtëpi, pallate dhe shkolla të reja, por qytete të tëra të reja më të forta, më të bukura.

  • Shtylla e dytë: Mirëqenie për të gjithë, rritje ekonomike me ritme të shpejta, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
  • Shtylla e tretë: Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, infrastrukturës dhe shërbimeve.
  • Shtylla e katërt: Investimi tek Familja, themeli ku ndërtojmë të ardhmen.
  • Shtylla e pestë: Shqipëria e fortë, me një shoqëri të drejtë, shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar, dhe një aleat dinjitar për partnerët tanë ndërkombëtar.

Kjo është dekada ku për çdo shqiptar, nga çdo cep i veriut dhe jugut, do të ketë dyfishim të ardhurash nëpërmjet punësimit.

Punësimi nëpërmjet investimeve të huaja dhe promovimit të investimeve të kapitalit vendas, mbështetjes së inovacionit dhe teknologjisë, mbështetjes së sipërmarrjes së vogël do të bëjë të mundur në 4 vitet që

vijnë 150 mije vende të reja pune, të paguara më mirë, dhe me një vlerë më të shtuar për ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare.

Ti sipërmarrës i vogël, ti familje produktive do të kesh një dekadë të tërë me taksë zero për biznesin e vogël, me një teren plot mundësi dhe me sundim të plotë të së drejtës së vet për zhvillim dhe inovacion.

Ti sipërmarrës në turizëm do të përfitosh në favor të ekonomisë së vendit dhe të sipërmarrjes tënde TVSH-në e reduktuar në turizëm prej 6%, do të mbështetesh financiarisht që të jesh në gjendje të presësh 10 milion vizitorë jo më larg, por brenda vitit të fundit të mandatit të tretë.

Kjo do jetë dekada e shoqërisë dixhitale në gjurmët e shoqërive dixhitale më të suksesshme në Evropë. Sipërmarrjet në teknologji të informacionit do të përfitojnë Tatim fitimi vetëm 5%, një parajsë për mendjet e ndritura dhe inovative të brezit të ri.

Gjatë mandatit të tretë Start UP-et do të jenë në qendër të vëmendjes së Qeverisë duke rritur mbështetjen financiare me 5 herë. Së shpejti do të startojmë projektin e madh të parkut teknologjik në funksion të ekonomisë së re digjitale dhe mendjeve inovative në fushën e teknologjisë.

Dhe ti që sot je emigrant dhe ke marr rrugën të kthehesh në atdhe e të ushtrosh në favor tënd e të familjes tënde eksperiencë e dije nga vendi ku ke emigruar, ke mbështetje të menjëhershme për Start UP në fusha të caktuara me vlerë të shtuar me 5 mijë euro grant nga qeveria, mirë se të vish!

Dhe ti sipërmarrës i madh që afron vlerë të shtuar në vend dhe familjeve shqiptare, që afron punësim e qëndrueshmëri ekonomike, ashtu si gjatë pandemisë s’do të jesh kurrë vetëm, jo vetëm këto katër vite por gjatë gjithë dekadës që i takon shqiptarëve.

Instrumenti i garancisë me 50 milionë euro për përmirësimin e teknologjisë, dhe po një instrument kaq i madh garancie për kompanitë e teknologjisë dhe informacionit është për ty.

Do të shkosh në bankë me një mbështetje të madhe me vete që do të garantojë që ti të përmirësosh teknologjinë tënde në favor të produktivitetit dhe zhvillimit ekonomik të sipërmarrjes tënde dhe të vendit, dhe punësimit sa më të gjerë.

Dhe ti i dashur fermer do të përfitosh nga nafta pa taksa? Ja dhe një lajm i mirë, do ta 5-fishojmë këtë mbështetje për ju deri në fund të mandatit të tretë.

Dhe ti qytetar i zakonshëm që zgjohesh në mëngjes e shkon në punë, je në qendër të programit tonë. Paga do të taksohet vetëm nga 400 mijë lekë të vjetra e sipër, e pra më shumë se gjysma e të punësuarve do të jenë me të ardhura të pataksuara.

Kjo prek me lehtësim të gjithë të punësuarit, por nuk ka vetëm kaq. Në mënyrë që të vazhdojmë të mbështesim shtresën e mesme dhe atë manaxheriale të prodhimit do ta rrisim fashën e taksimit me nivelin e ulët deri në 250 mijë lekë.

Kjo do lehtësojë ata dhe familjet e tyre konsiderueshëm duke e bërë progresivitetin më të drejte akoma, të prekshëm e më mbështetës.

Paga minimale në favor të produktivitetit dhe dinjitetit do të shkojë brenda mandatit të tretë në 38 mijë lekë.

Mandati i tretë i përket familjes shqiptare me një paketë pranë saj për të ndihmuar familjet në nevojë, nënat në nevojë, dhe familjet e reja.

Familjeve të reja me një nivel të caktuar të ardhurash do t’u ofrojmë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë tyre të parë.

2000 banesa në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja

(Programi fillon që në 2022 me fond 100 mln Euro).

Bonusi i çerdhes për nënën e një familjeje me të ardhura më pak se 100 mijë lekë në muaj, e që nuk ka mundësi për ta çuar fëmijën në çerdhe publike.

10 mijë lekë/muaj për shpenzimet e çerdhes/kopshtit për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë/muaj

Për ju Nëna dhe Baballarë të moshës së tretë, rritja e pensionit në vit do të jetë rreth 6% nëpërmjet indeksimit të posaçëm, por edhe të kthimit të politikës së bonusit të pensioneve në një politike permanente të furnizimit të përvitshëm të rritjes së pensioneve.

Objektivi ynë është dyfishimi i bonusit në 2025.

Familjes me ndihmë ekonomike do ti rritet përfitimi i ndihmës brenda mandatit, por do të adoptojmë një sistem inovativ në favor të këtyre familjeve jo i bazuar në përfitim pasiv të ndihmës ekonomike, por përfitimi i kësaj ndihme nëpërmjet punës.

E gjitha do të bazohet në zgjerim të ekonomisë me ritme të përshpejtuara dhe me një sistem fiskal modern.

Jemi përgatitur prej vitesh për sistemin e fiskalizimit. Lajmi i mirë për sipërmarrësit e vegjël që nuk janë në skemën e TVSH është që nuk do të jenë menjëherë pjesë e fiskalizimit.

E për sipërmarrjen e madhe apo për sipërmarrjen që paguan TVSH, viti i parë i aplikimit të këtij sistemi do të bazohet në dialog e ndërveprim, duke adoptuar një sistem pa gjoba në mënyrë që viti të shërbejë për edukim të tatimpaguesve.

Të dashur miq, përmblodha disa pika të rëndësishme e të përgjithshme të programit dhe të vizionit tonë 2030, që sigurisht do të prezantohen në tërësi e në detaje në programin e qeverisë së re në mandatin tonë të tretë

Sapo ka filluar dekada që i përket Shqiptarëve!

Faleminderit!

 

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme, Bledar Çuçi, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

 

Përshëndetje të gjithëve,

Gëzuar 30-vjetorin!

Siguria është kusht i nevojshëm për të garantuar zhvillim dhe progres në shoqëri.

Ne kemi ndërtuar kolona solide por kjo nuk mjafton. Vizioni ynë për sigurinë 2030, kjo kontratë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët është një vizion që ka në qendër shërbimin ndaj qytetarit përmes inovacionit dhe ku Policia do të qaset gjithmonë e më shumë si shërbim.

Nga ky nivel do ta shohim 2030-ën aspak me frikë por me optimizëm të bazuar në garancitë që tashmë i kemi krijuar gjatë dy mandateve.

Ne do të shtrijmë fuqinë e revolucionit digjital në të  gjitha strukturat e zbatimit të ligjit ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike do kontrollojmë me precizion çdo metër katëror të territorit të Shqipërisë.

Do të marrë fund epoka e zaptimit pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke apo për kë voton.

Asnjë tolerancë. Me teknologjinë do bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe kufirit për të parandaluar çdo formë paligjshmërie nga trafiqet te kultivimi i bimëve narkotike te krimi i organizuar.

Kjo të dashur miq nuk është as retorikë e as inerci, kjo çfarë po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim  historik në mandatin e tretë  për të cilin mjafton t’ju jap vetëm një shembull.

Këtë rrugëtim qeverisës e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin e që shtyheshin nga Policët. Këtë mandat të tretë do e nisim duke sjellë në Shqipëri dronët super inteligjentë. Dronë të cilët do rrinë në ajër 24 orë dhe do kontrollojnë territorin e Shqipërisë 24 orë në 24.

Shqipëria do të hyjë modestisht nga sasia por njësoj nga cilësia në rendin e vendeve me teknologjinë më të avancuar në këtë drejtim.

Në këtë përballje me paligjshmërinë dhe krimin aleati ynë më i fortë mbeten

 padiskutim njerëzit e zakonshëm.

Policia e dekadës së re do jetë një model për nga sjellja, afërsia me ju dhe nga shpejëtsia e reagimit për sa herë ka probleme apo situata ku duhet ndihma e saj.

Një Polici komunitare ku qytetarët e këtij vendi do të jenë gjithmonë e më të përfshirë në ndërtimin  e sigurisë së përbashkët.

Mbështetja për Policinë e Shtetit, duke e renditur te institucionet më të besuara, na detyron sot më shumë se kurrë të punojmë për tu ngritur në lartësinë e pritshmërive dhe sfidave që na dikton koha duke kapur në mandatin e ardhshëm mesataren e vendeve të BE.

Sot, jemi ulur karshi partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese. Nesër ne do marrim do marrim drejtimin e operacioneve të përbashkëta për goditjen konkrete të krimit dhe trafiqeve e aktiviteteve kriminale.

Sot kemi afruar rreth 3000 të rinj e të reja në Policinë e Shtetit.

Fakt i prekshëm që ka ulur ndjeshëm moshën mesatare të efektivëve. Do ta ruajmë këtë trend pozitiv dhe do ecim me shpejtësi në këtë korsi për të arritur te mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

Vizioni ynë për Shqipërinë 2030 do marrë jetë përmes investimeve në infrastrukturë dhe logjistikë moderne si asnjëherë më parë. Kamerat e trupit, radarët, tabletat digjitale dhe dronët super inteligjentë do të jenë mjete shtesë në duart e punonjësve të Policisë për ta bërë territorin, kufijtë, rrugët e jetët tona më të sigurta.

Kufij të gjelbër e blu, të hapur dhe të sigurtë.

Do të sofistikojmë më tej kontrollin e vijës së kufirit dhe do të përmirësojmë më tej cilësinë e shërbimeve në pikat tona kufitare të cilat janë fytyra e parë për Shqipërinë e miliona turistëve që vijnë në vendin tonë.

Jo vetëm kaq. Pas tre dekadash kaosi me sistemin e adresave, shteti shqiptar më në fund do të dijë kush jeton ku për të rinovuar kështu marrëdhënien me qytetarin, shtetin dhe shërbimet.

 Çdo shqiptar do të ketë një adresë brenda vitit të parë të mandatit të ri qeverisës.

Faleminderit!

 

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Të dashur motra dhe vëllezër,

Është një nder dhe krenari e veçantë të marrësh fjalën në këtë kongres, që mund të konsiderohet padyshim historik.

Ne vijmë pas një beteje elektorale nga më të fortat që janë zhvilluar ndonjë herë në këto 30 vite pluralizëm.

Një betejë në të cilën u përballën dy botkuptime krejt të ndryshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ku progami e vizioni ynë për këtë të ardhme shenjoi edhe rezultatin e kësaj përballjeje elektorale.

Shqiptarët me votën e tyre të lirë konfirmuan nevojën dhe dëshirën për të vijuar rrugën me platformën tonë të reformave të thella shtetformuese, si e vetmja rrugë për perspektivën europiane të vendit tonë.

Edi Rama dhe Partia Socialiste ja dolën të arrijnë një sukses historik me fitoren e mandatit të tretë qeverisës, një sukses ky i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj, ne jemi sot këtu në këtë kongres për të konfirmuar vullnetin e palëkundur që kemi për të ecur më shpejt përpara me programin dhe vizionin tonë Shqipëria 2030.

Partia Socialiste nuk është krenuar kurrë me kilometra elektorale, si 10 mijë kilometrat e trumpetuara nga Partia Demokratike, nga të cilat nuk u bënë realisht as një e dhjeta, por me cilësinë dhe sigurinë e tyre.

Rrugët janë të domosdoshme, por Shqipëria 2030 nuk mund të jetë një vend në të cilin i vetmi transport që ekziston është ai me autoveturë.

Shqipëria i ka të gjitha kushtet që të jetë si të gjithë vendet e tjera europiane, ku rrjetet e infrastrukturës dhe transportit të ndërthurrura në mënyrë efikase, krijojnë mundësi dhe hapësira zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

Infrastruktura e transportit ajror dhe detar përbëjnë atë që mund të konsiderohet si “xhevahiri i kurorës” së planit tonë strategjik.

Ne kemi provuar me fakte e me vepra, se nuk jemi qeveri 3D, pasi ne nuk i njohim justifikimet dhe nuk stepemi nga madhësia apo kompleksiteti i një projekti ambicioz. Ne nuk lejojmë që investimet të dështojnë apo investitorët të largohen nga Shqipëria.

Përkundrazi, ne kemi thyer stereotipin e shëmtuar që askush nuk ka dëshirë të investojë në Shqipëri.

Një nga zhvilluesit më të rëndësishëm në botë, ka zgjedhur Durrësin për të ndërtuar aty një superstrukturë, kompletuar me një marinë jahtesh, infrastrukturë turistike dhe komplekse rezidenciale, që do ta pozicionojë Shqipërinë në hartën e turizmit elitar mesdhetar.

Por, aspiratës tonë për të qënë hotspot turistik në Europë, nuk mund ti shërbejnë më portet ekzistuese, me infrastrukturë të amortizuar e të orientuar drejt peshkimit e mallrave.

Ndaj, jo vetëm Durrësit, por dhe Vlorës do ti japim një port të ri tregtar në zonën industriale të Triportit, për të çliruar qytetin nga trafiku, ndotja ambjentale dhe akustike, e cila do ti lërë vendin një porti elitar jahtesh që do të kompletojë vijën e mrekullueshme të Lungomares.

Do të rindërtojmë plotësisht Portin e Sarandës dhe Shëngjinit me të gjithë komponentët tregtarë dhe turistikë; kështu do të kemi mbuluar të gjithë vijën bregdetare me infrastrukturën e duhur, të aftë për të akomoduar të gjitha llojet e shërbimeve komerciale e turistike.

Portat e ajrit, sikurse ato të detit, janë një tjetër mundësi për zhvillimin e qënësishëm të ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe turizmit në veçanti.

Aeroporti i Kukësit do të jetë plotësisht funksional. Air Albania jonë u ul atje, ndërsa kundërshtarët tanë propagandonin se aeroporti i Kukësit është projekt 3D.

E pra, aeroporti i Kukësit është një premtim i mbajtur, një sfidë që Edi Rama e fitoi kundër të gjithë skeptikëve dhe baltë-hedhësve profesionistë, është realitet i ndërtuar dhe i çertifikuar, përfitimet e të cilit shumë shpejt do të ndihen jo vetëm në ekonominë e zonës, por edhe atë kombëtare.

Ne do ta ulim Air Albanian edhe në Vlorë, aeroporti i ri ndërkombëtar i shqiptarëve që do t’u japë mundësi atyre të kryejnë edhe fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike; do t’a ulim edhe në Sarandë, duke e bërë jugun e Shqipërisë të aksesueshëm nga të gjithë vendet e botës.

Në Shqipërinë 2030, ne nuk do të flasim më për rrugë të shtruara apo të pashtruara, por do të shfrytëzojmë rrjetet infrastrukturore rrugore që po zhvillojmë.

Brenda vitit përfundon Rruga e Arbrit, një ëndërr historike që bëhet realitet 30 vjet pasi u premtua dhe që nxjerr nga izolimi veriun e Shqipërisë.

Aksi Kardhiq-Delvinë do të përfundojë gjithashtu, duke përshpejtuar aksesin e qytetarëve dhe turistëve qe duan të kalojnë nga Tepelena e Gjirokastra në bregdet.

Brenda mandatit të tretë do të kompletojmë akset e munguara të Korridorit Blu.

Ne do të përfundojmë zinxhirin infrastrukturor të nisur me bypassin e Fierit dhe që vazhdon me bypasin e Vlorës, rrugën Orikum – Dukat e më pas me tunelin e Llogarasë, portën e magjishme, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të aksesuar në vetëm 7 minuta perlat e bregdetit të jugut.

Rruga e Karvaneve, akset Qukës – Qafë Plloçë, Librazhd – Bulqizë, Berat – Këlcyrë do të nxisin zhvillimin turistik, bujqësor dhe industrial në një bosht të ri, Lindje – Perëndim.

E ndërkohë që konkludojmë lidhjen e Shqipërisë nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim me infrastrukturë rrugore, ndërlidhja rajonale do të ishte e paplotë pa një modalitet transporti efikas e miqësor me ambjentin.

Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Tiranë-Rinas-Durrës, e cila ka marrë rrugë tashmë, do të vijë edhe linja e re Pogradec-Korçë-Greqi, e cila do të bëjë shumë më të leverdishme dhe të shpejtë lëvizjen e mallrave dhe pasagjereve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë, por dhe Maqedonisë së Veriut përmes degëzimit në Lin, duke jetësuar kështu Korridorin e VIII-të.

Ndërsa lidhja me Malin e Zi do të realizohet nëpërmjet rehabilitimit të hekurudhës Vorë – Han i Hotit.

Të gjithë këto projekte përforcojnë njëri-tjetrin dhe ndërthurren duke krijuar organikisht nyje në pika kyçe të territorit shqiptar.

Nyjet e Kukësit, Milotit, Durrësit, Tiranës, Rrogozhinës, Pogradecit dhe Vlorës do të përbëhen nga autostrada, porte, aeroporte, hekurudha dhe pika të kalimit kufitar, duke përmirësuar aksesin, kostot dhe gamën e mënyrave të transportit, në funksion të sipërmarrjes, turizmit, sigurisë, por dhe jetës së përditshme.

Po kaq ngushtësisht të lidhur me zhvillimin ekonomik janë dhe dy sektorët jetik të ujit dhe energjisë elektrike që tashmë janë futur në rrugë të mbarë dhe po japin dita ditës rezultate të prekshme nga qytetarët.

Deri në vitin 2013, Shqipëria ishte “superfuqia” e vetëshpallur energjitike që po falimentonte për shkak të gropës së zezë të hapur në buxhetin e shtetit nga mospagimi i faturave elektrike dhe mbi 500 HEC-et korruptive që u ngritën si çiban mbi çdo lumë apo përrua të Shqipërisë.

Ndërsa vendi projektonte të ndërtonte centrale bërthamore me vlerë dy herë më të lartë se i gjithë buxheti shtetit marrë bashkë, gjysma e energjisë së prodhuar humbiste në rrjet.

Hidrocentrali i Skavicës, një projekt 50-vjeçar i mbetur si një ëndërr në sirtar për të gjitha qeveritë, tashmë është një realitet.

Një nga kompanitë më të mëdha amerikane ka nisur nga puna, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shqiptare për realizimin e këtij projekti, që do të shënohet si projekti më i madh energjitik në vendin tonë me një investim prej 550 milionë euro.

Por, pa harruar Parqet Fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës me 240 MË në total, të cilat do të ndikojnë në mënyrë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë energjitike në vend, si dhe në objektivin primar që është shndërrimi i Shqipërisë nga importues në eksportues energjie.

Pesëfishojmë prodhimin e energjisë së gjelbërt nga burimet diellore dhe eolike, me një paketë investimesh mbi  350 milionë euro, duke realizuar kështu strategjinë e diversifikimit të burimeve të rinovueshme dhe rritjes së prodhimit vendas, e si rrjedhojë uljen e çmimit për abonentet familjare, por edhe për biznesin.

Të dashur delegatë të kongresit,

Në jemi të bindur se rruga që kemi përpara për realizimin e këtij programi ambicioz, nuk është aspak e lehtë. Sfidat janë të shumta, por me përkushtim dhe transparencë ne do të mund tja dalim.

Shqipëria 2030 do të ketë realizuar ndërlidhje të plotë, përmes mënyrave të ndryshme të transportit.

Qytetarët shqiptarë, por edhe turistët e huaj, do të udhëtojnë denjësisht,  dhe jo më si pasagjerë të dorës së dytë, të lodhur nga udhëtimet e gjata nëpër kthina e rrugë të pasigurta.

Do të kenë alternativa zgjedhjeje ndërmjet rrugëve skenike me peisazh ose autostradave të shpejtësisë.

Në Shqipërinë 2030, transporti hekurudhor do të jetë shndërruar në një kolonë të zhvillimit, dhe shtetasit shqiptar do të kenë akses në transportin e shpejtë dhe efikas që Europa moderne i ofron sot shtetasve të saj.

Në Shqipërinë 2030, do të jetë ridimensionuar superstruktura e transportit detar, e ndarë dhe e mirë-definuar në zona portuale dedikuar aktivitetit ekonomik, dhe struktura të specializuara për mjetet lundruese turistike.

Shqipëria 2030 do të jetë e aksesueshme nga 4 porta ajrore, të cilat në total do të garantojnë transportin e rreth 8 milionë pasagjerëve në vit.

Shqipëria 2030 do të jetë shndërruar në një eksportues neto energjie, me prodhim më efikas dhe më të përballueshëm, por dhe me çmime më të ulta për konsumatorin.

Shqipëria 2030 nuk do të flasë më për mungesën e ujit të pijshëm, por për implementimin e zgjidhjeve më të reja teknologjike në fushën e dixhitalizimit dhe inovacionit.

Shqipëria 2030 nuk do të ketë më rradhë të gjata, as në rrugët e bllokuara nga trafiku, e as në sportele për të marrë shërbime.

Në Shqipërinë 2030, ata që thonin do ikim se ky vend nuk bëhet, do të thonë sa mirë bëmë që nuk u larguam dhe shumë të tjerë do të kthehen në atdhe.

Shqipëria 2030 do të jetë Lider i rajonit dhe epiqendra e tij ekonomike e turistike.

Shqipëria 2030 do të jetë Shqipëria e ëndrrave tona e bërë realitet.

 

Fjala e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Te dashur delegate,

Miq socialiste,

Në këtë ditë jubilare për familjen tonë politike, do dëshiroja të ndaja me ju, me ze te forte, bindjen se jemi forca progresive qe kemi qene gjithnje ne anen e duhur te historise, qe ia kemi dalë të realizojmë punë të rëndësishme në cdo sektor e mes të tjerave, edhe në sektorin e bujqësisë. Përgjatë këtyre viteve kemi punuar shumë, e ky mandat i tretë, si mandat i besimit që shqiptaret na dhanë më 25 prill, na motivon për t’i cuar më tej angazhimet tona.

Ky manadat fillon në një moment, kur bujqësia është në një stad tjeter zhvillimi, kur sipërmarrja private bujqësore është rritur dhe mbështetur me teknollogji bashkëkohore dhe ku sot shumë procese janë automatizuar, falë premtimeve dhe angazhimit tonë.

Skemat e mbeshtetjes direkte per fermerin shqiptar janë shtuar, dhe falë digitalizimit te proceseve administrative nepermjet e-albania, aplikimet per to jane lehtesuar.

Fermeri shqiptar sot e sheh vehten me te lidhur me rrjete nderkombetare krahasuar me nje sere operatoresh ne sektore te tjere. Është fakt që kujdesi i fermerit per token është rritur, duke e vleresuar ate si nje aset te cmuar per ta punuar, por edhe per shtuar te ardhurat e familjes.

Nje premtim i rendesishem qe ne socialistët e mbajtëm ishte ai per karten e naftës falas per fermerët, me plot 20,561 perfitues.

Ajo qe dukej e pamundur kohe me pare, per te vendosur rregulla dhe aplikuar lehtesirat fiskale per 27 artikuj te nevojshme ne sektorin e peshkimit, u realizua, ndaj eksportet e produkteve te detit nga 40 milione dollare ne 2013, u rriten ne 130 milione dollare ne vitin 2020.

Perkunder veshtiresive qe solli pandemia, ne 2020 Shqipëria ka përjetuar një prej rritjeve më të mëdha në eskportet e prodhimeve bujqësore dhe të agropërpunimit të dhjetëvjecarit. Bilanci tregëtar arriti nivelin më të ulët historik në raportin (1:2.9) duke dëshmuar per rritjen dinamike të eksporteve bujqësore dhe zgjerimin në tregje ndërkombëtarë, por gjenerimin e me te larte në të ardhurat për frymë të fermerëve.

Ndaj ne kete mandat te trete, objektivi yne per sektorin eshte qe te rrisim exportet tona bujqesore me 3 here. Ato do të kapin shifrën 1,2 miliardë dollarë duke shërbyer si matesi i nje modeli zhvillimor dinamik.

Kete do ta bejme te mundur permes politikave qe synojne te stimulojnë produktivitetin nga njera ane, dhe mbështetja e shenjestruar nga ana tjeter, duke sjelle keshtu nje rritje te qendrueshme të sektorit në drejtim të të ardhurave dhe punësimit per fermerin.

Keto politika do kene shtrirje si horizontale, duke ndikuar ne gjithe nen-sektoret  bujqesor, por edhe vertikale, per te nderhyre ne menyre te dedikuar sipas nevojave te operatoreve bujqesor.

Konkretisht, ne nen-sektorin bujqesor te gjithe jemi deshmimtar se shtimi i sipërfaqes së serrave ka qene një prej inovacioneve teknologike kryesore në prodhimin bujqësor, duke transformuar kapacitetin prodhues të parcelave të vogla të tokes dhe duke mundësuar kultivimin gjithëvjetor të kulturave bujqësore me potencial eksporti. Ndaj, ne kete mandate synojme te trefishojme  siperfaqen e serave si edhe te shtojme  siperfaqen e mbjelle nepermjet futjes ne qarkullim te tokes bujqesore shtet prej inciativave private dhe investimeve te huaja direkte.

Per te arritur kete, roli i inovacionit dhe risive teknollogjite do te behen te domosdoshme per të rritur produktivitetin dhe diversifikuar kulturat me cikle te ndryshme prodhimi, qe kane avantazhe konkurruese ne tregjet ndërkombëtare.

Po keshtu bashkepunimi me Universitetin Bujqesor te Tiranes, do te forcohet me programe konkrete sipas nevojave dhe praktikave me te mira nderkombetare, ne menyre qe te thellojme me tej praktiken e politike-berjes se bazuar ne evidence.

Sa i perket infrastrukturës e ujitjes dhe kullimit, nje tjeter prej nevojave horizontale/vertikale te sektorit, ne 5 vitet e fundit janë investuar rreth 17 miliardë lekë. Nga këto investime është dyfishuar sipërfaqja e ujitshme, qe sot shkon ne 255,000 ha duke impaktuar drejtpërdrejt zonat me bujqësi intensive. Ne kete mandate te trete, e gjithe toka bujqesore e punueshme do te vihet nen uje.

Por rrritja e eksporteve mund te shkoje perpara duke pasur me vemendje në modernizimin e zinxhirit të vlerës. Rritje të ndjeshme ka gjeneruar nën-sektori i peshkimit dhe akuakulturës, duke i bere produktet dhe nenproduktet e detit atraktive për tregje me fuqi përthithëse të madhe ne BE apo me gjere.

Mandati i trete perkon me fillimin e nje SKEME KOMBETARE VJETORE per te realizuar rigjenerimin e plote te flotes tone te peshkimit. Dhe ky eshte nje angazhim qe socialistet do e cojme perpara qe nga fillimi i vitit te ardhshem.

Nderkohe nën-sektori i Bimeve Aromatike Medicinale ka vijuar konsolidimin dhe diversifikimin e prodhimit. Sot eksportohen esenca etero-vajore me vlerë të lartë drejt tregjeve te BE dhe SHBA, ndaj mbeshtetja per kete sektor potencial dhe me aftesi perthithese 10 here me te larta se sot, do te vazhdoje.

Gjithe keto shembuj deshmojne se modeli yne zhvillimor, dinamik dhe i parashikuar mbi bazen e rritjes se eksportit, ka potencialin te rrise prezencën e prodhimit “Made in Albania” në tregje ndërkombëtare. Dhe qe ky model te jete i zbatueshem, do t’I japim rendesine e duhur mbështetjes financiare per fermeret, per rritur aksesin e tyer në finance per sipermarrjen.

Ndaj ne kete mandat Qeverises do te:  

Dyfishojme financimin për subvencione direkte tek fermerët dhe zgjerimi i gamës së mbështetjes me Skemat Kombëtare duke shkuar ne fund te madatit ne 16 milion USD;

Vazhdojme mbeshtetjen me skemën e naftës pa akzice, takse mjedisi, takse qarkullimi  për fermerët ne 50 milion USD

Mbështesim si agrobiznesin dhe fermerët nëpërmjet programit IPARD me 146 milion Euro, duke realizuar nje injektimin më të lartë të buxhetit ne investime në fermë, agropërpunim, certifikim produktesh zvillim rural, etj

Sektori bujqesor u mbeshtet me një pakete incentivash fiskale gjithëpërfshirëse, dhe keto do  do te vazdojne te jene te tilla  edhe ne kete mandat,  sikurse do te vazhdojme mbeshtetjen e aksesit në finance për fermerët dhe agrobiznesin nëpërmjet Fondi Kombëtar të Garancisë për Bujqësinë.

Se fundi, edhe pse jo per nga rendesia, mbeshtetja e sipermarrjeve bujqesore dhe agro-turistike eshte nje mundesi e shkelqyer per te forcuar rolin ekonomik te gruas rurale. Shtimi i produkteve te certifikuara dhe zgjerimi i zinxhirit te marketimit te tyre, do te mbeshteten dhe ne kete mandat. Keto do te sherbejne si nje mundesi per vitalizimin rural, por do te gershetohen me nderhyrje te shenjestruara ne fshat ku zhvillimet infrastrukturore ne rruge, uje te pishem dhe ndricim

Kam bindjen se përvec këtyre reformave premtuese në rezultate, shume punë të tjera do të realizohen në katër vitet e ardhëshme sepse moto e jone do te mbetet # prane fermerit ne cdo hap.

Ju faleminderit!

 

Fjala e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Përshëndetje të gjithëve!

E nderuar të flas në këtë Kongres të veçantë të Partisë Socialiste, forca politike që fuqizimin e shtetit të së drejtës, angazhimin për shtetbërje dhe drejtësi në këtë vend, e ka pasur dhe e ka pjesë të ADN-së së saj, qëllim të çdo reforme që ka udhëhequr prej vitesh, në rrugën e integrimit euro-atlantik të vendit.

Në këtë periudhë, i gjithë opinioni publik ka ndjerë lëkundjet e sistemit të vjetër të drejtësisë. Ne po shembim drejtësinë e vjetër dhe po ngremë drejtësinë e Re, drejtësinë që gararanton barazi para ligjit, shpresë dhe besim te qytetarët.

Sot reforma në drejtësi është një realitet. Tashmë të gjithë e pranojnë dhe e vlerësojnë pavarësinë reale, kushtetuese dhe ligjore, që ne i kemi dhënë sistemit të drejtësisë së re, pastrimin e sistemit prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të paaftë për të përmbushur këtë mision të nderuar, mbështetjen e jashtëzakonshme që i kemi dhënë funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë, për t’i bërë ato funksionale dhe eficente. Tashmë është koha që ato të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe integritet, besim të qytetarët përmes rezultateve pozitive.

Arritjet e para të sistemit të RI të drejtësisë kanë filluar të jenë të prekshme. Lajmet e periudhës së fundit janë shumë inkurajuese, sepse tregojnë se Drejtësia vonon, por nuk harron. Çështje që konsideroheshin të harruara në sistemin e drejtësisë, si Gërdeci dhe 21 janari, janë rikthyer, dhe ne besojmë që do t’u shkohet deri në fund me sistemin e ri të drejtësisë.

Simbolet e pandëshkueshmërisë, miti i pandëshkueshmërisë janë duke marrë një goditje të fortë për tu shndërruar në mentalitetin e ri të funksionimit të sistemit të RI të drejtësisë, të vetë shtetit. E ky, është vetëm fillimi i një rruge pa kthim.

Ne do të vijojmë mbështetjen aktive për funksionimin tërësor të sistemit të ri të drejtësisë, me mbështetjen, asistencën dhe garancinë e partnerëve tanë BE dhe SHBA. Ëndrra jonë evropiane nuk mund të kuptohet pa një drejtësi evropiane.

Ne do të vijojmë të mbështesim rritjen e transparencës dhe aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë.

Do të promovojmë drejtësinë alternative dhe do të vijojmë të garantojmë drejtësinë sociale me qëllim që çdo qytetari në pamundësi, ti garantohet avokati falas nga shteti.

Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për të pasur në çdo hap një qeverisje miqësore dhe bashkëpunuese me qytetarët dhe në shërbim të tyre. Tashmë kemi ndërtuar bazat për të patur më shumë ndërveprim të administratës nëpërmjet platformave efiçente të ofrimit të shërbimeve online ndaj qytetarëve,  me qëllim shkurtimin e stacioneve në marrjen e çdo shërbimi nga zyrat e shtetit.

Funksionimi i portalit të mësuesit, i mjekëve, i infermierëve janë një provë suksesi të hapave pozitive të hedhura nga qeveria që kanë sjellë garanci dhe transparencë. Do të vijojmë të përmbyllim procesin e reformimit të digjitalizimit të shërbimeve për të eleminuar korrupsionin e sporteleve dhe procedurat burokratike.

Ashtu siç Kryeministri Rama e prezantoi, ne po punojmë për ta çuar në një nivel të ri platformën e bashkëqeverisjes me njerëzit, si një mekanizëm detyrues për administratën shtetërore, që çdo punonjës shteti të jetë në një marrëdhenie detyruese për të kthyer përgjigje dhe ofruar shërbimin e merituar qytetarëve.

Reformën e filluar për pronën, si një gangrenë e kahershme me kosto të jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët, biznesin dhe zhvillimin ekonomik e social, do ta çojmë deri në fund dhe gjatë kësaj dekade do të synojmë të përmbyllim çdo çështje që lidhet me titujt e pronësisë duke e pasur si kujtim të largët problemin 30 vjeçar të pronave.

Natyrisht drejtësia është kthyer në kryefjalën e çdo njeriu, kjo edhe për shkak të pabarazisë të pasurimit të disa politikanëve, bzinesmenëve dhe individëve pjesë të sistemit të drejtësisë së vjetër. Tashmë  me funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë dhe fuqizimin e agjencive ligjzbatuese ne do të vijojmë më fort betejën ndaj korrupsionit, në një marrëdhënie të ngushtë me qytetarët duke nxitur denoncimet e tyre ndaj fenomeneve korruptive, si dhe do të ndëshkojmë çdo rast të abuzimit me detyrën dhe përfitimi të paligjshëm.

Me kontributin e të gjithëve ne mund të arrijmë një qeverisje më të mirë, më llogaridhënëse dhe transparente me integritetin si motor lëvizës.

Kontrata politike e drejtësisë pa kompromis, e shërbimeve pa korrupsion dhe e jetës së sigurt është më shumë sesa angazhimi elektoral i Partisë Socialiste, është kontrata jonë me qytetarët në mandatin tonë të tretë.

Kjo është një tjetër garanci e fortë që Shqipëria e 2030, e fëmijëve tanë, të jetë një vend më i drejtë për të gjithë ne, një vend që ofron shpresë e besim për të gjithë dhe veçanërisht për të rinjtë.

Faleminderit të gjithëve!

 

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Gratë dhe burrat që krijuan forcën tonë politike 30 vjet më parë, e kanë patur ndoshta të pamundur të përfytyronin rrugëtimin e Shqipërisë në këto tre dekada, pengesat që do të ndeshte, goditjet që do të merrte, plagët që do t’i hapeshin çdo herë që do të rrëzohej.

Por ama, për një gjë kanë qenë të sigurt:

Pas 10, 30 apo edhe 50 vitesh:

e vetmja forcë politike që mund ta ngrejë këtë vend çdo herë që rrëzohet; e vetmja forcë politike që mund ta transformojë dhe modernizojë; e vetmja forcë politike që mund ta ndërtojë të ardhmen që meritojnë fëmijët tanë;

ËSHTË PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË!

Të dashur miq,

Dy vitet e fundit na kanë vënë përballë provave të jashtëzakonshme, nga ato që vijnë një herë në njëqind vjet dhe që testojnë forcën e vendeve dhe karakterin e popujve.

Lëkundjet dhe pasojat e tërmetit, ia lanë vendin 15 muajve të një krize të shëndetit publik, nga ato që bota i sheh një herë në njëqind vite.

Pandemia na vuri në provë të vështirë. Por nuk na gjunjëzoi!

Na testoi forcën dhe durimin. Por nuk na dobësoi. Kërkoi mund, djersë, lodhje e sakrifica. Por nuk na vuri përfund.

Iu përgjigjëm me profesionalizmin e stafeve tona mjekësore, dhe me solidaritetin e qytetarëve të mrekullueshëm të këtij vendi.

Ia dolëm sepse i sëmuri i madh që ishte sistemi shëndetësor në vitin 2013, pas një terapie të fortë dhe të pandalur 8-vjeçare, tashmë ishte ngritur në këmbë.

Harta e fundit e të dhënave të infektueshmërisë për kontinentin tonë, tregon për të disatën javë radhazi se dy janë sot shtetet me nivelin më të ulët të infektimeve: Islanda dhe Shqipëria!

Kjo hartë ishte e paimagjinueshme 15 muaj më parë, kur armiku i padukshëm kish trokitur në portën tonë bashkë me hijen e frikshme të një force që e kishim parë në veprim në Italinë fqinjë.

Sot, kemi fituar disa beteja. Por lufta nuk ka mbaruar dhe bilancin final ende nuk mund ta bëjmë, megjithatë për një gjë duhet të jemi krenarë: Ajo çfarë bëmë në këto 15 muaj, na tregon se ne kemi forcën, kapacitetet, vullnetin për ta ngjitur Shqipërinë në nivelin që duam, brenda kësaj dekade.

Dhe ne do ta ngremë Shqipërinë në nivelin e një vendi, që jo vetëm në kohë pandemie, por në çdo kohë, do të ofrojë një shërbim shëndetësor me standarde europiane.

Sot, kur ne i afrohemi shifrës së 1 milion vaksinimeve, nuk kemi thjesht 1 milion qytetarë më të mbrojtur. Sot ne kemi garanci të shtuara për biznesin, për turizmin, për ekonominë tonë.

Prandaj do të vazhdojmë pa u ndalur, sipas një plani të mirëmenduar, deri kur të kemi vaksinuar edhe qytetarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale virusit, dhe për t’iu rikthyer plotësisht normalitetit.

Të dashur miq,

E gjithë Bota po rishikon qasjen ndaj sistemeve shëndetësore, pas kësaj pandemie.

Këtë po bëjmë dhe ne.

Po hyjmë në një fazë të re, për të vënë në zbatim REFORMËN më të rëndësishme në historinë e Shëndetësisë në Shqipëri.

Një reformë që do të garantojë shpërblime sipas meritës për mjekët dhe stafet; një reformë që do të garantojë transparencë të shpenzimeve në spitale; një reformë që do të krijojë një sistem efikas kundër korrupsionit brenda sistemit shëndetësor.

Një reformë që do t’i rrisë imunitetin sistemit dhe do shtojë garancitë për një shërbim cilësor qytetarëve.

Programi ynë mbështetet mbi tre shtylla:

Kujdes Shëndetësor Universal,

Modernizim të Infrastrukturës dhe Teknologjisë shëndetësore dhe

Fuqizimin e Burimeve Njerëzore, duke e bërë ofertën e studimeve dhe punësimit në vend më atraktive dhe konkuruese.

Pas ndërhyrjeve madhore në përmirësimin e infrastrukturës së spitaleve, ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri shërbimin ndaj pacientit me zbatimin e autonomise spitalore. Fillojmë me Spitalin Memorial të Fier dhe më pas, e eksportojmë këtë model kudo në Shqipëri.

Brenda 2025, do të krijojmë katër Polet Spitalore që do të bëhen Qendra të Referencës Diagnostikuese dhe Trajtuese në katër rajonet e vendit.

Kantieri i shëndetësisë nuk do të ndalet dhe do të finalizojmë gjatë këtij mandati projektet e mëdha të ndërtimit të Spitalit të ri Sëmundjeve të brendshme në QSUT, Spitalit pediatrik ne Tiranë, Spitalit Infektiv, Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Spitalit pediatrik në Elbasan dhe Spitalit Rajonal të Kukësit. 

Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në çdo cep të Shqipërisë.

Do të ngremë 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio-shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë, dhe kujdesin paliativ brenda vitit 2024.

Do të konsolidojmë Platformën e Integruar të Shëndetësisë Digjitale, që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, sistemet e menaxhimit të shërbimit farmaceutik dhe rrjetin e Telemjekësisë dhe konsultave ambulatore në çdo nivel shërbimi.

Do të ndërtojmë Programin Kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që, qytetarët dhe në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor.

Të dashur miq,

Pavarësisht gjithçkaje që është bërë në transformimin e shëndetësisë, pavarësisht kilometrave që kemi përshkuar në rrugën pa kthim të ringritjes së këtij sektori të vështirë, ne jemi të vetëdijshëm se rruga që kemi përpara, është edhe më e gjatë se rruga që kemi bërë.

Angazhimi ynë për Shqipërinë e 2030-ës përpara shqiptarëve është ky:

Ne do të ndërtojmë një Sektor Shëndetësor, që mishëron ato parime dhe vlera, që dolën fort në pah në këta 15 muaj të vështirë të pandemisë: Solidaritet, Barazi dhe Shëndet për të Gjithë.

 

Fjala e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Të nderuar delegatë të kongresit,

Që arsimi është një prioritet në programin tonë qeverisës, kjo tashmë nuk përbeni me një risi. Për ne arsimi nuk është vetëm një e drejtë që duhet t’i garantohet kujtdo, por është edhe mjeti më i mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Dhe, reformat e ndërmarra në arsim vitet e fundit, si dhe rezultatet pozitive vit pas viti, na bëjnë të besojmë se jemi në rrugën e duhur dhe mbi baza të shëndosha.

Por sot, me mandatin e ri të PS, sistemi ynë arsimor hyn në një faze të re zhvillimi. Në fokus të tij do të jetë sidomos arsimi i lartë, të cilin, duhet ta pranojmë, reforma ende nuk i ka dhënë plotësisht rezultatet e pritshme, për një përparim progresiv e të qëndrueshëm. 

Ne sot kemi shumë të dhëna, madje edhe të certifikuara ndërkombëtarisht, që flasin qartë për rritje të vazhdueshme të cilësisë në arsimin parauniversitar, por ndërkohë ndjehemi keq që rruga e shumë të rinjve ndërpritet në momentin kur duhet të vazhdojnë studimet e larta. Një pjesë e tyre, madje shpeshherë më të mirët prej tyre, ata me rezultate të shkëlqyera, duhet të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar studimet në universitetet më prestigjioze evropiane.

Natyrisht që gjithmonë, edhe kur të jemi në nivele më të larta, do të ketë disa nga studentet ekselentë që do të vazhdojnë të shkojnë për studime jashtë vendit. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo të jetë zgjedhje e detyrueshme për ta, ne nuk mund të pranojmë që më të mirët të mos kenë  zgjedhje alternative këtu, në Shqipëri.

Prandaj ne do të punojmë intensivisht, dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona, për të sjellë këtu eksperiencat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane, që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete, universitet, për t’u dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë, të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE.  

Ndërkohë që angazhohemi që të mbështesim me 10 milionë Euro në vit, hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit, midis universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Një tjetër shembull që nuk ka nevojë për shumë komente apo analiza, por që duhet të na bashkojë e të na motivojë për të punuar më shumë, është fakti që renditemi ndër vendet e fundit për aplikime projektesh për kërkim shkencor dhe inovacion, siç është Horizon 2020. Edhe në këtë drejtim ne duam të bëhemi shembull pozitiv, siç kemi arritur të renditemi të parët në rajon në shumë fusha të tjera, pse jo mund të bëhemi shembull edhe për thithjen e fondeve të BE për arsimin dhe kërkimin shkencor. 

Do të vazhdojnë investimet infrastrukturore në kampuset universitare, që të përmirësohet edhe eksperienca studentore dhe të inkurajohen të rinjtë tanë të ndjekin ëndrrat e tyre këtu, në Shqipëri. Do të realizojmë rikonstruksionin e plote të të gjitha rezidencave studentore. Në mënyrë të veçantë, Kampusi i ri i UT, do të jetë investimi më i madh i qeverisë shqiptare në arsim në 3 dekada. Do të jetë një prej kampuseve më moderne në të gjithë Ballkanin perëndimor.

Të dashur miq,

Edhe në sistemin parauniversitar, PSSH si një familje e madhe progresiste, ka në vizionin e saj një sistem arsimor ku nxënësit tanë të përfitojnë aftësitë e reja të shekullit të 21, me qëllim final përgatitjen e profesionistëve të aftë, punonjësve të suksesshëm dhe qytetarëve të denjë të vitit 2030.

Prandaj, që prej këtij shtatori, gjuha angleze do nisë të mësohet në të gjitha shkollat e vendit që në klasën e parë. Gjatë këtyre viteve është bërë një punë e jashtëzakonshme për forcimin e kurrikulave, kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies në gjuhën angleze, duke përgatitur plotësisht kushtet për zbatimin e kësaj politike ambicioze.

Falë investimeve në infrastrukturën shkollore, në të gjithë vendin, dhe me programin e madh të rindërtimit pas tërmetit, mandati i tretë do të shënojë fundin e shkollave me dy turne. Shkollat e reja do të jenë më të mëdha, më të forta, më të sigurta, më të bukura dhe sipas standardeve më të mira evropiane në vizionin e shkollës qendër komunitare.

Ne do të vazhdojmë të investojmë edhe tek rritja profesionale e mësuesve, me trajnime dhe kualifikime cilësore, por ndërkohë angazhohemi të vlerësojmë dhe rrisim akoma më shumë dinjitetin tashmë të rikthyer të mësuesve, nëpërmjet rritjes së mëtejshme të pagës, në fakt rritja me e madhe ndonjëherë, prej 40% brenda një mandati. Sepse mësuesit meritojnë mirenjohjen tonë maksimale, ata shpërndajnë diturinë dhe atdhedashurinë tek fëmijët tanë. 

Në mbyllje të fjalës sime, dua të theksoj edhe një herë, se investimi në arsim nuk do të ndalet asnjëherë, sepse në çdo kohë e çdo sfidë, sikurse e dëshmoi edhe tërmeti dhe pandemia, janë pikërisht profesionistët e aftë dhe qytetarët e denjë që nevojiten për një shoqëri të shëndetshme, të bukur dhe solidare. Prandaj pas fitores së jashtëzakonshme të mandatit të tretë, përgjegjësia jonë është më e lartë se çdo herë tjetër, për të punuar akoma më shumë, për të garantuar për brezin e ri një të ardhme më të mirë, këtu, në Shqipërinë tonë!  

Faleminderit dhe Gëzuar 30 vjetorin e PS!

 

Fjala e zv.ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bora Muzhaqi, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Jam shumë krenare sot për këtë mundësi që vetëm deri pak muaj më parë vetëm mund ta ëndërroja, po s'mund ta bësoja dot se do ta kisha sot, në 30 vjetorin e Partisë Socialiste! 

Unë kam lindur në të njëjtin moment të historisë së Shqipërisë që lindi edhe Partia Socialiste. Komunizimin nuk e kam jetuar, vetëm e kam lexuar në libra. Pjesën më të madhe të historisë së kësaj partie po ashtu e kam mësuar, nuk e kam jetuar. Kam nisur ta ndjek së largu këtë parti kur Edi Rama nisi të ndryshojë Tiranën, qytetin tim të pajetueshëm deri atëherë. Sot kam shumë emocion që jam bashkë me ju, për ta bërë më tej historinë e ndryshimit të Shqipërisë, duke dhënë edhe unë kontributin tim sado të vogël në këtë gjënë e madhe që quhet Parti Socialiste! 

Faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre që më mbështetën për të ardhur deri këtu, dhe ju premtoj se do të bëj gjithcka që t'jua kthej mbështetjen, me punë profesionale, me dinjitet qytetar dhe me përkushtim të madh politik. 

Ne socialistët, duam që ky mandat i tretë shpresash të rifuqizuara nga një fushatë e bukur dhe një fitore historike e Partisë Socialiste, të jetë mandati më domethënës i këtyre tridhjetë vjetëve demokraci, për fëmijët dhe të rinjtë; një mandat për fuqizimin e sistemit shqiptar të dijes dhe për hapjen domethënëse të një tregu të ri pune për të rinjtë, në një kohë kur teknologjia e ka kthyer botën në një fshat global dhe e ka sjellë pazarin e fshatit botëror, në cdo kënd të Shqipërisë tonë të vogël.

Shqipëria e vogël i ka sot të gjithë mundësitë që të kthehet në një destinacion rajonal për inovacionin e për dijen e re të tregut digjital. 

E kemi nisur krijimin e këtij destinacioni me Qendrën Tumo në Tiranë, por ajo është e vetëm një bërthamë dinamike, e cila do të zhvillohet fuqishëm kur piramida e diktatorit në qendër të kryeqytetit, të kthehet në tempullin e shekullit të ri digjital, ku të rinjtë do kenë një hapsire fantastike të denjë për cdo qendër të zhvilluar të botës, bashkë me mentore dhe instruktore, qe do ti pergatisin ata per nje te ardhme të begatë digjitale. Biblioteka e Re moderne e Korcës, një qendër e librit dhe inovacionit, është një tjetër bërthamë që sapo ka nisur zhvillimin e saj në funksion të vizionit tonë Shqipëria 2030. Në radhë është Vlora, ku karakatina e shëmtuar prej betoni në anë të sheshit të Flamurit, po projektohet si një qendër bashkëkohore e zhvillimit të qendrueshëm rajonal,  e cila do të ketë brenda saj edhe qendrën e mësimit për kodimin digjital, njësoj si në Shkodër ku do të ngrihet enkas një qendër e tillë, që të përgatisim sa më shumë të rinj kodues. Duke u mësuar atyre sa më masivisht gjuhën e kodimit, Shqipëria përgatit një forcë të re për ekonominë e saj dhe i jep vetes mundësinë e ofrimit për të rinjtë të një hapësire globale, ku ata të mund të fitojnë të ardhura të konsiderueshme pa ikur nga atdheu i tyre. 

Njëkohësisht po punojmë për të krijuar një kurrikulë të nivelit më të mirë për teknologjinë digjitale në shkolla e gjimnaze, për të trajnuar mësuesit por edhe për t’i ofruar fëmijëve mundësinë ti marrin këto mësime nga ekspertët më të mirë të fushës. 

Inovacioni është e ardhmja, startup-et inovative janë fjala e ditës në gjithë botën, dhe ne do të bëjmë cmos që të rinjtë tanë të përgatiten për të konkuruar me të rinjtë e gjithë botës. Jo pak të rinj kodues në Shqipëri i ofrojnë shërbimet e tyre kompanive më të mëdha në botë, këtu nga Shqipëria, sic është rasti i Ritech-ut apo Facilization. Detyra dhe angazhimi jonë është t’i ofrojmë mundësinë këtyre të rinjve të zhvillohen edhe më tej. 

Të rinjtë tanë do jenë të përgatitur me mjetet e duhura për të qënë të parët në inovacion. 

Teknopark Albania, qëndra e re e teknologjisë së lartë do të jetë një shtëpi e re për kompanitë hightech, për start up-et, për inkubatorët, dhe për kërkimin shkencor. Një qëndër që formon dhe zhvillon inovacionin, sipas modeleve më të suksesshme botërore. Kjo qëndër do jetë një tjetër katalizator i transformimit ekonomik dhe social e mbi të gjitha do t’u ofrojë të rinjve vende pune cilësore dhe me paga konkuruese me vendet evropiane. Një hapsirë që do të bëjë bashkë universitetet, sipërmarrësit dhe teknologjinë për të promovuar dhe zhvilluar produkte të reja që do të mbajnë markën “Made in Albania”. 

Revolucioni i ri, është revolucioni teknologjik, dhe ne po marrim masat që të rinjtë shqiptarë të jenë në kryerradhë të bashkëmoshatarëve tyre, duke e filluar kodimin dhe inovacionin që në hapat e para të edukimit. 

Por bota virtuale e kompjuterave, tabletave, smartfonëve, nuk mundet kurrësesi të bëhet e vetmja botë që u intereson fëmije e të rinjve të sotëm. Sepse aq sa ajo botë i përket të ardhmes së tyre, aq edhe shkëputja sot nga bota reale, nga toka e bukës, nga punët e dorës, nga krijimtaria manuale, nga zejet dhe arti, mund t'i izolojë ata nga realiteti njerëzor e shoqëror, duke cënuar jo vetëm ata vetë po edhe shoqërinë e të ardhmen e saj.

Artet dhe Zejet janë një tjetër drejtim strategjik i qeverisjes së kësaj dekade të re, duam që çdo fëmijë të ketë mundësi të zbulojë veten, të kultivojë dhuntitë e talentet e tij. Të zhvillojë krijimtarinë dhe shpirtin artistik, po edhe të mësojë më shumë mbi tokën, mbi natyrën, mbi materialet e punueshme me duar, mbi prodhimin e mbi sipërmarrjen. 

Mësimet mbi teknologjinë, artet e zejet, duhen shoqëruar edhe me edukimin fizik, sepse sado të zhvillohen kompjuterat dhe inteligjenca artifiale e sado të stërviten shqisat e të zgjerohen dijet për botën, në fund ajo këshilla e antikitetit që thotë mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, mbetet përherë aktuale. 

Prandaj drejtimi i tretë paralel i strategjisë sonë të re për rininë, do të jetë fuqizimi i jetës sportive në shkollë e në universitet, duke i vënë shumë më mirë në shërbim të edukimit fizik edhe investimet e bëra e ato që do të bëhen në terrenet sportive. Fushat e palestrat duhet të gumëzhijnë, kampionatet sportive midis shkollave, gjimnazeve, universiteteve duhet të lulëzojnë, aktiviteti fizik duhet të bëhet edukatë e përgjithshme, qysh në shkollë. 

Asgjë më shumë se sa sporti nuk ta stërvit shpirtin e ekipit, ndjenjën e disiplinës, vullnetin e durimin fizik, sikundër sic ta jep sporti mundësinë e vlerësimit të vetëdijes sociale e të solidaritetit, nuk ta jep dot asgjë tjetër me të njëjtën natyrshmëri. 

Shkolla qendër komunitare duhet të kalojë në një fazë të re - një qëndër dije dhe argëtimi, ku fëmijët të motivohen me çmime, medalje, sponsorizime dhe bursa, për t’u treguar se ai që punon fort shpërblehet, për të ndërtuar një frymë konkurence e meritokracie, për të krijuar një front të ri në luftën me veset e me kriminalitetin. 

Të rinjtë janë e ardhmja, thuhet gjithnjë dhe gjithnjë do të thuhet kështu, por vizioni dhe qëllimi ynë është që e ardhmja të jetë e rinisë dhe të jetë në Shqipëri njësoj si në botë.  Ne as nuk mundemi, as nuk duam dhe nuk e ndalojmë dot edhe po të duam, daljen e të rinjve nga Shqipëria. Por ne duam dhe mundemi që dalja prej kufijve të atdheut të mos jetë një dalje e detyruar nga pamundësitë e këtushme, po të jetë një zgjedhje e lirë e çdokujt, që edhe në Shqipëri duhet të ketë mundësi zgjedhjeje. 

Ky është misioni ynë dhe kjo është detyra më e madhe që na dhanë ata që na besuan Mandatin e Tretë! E vështirë po jo e pamundur, sepse s'ka asgjë të pamundur nëse quhesh Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ke një lider që kurrë nuk të thotë ndalo, po vetëm vrapo më shumë! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm