Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vizioni im dhe i Partisë Socialiste është ta ngjisim Shqipërinë dhe shqiptarët në majën ku e meritojnë

Të reja

Vizioni im dhe i Partisë Socialiste është ta ngjisim Shqipërinë dhe shqiptarët në majën ku e meritojnë

21 Apr 2021    

Takimi Fier – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit të gjithëve!

Është një pamje shumë e veçantë, shumë e bukur, siç i ka hije Fierit dhe mua më vjen mirë që sot në këtë moment të rrugës sonë, ne kemi kaq shumë gjëra për të numëruar nga çfarë kemi bërë por unë nuk dua të numëroj ato që kemi bërë, ato ju i dini dhe pa diskutim që sa më shumë të bëjmë, aq më shumë do duam të bëjmë. Sa më shumë plagë të shërohen, aq më shumë bien në sy dhe dhembin plagët që duhen shëruar akoma. Kjo është rruga jonë dhe në këtë rrugë, ne nuk kemi asgjë tjetër më të rëndësishme se sa njëri tjetrin dhe vazhdimin e misionit tonë.

Sot, përpara se të shkonim në Lushnje, ne ishim në një moment që ky rajon e ka pritur prej shumë e shumë vitesh. Mua më kujtohet qysh se jam bërë kryetar i PS-së, kur kam ardhur në Fier për të diskutuar për programin asokohe, për zgjedhjet e para, të gjithë prioritetin numër një kishin spitalin rajonal të Fierit. Më vjen shumë mirë që sot, Fieri jo vetëm ka një spital të ri rajonal, por sot Shqipëria ka një spital të ri të standardeve më të larta botërore. Sot, Fieri për shkak të spitalit të ri do të jetë një destinacion i shumë e shumë shqiptarëve dhe një destinacion edhe përtej Shqipërisë, pasi në këtë spital do të ofrohet një shërbim i standardeve më të larta botërore. Spitali i Fierit nuk është i rëndësishëm vetëm për shërbimin që do të japë për të gjithë ata që do të kenë nevojë. Spitali i Fierit është një qendër e transferimit të dijes, të asaj dije që e bëri Turqinë një vend me një sistem shëndetësore ekselent. Në këto 4 vite, ne do të bëjmë gjithçka që shëndetësia shqiptare, falë edhe dijes që do të transferohet për gjithë sistemin tonë, për të gjithë trupat tona të administrimit të spitaleve e për gjithë trupat tona të kujdesit shëndetësor nga Fieri do të bëhet një shëndetësi për të cilën ne do të jemi vërtetë krenarë. Tani, ne jemi gati të jetësojmë një model të ri administrimi, pasi nuk mundej dot të hynim në një model të ri administrimi me spitale që ishin për faqe të zezë, me spitale që nuk kishin ilaçe, batanije dhe ku aparaturat e reja prisheshin me qëllim e rrinin pa punë. Me spitale ku ishte vërtetë një torturë të imagjinoje se mund të hyje.

Sot, infrastruktura e sistemit tonë shëndetësor është në nivelin e duhur për të zbatuar tani modelin e ri të administrimit në mënyrë që spitalet të bëhen përfundimisht të qytetarëve, të pacientëve, të familjarëve e që të gjitha ato bishta që vazhdojnë të shfaqen në jetën e gjithsekujt që duhet të shkojnë në spital një herë këtu e një herë atje, të këputen njëherë e mirë. Që fjala ryshfet, fjala korrupsion në spitale të jetë një fjalë që të fshihet nga fjalori i shqiptarëve dhe kjo është e mundur sot, sepse sot, falë spitalit të Fierit do të mund të fusim në jetën e spitaleve tona një model krejt tjetër të administrimit të burimeve njerëzore, të burimeve financiare. Një sistem krejt tjetër marrëdhëniesh mes spitalit dhe qytetarit. Ky spital na jep mundësinë që të ëndërrojmë më shumë. Na jep mundësinë që pikërisht pse kemi tani këtë qendër ekselence, të ndërtojmë pranë saj një universitet për ekselentët e mjekësisë dhe të infermierisë e spital i Fierit të bëhet edhe një spital universitar.

Sigurisht nuk kam parasysh universitetet që hapeshin në të shkuarën për t’ju bërë qejfin komuniteteve të ndryshme e pastaj për t’i lënë fëmijët e atyre prindërve që çonin bijtë dhe bijat në universitet rrugëve. Nuk është universiteti i Fierit pranë këtij spitali, që i ka të gjithë kushtet për t’u bërë universitar, një universitet si ai që Luli premtoi në Peshkopi. Vajti në Peshkopi e tha do ju bëj universitetin. Atje mezi u mbyll universiteti që ju merrte tërë paratë prindërve për t’i dhënë provimet pa shkuar fare në mësim dhe këta duan ta hapin prapë.

Zgjedhja është mes universitetesh që hapen për të rrjepur prindërit e për të marrë në qafë fëmijët e një universitet të ri këtu në Fier që nuk do jetë një universitet i radhës, por do të jetë një universitet ndërkombëtar, me programe e profesorë të huaj e shqiptarë dhe me një diplomë ndërkombëtare, jo me një diplomë të radhës, e cila pastaj nuk vlen për asgjë.

Ndërkohë Fieri me këtë spital do të bëhet një arsye shumë e fortë për ta stimuluar më shumë turizmin dhe me aeroportin e ri të Vlorës, i cili dot ë jetë në kantier më në fund në pak muaj e me portin e ri turistik të Vlorës, ne do të mund të sjellim shumë udhëtarë e turistë të një kategorie të lartë, kategorisë më të lartë, nga ata që vijnë e shpenzojnë shumë por për atë kategori turistësh, e dini se kush është kushti? Kushti është një spital me standarde pranë atij territori ku shkojnë e unë jam i bindur që spitali i Fierit do të jetë një magnet për ti bindur e për ti tërhequr në numra gjithmonë e më të mëdhenj turistët drejt zonës së jugut sepse një spital i standardeve më të larta botërore e kanë dy hapa larg.

Nga ana tjetër, sot ne jemi në një situatë krejt tjetër krahasuar me disa vite më parë për sa i takon fshatit, për sa i takon prodhimit, për sa i takon eksporteve. Ne kemi 400 milionë eksport krahasuar me rreth 100 që ishin para disa vitesh por ne kemi mundësinë e duhet të vazhdojmë punën që ti çojmë eksportet bujqësore mbi 1 miliard e nga ana tjetër, ne i kemi të gjitha mundësitë që ta shohim Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm e në bujqësi e midis këtyre të dyjave, mes turizmit që ne do ta stimulojmë shumë fortë me një program investimesh që ëhstë më i madhi që ka pasur ndonjëherë ky vend dhe bujqësisë, qendron agroturizmi. Qarku i Fierit është zona me potencialin më të jashtëzakonshëm për agrotuizëm. Është zona ku ka kaq shumë bukuri, ku ka kaq shumë histori, ku ka kaq shumë arsye për të shkuar nga një stacion në tjetrin e ku ne mund të ndërtojmë sëbashku me gjithë ata njerëz që besojnë tek puna e këtu në këtë qark janë besimtarë të punës, një të ardhme që të jetë e ardhmja që të gjithë ne dëshirojmë për fëmijët tanë në shtëpitë tona por ama të jetë një e ardhme e përbashkët, në shtëpinë e përbashkët që quhet Shqipëri.

Si do bëhemi ne kampionë të Ballkanit në turizëm dhe si do hyjmë ne në ligën e kampionëve të Europës në turizëm? Shikoni Kroacinë. Kroacia është një vend i vogël me 4 milionë banorë dhe Kroacia ka 9 aeroporte dhe është fuqia e shtatë e botës, për të ardhura nga turizmi. Nëse ka një burim kryesor që i bën kroatët të gëzojnë një jetë më të mirë se sa e jona është turizmi. Po ne? Shikojeni Shqipërinë. A ka të paktën në dijeninë time jo, një vend kaq të vogël brenda të cilit, Zoti të ketë vënë bashkë kaq shumë gjëra.

Dy dete, njëri më i bukur se tjetri. Male që mbajnë dëborë edhe në gusht. Lumenj që e përshkojnë trupin e vendit përgjatë gjithë gjatësisë së vet. Liqene, pllaja, pyje, kodra fantastike. Pafund liqene nga të katërt anët. Duket vërtetë sikur Zoti kur bëri Shqipërinë, e bëri të dielën kur ishte pushim, e bëri për telha, e qëndisi në çdo cep të saj, e bëri që shqiptarët të kishin gjithçka që i duhet një populli, një bashkësie, një komuniteti për të jetuar në mirëqenie, por si ka mundësi që ne ende nuk kemi arritur dot që t’i transformojmë të gjitha këto dhurata, gjithë këtë pako me dhurata që Zoti vuri për Shqipërinë, në burim mirëqenie për të gjithë? Sepse çka Zoti e dha, dora e mbrapshtë e robit nuk ia lejoji shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë e po të shikoni historinë tonë, në historinë tonë ka pasur vazhdimisht momente ku ne jemi ndjerë të lodhur, kur ne jemi ndjerë të mërzitur, kur jemi ndjerë të pakënaqur, kur jemi ndjerë gati të paralizuar e në ato momente, ne fatkeqësisht kemi vajtur pas berihait. Ju kemi besuar personazheve që na kanë sjellë zërin e brendshëm që i thotë njeriut, “u lodhe, pusho, ulu. Nuk ke pse mundohesh, çfarë do që të bësh kjo punë nuk bëhet”. E këto personazhe janë futur mes nesh dhe historisë sonë, gjithmonë kur është dashur që ne të kalojmë një provë karakteri të fortë dhe të dielën është përsëri një nga ato momente ku njeriu provon përmasat e tij. Përmasat e njeriut nuk provohen kur gjërat shkojnë më së miri dhe kur koha është e bukur.

Përmasat e njeriut provohen kur gjërat nuk shkojnë mirë dhe kur koha nuk është dhe aq e mirë. Përmasat tona në 25 prill duhet të shfaqen njësoj siç u shfaqën qysh nga dita e parë kur ne u përballëm me tërmetin dhe deri sot kur vazhdojmë përballemi me pasojat e tërmetit dhe me një pandemi e cila gjunjëzoi botën. Dy goditje, që për një vend si Shqipëria që nuk është as i fuqishëm, as i pasur, mund të kishin qenë fatale, por ja që ne qëndruam, ja që ato dhjetëra mijëra familje që u gjendën pa shtëpi në pak sekonda, sot po kthehen në shtëpi ditë pas dite. Ja që ne sot, Shqipëria, një vend i vogël, një vend këtu në mes të Europës, bashkë me disa vende të tjera që mbeti jashtë skemës së vaksinimit, sot është atje lartë bashkë me vende shumë më të mëdha, shumë më të forta  në kategorinë e parë të vendeve Europiane për ritmin e vaksinimit e për shpejtësinë e daljes nga tuneli i pandemisë.

Atëherë kur ne bëkemi të tilla  sfida e kur ne ia dilkemi sfidave të tilla, si nuk e ngjiskemi dot ne, Shqipërinë në majën që Zoti i ka caktuar shqiptarëve kur ua ka dhënë këtë vend të bekuar!

E dimë, na ka ndodhur shpesh, na ka ndodhur ne në jetën tonë, në jetën e shumëkujt këtu. Mbase vajza që doli dhe foli e para nuk e di fare, nuk e mban mend se nuk ka qenë ende mes familjes, por prindërit e saj e mbajnë mend shumë mirë, kohën kur doli një Rrapush Xhaferri dhe mori Shqipërinë mbarë me një autokolonë makinash. E ndalonte qytet më qytet me taborin e tij dhe dilnin e prisnin me këngë dhe valle, i shtronin dhe rrugën me sheqer për mirësinë dhe mbarësinë që sillte me fjalët e tij. U tha shqiptarëve shiteni bagëtinë, shiteni shtëpinë, më jepni mua lekët, unë ju jap dyfish. Dhe Saliu thoshte çojini paratë tek Rrapushi, Sudja, Vehbiu se këto janë bankat që solli demokracia. 

E një ditë të bukur, kur erdhi radha për të marrë atë dyfishin, i morën të tërë të dy gishtat syve dhe u qëruan të gjithë e filluan të hidheshin përpjetë si pula qorre, rrethuar nga zjarri që kishin ndezur vetë dhe sot është e njëjta gjë. Nuk e ka emrin Rrapush, quhet Lulzim, nuk është gjeneral, është kukull. Ndryshimi është që autokolonat e tij janë shumë më të shtrenjta se ato të Rrapushit. I keni parë makinat që xhirojnë gomat dhe shkojnë qytet më qytet për të sjellë ndryshimin.

Brenda atyre makinave janë ata që mezi presin 25 prillin që të dalin nga makinat dhe të hapin bingot në të gjithë Shqipërinë. Brenda atyre makinave janë ata që mezi presin 25 prillin e t’u turren gjithë dyqaneve e bizneseve e t’u thotë kemi 8 vite në opozitë, ç’ka ndonjë gjë për ne.

Brenda atyre makinave janë të gjithë ata ish drejtues të policisë që i nxirrnin oficerët e policisë nëpër prita duke lajmëruar kriminelët në kërkim se po vijnë forcat speciale. I linin në duart e kriminelëve, duke bërë që të shikonim hera-herës funerale të oficerëve të Policisë së Shtetit.

Brenda atyre makinave janë ata që mezi po presin të rikthehen për të rihapur universitetet nga të katërta anët edhe për të filluar t’i rrjepin prapë prindërit duke u shitur iluzionin se këtu të gjithë do bëhen juristë.

Nuk ka asgjë të re, asgjë nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm personazhi, zëri, figura, emri, por janë po ata që e kanë marrë në qafë në të gjithë historinë e vet Shqipërinë dhe shqiptarët, duke u thënë “t’i biem shkurt”. Nuk ka popull tjetër, të paktën unë nuk di në asnjë gjuhë nga ato që njoh, që të ketë qenë i detyruar të nxjerrë shprehjen që ka nxjerrë populli shqiptar, “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”.

E rruga e shkurtër, Shqipërinë gjithmonë e ka nxjerrë gjatë dhe prandaj Shqipëria nuk është ngjitur ende në majën që  e kemi mision ta ngjisim me se s’bën.

Sot duhet ta keni shumë të qartë, është orvatja e tyre e fundit, për t’u bërë përsëri gjarpër në këmbët e shqiptarëve dhe përsëri për t’i tërhequr këmbët poshtë, ndërkohë që ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi me çdo kusht. Unë nuk e di të ketë prindër që janë të kënaqur me çfarë mund t’iu japin fëmijëve. Çdo prind është i pakënaqur, sepse për këtë arsye është prind, përndryshe nuk do ishte prind ose do ishte prind i keq. Unë nuk di që të ketë njeri që zgjohet në mëngjes herët e shkon në punë e të jetë i kënaqur. Po të ishte i kënaqur, nuk do çohej herët në mëngjes e kthehej vonë në shtëpi. Pakënaqësia është krejt normale për këdo që nuk kënaqet me aty ku është dhe do të ngjitet më lart, për këdo që nuk kënaqet me aq sa ka mundësi t’i japë fëmijëve dhe do t’i japë më shumë, për këdo vajzë apo djalë dhe nuk kënaqet me atë që ka, por do  të ketë dhe të arrijë më shumë.

Por njerëzit ndahen pikërisht këtu, ata që janë karaktere të forta dhe që pakënaqësinë e kanë motiv për të luftuar më shumë, për të vrapuar më shpejt, për t’u ngjitur më lart, që pakënaqësia nuk ua kap këmbët nga poshtë, nuk ua dobëson zemrën dhe kënaqësia nuk ua mpin mendjen dhe ata të tjerët që nga pakënaqësia thonë “nuk bëhet ky vend”. E vazhdojnë lëngojnë në batakun e pakënaqësisë.

Unë jam i pakënaqur. Po të mos isha i pakënaqur nuk do isha më këtu e t’ju thoja vazhdojmë ngjitjen. Pikërisht se jam i pakënaqur, unë nuk dua t’ju them sa shumë gjëra kemi bërë, por t’ju them se kemi shumë gjëra akoma për të bërë. Ne mund t’i bëjmë të gjitha ato që kemi për të bërë sepse ne kemi forcën e karakterit. Është forca e karakterit tonë që ishte garancia përballë tërmetit, përballë pandemisë dhe që patjetër është garancia ndërkohë që dielli po lind përsëri për shqiptarët.

Ne kemi forcën dhe karakterin tonë për t’i thënë vetes përse ky dielli ynë duhet të jetë i mrekullueshëm vetëm për turistët apo vetëm për ata që kanë mundësi. Ky dielli ynë duhet të ngrohë çdo familje shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarët që duan punën dhe që përmes punës besojnë se mund ta ngrohin shtëpinë e tyre, shpirtin e zemrat e fëmijëve të tyre.

Unë e di veten për të gjatë por duhet të ngrihem në majë të gishtave për të parë ku mbarojnë këta lumenj njerëzish dhe jam shumë mirënjohës të gjithëve dhe ju siguroj që ju bëni 11 mandate, unë do të bëj 110 herë më shumë për ju. Sëbashku, ne do bëjmë 1100 herë më shumë seç bënë të tërë përpara nesh. Kjo është koha jonë, ky është misioni ynë. Karakteri ynë është garancia e vetme që ka projekti i të madhit Zot që Shqipëria dhe shqiptarët të ngjiten në majën ku e kanë ëndërruar Shqipërinë, ata që kanë dhënë jetën, ata që kanë lënë amanetet në poezitë, në historitë dhe ku e ëndërrojnë Shqipërinë të gjithë prindërit e këtij vendi që e shohin tek fëmijët, dritën e syve dhe që e duan atë dritë të jetë, pjesë e shkëlqimit të diellit mbi kokat e tyre dhe jo të largohen matanë.

Besim për 12-ën e pavarësisë, për 12-të yjet e flamurit të Bashkimit Europian, për 12-ën e lindjes së Partisë Socialiste dhe ju e dini, ne e dimë që 7x7 nuk bëjnë 42, por 4x3 sa bëjnë? 12.

Rroftë Fieri! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm