Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Synojmë deri në fund që të gjejmë konsensus mbi baza parimore dhe mbi të gjitha mbi ekspertizën e ODIHR

Të reja

Synojmë deri në fund që të gjejmë konsensus mbi baza parimore dhe mbi të gjitha mbi ekspertizën e ODIHR

31 May 2020    

Deklarata e bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore Z.Damian Gjiknuri pas përfundimit të takimit të mbrëmshëm:

Gjiknuri: Së pari, sot trajtuam dhe disa çështje të tjera siç ishte prezantimi i aplikimit të sistemit të mundshëm elektoral, inspiruar nga sistemi danez, nga znj.Hajdari. Nga diskutimet që u bënë atje, u ra dakord që çështja e sistemit të trajtohet (dhe ky ishte dhe qëndrimi jonë që mori dhe mbështetjen e të tjerëve ) në fazën e dytë të Reformës Zgjedhore. Sepse ky Këshill Politik pas mbarimit shpresoj me konsensus, kur them faza e dytë mendoj se faza e parë do të jetë miratimi i të gjithë paketës ligjore që i përket legjislacionit zgjedhor, dhe do të fillojë pika e parë e fazës së dytë. Kemi rënë dakord me shkrim të gjithë bashkë në metodologjinë e punës së këtij këshilli, pika e parë e fazës së dytë do të jetë trajtimi i çështjes së sistemit ku të gjitha palët do të shprehen, sepse ende akoma një pjesë e mrë e politikës nuk ka shprehur dëshirën për ndryshimin e sistemit.

Faza e dytë do të ketë edhe reformimin e ligjit për financimin e partive politike dhe ligjin për referendumin. Pra kjo do të jetë pjesa e dytë e Reformës, megjithatë të kalojmë tek faza e pare. Akoma PD po tregohet obstruksioniste për të trajtuar edhe çështje të tjera që janë në tavolinë dhe përgjithësit ekspertët kanë gjetur dakordësinë. Vërtetë pika më e madhe që na ndan janë dy propozimet kryesore që është përfshirja 100% e teknologjisë në zgjedhje, pra identifikimi elektronik dhe reformimi i administratës zgjedhore bazuar në kriteret apolitike dhe bazuar në rekomandimet e ODIHR.

Për sa i përket teknologjisë, vullneti ynë ka qenë shumë i qartë dhe ne morën përsipër dhe u angazhuam që të aplikojmë qoftë teknologjinë biometrike të identifikimit, pra identifikimin elektronik të zgjedhësve, ashtu edhe çështjen e votimit elektronik, por përtej dëshirës, sepse dëshira është, por puna është a është e bëshme dhe çfarë risqesh merr këtu qeveria.

Ju drejtuam zyrtarisht ODIHR, ekspertëve që na thanë që sistemi elektronik në zgjedhje duhet të implementohet gradualisht me projekt pilot, jo më shumë se 10%. Ne po themi ta çojmë edhe më tepër se 10%, ta shtrijmë dhe madje zonat ti zgjedhë PD. Nga ana tjetër bëra dhe një sfidë tjetër sot, hajde po e marrim këtë risk, jemi të gatshëm ta marrim 100% ,hajde të biem dakord 100% dhe ti drejtohemi ODIHR. Po na ktheu përgjigje pozitive dhe heq dorë nga opinion i parë, hajde se e po e marrim atë risk, por jo të na vijë nesër ODIHR dhe të na monitorojë zgjedhjet dhe të thojë se qeveria shqiptare dështoi zgjedhjet sepse sistemi, pavarësisht rekomandimit tonë, doli ky problem. Pra mund të vihen në rrezik zgjedhjet, kështu që nga kjo pikëpamje kjo përbën një çështje ende të pazgjidhur. Dëshira është e madhe dhe ne do mundohemi të akomodojmë çdo interes të PD që është i ligjshëm dhe është i mundshëm, por nuk vihet me kushte dhe listë dëshirash që vetëm kjo zgjidh të ashtuquajturin problem të mbushjes së kutive, sepse unë nuk di ku janë mbushur këto kuti.

Së dyti, meqënëse flasim për çështjen e integritetit të votimeve dhe mbushjes së kutive, edhe administrata jopolitike do të ketë aty dhe sy politik, se dhe aty kemi ofruar kompromis politik, që ato garanci që ka nevojë ti kenë aty, mund të jetë një zgjidhje e pranueshme. Nga ana tjetër çfarë kemi ofruar për garancinë e votës? Kemi ofruar hapjen e çdo kutie pas nxjerrjes së rezultatit zgjedhor. Këtë nuk e ka pasur asnjë opozitë. Ju e dini shumë mirë që PS ka bërë grevë urie, ka dal në demostrata, ka bërë gjithë atë lëvizje popullore dhe ne nuk na u dha mundësia që të hapeshin kutitë e një qarku, e kujtoni mirë vitin 2009-2010. Ne po i ofrojmë këtë mundësi në të gjithë Shqipërinë për çdo parti, kushdo që do të dojë të hapi një kuti zgjedhore pas çdo rezultati mund ta marrë atë dhe kjo do ta bëjë çdo numërues, meqë këta mendojnë se mbushen kutitë, do ta bëjë përgjegjës dhe kjo është një auditim i detyrueshëm që i bënë ata përgjegjës. Kush është ai i çmendur që do të mbushë kutitë kur e di që do të kontrollohet?! Sepse të gjithë kanë menduar, edhe ata që e kanë shkelur ligjin më parë, po u mbyll kutia është e mbyllur dhe nuk hapet më, tashmë është e kundërta. Merret materiali zgjedhor, fletët e votimit, dhe kjo është një transparencë që nuk e ka pasur asnjë opozitë më parë.

Së treti, pranuam përfshirjen e monitorimit të çdo qendre votime me kamera, pra në çdo qendër votimi do jetë i regjistruar çdo proces aty, nëse ka pretendime për shkelje të procedurave të votimit nga komisionerët gjatë ekzekutimit të procesit të votimit, merret kamera, provohet ajo, sepse ajo është veprim njerëzor, nuk vjen ndonjë fantomaz aty që mbush kutitë dhe se kap njeri, pra dhe kjo është një garanci ekstra, se thonë nuk është arritur asgjë.

Kemi dhënë shumë garanci të tjera. Psh kanë kërkuar të mos ketë prezencë rreth qendrave të votimit, jua kemi pranuar edhe këtë. Pra pranë qendrave të votimit të jenë vetëm personat e autorizuar, vëzhgues apo përfaqësues të medias. E kemi pranuar dhe këtë kërkesë të PD. Kemi pranuar kërkesat për financimin, reduktim të financimeve private, shtim të financimeve shtetërore, por edhe këto janë masa barazie. Kemi garantuar 4 muaj para zgjedhjeve, depolitizim të sjelles së qeverisë, çfarë do të thotë kjo? Kemi pranuar që 4 muaj para zgjedhjeve qeveria nuk mund të bëjë më propagandë politike për arritjet e saj, të gjitha aktivitetet qeveritare do kontrollohen dhe do të jenë transparente nga KQZ për të parë nëse kanë mesazhe që favorizojnë atë elektoralisht apo janë informacion për publikun për rezultatet që i interesojnë publikut. Madje PD ka sjellë kërkesë për ngushtimin e rolit të qeverisë në masat për rrogat pensionet dhe ne jemi për të gjitha këto jemi duke i shqyrtuar. Këto mund të jenë avantazhet klasike që mund të ketë një qeverie, që përpara një periudhe kohore qeveria të mund të mos marrë të tilla masa që mund të ndikojnë në elektorat, kjo është barazia e "armëve", barazia e palëve, pra janë pak a shumë gjëra që ne kemi pranuar. Tani mbetemi vetëm tek çështja e administratës zgjedhore, teknologjisë  dhe çështja e Kolegjit Zgjedhor.

 Pyetje: Z.Gjiknuri si ka mundësi që ka kohë të mjaftueshme, vullneti i duhur për të vendosur kamera në 5100 qendra votimi dhe nuk ka mundësi për të vendosur aparatura për identifikimin e votuesve?

 Gjiknuri: Këto nuk janë aparatura, që bleve një celular në dyqan dhe i përdor, ky është një sistem kompleks. Kamerat janë offline me usb, si kamera monitorimi të thjeshta, si shumë  ambiente publike në Shqipëri, e cila shkarkohet si imazhi në usb dhe ka një numër unik dhe merret e identifikohet nga palët sa herë që kërkohen. Është tjetër gjë. Kurse sistemi elektronik i identifikimit e para është shumë i komplikuar sepse lexon kartën ID, merr shenjën e gishtit dhe kërkon angazhim shumë më kompeks.

 Pyetje: Siç e bëri PS në zgjedhjet e saj?

 Gjiknuri: Ne çfarë kemi thënë? Menjëherë qeveria mbështet KQZ me çfarëdo buxheti që ky proces të fillojë. Çfarë do të thotë? Nëqoftë se plani i veprimit e mundëson shtrirjen sa më të madhe ne do ta mbështesim këtë, por kjo nuk është një dëshirë që vjen nga ca politikanë që vendosin një gjë që nuk e kanë në dorë. PS ka parë testime, siç ka parë dhe PD, siç vijnë shumë se ju e dini dhe në jetën e  përditshme të vijnë shumë njerëz që të shesin produkte, por ti merr një vendim, ti i beson një tregtari që thotë që blije, se kështu do funksionojë? Ti blen pajisje dhe nuk të funksionon ashtu siç i pret, imagjino ngjarjet zgjedhore që janë një ditë dhe çdo dështim teknologjik mund të sjellë probleme të tjera dhe duhet të bëhet e qartë që përfshirja e teknologjisë gjithmonë, do të kondicionohet që nëse nuk funksionon, të ketë alternativën e procesit klasik tradicional të votimit.

 Pyetje: Nëse nuk ka konsensues deri nesër, a do e votojë e vetme PS-ja në Parlament pa PD-në dhe LSI-në?

Përgjigje: Nuk dua të flas para kohe, unë shpresoj që këto të mos jenë sebepe për ta hedhur në erë këtë Reformë. PS i ka pasur votat sëbashku nëse do të ishte e mundur me partitë e tjera paralmentare në Kuvend. Nëse nuk i kemi, ne mendojmë se duhet të punojmë dhe me ta për ti bërë ato vota, por ne këtë garanci që kishim nuk e lamë thjesht se donim të merrnim një mendim paraprak PD dhe pastaj të shkonim të votonim. Jo, ne duam të gjejmë rregulla zgjedhore të përbashkëta, por njëkohësisht nuk duhet të mbahemi peng, nuk ka kuptim. Duhet të na gjykojnë shqiptarët sepse sot ata erdhën me propozimin e parë për qeverinë teknike.

 Pyetje: Z.Gjiknuri, me eksperiencën që ju keni pas sa vitesh mendoni se Shqipëria  është gati të bëjë një identifikim elektronik të zgjedhësve të saj, meqënëse sot po punohet që shërbimet të merren online në Shqipëri?

Përgjigje: Duhet të kuptojmë që dhe sistemi dhe shërbimet që merren online në Shqipëri, të shtrirë në ditën e zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë mund të shfaqin probleme që sjellin pasoja. Sepse mund të marrësh shërbim online, dhe nëse nuk e merr atë ditë, e merr një ditë tjetër, pra mund të bjerë sistemi dhe pasoja është e riparueshme, po me zgjedhjet si do ja bësh? Megjithatë unë nuk jam as inxhinier elektronik, as përgjegjës për të dhënë përgjigje për sisteme komplekse, por një gjë dua të them: që ODIHR bazuar në eksperiencat ndërkombëtare, na e ka thënë tani, sistemet shtrihen me faza, provohen, psh në këto zgjedhje mund të shtrihesin në një pjesë të caktuar të vendit ku do PD, do të dilnin disa konkluzione aty, mund të shkojmë në fazën tjetër, ta shtrijmë më shumë. Pra jemi dakord dhe ndaj themi hap pas hapi. Në fund të fundit dhe PS në vitin 2012-2013 , të njëjtat gjëra kemi kërkuar nëse i mbani mend. Edhe ne kemi kërkuar që duhet të bëhen zgjedhjet biometrike. Sali Berisha doli atëherë dhe tha se duan ta kthejnë çdo qendër votimi në pikë kalimi kufitar, ishte nje shprehje emblematike  që unë nuk e harroj kurrë, dhe në fund ramë dakord që të bëjmë një projekt pilot, sepse ODIHR na tha të njëjtën gjë. Jo, projektet eletronike duhet të shtrihen në mënyrë graduale, jo më shumë se 10% dhe ne pranuam. Zgjodhëm Qarkun e Tiranës, për identifikim dhe Qarkun e Fierit për numërim. U bënë testimet, nuk funksionuan fare dhe hoqëm dorë dhe nga projekti pilot.

 Pyetje: Dmth 31 Maji nuk ekziston më?

Përgjigje: Nëse ti do të kondicionosh çdo gjë vetëm me një gjë, ose me dy, ndërkohë që ne kemi dhe një rekomandim për administratën zgjedhore, se po portretizohet sikur komisionet zgjedhore do i marrë PS, çfarë po themi ne? Ne po themi që të kesh dhe përfaqësuesin politik aty por jo të jetë vendimarrës, por njëkohësisht të kesh njerëz të përgjedhur jo vetëm nga administrata shtetërore, por nga çdo fushë e jetës qoftë dhe të PD nëse ka, i inkurajojë të trajtohen, por ama të trajnuar dhe përzgjedhur në mënyrë rastësore. Sepse dhe kur bëhen krimet zgjedhore, bëhen nga njerëzit në fshat që bëhen 2-3 njerëz, sepse janë po këta njerëz që i kishin komisionerët politikë dhe thonin na u vodhën kutitë po tani i duam prapë politikë, pra dhe sistemi nuk funksionon por njëkohësisht unë i dua përsëri ata. Rojet që kisha vënë për të më ruajtur mu shitën, por unë kësaj radhe u besoj atyre, pra ka një kontraditë logjike! Ne themi të vëmë njerëz që janë përgjegjës përpara ligjit. Çfarë do të thotë? Selektohen në mënyrë rastësore, kanë përgjegjësi për administrimin dhe nëse bëjnë shkelje përjashtohen përfundimisht nga punët në shtet, dhe së dyti kanë përgjegjësi penale dhe janë të evidentueshëm tani me të gjitha këto që thashë: kamera, hapja e kutive, aty ku përdoret teknologjia, pra të gjitha këto masa ekstra të çojnë në përfundimin që këta zyrtarë do të jenë shumë më të kujdesshëm. Që të bësh një krim zgjedhur duhet një marrëveshje, këta janë 3 njerëz të ndryshëm që mund të vijnë nga vende të ndryshme, mund të vijnë me bindje të ndryshme, me interesa të ndryshme në jetë dhe është shumë e vështirë të bësh tre njerëz bashkë, ndërkohë që janë të vëzhguar dhe nga njerëzit politikë aty , që këta të mbushkan kutitë dhe asnjë nuk e vë re, përfshi dhe kamerat që janë të monitoruar.

 Pyetje: Si sot një vit më pas jemi përpara zgjedhjeve parlamentare të ardhshme. Me çfarë Kodi Zgjedhor do të shkoni, me atë që keni aktualisht apo të bëni një Kod që do e votoni në Parlament vetëm ju me votat tuaja? Sepse mesa duket nuk jeni gati për konsensuesin e 31 Majit që u fol aq shumë mes jush dhe PD?

 Përgjigje: Nga ana teknike puna është e bërë, këtu bëhet fjalë vetëm për 2-3 formulime që reflektojnë interesin politik të palëve në këtë rast, ose pretendimet e PD se puna është e bërë, nuk është se nuk ka kohë. Nëse për 3-4 ditë palët vijnë me këmbë në tokë dhe kërkojnë atë që është e bëshme, legjislacioni zgjedhor është gati. Shqipëria e ka një Kod Zgjedhor që është demokratik, asnjë nuk e ka vënë në dyshim dhe raportet e ODIHR e thonë qartë që ligji zgjedhor mundëson zgjedhje të lira dhe demokratike, ka qenë vullneti politik i palëve, të cilat i kanë prishur zgjedhjet, përgjithësisht këtu e ka patur tek përfaqësuesit politik në administrimin zgjedhor. Megjithatë unë nuk dua të pronocohem se çfarë do të bëjmë, unë synoj deri në fund që të gjejë konsensus mbi baza parimore dhe mbi të gjitha mbi ekspertizën e ODIHR, se tani ne e hodhëm ODIHR “në kosh” , nuk po pyesim më për të, pavarësisht se e thotë ODIHR diçka, thonë jo nuk na intereson se e kemi kërkesë politike. Thotë ODIHR rekomandim për administratën zgjedhore, nuk na duhet se e kemi kërkesë politike, thotë për teknologjinë në mënyrë graduale sepse duhet të kemi kujdes, nuk na duhet as kjo, atëherë kë do dëgjojmë ne? Kush është orientimi, kush është busulla jonë për standardet, është thjesht konsiderata jonë e palëve që kur je në opozitë mendon ndryshe, kur je në pushtet mendon ndryshe, por nuk është normale kjo.

 Pyetje;Z.Gjiknuri a duhen zbardhur sa më shpejt dosjet   184 dhe 339 për të vërtetuar se kush prek zgjedhjet shkon në burg?

Përgjigje: Pyesni drejtuesin e Prokurorisë e cila është duke i hetuar ato dosje. Detyra e organeve të drejtësisë është që të bëjnë punën e tyre, çdolloj dosje, aq më tepër që janë pranuar dhe kërkesat e opozitës së fundmi që krimet zgjedhore, sidomos korrupsioni zgjedhor të hetohet nga SPAK. Një kërkesë politike që e kishte PD dhe natyrshëm gjeti vendin e duhur, kështu që nuk dua të prononcohem për gjëra që janë duke u shqyrtuar nga organe të pavaruara.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm