Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Suksesi i Partisë Socialiste qëndron te puna në skuadër

Të reja

Suksesi i Partisë Socialiste qëndron te puna në skuadër

18 Jun 2022    

Peshkopi, fjala e Drejtueses Politike të Qarkut Dibër, Belinda Balluku në takimin për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit :

Të nderuar anëtarë të komisionit

Të nderuar kandidatë për kryetar të Partisë Socialiste

Sot është një kënaqësi e veçantë që të jem këtu me ju, pasi le të themi ky është prezantimi im zyrtar si drejtuese politike me të gjithë anëtarësinë e Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste Dibër.

Si mbesë dibre që jam sot ndihem dyfish e emocionuar. Edhe për këtë përvojë të re që unë kam nisur nga dimri i këtij viti në qarkun e Dibrës, një qark me njerëz të zgjuar, me njerëz punëtorë dhe njerëz që padyshim duan ta shikojnë këtë krahinë të veçantë të Shqipërisë, të lulëzojë.

Kemi nisur punë të mira këtu në qarkun e Dibrës, siç është Rruga e Arbrit apo shumë vepra të tjera, por padyshim ka akoma shumë punë për t'u bërë. Potenciali që ky vend ofron është i madh dhe ne duhet ta zgjojmë atë që ju shpesh e quani bukuroshen e fjetur.

Megjithatë arsyeja për të cilën jemi këtu sot është për të zgjuar Partinë Socialiste të Dibrës. Partinë Socialiste e cila duhet të reformohet përmes një procesi të rëndësishëm që ka nisur prej muajsh dhe që duke parë numrin e kandidatëve dhe duke parë cilësitë e tyre, padyshim në këtë qytet kemi alternativa për të zgjedhur mes burrave dhe grave, mes profesionistëve, mes të rinjve që kanë ardhur në parti apo atyre që kanë kohë që japin kontributin e tyre.


Nga kandidatët sigurisht njëri do të përzgjidhet për kryetar partie, por nuk do ketë as humbës, as fitues.

Një nga burrat e mençur të këtij qyteti, i cili ka arritur të jetë një nga biznesmenët më të suksesshëm në fushën e agri-kulturës, më ka thënë para disa javësh një thënie shumë të zgjuar: Ne në Dibër themi që vetëm Zotit i ka hije vetmia. Dhe kështu është e vërtetë. Njerëzit nuk mund të punojnë vetëm, nuk mund të kontribuojnë vetëm, nuk mund të bëjnë asgjë të saktë vetëm. Kështu që unë do t’ju thoja të gjithë kandidatëve sot, pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Komisionit të Pavarur, ju të gjithë së bashku duhet të krijoni një skuadër.

Partia Socialiste ka qenë e sukseshme gjithmonë pasi ne kemi punuar si skuadër. Ne kemi mbështetur njëri-tjetrin dhe ndasitë që kemi me njëri-tjetrin gjithmonë kthehen në nxitje për mendime të reja, për projekte të reja dhe për të përmirësuar veten. Partia Socialiste gjithmonë është ajo që hap dyert dhe thërret sa më shumë të tjerë brenda.

Kur kam ardhur fillimisht në Dibër, një nga problematikat që kam hasur ishte mbyllja e partisë, me mentalitetin që kjo parti është e jona, s’kanë pse futen të tjerët. Praktikisht ajo çka duhet të bëjë kryetari i ri i partisë është të hapë dyert për të gjithë. Jo vetëm për simpatizantët, por edhe për të gjithë ata të cilët mund të ndryshojnë mendim. Mund të kenë qenë dikur pjestarë të një force tjetër, mund të kenë kontribuar dikur për një forcë tjetër, por ama sot, me punën që ne kemi bërë, me kontributin që ne po japim për të gjitha qarqet, për të gjitha qytetet, për të gjitha fshatrat, për të gjitha projektet, mund të ketë ndryshuar mendim, kështu që i takon dhe atij që të vij dhe të bashkohet me ne.

Ky është një nga synimet kryesore që ne kemi këtu, në partinë e Dibrës, për të shtuar radhët, për të bërë më shumë punë dhe për të harruar ndasitë që kemi me njëri-tjetrin. Sa më të zgjuar, sa më të lexuar dhe sa më të meçur të jenë njerëzit, aq më të vështirë bëhen për t’i bindur, për të folur me ta pasi gjithmonë kanë argumentin, kanë arsyen shumë të fortë dhe ju në Dibër e keni këtë të fortë.

Megjithatë duke u bazuar mbi fakte, duke u bazuar mbi punën konkrete dhe mbi kontributin ne do të jemi të hapur për të gjithë.

Unë do të dëshiroja që mos ta zgjasja shumë fjalën sot pasi duhet të jetë fjala juaj ajo që do të vlerësohet, por do të dëshiroja që të thërrisja kryetarin e Patisë Socialiste për të na përshëndetur, zotin Edi Rama.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm