Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Stefa: Per nje shoqeri me barazi gjinore

Të reja

Stefa: Per nje shoqeri me barazi gjinore

17 Jul 2008    
Faleminderit, zonja Kryetare!

Para se të filloj diskutimin dua të sqaroj edhe opinionin, sepse ky projektligj ka hasur shumë diskutime, paragjykime, deri sa ka arritur sot pas 6 muajsh, në sallën e Parlamentit dhe mua më vjen keq edhe nga disa kolegë. Komision përgjegjës për projektligjin ka qenë Komisioni i Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, dhe Komisioni i Ligjeve për të dhënë mendim. Të dyja komisionet kanë punuar, edhe Komisioni i Ligjeve ka sjellë vërejtjet e veta, i ka riparë Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale, ka marrë parasysh pjesën dërrmuese të atyre vërejtjeve; dhe unë pajtohem që ligji nuk është më i përkryeri, por gjithsesi është një hap në drejtim të duhur.

Të nderuar kolegë,

Projektligji “Për barazinë gjinore në shoqëri, për ne gratë anëtare të këtij Parlamenti, sidomos për ato që ndodhen jashtë kësaj salle, mendoj se është një hap i rëndësishëm ligjor për t'i dhënë gruas pjesën e munguar të rolit të saj në zhvillimin demokratik të vendit. Është një hap i mirëpritur, gjithashtu, edhe nga donatorët ndërkombëtarë.

Në vitin 2004 Parlamenti me iniciativë të një grupi deputetësh miratoi një ligj, i cili nuk arriti të implementohej tërësisht dhe të jepte efektet e tij në jetën politike të vendit. Ligji që kemi përpara sot, është një përpjekje, e them përpjekje, sepse mund të ishte edhe më i arrirë, dhe më i mirë për t'u dhënë grave shpresën se ato të drejta, që ato i gëzojnë në vendet e tjera europiane edhe më gjerë, do t'i gëzonin edhe në Shqipëri, e cila aspiron që të bashkohet në Bashkësinë Europiane.

Ligji nuk është një kërkesë e ndonjë grupi të OJF-ve, por respektimi i konventave ndërkombëtare, kërkesë dhe kusht për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit. Në dokumentet kryesore unë do të përmendja konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 1981 dhe është ratifikuar edhe nga vendi ynë, deklaratën e Pekinit dhe planin e veprimit të miratuar në Konferencën e Kartës Botërore të Gruas në vitin 1995, dhe rishikimin e Platformës së Pekinit, Pekin plus pesë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2000.

Së fundi, kushti, i cili buron nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asoocimit, për të cilin të gjithë flasin në mënyrë deklarative, por kur vjen puna për ta shprehur, ne nxjerrin një mijë e një lloj pengesash. Ligji nuk është një shpikje shqiptare, por është një model i vendeve, të cilët e kanë aplikuar atë para nesh. Ai trajton fusha të tilla si: vendimmarrja, duke vendosur kuota të përkohshme, si masa pozitive për të arritur barazi gjinore, barazi në fushën e punësimit dhe të punës, në arsimim e kualifikim, në afirmimin e shërbimeve, barazi në institucione shëndetësore, barazi në fushën ekonomike, si dhe barazi gjinore në media.

Gjithashtu, ligji parashikon edhe rojtarin apo avokatin e barazisë gjinore si mekanizëm kontrolli, gjykatat si mekanizma për apelim, si dhe ministrin përgjegjës për barazinë gjinore në nivelin qendror, dhe prefektin në nivelin vendor.

Të nderuar kolegë,

Barazia gjinore dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat janë parime të patjetërsueshme, që përbëjnë bazat dhe vlerat e standardeve të njohura nga Bashkësia Ndërkombëtare. Këto parime nuk përbëjnë vetëm një kërkesë bazë të drejtësisë sociale dhe të demokracisë së vërtetë, por gjithashtu, përbëjnë edhe një kusht për realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, burra e gra së bashku. Edhe vendi ynë në parim të patjetërsueshëm e ka të sanksionuar në Kushtetutë, në kapitullin “Për të Drejtat e Njeriut, ku theksohet se askush nuk mund të diskriminohet për shkak të gjinisë. Ne kemi, gjithashtu, ligje mjaft të rëndësishme në këtë kontekst si, ligji për shëndetin riprodhues, të vitit 2002, ligjin apo kodin e familjes, ligji për parandalimin e dhunës në familje të vitit 2006, që së bashku me këtë ligj përbëjnë bazën e strategjisë kombëtare për një shoqëri me barazi gjinore dhe pa dhunë.

Të nderuar kolegë,

Ne jemi një shoqëri, që në krahasim me vendet e tjera mund të quhemi komb i ri, pasi kemi një moshë mesatare të popullsisë rreth 32 vjeç, me një përbërje mbi 51% të popullsisë gra dhe vajza, me një popullsi urbane 46% me gra dhe vajza të arsimuara dhe të kualifikuara në shkallën më të lartë, por që në anën tjetër të medaljes kemi një pasqyrë krejt trishtuese: kemi një përfaqësim të grave në Parlament 7%, kemi 11% të përfaqësimit të tyre në institucionet qendrore dhe 2% në qeverisjen vendore. Kjo është vërtet panoramë është e trishtueshme.

Pabarazia e pjesëmarrjes së gruas në veprimtaritë politike është komplekse, por gratë duhet të synojnë pjesëmarrje në politikë. Të merresh me politikë do të thotë të vendosësh sesi duhet të jenë gjërat dhe si të bëhen ato. Në këtë kuptim, fusha të vendimmarrjes janë si ato të lidhura me ushtrimin e pushtetit shtetëror edhe familja, edhe shoqëria civile ose biznesi. Gruaja nuk mund të përjashtohet nga asnjë prej këtyre, përderisa ajo ka të investuara aty interesat e saj. Shoqëria nuk mund të funksionojë nëse neglizhohet gjysma e kapacitetit të saj njerëzor, aftësitë dhe talentet e vajzave dhe grave që i shërbejnë zhvillimit të saj. Këto aftësi duhet të vihen në eficencë edhe në politikë.

Aktiviteti politik i grave nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por t'i shërbejë zgjidhjes së problematikave sociale, të cilat zgjidhen në pushtetin politik, aty ku është vendimmarrja. Prandaj edhe gratë duhet të synojnë pushtetin politik.

Ne po jetojmë një periudhë të gjatë tranzicioni, ku vazhdimisht është synuar reformimi i strukturave të shtetit dhe shoqërisë për të funksionuar sa më demokratikisht. Vetë gratë duhet të përpiqen e të luftojnë, që ato të mos ngrihen mbi ato mentalitete ose nivele pabarazie të trashëguara. Aftësia për të ndryshuar ligjet, që ato të reflektojnë barazi dhe drejtësi lidhur me raportet gjinore, është e lidhur edhe me prezencën e grave në organin ligjvënës, në nivelet e tjera të ekzekutivit, si dhe në pushtetin gjyqësor, që ka ndikim në sistemin tonë gjyqësor.

Me këtë rast, vlen të përgëzojmë synimin dhe kurajën e grave juriste, që guxuan për të kandiduar si kandidate për të anëtare të Gjykatës së Lartë. Doja të falënderoja në mënyrë të veçantë Presidentin e Republikës, i cili dha një shembull për të gjitha institucionet, duke dekretuar tri gra dhe tre burra për në Gjykatën e Lartë.

Sa kanë qenë realisht mundësitë që gratë të merren me politikë? Them kanë qenë se me ndryshimet e fundit në Kushtetutë këto mundësi realisht janë rritur. Politika ka qenë historikisht fusha ku diskriminimi i gruas është më i gjatë dhe ku ato janë diskriminuar më shumë. Ato, siç e thashë edhe më lart, zënë një pjesë fare të vogël në elitën politike, vetëm 7%. Por edhe vetë gratë nuk kanë dëshiruar të merren aktivisht me politikë, sepse përballë strukturave historikisht të krijuara nga burrat dhe për ata, atyre në përgjithësi ju ka munguar besimi në vetvete dhe te politika. Ato rrethohen nga një opinion, që megjithëse vjen duke u ndryshuar dhe mbështetja është në rritje, kjo është bërë publike dhe nga liderët e forcave politike e nga Kryeministri i Shqipërisë, përsëri ka shumë paragjykime.

Te ne mungon një traditë e spikatur e gruas me karrierë në politikë. Tranzicioni i këtyre viteve është karakterizuar nga një politikë e ashpër, verbale e praktike, dhe si e tillë nuk ofron mundësi për gruan. Shumë gra intelektuale kanë qëndruar indiferente në këtë terren politik, si reaksion ndaj shpërdorimit politik. Sot kemi një panoramë tjetër, e cila mundëson pjesëmarrjen e gruas në politikë. Kemi një sistem zgjedhor ndryshe nga ai i mëparshmi. Ju e dini se sistemi proporcional mundëson më shumë aktivizimin e grave në politikë. Kemi gra e vajza ne nivel të lartë arsimor. Mbi 53% e tyre janë me mastera dhe grada shkencore. Kemi profesione që janë në përputhje me karrierën politike. Sot kemi një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi, pavarësisht nga rezervat, edhe me burrat në këtë Parlament kemi një vullnet politik të shprehur publikisht të liderve politikë, të cilët dua t'i falënderoj për këtë kontribut, por që nuk mjafton vetëm me këtë ligj, pasi vullneti duhet reflektuar në Kodin Zgjedhor, në kuotat si dhe në mënyrën e rreshtimit të alternuar të grave dhe burrave.

Ne me këtë ligj do të krijojmë një terren të përshtatshëm për të prishur indiferencën e grave dhe të vajzave intelektuale ndaj politikës e të nxisim pjesëmarrjen e tyre në politikë, ndryshe nga ato të viteve të mëparshme.

Të nderuar kolegë,

Ju ftoj ta votojmë këtë ligj, me gjithë rezervat që kemi. Ndoshta nuk është më i miri i mundshëm, por gjithsesi është një hap në drejtimin e duhur.

Pra, sot janë krijuar mundësitë që gruaja realisht të marrë pjesë në politikë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm