Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Skuadra jonë do e bëjë Durrësin ashtu siç e meriton çdo familje e këtij qyteti

Të reja

Skuadra jonë do e bëjë Durrësin ashtu siç e meriton çdo familje e këtij qyteti

26 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në Durrës:

Mirëmbrëma të gjithëve dhe shumë faleminderti për këtë prani, edhe pse njësoj si mbrëmë, temperatura nuk është optimale për të qëndruar ulur. E vlerësoj shumë.

Sot, ne kemi qenë gjatë gjithë ditës në Durrës dhe kemi lëvizur në disa pika për të parë nga afër disa zhvillime të rëndësishme.  Sot dua t’iu flas juve dhe përmes jush të gjithë atyre që janë pjesë e kësaj bashkësie në këtë bashki kaq të rëndësishme të vendit, për çcfarë ne duhet, duam  dhe do të bëjmë për Durrësin në periudhën që kemi përpara. I bindur që Durrësi, sot ka mbërritur në një stad, ku edhe për shkak të stadit ku ka mbërritur vendi ynë, i ka të gjitha mundësitë që të ngjitet në një tjetër nivel nga pikëmpamja ekonomike, nga pikëpamja e zhvillimit social dhe e krijimit të kushteve që Durrësi të bëhet e ardhmja e çdo fëmije që lind këtu dhe Durrësi dhe Shqipëria bashkë të bëhen shtëpia ku çdonjëri prej fëmijëve tanë të ndjehet krenar, jo thjesht për historinë, jo thjesht për rrënjët, por për kushtet në të cilat jeton.

Kjo nuk është një fjalë e thënë nga dëshira, por një fjalë e thënë bindja, e bazuar në faktet e gjithë kësaj periudhe që ne kemi drejtuar vendin dhe njëkohësisht, edhe në klimën që ne kemi arritur të krijojmë, duke hapur dyer dhe duke mundësuar që sot të kemi shumë pranë investime që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin se mund të vinin në Shqipëri apo në Durrës. Natyrisht, investimi që ne presim të fillojmë së shpejti këtu në zemrën e Durrësit është një investim ndër ata që ndryshojnë faqen e një vendi dhe një investim që për shkak të volumit dhe emrit të kompanisë do të sjellë një zinxhirë interesimesh të atij niveli për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë. Nuk mjafton të kesh një vend të bukur, të pasur në burime natyrore, nuk mjafton të kesh një vend që ka një traditë mikëpritje siç e kemi ne, për të mundur të sjellësh ata që ndryshojnë historinë e vendeve për shkak të investimeve që bëjnë. Pavarësisht se mund t’i kesh të gjitha këto, mund të vuash, siç kemi vuajtur ne për një kohë shumë të gjatë nga paragjykimet apo nga gjykimet e krijuara si rezultat i lajmeve të këqija që janë përhapur për vite të tëra për vendin tonë, si rezultat i distancës e mosnjohjes dhe si rezultat edhe i atyre kontakteve që në të shkuarën kanë patur investitorët dhe prej të cilave kanë dalë të zhgënjyer.

Ky investim që do të nisë së shpejti, me fazën e parë në zonën ndarëse midis portit dhe pjesës ku fillon plazhi, është fillimi i një epoke të re për Durrësin dhe për Shqipërinë, në tërësi. Është një gur themeli i një tjetër stadi të zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Porti i Durrësit është një problem për qytetin, një problem mjedisor, një problem zhvillimor, është si të thuash një prani e së shkuarës që pengon rrugën drejt të ardhmes. Spostimi i tij dhe ndërtimi i një porti të ri tregtar në zonën e Porto Romanos nuk është sot një ide, por një plan konkret dhe një domosdoshmëri si rezultat i faktit që në shtratin e portit aktual do të zhvillohet një nga portet më të mëdhenj të Mesdheut. Investitorët që do ta bëjnë këtë zhvillim thonë se do të jetë porti më i madh i Mesdheut, sipas të gjitha matjeve të tyre, por unë po them një nga më të mëdhenjtë e Mesdheut. Nuk do të zhvillohet nga dokushdo, por nga një kompani, e cila zotëron disa prej zhvillimet më fantastike të botës ku ne jetojmë, duke filluar që nga porti turistik i Dubait. Është një oportunitet i jashtëzakonshëm që ne nuk mund ta humbim dhe nuk do ta humbim.

Po e filloj nga kjo sepse kjo është e ardhmja. Një investim, më i madhi i të gjitha kohëve për Shqipërinë, që sjell më vete një punësim të lartë dhe një zinxhir të tërë efektesh ekonomike, sjell me vete mundësinë e jetëzimit të gjithë kësaj zone, jo vetëm në periudhën e verës, por përgjatë 12 muajve. Do të jetë vendi ku do të qëndrojnë gjatë gjithë dimrit me qindra jahte, bashkë me ekuipazhet e tyre. Sikundër do të jetë vendi ku, për shkak të zinxhirit të hoteleve dhe shërbimeve të tjera që do krijohen, do të ketë shumë lëvizje. E gjithë kjo lëvizje do të thotë konsum, do të thotë ekonomi për qytetin.

Përtej kësaj, ndërtimi paralelisht i portit të ri tregtar, fillimi i punës së shpejti për parkun e ri të energjisë diellore nga kompania Voltalia në zonën e Spitallës, ndërtimi i lagjes së re në Spitallë për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i 15 muajve më pare,  së bashku me të gjithë infrastrukturën arsimore dhe sociale atje , EkoParku që do të jetë një destinacion për familjet durrsake, por dhe për familjet në Tiranë e rretherrotull Qarkut të Durrësit, sepse do të ofrojë mundësi për të kaluar bukur një fundjavë apo një ditë pushimi për të gjitha moshat, janë vetëm disa nga pikat e referimit.

Me ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Spitallës, poshtë në Porto Romano hapet menjëherë perspektiva e ndërtimit të zonës ekonomike me sjelljen aty të shumë fabrikave, të shumë industrive të lehta, që do të krijojnë shumë mundësi punësimi dhe një zinxhir vlerë të shtuar ekonomike.

Thënë të gjitha këto, midis këtyre dhe nesh sot qëndron nevoja për të konfirmuar vazhdimin e punës. Shpeshherë, njerëzit pyesin për mandatin e tretë dhe iu duket sikur mandati i tretë është një mandat për mua, apo është një mandat si vazhdim i një inercie të pushtetit të PS-së, apo sikur mandati i tretë lidhet me politikën thjesht dhe vetëm.

Shpeshherë, njerëzit pyesin për mandatin e tretë dhe iu duket sikur mandati i tretë është një mandat për mua, apo është një mandat si vazhdim i një inercie të pushtetit të PS-së, apo sikur mandati i tretë lidhet me politikën thjesht dhe vetëm, që “mirë është të ketë rotacion” apo “si mund të rrijë një forcë politike tre mandate”, “po sikur të kishim ndryshim”.

Në fakt, asgjë nga këto nuk është thelbi i mandatit të tretë.

Thelbi i mandatit të tretë është të kryejmë punët e nisura, të mos lëmë në mes kaq shumë punë që aktualisht po bëjmë dhe të mos mbyllim përsëri derën që mezi kemi hapur për këtë investim apo për të tjera investime që janë në rrugën e çeljes së tyre si embrione, që do të bëjnë të mundur që Shqipëria e kësaj dekade, Shqipëria e vitit 2030 të jetë një Shqipëri tjetër.

Të jetë përfundimisht një Shqipëri që e ka rifituar kohën e humbur për kaq e kaq shumë vite, përpara sesa ne të merrnim detyrën.

E ndër të tjera, mandati ynë i tretë vjen pas këtij mandati që ka qenë një mandat i thyer në mes. Një mandat më i jashtëzakonshmi, besoj, në historinë e re të Shqipërisë, qyshse shqiptarët kanë filluar të votojnë e që do të mbetet më i jashtëzakonshmi për shumë vite të tjera, sepse uroj dhe besoj që nuk do të ketë më mandate të tjera të goditura dy herë në mes, nga një tërmet si ai që kaluam dhe pastaj nga tërmeti botëror i pandemisë.

Këtu në Durrës ne kemi një punë për të mbaruar me rindërtimin. Ndërkohë që flasim, ka familje që janë kthyer në shtëpi. Janë 400 pallate në Durrës që janë riparuar përfundimisht e në këto 400 pallate, familjet jetojnë normalisht sot e duke qenë se kanë përfituar nga grantet e riparimeve e duke qenë se në ndërkohë kemi ndërhyrë edhe për mjediset e brendshme, jetojnë në pallate më të mira sesa deri përpara tërmetit. Ashtu sikundër ka të tjera familje që kanë filluar të hyjnë në banesat individuale. Por ka plot akoma që presin qoftë për rindërtimin e plotë të pallateve me dëme të rënda, që janë një pjesë shumë e vështirë se është njësoj sikur të bësh një pallat nga e para, nga pikëpamja e projektit dhe e kohës, qoftë ata që janë në shtëpitë me qera e presin të hyjnë në apartamente. Pa llogaritur përfundimin e gjithë projekteve të shkollave, kopshteve, çerdheve, që vazhdojnë.

Si mundet politika apo arsyet politike, të cilado qofshin, ta ndërpresin këtë punë në mes!

Unë besoj që nuk mundet.

Jam i bindur që nuk do ta ndërpresin.

Përtej kësaj, ne kemi domosdoshmërinë që të mbarojmë punë me armikun e padukshëm e nuk mund ta ndërpresim këtë punë në mes. Nuk mundet dot që qoftë rindërtimi e qoftë lufta për të dalë përfundimisht nga tuneli i pandemisë, të mbeten në duart më të paafta që mund të imagjinohen dhe jo se e them unë, por çfarë mund të presin shqiptarët e këtu kam parasysh edhe të gjithë ata që kanë të gjithë arsyet e tyre dhe i mirëkuptoj që të jenë skeptikë apo refuzues ndaj nesh, nga dikush që lë një orë, në mes të të ftohtit, njerëzit që fton vetë për të bërë takimin hapës të fushatës së vet elektorale. Vonohet një orë në takimin më të rëndësishëm të një fushate elektorale ku ka hyrë me pretendimin që të bëhet kryeministri i Shqipërisë. Pa vazhduar më pas me atë që pa gjithë Shqipëria, dje. Një çelje fushate që ishte pasqyra më kuptimplotë e raportit me shtetin, me idenë e shtetit, me ligjin, me frymën e ligjit dhe me ndjenjën e rregullit.

Përtej të gjitha këtyre, me respektin për njerëzit dhe me vlerën e shëndetit të tyre, me vlerën e shëndetit të njerëzve më të afërt, të njerëzve më besnikë që janë të gatshëm të marrin makinën, të nisen nga të katërt anët e Shqipërisë që të vijën në një shesh për hapjen e një ndeshjeje elektorale dhe të cilët vihen në atë shesh në rrezikun e jetës. Larg qoftë, kurrë mos ndodhtë për askënd prej tyre, por vihen në rrezikun e jetës së tyre ose të familjarëve të tyre.

Ky është një shembull tipik dhe i freskët, pasi mund të marr shembuj që të rrimë deri nesër këtu, pa llogaritur faktin që përtej këtij kandidati është një errësirë e plotë, që nga ata që e kontrollojnë tek ata që e ndjekin pas. Shikojeni këtu në Durrës, cilët janë ata që vijnë dhe thonë na jepni votën për Durrësin.

Ne nuk jemi absolutisht më të mirët e mundshëm. Patjetër që kemi të metat tona, patjetër kemi bërë gabimet tona, patjetër që në pakënaqësitë dhe në mërzinë e njerëzve ka shumë bazë dhe pakënaqësia dhe mërzia e tyre patjetër lidhet dhe me ne, por besoj se nuk them ndonjë gjë që tingëllon si mungesë modestie, kur them që pa ne, as rindërtimi nuk do kishte ndodhur kështu siç po ndodh, as lufta me pandeminë nuk do ishte bërë kështu siç po bëhet dhe as vaksinimi masiv i shqiptarëve nuk do të ishte çështje orësh që të fillonte, siç është.

Faktikisht, Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në këtë pjesë të Europës që është jashtë BE-së, që ka sot të siguruar një sasi vaksinash, për të bërë vaksinim masiv dhe që sot mund të kemi ambicien që ta bëjnë sezonin turistik më të lehtë, sesa ishte sezoni i vjetshëm për të gjithë.

Mund të shkohet me sy mbyllur e të votohet për t’i vënë të gjitha këto në pikëpyetje, në rastin më të mirë po e marr?

Përsa më takon, këto nuk vihen në pikëpyetje.

Këto të gjitha shkatërrohen dhe kthimi mbrapa nuk është një mënyrë për të trembur njerëzit apo një mënyrë për të thënë sa e madhe është diferenca mes nesh dhe atyre. Kthimi mbrapa nuk është një nga opsionet, është opsioni i vetëm, sepse, sa herë ata kanë marrë gjithçka në dorë, gjithmonë në fund e kanë lënë më keq sesa e kanë gjetur. Niveli i progresit, aty ku ka pasur progres, ka qenë shumë më i ulët sesa duhet të ishte, ndërkohë që niveli i dëmeve të shkaktuara ka qenë shumë herë më i madh sesa progresi i bërë.

Ky është fakt, nuk është opinion!

Është fakt që provohet nga eksperienca e shqiptarëve, është fakt që provohet nga shifrat e të gjitha pasqyrave të sektorëve të ndryshëm.

E për të shkuar përtej kësaj, unë besoj që Durrësi është realisht në kushtet kur mund të bëjë një kapërcim të madh.

Unë i kuptoj shumë mirë durrësakët e shikojnë Vlorën me xhelozi për zhvillimin që i ka ndodhur, por përtej faktit që në Vlorë ka pasur një fokus të veçantë dhe jo kot e as thjeshtë see unë kam qenë deputet, gjë që sigurisht më ka bërë të jem më i vëmendshëm edhe për shkak të detyrës dhe detyrimit ndaj atyre njerëzve, por sepse ka qenë më e lehtë për të zhbllokuar energjinë e bllokuar në atë pikë të vijës sonë bregdetare sesa në Durrës, ku kjo është më e vështirë, sepse kompleksiteti është më i madh. Por Durrësi, ndryshe nga Vlora e ndryshe nga çdo pikë tjetër - ku zhvillimi i turizmit tonë ka një potencial të veçantë, - ka një potencial shumë kompleks. Durrësi nuk është vetëm deti, nuk është vetëm trashëgimia kulturore, por ka edhe gjithë atë pjesë tjetër që ka të bëjë me tregtinë, që ka qenë pjesë e historisë së tij, por edhe e lidhur edhe me potencialin e tij. E për shkak të këtij potenciali ka të bëjë edhe me të gjitha industritë e lehta që këtu janë zhvilluar në kohë, por që mund të zhvillohen ehde më tutje, duke përfshirë edhe teknologjinë e re dhe startup-et.

Unë jam këtu për t’ju thënë juve dhe të gjithë durrësakëve se është momenti për mua që të jem këtu. Jo thjeshtë si kryeministër, por edhe si një nga anëtarët e skuadrës së Durrësit, për t’i vënë më shumë vëmendje si detyrim për shkak të të qenurit deputet. Jo për të privilegjuar, sepse s’ka qenë kështu as për Vlorën në dë të të tjerëve, por për t’i dhënë një vëmëndje të veçantë, për t’i hyrë në detaje, jo nga larg, jo rrallë, por përditë, të gjitha bashkive të këtij Qarku dhe në radhë të pare, Bashkisë së Durrësit, që është një pikë e dytë kyçe mbas Tiranës. Natyrisht, kjo do varet nga ju, kjo do varet nga durrësakët.

Po flisnim më parë me Milvën dhe disa të tjerë, që do rri aty ku duhem më shumë. Kjo është një garë mes njerëzve të babës dhe njerëzve të nënës. Ata të nënës janë shumë të fortë, e kanë inatin të madh. Këta të babës e kan inatin içik më të mëdhenj, megjithëse durrsakët e kanë atë inatin e fshehur dhe e mbajnë më gjatë se nuk e nxjerrin me passion. Po këtu, në këtë moment nuk ka kohë për ta mbajtur gjatë, por duhet nxjerrë me pasion, në sensin e inatit të garës, në mënyrë që ne këtu të marrim një rezultat kuptimplotë, për të afirmuar pikërisht domosdoshmëtinë për të vazhduar e kryer punët që kemi nisur dhe për të mos lejuar në asnjë mënyrë që të kthehet mbrapsh përsëri, edhe një here nga e para, rrota e historisë, e cila mund të kthehet mbrapsh e drejtpërdrejtë tek çdo kategori. Këto që fola janë në tërësi, por çdo kategori është e kërcënuar nga kthimi i rrotës mbrapsh. Prandaj edhe atyre që janë me të tjera mendje, me të tjera ngjyra e me të tjera llogore, ju them që kini parasysh një gjë, që asnjëherë tjetër në të ardhmen, vota do të jetë për të marrë realisht në punë njeriu e duhur e njerëzit e duhur dhe gjithmonë e më pak për të lënë mënjanë aspektin se kush e bën punën më mirë apo për të bërë tifozllik. Se kur merr në punë hidraulikun për të rregulluar lavamanin, nuk e pyet me kë parti je dhe as nuk do t’ia dish fare çfarë partie ka hidrauliku. Ti e merr hidraulikun, mundësisht më të mirin, sipas asaj që ke dëgjuar, që të të rregullojë lavamanin. Po ashtu elektriçistin, e merr që të të rregullojë dritat.

E njëjta gjë duhet të ndodhi edhe kur merr në punë një kryeminstër apo dikë në qeveri, për të bërë punën. Mund të mos ta duash fare, por, nëse të bën punën, të bën punën. Mund ta duash shumë atë tjetrin, por, nëse rri e fle gjumë, për çfarë të duhet? Si mund ta marrësh?

Ne nuk kemi një program elektoral për t’i bërë qefin të gjithëve. Ne jemi qeveria dhe ne nuk mund të flasim, siç mund të flisnim në vitin 2013, kur shumë gjëra na dukeshin më të lehta sepse nuk e dinim gjendjen e shtetit nga brenda dhe nuk e kishim në zotërim mekanizmin sesi funksionojnë gjërat, kur duhet realisht ti bësh, jo thjesht t’i parashikosh e t’i thuash. Për më tepër, nëse flasim për programin e tyre elektoral, është një menu që secilit i thotë ke pjatën që do, thjesht jep votën. Por është e sigurt që, pasi jep votën, ajo pjatë nuk të vjen, e kundërta është e vërtetë, që mund të të vijnë shumë gjëra që nuk do t’i dëshiroje të të vinin, sepse, nëse ka një arsye sot, të padiskutueshme, që çdo biznes i vogël të mos e ndryshojë qeverinë, të mos e ndryshoj kryeministrin është taksa zero. Në fund të ditës, dyqanin në mëngjes një biznesi të vogël të një familje demokratësh nuk ia hap Luli. Luli është duke fjetur gjumë. Nuk ia hapin as këta që kanë ardhur t’ju kërkojnë votat, por shkojnë e hapin vetë dyqanin në mëngjes. Mallin që ke në dyqan nuk ta gjen Luli, e gjen vetë. Edhe shitjet i bën vetë, nuk t’i bën partia. Në fund të ditës, kur shkon në shtëpi, çka ke fituar vetë, nuk ta ka fituar Luli me partine dhe nëse do të humbësh, për shkak të Lulit dhe partisë, sepse taksën e ke zero dhe shkon mbas Lulit dhe partisë, taksa të bëhet pastaj pluz zero, plus kaq e plus aq, sa nuk merret vesh. Në fund fare të del që të doli siç të del përherë me ta, tjetër për tjetër.

Atëherë, për çfarë duhet t’ia japësh votën, për tifozllik?!

Ky nuk është futboll.

Nëse sot je në një punë dhe ke një të ardhur që është minimale apo mesatare, ti nuk ke asnjë arsye që të ndryshosh qeverinë dhe të ndryshosh kryeministrin, për shkak se të ardhurat e tua janë mesatare, për shkak se ti je mësuese, je infermiere, je punonjës i shtetit, apo kamarjer, kuzhinjer, shofer, paguan më pak taksë, sesa taksa që do të hash nëse do të vijë në qeveri Luli me ata, me atë taksën e sheshtë.

Taksa e sheshtë është e krijuar për ata që fitojnë më shumë. Nuk është krijuar për ata që fitojnë më pak. Është krijuar që ata që fitojnë më shumë, të paguajnë më pak, me idenë që tregu e zgjidh çdo gjë dhe jo shteti, me idenë që kapitalizmi është për më të fortët, nuk është për më të dobëtit etj., për të mos hyrë në këto filozofi.

Si mundet të shkojë një mësues, një mjek, një infermiere, një kuzhinier, kamerier, shofer, recepsioniste, një kushdoqoftë që ka një rrogë nga 400 deri në 800 mijë lekë, edhe deri në 1 milionë lekë, të votojë për taksën e sheshtë?!

Domethënë, të votojë për të hequr lekë nga xhepi që të bëjnë Lulin kryeministër, pavarësisht se mund të jetë me PD-në dhe pavarësisht se mund të mos dojë fare të shohë televizor kur dal unë.

Apo për të shkuar tek cilado kategori tjetër.

Ndërkohë që ne i themi atyre që e kanë pagën deri në 400 mijë lekë që në 1 janar të 2022-it - ky është plan financiar i qeverisë, nuk është një premtim elektoral të dali ku të dali, - do të heqim taksën mbi pagën, pra, do kenë 0 taksë. Janë 63% e shqiptarëve sot që kanë paga deri në 400 mijë lekë.

Për çfarë do shkojë të votojë që të marrë taksën e sheshtë?

Ndërkohë që taksa e sheshtë është më keq se taksa që ka sot, minimale, mbi pagën. Çfarë logjike ka kjo! Çfarë prakticiteti është ky!

Nuk e do Edi Ramën?

Po punë e madhe fort.

Në fund të fundit, pagën tënde e do?

Do që në shtëpi të çosh më shumë apo më pak?

Nëse do që në shtëpi të çosh më shumë, këtë e ke të sigurt me Edi Ramën që nuk e do.

Me Edi Ramën që nuk do e ke kollaj fare. Kaloje televizorin tek sporti kur del Edi Rama, ose tek telenovelat turke, ose shko tek Përputhemi. Por mos rreziku pagën tënde, meqë nuk do Edi Ramën.

Besoj është shumë e thjeshtë. Ashtu sikundër është shumë e thjeshtë edhe e gjithë pjesa tjetër që ka të bëjë me atë çka është fituar sot dhe shumëkujt mund t’i duket që kështu ka qenë gjithmonë, se e keqja harrohet dhe e mira nuk ka fund. Por kanë më llogari, mësuesit, infermierët e të gjithë punonjësit e këtij shteti që të futen prapë në atë turjelën e tmerrshme të “me kë je; i kujt je; paguaj këtu e aty”, ndërkohë që kjo punë ka marrë fund me kohë.

Po prindërit kanë më llogari që fëmijët e tyre që janë nxënës, t’i çojnë në universitet me ankth se ku do gjejnë mikun, që të mos u hahet haku fëmijës, apo kë do paguajnë që fëmija të marrë degën që i takon, ndërkohë që këto janë të zgjidhura.

Sigurisht ka plot të tjera për t’u zgjidhur, por po flas për ato që janë gjërat më praktike.

Për çfarë do i japin votën Lulit, të gjithë ata që kanë hotele në bregdet?  E nuk janë pak. Për atë që thotë do t’ua bëj TVSH-në 6%, ndërkohë që TVSH-ja është 6% prej kohësh dhe ai nuk e di akoma se ka qenë duke fjetur kur është bërë 6%.

Apo se kanë treguar se dinë të bëjnë ndonjë punë të bukur, apo se kanë treguar se dinë të vënë drita, dinë të bëjnë shëtitore, dinë të mbjellin pemë, dinë të zbukurojnë e jo të shëmtojnë kudo ku vënë dorë. Ndërkohë që për të gjithë hotelet, ajo që është e rëndësishme është sa më shumë të zbukurohet mjedisi përreth, se ai mjedis sjell më shumë turistë dhe më shumë të ardhura.

Ku është ana praktike e votës?

Në fund të fundit, vota është për kë ma bë punën, të tjerat janë politikë dhe politika rendom të çon në tifozllëk dhe tifozllëku rëndom të çon në verbëri dhe verbëria rëndom të çon në hendek.

Të gjitha zgjedhjet në të gjitha qarqet kanë shumë rëndësi, por zgjedhjet në këtë Qark janë veçanërisht të rëndësishme, pikërisht për të mos humbur trenin e ri të kohës me të gjitha këto projekte që janë në zhvillim, apo të gjitha ato projekte që janë drejt realizimit, drejt fillimit të realizimit.

Unë di t’ju them të gjithë durrsakëve që, nëse do të bëjnë atë që mendoj se duhet të bëjnë për PS-në në 25 prill, do të jetë një detyrim edhe personal i imi për të bërë shumë më tepër për Durrësin, edhe si deputet i Durrësit. Dhe ma ha mendja se kur marr përsipër diçka, asnjëherë nuk e lë ne mes të rrugës, pavarësisht se mund të marrë më shumë kohë gjëja sesa unë dua apo se sa çfarë tjetri pret, por jo për shkak se unë fle gjumë, por për shkak se shpeshherë punët nuk janë aq të lehta saç mendon kur e nis, ose gjatë rrugës ndodhin gjëra që janë të paparashikueshme.

Kush mund ta parashikonte se ndërsa je duke punuar me një program të caktuar, me disa prioritete të caktuara, bie një termet dhe nxjerr për 5 sekonda jashtë mijëra e mijëra familje.

Kjo do të thotë që do ndryshosh prioritetet menjëherë, do ndryshosh buxhetin menjëherë, do ndryshosh çfarë ke planifikuar menjëherë dhe do të fokusohesh tek kjo pjesë. Pasi je fokusuar tek kjo pjesë dhe do të gjesh edhe një mbështetje që nuk erdhi rastësisht, siç ishte ajo në Konferencën e Donatorëve, vjen pandemia. Kush e parashikon këtë?

Pra, janë ato që ndodhin rrugës, që i bëjnë projektet të vështira, i bëjnë projektet të zgjaten, i bëjnë projektet të anullohen dhe të fillojnë nga e para e bëjnë që në raste të caktuara, unë të mos arrij të mbaj fjalën në atë afat që kam thënë.

Por unë kurrë nuk tërhiqem nga fjala!

Unë kurrë nuk dorëzohem derisa ta realizoj objektivin!

Unë jam i bindur 100%, që me skuadrën që ne kemi, jemi në gjendje ta bëjmë Durrësin ashtu siç e meritojnë familjet, qofshin ato tradicionale, qofshin ato që kanë ardhur të reja në Durrës. Në radhë të parë, siç e meritojnë ata që janë fëmijë sot në Durrës.

Ama nuk e bën dot askush tjetër.

Mos kini asnjë iluzion për këtë!

Po i rikthehem prapë të djeshmes. E patë çfarë rrëmuje u krijua?

Ashtu është mënyra sesi ata janë, ajo është ADN-ja e tyre, rrëmuja, bërtit, grumbullohu, krijo një situatë që mund të duket festive për ty që je brenda, por është bezdisëse, agresive, e padurueshme për të tjerët. Ata janë përçarës në filozofinë e tyre, sepse kanë qënë gjithmonë minorancë për këtë vend. Nuk kanë qënë shumicë që pas 1992-it.

Është e para dhe e fundit herë që ata kanë qenë shumicë në këtë vend në 1992-in. Që atëhere, ata kanë qene gjithomonë në minorancë, kanë përçarë për të sunduar.

Ka dhe 1001 arsye të tjera, por nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është se ka vetëm një forcë në këtë vend, nuk ka të tjera. Me të gjitha çfarë mund të diskutohet, mund të kritikohet, është vetëm PS-ja, nuk ka tjetër.

Të tjerat janë të gjitha forca të paafta për të ndërtuar. Nuk dinë të ndërtojnë.

Ne dimë të ndërtojmë, diku mirë, diku shtrembër, diku keq, por ne dimë të ndërtojnë.

Ne nuk shkatërrojnë, ne ndërtojmë.

Ata e kanë të pamundur. Marrëdhënia e tyre me të bukurën është e pamundur. Marrëdhënia e tyre me të shëmtuarën është marrëdhënie me të cilën ushqehen. Keni parë ndonjë qytet, ndonjë komunë në Shqipëri ku ata kanë qeverisur dhe kanë lënë diçka të bukur mbrapa?

Ne mund të kemi bërë dhe gjëra që mund të jenë të diskutueshme “është e bukur, s’eshtë e bukur”, por kemi bërë gjera të bukura dhe nëse ka Shqipëria një aset parësor, për t’u bërë ajo që meriton të bëhet për fëmijët tanë, është bukuria. Këta nuk e bëjnë dot. E kanë të pamundur. Dhe thonë “fasada”, pikërisht se kanë problem me të bukurën.

Ju them durrësakëve se Durrësi i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një vend i bukur për shumë njerëz, një vend i bukur për të punuar, një vend i bukur për të jetuar, për të pushuar. Durrësi ka mundësi të bëhet një vend ku të gjallojë jeta e shumë njerëzve, durrsakë, të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Ka shumë potencial për t’u bërë një portë e Mesdheut me shumë njerëz, ku të ketë ekonomi, të ketë aktivitet tregtar, të ketë aktivitet shoqëror, aktivitet artistic e kulturor.

Durrësi i ka të gjitha potencialet dhe është sot në pikën ku mund të startojë drejt kësaj faze.

Në xhiron që bëmë sot, po mendoja dhe rimendoja gjithë kritikat bëjnë durrsakët për Durrësin, gjithë çfarë ndjek dhe lexoj. Kanë shumë të drejtë për shumë gjëra që thonë, por ka një gjë që dua t’u them. Unë, Durrësin e kam parë në disa faza dhe nëse kthej kokën mbrapa, ajo rruga që përshkuam sot, - nuk e di se sa kilometra ishte, por zgjati goxha, - para 7-8 viteve, në atë rrugë nuk ecje dot. Nuk kishte një rrugë ku mund të ecje dhe të bëje gjithë atë xhiro të gjatë dhe t’i vije këmbët në këtë lloj sipërfaqeje, siç i kishim ne këmbët sot, nga fillimi në fund.

Por nuk mjafton kjo për të thënë që ne e kemi kryer punën. Kjo mjafton për të thënë, ishim ne që e sollëm deri këtu dhe ne mund ta çojmë aty ku duhet. Të tjerët nuk dinë ta bëjnë. Të tjerët, maksimumi mund të përpiqen të rregullojnë cilësinë e diellit, por pa sukses.

Ju falenderoj shumë!

Uroj dhe shpresoj shumë që mbas ditëve të kësaj fushate dhe pas fitores së 25 prillit, ne do të mund të bëjmë së bashku të gjithë ato gjërat që unë ëndërroj jo me sy mbyllur duke fjetur, por me sy hapur. Mos e harroni kurrë, çdo ëndërr që e shikon me sy hapur do të thotë që mund ta realizosh. E vetmja që bën diferencën është sa këmbëngulje dhe durim ke për t’i shkuar deri në fund.

Unë e kam këtë dhe bashkë me ju jam i bindur që mund ta realizojmë ëndërrën për Durrësin.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm