Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria fitoi, vijojmë punën për Shqipërinë e së ardhmes

Të reja

Shqipëria fitoi, vijojmë punën për Shqipërinë e së ardhmes

27 Apr 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e fitores në sheshin Skënderbej:

Faleminderit shumë!

Faleminderit të gjithëve!

Kjo është fitorja më e vështirë, më e bukur dhe më e madhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12-ën, por kanë gabuar me shenjen e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë.

Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm, me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend.

Urime me gjithë shpirt! Një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo.

Unë jam sot, krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë dhe djalë, grua dhe burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues në këtë fushatë spektakolare dhe dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi, kampione përsëri.

Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësinë, vendosmërinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë.

Shqipëria votoi, Shqipëri vendosi, Shqipëria fitoi!

Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore.

Fitoi besimi ynë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni ynë ta bëjmë këtë vend.

Fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë si një shtysë për t’i zgjidhur hallet e njerëzve dhe problemet e vendit, duke punuar më fort, jo duke u ankuar më shumë.

Fitoi durimi ynë, duke u kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë se gjithë të tjerët bashkë.

Fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare, politike që qytetarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste  e Shqipërisë.

Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja!

Por mos e harroni kurrë, asnjëherë më tutje, se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të katër viteve që kemi përpara.

Është një fitore  e madhe dhe  e bukur që duhet ta meritojmë, duke e bërë natën ditë, me punë të palodhur për Shqipërinë dhe me përkushtim të paepur për shqiptarët, kudo ku janë, me përulësi dhe respekt ndaj kujtdo, pavarësisht se për kë ka votuar apo për çdo lloj arsye që nuk ka votuar.

Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, më ka ndjekur si hije me dashurinë pa kushte dhe me përkujdesjen e paepur, dikush që më mungon sot tmerrësisht mes jush dhe që shpresoj se tani po më sheh nga atje lart, Nëna ime Aneta!

Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse pafund për ju të gjithë, që në gjithë këto vite më besuat pa u lëkundur, më ndoqët pa u lodhur, më mbështetët pa pushuar dhe sot, sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve më dhatë privilegjin e jashtëzakonshëm që t’u udhëheq edhe për katër vite të tjera drejt majës ku do të vazhdojmë të ngjitemi me bekimin bujar të popullit sovran të Shqipërisë.

Faleminderit me shumë mirënjohje juve që jeni me mua sot, juve që na ndiqni nëpërmjet ekraneve në Shqipëri, Kosovë apo në emigracion dhe të gjithë ju shqiptarë dhe shqiptare që nuk jeni të lidhur direkt me ne tani, por që ishit me mua dhe për mua, aty ku më shumë kishte rëndësi, para kutisë të votimit të dielën e fitores sonë të përbashkët.

Siç ishit ju për mua, ditën që ju thirra për votën, do të jem unë aty ku duhem dhe kurdo që do të duhem në çdo ditë dhe natë të katër viteve që vijnë.

Një falënderim të veçantë për gjysmën time më të mirë dhe të vetmen opozitë që unë nuk e mund dot, por kënaqem kur kap barazimin, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahos, nënën krenare të Reas dhe shoqen besnike të Gregut.

Linda është guri që na mbledh, burimi që na ushqen dhe drita që na energjizon ne të katërve.

Grua, shumë faleminderit!

Faleminderit edhe Reas dhe Gregut që nuk na shkaktoni asnjë dhimbje koke, që nuk keni asnjë lidhje me fodullëkun dhe llastimin, që nuk na keni bezdisur asnjëherë, nuk i keni bezdisur apo nxehur njerëzit, si disa fëmijë kryeministrash lart e poshtë këtu a gjetkë, me mënyrën tuaj të jetesës.

Jam shumë krenar për ju të dy dhe shpresoj t’u bëj krenar me punën time sot dhe me gjurmën e punës time nesër.

Le të mbetet këtu mes nesh, mes miqsh në shesh, por Zaho nuk erdhi se është pak i mërzitur. Zaho nuk arrin dot të pajtohet me faktin që unë i mora të gjitha votat, kurse ai nuk mori asnjë votë, megjithëse bëri fushatë në Vlorë. Tani është detyra e familjes tonë ta mësojmë me durim përse nuk duhet të mërzitet nga kjo puna e votave.

Por përtej shakasë është detyra e familjes sonë të madhe socialiste, progresiste dhe imja personalisht, në radhët të parë, që me fjalën dhe me sjelljen tonë të mos i bëjmë të ndjehen edhe më keq seç ndihen natyrshëm nga humbja e thellë rivalët tanë demokratë.

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera e përtej ndonjë eksesi tradicional apo mospajtimi tradicional me realitetin e humbjes, gjëra që e dëmtuan dhe e dëmtojnë forcën e tyre politike, në radhë të parë, demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë, që meritojnë respektin tonë për përpjekjen serioze për të arritur të paarritshmen për ta. U them atyre sinqerisht, se më shumë se kaq nuk bënin dot. Madje bënë më shumë sesa mund të bënin normalisht, sepse të mundësh Partinë Socialiste është po aq e pamundur sa të mundësh Milanin e Sakit, Interin e Muronjos apo Barcelonën e Guardiolës. Nuk po flas për Juventusin, se ky nuk ishte viti i juventinëve, por viti ekskluziv i socialistëve.

Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: Pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen që nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde.

Mospranimi dinjitetshëm në kohën e duhur të kësaj humbjeje aspak turpëruese, thjesht e zvogëlon në çdo orë që kalon, përmasën e rezultatit që Partia Demokratike mundi të arrinte të dielën përballë një makinerie fitoreje ,siç Partia Socialiste e Shqipërisë.

Miq demokratë!

Ne jemi më të mirët. Ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen. Nuk më takon mua e nuk është as përgjegjësia, as e drejta jonë të vendosim se si do ta lexoni ju rezultatin tuaj e çfarë qëndrimi do të mbani me udhëheqjen tuaj. E thënë më troç, do të jetë apo nuk do të jetë Lulzim Basha, ai që do ta drejtojë PD-në në katër vitet e ardhshme, kjo është ekskluzivisht puna juaj, por me apo pa Lulëzim Bashën, ne e kemi shumë të qartë që opozita jonë e vetme është Partia Demokratike dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na e bën më të vogël, por më të madh, detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim apo kufizim, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë. Jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve. Jo vetëm i atyre që votuan, por edhe i atyre që nuk votuan fare. Unë dua që Shqipëria të ngjitet në majën ku Zoti e deshi, kur e qëndisi  me aq përkujdesje si një zonë me hire magjepsëse, duke futur brenda në një vend kaq të vogël dy dete, njëri më i bukur se tjetri,  një diell që edhe kur nuk ngroh, ndrit mbi trupin e saj gjatë gjithë vitit e kreshta të bardha malesh, edhe kur drita e diellit bëhet përvëluese. Pllaja, kodra, lugina, pyje e liqene ngado dhe plot 152 lumenj e përrenj përgjatë gjithë turpit të mahnitshëm të saj. Një nënshtrat ku gëlojnë burimet më të mëdha të ujit në gjithë Mesdheun e ku fshihen sasi nafte, gazi e mineralesh që shumë vende të tjera as nuk guxojnë t’i ëndërrojnë.

Unë dua që Shqipëria të mos vuajë më nga dora e mbrapshtë e robit, që për kaq shumë kohë, [o Zot sa shumë kohë!] e ka penguar këtë popull që ta marrë siç i takon pjesën e tij nga kjo dhuratë e Zotit, me emrin e bukur Shqipëri.

Unë dua që Shqipëria përtej pandemisë të bëhet vendi ku shqiptarët ndihen krenarë jo vetëm për bukuritë e vendit të tyre, për gjuhën, historinë, traditën, bujarinë, heronjtë, këngët e vallet, artistët, poetët, shkrimtarët e tyre, por edhe për këtë shtëpi të madhe ku jetojnë e ku lindin fëmijët e tyre, që quhet Shqipëri.

Unë dua që Shqipëria që përballoi me aq karakter dhe durim tërmetin dhe pandeminë të përballet me të njëjtin karakter e me po atë durim, edhe me të këqijat e kësaj shoqërie, ku politika e para duhet të përballet me vetveten për ta tejkaluar adoleshencën e saj kaq problematike, e cila ka zgjatur kaq tepër, duke e tepruar me vicklat, dënglat, sherret dhe zhurmën e vetë të padurueshme.

Unë dua që nga unë i pari të nisim një përpjekje reale, serioze, të vërtetë e të vështirë sa të duash, për t’u bërë shumë më të vetëdijshme në çdo qelizë se çdo fjalë që nxjerrim, çdo vendim që marrim, çdo veprim që bëjmë dhe çdo hap që duam të hedhim, ndikon për mirë ose për keq, direkt mbi njerëzit e këtij vendi, mbi të rinjtë që gjuhën e nënës kanë shqipen. Mbi shëndetin shoqëror e moral të popullit tonë, mbi vetë të ardhmen e Shqipërisë e të kombit shqiptar.

Unë nuk dua që mandati i tretë të ngjajë si vazhdimi i dy të tjerëve në aspektin e komunikimit dhe të debatit mes nesh. Ne nuk kemi pse të biem dakord me pahir, por ama nuk kemi pse, që mosdakordësinë ta kemi kaq ndotëse, kaq mbytëse, kaq ulëritëse Cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk matet me sa shumë biem dakord, por me mënyrën se si e administrojmë mosdakordësinë. Mosdakordësia është ushqim për demokracinë, jo helm për popullsinë.

Pushteti për mua nuk është qëllim, por vetëm mjet për të arritur qëllimet për Shqipërinë dhe me Partinë Demokratike, ne na ndajnë natyrshëm shumë gjëra, por jo qëllimet madhore për Shqipërinë. Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan ta bëjnë Shqipërinë anëtare të BE-ë, por duke e bërë integrimin europian hendek balte mes njëri – tjetrit dhe armë për të qëlluar, mundësisht asgjësuar njëri – tjetrin, ky qëllim kaq i madh, kaq i përbashkët i të gjithë njerëzve të zakonshëm nuk shpejtohet, por vetëm vonohet. Socialistët dhe demokratët shqiptarë, në çdo qytet, në çdo fshat, nga jugu në veri duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por duke i nxirë çdo ditë, shqiptareve, me ziftin e rrugëve të komunikimit mes palëve, rritja e ekonomisë dhe e mirëqenies nuk shpejtohet, por vetëm pengohet.

Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan që vajzat dhe djemtë e tyre mos ikin nga Shqipëria prej hallit, por vetëm kur dëshirojnë të provojnë veten jashtë kufijve të saj. Në një shtëpi ku të mëdhenjtë bëjnë vetëm sherr dhe nuk merren vesh për asgjë, fëmijët e vetë i mban brenda veç prej zorit e hiç prej qejfit të të qenit bashkë në një çati.

E pra, nuk mjafton ta themi përditë si në një garë frenetike se sa shumë e duam Shqipërinë, se sa të përvëluar jemi për flamurin e Europës, sa të përkushtuar jemi për qytetarët e këtij vendi, sa të prekur jemi nga varfëria e një pjese prej tyre, apo sa të inatosur jemi me ata që u bien në qafë të tjerëve, lart e poshtë, në këtë vend, jo! Nuk mjafton të jemi të zotë veç me fjalë, por duhet ta tregojmë me sjellje e me vepra se ne vetë, përfaqësuesit e zgjedhur të këtij populli, jemi më të mirë se kaq sa dukemi, kur i hidhemi në fyt njëri-tjetrit, kur e godasim njeri-tjetrin me fjalën e fundit apo deri me bojë e me çizme, kur bëhemi gaz i botës me lojërat tona macja me miun e kur i bëjmë Shqipërisë, në sytë e komunitetit ndërkombëtar, atë që as armiqtë nuk ia bëjnë dot imazhit të këtij vendi.

Ky është vendi ynë e këtë vend nuk mund ta duam me pjesë, as mund ta ndajmë me pjesë.

E di mirë, e kam shumë të qartë që të thuash këtë që po them, sado me sinqeritet e sado me zë të lartë, është shumë e lehtë, shumë më e lehtë sesa ta bësh, por unë jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me të gjitha forcat e mia që edhe ta bëj. E di mirë po ashtu se nuk mjafton vullneti ynë, as i imi, as i të gjithëve ne, fituesve, sepse duhet dhe vullneti i Partisë Demokratike e i kujtdo që do ta drejtojë atë në katër vitet e këtij kapitulli të ri të jetës sonë demokratike, por unë e kam mësuar dhe e kam provuar më shumë se një herë në jetën time, për dreq, tani nuk është më dhe aq e shkurtër kjo jeta ime, se asgjë që njeriu e ëndërron me sy hapur, nuk është e pamundur dhe ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria e kësaj dekade, që nisi me mandatin e tretë radhazi të Partisë Socialiste të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm dhe agroturizëm, në energji, në bujqësi dhe në shërbime cilësore të shpejta e të pakorruptueshme digjitale për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi.

Me katër porta nga qielli dhe katër porta nga deti për udhëtarët dhe turistët, me dy porta të reja detare për tregti në Durrës dhe në Vlorë, me Korridorin Blu të shpejtësisë së lartë nga Muriqani, në Fier, Vlorë, Rrogozhinë, me dy parqet me energji diellore në Divjakë dhe në Durrës, me Skavicën në veri dhe TEC-in me gaz të lëngshëm në Vlorë, Shqipëria mund t’i hapë në 5-6 vitet e ardhshme, me një fuqi të papërmbajtshme, portat e së ardhmes për popullin e saj.

Ky është një megaprojekt kombëtar që kërkon një energji të madhe njerëzore dhe një fuqi të madhe politike.

Patjetër që mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumicë qeverisëse ka patur ndonjëherë qysh në vitin 1992 dhe ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me të gjithë energjinë e jashtëzakonshme që shumica dërrmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë. Nëse arrijmë t’i bashkojmë forcat me Partinë Demokratike për të gjitha ato qëllime dhe objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë, kjo dekadë do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërinë, por dhe për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj dhe të qytetarëve të këtij vendi, pa dallim.

Dy ndasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën nën këmbët e  Shqipërisë, që ka ecur shumë përpara në këto vite, por kurrsesi aq sa mund të kishte ecur pa këto dy ndasi, janë tmerrësisht të vështira për t’u kapërcyer. Po kaq e tmerrshme është që të mos përpiqemi të mos i kapërcejmë dhe t’ia lëmë peshqesh gjeneratës tjetër, bashkë me stafetën tonë.

E para është ndasia e hapur qysh në Luftën Botërore, komunist dhe nacionalist, e thelluar  si s’ka më zi gjatë dekadave të diktaturës enveriste dhe e trashëguar prej komunizmit si një mallkim që na ndjek nga mbrapa, duke i përçarë shqiptarët deri në fshatin  më të largët, përmes një thike që i bën të harrojnë se në radhë të parë janë shqiptarë. Unë kam lindur shqiptar, nuk kam lindur socialist dhe për mua demokratët janë shqiptarë, pastaj janë dhe demokratë.

S’ka ku rri, e keqja e madhe që të flasim shqip me njëri-tjetrin sikur jemi dy palë armiqsh, të dalë nga i njëjti bark e të kujtohemi për përkatësinë e njëjtë nga ai bark vetëm kur ndonjëri nga ne ka vdekur.

Këtu, sot mungon edhe dikush që punoi për fitoren, miku ynë i shtrenjtë, Bashkim Fino. 

E imagjinoj duke qeshur atje lart dhe duke duartrokitur këtu, bashkë me ne, për fitoren tonë të mrekullueshme, por u desh të ikte nga kjo botë, Bashkimi ynë i dashur, që të tërë të bashkoheshin në ngushëllimet për familjen e tij dhe të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë, jo thjesht një socialist i patundur.

Ndasia e tmerrshme, mallkimi i së shkuarës nuk na kanë lejuar kurrë tash 30 vjet, që në skenën e politikës t’i kemi të shumta në tërë ato ditë të panumërta që kemi ndarë së bashku, ato ditë ku jemi së pari, njerëz dhe shqiptarë në të gjallë, veç në ditë të zeza kemi mundur ta harrojmë vetëm për një çast se nëna nuk na ka bërë me fanellë partie dhe se ko jetë i jepet njeriut nga Zoti për të zbutur dhe kafshët e jo për t’u bërë ujqër për njëri-tjetrin.

Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale, mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e kahershme të principatave dhe të lëngatave, e mbuluar si dielli nga shosha në Shqipërinë komuniste dhe ushqyer pabesisht, poshtërsisht, politikisht në Shqipërinë e re demokratike, thjesht nga fakti se kur nuk jemi socialistë apo demokratë, por thjesht shqiptarë e thërrasin të gjithë me krenari atë vargun “Shqipëria është nji nga Jugu në Veri”.

Nuk është kjo dita dhe as ky është vendi për ta tepruar unë tani me reflektime apo për të bërë filozofi, por kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën Partisë Demokratike, duke bërë të qartë për të gjithë se mandatin e tretë dua që t’ia kushtojmë të gjitha energjitë tona bashkimit jo ndasive, punës dhe jo sherreve, lartësimit të shqiptareve dhe Shqipërisë jo uljes të njëri-tjetrit në atë skenën e vogël të politikës. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë se dhe politika është e vetmja fuqi mbi tokë që di t’i bëjë të dyja, edhe luftën, edhe paqen, edhe dhunën, edhe punën, edhe sherrin, edhe mirëkuptimin, edhe përçarjen, edhe bashkimin. Politika ka lindur që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë me njeri-tjetrin të mundura gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot.

Politika e ka lindur edhe fashizmin, edhe komunizmin, edhe terrorizmin, edhe Shtete e Bashkuara, edhe Bashkimin Europian. Edhe shtetin shqiptar dje dhe Kosovën shtet sot, politika i ka lindur. Edhe Shqipërinë në majën që Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta çojë. 

Le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. 

Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët.

Shqipëria bëhet dhe Shqipërinë duhet dhe do ta bëjmë ne shqiptarët e kësaj dekade, përtej pandemisë, duke rinisur punën që nesër me një vrull të ri nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja përfundimtare e armikut të padukshëm, si dhe duke nisur ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes që, qysh sa s’mbahet mend, na fton dhe na tërheq përditë në rrugën e shkurtër të ndasisë dhe sherrit me njeri- tjetrin.

Shqipëria fitoi më 25 prill. Tani është radha jonë të fitojmë çdo ditë për Shqipërinë e  të gjithë shqiptarëve.

Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri – tjetrin!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rroftë i madh dhe i vogël që ka lindur shqiptar!

Rroftë Shqipëria!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm