Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria është e ardhmja e të gjithë vajzave e djemve të këtij vendi

Të reja

Shqipëria është e ardhmja e të gjithë vajzave e djemve të këtij vendi

08 Apr 2021    

Takimi me të rinj në Gjirokastër - Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Jam shumë i kënaqur që mu dha kjo mundësi t’ju takoj e t’ju falënderoj për besimin që keni dhe për gatishmërinë që të përfshiheni për ta shpërndarë mesazhin tonë në sa më shumë dyer, për ta komunikuar mesazhin tonë me sa më shumë bashkëmoshatarë e për të bërë të mundur që mesazhi ynë të përçohet deri në fund si një mesazh shumë i thjeshtë. Ne kemi një vizion, i cili ka filluar të jetësohet, por për të cilin duhet të vazhdojmë të punojmë sepse jetësimi i plotë i këtij vizioni kërkon kohë, kërkon mund, kërkon durim të madh.

Ne kemi një karakter që po sprovohet dhe në këto momente kaq dramatike jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë shoqërinë njerëzore me sfidën me të cilën na përball të gjithëve një pandemi që vjen një herë në 100 vjet, por njëkohësisht dhe me sfidën që na përballi ne, Shqipërinë e vogël dhe shqiptarët, tërmeti katastrofik.

E pra karakteri ynë po testohet çdo ditë në këto sfida që janë sfidat e një lufte të madhe që ne siç shihet, dita-ditës po e fitojmë me vendosmëri të madhe, po e fitojmë me këmbëngulje të madhe, po e fitojmë me durim të madh. Ne jemi të vendosur, ne jemi këmbëngulës e jemi shumë të duruar për t’i çuar punët deri në fund, por sigurisht na duhet koha e nevojshme dhe mbështetja e nevojshme që gjërat të shkojnë të gjitha në vendin e duhur, që maja që ne kemi përcaktuar si objektiv për t’u ngjitur të mos na lodhë përpara se të arrimë. Ngjitja është shumë e vështirë dhe sa më shumë ngjitesh, aq më e largët të duket maja sepse lodhesh, sepse tundohesh nga dëshira për t’u ulur, për të ndaluar. Tundohesh dhe nga dëshira për t’u kthyer, por ne nuk mundet dot të ndalojmë e jo më të kthehemi mbrapa sepse objektivi që kemi vënë është një objektiv shumë i lartë, është një objektiv shumë fisnik për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër dhe Shqipëria nuk mund të shkojë në një nivel tjetër me receta çudibërëse ose sa hap e mbyll sytë.

Po të bësh një xhiro në zemrën e Gjirokastrës, shikon se si sa herë vjen, gjërat ndryshojnë. Gjërat ndryshojnë, dyer të tjera hapen, shkallë të tjera restaurohen, dhoma të tjera transformohen në hapësira mikpritjejeje, biznese të vogla krijohen, të reja e të rinj, familje krijojnë punë për veten e tyre, punësojnë edhe të tjerë. Kjo është një punë që vazhdon, është një punë prej milingonash, një punë këmbëngulëse, e duruar, e vendosur për t’i çuar gjërat aty ku secili dëshiron në atë vijë, në atë pikë të frontit që ka zgjedhur.

Çfarë ndryshon sot në krahasim me deri dje?

Deri dje, sa herë vije në Gjirokastër shikoje po atë që kishe parë herën e kaluar, vetëm më shumë trishtim, më shumë pluhur, më shumë harresë, më pak energji dhe më pak zhurma të një jete që gëlon. Sot është ndryshe, por sigurisht sot nuk është si duam ne të jetë për të gjithë, sepse ka kaq shumë akoma dyer për të hapur, ka kaq shumë akoma shkallë për të restauruar, ka kaq shumë akoma hapësira për të transformuar. Për ta kthyer gjithë këtë rrjet fantastik xhevahiresh të një gjerdani të mrekullueshëm të trashëgimisë sonë kulturore në një rrjet ekonomie, në një rrjet punësimi, në një rrjet që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë e që do krijojë gjithmonë e më shumë të ardhura për të gjithë ata që vendosin të qëndrojnë këtu.

E sjell këtë shembull sepse kështu janë të gjithë sektorët e jetës sonë. E pra, këtu zgjedhja është shumë e qartë. Do të vazhdojmë me këmbëngulje përpara, do të vazhdojmë të lidhim një nga një hallkat e një zinxhiri që do të bëhet një gjerdan i bukur në qafën e Shqipërisë, një gjerdan i bukur në gjithë atë organizëm të trupit të vendit e të shoqërisë sonë? Apo do të ndalojmë?

Ne nuk mund të ndalojmë!

Ne nuk mund të ndalojmë e nuk mund ta bëjmë atë gabim që shqiptarët e kanë bërë herë pas here në historinë e tyre, që janë tërhequr nga sirenat joshëse që i kanë zhytur pastaj thellë dhe i kanë bërë të humbin kohë e të paguajnë shtrenjtë koston e kësaj tërheqjeje. Nuk ka ndryshim pa mundim. Nuk ka transformim pa punë. Nuk ka ngjitje pa rezistencë dhe pa vendosmëri e pa lodhje.

Nga ana tjetër, unë besoj shumë që ne kemi të mundur që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tuaj e të ardhmen e të gjithë vajzave e djemve, fëmijëve të këtij vendi sepse Shqipëria ka filluar që pak nga pak t’i vërë në punë burimet e veta të jashtëzakonshme natyrore dhe trashëgiminë e vet të jashtëzakonshme. Ne ishim lart në Peshkëpinë e Sipërme ku bëmë një takim pranë një tjetër xhevahiri të trashëgimisë sonë kulturore, që ishte në zhdukje. Kisha e Shën Mërisë që sot është një arsye më shumë e një nga shumë e shumë arsyet më shumë për të ardhur e për të vizituar Gjirokastrën.

Po Tepelena?

Tepelena ishte e braktisur tek kthesa. Askush nuk ndalonte në Tepelenë, përveçse për të pirë pak ujë aty tek dalja ose për të mbushur makinën me karburant, për të vazhduar sa më shpejt. Sot, Tepelena është një destinacion. Edhe Labëria lart është një destinacion, por sot, Tepelena, Labëria bashkë me Gjirokastrën, me Përmetin, me Këlcyrën, me Libohovën, me Dropullin kanë mundësinë që në shumë  pak kohë të dalin poshtë në detin Jon. Ashtu sikundër ata që do të vijnë për pushime në detin Jon do të kenë mundësi që të ngjiten dhe të vijnë këtu. Sikundër rruga e re lidhëse mes Kolonjës dhe Përmetit do të japi mundësinë që gjithë ky pellg të zgjerohet me pellgun tjetër andej nga Korça e kështu në gjithë këtë hapësirë do të ketë shumë më tepër mundësi për ekonomi, do të ketë shumë më tepër mundësi për të krijuar punë, për të marrë punë, për të dhënë punë. E në të gjithë këtë hapësirë duhet guxim, duhet iniciativë, nuk duhet ndenjur duke pritur çfarë do bëjë shteti për mua, kur do më japi shteti një punë shteti, por duhet parë se sa shumë potenciale ka, se sa shumë mundësi ka, mjafton që të kesh sytë e hapur, të kesh forcën e imagjinatës e të kesh kurajën për të shkuar pas asaj imagjinate për t’i realizuar qëllimet.

Ne sigurisht që kemi bërë gjëra pafund, por ka një pafundësi gjërash që do vazhdojmë të bëjmë në mënyrë që dhe ato gjëra që kemi bërë të marrin të gjithë kuptimin e tyre. Reforma që kemi bërë në arsim është shumë e rëndësishme, por ka një zinxhir gjërash  që duhet të vazhdohen të bëhen që ajo reformë të japi rezultate. Këtu në Gjirokastër kemi një universitet. Ne duam t’i ngremë në nivel tjetër universitetet tona, duke krijuar kushte që të bashkojnë forcat, të krijojnë sinergji me universitetet e huaja. Ju e keni Janinën afër, besoj që shumë nga ju, në mos të gjithë keni vajtur një herë. Janina përpara jo shumë kohës ka qenë një qytet pa shumë jetë, një qytet provincial me bukuritë e veta, por sidoqoftë një qytet që nuk e kishte jetën fantastike që ka sot falë universitetit. E pra, çfarë ka ndryshe, çfarë ka më pak Gjirokastra dhe gjithë ky pellg fantastik për të pasur po të njëjtin bum. Falë një jete studentore që krijon jetë ekonomike, që krijon sinergji me gjithë strukturën e shërbimeve. Asgjë nuk ka më pak këtu, asgjë nuk ka më shumë atje, duhet vetëm vizioni e duhet vetëm puna këmbëngulëse për të arritur atje, që ne të krijojmë sinergji me universitetin e Janinës apo këdo qoftë tjetër. Universitete tona të jenë dyer ku të reja e të rinj të shkojnë njësoj sikur janë jashtë shtetit, pa pasur nevojë të jenë jashtë shtetit, pa pasur nevojë të bëjnë gjithë ato shërbime që bëhen jashtë shtetit për të marrë këtu ato mësime, për të marrë këtu ato diploma. Ky është një nga drejtimet e planit tonë të veprimit 2021-2025. 

Ne kemi shtjelluar bazuar dhe në eksperiencën e këtyre viteve një vizion për 2030-ën dhe ne besojmë shumë që Shqipëria mund të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, në agroturizëm. Shqipëria mund të bëhet lider në fushën e energjisë. Ne kemi mundësinë që të kalojmë nga një vend që ishte një situatë, ju e dini shumë mirë, shumë kritike me energjinë, në një vend që është eksportues neto i energjisë dhe gjithë ato para që ne kemi shpenzuar dhe shpenzojmë për të importuar energji kur nuk ka rreshje, të mos shpenzohen më për këtë punë, përkundrazi ne të fitojmë duke eksportuar energji. Për këtë arsye kemi dy vepra të mëdha, qoftë Skavicën lartë, qoftë HEC-in e Vlorës, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, në marrëveshje me dy kompani shumë të mëdha amerikane, ashtu sikundër kemi dhe dy vepra të mëdha, parqet fotovoltaike që shtojnë kapacitetin e prodhimit, por dhe diversifikojnë portofolin tonë të energjisë së gjelbër.

Tani këto janë të gjitha gjëra që kërkojnë kohën e tyre dhe duan shumë punë e durim. Po kështu aeroportet, po kështu portet turistike që janë të gjitha në proces, janë të gjitha punë, projekte, njëri më i avancuar, njëri më pak i avancuar. Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit. Askush nuk e besonte. Të gjithë thonin çfarë janë këto muhabete. Hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Firmosim kontratën më në fund për të filluar ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Do të hapim menjëherë, sapo të firmosim kontratën për Vlorën, garën për aeroportin e Sarandës dhe të gjitha këto sëbashku e të tjera do të krijojnë gjithë atë zinxhir hallkash të munguara që pastaj do të kthehen në ekonomi dhe për të krijuar shumë më tepër vende pune me shumë më tepër të ardhura dhe mundësi sigurisht për më të rinjtë.

Është shumë e rëndësishme që ne të rezistojmë, është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë punën. Është shumë e rëndësishme që ne të mos kthehemi mbrapa. Është shumë e rëndësishme që ne të mos tundohemi nga premtime dhe nga llafet e bukura, por të shikojmë e të vlerësojmë karakterin. Në fund të ditës, suksesi është çështje karakteri, puna është çështje karakteri dhe politika është çështje karakteri dhe besoj që karakteri ynë është testuar e po testohet çdo ditë. Ne sot jemi vendi që jemi ngjitur në fashën më të lartë të klasifikimit në Europë për rinimin e vaksinimit, ndërkohë që deri përpara ca kohësh ishim një vend që mund të kishim lënguar në pamundësi për të vaksinuar, siç ka disa vende sot në rajonin tonë, janë fqinjët rreth e rrotull që lëngojnë në pamundësinë për të hyrë në procesin e vaksinimit masiv, se nuk kanë vaksina. Ne i kemi. Është çështje karakteri, është çështje vendosmërie, është çështje këmbënguljeje e durimi të madh, është çështje besimi. Nuk vijnë gjërat vetë, nuk vijnë gjërat nga qielli. Sigurisht, është e vërtetë ajo që thonë herë pas herë ata që nuk duan të ndihen, domethënë e kanë problem të pëlqejnë të mirën, e kanë problem të respektojnë punën, e kanë problem të pranojnë ndryshimin dhe nuk dinë të zgjedhin midis momentit kur është koha për t’u gëzuar për diçka të bukur që ndodh e momentin kur është koha për të kërkuar më shumë e për të kritikuar për shumëçka tjetër që nuk shkon mirë dhe thonë, “sikur i ke bërë me lekët e tua”, “sikur nuk do vinin vaksinat, detyrën po bën”.

Sigurisht, për detyrën zgjidhen njerëzit nga populli, nuk zgjidhen për të bërë vezë të kuqe, as për të bërë magji, as për të hedhur fall, as për të bërë çudira, zgjidhen për të bërë detyrën dhe nga mënyra si bëjnë detyrën ndahen ata që janë shërbëtorë të respektuar dhe që mbahen mend nga shërbëtorët që ose harrohen ose mbahen mend për keq.

Sigurisht me paratë e njerëzve bëhen të gjitha punët, nuk bëhen me paratë e rëna nga qielli, por me paratë e njerëzve i bënin punët dhe më përpara.

Po diskutonim qëparë për një debat që Mirela kishte me një koleg të një tjetër force politike që kisha e Peshkëpisë është bërë me fondet e BE-së. E para, që ne për këtë punë jemi këtu, që t’i bëjmë gjërat me çdo mënyrë, me fondet e BE-së, me fonde këtej, me fonde andej, jemi këtu që të shkojmë të shtrimë dorën, të kërkojmë mbështetje kur duhet të ndërtojmë shtëpitë, duhet të ndërtojmë shkolla. Për këtë jemi këtu ne. Fondet e BE-së aty kanë qenë edhe më përpara, por nuk kishte kush i merrte se nuk kishin as vizion, as këmbëngulje, as aftësi për t’i marrë, se aty ishin. BE nuk t’i jep lekët në një thes dhe thotë merre thesin çoje ku të duash. Thotë ne kemi kaq fonde në dispozicion për ty, po ishe i zot, hajde na mbush mendje që i meriton t’i marrësh. Duhet të bësh projektin, duhet ta argumentosh, duhet të gjesh rrugën. Thënë kjo, kisha nuk është bërë me fonde e BE-së, është bërë me fondet e qeverisë dhe kur? Në një kohë kur ka pasur kaq shumë halle të tjera.

Pse? Sepse ne e kemi parë vazhdimisht trashëgiminë kulturore si një gjë shumë të rëndësishme, si një amanet që nuk mund të lihet ta marri lumi, siç po merrte lumi Gjirokastrën.

Patjetër që sot po të kthesh kokën e të shikosh ka ende plot shtëpi që duan dorë, ka ende plot çati që duan dorë, por ama rruga është kjo dhe puna ka nisur e duhet të vazhdojë. Një gjë është e sigurtë, që të tjerët nuk e vazhdojnë dot këtë rrugë. Sepse e kanë pasur mundësinë ta tregojnë sa karakter kanë, sa këmbëngulës janë, sa e duan punën, sa durim kanë dhe se çfarë bëjnë kur u jep një detyrë. E kanë pasur mundësinë jo një herë, e kanë pasur mundësinë disa herë. Ka një fjalë të mençur që thotë që të përsërisësh të njëjtën gjë e të presësh diçka tjetër do të thotë të jesh budalla.

Ata nuk duan ta ndryshojnë, sepse as nuk duan a as nuk dijnë. Ata thonë që para 8 vitesh ndodhi një aksident, që populli lajthiti e na hoqi ne. Tani populli duhet të rregullojë fajin e madh që bëri e ne të vijmë prapë e të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë.

Por ajo nuk i duhet vendit dhe askujt, pavarësisht bindjeve, simpative apo antipative. Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, Libohovës, Këlcyrës, Memaliajt, Dropullit, gjithë Shqipërisë i duhet të vazhdojë punën edhe me më shumë vendosmëri, këmbëngulje e kokëfortësi, që Shqipëria të ngjitet në majën ku ka detyrimin ta çojë kjo gjeneratë. Gjenerata juaj do e çojë më lart e një gjeneratë tjetër edhe më lart. Kjo është stafetë. Por në asnjë mënyrë të kthehet mbrapa e të biem prapë poshtë, të lodheni e dekurajohemi nga rrëzimet.

Ju e patë çfarë ndodhi dje. E paimagjinueshme, por shumë domethënëse. Bllokohet aktiviteti jetik i gjithë qarkullimit ajror të vendit, me pretendimin në dukje, sidoqoftë pretendim për t’u rrëqethur mishi, jemi të stresuar se qenka paga 2400$, i duam 4000. Por me qëllimin e vërtetë në fakt, për të marrë peng popullin, për ta vendosur nën trysninë e tmerrshme të ankthit e pasigurisë për të krijuar kaos përmes vënies në lëvizje të mekanizmit të dëshpërimit e revoltës, duke përdorur elementë mjeshtra të rrëmujave dhe për të bllokuar vaksinimin, që të krijohet një mjegull e madhe.

Si mund t’i bëhet kjo vendit tënd!

Ata në fakt nuk e kanë me mua. Ata e kanë me ju, e kanë me njerëzit, e janë me vendin. Sepae duan patjetër t’i rimarrin gjërat në dorë, për t’ju kontrolluar ju, njerëzit e vendin për hesap e interesat e tyre, siç kanë bërë në të shkuarën. Unë jam vetëm pengesa midis jush dhe atyre. Unë jam pengesa ë ata të bëjnë ç’të duan dhe PS-ja është muri që i pengon ata të na kthejnë mbrapsht.

Përdorim shpesh shprehjen “ata që kemi përballë”. Jo, ata i kemi mbrapa. Duke u përpjekur të na kapin nga xhaketa, të na pengojnë, frenojnë, ngadalësojnë, bllokojnë. Ne duhet të vazhdojmë të ecim më shpejt përpara, me vendosmëri, me kokëfortësi. Nuk vendoset kush do të qeverisë, nuk është çështje emrash, vendoset si donjetë Shqipëria e kësaj dekade. So do të jetë Shqipëria juaj, kur ju sapo të keni krijuar familje e të keni hyrë në një fazë tjetër të jetës suaj. A do të jetë Shqipëria që po ndërtohet gur pas guri e mur pas muri si këtu në Gjirokastër, apo do të jëtë edhe njëherë Shqipëria që duhet të ringrihet nga e para, sepse edhe njëherë nga e para ra falë kuturisjes pas iluzioneve dhe recetave magjike. Zgjedhja është e njerëzve, por detyra jonë, e juaja është të rrimë pranë njerëzve, t’u flasIm njerëzve, të besojmë tek njerëzit se në fund të ditës, populli është më i mençur se të gjithë ne. Asnjë nga ne në vetvete nuk është populli. Populli nuk është as një individ, por është sinergjia e gjithë inteligjencës emocional të një bashkësie.

Inteligjenca emocionale e këtij populli nuk gabon. Unë kam bindjen, nuk gabon. Ata ë i thonë popullit shqiptar dele janë thjesht qenie të humbura në pyllin e injorancës, janë për t’u mëshiruar. Populli shqiptar ka një instikt politik të jashtëzakonshëm, për të kuptuar çfarë duhet të bëjë sot e si duhet të zgjedhë sot për të garantuar të nesërmen. Asnjëherë nuk ka gabuar. Nuk do të gabojë as këtë herë. Ne do të dëgjojmë me vëmendje vendimin e tij, me besim që çdo vendim që merr populli është vendim i drejtë.

Ajo që duhet të bëjmë çdo ditë bashkë është se duhet te flasim me ata individë që janë pjesë e zinxhirit të kësaj inteligjence dhe të kërkojmë votën jo për mua personalisht, jo për ne këtu, po për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Çka kemi bërë nuk mjafton për të thënë “tani jemi mirë”. Çdo ankesë, çdo mërzi e çdo pakënaqësi e çdokujt  unë e besoj thellësisht është legjitime. Kanë të drejtë!

Kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, kanë të drejtë të pretendojnë shumë më tepër, kanë të drejtë të thonë “mirë, u bë kjo, po koha ikën e sa do presim që të bëhet ajo gjëja e madhe”.

Në ndërkohë çka kemi bërë është garanci që në këtë vend ka vetëm një forcë. Mund të dalin të tjera nesër, nuk e di, po sot ka vetëm një forcë që mund t’i garantojë njerëzit që e di se ku duhet të shkojmë, por dhe se si shkohet atje. Çfarë është bërë në Gjirokastër tregon se ku po shkon Gjirokastra e si shkohet atje. Kjo është arsyeja pse hapen dyer çdo ditë, po restaurohen shkallë çdo ditë, pse dhoma të braktisura me vite kthehen papritur në hapësira mikpritjeje fantastike, sepse është hapur rruga.

Drejtimi është i qartë.

Objektivi është i qartë.

Tani është vetēm puna, puna dhe puna.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm