Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria e ardhmja jonë kërkon që ne të vazhdojmë të bashkuar dhe të vendosur me më shumë punë

Të reja

Shqipëria e ardhmja jonë kërkon që ne të vazhdojmë të bashkuar dhe të vendosur me më shumë punë

12 Apr 2021    

Elbasan, takim me vajza dhe gra - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për këtë pamje kaq të bukur!

Më vjen shumë mirë që jemi këtu në këtë stacion pasi kemi qenë në disa stacione më parë dhe nuk ka stacion më të bukur e më të duhur se sa ky stacion, me gratë dhe vajzat e Elbasanit për të folur për zgjedhjen e 25 prillit, e cila është një zgjedhje e qartë mes këmbënguljes, punës, besimit dhe durimit për të vazhduar të ngjitemi më tutje e dorëzimit, ndenjes ulur, kthimit mbrapa dhe rifillimit nga e para pas disa vitesh siç ka ndodhur në të shkuarën. Disa herë shqiptarët kanë bërë një zgjedhje i ka çuar drejt greminës duke u tërhequr prej hunde nga udhëheqës të papërgjegjshëm, të cilët i kanë përdorur si mish për top. Kanë zgjedhur të shkojnë pas Haxhi Qamilit dhe pastaj të shihen të rrethuar nga flakët e zgjedhjes së gabuar. Kanë zgjedhur më pas të shkojnë pas Sudes, pas Vebiut, pas Xhaferrit me idenë që mjafton të japësh një dhe merr dy dhe nuk ka nevojë të zgjohesh herët, nuk ka nevojë të punosh pa pushim, nuk ka nevojë të lodhesh e të rizgjohesh përsëri e përsëri, mjafton të japësh një e të marrësh dy. Kështu duket se është edhe zgjedhja e 25 prillit, ata të cilët duan të rikthehen po ju ofrojnë pikërisht të njëjtën recetë. Na jepni votën dhe ne do ju japim kaq mijë euro, kaq mijë euro për më të rinjtë, kaq mijë euro për sipërmarrësit, e miliona e qindra miliona. Si mund të ndodhi kështu e si mundet që të ketë sot njerëz që të besojnë akoma në këto lloj çudish!

Çudi të dhimbshme, çudi të cilat shqiptarët i kanë paguar shumë shtrenjtë në të shkuarën.

Zgjedhja për ne dhe zgjedhja me ne është shumë e qartë. Të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje, të punojmë pa pushim, të punojmë pa u lodhur, të vazhdojmë të ngjitemi pa rënë pre e lodhjes, pa rënë pre e mërzisë, pa rënë pre e rezistencës së kundër që i vjen gjithsekujt që sfidon për të shkuar më tutje.

Ne, sot jemi në kushtet ku shumëkujt tejkalimi i fazës më të vështirë të pandemisë i duket sikur është një histori e kaluar. Sot jemi në kushtet ku shumëkujt vaksinimi masiv i duket si një gjë e jashtëzakonshme. Madje dëgjoj njerëz që thonë “e çfarë pastaj? Këtë gjë do ta bënte gjithsekush, këtë gjë për detyrë e keni”.

Patjetër që e kemi për detyrë e pikërisht se ne detyrat i marrim me shumë seriozitet dhe i bëjmë me shumë këmbëngulje, ne jemi ata që realizuam vaksinimin masiv si askush tjetër rreth e rrotull nesh.

Patjetër që për detyrë e kemi edhe të rindërtomë shtëpitë e atyre që u goditën nga tërmeti katastrofik dhe mbetën në qiell të hapur për pak sekonda, por pikërisht se e kemi për detyrë ne nuk flemë. Pikërisht se e kemi për detyrë ne nuk dorëzohemi. Pikërisht se e kemi për detyrë ne vazhdojmë këmbëngulim me durim, me besim e me shumë punë për t’ia dalë që ta bëjmë detyrën ashtu siç duhet.

Ju të gjitha këtu jeni nëna, jeni motra, jeni vajza e mjafton të shohësh se carë ndryshimi ka ndodhur në nivelin e përfaqësimit, në nivelin e besimit që i është dhënë grave dhe vajzave për të kuptuar se vërtetë ka ende shumë për të bërë, por shumë është bërë deri këtu. 

Ne sot kemi një qeveri ku më shumë se gjysma janë gra, janë nëna, janë motra. Ne sot kemi në të gjitha nivelet e administratës plot gra dhe vajza që drejtojnë, që kanë marrë përgjegjësi. Edhe rasti i Desantilës është një prej tyre dhe historitë e suksesit të grave e të vajzave janë shumë më tepër sot, sesa ishin në të shkuarën, ashtu sikundër sot duket sikur është diçka krejt e zakonshme që në këshillat bashkiakë gjysmat të jenë gra dhe vajza, që në parlament të ketë kaq shumë gra dhe vajza. Vërtetë sot duket e zakonshëm, por për të arritur tek kjo zakonshmëri u desh një përpjekje e madhe e udhëhequr nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Apeli im sot për të gjitha gratë dhe vajzat, të Elbasanit e të gjithë Shqipërisë është që duke qenë gjysma më e mirë në çdo çift, duke qenë themeli i çdo shtëpie, duke qenë shtylla në çdo familje, gratë dhe vajzat janë të parat të cilat duhet të kuptojnë e duhet të bëjnë të tjerët të kuptojnë se Shqipëria për tu bërë e ardhmja jonë kërkon shumë mund, shumë sakrifica, shumë durim, shumë besim, shumë punë e nuk bëhet me receta magjike. Se Shqipëria për t’u bërë e ardhmja jonë kërkon që ne të vazhdojmë të bashkuar, që ne të vazhdojmë të vendosur, që ne të vazhdojmë të ngjitemi pa u dorëzuar se Shqipëria për tu bërë e ardhmja jonë nuk është më një iluzion, as një ëndërr shumë e largët, as një poezi, një vjershë, një tregim apo një rrëfim i një rilindasi por është një horizont që ne sot e shohim e që me punë dhe vetëm me punë do ta arrijmë e do ta prekim.

Janë bërë shumë gjëra në Elbasan, janë bërë shumë gjëra në gjithë Shqipërinë. Unë nuk dua ti numëroj sot ato që janë bërë në Elbasan unë dua të them që është hedhur një bazë shumë e fortë për ta transformuar Elbasanin edhe në një destinacion turistik. Për ti dhënë Elbasanit një forcë të shtuar përmes prurjes së turistëve, përmes prurjes së vizitorëve, për të rritur nivelin e të gjithë sipërmarrjeve këtu, për ti dhënë sipërmarrjes së vogël të Elbasanit një fuqi të shtuar, për ti dhënë vajzave e djemve mundësi që të krijojnë punë për vete e për të tjerët. Të gjitha këto janë tani një horizont i dukshëm, i prekshëm, na duhet vetëm kurajë e vullneti për të shkuar drejt këtij horizonti, na duhet vetëm vendosmëria dhe besimi tek puna.

Nga ana tjetër, ne nuk duhet në asnjë mënyrë të biem pre e kënaqësisë për gjërat që kemi bërë sepse ka plot njerëz që janë të mërzitur, janë të pakënaqur, kanë humbur durimin e të gjithë ata unë i mirëkuptoj plotësisht por ama u them se nuk ka asnjë rrugë tjetër, se çdo rrugë tjetër është një iluzion, se çdo rrugë tjetër mund të jetë dhe një katastrofë.

Ata, të cilët kërkojnë të rikthehen, janë në të drejtën e tyre por ama janë po ata që i kemi provuar jo një herë, por dy herë e të dyja herët kemi parë që prova ka dështuar. Si mund të përsëritet përsëri e njëjta gjë e të pritet një rezultat tjetër. Është e pamundur. Nuk duhet të ndodhë e nuk do të ndodhë.

Unë ju them se ne sot jemi vërtetë të lehtësuar për faktin se kemi përmirësuar jashtëzakonisht shumë shërbimin e kujdesin për gratë dhe vajzat që në momentin e parë kur ato shkojnë në shkollë, si fëmijë. Sot kanë libra njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera të BE. Pastaj në momentin kur shkojnë në universitet. Sot nuk i del më njeri përpara, nëse e meritojnë marrin vendin sipas meritës dhe kjo vlen edhe për çunat e kjo vlen për të gjitha nënat që nuk kanë një burrë të famshëm, nuk kanë një burrë të pasur,  nuk kanë një burrë të lidhur me fijet e politikës, për të gjitha nënat që janë pjesë e një familje të zakonshme e duan garanci se investimi i tyre për fëmijën që të shkojë në universitet nuk do shkojë dëm, as për të marrë një diplomë false që nuk i duhet dreqit në fund e as për ta parë veten të parakaluar nga fëmija i deputetit, i ministrit, i një të pasuri. Kjo nuk ndodh më sot. Kjo është një arritje e rëndësishme.

Ashtu sikundër është një arritje e rëndësishme që ne nënave të reja ju ofrojmë një kujdes të veçantë, që nga ajo që përmendi Taulanti, tek kushtet e lindjes deri tek ndihma e menjëhershme e solidaritetit të pas lindjes për çiftet e reja. Janë gjëra të cilat sot duken sikur kanë qenë aty gjithmonë por jo, në fakt janë gjëra që kemi bërë bashkë e ka plot akoma për të bërë e sëbashku duhet e do t’i bëjmë.

Këtu në Elbasan ju jeni të gjitha të vetëdijshme sesa shumë është bërë për ta kthyer këtë qytet e për ta kthyer krejt këtë zonë në një zonë të qetë, në një zonë me rend, me qetësi, me siguri. Ashtu sikundër sa shumë është bërë për ta kthyer krejt këtë zonë në një zonë ku mund të marrësh frymë lirisht e të mos ndihesh i kërcënuar në shëndetin tënd dhe të fëmijëve të tu nga retë e zeza të plehrave që digjen mu pranë shtëpisë. Ashtu sikundër ju jeni të vetëdijshme se sa shumë është bërë për të mundur që fëmijët të shëtisin, të dalin, të takohen me njëri-tjetrin, të luajnë, në një qytet ku deri dje nuk kishe ku të dilje e ku të shkoje, nuk kishe mundësi të ndiheshe pjesë e komunitetit. Të gjitha këto nuk janë arsye për të thënë “sa bukur, tani po ndalojmë e po i bëjmë qejfin njëri-tjetrit”. Të gjitha këto janë vetëm arsye që tregojnë dhe provojnë se kush ka bërë këto mund të bëjë më shumë. Ka shumë akoma për të bërë dhe ka mundësinë që t’i bëjë. Këto i ka bërë fuqia e bashkimit tonë, këto i ka bërë fuqia për ta parë të ardhmen si një sfidë, jo si një fatalitet. Këto i ka bërë fuqia për të besuar se po, ky vend bëhet e ne sëbashku këtë vend do a bëjmë me se s’bën. Faleminderit!

 

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Shumë faleminderit,

Nuk besoj se ky shesh ka qenë më i bukur se sot me gra dhe vajza të Elbasanit.

Nuk duhet të harrojmë se 7 vite më parë se ky shesh ishte një shkatërrim total. Falë mbështetjes së kryeministrit Edi Rama ne startuam një proces të pakthyeshëm të transformimit të këtij qyteti.

Bashkë me Elbasan Arenën i dhamë Elbasanit shkëlqimin që po rritet çdo ditë e më shumë.

Ne e kemi provuar vetë dhe nuk kemi nevojë për eksperimenteve të tjera se vetëm falë stadiumit Elbasan Arena, Elbasani u shndërrua në momente të caktuar në kryeqytet të vendit. Nga e gjithë shqiptaria vinin këtu për të ndjekur kombëtaren kuqezi por padyshim edhe për të vizituar Elbasanin.

Ky është një nga modelet e shumta se përse Elbasani do shndërrohet në një magnet të turistëve jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Edhe kombëtarja kuqezi fiton vetëm në Elbasan Arena. Kjo është një arsye më shumë që Federata të vendosë për ti zhvilluar ndeshjet e kombëtares këtu.

Unë dua ti kujtoj vajzave dhe grave të Elbasanit një investim që është investimi më i rëndësishëm që Edi Rama dhe Partia Socialiste i ka dhënë këtij qyteti.

Nuk duhet të harrojmë që në Elbasan dikur vinte një tym mbytës i fushës së plehrave që për vite e vite me radhë nga 1992. Duhet të vinte Edi Rama dhe Partia Socialiste për të marrë një vendim të fortë me një kosto të madhe financiare, plot 22 milion euro, për ta shndërruar ish fushën e plehrave në një park dhe për ti dhënë qytetit një mushkëri të re, atë të impiantit të trajtimit të mbetjeve.

Sa herë që ne bëjmë një punë, pas punës sonë vijnë edhe ata që merren me llafe, baltë e thashetheme. Impianti për pak muaj do jetë pronë e Bashkisë së Elbasanit dhe të gjitha bashkitë e qarkut tonë do kenë mundësinë të përpunojnë mbetjet aty.

Ky ishte një prej shërimeve më të mëdha që i solli Elbasanit Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Megjithatë se çfarë kemi arritur të bëjmë deri tani është vetëm fillimi. Ky 4-vjeçar që vjen do jetë padyshim 4-vjeçari i Elbasanit.

Populli i Elbasanit që shquhet për bashkëjetesën fetare, për investimin në dije e në kulturë, që i ka dhënë Shqipërisë aq shumë, do dijë të ndajë fare mirë shapin nga sheqeri.

Unë nuk gjej asnjë arsye se përse një elbasanlli apo elbasanllije duhet të votojë listën e Partisë Demokratike. Ajo listë nuk përfaqëson aspak Elbasanin.

Le të më thotë edhe demokrati më i paepur se përse duhet të votojë listën e Partisë Demoktarike? Ata siç erdhën ashtu edhe do ikin.

Ndërkohë, nëse i hidhni një sy Partisë Socialiste kemi një listë të përbërë nga 5 gra dhe vajza të cilat vijnë nga profesionet më jetike të shoqrisë sonë. Një mësuese dhe profesoreshë si Evisi, një mjeke si Desantila, Marsida dhe Briseida vijnë nga Ekonomia dhe Albana një juriste shumë e zonja.

4 ndër to kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe vendosën të rikthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre.

Është shumë e domosdoshme që ne të bëjmë dallimin se vajzat dhe gratë në drejtim janë një arsye e fortë për ti besuar.

Në 23 vite në drejtim të Spitalit të Elbasanit ne kishim burra. Asnjëri nuk bëri asnjë punë. Ne para pak vitesh ja besuam drejtimin e Spitalit, Desantilës. Desantila bëri bashkë, me mbështetjen e qeverisë, një punë që flet vetë. Të gjithë e dinë si ishte Spitali Rajonal i Elbasanit dje dhe si është sot.

Kur ne futëm shërbimin e dializës në spitalin e Elbasanit prap filluan nga avazi ata të opozitës.

Të gjithë e dimë se çfarë halli i madh ishte shkuarja në Tiranë për shërbimin e dializës. Sot shërbimi i dializës është këtu.

Mos harrojmë shërbimin tjetër, atë të paisjeve mjekësore. Bisturitë në spitalin e Elbasanit ishin bisturitë e kohës së miqësisë shqiptaro-kineze. Vazhdonim operonim me të njëjtat bisturi ku pacienti hynte për apendesit dhe dilte me tre infeksione të reja.

Sot Spitali Rajonal i Elbasanit është më i miri pas QSUT-së. Unë jam shumë krenar që ne vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.

Imagjinoni pak sikur në të zgjohemi pas 25 Prillit dhe të shohim në vend të Ogerta Manastirliut, Nard Ndokën si Ministër të Shëndetësisë. Imagjinojeni. A mund t’ja besojmë ne sot shëndetin publik në Shqipëri një personi si Nard Ndoka? A mund t’ja besojmë ne financat publike Monika Kryemadhit?

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se mandati ynë i tretë nuk është një mandat për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste por është një mandat për Elbasanin. Është mandati i vijimit të transformimit të Qarkut tonë me njerëz kaq të mirë, kaq punëtorë e mikpritës.

Ne dje kishim një festë dhe prap na erdhi Luli. Bllokoi trafikun, bllokoi tunelin me makinat e sjella nga Tirana.

Luli ka qenë deputet edhe në 2009-ën në Elbasan. Çfarë bëri Luli në Elbasan? Një gozhdë nuk mbahet mend të ketë ngulur.

Të dashura, motra, nëna të Elbasanit unë jam shumë i nderuar që kemi ndërtuar një ekip me 15 kandidatë 100% bio nga Elbasani të cilët do ti japin Partisë Socialiste rezultatin më të mirë dhe historik që kemi marrë ndonjëherë. Plot 9 mandate ne do ti çojmë për të kontribuuar që Edi Rama të ketë mundësinë të çojë përpara reformat, ndër to reformën në drejtësi.

Vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste mund ta çojnë në stacionin përfundimtar Reformën në Drejtësi.

Faleminderit të gjithave!

Më lejoni të ftoj kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm