Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria do të bëhet e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë

Të reja

Shqipëria do të bëhet e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë

10 Apr 2021    

Këndi i fjalës Sarandë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Është kënaqësi e madhe që të shijosh në këtë orë dhe në këtë temperaturë fantastike, këtë hapësirë të re që po merr formën e vet përfundimtare. Duke i dhënë Sarandës një vlerë të re, duke iu ofruar të gjithë vizitorëve të saj një mundësi të re për ta shijuar këtë breg deti, pa qenë të detyruar të shtyhen me njeri - tjetrin apo të përballen me një shëtitje që shoqërohet nga gropa e pengesa të lloj-llojshme, siç ishin ato që e karakterizonin këtë hapësirë më parë.

Është vërtetë kënaqësi të mendosh që kjo hapësirë do të vihet në dispozicion të turistëve në një sezon të ri dhe të lehtësuar turistik, ku ne jemi duke punuar çdo ditë e çdo natë, më këmbëngulje të madhe, që të shkëpusim sa më shumë zinxhirin e infektimeve, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të imponuara nga pandemia, sezoni turistik të jetë një sezon me shumë më tepër prurje turistësh dhe natyrisht, dhe shumë më tepër të ardhura për të gjithë ata që jetojnë me turizëm.

Ne e dimë shumë mirë që burimi kryesor, i pazëvendësueshëm i ekonomisë të kësaj zone është turizmi. Ne sot ishim në disa nga pikat e tjera të kësaj zone ku pamë nga afër ndryshimet që vazhdojnë, nga uji 24 orë pas 100 vjetësh në Delvinë ku po përfundon një investim shumë cilësor dhe ku së shpejti familjet do të kenë në çezmë atë që kanë pritur, kanë kërkuar e iu është premtuar prej vite e vite të tëra, qysh sa ata kanë lindur në fakt, tek pjesa tjetër në Finiq ku kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme. Pastaj në zonën e Konispolit, ku sot prodhohet më shumë sesa në kohën e ashtuquajtur të artë për nga pikëpamja e prodhimit në raport me të sotmen, të kooperativave, falë punës së jashtëzakonshme të atyre njerëzve, por të mbështetur fuqimisht nga ne në të gjitha aspektet, jo vetëm të infrastrukturës rrugore, por edhe të infrastrukturës së ujitjes me investimin e  madh të kryer për rezervuarin strategjik të Janjarit dhe  sot pamë dhe rezervuarin tjetër poshtë në Mursi.

Është shumë e qartë që i gjithë ky ndryshim është një proces që vazhdon, një proces që në asnjë mënyrë nuk mundet, nuk duhet dhe nuk do të ndalet.

Nuk do të ndalet sepse njerëzit e punës, që e shikojnë politikën me syrin e interesit të tyre, jo me syrin e tifozit, e kanë të qartë që ne po ngjitemi e ngjitja është e vështire, maja që kemi caktuar si objektiv është e lartë. Sa më shumë ngjitësh, aq me shumë thonë që maja duket sikur largohet sepse ngjitja kërkon sforco të madhe, kërkon energji të madhe, kërkon këmbëngulje, kërkon durim të madh.  E për këtë arsye, shpeshherë vjen dhe ai tundimi për t’u ndaluar, për t’u dorëzuar, për t’u kthyer, ndërkohë që në politikë ky lloji tundimi ushqehet me  iluzionin e një ndryshimi që mund të bëjë të shkosh te maja në një rrugë tjetër, më të lehtë, e cila në fakt nuk ekziston.

Nuk ka një rrugë të lehtë për t’u ngjitur në majë sesa të vazhdosh me këmbëngulje ngjitjen. Këto iluzionet e rrugëve më të lehta e kanë marrë më qafë kombin shqiptar, popullin shqiptar më shumë sesa një herë në historinë e tij, që nga koha e Haxhi Qamilit ku njerëzit rendën pas berihait e pastaj u gjendën në mes të flakëve e në mes të  hirit, deri te koha më e re, kur iluzioni se mund të bëheshin të pasur pa punuar, duke dhënë një e duke marrë dy, i bëri të rendnin pas Sudes, pas Xhaferit e pas Vehbiut. E dimë shumë mirë sesi përfundoi përsëri në mes të flakëve e në mes të hirit. E nëse në kohët e mëparshme, personazhet që shkaktuan këto dhimbje të mëdha e këto vonesa të mëdha për popullin, kombin tonë, janë personazhe të historisë, personazhet e rasteve të fundit të flakëve dhe të hirit janë jo vetëm gjallë, por janë aktivë dhe janë pikërisht zgjedhja tjetër në këto zgjedhje.

Saliu dhe partia e tij, me një kryetar që është një kukull e kurdisur në duart e Saliut dhe Ilir Metës; Ilir Metës që është Presidenti i Republikës për fatkeqësinë e të gjithëve ne dhe që ka vendosur informalisht kandidaturën në Qarkun e Vlorës dhe zhvillon një fushatë skutash me subjektet OFL-së, premton lart e poshtë së do u nxjerrë njerëzit nga burgu atyre të cilëve u kërkon mbështetje, mbledh bashkë me atë Leskon e famshëm të fuçive të rakisë, që është fatkeqësia më e madhe që i ka rënë lumit të Vlorës në bagëti dhe prokurorë e gjykatës të korruptuar që u goditën nga vettingu. Janë mbledhur dhe lëvizin si një kope hijenash, duke u futur zgëqeve.

Nga ana tjetër, pa harruar për të mos lënë dy gurë bashkë, për të nxitur medoemos sa më shumë rrëmujë, konfuzion, pasiguri, duke arritur deri aty ku e panë të gjithë, te nxitja e bllokimit të aktivitetit jetik të trafikut ajror të Republikës së Shqipërisë, pa dashur fare t’ia dijë për dëmin e madh që një goditja e tillë çmendurake mund të sillte për vendin. Që nga bllokimi i vaksinave që natyrisht ka qenë një nga motivet më të forta për të thënë që s’ka më vaksina, te bllokimi i lëvizjes së njerëzve që donin të dilnin e të hynin, deri te bllokimi i arkivolëve për të ardhur e për t’u prehur në banesën e fundit në atdhe.

Ky është Ilir Meta sot, për fat të keq, kandidati i opozitës në Qarkun e Vlorës, së bashku me Leskon.

Nga ana tjetër është e habitshme skuadra e opozitës në Vlorë, së bashku me premtimin e tyre më madhor, të shfuqizojnë të gjithë ligjin e pronave. E keni parë një personazh në listë që as banon në Vlorë, as në Sarandë, askund në këtë qark, por ka një lidhje shumë të fortë në atë Qark. Ka letrat e pronave të grabitura me shantazhe, të grabitura me lidhje të shkurtra me pushtetin e Saliut. Mijëra e mijëra hektarë! Mijëra e mijëra nga ato hektarët që njerëzit autoktonë, i gjithë bregdeti kanë hequr picirin për t’i marrë dhe në ndërkohë që hiqnin picirin, janë detyruar rëndom t’ua shesin zarbove të ardhur nga Tirana. Ҫuditërisht pastaj shfaqen sipërmarrës emra dhe mbiemra që s’kanë asnjë lidhje me këtë trevë, fare. Shfaqen si autoktonë.

Nuk ekziston asnjë mundësi që të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër. Kush përsërit të njëjtën gjë dhe pret rezultat tjetër është budalla, thotë një fjalë e mençur. Të përsërisësh eksperimentin e zgjedhjes së atyre që janë bërë bashkë tufë, për të sulmuar plaçkën, duke synuar pushtetin, do të thotë një budallëk i madh për t’u rikthyer edhe njëherë mbrapa, sepse janë po ata dhe është fatkeqësisht po ajo menu, me po ato ide, me po atë program, i mishëruar në atë shprehjen e thënë paturpësisht; “para 8 vjetësh ndodhi një aksident”. Çfarë aksidenti ndodhi? Sipas tyre, populli lajthiti dhe i nxori ata nga zyra, me Saliun në krye. Me Saliun që në krye ishte dhe në krye është.

Tani kanë dalë në fushatë që të riparohet ajo lajthitje, që populli fajtor atëherë ta lajë fajin e vet duke i votuar ata. Me iluzionin se na paskan një program dhe na paskan një udhëheqës. Çfarë udhëheqësi është Lulzim Basha që, përveçse fle në këmbë dhe flet si një pllakë gramafoni që rrotullohet sipas rastit, nuk ka asgjë në dorë. Absolutisht! Një kukull e kurdisur! Ndërkohë që udhëheqësit tradicionalë të asaj opozite janë Saliu dhe Iliri. Janë ata që morën peng Aeroportin e Rinasit. Janë ata që janë gati ta djegin nga e para Shqipërinë, po të jetë nevoja, për të arritur synimin e tyre. Janë ata që i bashkon një ankth i madh, një pasiguri e madhe e humbjes përfundimtare të influencës së tyre mbi proceset e vendit dhe mbi të gjitha, mbi procesin e drejtësië. Këtë e di i madh e i vogël, këtë e di gjithë Shqipëria. Këtë e dinë edhe demokratët. E padiskutim që këtë e dinë edhe vetë ata që janë pjesë e asaj tufe, e atij taborri krushqish, që janë nisur për të tërhequr edhe njëherë Shqipërinë pas berihajt.

Ndërkohë që Shqipëria sot është në luftë në 2 fronte; Për të zhdukur përfundimisht pasojat e tërmetit katastrofik dhe për ta nxjerrë përfundimisht armikun e padukshëm jashtë, duke lënë pas tunelin e gjatë dhe sfilitës të pandemisë, që nuk ishte dhe nuk është një tunel për një palë. Është tunel për të gjithë, të gjithë të moshuarit, gjyshet dhe gjyshërit, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre, mësuesit dhe mësueset, mjekët dhe mjeket, infermierët dhe infermieret, policët dhe policet.

Kjo është një luftë dhe një luftë duhet fituar deri në fund. Një luftë nuk ndalet në mes dhe aq më pak pastaj, në një luftë nuk i besohet drejtimi atyre që sa herë u është dhënë mundësia të drejtojnë, kanë rrezikuar ta fusin popullin në luftë kundër njëri-tjetrit. Po një betejë të vetme për popullin dhe me popullin nuk e kanë fituar.

Ne nuk kemi dalë me një program elektoral si ato programet që jemi mësuar t’i shikojmë, t’i dëgjomë e t’i këndojmë për vite të tëra, sepse ne jemi qeveria e Shqipërisë, ne jemi shumica qeverisëse sot dhe do të jemi dhe nesër dhe ne jemi përballë njerëzve për të respektuar këtë detyrim të madh të demokracisë, që janë zgjedhjet. Pra, dalja përpara popullit dhe marrja e gjykimit të tij për vazhdimin e rrugës me një plan veprimi konkret, që është planë veprimi qeverisës në funksion të një vizioni që është vizioni im për Shqipërinë e 2030-ës, ku ne besojmë shumë se Shqipëria mund dhe do të bëhët e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Shtëpia ku ata që janë sot fëmijë dhe rriten në këtë vend të jenë krenarë jo vetëm për historinë, as vetëm për monumentet e kulturës, apo për tranditën shqiptare ose familjare, por të jenë kranar për kushtet e shtëpisë tyre.

Ne duam që Shqipëria e 2030-ës të jetë kampione e Ballkanit në turizëm. Është plotësisht e mundur, nuk është një ëndërr e pamundur, është një ëndërr e mundur. Kampione e Ballkanit në turizëm, kampione e Ballkanit në agroturizëm, kampione e Ballkanit në eksporte bujqësore. Ku më mirë se këtu në Sarandë mund të argumentohet që kjo është e mundur. Saranda, falë njerëzve të saj, pa pasur mbështetjen nga Tirana, arriti të bëhet një zonë tërheqëse. Me mbështetjen nga Tirana, fuqia e saj tërheqëse është rritur shumëfish, por mundësitë e Sarandës janë shumëfish më të mëdhaja se këto. Porti i ri turistik që ka nisur nga puna është një nga investimet më të rëndësishme strategjike për turizmin, jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë Shqipërinë.

Prodhimet fantastike në të gjithë zonën bujqësore dhe blegtorale të  Sarandës janë një garanci për të shkuar në atë destinacion që thashë, kampion në turizëm, kampione në eksporte bujqësore. Shifrat e turizmit dhe shifrat e eksporteve bujqësore këtu janë të atilla që e tregojnë qartë që mjafton të kemi këmbnguljen dhe durimin për t’u ngjitur dhe ne do të ngjitemi në atë majë.

Në agroturizëm, një fushë krejt e re që ne kemi hapur, ku kanë filluar të mbijnë farat e para, Saranda ka një potencial fantastik me të gjithë Qarkun e Vlorës. Gjithë zona e Finiqit është zonë e bekuar për të ndërtuar agroturizëm, gjithë zona e Konispolit, po ashtu, zona e Delvinës, zona e Lumit të Vlorës më lart, që së bashku me bregdetin dhe turizmin e detit mund të hyjnë në një sinergji fantastike.

Ne firmosim më në fund, pas një peripecie shumë të gjatë dhe sfilitëse, kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe jemi në kantier për shumë pak kohë, por me të firmosur kontratën që garanton që puna aty do të fillojë, ne do të lancojmë garën ndërkombëtare për aeroportin e Sarandës.

Është folur shumë, tani është koha që kjo gjë do të realizohet, nuk është dëshirë, është projekt i bërë gati, dokumentacion gare ndërkombëtare, i bërë gati dhe pa diskutim një tjetër histori suksesi, histori e vështirë suksesi. Për pak ditë ne hapim aeroportin e Kukësit, Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit. Investimet në aeroportin e Rinasit do të vazhdojnë tani me një ritëm krejt tjetër, ose më saktë, do të rifillojë pas një ndalimi prej shumë vitesh për shkak të koncesionarit të huaj, do kemi terminalin e ri, pistën e standardeve që garantojnë fluturimet trans-oqeanike për të shkuar dhe për të ardhur nga Amerika direkt dhe me aeroportin e Vlorës, dhe Sarandës, bëhemi me 4 aeroporte.

Gjatë mandatit të tretë, këto aeroporte, bashkë me portet e reja turistike, bashkë me të Sarandës që ka filluar, është ai i Vlorës dhe ai i Durrësit që nisin së shpejti e më pas do nisim Shëngjinin, do kemi një hartë komplet tjetër të Shqipërisë, me një mundësi komplet tjetër për të rritur eksponencialisht, jo vetëm numrin e turistëve, por dhe nivelin konsumator të tyre. Duke u ngjitur edhe në një kategori tjetër, në atë të turizmit që sjell shumë të ardhura, të turizmit të jahteve, resorteve elitare, ku punësimi është i madh dhe pagat janë më të larta, konsumi është i madh dhe mundësitë për prodhimet vendase janë shumë më të zgjeruara. Kështu, brenda kësaj dekade bëhemi kampionë të Ballkanit në këto  drejtime.

Sot jemi në kushtet kur e kemi kaluar fazën e mesjetës në menaxhimin e një pasurie të madhe, në një sektor super strategjik si energjia. Tani, me investimet e reja dhe të mëdha, ne do të mund të kthehemi në eksportues neto të energjisë që do të thotë, nuk do importojmë më kur nuk kemi shi, sepse me ndërtimin e Skavicës, falë marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe angazhimin e një prej kompanive më të mëdha amerikane, ne do të kemi rezervën e ujit për ditët kur nuk kemi shi dhe nga ana tjetër, nuk do derdhim më ujë kur kemi shumë shi, duke sjellë dhe përmbytje nga halli, por do të ruajmë prurjet. Eksportues neto në energji, falë dhe ndërtimit të dy parqeve të mëdhenj diellor, njëri në Karavasta që ka filluar dhe tjetri në Spitallë, për të cilin po lidhim kontratën me kompaninë franceze që fitoi, do të thotë që një sasi e madhe të ardhurash të mos shpenzohen më për t'i nxjerrë jashtë që të furnizojmë me energji elektrike njerëzit duke importuar energjinë, por të qëndrojnë këtu, të investohen këtu.

Për të vazhduar investimet në rrjetin elektrik, ku nuk ishte investuar që nga koha e elektrifikimit dhe ku akoma ka zona të tilla siç është zona ku ishim ne sot, në Konispol aty ku fermerët janë kampionë dhe me të drejtë e kanë problem sepse detyrohen të harxhojnë para pafund dhe të kenë probleme të mëdha për shkak të rënieve të rrjetit.

Tek rënia e rrjetit dua të qëndroj për të thënë se jo vetëm aty, por në të gjithë sektorët ne kemi bërë shumë, por pjesa që mbetet për t'u bërë është edhe më shumë dhe për këtë arsye e them gjithmonë dhe e diskutoj gjithmonë me kolegët që duhet mirëkuptues për mërzinë, pakënaqësinë e njerëzve. Njerëzit kanë të drejtë të ndjehen të mërzitur, kanë të drejtë të ndjehen të pakënaqur sepse duan më shumë, e duan më shpejt dhe ne duhet ta kuptojmë mirë këtë gjë dhe duhet të bëjmë çmos të përshpejtojmë ritmet dhe t'i bëjmë gjërat më mirë pasi, pa diskutim kemi bërë gabime, me siguri më shumë gabime sesa nga ato që ne dimë, por ama, është e sigurt që ne në këtë periudhë prej 1 mandati e pak, e një lufte që vazhdon se nuk kemi patur dy mandate qeverisëse normale, por në mes një luftë që mund të kishte gjunjëzuar një elefant, kemi vendosur sidoqoftë disa baza shumë të forta për t'u ngjitur më tutje në të gjithë sektorët dhe po ashtu u kemi dhënë njerëzve të punës disa karta të reja në dorë. Sot të gjithë këta që kanë dyqanet këtu dhe baret, restorantet, kanë një pronë që vlen më shumë seç vlente më parë në drejtimin e kësaj shëtitoreje dhe si këta janë me dhjetëra dhe mijëra të tjerë.

Sot, këta dhe afro 100 000 si këta e kanë zero taksën e fitimit dhe e kanë zero TVSH-në. Madje, diku aty na përshëndetën disa dhe më thanë janë të PD-së, por janë të kënaqur me këtë punë këtu. Ata të PD-së e kanë zero taksën, e kanë zero TVSH-në. Për çfarë arsye duhet të shkojnë të votojnë për PD-në, për derisa kanë zëri taksë dhe zero TVSH e nuk kanë asnjë lidhje me inspektimet dhe me detyrimet që kërkon shteti. Përveç sigurimeve shoqërore e shëndetësore që nuk janë për shtetin, janë për secilin nga punonjësit, për pensionin e për shëndetin.

Ndërkohë që PD-ja e ka thënë, do sjellë mbrapsht atë taksën që është krijuar për të mbështetur më të pasurit në kurriz të më të varfërve, për të mbështetur ata që kanë më shumë në kurriz të atyre që kanë më pak, taksën e sheshtë 9%. Domethënë, ata e kanë zero e do votojnë PD-në që ta marrin nëntë!

A ia vlen të paguash taksë 9% çdo muaj, për të çuar Lulin që të flejë tek Kryeministria?

Luli mund të flejë kudo, më besoni. Unë kam qenë me të, kam treguar barcaletat e dynjasë që mos ma zinte gjumi se shkoi shumë vonë. Kjo është e vërtetë. Ai mund të flejë tek SHQUP-i, mund të flejë në shtëpi, mund të flejë në makinë siç e patë, pa problem fare. Ku ka një vend të mbështesë kokën, ai fle. Madje më besoni që edhe kur është duke folur, ai është duke fjetur, por ka mësuar të flasë në gjumë, prandaj është komplet i papërgjegjshëm në atë që thotë. Një herë thotë thyeni xhamat, shpojini gomat, pastaj del e thotë të kundërtën e asaj. Një herë shfaqet si radikal ekstremist, një herë shfaqet si djalë i mirë. Varet si është kurdisur.

Përtej tij, mbrapa tij qëndrojnë ata që e kurdisin. Ka mundësi që shumica dërrmuese e shqiptarëve të dojë prapë Ilir Metën dhe Sali Berishën në jetën e tyre? Të dojë që Shqipëria të hyjë prapë në një fazë pasigurie e të përfundojë prapë në buzë të një humnere tjetër?

Kështu ka ndodhur dhe herën e dytë, pavarësisht se humnera nuk ishte aq e dukshme dhe aq e tmerrshëm sa ajo e ’97-ës, por shteti ishte në falimentim. Borxhi ishte një mal i lartë. FMN-ja na tha sapo fituam, ulni rrogat, ulni pensionet se nuk keni me çfarë t’i paguani në fund të vitit. Ne i thamë jo, do bëjmë reformën në energji. Këtë e kemi dëgjuar shpesh thanë, por kjo nuk funksionon se kështu thonë të gjithë kur vijnë në qeveri. Unë u thashë se ne nuk jemi si të tjerët, ne do ta bëjmë reformën në energji, që ishte gropa më e madhe. Ashtu sikundër edhe reformën e ujit ne po e çojmë përpara e sot kemi plot zona që e kanë ujin 24 orë e plot të tjera ku kantieret janë të hapura për ta bërë ujin 24 orë. Brenda vitit të ardhshëm, ne do të kemi përfundimisht 24 orë ujë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë dhe çështja e ujit do jetë një çështje që do i përkasë të shkuarës si problem, si temë diskutimesh apo si premtim fushatash.

Miqtë e mi!

Ne duhet me patjetër të garantojmë që Shqipëria nuk kthehet mbrapa dhe që ngjitja jonë të vazhdojë edhe më e vendosur, edhe më e shpejtë. Por për t’u ngjitur më lart, më shpejt, duhet shumë më tepër forcë. Për t’u ngjitur më lart dhe më shpejt duhet karakter. Karakteri ynë është sprovuar tanimë e për të gjithë ata që duan të bëjnë vlerësimin e karaktereve në këtë fushë beteje, ne kemi karakterin të testuar në dy përballje të jashtëzakonshme, me tërmetin dhe me armikun e padukshëm.

Me tërmetin që, kur u zgjuam të nesërmen, askush nuk e besonte që ne mund të ringriheshim më të fortë me këtë shpejtësi që po ringrihemi, duke kthyer çdo ditë familje në shtëpi më të forta, më të sigurta, më të bukura, edhe më të mëdha në të shumtën e herës. Duke kthyer përditë fëmijë dhe mësues në shkolla që as nuk krahasohen me ato që ishin.

Ja pra që ne ia dolëm!

Ashtu sikundër askush nuk e besonte që ne do të ishim një nga vendet me ritmet më të larta të vaksinimit masiv në kontinentin ku jetojmë, në mes të Europës. Ndërkohë që BE-ja na la vetëm në momentin e parë, ne dhe të gjithë këtë lagje të rrethuar nga kufijtë e BE-së që quhet Ballkani Perëndimor e nuk kishim asnjë dalje. E pra, për ta kapërcyer atë mur rrethues duhet karakter, duhet vizion, këmbëngulje e madhe dhe durim. E nuk është e rastit që sot ne vaksinojmë masivisht. Nuk është e rastit që sot janë dhjetëra mijëra gjyshe e gjyshër që po buzëqeshin, të çliruar nga ai ankthi i tmerrshëm që prej më shumë se një viti nuk takonin dot fëmijët e tyre. Detyroheshin të iknin nga shtëpitë në qytet në shtëpitë në fshat për t’u mbrojtur apo qëndronin mbrapa derës dhe e merrnin ushqimin tek dera nga frika krejtësisht legjitime që mund të shkonin në botën tjetër nga një infektim.

Ja ku po ndodh, siç do ndodhi që ne do ta vazhdojmë vaksinimin masiv dhe sezoni turistik në Shqipëri do të jetë një sezon shumë më i lehtësuar, sesa në shumë vende të tjera.

Këto janë teste të karakterit e janë po ashtu prova konkrete të të qenurit në drejtimin e duhur. Kur ne arrijmë të thyejmë fuqinë e jashtëzakonshme shtypëse të dy goditjeve kaq të mëdha, pse nuk arritkemi të bëhemi më të mirët në gjithë këtë anë të botës, në këtë rajon ku jetojmë? 

Ne do t’ia arrijmë, por kjo arrihet me shumë punë, me shumë durim e me shumë këmbëngulje, se ngjitja është shumë e vështirë dhe njerëzit duhet të zgjedhin qartë midis vështirësisë për t’u ngjitur e lehtësisë për të rrëshqitur prapë poshtë.

Jua kam thënë më përpara, kur kemi ardhur në fillim, që ne do bëjmë për Sarandën dhe për Vlorën më shumë se të gjithë sëbashku. Besoj që kjo nuk ka më diskutim tani. Nuk ma ha mendja se e diskuton njeri. Nuk ma ha mendja se ka një zonë në këtë qark që ta vëri në diskutim që, pavarësisht këtyre vështirësive të jashtëzakonshme që na e kanë ulur ritmin në drejtime të tjera, kemi bërë për gjithë këtë qark dhe për gjithë Shqipërinë, - por jemi këtu tani, në Qarkun e Vlorës, - më shumë se të gjithë ata, në të gjitha vitet e tyre të marra sëbashku.

Sot po ju them që në mandatin e tretë, ne do bëjmë më shumë se në të dyja radhët e mëparshme, të marra sëbashku. Do ta tejkalojmë tanimë vetveten, jo ata. Do ta tejkalojmë vetveten e do mblidhemi këtu prapë, kur të jemi duke shkuar drejt fundit të mandatit të tretë. Unë ju siguroj që Saranda dhe Vlora do të jenë ngjitur në një nivel tjetër nga ky ku jemi sot, jo nga ai që ishim se nga ai që ishim jemi ngjitur. Kjo është arsyeja pse në 25 prill, këtu duhet votuar jo për partitë, as për të majtë e për të djathtë, duhet votuar për veten, për familjen, për komunitetin dhe për Qarkun e Vlorës. Këtu duhet votuar në mënyrë patriotike, jo në mënyrë politike. E të votosh në mënyrë patriotike sot, do të thotë të votosh për t’u ngjitur më lartë, jo për të rrezikuar të rrëshqasësh shumë më poshtë. Do të thotë të votosh për të shkuar përpara, sëbashku, me një emërues të përbashkët, punën!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm