Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria do të bëhet e ardhmja jonë

Të reja

Shqipëria do të bëhet e ardhmja jonë

14 Apr 2021    

Kënd fjale në Burrel - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Faleminderit për mikpritjen dhe e mirëkuptoj gjithë nervozizmin e Gonit, sepse donte që të kishim një takim më të madh, ta kishim jashtë, por nuk janë numrat në takime që tregojnë forcën, por janë numrat në votime që tregojnë forcën.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar si shqiptarë, siç kemi qenë qysh në ditën e parë kur u detyruam të mbyllemi, për t’ia dalë deri në fund kësaj lufte ku çdo ditë po fitojmë terren ndaj armikut të padukshëm dhe ku më shpejt se shumë të tjerë po e shohim dritën që zmadhohet në fund të tunelit. Të bashkuar të besojmë fort tek fakti që krahas vaksinimit masiv duhet të jemi të kujdesshëm me distancimin.

Është shumë e rëndësishme që vaksinimi masiv të ketë sukses të plotë, një orë e më parë dhe Shqipëria e tëra të buzëqeshë përsëri, siç buzëqeshin sot, çdo ditë, mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë që pas një sfilitjeje shpirtërore, psikologjike, por edhe një vështirësie më të madhe ekonomike për shkak të pandemisë, të vaksinohen dhe ndjehen të çliruar.

Është një moment në jetën time ku vërtet ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe ku është një mundësi reale shumë e prekshme për të kuptuar sa e rëndësishme është që politika të bjeri në duart e duhura. Ne jemi mësuar që ta trajtojmë politikën si një të keqe. Ne jemi mësuar që, kur flasim për politikën, të kemi parasysh politikanët, të kemi parasysh gjithçka, për fat të keq, jo të mirë që politikanët bëjnë. Të kemi parasysh edhe hendekun e madh që politikanët janë të aftë të krijojnë me njerëzit. Rëndom, sidomos mes të rinjve, ju dëgjoni shprehjen “varja se është e kotë. Politika është e pisët. S’dua t’ia di fare për politikën, nuk dua t’ia di se kush fiton e kush humbet, nuk dua t’ia di fare për votën”.

Në fakt, politika është e vetmja armë që kanë njerëzit që kanë vendosur të jetojnë së bashku, qysh se kanë dalë nga pyjet dhe kanë ndërtuar komunitet e pastaj kanë menduar se si të organizohen në një shtet, për të bërë gjërat që të vetëm nuk i bëjnë dot. Për të organizuar mbrojtjen e tyre, për të organizuar sigurinë e brendshme të komunitetit, për t’u organizuar përmes kontributeve të tyre që të ndërtojnë infrastrukturën, spitalet, çerdhet, kopshtet, shkollat, që të  garantojnë se ata që janë më të pamundur të ndihmohen. Të gjitha këto i bën politika.

Pa politikën kthehemi në gjendjen natyrale Pa politikën jemi ujq, që hamë njëri-tjetrin.

Natyrisht që politika ka bërë edhe shumë gjëra të këqija në historinë e njerëzimit, sepse politika i ka pjellë edhe fashizmin, edhe nazizmin, edhe totalitarizmin komunist. Edhe shumë luftëra në dëm  të popujve, politika i ka bërë. Por pa politikën, njerëzimi nuk do të kishte arritur dot të shkonte deri në hënë, e as të vizitonte marsin e të hidhte syrin e vet në gjithë galaktikën. Pa politikën, kurrë nuk do të kishte marrë fund skllavëria, kurrë gratë e vajzat, nënat e motrat nuk do kishin pasur mundësinë të kishin të drejta të barabarta me burrat, me djemtë, me vëllezërit, me baballarët. Pa politikën, kurrë nuk do të kishte lindur sistemi i mbështetjes sociale. Pa politikën nuk do të ishin krijuar as SHBA-ja, as BE-ja. Pa politikën nuk do te kishim arritur të kishim as Shqipërinë e lirë e demokratike.

E pra, politika është shumë e rëndësishme dhe të thuash unë s’merrem me politikë, s’dua t’i dëgjoj as zërin e erën, bën një gabim të madh. Sepse në ndërkohë, politika, do s’do ti, merret me ty, ti dhe familja jote ndikoheni drejtpërdrejtë nga vendimet e politikës, nga sjelljet e politikës. Çdo gjë jashtë pragut të shtëpisë ndryshon për mirë ose ndryshon për keq në varësi nga politika.

Pa politikën, Shqipëria nuk do të ishte sot duke bërë vaksinimin masiv, sepse, nëse vaksinimi masiv do të ishte diçka që do të ndodhte vetvetiu, do ta bënin të gjithë. Nuk është e rastësishme që sot Shqipëria është duke e fituar luftën kundër armikut të padukshëm, edhe më shpejtë se plotë të tjerë, që janë edhe më të mëdhenj e më të fortë se Shqipëria. Ndërkohë që rreth nesh, në vendet fqinje, akoma përpëliten, akoma nuk e kanë mundësinë të nisin vaksinim masiv.

Është politika që ka arritur  këtë rezultat, është politika që ka arritur dhe po arrin  çdo ditë  rezultatin deri dje të paimagjinueshëm, të kthimit në shtëpi të mijëra e mijërave familjeve që e humbën çatinë. Momentin kur ra tërmeti, për pak sekonda u gjendën në rrugë e humbën gjithçka. Po të mos ishte politika, do të kishin mbetur rrugëve.  Dhe nëse politika nuk do të kishte qenë e duhura, do të ishin akoma rrugëve.

Nuk e harrojë kurrë kur kam ardhur për herë të parë këtu. E pabesueshme, një vend ku askund ku të hidhje sytë nuk e shikoje politikën, por shikoje vetëm boshllëkun e lënë prej saj, vetëm pluhur, rrëmujë. Sot, ky është një vend që po merr jetë hap pas hapi, me vështirësi, pa diskutim. Por sot, Mati nuk është gjëkund i krahasueshëm me atë që ishte. Sot, ëndrra shekullore e ujit të pijshëm nuk është me një ëndërr që do të vazhdojë dhe një shekull tjetër, por është thjesht dhe vetëm një çështje kohe, sepse po investohet fuqishëm në të dy ujësjellësit që e bëjnë qoftë Burrelin, qoftë Matin me 24 orë ujë. E këtë e bëri politika! Sikundër, politika e keqe nuk e bëri kurrë. Por politika në shërbim të njerëzve po e bën realitet.

Unë e di shumë mirë e le të themi kanë të drejtë, ata që thonë: “akoma me ujin e pijshëm merreni”. Patjetër, sepse ne nuk kemi 100 vjet në drejtim dhe kur ne morëm detyrën situata ishte katastrofike. Kur Goni erdhi në bashki, unë e mbaj mend shumë mirë çfarë bisede kemi bërë në momentin kur i thashë ti do kandidosh. Më tha, Kryeministër, jam shumë i qartë që nuk po shkoj në një vend pa vështirësi, jam shumë i qartë për të gjitha vështirësitë, por, nëse nuk më premton që do t‘i japim ujin 24 orë matjanëve, të lutem mos ma kërko të shkoj.

Sot, unë arrita këtu nga rruga e Arbrit që është duke përfunduar. Një ndryshim i jashtëzakonshëm me të gjitha herët dhe nuk kam ardhur pak herë këtu nga rruga tjetër. Ndërkohë fjala e parë që dëgjova ishte shumë e bukur rruga e Arbrit, por është rruga Burrel-Rrëshen, e cila u ndërtua nga ata, të cilët sot duan të kthehen prapë dhe për 6 muaj e mori shiu dhe e mori era.

Sigurisht që do ta bëjmë dhe rrugën Rrëshen-Burrel, nuk diskutohet, por e sjell këtu në vëmendjen tuaj për t’ju thënë që politika e bën dhe politika e zhbën një vend. Varet se në çfarë duarsh bie politika. Bie në duar që punojnë gjithë ditën, apo bien në duar që gjithë ditën mendojnë si të futen në xhepat e të tjerëve.

Shumë e thjeshtë. Pse të mos bëhej rruga e Arbrit për vite e vite të tëra? Pse të lihej gjithë kjo pjesë e parajsës shqiptare komplet e fshehur?

Këtu nuk dua t’ju flas për ato që kemi bërë. Nuk dua t’ju flas as për tërmetin, as për virusin sepse jemi duke e fituar këtë luftë. Jam sot këtu t’ju flas për atë që vjen më mbrapa. Për atë që në fakt është pyetja e secilit prej jush. Në momentin kur të kërcënohet jeta, kur sheh se mund të humbasësh gjyshin, gjyshen, mund të humbasësh nënën, babain, larg qoftë, të gjitha të tjerat kalojnë në plan të dytë. E vetmja gjë është siguria e jetës. Natyrisht, në atë moment nuk mendon për gjëra të tjera.

Por në momentin që sheh se tanimë jeta jote është jashtë rrezikut, gjëja e parë që mendon me të drejtë është, çfarë ka mbrapa? Si do dalim nga ky tunel? Si do jemi pas 1 viti, 2 e 3 vjetësh? Si do jetë ekonomia jonë, e familjes time, e komunitetit? Çfarë arsyesh më shumë do kem unë, një djalë, një vajzë 18 vjeç që të rri këtu në Mat dhe mos detyrohem të iki përgjithmonë, duke i kthyer kurrizin vendlindjes time. Si do bëjmë ne që Dielli i Shqipërisë, që është aq i mrekullueshëm për të gjithë ata që vijnë për ta shijuar nga gjithë bota, apo për që kanë mundësi ta shijojnë, të ngrohë çdo familje këtu e çdo shqiptare.

Përgjigja nuk është e vështirë. Nga një anë, ne i kemi të gjitha ato që na duhen. Ajo parajsë që është spektakël për sytë dhe për zemrën kur kalon sot rrugën e Arbrit, nuk është thjesht e bukur për t’u parë, por është aty gati për njerëzit që duan t’i arrijnë gjërat me punë, për njerëzit që besojnë tek puna dhe te suksesi përmes punës. Për njerëzit që nuk rrinë të presin nga qielli t’ju vijnë lekë, siç premtojnë ata të cilët kanë marrë rrugët e Shqipërisë dhe premtojnë lekë. Për njerëzit që udhëhiqen jo duke ju thënë “lekë, lekë, lekë”, por duke ju thënë “punë, punë, punë”.

Sa shumë të rinj kanë emigruar nga kjo zonë e sa shumë prej tyre i kanë shtëpitë e gjyshërve, shtëpinë e babës këtu në këtë zonë. Asgjë nuk i mungon kësaj zone, për të pasur gjithmonë e më shumë turistë, vizitorë, tanimë që nuk është më një zonë kaq e largët, por një periferi e Tiranës. 40 minuta janë koha normale për të shkuar nga qendra e një qyteti europian në periferi.

Ne do t’u japim 5 mijë euro çdo djali dhe vajze, çdo burri dhe gruaje që janë në emigracion dhe që duan të hapin shtëpinë e vjetër të gjyshit dhe babës për ta kthyer në bujtinë, për të ndërtuar një agroturizëm me produktet e zonës dhe për të fituar çdo muaj më shumë sesa fitojnë me punën për dikë tjetër në emigracion. Njëkohësisht do t’u bëjmë një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, për t’i sjellë këtu, pa iu kërkuar llogari se i kanë mbajtur në bankë apo i kanë mbajtur poshtë jastëkut, mjafton të mos jenë para të krimit dhe ato para të vinë këtu se janë para gjaku, djerse, para shqiptarësh, të hidhen këtu, që e gjithë kjo parajsë të fillojë të shikojë të çelin këto lule të një ekonomie të re. Agroturizmi është një ekonomi, e cila mban një pjesë të madhe të Italisë rurale. Italia është një parajsë, ka 70% të trashëgimisë kulturore botërore. Është e pakonkurrueshme nga askush, përsa i përket njerëzve që duan të shkojnë ta shohin. Italia ka një bregdet fantastik, ka zona fantastike për të kaluar pushimet në verë, por Italia rurale është e tëra e mbushur nga iniciativa e njerëzve të zakonshëm që i kanë kthyer shtëpitë e tyre, tokën e tyre, natyrën e mrekullueshme që i rrethon në burim të ardhurash të vazhdueshme.

Kjo është e mundur. Ne do ta bëjmë këtë, që të shkojmë drejt asaj ëndrre që e unë e kam parë me sy hapur, jo me sy mbyllur, ditën që kam vendosur të mos vazhdoj më të jem një emigrant në Paris, edhe pse jeta ime në Paris nuk ka qenë jetë e vështirë, me thënë të drejtën. Por të qëndroj këtu me bindjen e thellë që, çfarë unë kam parë me sy hapur, si një majë ku Shqipëria nuk ka arsye pse të mos mbërrijë, është një majë e arritshme.

Çfarë ka Kroacia më shumë se ne? 4 milionë banorë, 9 aeroporte, vendi i 7 i botës në turizëm. Pse ne të mos jemi kampionë të Ballkanit në turizëm dhe agroturizëm dhe pse me turizmin dhe agroturizmin, çdo familje shqiptare, qoftë pranë bregut apo majë malit, të mos ketë më shumë të ardhura seç mund të ketë duke shkuar në emigracion për të punuar për të tjerë në lloj-lloj punësh, stresesh, me gjithë farë pasojash. Aq më tepër kur mendoj për gjithë ato vajza e djem që shkojnë atje, me shuma marramendëse që i marrin borxh dhe bien pre e rrjeteve më të ndyra kriminale.

Nuk është vetëm turizmi e agroturizmi, por dhe mundësia që ne të investojmë shumë më tepër tek të rinjtë, për t’i bërë gati për të hyrë në një treg shumë më i madh se vetë Shqipëria, ku çdo vajzë e  djalë mund të hyjë e të ketë të ardhura shumë më të larta se te ardhurat që merr në një vend pune në shtet apo privat. Mjafton që të jetë i armatosur me dijet e teknologjisë digjitale. Për këtë, ne do të vazhdojmë të ngremë një rrjet qendrash. Edhe këtu në Dibër do kemi një qendër të trajnimit intensiv me metoda bashkëkohore që brenda 4 muajsh, një vajzë apo djalë i talentuar të dijë sesi hyhet në botën e kodimit, në botën e krijimit të aplikacioneve, start-up-eve, në krijimin e punës për vete, pa lëvizur nga shtëpia.

Unë nuk po ju tregoj gjëra që ndodhin në Amerikë. Janë gjëra që ndodhin në Shqipëri. Ka plot të rinj, - nuk janë shumë, por mjaftueshëm, si një provë që është e mundur, - pa asnjë mbështetje, as vëmendje, nga kuzhina, dhoma e gjumit kanë hyrë në tregun e madh global online dhe marrim 1-2 mijë deri në 5mijë euro. Tani është koha.

Nuk e nuk e kemi bërë më parë sepse jemi përballur me dy sfida që do kishin rrëzuar përtokë një elefant e jo më një Shqipëri të vogël dhe me kaq shumë shtrëngime ekonomike, krahasuar me Amerikën, Anglinë, Gjermaninë etj.. Jemi përballur me një tërmet të tmerrshëm katastrofik, me një pandemi drithëruese, të frikshme. Kur ja kemi dalë me këto të dyja, si nuk ia dilkemi që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Shtëpia ndërtohet nga themelet. E kemi gjetur shtëpinë e Shqipërisë në llucë, e keni gjetur si ndërtim pa leje dhe pa kushte, që nga momenti në moment mund të rrëzohej jo nga ndonjë tërmet i tmerrshëm, por nga kolapsi i brendshëm në financat e  një shteti rrumpallë.

E kemi gjetur Shqipërinë pa semaforë, pa rregulla qarkullimi, pa asgjë që të thuash ky është shteti. Një rrumpallë e madhe.

Kemi hedhur bazën për drejtësinë, për një arsim dinjitoz. E kemi gjetur arsimin në Shqipëri me male librash të shkruar nga lloj-lloj kopjacësh, me një program tekstesh alternative që ju i keni kaluar kur keni qenë më të vegjël dhe me një korrupsion të përbindshëm në sistemin e prodhimit të librave. Dhe e kemi futur arsimin e fëmijëve tanë në një sistem krejt tjetër. Sot, një fëmijë nga Mati, nga Kalaja e Dodës, nga Konispoli, një fëmijë nga çdo cep i Shqipërisë që shkon në shkollë ka librin e Oxford, Cambridge, Pearson. Nuk ka libra nga kopjacët e pushtetit. I kemi dhënë vajzave dhe djemve që çojmë në shkollë një sistem të ri arsimimi. Një metodologji tjetër, një tjetër organizim të ngarkesës mësimore. E deri para se ne t’i hynim kësaj pune, as e imagjinonte dikush nga ju, - të çohet të ma thotë kush e imagjinonte.

Ju jeni të gjithë vajza dhe djem familjesh të zakonshme, prindërish që dalin nga shtëpia në 5 të mëngjesit dhe vijnë në darkë të lodhur e të rraskapitur, por gjithsesi me djersën e tyre të ndershme vazhdojnë investojnë për ju. Duke qenë fëmijë prindërish të zakonshëm, pa mbiemra të mëdhenj, pa pasuri të madhe e pa lidhje me X apo Y, e mendonit që mund të shkonit në universitet me rezultatet tuaja dhe të zini vendin që meritoni në bazë të rezultateve dhe të mos kishte zot në tokë, fëmijë ministri, deputeti, politikani, biznesmeni që t’ju zinte vendin padrejtësisht?

 As nuk e keni imagjinuar, por sot, ky është realitet prej disa vitesh. Keni dëgjuar më që, kur shkojnë në universitet, të rinjtë ankohen se ua ka zënë vendin dikush tjetër?

Nuk ka më asnjë ankesë sepse kemi ndërtuar një sistem online, i cili është transparent, konkurrues, meritokratik dhe që nuk mund të preket se lë gjurmë.

Nuk ka më asnjë ankesë sepse kemi ndërtuar një sistem online, i cili është transparent, konkurrues, meritokratik dhe që nuk mund të preket se lë gjurmë. Edhe unë kryeministri e kam të pamundur, nëse për një moment do të çmendesha e të thosha fusni djalin e filanit t’ia zërë vendin djalit të dikujt që nuk e dimë nga vjen, sepse sistemi nuk ta pranon.

Pata se të vinim në detyrë, këtu diskutohej për universitete fantazma, për investim gjaku të prindërve për fëmijët me shkollë të lartë që përfundonin në lumë, sepse kishte një diplomë që nuk i duhej dreqi, bazuar në vizionin se të gjithë do të bëheshin juristë, ekonomistë e do punonin në shtet. Në fakt u bënë rreshta mijëra kilometrikë me të papunë. Vajza  djem të dëshpëruar e me prindër të grabitur, me universitete piramida.

Sot ka ende shumë për të bërë për universitetin. Prandaj unë dua që në këtë mandat të tretë të nisim tjetër betejë të madh për të sjellë universitetet e huaja në Shqipëri, për t’i integruar universitetet tona me ato të huaja, për të pasur programe të njëjta me ato që merren në çdo universitet në Itali, Gjermani, Greqi, Turqi e kudoqoftë. Për të bërë që më të mirët të mos thonë pse të shkoj në universitetin e Shkodrës, Vlorës, Elbasanit, Korçës apo Tiranës e aty nuk e marr gjithë atë që është mundi im dhe po shkoj jashtë shtetit, por jashtë shtetit kushton shumë m tepër për prindërit, por edhe për vendin se pastaj e ke të vështirë të mendosh se do kthehesh. Ndërkohë nëse këto programe janë këtu, më të mirët kanë dy zgjedhje, mund të shkojnë jashtë shtetit, se ne nuk do ta bëjmë Shqipërinë bunker nga e para, zgjedhja për të shkuar jashtë është zgjedhje e lirë e çdokujt. Por kanë dhe zgjedhjen të shkojnë në çdo universitet brenda vendit e të marrin aty diplomën që vlen po aq sa jashtë shtetit. Si mund të bëhej kjo me gjithë ato universitete fantazma nëpër këmbë, me një universitet publik të degraduar e të braktisur, që punonte me një sistem të korruptuar! E pamundur!

E pra, gjërat duan kohën e tyre.  Kohës mund t’i marrim kohën jo duke ndenjur në kafene, as duke rënë pre e rrugëve të shkurtra, që siç thotë populli, të nxjerrin gjithmonë gjatë. As duke premtuar çudira, por duke punuar çdo ditë e më fort, duke këmbëngulur çdo ditë e më fort, duke duruar çdo ditë e më shumë. Duke mos harruar kurrë se ngjitja është e vështirë, duke mos rënë pre e lodhjes kur ajo të thotë ndalo, duke mos rënë pre e zemrës që rreh gjithmonë e më fort nga vështirësia e të thotë pusho,  duke mos rënë pre e mendjes që fillon e thotë gjej një rrugë më të shkurtër. Por duke thënë jo, maja është aty, unë do ngjitem aty dhe kësaj pune i ka vdekur nëna.  

Nga ana tjetër, është gjithmonë një sirenë joshëse. Jetojmë në një botë ku jo të gjithë janë guximtarë, të durueshëm, të vendosur e prandaj jo të gjithë ia dalin. Prandaj edhe ekzistojnë sirenat joshëse të atyre që kanë dalë nëpër Shqipëri e premtojnë lekë. Lekë për ata që lindin, që sot në fakt marrin shumë stërfishin e asaj që merrnin kur vijnë në jetë, merrnin 50 mijë lekë të vjetra. 

Përfitoj nga rasti që t’ju uroj dhe këtu të gjithë besimtarëve myslimanë këtë muaj kaq të rëndësishëm për ta dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që fillimi i këtij muaji përkoi me një moment jashtëzakonisht optimist kundër armikut të padukshëm. Kështu u bë e mundur që jo vetëm të shtyhet ora policore, por ç’është më e rëndësishme, kështu bëhet e mundur që bashkë me përfundimin e Muajit të Ramazanit, ne të dalim në një tjetër nivel në luftën kundër armikut të padukshëm.

Miqtë e mi të rinj dhe të dashur, është shumë e rëndësishme që ju që jeni këtu të bëni çdo përpjekje me ata që keni të moshës suaj, për t’ju thënë që vota ka një vlerë të madhe dhe vota ka lindur pikërisht se ka një vlerë të madhe. Kush thotë të kundërtën s’kupton asgjë dhe bie viktimë e asaj të keqeje që thuhet se ndodh kur fatin tënd ia delegon të tjerëve. Atëherë mos u qaj nëse fati yt është i keq, sepse e kanë vendosur të tjerët për ty që të jetë kështu. Ata që nuk votojnë mbajnë përgjegjësi për faktin se lënë që ata, të cilët nuk e meritojnë të kenë më shumë shanse.

Unë dua të fokusohem në fund tek një e vërtetë që unë e ndiej dhe e shoh njësoj siç ju shoh juve këtu, që jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm kur realisht jemi gati për të bërë një kërcim të madh, jemi gati për të bërë të mundura gjëra që deri dje ishin komplet të pamundura. Jemi gati që me një paketë masive investimesh të hapim për Shqipërinë porta të reja nga qielli, nga deti e ta bëjmë Shqipërinë një vend shumë më të vizituar e të vizitueshëm duke krijuar shumë më tepër shanse për ata që jetojnë këtu që të përfshihen në këtë transformim të madh. Jemi gati që rritjen ekonomike të mos e shohim më si një rritje ekonomike që nuk i thotë asgjë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë por si një rritje ekonomike bashkë, si një rritje ekonomike që fuqizon jo vetëm Shqipërinë, por që fuqizon çdo familje, që fuqizon çdo vajzë e çdo djalë që jeton në një familje e cila beson tek puna, e cila fiton përmes punës dhe e cila është gati të punojë edhe më shumë për të fituar edhe më shumë.

Jemi gati për ta bërë këtë kapërcim, jemi gati për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, jemi gati për të shkuar drejt asaj pike ku Shqipëria të bëhet e ardhmja e çdo të riu e çdo të reje, si një shtëpi e përbashkët ku vajzat dhe djemtë e këtij vendi, ku im bir, i vogli, nesër kur të rritet edhe pak të mos jetë krenar vetëm për historinë e lavdishme, të mos jetë krenar vetëm për natyrën e magjishme, të mos jetë krenar vetëm për traditën e familjes vetë por të jetë krenar për shtëpinë e përbashkët të shqiptarëve e pastaj, të vendosi vetë nëse do të qëndrojë apo do të provojë një eksperiencë tjetër po ama në asnjë mënyrë të mos jetë i detyruar të largohet se në atë shtëpi nuk ka vend për të. përkundrazi, ne mund ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, si një shtëpi të përbashkët ku ka për secilin një vend që të jetë gur i rëndë në vend të vetë sepse zoti na ka falur gjithçka që na duhet dhe sot kemi bërë aq shumë punë a mjafton për të parë se e kemi vënë themelin e fortë, se vetëm duhet durim dhe këmbëngulje për të vazhduar të ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët.

Nuk jemi ende në fazën që kemi hedhur çatinë prandaj ka plot e pot probleme, ka plot e plot halle, por jemi duke ndërtuar por të shkojmë në 25 prill e të kthejmë rrugë, është njësoj si të fillojmë nga e para, t’i vëmë kazmën themeleve siç ia kemi vënë herë të tjera. Pyetini prindërit tuaj, ju keni qenë të vegjël por ata të cilët sot vijën t’ju kërkojnë votën janë po ata që ishin atëherë kur një farë Rrapush Xhaferri dilte nëpër rrugë me makina, me buri, me muzikë dhe e prisnin nëpër rrugë turma njerëzish me këngë e me valle. Ky Rrapush Xhaferri u premtonte njerëzve lekë, më jep një, të jap dy dhe ti nuk ke nevojë të punosh, jam unë këtu për ty. Sa njerëz ranë pre e kësaj marrëzie, ranë pre e tundimit për t’i rënë shkurt? Sa njerëz ranë pre e idesë së mund të shisnin bagëtitë e tyre, mund të shisnin shtëpitë e tyre të vjetra e me Rrapush Xhaferrin të mos kishin nevojë të punonin tokën, të mos kishin nevojë të milnin lopën, të mos kishin nevojë fare të mendonin se si do hidhnin një kat tjetër për djalin apo vajzën që do martohej, t’i bënin lekët pak nga pak, por shumë shpejt, aq shumë sa të jetonin të gjithë si të pasur.

Çfarë u erdhi mbrapa ishte e tmerrshme për ta, e tmerrshme për Shqipërinë!

Më jep një, të jap dy e në fund morën të dy gishtat mu në dy sytë, u qëruan të tërë, u rrethuan nga flakët që i vunë vetes dhe Shqipëria e tërë u përvëlua dhe u desh një dekadë për të filluar ta rimarrë veten.

Ne nuk kemi kohë për të humbur e aq më pak nuk është e mundur që në vitin 2021, ne të biem pre e këtyre recetave çudibërëse që do na vika një parti e do na vika një tabor, një krushqi që do na e bëkan jetën rrafsh, që do ua bëkan jetën fushë me lule atyre që janë me ndihmë ekonomike, që do ua bëkan jetën fushë me ule djemve dhe vajzave, që do u mbakan të gjithëve ju këtu në Shqipëri duke ju dhënë lekë, Noc Rrokun do t’ju japin, por Noc Rrokun ku ta gjesh se me atë edhe und të qeshësh, por do ju japin një farë noc rroku që mos ta mblidhni veten për vite të tëra.

Dhe ju këtu në Mat e keni shumë të thjeshtë. Janë po ata që Matit ia morën votën çerek shekulli me radhë e çfarë bënë! Nëse më merrni përdore e më tregoni këtu një shkollë, më tregoni këtu një kopsht, më tregoni këtu një çerdhe, një kënd lojërash, një fushë futbolli që jua bënë për 25 vjet e që është akoma aty, atëherë unë do filloj të mendohem e mund të them që keni një farë të drejte. Hajde, më merrni për dore dhe më tregoni një, por nuk ka!

Ndërkohë nuk ka nevojë t’jua tregon, të ma tregoni ju por as  unë t’jua tregoj juve se sa shkolla, sa shkolla, sa kopshte, sa çerdhe, sa hapësira publike, sa rrugë, sa kilometra ujësjellës, sa kanale vaditëse e kulluese janë vënë në punë qysh se qeveria jonë dhe bashkia e Matit janë bërë bashkë dhe mos harroni, Rruga e Arbrit nuk është një rrugë që do t’ju lidhi ju shpejt me Tiranën. Nuk është një rrugë  për të shkuar më shpejt në tiranë për një dasmë, nuk është një rrugë për të shkuar më shpejt në Tiranë për të takuar miq. Nuk është një rrugë për të shkuar më shpejt në tiranë çunat e për të dalë e për të parë a janë bërë apo jo pjeshkat. Edhe për këto është por është një rrugë që të gjithë Dibrën e kthen në jastëkun e gjelbër të Tiranës dhe është një rrugë që të gjithë ata që jetojnë në Tiranë e të gjithë ata që vijën ën Tiranë, e do të vijnë gjithmonë e më shumë turistë dhe vizitorë, ta marrin edhe të kalojnë këtej, qoftë dhe për një ditë të vetme por sa më shumë të bëjmë ne këtej bashkërisht, sa më shumë agroturizma të hapim, sa më shumë bujtina, sa më shumë produkte t’i vëmë në dispozicion nga produktet e zonës, aq më shumë kjo rrugë do të jetë rruga e një transformimi që në një dekadë, ju do të habiteni sesa shpejt ndodhi, ju do të habiteni se çfarë ndodhi.

Por ama rruga nuk mjafton. Rruga është aty por mund të mbetet aty si një rrugë vetëm për të lëvizur në rast se politika në tiranë nuk ka sytë për ta parë të ardhmen e nuk ka gjunjët për të shkuar drejt të ardhmes me vendosmërinë më të madhe.

Besoj se nuk ka njeri që nuk e njeh. Leo Messi, kur ishte i vogël thoshte unë do luaj në Camp Nou e të gjithë qeshnin se Leo Messi kishte një sëmundje në gjëndrën e hipofizës dhe nuk zgjatej. Kishte shumë talent, por fizikisht ishte e pamundur që Leo Messi do bëhej Leo Messi dhe kur e morën me skuadrën e m të vegjëlve filluan ta trajtonin me ilaçe e shpresat që ai do bëhej një lojtar futbolli në ligën e parë ishin të zbehta, që Leo Messi do bëhej Leo Messi nuk i shkonte njeriu në mendje. Dhe ai u bë ai që është sepse Leo Messi e pa me sy hapur ëndrrën e vetë dhe pati të gjithë vendosmërinë, pati të gjithë kokëfortësinë, pati të gjithë durimin, pati të gjithë kurajën që ti shkonte deri në fund ëndrrës që e pa me sy hapur.

Besojini çdo ëndrre që e shikoni me sy hapur dhe matnin mirë forcat. Çdo ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur mund ta realizojë por, dhe këtu ka një por shumë të madhe e prandaj jo të gjithë arrijnë të bëhen ata që janë dhe që duan. Mesa asaj ëndrre me sy hapur dhe teje është në mes një det i tërë për tu kaluar në këmbë, një det i tërë ku gjatë ecjes nuk mjafton të ecësh por duhet të përballesh me dallgë të jashtëzakonshme, udhët të përballesh me lloj – lloj qeniesh që të vijnë nga poshtë e duan të të hanë, duhet të përballesh me lloj – lloj rrufesh që të vijnë nga lart, duhet të përballesh me të gjitha të zezat por ama nëse ti thua jo nuk ka, unë do shkoj atje ku jam nisur, të jesh i sigurt që do arrish e nëse ne themi, në 25 prill jo nuk ka, karakteri shqiptar që ne e admirojmë kur dëgjojmë historitë e të parëve, kur lexojmë për heronjtë tanë, kur u dëgjojmë këngët, ku i lëvdojmë, kur flasim për flamurin, kur flasim për shqiponjën është në provë në 25 prill. Nëse ne vendosim karakterin tonë si garanci, atëherë të jeni të sigurt që Shqipëria do të bëhet, ose do të bëhet e ardhmja jonë. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm