Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 prillit - UJI dhe ENERGJIA -Vizioni 'Shqipëria 2030'

Të reja

Rruga drejt 25 prillit - UJI dhe ENERGJIA -Vizioni 'Shqipëria 2030'

18 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Ujë, ujë, ujë.

Drita, drita, drita.

Ka qenë tash vite e vite një nga kërkesat bazë të popullit. Uji i pijshëm, i cili edhe në të shkuarën, përpara rënies së regjimit komunist, nuk ishte i kudondodhur, për hir të së vërtetës, 24 orë, por ishte malli që u bë vërtet i shumë i kërkuar ndaj të gjitha qeverive.

Premtimi më i përsëritur i të gjitha forcave politike qysh në fushatat më të para, ka qenë “24 orë ujë”. E kemi premtuar dhe ne dhe ka vetëm një ndryshim mes nesh dhe tjerëve. Është i njëjti ndryshim si kudo, në çdo drejtim dhe për çdo gjë, gjithmonë:

Ne themi atë që do të bëjmë dhe punojmë fort pa pushim për të bërë atë që themi. Po, kemi 7 vjet, 8 vjet dhe prapë ka plot familje, komunitete dhe zona, ku uji nuk vjen 24 orë. Pse nuk e keni bërë, mund të thotë sot shumëkush.

E pra, nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë dhe deti mes të thënës ujë 24 orë dhe të bërës realitet të ujit të pijshëm 24 orë në çdo rubinet, më besoni, ka qenë një nga detet më të mëdhenj, ndoshta më i madhi dhe më i dallgëzuari që ne kemi pasur përpara nesh kur morëm detyrën. Edhe më i madh, edhe më i dallgëzuar se ai deti i tërbuar që na ndante mes të shkuarës dhe së ardhmes në sektorin e energjisë, ku e mbani mend të gjithë. E mbani mend të gjithë se çfarë rrumpalle dhe çfarë vjedhje e kthyer në sistem ishte, ditë-natë, prej thuajse çerekshekulli.

Për ujin gjetëm 23 strategji kombëtare dhe 78 dokumente strategjike. 23 strategji kombëtare për 23 vjet, nga ’90-ta e deri në 2013-ën, financuar nga lloj-lloj entesh dhe donatorësh, miliona e miliona euro, që ishin një tregues shumë kuptimplotë i një fakti drithërues.

Uji i pijshëm, çdo burim me rrjedhë ujë në Shqipëri ishin në mëshirë të fatit.

Sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm, një sistem totalisht i korruptuar politikisht dhe ndërmarrje të ujësjellësit të falimentuara financiarisht, të kthyera në fole punësimi për partitë që i linin vendin njëra-tjetrës, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin vendor dhe i gjithë sistemi i furnizimit ishte realisht në kolaps.

E thashë që në fillim që furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë nuk është se ishte një problem i zgjidhur për të gjithë territorin dhe për të gjitha pjesët e Shqipërisë, edhe më parë. Mua më kujtohet që kur shkonim me pushime në shtëpinë e gjyshes në Vlorë duhet të shkonim ta mbushnim ujin e pijshëm diku tek një çezmë e përbashkët në rrugicën e lagjes në Skelë.

E ndërkohë që ai sistem nuk ishte në gjendje t’i furnizonte të gjithë 24 orë me ujë kudo, Shqipëria u përball me një bombë demografike nga spostimi biblik i masave të njerëzve që përfituan me plot të drejtë nga liria e lëvizjes dhe u grumbulluan në qendrat e mëdha urbane duke rritur faktikisht në mënyrë marramendëse nevojën për ujë të pijshëm, e një sistem të vjetër ndërtuar për një numër shumë më të vogël konsumatorësh. Për më tepër, në një kohë kur biznesi privat nuk ekzistonte.

Kjo solli një efekt dëmtor paralel me efektin dëmtor të verbërisë, dritëshkurtësisë, paaftësisë qeverisëse, efektin e sulmit mbi sistemin, mbi infrastrukturën e ujit të pijshëm me qindra mijëra lidhje të paligjshme.

Ne e nisëm me konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit, me krijimin e një Agjencie Kombëtare, e cila koordinon nga lart investimet dhe menaxhimin në sistemin e furnizimit me ujë dhe njëkohësisht, edhe të administrimit të mbetjeve, me një plan strategjik investimesh dhe me një financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri pas tjetrit, natyrisht, në bashkëpunim edhe me qeverisjen vendore.

Qeveria jonë ka miratuar vetëm gjatë mandatit të dytë 320 projekte në Këshillin Teknik të Agjencisë Kombëtare dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur në rang vendi mbi 200 kantiere për veprat e ujësjellës- kanalizimeve, që do të sjellë 24 orë ujë, brenda këtij viti, në territore, komunitete, qendra urbane, që e ka pasur këtë një vuajtje dhe një lëngatë prej shumë dekadash.

Ama mandati i tretë qeverisës do të garantojë në disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është edhe problemi më i madh, pasi ka ndodhur edhe përqendrimi më i madh si rezultat i një lëvizjeje masive të popullsisë në vite, që ka sjellë nevojën masive për investime në sistemin e furnizimit me ujë. Kur them Tiranë, 24 orë ujë brenda mandatit të tretë, përfshi Kamzën dhe Vorën. Por e njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën, me Shkodrën, me Durrësin, ku s'ka pasur ujë 24 orë kurrë, as atëherë më parë dhe as më pas dhe ku sot ka një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë. Sidoqoftë, përfshijmë Elbasanin, Kukësin dhe krejt vijën turistike të Shqipërisë, nga Velipoja në Sarandë. Me rritjen e buxhetit për ujin në mandatin e tretë, me 40%, falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar për këtë sektor jetik nga qeveria gjermane, ajo franceze e zviceriane, do të garantojë më në fund 100% ujë të pijshëm, 24 orë, në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji pijshëm nuk do të jetë më një temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë.

Pak shifra ndër shumë që mund të sillja dhe besoj që më pas do të më ndihmohjnë qoftë për ujin, qoftë për energjinë tre menaxherë, të cilët janë realisht persona që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kalimin në një nivel tjetër të këtyre sektorëve.

Lidhur me furnizimin me ujë në këtë rast shifrat janë:

Në vitin 2013 në rang territori e kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare.

Në dhjetor të këtij viti si mesatare në rang territori, do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë, 24 orë ujë në ditë.

Ne kemi hyrë në një proces transformimi në disiplinimin e marrëdhënies mes konsumatorit dhe këtij malli jetik, por mall sidoqoftë njësoj si edhe energjia, duke mbuluar me matësa në nivel kombëtar praktikisht 81% të popullatës në vitin 2020 dhe në fund të vitit që jemi 95.6%, që do të thotë thuajse dyfishin e popullatës që kishte një matës uji në vitin 2013.

Më tej akoma, për të skalitur pak shifrat kryesore, e dini sa ishte furnizimi me ujë mesatar në zonat urbane në vitin 2013? 11 orë.

Brenda këtij viti shkon në 21 orë e gjysmë dhe rritja është thuajse 100%.

Sfida e ujit është një sfidë që po fitohet. Kur them po fitohet kam parasysh se është një sfidë krejt e ngjashme me të gjitha sfidat e tjera që po fitohen, që do të thotë na duhet ende punë akoma për të fituar sfidën e rindërtimit, për të fituar sfidën me pandeminë, për të fituar të gjitha sfidat për të cilat kemi kthyer punët në kantiere të gjithë sektorin dhe për të dalë në një nivel tjetër

Niveli i humbjeve në sektorin e ujit dhe energjisë ishte katastrofik, po katastrofik, po katastrofik! Në sektorin e energjisë shkonte deri në 50% dhe këtu rolin kryesor e luanin vjedhjet dhe mospagesat. Sot kemi arritur në një nivel që është 21% që ka të bëjë me ato që quhen humbje teknike, të cilat po rikuperohen hap pas hapi me investimet e reja që i keni parë dhe për të cilat do të flasë një nga pjesëmarrësit në këtë seancë të sotme të tregimit të planit tonë të veprimit të 2021-2025, ku sidoqoftë na vlen patjetër që ta rifreskojmë pak kujtesën jo për të thënë apo për t’iu kërkuar të mendoni se “Shiko ç’mrekullira kemi bërë”, por në asnjë mënyrë për ta vendosur pozicionin ku jemi sot mbi perspektivë në raport me të djeshmen dhe në raport me të nesërme.

Ne do ta çojmë në mandatin e tretë nivelin e humbjeve teknike në atë 10% e gjithë pranuar botërisht në një normalitet në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. E pamendueshme vetëm 7 vite më parë, kur nisi një nga reforma më të rëndësishme shtetbërëse në vendin tonë.

Po arkëtimet? Arkëtimet ishin po ashtu një gropë e madhe. Sot, ne kemi dyfishin e arkëtimeve, sepse sot, ne kemi të përfshirë të gjithë qytetarët në një proces transformimi që nuk do të kishte ndodhur e nuk mund të ndodhë në vijim pa ata, pa qytetarët që u bënë bashkë me ne, për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, duke e ndarë mendjen të gjithë së bashku se nuk mundet dot të vazhdonim të jetonim duke ia hedhur njëri-tjetrit dhe duke i hapur vetes një gropë të madhe ku rrezikonim të shkonim në një kolaps total energjitik, me 1.2 miliardë borxhe të trashëguara nga vjedhjet e nga mospagesat.

Kemi bërë investime në sektorin e energjisë që nuk janë bërë kurrë ndonjëherë. Investime, të cilat, mos harroni, janë bërë në një realitet ku 80% e rrjetit të shpërndarjes e gjetëm në moshën mbi 40 vjeç, ku në rrjetin shpërndarës kemi gjetur deri dhe relike që ishin akoma në punë të vitit 1936, të vitit 1948, të vitit 1952. Një tmerr!

Sot e gjithë ditën, me të drejtë shumëkush qahet pse kur fryn një erë e fortë ikën energjia apo pse, kur bie një borë, ikën energjia. Përtej faktit që erërat e forta dhe borëra shumë intensive mund të bëjnë ndërprerje të energjisë edhe në mes të Amerikës, siç e keni parë të ndodhë, por nuk është kjo, është fakti që duhet të vazhdojmë investimet në rrjetin e shpërndarjes, ku kemi investuar afro gjysmë miliardi dollarë e ku kemi ndërtuar një seri të tërë veprash. Janë projekte madhore, të jetësuara në Tiranë, në Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, në zonat bregdetare deri dhe në zonat e thella rurale.

Unë si kryetari i opozitës pata vizituar Valën e Martaneshit, ku nuk kishte drita prej 17 vjetësh.

17 vjetësh! Edhe aty pa drita.

Aktualisht, për vitin ku jemi, pavarësisht goditjeve të marra nga tërmeti e nga pandemia që na kanë detyruar të rishikojmë shumëçka në planet e bëra në kushte normale për kushte normale, vazhdojnë investimet.

Investime të rëndësishme dhe prioritetet kryesore për mandatin e tretë janë;

- Të rrisim sigurinë e furnizimit për të gjithë, përmes fuqizimit pikërisht të kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrike;

- Të ndërtojmë e të transformojmë nënstacionet e tjera në rang vendi, nga Shkodra në zonën e bregdetit Jon, nga Velipoja në Pogradec, nga Lezha në Fushë – Krujë, në Valias e në Kamëz, sa për të numëruar disa që janë kyçe;

-Të vijojmë të ndërtojmë një rrjet të ri 20 kilovolt me një seri kabinash të tjera, të cilat do të garantojnë në kompleks me masat e tjera, një siguri të re energjitike e një cilësi krejt të re të shërbimit;

- Të fuqizojmë aspektin teknologjik smart, digjital, në monitorim e në operim përmes një sistemi që tanimë është i instaluar në Shqipëri e që tanimë e ka atë bazë të nevojshme për t’u shtrirë e për t’u zhvilluar duke telekomanduar në distancë të gjitha kabinat dhe duke filluar pjesë - pjesë nga Shkodra në zona të tjera, pasi është ndërtuar zemra këtu në pellgun Tiranë – Durrës. Kështu, duke pasur në kontroll një sistem të tërë përmes sinjalizimeve në çast të defekteve, përmes uljes së kohës ende më shumë të riparimeve, përmes monitorimit online të ngarkesës.

Një fakt që ka rëndësi të thuhet. Kur ne morëm detyrën, Shqipëria ishte në vendin e 154-rt në botë në klasifikimin e Doing Bussines nga Banka Botërore për kohën e lidhjes së energjisë elektrike për një subjekt.

E 154-ta në botë!

Sot, ne kemi kapërcyer më shumë se 100 vende dhe jemi në 2020-ën, në klasifikimin e fundit, në vendin e 44-rt në botë. Mos harroni se deri në vitin 2016, ju ishit në ankthin e faturave afrofe, një mënyrë faturimi perverse, e cila faktikisht ishte një formë mbledhjeje parash jo duke bërë që secili të paguajë atë që i takon, por thjesht duke futur duart në të gjitha xhepat e mundshëm, për të siguruar mbijetesën në pasiguri të vazhdueshme të vetë sistemit që rrezikonte të binte, pikërisht në atë gropë borxhesh të hapura nga vjedhjet e nga mospagesat.

Afrofeja u zhduk, ashtu sikundër u zhdukën shumë të këqija të atij sistemi që ishte i tëri një afrofe qeverisjeje të atyre që sot pretendojnë të rikthehen dhe të rikthehen duke propozuar gjëra që mezi i hoqëm nga sistemi. I kanë në program!

Ne kemi sot një sistem, i cili është aq afër dhe aq transparent dhe i kontrollueshëm për qytetarin, konsumatorin, klientin e OSHEE-së, sa që duket e pamendueshme që ajo që kemi jetuar nuk ka qenë 70 vjet më parë, por ka qenë vetëm deri 7 vite më parë.

Duke thjesht u kthyer edhe një herë mbrapa, kujtoni radhët e pafundme e stresuese, rraskapitëse, me klithma, me sherre, me shtyrje, ndonjë sharje që nuk mungonte asnjëherë majtas – djathtas, për të paguar energjinë elektrike, në shi, në të ftohtë, nën diellin e nxehtë. Ndërkohë që sot, pagesa e energjisë elektrike bëhet me komoditetin më të madh, jo vetëm në sportele që nuk kanë asgjë të ndryshme nga sportelet në Francë, në Gjermani, në gjithë Europën, por edhe nëpërmjet telefonit ku secili mund të kontrollojë ecurinë, jo vetëm të konsumit të vet, as vetëm të faturës e të pagesës, por mund të kontrollojë dhe ecurinë e çdo ankese. Numri i ankesave që ishte një llahtar që derdhej rrugëve, sepse askush nuk hapte telefonin të dëgjonte një ankesë dhe kur ne vumë sistemin e leximit të ankesave, ishte marramendës. Sot ka rënë në 0.3% të të gjithë numrit të faturimeve.

Kjo është një arsye më shumë që gjithsekush, kur mendon se çfarë duhet të bëjë në 25 prill, pa i hequr asnjë presje e realisht pa u përpjekur që t’i heq një presje ankesave, pakënaqësive, sëkëlldive, zhgënjimeve e të tjera e të tjera, të ndajë mendjen shumë qartë, ka kohë të kthehemi mbrapa?

Ka hesap Shqipëria të kthehet mbrapa apo është koha për të vazhduar pa pushim, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë?

Natyrisht që, është koha për të vazhduar pa pushim, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Unë nuk jam i përsosur, larg prej kësaj, unë nuk jam pa gabime, pa diskutim. Të metat, disa mi njihni, të tjera nuk mi njihni, por i kam siç i kanë të gjithë. Ama një gjë është e sigurt. Unë jam këtu për të luftuar për secilin prej jush e për të luftuar për të gjithë ne bashkë, sepse unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e djalit tim të vogël. Unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e fëmijëve tuaj më të vegjël.

Unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja jonë e përbashkët e Shqipëria të jetë shtëpia, ku çdo fëmijë i kësaj Republike të ndihet krenar dhe të mos dojë të largohet prej saj, apo kur të largohet për të bërë një eksperiencë tjetër, të ketë padurimin për t’u kthyer prapë në shtëpinë e vet.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm