Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 prillit - SHKOLLA dhe UNIVERSITETI në Planin e Veprimit 2021-2025

Të reja

Rruga drejt 25 prillit - SHKOLLA dhe UNIVERSITETI në Planin e Veprimit 2021-2025

16 Mar 2021    

 

Nuk ishte para 70 vjetësh, por vetëm para rreth 7 vjetësh koha e zymtë kur figura e mësuesit ishte rrënuar plotësisht. Koha kur fati i vendit të punës së mësuesit varej nga tekat e politikës, teserat e partisë, tarafi dhe ryshfeti i dikujt jashtë profilit apo pa arsimin përkatës që i zinte vendin dikujt tjetër, sa hap e mbyll sytë. Koha kur mësuesit e Shqipërisë ishin vetëm të braktisur në mes të boshllëkut gërryes, kur arsimi shqiptar digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur.

 

Nuk ishte në fushata zgjedhore të shumë kohëve më parë pas përmbysjes së komunizmit, por deri dy fushata më parë, deri në 2013-ën, gati çerek shekulli pasi komunizmi na la shëndenë, koha kur mësuesit viheshin në rresht dhe mbushnin sheshet e mitingjeve elektorale të kryeministrit të kohës, apo vendet e shfaqjeve politike të partive në pushtet kundër opozitës, si të ishin ata figurantët e paradave të dikurshme të 1 majit komunist, që parakalonin kundër mbarë botës.

 

A ju kujtohet? Ishte vetëm një dekadë më parë rasti skandaloz kur mësuesit u përdorën për t’i bërë karshillëk opozitës që protestonte për hapjen e kutive të votimit. E, po njësoj do të përdoreshin dy vite më pas, në atë koncertin makabër në sheshin “Nënë Tereza”, kundër marshimit të opozitës në nderim të dëshmorëve të 21 janarit. E detyroi Departamenti i Shtetit atë farë “burri shteti” të hiqte dorë nga ai makrabitet dhe mësuesit i shpëtuan me atë rast një poshtërimi të egër.

 

Sot, mitingjet e kryeministrit në oborret e shkollave ku fëmijët dëgjonin të sharat për opozitën duken si pjellë e një fantazie të shthurur, por në kohën e largët, kur drejtonin këta që duan të rikthehen në drejtim, për ta vënë arsimin nën hyqmin e Markut, të Gjekmarkut, ishte realitet i hidhur i marrëdhënies me shkollën.

 

Ja ku i keni tre ministrat e arsimit të KÇK-së. Dy personazhe autosatirike të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për fjalor sharës, shpifës foltore më foltore. Vër kujën për çdo gjë që bëhet, për çdo punë që niset; Kundër Reformës në Arsim; Kundër Reformës në Universitet; Kundër çlirimit të shkollës nga tekstet e Bari Fahrninjve dhe Muço Tafajve të kohës, kundër, kundër e kundër me të shara dhe me kuje. Vetëm imagjinoni njërin nga tre në krye të arsimit dhe merrni me mend pastaj fëmijën tuaj, mësuesin e fëmijës tuaj, shkollën e fëmijës tuaj, larg qoftë, në duart e kujtdo të këtyre të treve.

Unë jam krenar që Partia Socialiste e çliroi shkollën nga kthetrat e politizimit absurd dhe i ktheu mësuesit dinjitetin e figurës së tij qendrore në shoqëri, duke vendosur në bazën e sistemit arsimor pacenueshmërinë e vendit të punës së mësuesve në detyrë dhe meritën në rekrutimin e mësuesve të rinj.

Sot, mësuesit “e vjetër”, por që kanë aty vendin prej kohësh, janë të palëvizshëm nga ai vend për tekat e politikës apo me forcën e tarafit e të ryshfetit. Ndërsa të rinjtë e fitojnë vendin e punës përmes një institucioni të pavarur, transparent e të patejkalueshëm, portalit “Mësues për Shqipërinë”, i cili është kthyer në një mekanizëm ligjor, ekskluziv për rekrutimin e mësuesve. Plot 11 mijë e 78 mësues e mësuese janë sot pjesë e sistemit tonë arsimor, falë konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe klasifikimit në atë portal në këto vite transformuese për shkollën, por mbi të gjitha, për dinjitetin e mësuesit.

 

Nuk ishte para 70 vitesh, por vetëm deri para 7 vitesh koha e zymtë kur tekstet shkollore, jo vetëm u kushtonin shumë familjeve të zakonshme të këtij vendi, por ishin stiva të frikshme mediokriteti ku gëlonin autorët kopjacë, lulëzonte frymë autodidaktike “bjeri t’i biem” dhe sundonte favorizimi partiak “kap çfarë të kapësh” në linjat e prodhimit të librave të shkollës, pa llogaritur dhimbjen e kokës së mësuesve, dhimbjen e kokës së prindërve, dhimbjen e kokës së fëmijëve, zhytur në kënetën e atyre teksteve zhauritëse ku dukej jo sikur të vinin në sy germa, por sikur sulmoheshe nga mushkonja që pickonin e që nuk linin fillin e mendimit të zinte radhë.

 

Sot, tekstet shkollore janë falas për 250 mijë nxënës dhe librat e fëmijëve tanë, të fëmijëve të Shqipërisë, janë prodhime të shtëpive prestigjioze të Oxford, Cambridge dhe Pearson. Shtëpi prestigjioze që furnizojnë me libra fëmijët e Europës e që janë sot një pikë referimi e palëvizshme me tekstet e tyre, me metodologjinë e tyre, me qartësinë e tyre, për gjithë trupën tonë mësimore.

 

Sot, gjithë infrastruktura shkollore është në një transformim të vazhdueshëm e deri sot, ne kemi investuar 130 milionë dollarë për 263 shkolla të reja ku mësojnë 114 mijë nxënës. Këtë vit vazhdon pa pushim me 3 turne, në të shumtën e herës, rindërtimi i 120 shkollave të reja për 40 mijë nxënës të tjerë.

 

Të gjithë i kanë parë shkollat e rilindura pas atij tërmeti katastrofik të 15 muajve më parë. Shkolla fantastike, pa asnjë dallim nga shkollat më të mira, jo nga çdo shkollë, por nga më të mirat e çdo vendi të Bashkimit Europian, me arkitekturë të standardeve të larta, falë kontributit të talenteve kombëtare e ndërkombëtare që u mblodhën së bashku për këtë nismë rilindëse pas goditjes së një fatkeqësie tronditëse. Shkolla me kushte optimale për mësimin, edukimin fizik, aktivitete jashtë mësimore. Shkolla, qendra të mirëfillta komunitare.

 

Por thënë të gjitha këto, jam unë i pari që shtoj, nuk mjaftojnë.

 

Vizioni “Shqipëria 2030” për shkollën kombëtare shkon shumë përtej këtyre që kemi bërë dhe ambicia jonë për shkollimin e fëmijëve është shumë më e madhe se kaq, është shumë më e madhe sesa një infrastrukturë e standardeve europiane. Është shumë më e madhe sesa libra të prodhuar në shtëpitë më prestigjioze të Europës. Është shumë më e madhe sesa klasa ku mësuesit ndihen në vendin e tyre e ku askush nuk guxon t’ua prekë vendin ku ndihen ashtu siç ne ua kemi për detyrë t’i bëjmë të ndihen.

 

E pra, nuk mjaftojnë pagat e mësuesve që i kemi rritur 32%, e prandaj në mandatin tonë të tretë do t’i rrisim 40%. Nuk mjaftojnë as ato që kemi bërë në arsimin e lartë për universitetet, ku këta ja, dolën, e nxorën kokën, sapo dëgjuan fjalën universitet. Vijnë nga universiteti, këta që duan të rikthehen në drejtimin e arsimit e janë këta që morën në qafë breza të tërë studentësh me kristalet, vitrinat, ufot, llamarinat, magazinat e shitblerjes së diplomave, duke organizuar rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare pas asaj të firmave piramidale, në këmbim të gënjeshtrës së dytë më të madhe, të arsimimit të lartë për të gjithë, pas asaj të pasurimit jep një e merr dy për të gjithë, duke nxjerrë rrugëve të Shqipërisë numrin më të lartë të juristëve për kilometra katror në kontinentin tonë.

 

Duke krijuar sistemin më të kapur arsimor nga plagjiatura, krahinarizmi, nepotizmi, partitizmi, parazitizmi i trupës pedagogjike, duke e kthyer hyrjen në universitet një biznes ekonomiko politik në favor të lekut, të mikut, të krushkut, të partisë e të djallëzisë në dëm të talentit, të konkurrencës e të meritës së vajzave dhe djemve të sapodalë nga matua.

 

Unë jam krenar për një arritje që e kanë prekur, e kanë jetuar, e kanë shijuar, vlerësuar maturantët pa lekë, pa krushq, pa miq, pa litar partie në qafën e tyre të njomë, por ama me 10-ta, me dije e aftësi të spikatura, që nga majat e maleve e nga zonat e largëta e deri në qendrat e qyteteve. Fëmijë të shkëlqyer familjesh me ndihmë ekonomike apo prindërish pa mbiemra të njohur që, falë rivendosjes së konkurrencës e të meritës, në fakt vendosjes së konkurrencës e meritës për herë të parë në historinë e dhimbshme e të lodhshme të këtij tranzicioni, në sistemin e hyrjes në universitet, i gjen çdo fundvere në krye të listave hyrëse, zotër të vetes dhe gurë të rëndë në vendin e vetë prej ku askush, as deputeti, as ministri, as kryeministri nuk i lëviz dot, që vendin t’ua zërë dikush me lekë, me taraf, me mbështetje partie apo me një mbiemër të njohur.

 

Unë jam shumë krenar që, kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet, në atë fakultet që i ka vënë syrin për të fituar një vend pëllumbash më vonë, nuk ka shans që të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani, a fëmijës së një infermiereje, nuk ka shans ta parakalojë sepse sistemi i hyrjes në universitet është digjital, është meritokratik, është transparent dhe i pamanipulueshëm, pasi çdo ndërhyrje e imagjinueshme lë menjëherë gjurmë. E ka një fakt, përveç ankesave, sharjeve, kunjave të atyre të treve dhe të shumë si këta që u hodhën përpjetë kur ne imponuam këtë sistem të ri hyrës, as edhe një ankesë nga të interesuarit.

 

Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh që fëmijët e republikës, qytetarë të barabartë para Kushtetutës, nuk ndahen më, siç u ndanë deri kur ne erdhëm në drejtimin e arsimit, në të pasur e në të varfër, në të njohur e në të panjohur, në tanët e në të atyre, por rreshtohen sipas rezultateve dhe hyjnë në auditorë me forcat e tyre e vetëm të tyret. Nuk ka forcë që ua ndalon hyrjen apo ua pengon hyrjen përpara dikujt tjetër që emrin mund ta ketë të madh nga babai, por vendin e ka mbrapa. Nuk hyjnë në auditorë vitrinash të rreme dhe kristalesh false apo fakultetesh të një shteti indiferent deri në mosekzistencë, por në universitete sot të akredituar ndërkombëtarisht, falë bashkëpunimit me agjencinë britanike të akreditimit, Quality Assurance Agency.

 

Sot kemi hyrë në fazën e hapjes së programeve të studimit sipas nevojave të tregut, jo më sipas tekave dhe hesapeve të njërit e të tjetrit. Ishin tekat dhe hesapet, tekat krahinore dhe hesapet politike që arrinin të hapnin deri universitete, duke thjesht dhënë një urdhër. Sepse Shqipëria nuk mund të mbajë universitete për të nxjerrë rrugëve pafundësi juristësh dhe ekonomistësh të papunë, që, pasi kanë humbur 5 vjet dhe kanë shpenzuar investimin e kursimeve të prindërve që ëndërrojnë për ta një jetë të sigurt, mbeten në mes të rrugës.

Shqipëria duhet t’u japë të rinjve që kryejnë studime të larta një perspektiv punësimi, por duhet t’i japë dhe vetvetes forca të reja, me aftësi dhe specializime sa më të përputhura me zhvillimet e tregut.

Ne e kthyem drejtimin e arsimit profesional dhe e bëmë këtë në kushtet kur arsimin profesional e gjetëm në varr. Programet profesionale dyvjeçare, përveç shkollave profesionale të mesme, janë shpallur programe me prioritet kombëtar dhe duhen çuar e do t’i çojmë në një nivel tjetër, në bashkëpunim të ngushtë me universitetet publike dhe private e natyrisht, me aktorët e tregut.

Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të mbushë boshllëkun e frikshëm që krijuan vitet e gjata, vitet e pambarimta të rrumpallës në arsimin e lartë, në të gjithë ato fusha ku nuk është tregu që vendos, por nevojat e të ardhmes së vendit për dije shkencore.

Ne nuk vijmë sot, në fushën e kësaj ndeshjeje me një menu dëshirash për të gjithë, “kap çfarë të pakësh”, të quajtur program elektoral, por ne vijmë me një plan veprimi që është studiuar mirë, është konsoliduar dhe është aty për t’u zbatuar me të gjithë mbështetjen financiare të përllogaritur, pasi ne nuk jemi KÇK-ja, ne jemi qeveria sot dhe qeveria nesër, e Republikës së Shqipërisë.

Gjuha angleze do të nisë të mësohet kudo, në të gjitha shkollat e vendit që në klasën e parë. Është koha që të gjithë fëmijët e Shqipërisë të mësojnë anglishten nga njëra anë dhe gjuhën bazë të komunikimit digjital nga ana tjetër.

 

Vizioni “Shqipëria e ardhmja jonë”, kërkon që qysh sot, ne të fillojmë ta pajisim brezin e dekadës tjetër me dijet bazë, si dhe ta zhdërvjelltësojmë hap pas hapi sistemin tonë të ngrirë arsimor të ngrihet në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Bazuar në modelin e parë të ngritur në Tiranë, i cili do të zhvillohet më tej tek Piramida e diktatorit, e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes, ne do të çelim programin kombëtar 10-vjeçar të Kodimit për fëmijët 12 deri në 18 vjeç dhe do të hapim për ta qendra të specializuara të hyrjes në botën digjitale. Jo në iphone dhe ipad, po në botën digjitale ku fëmijëve do t’u prezantohen themelet e saj, do t’u mësohet graviteti i saj, do t’u jepen njohuri për ndërveprimet brenda saj.

Qendra e parë është kjo e Tiranës, qendrat e tjera të para do të ngrihen në Shkodër, në Vlorë, në Dibër, në Korçë, në Kukës, në Berat dhe hap pas hapi do të shtrihen në krejt Shqipërinë, qendër urbane për qendër urbane.

Gjithashtu do të çelim programin kombëtar të arteve dhe zejeve për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, të cilët duhet t'ju krijojmë kushte e do t'ju japim detyra për të ushtruar mendjen dhe duart përmes krijimtarisë dhe prodhimeve të larmishme, në përpjekjen e domosdoshme, jetike, si detyrim që jua kemi fëmijëve tanë, që bota virtuale e iphon-it dhe ipad-eve mos të marrë peng përfundimisht mendjen,  shqisat dhe trupin e tyre.

Edukimi fizik, të cilin ne e rikthyem në programin e shkollës dhe sportet jashtë mësimit do të zënë një vend më të rëndësishëm në jetën e sistemit tonë arsimor, që nga klasa e parë deri në universitet.

Vizioni “Shqipëria 2030” kërkon jo vetëm shkolla me kushte optimale, si ato që po ndërtojmë, tekste cilësore të standardeve europiane si ato që kemi futur tanimë dhe as vetëm mësues të mirëtrajnuar në vijimësi dhe të mirëpaguar në vazhdim, por edhe një profil të ri të drejtuesit të shkollës. Këtu kemi trashëguar një tjetër boshllëk të madh. Shkollat u kthyen në kulla, ku emëroheshin si roja apo kryesorja e kullës militantë që ngulnin atje, në majë të kullës, flamurin e njërës parti apo të partisë tjetër dhe ku padyshim ka pasur dhe ka plot njerëz të mirë e të ndershëm, të dedikuar që vijnë nga mësuesia, por nuk mjafton. Por nuk mjafton sepse të drejtosh një shkollë për “Shqipërinë si e ardhmja jonë” do të thotë shumë më tepër se kaq, do të thotë të menaxhosh një sistem të një qendre komunitare dhe ne e kemi nisur ta adresojmë këtë nevojë kyçe për sistemin tonë parauniversitar dhe shkollën e drejtorëve. Një sistem i konsoliduar ndërkombëtar që është instaluar në Shqipëri dhe po jetësohet hap pas hapi me program ndërkombëtar me drejtues dhe trajnerë të kualifikuar nga jashtë apo edhe brenda vendit.

Deri në vitin 2025, të gjithë drejtuesit e shkollave do të licensohen nga shkolla e drejtorëve si menaxherë të kualifikuar pikërisht për të drejtuar një qendër komunitare, një qendër komunitare ku mësimi dhe aktivitetet jashtë shkollore, janë bashkë. Ndërveprim të shumëfishtë dhe të harmonizuar.

Mandati i tretë do të sjellë më në fund, fundin e mësimit me dy turne për shkak të mungesës së klasave në Shqipëri. Eksperienca e krijuar gjatë pandemisë në mësimin në distancë do të kthehet në bazë për mbylljen përfundimtare edhe të praktikës së vjetër të klasave kolektive në zonat e largëta nga njëra anë, po edhe për krijimin e një sistemi virtual alternativ shkollimi, qoftë me lidhje apo pa lidhje të domosdoshme në internet, ndarë sipas programeve dhe nevojës specifike natyrisht në harmoni me edukimin në shkollë, edukimin e drejtpërdrejtë në shkollë. Do fuqizojmë programin e kurseve të personalizuara nxënësit të mësojnë me hapin e tyre dhe mësuesve t’u jepet akses i plotë për të krijuar dhe për të planifikuar kurset e tyre nën koordinimin dhe monitorimin natyrisht të drejtorisë së përgjithshme të arsimit.

Unë dua që “Shqipëria e 2030” të jetë vendi ku universitete të spikatura publike të vendeve mike, të jenë integruar në sistemin e arsimit tonë të lartë publik. Kjo është një ëndërr dhe një sfidë nga ato më të vështirat po ne këtu jemi për ëndrrat më të mëdha dhe sfidat më të vështira, prandaj ne quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe prandaj është krijuar dhe punon nga qeveria e drejtuar nga unë.

Universiteti teknik i Stambollit, një destinacion i famshëm global në arsimin e sotëm në botë për shkencat Inxhinierike dhe teknologjinë e lartë do të jetë dallëndyshja jonë e parë e këtij projekti kombëtar të transformimit të Shqipërisë të kësaj dekade në një vend ku mund të studiosh në Akademinë Amerikane të Mbrojtjes, në Akademinë Italiane të Policisë e me radhë, pa pasur nevojë të largohesh nga Shqipëria, po duke i gjetur ketu, disa destinacione prestigjioze ndërkombëtare të arsimit të lartë, ku natyrisht dyert do të jenë të hapura edhe për student të huaj nga rajoni apo Europa.

Ne do vendosim 10 milionë Euro në vit, për të stimuluar universitetet publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit me universitetet e Bashkimit Europian, në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës, si edhe do të nxisim, mbështesim e financojmë pa rezervë çdo sinergji të plotë mes një universiteti shqiptar e një universiteti të huaj publik, në anglisht.

Kampusi i ri i Universitetit të Tiranës, një qytezë universitare moderne, tanimë i projektuar në një territor prej 28 mijë metrash katrorë në zonën e Qytetit Studenti, i penguar, i bllokuar si proces realizimi përkohësisht nga dy goditjet e rënda të tërmetit e të pandemisë, që na detyruan të spostojmë volume financiare të konsiderueshme, investimi më i madh i tre dekadave në arsimin e lartë, do të marrë jetë në mandatin e tretë. Padyshim që do të përfundojmë më shpejt, kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili sot është në kantier, si edhe do të nisim ndërtimin e kampusit të Akademisë së Arteve si edhe atë të Akademisë së Sigurisë, si edhe atë të Universitetit Politeknik të Tiranës, duke përshtatur mjediset ekzistuese me nevojat e mëdha të së ardhmes.

Risia tjetër e mandatit të tretë, bazuar në planin tonë të formimit të 2021-2025 për të rinjtë do të jete paketa e programeve të “Inovacionit dhe ekselencës në manifakturë” dhe në "IT”, e cila do të ofrojë kualifikime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim, nëpërmjet mbulimit të kostove 100% nga qeveria. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar apo i punësueshëm përfituesi.

Qëllimi i kësaj risie është të mbështesim fuqishëm në kushtet e krijuara, por në nevojën për mbështetje kalimin e gjithë sistemit të manifakturës shqiptare, që njihet si fason, por që faktikisht ka njohur zhvillime shume interesante dhe të rëndësishme, brenda për brenda, në një nivel tjetër, duke synuar prodhimtarinë me cikël të mbyllur "made in Albania", si edhe zgjerimin e fidanishteve të teknologjisë digjitale, nga ana tjetër. Kemi të rinj të talentuar, kemi të rinj fantastik, kemi të rinj e të reja që kanë çarë shtigje të paimagjinueshme, kanë mbërritur deri në Silicon Valley, ndërkohë që janë këtu pa zhurmë, pa bujë, në heshtje, zhvillojnë një sektor ku ne duam të futemi shumë fuqishëm si aleatët e tyre si partnerët e tyre si mbështetja e tyre dhe në këtë dekadë kjo është një zgjedhje e qartë strategjike për ta bërë Shqipërinë e vitit 2030 platformën e një transformimi fantastik për jetët e mëtjeshme të të gjithë atyre që sot janë fëmijë.

Prindër të dashur! Vajza e djem të Shqipërisë, po të kthejmë kokën dhe të shohim nga u nisëm 7 vjet e kusur më parë, janë shumë në jetën e një njeriu mbase, po janë 1 sekond në zhvillimin e një vendi dhe aq më shumë pastaj të një vendi që vjen nga një histori e dhimbshme moszhvillimi.

7 vite e kusur më parë t’i hedhim sytë tek terreni i arsimit shqiptar, nuk e kemi vështirë të shohim një xhungël politike, plot pluhur, gropa e pisllëk, ku mësuesit ishin pengje të zoopolitikës, ku universiteti ishte një labirinth shpellash me reklama private e ku e ardhmja ishte një iluzion për qindra e  mijëra prindër të rinj, iluzion i humbur pas marrjes së diplomës dhe përplasjes me realitetin e pamëshirshëm  të pavlefshmërisë së saj, në rrugën e jetës, atëherë me këtë vështrim duan s'duan ata që s'duan, sot ne socialistët mund të jemi me plot të drejtë kryelartë!

Por ama, menjëherë kur shoh horizontin e 2030-ës dhe hendekun e madh që ende na ndan nga arsimi publik që meritojnë fëmijët e Shqipërisë, nuk më mbetet asgjë tjetër, veçse të ul kokën t’ju kërkoj të gjithëve të ulim kokën dhe  përpara jush, jush që na keni zgjedhur jush që na keni besuar  t'ju kërkojmë jo thjeshtë me bindje, por me një bindje të thellë mbështetjen që të ecim përpara, sepse ajo që kemi bërë është e jashtëzakonshme në krahasim me atë që gjetëm, por s’është asgjë, në krahasim me atë që duhet të bëjmë në dekadën ku sapo kemi hyrë.

Çfarë kemi bërë nuk mjafton për asgjë tjetër mbase, përveçse për të vazhduar më tej, përpara, dhe vlen si garanci dhe është një garanci e fortë, lëre pastaj po të krahasojmë garancinë që ne ju japim, me ça garancie ju japin ata të tre, dhe ata të tridhjetë e tre mbrapa atyre të treve që na u shfaqën këtu sot, një garanci për të gjithë se ne dimë ku duam, të shkojmë dhe ne e dimë se si shkohet aty ku duam.

Rruga është e përpjetë, maja është ende larg, por zgjedhja është e qartë, o së bashku, ne dhe ju, dhe ju me ne, me mua dhe me Partinë Socialiste drejt asaj maje, pavarësisht huqeve dhe kusureve tona, o rrokapjekthi mbrapsht, si guri i Sizifit me ata që nuk e meritojnë gjallë në botë një shans tjetër për të udhëhequr Shqipërinë, pasi i patën shanset një herë e dy herë e tre herë e katër herë dhe çdo herë bën të njëjtën gjë rrokapjekthi.

Gjenerata e atyre që lindën në vitin 1990 sot janë 30 vjeç, im bir sot është 30 vjeç dhe kostoja që shumica dërrmuese prej tyre, duhet t'i paguajnë gjithë jetën mungesës së vizionit, kurajos, të aftësisë qeverisëse dhe durimit të atyre që i’u ranë shumë shkurt  punëve, është një kosto marramendëse. Në 25 prill, nuk luhet fati i një ndeshjeje zgjedhore mes partive, po luhet fati i gjeneratës së të lindurve në këtë shekull të ri

Ju gjykoni, ju vendosni! O përpara, me mundim patjetër, me punë, me shumë punë, me durim padiskutim, o prapë në gropë pas menuve të pasura dhe recetave çudibërëse ja ashtu si pa kuptuar, prapë në gropë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm