Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 prillit - Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin, Vizioni - 'Shqipëria 2030'

Të reja

Rruga drejt 25 prillit - Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin, Vizioni - 'Shqipëria 2030'

19 Mar 2021    

I dëgjoj mirë!

I dëgjoj pa pushim, sepse ndjek me vëmendje sa herë që jam në makinë kryesisht, por edhe në ndonjë moment kur kam pak kohë të lirë komentet tuaja, reagimet tuaja në faqet e mia sociale dhe padiskutim edhe opinionet tuaja në fokusgrupet dhe anketimet tona të opinionit publik.

E ndesh shpesh pakënaqësinë tuaj, padurimin tuaj, ndjenjën e mungesës së një optimizmi për atë që vjen, por nga ana tjetër kam përshtypjen, përshtypjen e plotë, bindëse se kur me shumë të drejtë padiskutim, ju kërkoni më shumë, ju doni më shumë, patjetër meritoni më shumë, harroni se nga jemi nisur.

Harroni se sa shumë është bërë në çdo drejtim dhe sa shumë gjërat kanë ndryshuar. Madje kam përshtypjen se gjërat kanë ndryshuar kaq shumë sa që një e shkuar shumë e aftërt, shumëkujt i ngjan një histori shumë e largët.

Por nuk ishte 70 vjet më parë, nuk ishte as 27 vjet më parë, ishte vetëm deri 7 vjet më parë koha kur të gjithë ju, çdonjëri prej jush për të marrë një copë letër çfarëdoqoftë që nga një certifikatë e zakonshme familjare te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në radhë, apo e keni harruar.

Kujtohuni,

Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.

Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.

A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje - shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.

Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.

A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.

Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh.

Kjo ishte e gjithë çka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sporteleve të zymtë ku një dorë zgjatej e tërhiqej, zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm.

Shko atje, ik atje, shko andej, dil andej, ik prapë, kthehu dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjet tuaja zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që iu thoshte: ik plotësoje, ik, shko.

E pra deri 7 vjet më parë. Po sot?

Natyrisht ka ende sot, jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por faktikisht, kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë të shkojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj.

Natyrisht që e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin.

Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.

1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh.   

95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë.

50 mijë të regjistruar ishin shqiptarët në portalin që supozohej se u ofronte shërbime.   

Me revolucionin digjital, sot që flasim janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën, përdorin shërbimet.

6 ishin regjistrat elektronikë që presupozohej se duhet të ndërvepronin  në platformën qeveritare.   

Sot janë 55 regjistra elektronikë që ndërveprojnë në kohë reale.

Deri në 2013 numri total i transaksioneve, pra i ndërveprimeve të kryera në platformë ishin 680 mijë. 

Sot, shifra e fundit e 2020 është 145 milionë.

145 milionë që mund të shtohen dhe do të shtohen vijimësisht sa më shumë të rritet pjesëmarrja dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën këtu, vonesën atje, sportelistin këtu, sportelistin atje, të përdorin platformën, do të përdorin iphonin, do të përdorin kompjuterin më të afërt.

Është shumë e thjeshtë dhe më e rëndësishme akoma për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon duhej dhe duhet akoma një numër i konsiderueshëm dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Ndonjëherë shkojnë deri në 20, mesatarisht janë 7-8. Çfarë ishin këto më parë?

Ishin 20 vajtje-ardhje në 20 pika të ndryshme, zyrash të ndryshme për të mbledhur dosjen. Për çdonjërin nga ju, dosjet sot i mbledh shteti për ju.

Sot, në ato 20 pika punonjësit e shtetit nuk rrinë të presin tufat si cjapi te kasapi, por mbledhin letrat dhe përmes rrugës digjitale i çojnë në pikën e vetme ku ju shkoni për të marrë shërbimin pasi keni bërë aplikimin. Çfarë është kjo?

Ky është Revolucion.

Ky është ai revolucioni i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtet-qytetar.

Ky është ai revolucioni që nuk bëhej dot deri në fund me të tjerë në prehër.

Ky është ai revolucioni që ju i dhatë shtysën e fortë dhe vendimtare në 2017, ku na dhatë mundësinë që të jemi ballë përballë jush pa të tjerë në prehër, e  t’ju shohim në sy e të na shihni në sy, të marrim përgjegjësitë tona, të marrim patjetër dhe barrën për gabimet tona, por ama t’iu përgjigjemi me të gjitha me fuqitë tona.

Ky është ai revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë në mandatin e tretë këtë vend në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit, jo për t’i marrë atij nga xhepi, por për të marrë nga xhepi i tij, nga iphoni i tij, smartphoni i tij kërkesën dhe për ta kthyer kërkesën në një dokument të plotësuar, në fakt në smartphonin e tij për qytetarin  dhe për biznesin, për të voglin dhe për të madhin, për të riun dhe për të moshuarin, për studentin dhe për fermerin, për çdonjërin në çdo pikë kontakti me shtetin.

Shqipëria sot, jo se e them unë, jo se e themi ne, por në bazë të raporteve të organizatave më prestigjoze në bote që nga OKB, OECD, Departamenti Amerikan i Shtetit së fundmi dhe BE, është lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë, ndërkohë që ishte bishti i fundit i kavallit deri në 7 vite më parë.

Për çfarë flasim ne, nëse nuk dëgjojmë, nuk lexojmë, nuk kuptojmë duke parë faktet dhe natyrisht duke i lidhur faktet me veten. Këto që unë po them nuk janë fakte nga hëna.

Këto janë fakte nga jeta e miliona, e miliona, ndërveprimeve. Ndërveprime që kanë ardhur si rezultat i 1.8 milionë shqiptarëve të regjistruar dhe aktivë qoftë dhe njëherë të vetme në platformën E-Albania.

Për çfarë flasim?                                         

Parafytyrojeni vetëm për një moment. Ua kam thënë për spitalet këtë, ua kam thënë për gjendjen e trupës sonë në spitale, po ua them tani për shërbimet. Sikur Covidi të kishte zbritur në jetën tonë dhe të na kishte hyrë për të na bërë mish për top 7 vjet më parë.

Si do merreshin lejet pa dalë dhe pa u dyndur në ato sportele në kohë karantine?

Si do merreshin lejet për punë, për urgjencë, lejet për të dalë në ato fasha orare të caktuara, nëse nuk do të ishte revolucioni digjital. Si do merreshin? Si do të hynin në mësim online 95% e fëmijëve të këtij vendi nëse ne do të mbyllnim shkollat dhe nuk do të kishim bërë këtë revolucion digjital. Më thoni si dhe kush do ta bënte? Kush mund ta marrë e ta çojë përpara këtë, kush?

Ata që krenohen sot e gjithë ditën me Shqipërinë që lanë?

Ata, të cilët sot e gjithë ditën nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga Pse-ja e madhe e shqelmave me të cilët populli i nxori jashtë zyrave?

Ata të cilët sot rikthehen me një tabor krushqish njëri më i mirënjohur se tjetri për bëma që nuk kanë lidhje me epokën ku jetojmë, por me një epokë shumë të errët, me të njëjtin program, ku ndryshon vetëm kursi i këmbimit.

Janë sot që flasim 4 milionë e 185 mijë aplikime që janë bërë dhe kanë marrë përgjigje për shërbime dhe janë bërë pa kontakt fizik me askënd, pa mundësi zgjatje dore për të marrë lekë dhe tërheqje dore me lekët e marra bakshish. Po s’janë vetëm këto. Për qytetarët e thjeshtë janë 1 milion e 307 mijë biznese dhe qytetarë të shërbyer drejtëpërdrejtë në sensin e veprimeve që kanë bërë, pra shërbime për bizneset dhe qytetarët më saktë.

Sa kohë është kursyer, kohë që do të ishte humbur në radhë këto 7 vjet. E kemi bërë ne llogarinë mos u lodhni ta bëni.  Është llogaria e bazuar në aritmetikën 7x7 bëjnë 49 dhe jo 42.

300 vjet, 300 vjet minuta në radha e radha që ne i kemi kursyer përmes revolucionit digjital për të gjithë ata që kanë shfrytëzuar mundësitë që ky revolucion ka filluar të sjellë në jetën tonë të përbashkët. Pa llogaritur paratë, ato mbi dorë dhe ato nën dorë që janë kursyer nga gjithë këto ndërveprime të bëra transparente në kohë dhe sigurisht në fund fare, në dobinë e drejtëpërdrejtë për ata që i kanë marrë.

Vazhdojmë me biznesin. Me një ndalesë të vetme, një, biznesi kryen të gjithë ciklin që i duhet në raport me shtetin. Ndërkohë që, deri dje, marrëdhëniet biznes – shtet ishin një kalvar kontaktesh, dokumente, dokumente, dokumente.

Ik, kthehu. Ik, kthehu. Hajde, futu. Dil, paguaj, paguaj, paguaj.

Ndërkohë që, sot flasim për hapjen e një biznesi të ri për aplikime për leje e licenca, për pagesa taksash, për dorëzim bilancesh, pagesa tatimore, vërtetime të ndryshme me vulë elektronike, ekstraktet të QKB, veprime përmbarimore. Të gjitha këto sot janë klikime dhe pas çdo dërgimi, vihet në lëvizje atje makineria e administratës që as nuk të sheh, as nuk të kontakton dot, as nuk të vë dot nën presion, por thjesht turret për të mbledhur dokumentet që duhen nga baza jote e të dhënave në të gjitha zyrat e shtetit, për të marrë ti, po aty nga e nise, tek smartphone ose tek kompjuteri atë që ti kërkon.

Letra zero! 

Nëse do të kishim mbledhur letrat që kemi kursyer për të vendosur një stivë, do të kishim një mal disa herë më të lartë se Himalajet.

Ky është fakt, nuk është opinion!

Një mal disa herë më të lartë se Himalajet, ndërkohë që asnjë letër nuk është dashur për të gjithë ata që kanë hyrë në këtë proces.

Sot biznesi ka një shqetësim. E kam dhe unë këtë shqetësim, nuk diskutohet, që si i bëhet që përfundimisht edhe në derën e çdonjërit që ka një biznes, të hyjë revolucioni dixhital e mos hyjnë më inspektorët, të mos hyjnë më taborët e atyre që rëndom për fat të keq vijnë për kontroll për shtetin dhe insistojnë për ryshfetin. Është edhe kjo, jo vetëm e mundur, por pjesë e planit tonë të veprimit, gjë për të cilën kemi filluar. 

Fiskalizimi!        

Të gjitha marrëdhëniet biznes – shtet, biznes – biznes dhe biznes – konsumator, të gjitha online.

Një qendër, një tru elektronik, si kjo hapësirë këtu, tek Agjencia Kombëtarë e të Ardhurave ku procesohen të gjitha transaksionet që bëhen çdo sekondë në Republikën e Shqipërisë në kohë reale e nuk është më drejtori X, shefi Y, përgjegjësi XY dhe banda e tij e vockël, që vendos se ku të shkojë, ku të godasë e ku të harbojë, por është truri elektronik që jep sinjale për çdo lëvizje të dyshimtë, për çdo fluks transaksionesh në një biznes apo në një tjetër që bie papritur.

A është një rënie që lidhet me mbylljen sot të dyqanit sepse pronari ka shkuar në dasmë, sepse larg qoftë ka pasur për të nderuar dikë në një funeral, sepse ka një arsye shëndetësore apo është një hile? 

Më tutje, le t’i marrim me radhë ndryshimet që kanë ndodhur falë revolucionit dixhital.

U nis me certifikatën e famshme, personale dhe familjare, vazhdoi me certifikatat e akteve të cilat printohen nga shtëpia. Pa kosto. Ju kujtohet sa duhet të paguanit për një certifikatë mbasi mbanit radhë? Ndërkohë jemi angazhuar me dixhitalizimin e të gjitha ekipeve të gjendjes civile. Nuk është një fjalë goje, është një punë super voluminoze, regjistër për regjistër, emër për emër, familje për familje, vit për vit,  në mënyrë që lëshimi i certifikatave të bëhet online, edhe për periudhën 1974 – 2010, që është periudha e fundit që ka mbetur pa u dixhitalizuar, ndërkohë që gjithçka tjetër vjen mbrapa, dixhitalizohet automatikisht. 

Po për dëshminë e penalitetit? A e mbani mend apo jo se sa herë ju është dashur pa pasur fare lidhje me asgjë në të shkuarën nga pikëpamja e marrëdhënies me ligjin, por për arsye të ligjit që kërkon dëshmi penaliteti për një aktivitet apo një tjetër, për një dosje vërtetimesh, për kërkimin e një dokumenti tjetër, që kur keni shkuar për të marrë dëshminë e penalitetit, duhet të paraqiteshit në postë, duhet të paguanit 4200 lekë, duhet të prisnit 14 ditë, teorikisht 14 ditë se pritja mund të zgjaste edhe 14 muaj ose nëse do donit ta afronit tek 14 ditëshi, duhet të shkonit prapë, duhet të tundnit xhixhat, apo jo, duke rrezikuar të humbisni mundësinë për të aplikuar për atë punë të dëshiruar apo për atë licencë të kërkuar apo për çfarëdo qoftë tjetër që kërkon dëshminë e penalitetit.

Sot, dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia, pa lëvizur nga vendi edhe nëse je jashtë shtetit me pushime, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh vjen automatikisht me vulën elektronike. A ju kujtohet apo jo? Nuk ishte para 70 vjetësh, ishte deri para 7 vjetësh, deri para 6 vjetësh, deri para 5 vjetësh, ishte faktikisht deri përpara sesa me ndihmën tuaj ne të hiqnim nga prehri atë gjënë, se gjë është, atë gjënë që sot është në fytin e Lulit që quhet LSI. 

Të rinjtë shqiptarë aplikojnë online për fondin e ekselencës, regjistrohen në shkollat profesionale, marrin vërtetimin dhe njehsimin e diplomave, por ata që e kanë kaluar këtë aventurë në të shkuarën, a ju kujtohet? Për të marrë vërtetimin dhe njehsimin e diplomës, sa mund të zgjaste? Po provimet e shtetit ku sot rezultatet e provimit i merr direkt në smartphone, ti i merr direkt në kompjuter, ti mund ti printosh, me vërtetimin me vulë elektronike.

Dëftesat do të printohen me vulë elektronike, sapo të mbarojë dixhitalizimi i gjithë sistemit para universitar dhe do të fillojnë të përdoren qysh në vitin e ardhshëm shkollor. 

Po hyrja në universitet? Me platformën sot si është? Po kur ishte? Para 700 vjetësh? Para 70 vjetësh? Para 27 vjetësh? Jo, jo, deri përpara disa vjetësh, koha kur na u hodhën në fyt, e para u hodh në fyt LSI-ja me Monikën që tundi dheun për stresin që po i krijohej maturantëve. Në fakt, ishte stresi që iu krijua LSI-së. Sepse nuk mundej më të fuste në universitet kë të donte, nuk mundej më që certifikatë hyrje për në universitet të kishte teserën e LSI-së dhe jo rezultatet e secilit të paprekshme. 

Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin.

E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR, për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen. 

E për të ardhur tek gjobat, gjobat, ato blloku – blloku dhe komisionet, ankesat, rradhët, është drejt fundit, po merr fund.

Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online.

Punonjësi i policisë kontrollon në kohë reale statusin e targës, të lejes së drejtimit, verifikon nëse ka masa të tjera, taksa të palikuiduara e kështu me rradhë. Ndërkohë që, cilido nga ata që merr një gjobë, nuk ka nevojë të shkojë në rradhë tek komisioni. Të kapën në rrugën Durrës- Rrogozhinë – Lushnje, je nga Vlora apo je nga Tropoja, duhet të shkosh në Lushnje se aty është komisioni, se je kapur aty. Ndërkohë që apelimi, gjithçka online.

Sot që flasim, ka ndodhur, është fakt, për mbi 50 mijë që kanë pasur pretendime për masat administrative për kundravajtjet rrugore dhe organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret. Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, gjë që është në proces, nuk do shikoni më policë në rrugë. Policia do vijë vetëm atëherë kur duhet të vijë për ndihmë apo vetëm atëherë kur duhet të jetë aty për shkak të një aksidenti apo të një krimi, por nuk do jetë më aty duke pritur e duke përcjellë, duke ndaluar e duke lëshuar. Gjithçka do të jetë online. 

Sot shërbimet e transportit janë një faqe krejt e re, sot, tani që flasim, jo nesër, por ende nuk ka përfunduar. Ende, procesi i brendshëm, i cili është automatizuar i krejt punës për aplikimet online, për thjeshtim procedurash, për dixhitalizim të dosjeve fizike, për të parë nëse ekziston apo jo një leje drejtimi, direkt aty me një klik, jo “niset te drejtoria rajonale, prit përgjigjen”. Megjithatë vazhdon. Nuk jemi të kënaqur ne që nëse dikur shërbimet merreshin pas dy javësh, tre javësh, katër javësh, shtatë javësh, sot merren brenda ditës me kosto minimale ose krejt zero. Që një leje drejtimi më përpara bëhej për 15 ditë, 20 ditë, 30 ditë, 40 ditë, dhe xhixhat, xhixhat tek ai spahillari i famshëm, sot bëhet brenda ditës. Atëherë duhej dhe një vërtetim, 2 mijë lekë, pa kafen e LSI-së. Sot është zero.

 

Jemi në kushtet kur në këtë fushë, mund ta plotësojmë të gjithë kuadrin pa humbur kohë, brenda mandatit të tretë. Kujt do t’ia lini? Do ktheni prap spahiun? Spahinjtë? Spahinjtë kanë qenë një çetë e veçantë e atyre ushtrive të Perandorisë që turreshin për të rrëmbyer edhe për të kapur majat dhe pushtuar kalatë. 

Për shërbimet konsullore, është këtu, do flasë Ministrja për Europën dhe Punët e jashtme ashtu sikundër për shërbimet online do flasë drejtorja jonë e AKSHI-t e cila ka bërë punë të jashtëzakonshme. Praktikisht ka udhëhequr këtë revolucion në terrenin e përballjes me gjithë zgjidhjet e me gjithë algoritmet që duheshin dhe duhen krijuar. Por një gjë, sot ne kemi vizën elektronike për ata që duan të vijnë, të vizitojnë Shqipërinë, të huajt.

Vizën elektronike për ata që duan të marrin punëtorë të huaj. Ka filluar ardhja e punëtorëve të huaj në një vend ku shumëkush ndër ata që thonë se duan punë, duke qëndruar në kafe, ka vende pune që po i marrin të huajt. Nuk është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh kudo, ka filluar të ndodhë dhe në Shqipëri  do të jetë gjithmonë e më intensive, sidomos në shërbime. 

Po nafta falas, pa taksa, për fermerët që vazhdojnë aplikojnë online përmes e-albania. Si do bëhej e mundur pa revolucionin dixhital e si do bënim ne që të ndihmonim fermerët, por të mos nxirrnim sytë për të vënë vetulla siç ndodhi në të shkuarën kur nafta për fermerët u kthye në një skemë korrupsioni që nga ku vetëm fermerët nuk përfituan. 

Po mbështetjet? Subvencionet? Grantet për fermerët e vegjël dhe për ata që investojnë në sipërmarrjen bujqësore? Online! Dokumente zero! Dosjet më parë ishin një lemeri, i hoqëm ne. Dhe kur i hoqëm? Gjejeni pak! I hoqëm kur morëm votën e vitit 2017, se deri atëherë bujqësia ishte LSI-ja. 

E pra, janë shifra, janë fakte, janë jetë njerëzish të transformuara, jeni ju këtu në të gjitha këto që them unë, nuk jam unë që ju tregoj juve për gjëra që i kam parë në ëndrra apo kam dëgjuar që ndodhin në hënë.

Jeni ju të gjithë, kujtohuni pak sepse është shumë e rëndësishme të kujtoheni e të kujtohemi nga jemi nisur për të kuptuar jo vetëm se ku duam të arrijmë e si duhet të arrijmë, por pse aty ku duam të arrijmë e mënyra se si duhet të arrijmë lidhet me durimin, me durim. E pse jemi këtu e nuk jemi atje, direkt pas 7 vitesh? Se më thonë, flet akoma për ujin. Po si t’ia bëj që mos flas për ujin? Pse unë? Ne e lamë Shqipërinë në atë derexhe për ujin e në atë derexhe për energjinë dhe në atë derexhe për shërbimet e të tjera me rradhë? E me kë krahasoni?

Nuk ka pasur Gjermania, nuk ka pasur Italia, nuk ka pasur Greqia, nuk ka pasur asnjë vend nga aty ku shkruani dhe krahasoni situatë vjedhjeje, grabitjeje, shpërdorimi të energjisë, të ujit, të sistemeve të shpërndarjes së tyre e me rradhë e me rradhë, deri para 7 vitesh? E nuk kanë pasur rrumpallhane, kap çfarë të kapësh dhe hidh çfarë të ngelet për këta, popullin, deri para shtatë vjetësh? I kanë bërë dekada e dekada më parë. Kush ka shkuar në Gjermani, kush ka shkuar në Itali, kush ka shkuar në Francë, në Angli e kudoqoftë, ka gjetur gati atë për të cilën breza e breza kanë punuar, me dekada e me shekuj e nuk mund të pretendoj që këtu të bëhen gati për 7 vjet e kusur ato që nuk u bënë as për 100 vjet apo për 50 vjet, apo për 25 vjet dhe jo vetëm nuk u bënë për 25 vjet, por u shkatërruan. 

Kjo është pasqyra e përgjithshme.

Nuk dua të shkoj në detaje për shëndetësinë elektronike që vazhdon, për pronën, 75 shërbime të kadastrës shqiptare sot merren nga e-albania. Ndërkohë që të tjera regjistrime dixhitale janë në proces në gjithë atë lesh e li. E pra çfarë duam të bëjmë në mandatin e tretë? Ne duam që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat. Por kjo, do kohën e vet sepse çdo pronë duhet nxjerrë nga ato hartat e tmerrshme, ku prona të binte ndonjëherë në vrimë sepse paloseshin aq shumë hartat saqë ka ndodhur që në gjykatë, gjykatësi ka thënë e ke pronën në vrimë, sepse ishte tek cepi që kishte humbur prona. E kështu, realiteti i ri që ka filluar të krijohet në kadastër duhet konsoliduar për të gjithë territorin e Shqipërisë. Kush do t’i bëjë këto? Kush? Nuk është e vështirë për ta gjetur. 

Marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime, është objektiv i mandatit të tretë.

Dixhitalizimi i të gjithë arkivave fizike për ta rritur numrin e shërbimeve dhe për ta bërë shërbimin automatik, jo vetëm në aplikim dhe hajde merre, por apliko dhe merre mbrapa, nuk ke nevojë më fare për asnjë. Je ti zot, ti shkop kur i thonë fjalës. Megjithëse shkopi jam unë, zoti jeni ju. 

Shumë faleminderit! Po ftoj këtu Oltën, Lindën dhe Borën që do të shtjellojnë më tutje komponentët e shërbimeve për qytetarët, qoftë për qytetarët dhe biznesin në Shqipëri, qoftë për motrat e vëllezërit tanë në emigracion përmes shërbimeve konsullore.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm