Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - SHËNDETËSIA QË DUAM

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - SHËNDETËSIA QË DUAM

04 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - SHËNDETËSIA QË DUAM

Fjala e kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Dje folëm për drejtësinë, kryefjala e këtij kapitulli çështjesh themelore mbi të cilat unë dëshiroj të ndërtojmë në vigjilje të fushatës së 25 prillit, bazën ku më tej do të ngremë të gjithë argumentet për Shqipërinë e viteve që vijnë, vizionin Shqipëria 2030 dhe planin e veprimit 2021-2025. Sepse ne nuk jemi një nga partitë në garë. Ne jemi forca qeverisëse sot dhe nesër dhe për ne kjo fushatë nuk është një hapësirë për të ngritur në radhë premtimet tona, por është një mundësi për t’ju njohur me planin tonë konkret.
Dje ju thashë se 25 prilli është një udhëkryq për drejtësi. Në 25 prill, sikundër na ka ndihmuar ta bëjmë të qartë presidenti aktual që flet në emër edhe të atij ish presidenti më famëkeq të kësaj republike, ju do të vendosni me drejtësinë apo me Ilir Metën, me Reformën në Drejtësi apo me koalicionin KÇK - PD-LSI.
Por 25 prilli është udhëkryq edhe për shëndetin e shqiptarëve. Në rrugën e një luftë të egër që zgjat prej një viti tanimë dhe që sapo ka hyrë në fazën finale me vaksinimin, armën fituese, sëpatën me të cilën mund të presim hap pas hapi, goditje pas goditje, zinxhirin e infektimeve. Armiku i padukshëm e tronditi botën nga themelet. Si në asnjë luftë më parë u sulmua njëkohësisht i tërë planeti dhe u mbyllën në shtëpi të gjithë popujt, popujt e vendeve të mëdha e të vogla, popujt e vendeve të pasura e të varfra, popujt e vendeve të zhvilluara e atyre në zhvillim.
Armiku i padukshëm sfidoi me një egërsi të pashoqe sisteme shëndetësore të të gjitha shteteve, ekonominë globale, ekonomitë kombëtare dhe ekonomitë familjare të të gjithë popujve të botës.
Më persekuton vazhdimisht, qysh prej ditës së parë të kësaj lufte që vazhdon, pyetja: Çfarë do të kishte ndodhur, si do kishin shkuar gjërat vallë në këtë vend, sikur ky armik i pamëshirshëm të kishte zbritur këtu 7 vite më parë, apo sikur, larg qoftë, të na kishte gjetur krejt gafil me sistemin shëndetësor që kishim deri para pak vitesh?
E keqja harrohet shpejt, e mira nuk ka fund. Është në natyrën njerëzore që, pasi kapërcen një të keqe, ta lërë atë pas krahëve të kujtesës, teksa në të përditshmen e tij të kërkojë çdo ditë e më mirë. Sepse kështu është njeriu. Sot duket gati e pamundur që njerëzit të kujtohen se çfarë kiameti ishte shëndetësia jonë, përpara sesa neve të na binte barra e madhe e përgjegjësisë për ta drejtuar këtë vend dhe të na bëhej nderi i madh nga shumica e shqiptarëve që në emër të tyre, në mbrojtje të interesave të tyre, për llogari të të ardhmes së tyre, të drejtojmë vendin.
E keqja harrohet shpejt, e mira nuk ka fund. E sot duket gati e pamundur për njerëzit të kujtohen se çfarë kiameti ishte shëndetësia jonë, përpara se ne të nisnim transformimet e mëdha e të vështira që vazhdojnë sot e gjithë ditën.
Kur unë postoj foto të atyre viteve aspak të largëta dhe foto të këtyre ditëve në krah tyre, lidhur me ndryshimet në shëndetësi, nuk janë të paktë njerëzit që komentojnë me ironi, cinizëm, përqeshje, me të shara e akuza, a thua se kanë përpara një truk kompjuterik, një trillim fotoshopik apo një iluzion optik.
Spitalet me batanije lara-lara, rëndom pa batanije për pacientë që vinin me familjarë që i mbanin për krahu, duke mbajtur njëkohësisht në kurriz batanijet nga shtëpia.
Spitalet me çarçafë të zverdhur nga larjet dhe tharjet shumëvjeçare, qysh se nuk mbahej mend.
Spitalet me instrumente mjekësorë të vjetër e të pasterilizuar, që i kishin bërë infeksionet post-operatore në Shqipëri, një rutinë të sistemit tonë shëndetësor. 50 mijë infeksione post-operatore çdo vit.
Spitale me aparatura të vjetra, mes të cilave edhe pak të reja, të cilat më shumë rrinin prishur për të transportuar pacientët drejt klinikave private.
Spitale me mure me harta, të krijuara prej lagështirave kronike dhe banjo me ujëra që merrnin korridoret e korridore të shtruara e të shtruara për tenderin e radhës, si mozaikë të historisë së korrupsionit dhe të keqadministrimit. Spitale me autoambulanca të tejlodhura që më së shumti rrinin në parkimet e ndyta rreth tyre dhe që përgjithësisht nuk mbërrinin kurrë në kohë në vendin e urgjencës.
Spitale të rrethuara nga tregje e tregtarë, nga dyqane e kalimtarë që mizëronin përditë në ish hapësirat e gjelbra të institucioneve të shëndetit publik.

Spitale me turma që popullonin korridoret ku nuk dallonin dot mjekun nga familjari, infermierin nga familjari se nuk ekzistonin uniformat e rregullta të trupës mjekësore.
Spitale me kangjella pas kangjellash, lloj-lloj kangjellash që ndanin spitalin nga rruga, dyqanet brenda spitaleve mes tyre, godinat mjekësore mes tyre.
Spitale ku mund të gjeje në ato pazare shëndetësie, rroba të brendshme dhe të jashtme, varur në diell poshtë tendave të pista, ku kishte kuti me lodra dhe arka me zarzavate, syze Gucci dhe Versace të kontrabanduara nga Kina, çamçakëzë dhe pije të nxehta freskuese, qoftë edhe konserva që nuk mungonin kurrë dhe kioska farmaceutike të rrethuara këndej dhe andej kangjellave që prisnin familjarët e pacientëve me recetat e marra brenda për t’i blerë ilaçet aty jashtë.
Kush më thotë se nuk ishte kjo shëndetësia që kishim në Shqipëri deri para disa vitesh dhe jo diku në periferi, por edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në mes të kryeqytetit, ose ka humbje të memories, ose memorien e ka me passwordin e opozitës.
Por ishte kështu.
Madje ishte edhe më keq se kështu sepse këto që unë thashë janë fjalë të thëna në shumë pak minuta, ndërkohë që ato që rendita ishin realiteti i dy dekadave e kusur përditë e përnatë, si një film horror pambarim për këdo që taksirati e çonte në spital dhe për këdo që në radhët e bluzave të bardha ruante me shpirt ndër dhëmbë dinjitetin personal dhe profesional.
Kush e harron nga ku është nisur, nuk e arrin kurrë aty ku do, thotë një fjalë e urtë e mençur. Nuk po them gëzohuni, lumturohuni, çohuni në këmbë e na duartrokisni për spitalet që nuk janë më ato që ishin, por po ju them vetëm mos e harroni ku ishim, që të mund të vlerësoni ku jemi. Unë i pari ju them se nuk jemi ende aty ku duhet, aty ku doni, aty ku do të jemi nëse nuk ndalemi e rrotullohemi rreth vetes, por shkojmë përpara, me besim, me punë, me durim.
E nisa me armikun e padukshëm dhe po rikthehem tek armiku i padukshëm që, pikërisht sepse qysh prej ditës së parë kur ne morëm detyrën nuk kemi fjetur asnjë moment gjumë, por kemi nisur një punë të madhe dhe jashtëzakonisht të vështirë transformuese, nuk na gjeti gafil, por të përgatitur. Ne u futëm në mbrojtje, të gjithë së bashku si popull, u mbyllëm fort, por ne, si njerëzit që na keni besuar drejtimin e punëve të këtij vendi, nuk e ndaluam asnjë ditë e asnjë natë punën për t’u armatosur sa më mirë, në ndërkohë që armiku i padukshëm shtrihej mes nesh.
Këtu është momenti për t’ju thënë mjekëve e infermierëve, në radhë të parë atyre që u rreshtuan në vijën e zjarrit, por edhe gjithë të tjerëve që, pavarësisht se nuk i rreshtoi koha, pozicioni i tyre, profili i tyre në atë vijë, kanë qenë qysh prej atij momenti të parë e mbeten deri sot pjesë e asaj lufte në vijën e parë, shumë faleminderit, shumë respekt, shumë mirënjohje!
Pa ju do ishte e pamundur. Pa ju, jetët e humbura që do të numëronim sot do ishin shumë më tepër. Pa ju, mijëra e mijëra njerëz që kanë hyrë në spitale me armikun e padukshëm, ngjitur mbi shpinën e tyre, nuk do të kishin dalë të lehtësuar, jo vetëm nga pesha e frikshme e kësaj qenieje monstruoze që nuk shihet me sy, por edhe nga shërbimi, përkushtimi, përkujdesja juaj. Shumë faleminderit!
Ne kemi bërë gjithçka është e mundur për ju. Jo gjithçka kemi dashur. Ju meritoni më shumë dhe mbi të gjitha meritoni jo vetëm respektin dhe mirënjohjen tonë, por respektin e mirënjohjen e çdo shqiptari dhe shqiptareje që duhet ta ndajë mirë, qartë e prerë gjithë trupën tuaj, krejt heroizmin tuaj, tërë sakrificën tuaj nga sëkëlldia, turbullia, neveria legjitime për ato raste, kur qenie të padenja mes jush e tradhtojnë misionin tuaj dhe njollosin bluzën e bardhë.
Megjithatë, edhe pse nuk kemi bërë sa kemi dashur, besoj se duke bërë gjithçka kemi mundur, ia kemi dalë që t’ju bëjmë të mos ndjeheni vetëm. Ja kemi dalë t’ju bëjmë të ndjeheni se ne jemi aty, jemi pranë jush, në mbështetjen tuaj.
3656 mjekë, infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar qysh prej ditës së parë të luftës bonusin 1000 euro mbi pagën mujore e do ta përfitojnë deri në përfundim të luftës.
1212 staf mbështetës kanë përfituar bonusin 500 euro mbi pagën mujore sipas punës së kryer me pacientët me COVID-19 dhe ky bonus do vazhdojë sipas punës së kryer për të gjithë ata, të cilët duhet ta përfitojnë deri në fund të luftës.
Prej fillimit të pandemisë kemi punësuar 464 personel shëndetësor plus, për të siguruar rritjen e kapaciteteve dhe për të garantuar se burimet njerëzore, forca shpirtërore dhe profesionale në vijën e parë të përballjes me armikun e padukshëm të mos shterë për asnjë çast, për asnjë arsye.
Gjatë 3 viteve të fundit, paga e mjekëve dhe infermierëve është rritur me 57%. Dinjiteti aq shumë i nëpërkëmbur dhe aq shumë i ndjerë si cenuar nga vetë mjekët dhe infermierët është rivendosur në vend, duke ju siguruar kushte të pakrahasueshme pune dhe punësim mbi bazë merite të gjithë atyre që hyjnë rishtazi në këtë trupë shërbëtorësh të parë të këtij vendi, të këtij populli.
Janë punësuar mbi bazë merite 1250 mjekë dhe 3500 infermierë.
Paga mesatare bruto e një mjeku sot është 1100 dollarë.
Paga mesatare e një infermieri sot është 650 dollarë.
Akoma nuk janë aq sa duhet. Akoma nuk janë aq sa mjekët dhe infermierët tanë meritojnë, por akoma mbetet edhe këtu, si në çdo gjë tjetër, për të mos harruar se nga u  nisëm, si garanci që ne jo vetëm e dimë ku duam të shkojmë, por e dimë edhe sesi të shkojmë aty ku duam.
Ishim ne që vendosëm për herë të parë skemën e mbështetjes financiare me një bonus prej 2500 dollarësh mujore për çdo mjek që pranon të punojë larg vendbanimit, apo për çdo mjek që do të kthehet nga jashtë këtu në vend dhe kemi pasur dhe nag të parët, edhe nga të dytët.
Ndërkohë, është momenti për t’ju thënë atyre që të infektuarit nga burimet djallëzore të dezinformomi, përsërisin e përsërisin se kanë ikur mjekët, kanë ikur infermierët, nuk ka më mjek, nuk ka më infermier, se për hir të vërtetës, ne e gjetëm vendin në një situatë absurde në këtë pikëpamje pasi qeveria e mëparshme, ata që sot u thonë se me ta shëndetësia fiton, nëse bëni atë që ju nuk do ta bëni, të votoni për ta, kishte mbyllur specializimet, për katër vite me rradhë e sot ne kemi 1700 specializantë të rinj duke përmbushur kërkesën e spitaleve për burime njerëzore të reja. 
Nga ana tjetër, ne i dhamë fund historisë së punësimit të mjekëve por sidomos infermierëve, me teser partie, me ryshfet apo me rekomandim krushqie. Sot, në sistemin tonë shëndetësor janë 1234 mjekë dhe 3500 infermierë dhe infermiere që janë punësuar nga testimi kombëtar përmes portalit që është hapur enkas për të garantuar pikërisht meritën, inferierëpërshqiëprinë dhe mjekëshëndetësia.gov.al.
Kemi forcuar kapacitetet spitalore dhe ato të terapisë intensive e praktikisht sot kemi 4 spitale COVID, të dedikuar. Me kapacitet 550 shtretër dhe duke aktivizuar dhe pajisur 1600 shtretër bashkë me spitalet rajonale, ne ia kemi dalë që të mos ndeshemi në asnjë moment me kërcënimin real të kolapsit të sistemit siç u ndeshën sisteme shëndetësore shumë më të zhvilluara se i yni dhe siç u përballën spitalet në vende shumë më të pasur sa ky i yni. 
Kemi pajisur me aparaturë të reja spitalet COVID dhe njësitë e terapive intensive në spitalet rajonale duke e rritur në mënyrë eksponenciale për vetë natyrën e çështjes kapacitetin e aparaturave jete shpëtuese respiratore. Besoj ju kujtohet kur thonin, do ti vdisni njerëzit se nuk keni respiratorë. Sot, ne disponojmë jo më shumë, jo më pak por mbi 500 respiratorë dhe për shkak se kemi ditur të administrojmë më së miri duke dëgjuar me shumë vëmendje komitetin teknik e duke ndjekur me shumë përkushtim mjekët dhe infermierët në rrugëtimin e tyre, nuk kemi pasur nevojë të përdorim shumicën e këtyre aparaturave. 
Kemi siguruar terapitë e mjekimit me medikamente sipas protokollit të shërbimeve njësoj si në çdo vend tjetër. 
Kemi financuar 100% trajtimin ambulator në banesë me dy skema mjekimi për të sëmurët në gjendje të lehtë dhe për ata në gjendje pak më të vështirë dhe mbulojmë paketën e këtij trajtimi duke vazhduar njëkohësisht rritjen e kapaciteteve të testimit. Ju kujtohet, nuk ka teste, nuk bëni teste. Gjithçka ka ecur sipas planit. Kemi 10 herë më shumë kapacitete testimi nga fillimi i luftës dhe kemi sot 4 laboratorë për testime nga 1 që kishim në fillim të luftës. Kemi dhe testin e shpejtë që kryhet në 55 pika testimi të dedikuara në çdo komunitet pranë qendrave shëndetësore. Janë më shumë se 110 mijë testime të shpjeta të kryera në pikat e testimit në komunitet, duke reduktuar kohën e testit e duke reduktuar dhe kohën e marrjes së përgjigjet. 
Grupet e terrenit, epidemiologët janë rritur e faktikisht është garnatuar që 90% e të dyshuarve arrihen, testohen dhe vendosen ën izolim brenda 48 orëve. Ju kujtoj sot që vaksina është kryefjala dhe e panjohura ende shqetësuese për mua e kësaj faze të luftës, se nga zero vaksina ndaj gripit në 2013, ne kemi vaksinuar falas 368 940 qytetarë në vitin 2020 që do të thotë as më shumë e as më pak por 4 herë më shumë se sa në vitin 2018. Për të gjitha kategoritë e rrezikuara, për personelin shëndetësor, për të sëmurët kronik, për mësuesit, edukatorët, të moshuarit, fëmijët 2-5 vjeç. Vaksinat që na kanë humbur sot edhe atëkohë të shkurtër legjitim e gjumi që jemi mësuar të bëjmë prej 7 vitesh e kusur midis dy kohëve të gjata të zgjimit, janë ende për tu siguruar. Ne i festuam menjëherë tek platforma COVAX. Ne pritëm që Europa, BE, të na jepte mundësinë që të fillonim menjëherë vaksinimin me vendet anëtare, sigurisht pa ëndërruar e pa pretenduar që të trajtoheshim njësoj në doza por pa e imagjinuar që sëbashku me 5 vendet e tjera të rajonit, këtu në mes të Europës, rrethuar nga vende të tjera të Bashkimit Europian, do të liheshim pa asnjë dozë dhe në kushtet kur pritshmëria nga COVAX ishte një pritshmëri pa datë dhe kur këtu çdo ditë ndiheshim keq për të gjithë njerëzit tanë që nga televizori ndiqnin fillimin e vaksinimeve në Itali, në Greqi, që dëgjonin për vaksinimin nga miqtë, nga familjarët e tyre jashtë kufijve, vendosëm të marrim rrugën, të kalojmë oqeanin, të trokasim në derën e kompanisë Pfizer e ti ulemi në gjunjë duke bërë atë që unë e kam bërë, e bëj e do ta bëj deri në fund, sa herë që duhen mbështetur, duhen ndihmuar, duhen ngritur në këmbë pas një rrëzimi njerëzit e këtij vendi, duke shtirë dorën e duke lypur. 
Arritëm, jo të zgjidhim krejt problemin, por ta fillojmë vaksinimin, ndryshe nga vendet e tjera në rajon, me përjashtim të njërit, Serbisë. Vendet e tjera në rajon ku sot e gjithë ditën, nuk ka një datë për mbërritjen e vaksinave. Një vend ka filluar diçka të vogël me një donacion nga një vend tjetër prej vetëm 4000 vaksinash e ka qenë një ditë feste, një ditë çlirimi, një ditë daljeje nga barra e ndjenjës së poshtërimit. Po kështu një vend tjetër. Ndërkohë që Kosova motër sot e gjithë ditën nuk ka ende asnjë dozë brenda kufijve të vet. Jua kujtoj këto për t’ju thënë të gjithë atyre që na përqeshin kur qëndrojmë sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe ministrin e Rindërtimit që mbulon gjithë këtë proces si koordinator mes ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave, përballë një kutie, përballë dy kutish që zbresin nga avioni. E lehtë të shtrembërosh buzët, e lehtë të shash, të akuzosh, e lehtë të japësh këshilla të pakërkuara që nuk qëndrojnë as në qiell e as në tokë por sa e vështirë të sigurosh këtë armë, të sigurosh këtë armë në sasi të atilla që ti japësh fund kësaj lufte. 
Sidoqoftë, sot vaksinimi i personelit shëndetësor po shkon drejt fundit dhe ka nisur edh për të moshuarit. Sidoqoftë, qeveria shqiptare sot ka siguruar dy kontrata, një drejtpërdrejtë me Pfizer dhe një përmes mekanizmit të COVAX për 1.6 milionë vaksina në total dhe sidoqoftë sot, unë jua përsëris që pres shumë shpejt lajme shumë të mira. Jo nga qielli, as nga bamirësia e pamundur e Bashkimit Europian, por nga këmbëngulja dhe nga angazhimi i pandërprerë si lypës. 
Ajo që ka rëndësi të thuhet sot e që me guxim unë do t’jua them, pavarësisht se ende asgjë nuk është e siguruar 100% është se ambicia ime, aspirata ime, ëndrra ime po të doni është se sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensiv, mars, prill, maj, qershor. Një vaksinim intensiv që do të këpusë si një sëpatë hap pas hapi, goditje pas goditje, hallkë pas hallke të zinxhirit të infektimeve e që do të mundësoje që të çlirohemi pjesërisht por në mënyrë të konsiderueshme nga barra e madhe e ankthit, e pasigurisë, e merakut për njerëzit tanë më të afërt, më të dashur, për më të moshuarit, për ata që kemi rreth e rrotull në një situatë kur e kemi parë që ky armik nuk kursen, nuk ka masë dhe prek dhe ata që normalisht duken të paprekshëm, të rinj të shëndetshëm apo dhe deri fare shumë të rinj. 
Ky është një udhëkryq, tani më lejoni t’ju pyes edhe një herë edhe për  këtë. A mundet që në këtë udhëkryq ti besohet fati i finales së kësaj lufte, i atyre që firmosën atë koalicionin tragjikomik, atyre që qysh nga dita e parë e luftës, nuk u rreshtuan një herë bashkë me ne, pranë jush. Atyre që, që nga dita e parë e kësaj lufte zgjodhën të bëhen aleatë me COVID, vetëm e vetëm sepse COVID-i ishte armiku i deklaruar i kësaj qeverie. Atyre që, që nga dita e parë e kësaj lufte, nuk humbën asnjë ditë, pa hedhur baltë, pa shpifur, pa akuzuar, pa nxitur panik, pa krijuar alarm, vetëm e vetëm për politikë. E mbi të gjitha a mund tu besohet atyre faza finale e kësaj lufte, në këtë udhëkryq të 25 prillit kur personaliteti i tyre më i njohur, më i respektuar, edhe më i dashur, doktor Halim Kosova del dhe thotë publikisht se ku janë ata në raport me këtë luftë e se cilët janë ata që japin mend dhe bëjnë akuza në mes të kësaj lufte. 
Unë them jo, nuk mund ti besohet atyre vazhdimi i asnjërës prej punëve që kemi nisur. Nuk mund ti besohet atyre fati i drejtësisë, jo për 4 vitet e ardhshme por për një gjeneratë tjetër. Si mund tu besohet atyre fati i luftës në këtë përballje për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë. Në këtë përballje me një armik që nuk zgjedh demokrat apo socialist. Nuk sheh majtas dhe djathtas, nuk do t’ia dijë se nga vjen, se kush je, se më kë ke, se sa ke, por godet. E pra, ashtu sikundër ky armik i padukshëm nuk na ndan por na godet na të katërt anët, ashtu ne nuk duhet të ndahemi por duhet të jemi të bashkuar nga të kartër anët duke e lënë pas krahëve politikën e duke u përqendruar tek lufta për shëndetin.

                                                            ***               ***                        ***                                ***

Siç ju thashë dhe në fillim, këtu jemi për faktet, jemi për t’i kujtuar të gjithë sëbashku për nga u nisëm, për të konstatuar se ku jemi dhe pa harruar nga u nisëm, të shohim përpara dhe të vazhdojmë rrugën e të arrijmë aty ku të gjithë duam të shkojmë. Njësoj si në të gjitha të tjerat, edhe shëndetësia që kemi nuk krahasohet me shëndetësinë që kishim. Është dita që nuk krahasohet dot me natën, por shëndetësia që duam nuk është ende e krahasueshme me shëndetësinë që kemi. Është agimi me momentin e shkëlqimit të diellit. 
Me disa fakte dua të sjell në vëmendjen tuaj që deri disa vite më parë, 600 mijë qytetarë të këtij vendi, të pasiguruar për njëmijë e një arsye, ishin të pambuluar,  që do të thotë, çdo ilaç duhet ta blenin, ta paguanin dhe nuk u rimbursohej. Janë 600 mije plus që prej disa vitesh janë të mbuluar nga sistemi ynë shëndetësor me rimbursim ilaçesh, pa pagesë dhe me vizitë falas tek mjeku i familjes. 
Nga ana tjetër, nga vaksinimi i fëmijëve dhe të grupeve të rrezikuara kanë përfituar më shumë se gjysmë milioni shqiptarë dhe mos harroni, në 2013-ën, zero. 
U kemi kursyer buxheteve familjare, pra, para të cilat deri dje shkonin në arkën e shtetit, sot prej vitesh mbeten në arkën e familjeve, 18 milionë dollarë nëpërmjet reformës së uljes së çmimit të barnave.
 A ju kujtohet apo jo, se çmimi i barnave këtu kushtonte shpeshherë shumë më shtrenjtë sesa në vendin e origjinës. Ndërsa sot, jo vetëm që nuk ka ilaç që nuk kushton më shumë se në vendin e origjinës, por êshtë hequr taksa mbi ilaçet e po ashtu janë hequr dhe tarifat për shërbimet dhe paketa shëndetësore të financuara në spitalet publike dhe jo publike. Paketa të tëra, sot, në spitalet jopublike private financohen nga shteti për t’i dhënë mundësi pacientëve që të përfitojnë prej tyre. 
Lista e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 191 barna të reja dhe përfitimi i të gjithëve është fare i qartë. 
Financimi është rritur me 1/3. Nuk e di a ju kujtohet një ngjarje që u bë mediatike dhe që krijoi një sensibilitet mediatik, rasti i një zonje, e cila qante në sytë e publikut e kërkonte ndihmë, sepse nuk arrinte të mbulonte shpenzimet për të kuruar tumorin. Prej atij rasti, ne hymë në një proces për të mbajtur angazhimin që të garantojmë mbulim 100% falas për pacientët me kancer apo sëmundje malinje të gjakut dhe kjo u realizua. Të gjitha gratë e vajzat që kanë nevojë për këtë kurë mbulohen 100% në financimin e kurës nga shteti. 
A ju kujtohet se çfarë ishte Urgjenca? 
A ju kujtohet kur merrnit në telefon e binte zilja e nuk e ngrente njeri apo kur dilte e zënë sepse ai që ishte matanë, pas atij fillit të zi të kohës së qepës e kishte lënë telefonin varur e ja kishte futur gjumit afër telefonit, si Luli? 
Sot, ne kemi Urgjencën Kombëtare të digjitalizuar, të qendërzuar dhe të transformuar, e cila me 100 autoambulanca të reja ofron mbulim në të gjithë territorin. E jo vetëm ofron mbulim në të gjithë territorin, në sensin e lëvizjes në territorin e urgjencës, por ajo që është edhe më e rëndësishme, është që shërbimi është i monitoruar.Pra të gjitha telefonata, thirrjet, përgjigjet, lëvizjet e makinave, arritjet në vend, bisedat, janë të incizuara dhe nuk ka asnjë mundësi që në gjithë këtë mori veprimesh, detaji më i vogël të mbetet jashtë vëmendjes. 
Nga ana tjetër, ka një fakt, është reduktuar me dy herë dhe me më shumë se dy herë, koha mesatare e mbërritjes së urgjencës në vendin e urgjencës në rang vendi. Urgjencë kardiake, miniinvazive, 24 orë, shtatë ditë të javës. Urgjencë kardiovaskulare, cerebrale, 24 orë, shtatë ditë të javës. Urgjencë mjekësore funksionale 24 orë, shtatë ditë të javës dhe ambulancat, pavione të vogla lëvizëse. 
Është folur për shëndetësinë, është folur vazhdimisht mbrapsht, paralelisht për PPP-të, ,për koncesionet, për oligarkët, dokrra! Në vitin 2013 çdo i sëmurë që kishte nevojë për dializë duhet të vinte nga Konispoli apo nga Tropoja, apo nga çdo cep tjetër i Shqipërisë një herë në dy ditë në Tiranë. Parafytyrojeni, ,të vish nga Tropoja një herë në dy  ditë në Tiranë se përndryshe nuk jeton dot më dhe të vish nga Tropoja nga Konsipoli, nga çdo cep i Shqipërisë një herë në dy ditë në tiranë bashkë me një familjar se nuk lëviz dot vetëm e të paguash shpenzimet e atyre udhëtimeve, të rrish e të presësh me tre turne për të bërë dializën. Sot është një shërbim nga ato PPP-të, i investuar nga një privat, i ofruar nga shteti për të gjithë pacientët pa asnjë qindarkë për xhepin e tyre, në 12 qendra dialize në të gjithë vendin, me aparatura bashkëkohore, me shërbim profesional, i përshtatshëm për të gjithë të sëmurët dhe janë 178 mijë e 998 seanca dialize falas në vit. Çfarë ishte Shqipëria, çfarë ishte shëndetësia në Shqipëri kur këto, thuajse 200 mijë seanca zhvilloheshin larg syve të media, larg syve të atyre që lavdi zotit nuk kanë nevojë për dializë e ishin fatkeqësia e gjithë këtyre njerëzve të lënë rrugëve. Kush ka fituar këtu nga ky investim dhe nga fakti që shteti e shlyen këtë investim vit pas viti dhe në pak kohë do ta ketë të vetin. Oligarkët apo njerëzit e zakonshëm të këtij vendi të lënë rrugëve si jetimë të braktisur në mëshirën e fatit deri pak vite më parë? 
Një fakt tjetër që dua të risjell e dua ta mbyll me këtë fakt të shpresës dhe me këtë fakt të buzëqeshjesh është bonusi i bebes për çdo të porsalindur. E kemi gjetur vendin me një bonus që jepej nga bashkitë, 50 mijë lekë të vjetra, i mbetur aty për vite të tëra, të qeverisë së atyre që duan të rikthehen prapë, që nga koha kur unë si kryetar bashkie për herë të parë vura një bonus për bebet. Sot, 400 mijë lekë për fëmijën e parë, 800 mijë për të dytin, 1 milionë e 200 mijë për të tretin dhe natyrisht, kush ka forcat e fatin për të bërë binjak e trinjak, bëjini llogaritë vetë. Janë 72 183 fëmijë që e kanë përfituar këtë bonus. Janë 50 milionë dollarë që kanë shkuar për fëmijët. A janë mjaftueshëm? Jo, nuk janë mjaftueshëm. A duhen më shumë? Po duhen më shumë. Por a janë më shumë se sa 50mijë lekë të vjetra? Besoj që janë shumë më shumë se sa 50 mijë lekë të vjetra. Ashtu sikundër në çdo gjë tjetër nuk mjafton, për çdo gjë tjetër duhet më shumë. Pra më thoni një gjë ku ka pasur më shumë e jo shumë më pak dhe ku sot nuk ka shumë më shumë se sa kishte? Çfarë? Jo thjesht para por shpresë, bazuar në bazat që janë ngritur e në ngrehinën që është vendosur hap pas hapi mbi ato baza. 
Fushata jonë e vaksinimit është Shqipëria buzëqesh e unë dua që Shqipëria të buzëqeshë falë kësaj fushate, duke u çliruar përfundimisht nga armiku i padukshëm. Kjo është sfida e sfidave, kjo është lufta e luftërave e kjo është thirrja e thirrjeve për secilin e për secilën, që ne të jemi në gjendje që kur dielli i verës të buzëqeshë me të gjithë fuqinë e vetë, Shqipëria të jetë duke buzëqeshur pasi e ka lënë mbrapa makthin e është duke dalë më në fund nga tuneli ku duket drita.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm