Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - RINDËRTIMI NUK NDALET

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - RINDËRTIMI NUK NDALET

05 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - RINDËRTIMI NUK NDALET

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

15 muaj më parë ne u zgjuam nga një tronditje e jashtëzakonshme që lëkundi themelet e shtëpive tona dhe që ngjalli ankthin e madh të asaj çka kishte ndodhur rreth nesh. Shumë shpejt mësova që diku pranë, në Durrës, tërmeti i 26 nëntorit kishte goditur shumë fort e pastaj, minutë pas minuti, informacioni shtrihej e shtrihej duke krijuar një perimetër që sot e gjithë ditën është perimetri brenda të cilit ne po kurojmë pa pushim plagët e hapura atë natë. Sot , kur ne jemi në rrugën drejt25 prillit dhe shumëkush flet për 8 vite, unë dëshiroj të bëj një korrigjim, në thonjëza apo pa.

Në fakt nuk janë ende 8 vite sepse ne kemi hyrë në zyrë në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 2013 por jo vetëm kaq. Ky mandat ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie shqiptare pasi është thyer në mes nga tërmeti dhe nga pandemia. është thyer në mes duke përmbysur të gjitha planet tona, duke përmbysur të gjithë kalendarët e punës sonë, duke përmbysur prioritetet tona dhe duke e kthyer tërësisht vëmendjen në 2 drejtime që na kanë vënë përballë dy sfidave të jashtëzakonshme. E them ndoshta pa modesti por e them me bindje të plotë, dy goditje që do kishin rrëzuar përtokë një elefant e jo më një qeveri të Shqipërisë me fuqi e dinamika të kufizuara që ka, dy sfida të cilat askush tjetër, ju i njihni, i dini se cilët janë të tjerët, nuk do mund ti përballonte me forcën, vullnetin dhe me dinjitetin që po i përballojmë ne, Partia Socialiste në qeverisjen e këtij vendi. Realisht, kur jam përgjigjur “I nxjerr edhe nga dheu”, pyetjes së një gazetareje se ku do i gjesh paratë për gjithë këto plagë që duhen kuruar dhe shëruar, ka qenë një fjalë e dalë nga zemra, por edhe një fjalë që mendja nuk arrinte dot ta mbështeste në argumente. Ka qenë një fjalë e thënë nga pasioni, nga ambicia dhe natyrisht nga barra e jashtëzakonshme e detyrimin ndaj atyre mijëra e mijëra njerëzve të mbetur pa strehë për pak minuta, por nuk ka qenë një fjalë që në atë moment mund të mbështetej në mundësitë tona. Kam marrë rrugën dhe kam bërë me dëshirën më të madhe dhe më vullnetin më të fortë lypësin, kudo ku kam mundur, duke trokitur në të gjitha dyert e mundshme, që nga perëndimi e deri poshtë, në Lindjen e mesme.

Ju e dini si vazhdoi historia, arritëm të sigurojmë një mbështetje rekord për Konferencën e Donatorëve të Bashkimit Europian, në mbështetje të vendeve  të goditura nga fatkeqësitë natyrore. Një mbështetje rekord që na dha frymë, energji, që na forcoi bindjen se ne do t’ia dilnim. Nga ana tjetër, në territor punohej çdo ditë, çdo natë për të mbledhur të gjitha faktet, për të regjistruar të gjitha dëmet, për të bërë verifikimet e regjistrimeve dhe riverifikimet e verifikimeve. Një punë e jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme, ama ajo për të cilën unë jam realisht i qetë kur i shoh në sy të gjithë ata të cilët janë prekur nga ajo fatkeqësi, është se asnjë ditë nuk mbetëm në qiellin e hapur. Është se sot e gjithë ditën askush që ende nuk është kthyer në shtëpi, nuk është në kushte të ndryshme nga kushtet e të gjithëve ne që jetojmë në një shtëpi, përveç një numri të vogël që janë sot afro 500familje që kanë vendosur të qëndrojnë deri në fund në çadër, në territor pranë rrënojës aty në fshat për arsyet e tyre që lidhen me tokën dhe gjënë e gjallë. Megjithatë, njësoj si gjithë të tjerët, marrin bonusin e qerasë.

Jam po ashtu i qetë kur i shoh në sy të gjitha këto familje sepse, ndryshe nga të gjitha vendet që ne kemi parë dhe praktikat që ne kemi studiuar të vendeve të goditura nga fatkeqësitë, nga perëndimi deri në Lindje të kësaj hemisfere, është praktika e parë e dhënies mbrapsht të një shtëpie më të mirë, më të fortë, të një shtëpie më të bukur falas. Kudo praktikat janë të bazuara mbi kreditë e buta, mbi pjesëmarrjen e qeverive në shpenzimet e familjeve për shtëpitë që marrin mbrapsht por askund nocioni 100% falas nuk është përdorur.

Natyrisht që koha është ndryshe për ata që presin të futen në shtëpi, pavarësisht se janë në shtëpi në qytet me qera dhe ndryshe për të tjerët që janë me shtëpi në qytet por sidoqoftë janë në shtëpitë e tyre. Është normale që me gjithë komoditetin që ata janë, padurimi të jetë i madh  dhe dëshira për tu kthyer në shtëpi të jetë duke u rritur çdo ditë, por kanë kaluar vetëm 15 muaj. A mund të ma thoni ku është një kompani, një ndërtues privat i cili e ndërton një pallat për 15 muaj dhe kur them e ndërton një pallat për 15 muaj, nuk kam parasysh momentin kur shfaqet ekskavatori deri në momentin kur jepen çelësat por kam parasysh kohën nga momenti kur ideohet projekti, hartohet, bëhen dokumentet e më pas fillon ndërtimi e në fund ndërtimi. Nuk ekziston. Në rastin më të mirë, më optimal, projekti për ndërtimin e një pallati nga një kompani private, zgjat 2 vjet nga fillimi i hartimit të tij. Shumëkush flet për “Erdhën zgjedhjet prandaj po punoni, erdhën zgjedhjet prandaj janë këto kantieret, erdhën zgjedhjet prandaj po testohen avionët në aeroportin e Kukësit, erdhën zgjedhjet prandaj po bëhet Porti i Durrës”. Jo. Të gjitha këto që sot janë kantiere të hapura nëpër Shqipëri, janë punë të nisura 2-3-4-5 vite më parë. Ndërkohë që kantieret e rindërtimit jo vetëm që nuk janë të vonuara, por janë me një ritëm që është absolutisht një ritëm për të cilin ne ndjehemi të qetë përpara të gjithëve atyre të cilët presin të kthehen në shtëpi. Një ritëm optimal. Mos harroni se për të arritur në kantier, në na është dashur të trajtojnë një tërësi dokumentesh pronësie, ti përputhim familjet e mbetura pa strehë me titullin e pronësisë, na është dashur të përputhim strehët e humbura me kurorat nën to dhe mos harroni që në këtë projekt, ne kemi futur dhe një komponent të strehimit të mirëfilltë, duke konsideruar që në do shtëpi ku kanë jetuar më parë më shumë sesa 1 kurorë, 2-3-4 kurora, dhe shtëpia është rrënuar, detyrimi që lind për ne është që të ndërtojmë shtëpi për çdo kurorë. Mos harroni se për të gjithë këto ndërtime kemi pasur të bëjmë me projekte, të angazhohen studio projektimi, të koordinohen arkitektë të huaj dhe vendas, është dashur të angazhohen një pafundësi inxhinierësh të cilët e kanë pasur detyrë të inspektojnë çdo rrënojë, të bëjnë verifikim dhe riverifikim të çdo rasti të regjistruar. Këtu nuk flasim për pak mijëra familje, këtu flasim për shumë mijëra familje.

Thënë të gjitha këto, unë jam shumë krenar që të gjithë ne po iu kthejmë nxënësve, prindërve, mësuesve, qoftë në mes të qyteteve, qoftë në zona periferike, shkolla, kopshte, çerdhe që krahasohen me ato që ishin dhe që ata humbën, po aq saç mund të krahasohet dita me natën. Shkolla, kopshte dhe çerdhe që mund të gjenden kudo në çdo vend të Bashkimit Europian, ku është standardi më i lartë i shkollave dhe kopshteve e çerdheve, jo në çdo vend në tërësi, sepse ka dhe vende të Bashkimit Europian shkolla, kopshte dhe çerdhe që janë nën këto standarde për të cilat ne jemi shumë krenarë sot. Nga ana tjetër, shtëpitë individuale po vazhdojnë të ndërtohen, familjet me shtëpi individuale po vazhdojnë të hyjnë brenda dhe lagjet e reja kanë filluar njëra pas tjetrës, por nuk janë lagje si getot që ndërtoheshin dikur blloqet e vogla të strehimit social, por janë lagje rezidenciale me standardet më të mira të planifikimit urban, lagje rezidenciale nga ato që jemi mësuar ti shohim në fotografitë apo filmimet e resorteve turistike apo residenciale për ata që janë të pasur në këtë vend, me ndryshimin që në këto lagje residenciale do strehohen ata që nuk kanë. Për mua, procesi i rindërtimit është procesi i konfirmimit të ambicies sonë për Shqipërinë që Duam, është procesi i vërtetimit të vërtetësisë së fjalës sonë se ne nuk do të lëmë kurrë asnjë vetëm, është procesi i vënies në pah të një dallimi shumë të madh mes nesh dhe atyre që sot pretendojnë të rikthehen për të marrë një mandat të pestë pasi nuk kanë reflektuar mbi asgjë nga ato që kanë bërë, nuk kanë ndryshuar aspak nga ato që kanë qenë dhe nuk kanë marrë mundimin as të ndryshojnë, të përfshijnë, të integrojnë ide të reja duke lënë pas disa nga të vjetrat. Janë po ato figura, po ajo qasje, po ajo retorikë, po ato ide që kanë dështuar 4 herë dhe më thoni pse do korrin sukses herën e pestë? Nga ana tjetër, le ta themi të gjithë dhe ta themi troç. Për të gjithë ata që natyrisht kujtohen për ato ditë e për ato netë të menjëhershme pas tërmetit, kur njerëzit ishin në rrugë dhe ku ne ishim ditë natë me ta për të bërë sistemimin e parë, a ka ndonjë që mendon se nëse ajo fatkeqësi apo një tjetër fatkeqësi bie në 3 të natës, mund ta gjejë zgjuar apo sidoqoftë ta zgjojë Lulzim Bashën? A ka ndonjë që mendon se Lulzim Basha ka fuqi të lërë gjumin dhe të shfaqet jo thjesht për të dalë në televizor por për të qenë aty deri kur familja e fundit është sistemuar në një strehë? A ka njeri që mendon se ky proces mund të shkojë përpara dhe të mbarojë me sukses duke ecur kështu me këtë ritëm e këtë cilësi në rrugën që jemi nisur nëse në 25 prill, filli i këtij procesi këputet? E nëse në 25 prill, fati i këtij vendi bie në duart e atyre që janë të njohur për shkatërrimet që kanë bërë? Nëse i lidhim figurat me imazhet e kujtesës sonë historike, është shumë e lehtë të ndërtojmë një ekran ku figurat e tyre të bashkëngjiten në harmoni me pamje shkatërrimesh, me momente dëshpërimesh sociale, me situata rrënimi të vazhdueshëm, ndërkohë që nëse pyesim veten se çfarë garancie kanë dhënë këta njerëz për t’ju besuar finalizimin e këtij Programi Rindërtimi, për t’ju besuar ecurinë deri në fund me sukses të këtij procesi transformimi nga ku, siç e kemi thënë, ne po dalim më të fortë, nga ku çdo familje e goditur po del më e fortë? Është e pamundur.

Në mbyllje, përpara se të ftoj ata të cilët do jenë këtu me mua për të dhënë faktet mbi Programin e Rindërtimit, më lejoni që t’ju them të gjithëve atyre që janë sot të pavendosur, atyre që sot mendojnë se është më mirë të mos votojnë fare por dhe atyre që e shohin gjithë këtë proces me tejqyrën e anësisë politike. Pyetja ime është shumë e thjeshtë. Nëse keni nevojë për një mjek, sepse keni një urgjencë për larg qoftë një nga të afërmit tuaj, dhe mjeku qëllon që të jetë socialist, ti përkasë një partie tjetër nga partia juaj, e në ndërkohë aty pranë ke një veteriner që është demokrat, që i përket partisë suaj, kë do merrni për të afërmin tuaj, veterinerin apo mjekun? Nëse në shtëpinë tuaj ka një problem me elektrikun, ka një problem me ujin dhe elektricisti apo hidrauliku aty pranë qëllon që të jetë i një partie tjetër nga e juaja, qëllon që të jetë një nga ata që votojnë apo i përkasin partisë së Edi Ramës, ndërkohë që ju Edi Ramën nuk e shikoni dot me sy, por ama kanë zanatin dhe kanë mjetet për të rregulluar defektin, dhe nga ana tjetër keni aty pranë një marangoz dhe një rrobaqepës që është i partisë suaj e që nuk e sheh dot me sy Edi Ramën, do shkoni të merrni marangozin për të rregulluar problemin me  elektrikun apo do merrni rrobaqepësin për të zgjidhur problemin hidraulik?

Po nëse doni që të çoni fëmijën të mësojë anglisht dhe mësuesi i anglishtes qëllon që të jetë për dreq i Edi Ramës, që të jetë i partisë së Edi Ramës, që të jetë i atyre komunistave të padurueshëm e nga ana tjetër, aty pranë keni një mësues arabishteje, do shkoni të merrni mësuesin e arabishtes për ti mësuar anglisht fëmijës? Apo do të merrni mësuesin e anglishtes?

E pra, pse nuk qenka e njëjta gjë kur vendos se kë të mbash apo të marrësh në punë për të gjitha këto që janë punët tona të përbashkëta e që janë indirekt apo direkt edhe punët e familjes suaj. Çfarë rëndësie ka në fund të fundit se çfarë jam unë? Se cilën parti përfaqësoj unë dhe se unë dhe partia që përfaqësoj nuk është ajo që ti do? Sepse ti do dikë tjetër e do një parti tjetër, nëse unë dhe partia që unë përfaqësoj i kemi dhënë të gjitha provat që nuk ka dikush tjetër e parti tjetër që arrin të bëjë punën tonë? Nuk ka dikush tjetër e parti tjetër që arrin të jetë aty ku bie tërmeti, aty kur pllakos pandemia, aty ku vjen nevoja për të pasur në krah qeverinë, për të pasur në krah shtetin? Nuk duhet të ketë asnjë rëndësi. Ky tifozllëk na ka mbajtur mbrapa për kohëra shuëm të gjata. Ky tifozllëk nuk mundet që të na ndërpresë tani punën që ne jo vetëm kemi nisur por që kemi vazhduar pa pushim e që duke e vazhduar më tej pa pushim, mund të na japë mundësinë të gjithëve sëbashku që të kemi Shqipërinë që duam.

Shumë faleminderit për të gjithë ata që duruan deri këtu e më lejoni që të ftoj dikë, që me siguri ju do ta njihni edhe pse e keni parë, e keni njohur, e keni admiruar, në një moment të veçante, pikërisht në ato ditë të tmerrshme pas tërmetit kur ankthi kishte pllakosur gjithandej, kur shumë prej jush rrinin në rrugë se nuk donin të futeshin nëpër shtëpia se kishin hall se kthehej tërmeti prap, kur shpërndaheshin lajme të rreme për tërmetin që do binte në orën filan nga ata të cilët sot pretendojnë të marrin besimin tuaj e kur kishit nevojë, jo për zërin e dikujt që e dinit apo e dini se nga çfarë krahu është por për zërin e dikujt që ju lehtësonte, ju siguronte, nga maja e një jete të gjatë profesionale dhe e një integriteti të pacënueshëm moral në profesion e sigurisht edhe të një eksperience të gjatë si nënë e si gjyshe.

Dua që Luljeta Bozo të jetë këtu me mua dhe që me Luljeta Bozon të mund të vazhdoj të përcjellë idenë e palëkundur timen se ne kemi bërë shumë por jo aq sa është mjaftueshëm për të thënë o sa mirë e ndërkohë kjo vlen jo vetëm për punët që kemi bërë për vendin por vlen edhe për vetë Partinë Socialiste, kjo vlen edhe për rrugën tonë të ripërtëritjes, kjo vlen edhe për përpjekjen ton për të qenë në çdo takim zgjedhor me ju, një pasqyrë sa më besnike ose sa më e afërt ose sa më e pëlqyeshme në reflektimin e aspiratave tuaja dhe e standardeve që ju keni për ata të cilët doni të keni në momentet kur nuk doni të jeni vetëm.

 

*

Të falënderoj sepse preke dy aspekte që unë nuk i preka në fjalën time. Së pari, aspektin e financimit sepse shumëkush mendon që ne morëm ato paratë në Bruksel me një thes, ato erdhën këtu e ku janë? Në fakt, e para, paratë e dhëna në Bruksel nga të gjithë donatorët administrohen po nga donatorët. Bashkimi Europian ka angazhuar 100 milionë euro? Janë 100 milionë euro grant që i administron Bashkimi Eurpian, projektet i bën BE për shkollat që janë në proces, tenderat i bën BE, supervizionin e bën BE e për ato raste kur shkollat janë angazhuar nga vende të tjera individuale, projektet i bëjnë ata, tenderat i bëjnë ata, supervizimin e bëjnë ata, paratë i japin ata, tek ata që zgjedhin ata e në çfarë kemi bërë ne shkolla deri tani janë të gjitha 100% me lekët e buxhetit të shtetit. Cfarë kemi bërë banesa individuale e çfarë do bëjmë deri në fund, janë 1005 me lekët e buxhetit të shtetit plus me kontributin e tre partnerëve tanë që janë Elvis Naçi, Arbër Hajdari dhe Marin Mema që kanë një pjesë të vogël por shumë të çmuar në gjithë këtë tërësi ndërsa tek lagjet kemi një lagje që ndërtohet me kontributin e shtetit turk në Laç, dhe një lagje që ndërtohet me kontributin e Emirateve të Bashkuara në Spitallë të Durrësit ku sapo ka filluar puna për infrastrukturën. Kjo është gjëja që duhet ta dinë të gjithë që të mos toroliseni me fantazira. Ne nuk prekim asnjë lek nga lekët që japin donatorët. Janë ata që i administrojnë ata. Ne thjesht japim miratimin për projektet.

E dyta që dua të them, është që në gjithë këtë proces ne sigurisht që edhe kemi mësuar. Në gjithë këtë proces ne sigurisht që jemi rritur më shumë në aspektin që larg qoftë të ndodhë prap por nëse do të na jepej mundësia edhe njëherë të fillonim aty ku filluam, sigurisht do ta bënim më mirë sepse çdo proces, çdo punë, sigurisht ato që ndodhin për herë të parë janë procese e punë që kanë të metat e tyre. përsosmëria nuk arrihet kurrë por të metat e gabimet janë të pashmangshme. E rëndësishme është që ne të mos bëjmë të njëjtat gabime pro të bëjmë gabime të reja në të gjitha gjërat që bëjmë.

Dhe e treta e vërteta Luljeta, unë dua të të falnederoj shumë dhe dua ta ndaj dhe me ata që janë këtu e po na ndjekin, që ti u tregove zemërgjerë dhe pasi u mendove, nuk the jo për të qenë pjesë e skuadrës sonë të 25 prillit ku me kënaqësinë dhe me nderin më të madh timin e të forcës tonë politike, ne do kemi një përfaqësues të një shtrese të gjerë shoqërore që janë gjyshërit e gjyshet dhe sigurisht, një përfaqësues kaq të denjë e kaq vital që ka akoma shumë për të dhënë e që nga maja e eksperiencës së vetë dhe nga maja e integritetit të vetë të padiskutueshme por edhe e eksperiencës jo vetëm si inxhinierie por dhe si nënë, si gjyshe edhe si stërgjyshe, do jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin me kujdes që mos na e këpusësh pro që ne të mund të jemi gjithmonë të fokusuar. Kështu që Luljeta është simboli i gjithë asaj përpjekjeje solidare të shqiptarëve që u bënë bashkë si asnjëherë më parë në ato momente të tmerrshme dhe patjetër është dhe mishërimi i asaj ambicies sime dhe i dëshirës së madhe që skuadra jonë, përfaqësuesit tanë në parlament, njerëzit që flasin ën emër të njerëzve të janë sa më shumë në sinkron me ta e të jenë sa më shumë shëmbëlltyra e tyre e për herë të parë në gjithë këtë histori të gjatë, të gjithë pensionistët do kenë njeriun e tyre aty. E kur kam thënë, deputeti që duam do të ketë njerëz të rinj, ide të reja, forca të reja por jo thjesht mosha t reja, kam pasur parasysh pikërisht mundësinë që të kemi të gjitha moshat e të gjitha grupet. Nuk kam menduar të them të drejtën që do arrinim ta bindnim Luljetën por nuk na e ka bërë plotësisht të vështirë. Ishte një kohë për tu menduar, erdhi Po-ja dhe realisht jam shumë mirënjohës dhe i qetë e i lehtësuar e si të thuash i dëshiruar që të shkojmë përpara njerëzve e të kem në krah dy simbole të këtyre dy goditjeve të mëdha, Najadën nga njëra anë, ty nga ana tjetër. Dy gra të jashtëzakonshme.

**

Besoj që nuk morëm kohë pa fund për ta pasqyruar në mënyrë shumë të përmbledhur një proces me kaq shumë fakte, me kaq shumë ndërveprime, që sidoqoftë është besoj unë e rëndësishme që të qëndrojnë se janë pasqyrë në sytë të gjithëve siç jemi ne këtu. sidomos ne që jemi këtu në kat të parë, nuk po flas për ato të dyja në kat të dytë, por ne që jemi këtu në kat të parë, nuk jemi më të mirët e mundshëm, nuk diskutohet. Bashkë me ato në kat të dytë bëjmë një grup më të mirë se ne në kat të parë por pra nuk jemi më të mirët e mundshëm, por ma thoni dot se ku keni parë më të mirë?

Partia socialiste nuk është më e mira e mundshme, por ma thoni dot ku ka më të mirë? Punët tona nuk janë më të mirat e mundshme por ma thoni dot kush ka bërë punë më të mira? Kush ka bërë shkolla më të mira? Kush ka bërë kopshte më të mira? Kush ka bërë spitale më të mira? Kush ka bërë qendra shëndetësore më të mira? Kush ka bërë qytete më të mira? Kush ka bërë reforma më të mira? Kush po e bën drejtësinë më të mirë? E kush mund ta bëjë më mirë? Vetëm ne që jemi të vetëdijshëm që nuk jemi më të mirët e që çdo ditë duhet të bëhemi më të mirë e kjo është përpjekja jonë, kjo është përpjekja ime e natyrisht kjo është edhe ajo që ju të gjithë, pavarësisht bindjeve, pavarësisht kahjeve meritoni. Me vetëdijen tonë që ka shumë më mirë e që ne e kemi për detyrë të sforcohemi për tu bërë edhe më të mirë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm