Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit – Prezantimi i Skuadrës së Tiranës

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit – Prezantimi i Skuadrës së Tiranës

23 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit – Prezantimi i Skuadrës së Tiranës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Sot jemi këtu për të bërë prezantimin e Skuadrës së Tiranës, në vazhdën e prezantimeve që i paraprinë çeljes zyrtare të fushatës elektorale në datën 25 dhe besoj që ne kemi vënë përpara zgjedhësve të qarkut të Tiranës një skuadër, e cila është në lartësinë e pritshmërisë së publikut, të të gjitha moshave, të të gjitha kategorive për të patur një zgjedhje e cila në bazë të sistemit të ri zgjedhor nuk është vetëm një zgjedhje për partinë në tërësi, por është dhe një zgjedhje preferenciale për një kandidat apo një tjetër.

Dua të shpreh mirënjohjen time për të dyja zonjat e nderuara, që janë në dy krahët e mi, që pranuan ftesën për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre si një detyrim qytetar, si një angazhim profesional edhe si një akt, i cili në gjykimin tim, flet shumë për faktin sesa më shumë partitë politike të kenë ambicie dhe vullnetin për t’u bërë pasqyra të shoqërisë, patjetër, aq më shumë janë mundësitë që kjo të ndodhë dhe që në nivelin më të lartë të përfaqësimit të çdo partie që është Kuvendi i Shqipërisë, njerëzit identifikohen jo thjesht me një parti, por me vetveten. Ta gjejnë veten e tyre duke parë në një skuadër profile dhe eksperienca të ngjashme të tyre. Duke gjetur në këto profile dhe eksperienca arsyen për të qenë më besimplotë te politika si një mjet për të realizuar qëllime të mëdha dhe të përbashkëta.

Është e qartë që qoftë zgjedhja e Luljetës, qoftë e Najadës nuk janë zgjedhje të rastësishme, në një kohë kur ne jemi detyruar të përballemi me dy sfida të jashtëzakonshme, të cilat faktikisht e kanë thyer në mes mandatin tonë të dytë duke bërë që prioritete tona të spostohen në dy drejtime të paparashikuara më parë.

Nga njëra, anë Rindërtimi pas goditjes së rëndë të tërmetit të 15 muajve më parë dhe nga ana tjetër përballja me sfidën globale të pandemisë, e cila e sprovoi deri në fund sistemin tonë shëndetësor dhe na sprovoi deri në fund edhe si shoqëri në kushte aspak të lehta kur ne jemi në një proces transformimesh edhe pse kemi bërë shumë në të gjitha drejtimet.  Posaçërisht, në drejtim të shëndetësisë ajo që mbetet ende për t’u bërë që shëndetësia jonë të shkojë në një nivel tjetër nuk është pak. Sigurisht që, vjen natyrshëm edhe pyetja se çfarë mund të kishim bërë si do mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë, në të gjitha vitet që i pararendën kësaj goditje.

Është e paimagjinueshme ta mendosh se çfarë mbështetje, se çfarë përkujdesje, se çfarë mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor të përballej duke u qëndruar pranë njerëzve; në nevojë për mjekët; në nevojë për infermierët; në nevojë për sallat e reaminacioneve, nëse virusi do të kishte zbritur në këtë vend jo shumë vite më parë, por disa vite më parë kur spitalet dhe sistemi ynë ishin në një gjendje që të thuash e mjerueshme është pak.

Prania e Luljetës dhe e Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh që kanë patur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti dhe nga ana tjetër është dhe shprehje e vullnetit tonë për të çuar deri në fund përballjet e nisura dhe që janë në vijim, qoftë me zhbërjen totale të gjurmëve të tërmetit. Gjë që besoj fort se do të jetë një realitet deri në pranverën e ardhshme, kur faktikisht do të jenë kryer të gjitha punët e nevojshme për të sistemuar të gjitha familjet që kanë nevojë të kthehen në një shtëpi të re, qoftë për të dalë përfundimisht nga tuneli i kësaj pandemie, e cila e ka shtrënguar fort hapësirën e gjithë aktivitetit normal të vendit dhe njerëzve.

Mendoj se ne kemi të gjitha arsyet të ndihen krenarë jo thjesht për historinë apo jo thjesht për rrënjët e tyre, por të ndihen krenarë për atë që shtëpia jonë e përbashkët është për ta.  Natyrisht, është shumë e bukur ta thuash, është e lehtë ta thuash, por është shumë më e vështirë ta bësh dhe unë besoj që në fund të fundit PS është krijuar dhe është rritur pikërisht për të bërë gjërat më të vështira, për të bërë të mundura gjëra, që me të tjerët janë bërë thjesht të pamundura e për t’ia dalë dhe aty ku duket sikur është e pamundur.

Nuk dua të zgjatem me hyrjen, në këtë prezantim, por sigurisht duke e ndarë këtë prezantim dhe me të tjerë që janë këtu të pranishëm, besoj që është mënyra më e mirë për të çuar qartësisht tek të gjithë mesazhin tonë e për të treguar për të gjithë gatishmërinë që ne kemi dhe njëkohësisht për të treguar se skuadra jonë është një kombinim i eksperiencës, i aftësive të fituara në një rrugë të përbashkët sfidash dhe betejash, por edhe i energjive të reja që vijnë nga gra dhe vajza, djem e burra që i janë bashkuar kësaj skuadre për këtë ndeshje të radhës në 25 prill dhe natyrisht edhe i profileve dhe eksperiencave të krijuara në rrugë të ndryshme të jetës, jashtë asaj që ka qenë prej disa vitesh tanimë rruga e atyre që përbëjnë si të thuash edhe boshtin e eksperiencës dhe të vazhdimësisë së kësaj skuadre që quhet Partia Socialiste.

Në ndërkohë, unë jam shumë i bindur që ne kemi kapacitete qeverisëse të plota dhe të shtuara në gjithë këtë periudhë kohe kur kemi drejtuar vendin prej 7 vitesh e kusur dhe kur kërkojmë të kemi një mandat të tretë që i duhet patjetër vendit për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi. E, për të mos përsëritur historinë e cila në të shkuarën në më shumë se një rast ka treguar se kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh, gjërat për vendin nuk shkojnë në drejtimin e duhur. Eksperiencat e mëparshme janë kuptimplota për të gjithë ata që duan t’i shohin e t’i lexojnë ato pa tifozllëk e pa atë anësinë paragjykuese, që dikton të qenit palë në gjykimin e këtij procesi. Pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm, po ashtu se shumëçka mund të ishte bërë ndryshe. Patjetër që në këtë rrugë edhe ne kemi bërë gabimet tona, disa të paevitueshme, disa ndoshta të evitueshme, disa i dimë, disa ndoshta nuk i dimë por është e sigurt që në tërësinë e tyre, punët tona kanë qenë e mbeten punë që janë në shërbim të përparimit të vendit dhe është e sigurt që vendi sot është pakrahasimisht më i përparuar se sa ishte kur ne morëm detyrën.

Sigurisht që nëse e shohim vendin sot me sytë e të ardhmes, jemi ende larg asaj pike ku ne duam dhe und të mbërrijmë për ta lënë pastaj stafetën tek të tjerë, por duke pasur parasysh se nga jemi nisur është e padyshimtë që zgjedhja është shumë e qartë edhe për faktin se ndërkohë që ne në këtë proces kemi vazhduar të bëjmë përpjekje të sinqerta dhe përpjekje serioze për t’u ripërtërirë, për t’u energjizuar, për t’u adoptuar me kohën, për të vazhduar të jemi në lartësinë e pritshmërisë së qytetarëve. Nga ana tjetër kemi një skuadër e cila është një konglomerat materialesh të konsumuara të të shkuarës dhe faktikisht është e paimagjinueshme ta mendosh që Shqipëria mund të ribjerë në duart e atij konglomerati njerëzish që e kanë bërë historinë e tyre, e kanë lënë gjurmën e tyre, shumë më shumë për keq se sa për mirë kur kanë pasur mundësi të marrin përsipër një detyrë. Ndërkohë që ajo që sot i duhet vendit është as më shumë e as më pak, por vazhdimi me edhe më shumë energji, me edhe më shumë forcë, me edhe më shumë kurajë, me edhe më shumë përkushtim dhe vendosmëri i të gjitha reformave dhe i të gjitha punëve të nisura.

Kemi bërë shumë. Ka shumë për të bërë, por ka dhe shumë për të humbur vendi në këto zgjedhje e për këtë arsye, beteja jonë është kaq e rëndësishme për vendin dhe është kaq e rëndësishme për të ardhmen e madje është shumë më e rëndësishme për vendin e për të ardhmen se sa për të gjithë ne që jemi këtu në nivelin personal.

Unë do ia kaloja fjalën Ogertës, e cila besoj që na ka përfaqësuar denjësisht në një detyrë që ka qenë pa diskutim detyra më e vështirë e kësaj periudhe, detyra më e vështirë që dikush mund të kishte mbi supe në këtë kohë pandemie në krye të sektorit të shëndetësisë, në krye të një sfide të jashtëzakonshme ku nuk pati vend sado të zhvilluar që nuk u sprovua deri në fund dhe ku nuk pati vend sado të zhvilluar që nuk njohu vështirësi të paimagjinueshme për vetveten duke patur parasysh nivelin e zhvillimit dhe besoj që deri tani që flasim, falë drejtimit të sektorit nga Ogerta, e sigurisht pa diskutim falë punës së jashtëzakonshme të bërë nga gjithë skuadrat e mjekëve, të infermierëve, të ekspertëve, të të gjitha pjesëve të sistemit shëndetësor, ne ia kemi dalë që të qëndrojmë në një ekuilibër të arsyeshëm. Me procesin e vaksinimit që do të vazhdojë të intensifikohet, falë edhe disa marrëveshjeve të tjera që ne kemi në proces, jam i bindur që ne do t’ia dalim dhe në ambicien për ta bërë këtë sezon turistik më të lehtë, pikërisht duke vaksinuar shumë njerëz dhe duke këputur në shumë pjesë zinxhirin e infektimeve ndërkohë që mbetemi të bindur dhe optimist që objektivi shumë ambicioz për ta përfunduar krejt procesin e vaksinimit deri në pranverën e ardhshme është një objektiv i arritshëm e ne do t’ia dalim që ta realizojmë.

Shumë faleminderit Ogerta! Paralelisht ia kaloj fjalën Etildës, duke patur parasysh se Etilda është një nga ato që i janë bashkuar skuadrës sonë në proces, jo qysh në krye të herës. Është përfshirë në qeverisjen e vendit, duke ardhur nga shoqeria civile dhe si kontributore për Reformën në Drejtësi.

Ka marrë drejtimin e nje dikasteri shumë të rëndësishëm në drejtësi dhe sidomos në këtë fazë kur drejtësia është një sfidë e madhe e PS dhe kur Reforma në Drejtësi është një produkt i jashtëzakonshëm i një vullneti të jashtëzakonshëm dhe një vendosmërie të jashtëzakonshme që PS ka investuar pa asnjë lekundje qysh në momentin e  parë në arenën e komplikuar politike dhe që pa Partinë Socialiste as që mund të imagjinohej.

Natyrisht që, Reforma është produkt i një klolektivi, por të qënit në krye të ministrisë së drejtësisë në këtë periudhë nuk ka qënë një pozicion i lehtë dhe as i lakmueshëm me thënë të drejtën për shkak të mbajtjes së një pjese jo të vogël të baltës që ne na shoqëron çdo ditë për çdo punë për çdo hap që ne hedhim. E unë besoj që ne të gjithë kemi të gjithë arsyet që të jemi vërtetë krenarë për punën e bërënë këtë drejtim nga të gjithë ata që janë përfshirë drejtëpërdrejtë, por edhe të gjithë të tjerët që kanë qenë forca e madhe mbështetëse e Reformës në parlament apo në qeveri. Po ashtu kemi të gjitha arsyet që të ndihemi mirë në vlerësimin e punës së bërë nga Etilda, e cila përfshihet në skuadrën tonë përfaqësuese për herë të parë dhe mbulon një nga zonat e kryeqytetit duke - dhe jo vetëm Etilda, por të gjithë të tjerat dhe të tjerët që janë këtu të përfshirë, - lënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që kanë diçka për t’i dhënë shoqërisë në rrugën e tyre, në vijën e tyre të formimit profesional dhe që kanë ambicien dhe dëshirën për të qënë kontribues shoqëror, përveçse kontribues profesional siç janë të gjithë profesionistët kudo.

Faleminderit Etilda! Me mirëkuptimin e të gjithëve, sepse jemi një grup shumë i madh dhe është e pamundur që të mund të flasin të gjithë në këtë katror në formë rrethi, unë do doja që në emër të të gjithë atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë, sepse kanë prej disa vitesh që janë në këtë arenë, të flasë më i riu prej tyre që është Pandi, i cili meriton në fakt të ketë gjithë mbështetjen tonë se është dhe i nëntëmbëdhjeti dhe është në atë zonën e rrezikut kështu që me të gjithë solidaritetin për Pandin, që është i nëntëmbëdhjeti. Unë po i jap fjalën edhe për një arsye tjetër, sepse duke qenë se pas meje Pandi është i dyti që ka marrë gjithçka nga Partia Socialiste e për këtë ai është i vetëdijshëm, siç jam edhe unë plotësisht i vetëdijshëm, është treguar shumë i gatshëm që t’i përgjigjet edhe asaj që është kërkesa e natyrshme e kësaj beteje, që Pandi të jetë veçanërisht aktiv në këtë fazë të ndeshjes kur faktikisht, fillon zyrtarisht fushata për pak ditë dhe kur sigurisht, ne duhet të jemi shumë të pranishëm, jo vetëm në territor, në komunikimin e afërt me njerëzit, që është një gjë që e kemi bërë prej kohësh dhe që po e bëjmë intensivisht, por dhe në komunikimin publik.

Përsa më takon, unë di dhe do përmend vetëm numrin e Partisë Socialiste dhe Partinë Socialiste, pastaj i takon të gjithëve të bëjnë zgjedhjen e tyre për çdonjërin nga kandidatët apo kandidatet që preferojnë, por 19-ta është një numër që unë e përmend, e para,

se është numri i Pandit;

e dyta, sepse është objektivi ynë minimal në Tiranë;

e treta sepse në Tiranë do fitojmë 20 deputetë.

Unë jam i bindur që Pandi, kur të jetë i njëzeti në zgjedhjet e tjera, do të flasë për teatrin e ri kombëtar, njësoj siç foli për stadiumin sot. Këtë takim, sigurisht, në kushte të pashtrënguara nga pandemia e me siguri, edhe me komunitetin artistik rretherrotull, pas katër vitesh do ta bëjmë tek teatri i ri kombëtar.

Për të gjitha këto arsye, numri 19 është i veçantë e besoj që nuk i vjen askujt keq dhe shpresoj që Elisës mos t’i mbetet hatri që unë përmend vetëm numrin 19.

Faleminderit Pandi realisht, sepse kur e thua ti, është edhe më bindëse për elektoratin gri, sesa kur e them unë që realisht, përtej të gjithë anësisë që ne e kemi dhe nuk kemi se si  nuk ta kemi, por unë nuk e konceptoj dot si njeri që kam lindur e  jam rritur në Tiranë, si njeri që kam drejtuar  Bashkinë e Tiranës, - Bashkinë e Tiranës së madhe të pikërisht asaj që tha Pandi, të një Shqipërie të mbledhur këtu, me të gjitha krahinat, me të gjitha shtresat, me të gjitha lidhjet e mundshme që mund të imagjinohen, që ka vetë Shqipëria, - që në vitin 2021, partia që lindi nga lëvizja studentore për të përmbysur regjimin komunist, i del përpara zgjedhësve dhe zgjedhëseve të Tiranës, i del përpara publikut të kryeqyteti dhe i kërkon votën për të marrë drejtimin e vendit me atë skuadër. Pandi tha është e mbijetesës, por unë nuk e konceptoj dot se çfarë arsye mund të ketë që ajo që është edhe esenca, edhe shtylla kurrizore e asaj skuadre, të mbijetojë realisht.

Nga Fatmir Mediu tek Dash Shehi, Shpëtim Idrizi, Mesila e Dulja. Një hata e madhe. Të mendosh që Tirana e vitit 2021, Tirana që ka hyrë në dekadën e re të shekullit të ri, të votojë për këto mbetje të shekullit të kaluar që në fakt e patën mundësinë që në shekullin e kaluar ta tregojnë veten, jo një herë, por më shumë sesa një herë dhe e treguan për sa vlejnë.

Unë jam i bindur që, sikur ne të kishim kapacitetin të bënim një eksperiment dhe ta rikthenim filmin e historisë, të rikthenim protestat studentore dhe në atë shesh atje, përballë asaj turmës me 100 mijë vetë që kërkonin të hiqnin emrin e Enver Hoxhës nga universiteti, të projektonim në një ekran të madh skuadrën e Tiranës të vitit 2021, do iknin të gjithë me vrap.

Do iknin të gjithë me vrap, jo më të vazhdonin të protestonin.

Është e pakonceptueshme të mendosh përtej çfarë njerëzit mund të kenë arsye shumë legjitime që të kenë rezerva, pakënaqësi, refuzim po të duash ndaj nesh, që të investojnë besim tek ajo skuadër. E cila në Tranë ka shëmbëlltyrën e vetë më katastrofike, por në themelin e vet ka një kombinim fatal personash që larg qoftë i bie të jenë ata që nesër kontrollojnë drejtësinë, ekonominë, kontrollojnë Shqipërinë me një lider që nuk është lider, është thjesht një administrator dhe me Ilir Metën, Monikën dhe Saliun, që luajnë nga mbrapa të gjitha fijet e atij teatri kukullash. Është realisht e pamundur ta imagjinosh që mes kujtdo qoftë në këtë skuadër dhe shumëkujt në atë skuadër, - nuk po i fus të gjithë në një thes, nuk po them që të gjithë janë njësoj se nuk janë kurrë, askund, njësoj, - ajo që peshon në atë skuadër, ai që është boshti i asaj skuadre, aty ku buron vendimmarrja e asaj skuadre është një katastrofë.

Zgjedhja në këtë rast është e qartë, njësoj siç është qielli që kemi mbi krye.

Megjithatë, ne do të bëjmë detyrën tonë dhe do të bëjmë gjithçka na takon për të bërë shumë të qartë për këdo, edhe për ata që nuk e kanë të qartë, por janë të interesuar ta dinë, se për ata që i kanë veshët dhe  sytë top e nuk duan të dëgjojnë e nuk dua të shikojnë, nuk ka çfarë bën askush, as ne. Por për ata që duan të dëgjojnë, për ata që duan të shikojnë, do bëjmë çmos që të bëjmë të qartë se çfarë katastrofe është ajo skuadër. Një skuadër që e ka regresin të shkruar në lule të ballit dhe që e ka të gjithë biografinë e çdo lojtari kryesor apo domethënës të saj, publikisht të shkruar në vite si një biografi dështimesh e vetëm dështimesh.

Ndërkohë, në këtë skuadër për Tiranën e në gjithë skuadrën tonë kombëtare, ne kemi vërtetë një harmonizim mes grave dhe vajzave, mes djemve dhe burrave, mes moshave po ashtu, eksperiencave.  E Bora është një nga shembujt sipas meje kuptimplotë të skuadrës sonë, një studente shumë e zonja e kthyer qysh në krye të herës kur ne fituam mandatin e parë dhe që sot është këtu, si vijimësi e natyrshme e një procesi përfshirjeje dhe aktivizimi. Pavarësisht se edhe pse iu dha mundësia në fillim fare, në atë programin e përfshirjes së studentëve të kthyer nga jashtë në administratë, që ajo të fillonte një punë në administratë, ishte vendimmarrja e saj për t’u larguar e për të sfiduar veten në sektorin privat. Është vërtetë kënaqësi që e kemi në skuadër, sot që kanë kaluar 7 vjet e pak nga kthimi i saj dhe që ajo është këshilltare në një nga institucionet tona, por është këshilltare e emëruar jo nga ne, por nga një institucion ndërkombëtar financiar që asiston qeverinë tonë. Besoj që ky është një fakt që flet vetë, qoftë për rritjen profesionale, qoftë për kapacitetet që Bora sjell në skuadrën tonë.

*

Në këtë skuadër, falë asaj nisme që ne ndërmorëm për të hapur me shumë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të skuadrës, por edhe për të gjetur rrugë që për të rejat dhe të rinjtë që janë skeptikë, ose që e kanë natyrshëm të vështirë që të afrohen me PS-në me rrugët tradicionale, për të kërkuar se ku është organizata e Partisë,  - siç e kërkova unë kur isha më i ri dhe Pandi nuk më ndihmoi në atë kohë, por unë e gjeta, - rruga e aplikimit në një platformë online na u duk një rrugë interesante për ta provuar.

Si fillim, reagimi ishte realisht shumë inkurajues. Është eksperienca e parë dhe jam i bindur që në të ardhmen do të përmirësohet dhe me siguri do të sofistikohet kjo mënyrë, ose të tjera mënyra do të gjenden në hapësirën e pafundme që jep bota digjitale.

Mbi 1500 të reja dhe të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe të reja e të rinj në një moshë më të madhe, të reja e të rinj edhe në moshën e Pandit, u përfshinë dhe nuk ishte e lehtë të bëje një përzgjedhje. Sidoqoftë, e rëndësishme është që mesazhi u përcoll, ashtu sikundër të gjithë ata që nuk u përzgjodhën ta dinë që janë pjesë e jona, ta dinë që ka me siguri, një përgjegjësi për të marrë, edhe për ta, pas fitores, sepse skuadra jonë përfaqësuese është kjo, por zinxhiri i skuadrave që na duhen për të bërë të gjitha ato punë që kemi dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet është shumë më tepër sesa kaq, sa jemi ne këtu apo sa janë përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Shqipërisë.

Një tjetër rast që unë e shoh me shumë admirim është rasti i Fredit.

Fredi vjen në këtë skuadrë me nje eksperiencë komplet tjetër. Vjen nga një komunitet, i cili asnjëherë nuk e ka patur mundësinë të përfaqësohet e ka të gjitha arsyet të ndihet gjithmonë në nevojë për  një mbështetje të veçantë, që është komuniteti i jetimëve. Nuk është një komunitet i vogël dhe Fredi është një nga ata që e provuan mundësinë e tyre duke aplikuar në platformë dhe është përzgjedhur. Unë jam shumë krenar që skuadra e PS-së e ka atë në gjirin e vet si një përfaqësues aktiv i atij komuniteti, si dikush që ka krijuar një familje dhe nuk i ka kthyer shpinën atyre që ishin dhe që janë vëllezërit dhe motrat nga fati dhe jo nga prindërit.

Ka qenë shumë e veçantë për mua, biseda që kam bërë me Fredin. I kam thënë që me të njejtën thjeshtësi dhe lehtësi që ai më ka treguar mua arsyet që e shtynë të hyjë në këtë rrugë, t’i  ndajë edhe me këdo që do të takojë gjatë kësaj rruge, sepse realisht është një dimension i politikës që ne të gjithë së bashku duhet të përpiqemi ta fuqizojmë; Është dimensioni njerezor dhe dimensioni i komunikimit në një nivel tjetër, që është niveli i një komunikimi mes njerezish dhe jo mes lojtarësh që përballen në nje arenë, edhe pse kjo është e lehte ta thuash dhe aspak e lehtë ta bësh.

***

Ty, Zoti ta shtoftë inatin. Nuk të ndalon njeri të fitosh edhe 23, nëse është e mundur, por sidoqoftë 19 kemi si objektivin minimal dhe 20 si objektivin maksimal. Pastaj tejkalimet e objektivave nuk janë të ndaluara, përkundrazi, janë të mirëpritura.

Mendoj se duke qenë se emblsirat lihen për në fund, t’ia kaloj fjalën Luljetës, stërgjyshes që nuk priti fare për të provuar një çikëz nga balta që hidhet këtu pa kursim dhe pa karar, pa llogaritur as kush je, as çfarë the, as si e the. Ta morën, ta nxorën nga konteksi,  ta kthyen mbrapsht në formë balte. Ti ke parë shumë dhe ke mësuar aq shumë, sa balta ju kthehet atyre që e hedhin.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm