Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Vlorë

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Vlorë

11 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e kandidatëve në Qarkun Vlorë: 

Është dita e parë e përpjekjes për 25 prillin. Dua të shpreh falënderimin për ata, të cilët nuk janë pjesë e skuadrës që do të bëjë ndeshjen drejtpërdrejtë në fushë për 25 prillin, por që me shumë mirëkuptim, me shumë respekt për Partinë Socialiste dhe mbi të gjitha, me shumë përkushtim për qëllimin e përbashkët, jo vetëm që nuk kanë shprehur asnjë pakënaqësi, por, përkundrazi, janë bashkuar me ne.

Ne do të kemi një skuadër më të gjerë sesa lista e deputetëve, sepse në të do të jenë bashkë me ne, deri në 25 prill, edhe deputetët që aktualisht vazhdojnë e janë në Kuvendin e Shqipërisë që nga Vilma tek Fatja, Ed Leka, Andrea, të cilët kanë patur një kontribut të posaçëm në këto vite të mandatit të dytë, të cilët kanë qenë super korrekt me angazhimet e Kuvendit dhe kanë qëndruar vijimësisht pranë komunitetit.

Arsyeja e rifreskimit të skuadrës lidhet me domosdoshmërinë për të përfshirë të tjerë, për të dhënë një mesazh të qartë edhe për të tjerë akoma, që nuk janë pjesë e kësaj skuadre deputetësh, por që janë pjesë e skuadrës së PS-së në Vlorë. Ne jemi një skuadër ku pozicionet ndryshojnë, ku secili e secila bën detyrën sipas pozicionit dhe ku të gjithë bashkë shtymë përpara një progres, që në Vlorë është absolutisht në sytë e të gjithëve. Ndërkohë që jemi të hapur edhe për të tjerë, djem dhe vajza që meritojnë të kenë shansin e tyre.

Dua ta ritheksoj se objektivi ynë për Vlorën është të marrim pa diskutim, si bazë, numrin që kemi, 8 deputetë dhe deputete dhe të synojmë maksimizimin e forcave, duke kapur objektivin maksimal prej 9 deputetësh.

Është një sfidë, që ne e kemi në radhë të parë me vetveten, sepse kemi bërë jashtëzakonisht shumë për Vlorën, kemi bërë shumë për Qarkun e Vlorës, por nuk diskutohet që shumë akoma ka për t’u bërë. Jo të gjithë e kanë prekur ndryshimin përpara pragut të shtëpisë së tyre. Ka akoma lagje periferikë në Vlorë, në Sarandë, që kanë nevojë për ndryshim.

Ka akoma fshatra që kanë nevojë për rrugën e tyre rurale.

Ka nevojë për investime të tjera që të sjellin më shumë ekonomi dhe më shumë punësim.

Ka nevojë për të pasur shkolla të ripërtërira plotësisht, të rindërtuara apo të reja, në disa pika akoma ku progresi ende nuk ka mbërritur.

Ka nevojë të vazhdojmë me rindërtimin e qendrave shëndetësore, të cilat po ndryshojnë hap pas hapi.

Ajo që është më e rëndësishme, mbi të gjitha, është që ka nevojë për kohë. Mandatin e tretë në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, ne e kërkojmë si një kohë për të vazhdar projektin e madh për transformim e vendit.

Vlora tanimë është në fazën kur hyjmë në një proces realizimi të disa projekteve të mëdha.

Porti i ri tregtar në Triport që do të sistemojë përfundimisht, pas kaq shumë vitesh në një situatë kaotike dhe të padenjë, edhe peshkatarët e Vlorës.

Po ashtu, porti i ri turistik që do të sjellë në Vlorë turizmin elitar me jahte dhe me konsumatorë të një niveli tjetër dhe ndërkohë do t’i sjellë Vlorës të ardhura. Pavarësisht sezonit turistik, edhe jashtë sezonit, ato varka do të qëndrojnë në Vlorë dhe do të paguajnë. Mbi 1500 pjesëtarë të ekuipazheve të tyre do të jetojnë këtu. Që do të thotë një vlerë e shtuar edhe për ekonominë.

Vazhdimi i investimeve që janë në proces plotësohet në mënyrë të jashtëzakonshme me aeroportin e Vlorës. Ka dalë kompania fituese dhe tani po negociohet kontrata, e cila, brenda, maksimumi tre javësh, sipas ligjit, do të jetë e firmosur e do të fillojë puna. Unë kam shumë besim sepse të gjithë dokumentet që ka paraqitur konsorciumi ku kompania që ka shumicën dhe barrën kryesore është kompania Mabetex e Behgjet Pacollit, janë bindëse për nga kapacitetet financiare. Nuk diskutohet sa bindës është Behgjet Pacolli, që nëpërmjet Mabetex ka realizuar vepra të mëdha publike nëpër botë.

Tanimë, aeroporti i Vlorës është një hall i zgjidhur. Një hall që u krijua si rezultat i bllokimit nga pandemia. Ai është një garanci që ekonomia e Vlorës do të ndryshojë e do të shkojë në një nivel tjetër, pasi dihet botërisht që 1 euro e investuar në një aeroport kthehet në një ekonomi ku fitohen si kontribut i drejtpërdrejtë në shërbime, në infrastrukturë hotelerie e me radhë, 23 euro. Nëse kemi një investim që parashikohet të jetë 105 milionë euro për aeroportin, shumëzojeni me 23 dhe ky do jetë impakti i drejtpërdrejtë ekonomik i aeroportit për Vlorën.  E sigurisht është impakt që e tejkalon Vlorën, është impakt për gjithë Shqipërinë.

Së shpejti do të hapin garën dhe për aeroportin e Sarandës. Ambicia jonë është që të kemi në përfundim të mandatit të 3-të 4 aeroporte në Shqipëri; aeroporti i Kukësit është gati për pak javë, do ketë nevojë vetëm për dokumentet e certifikimit ndërkombëtar që janë të domosdoshme për çdo aeroport që kalon një fazë testi përpara se të marrë certifikimin përfundimtar nga IKAO.

Aeroporti i Tiranës ku, falë ndryshimit të pronës, do fillojmë në javët në vijim investime të rëndësishme për zgjatjen e pistët, terminalin e ri dhe ku do ulim në mënyrë të ndjeshme çmimet shumë të larta që i kanë mërzitur shumë njerëzit që shkojnë e vijnë nga jashtë në Shqipëri e anasjelltas; aeroporti i Vlorës dhe ai i Sarandës.

Këto janë pak a shumë gjërat më të përgjithshme, ndërkohë që programi parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë familjare dhe personale. Nga njëra anë, rritjen graduale të pagës minimale, me synimin për ta rritur një pagë minimale 400 mijë lekë dhe mostaksimin e pagës 400 mijë lekë për të gjithë, çka bën që 67% e njerëzve që sot punojnë dhe paguhen deri në 400 mijë lekë të mos paguajnë më tatim-fitimi mbi pagën.

Rishikimi i shkallës së progresivitetit mbi pagën do sjellë që paga deri në 2 milionë lekë në muaj të pësojë ulje të tatim-fitimit, një problem që e kemi hasur me ata që i përkasin një shtrese menaxherësh nëpër kompani dhe njerëz që kanë paga mbi 1,5 milionë.

Ndërkohë që, nuk do ta ulim tatim-fitimin për biznesin e madh, por do të garantojmë që biznesi i madh të jetë sa më i mbështetur në të gjitha aspektet që janë të nevojshme për klimën e biznesit, konkurrueshmërinë dhe për sigurinë e biznesit në raport me administratën.

Në fund, tema që nuk është vetëm e Vlorës, por gjithë Shqipërinë, është vaksinimi. Kemi marrë konfirmimin për 38 mijë e disa qindra vaksina që vijnë nesër nga kompania AstraZeneca, ndërkohë jemi duke negociuar një tjetër kontratë për një tjetër sasi vaksinash, që shpresojmë do na japë mundësinë të vaksinojmë masivisht në javët e ardhshme, me synimin që të godasim hallkat e zinxhirit të infektimeve, për ta lehtësuar sezonin turistik qysh këtë vit dhe për të dalë nga ky tunel brenda këtij viti, pavarësisht se vaksinimi do të vijojë. Ndërkohë do sigurojmë që të kemi të gjitha dozat për rivaksinimin, në rast se ky do jetë një objektiv i të gjitha vendeve, sepse COVID-i nuk do zhduket, nuk do tretet, por do kthehet në një virus si gjithë viruset e tjera.

Unë besoj se në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, ne kemi ngritur ekipe, skuadra brenda skuadrës së madhe kombëtare, që janë shumë konkurruese. Skuadra që adresojnë përfaqësimin dhe gjithëpërfshirjen e komuniteteve brenda skuadrave, që ofrojnë zgjedhje të larmishme për votuesit, me njerëz që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës dhe që ne mendojnë se janë të denjë për ta përfaqësuar çdo komunitet në Kuvendin e Shqipërisë dhe për t’i krijuar shqiptarëve një ofertë nga ana jonë, e cila e tejkalon atë fazë që tanimë është në përfundim nga pikëpamja e mandatit, por që ka lidhje me përfaqësueshmërinë. Është një skuadër shumë politike, por dhe shumë qytetare. Një skuadër që ka eksperiencën, bazuar mbi boshtin e grupeve të mëparshme parlamentare dhe ka muskulaturë të re. Do thoja se, nëse eksperienca është skeleti i skuadrës, energjitë dhe prurjet e reja nga shoqëria janë muskulatura e skuadrës.

Sot ne në fakt kemi zgjedhur të bëjmë këtë komunikim në një format të kufizuar, duke kufizuar edhe vetë numrin brenda listës së deputetëve, sepse për derisa ligji është 10, jemi 10, ndërkohë që ne kemi 12 deputetë. Nga ana tjetër, pala tjetër ka sjellë një listë të paligjshme me 17 vetë, e cila sigurisht që do të ridimensionohet nga KQZ-ja, por është shprehja më kuptimplotë e një çorganizimi, e një çorodie dhe edhe një talljeje brendapërbrenda, për të akomoduar njerëz, për të futur njerëzit në halle e në sherr me njëri-tjetrin. Ndërkohë që çuditërisht, megjithëse janë 17 vetë, nuk është gjetur vend për një përfaqësues minoriteti. Kjo është shumë e çuditshme. Faktikisht, minoriteti ku ka sigurisht edhe votues që e kanë zemrën djathtas apo që shikojnë nga PD-ja, është lënë në harresë totale si inekzistent, siç janë lënë në harresë totale përfaqësuesit e një komuniteti të madh këtu, komuniteti çam. Ndërkohë, në skuadrën tonë kemi një përfaqësuese të denjë të këtij komuniteti dhe jo thjesht e kemi në listë, por e kemi në numrin e objektivit maksimal.

Ndërkohë që, qoftë sekseri i Çamërisë, qoftë sekseri i Greqisë, kanë vajtur të dy bashkë në listën e Tiranës. Një pasqyrë kuptimplotë kjo dhe e gjithë listës, për të gjithë shqiptarët, pavarësisht majtas apo djathtas, për të parë se me kë mund të vazhdojë Shqipëria të shkojë përpara, të vazhdojnë të bëhen punët dhe me kë jo, me kë rrezikojmë të kthehemi mbrapa dhe kemi garancinë që e bëjmë Shqipërinë qesharake, bëjmë gjithë procesin e shtetndërtimit dhe procesin e qeverisjes komplet qesharak.

E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, si mundet t’i ofrohet Vlorës, Leskua si komandat? Një njeri që është i njehsuar plotësisht me alkoolin, me degradimin, me shpërfytyrimin e personit publik. Një njeri, i cili si kryetar i KLSH-së zhvillonte mundje të lira nëpër lokale lart e poshtë nëpër Shqipëri. Një njeri që nuk ka lidhje me Vlorën dhe me të ardhmen e Vlorës, por është vetëm një nga fosilet e kësaj ekspozite fosilesh që ka prezantuar Partia Demokratike.

Akoma më keq, si mund t’i thuhet Vlorës, votoni për njerëz që nuk banojnë fare në Vlorë?! Kush është ai deputet që do të rrijë këtu në Vlorë dhe do të dëgjojë hallet e njerëzve?

Kush do jetë deputeti që do rrijë këtu në Vlorë dhe do të përfaqësojë pikërisht atë urë që ne e kemi forcuar edhe më shumë, mes Tiranës dhe komuniteteve në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë?

Asnjë banor në Vlorë në skuadër dhe ndërkohë që disa prej tyre janë futur atje tek shtatëmbëdhjeta, për t’u thënë që jeni edhe ju.

Këto janë të rëndësishme për të bërë një dallim edhe më të madh, megjithëse unë mendoj që, edhe sikur lista e tyre të ishte pak më serioze, në Vlorë nuk duhet votuar majtas apo djathtas. Në Vlorë duhet votuar drejt e të votosh drejt në Vlorë, do të thotë të votosh për Vlorën.

Ne jemi mekanizëm, nuk jemi qëllim. Vlora është qëllim. PS-ja është mekanizëm për të realizuar qëllimin dhe vota jepet për qëllimin, duke vënë në funksion të qëllimit mekanizmin e duhur.

Si mund të merret ajo makinë pa rrota që kanë sjellë këtu, me ngjyrë blu, për të vazhduar këtë rrugëtim në një moment kaq deciziv për vendin, në përballje me pandeminë, në përballje me tërmetin dhe pasojat e tij dhe në kërkim të progresit të vazhdueshëm, kur nuk ka kohë për pushim asnjë sekondë dhe jo më për të ngecur në llucë dhe për të lënë kohën të na marrë përsëri përpara, në vend që ne si shoqëri të ecim me kohën.

Dëshiroj ta theksoj shumë qartë që të gjitha komunitetet jo vetëm nga pikëpamja e prejardhjes së tyre, por edhe nga pikëpamja e komuniteteve profesionale, e komuniteteve aktive, përfshirë edhe komunitetin e biznesit e kanë në skuadër njeriun e tyre. Pranvera është sot në listën e Vlorës si rezultat pikërisht i këtij komuniteti, i komunitetit të atyre që janë sipërmarrës dhe që janë motori i ekonomisë së Vlorës, motori i punësimit në Vlorë, që kanë insistuar që ne të konsiderojmë Pranverën si pjesëmarrëse në këtë skuadër, pikërisht sepse në gjithë kohën që ajo ka shërbyer në detyrën e saj ka qenë njeriu që i ka shërbyer, që i ka dëgjuar, i ka respektuar, i ka bërë të mundur që ata të plotësojnë detyrimet e tyre, por që asnjëherë nuk ju ka krijuar ato situata tensionesh dhe konfliktesh që vijnë si rezultat i manipulimit të ligjit dhe të detyrës, duke e vendosur biznesin në presione të paligjshme. Pra, një situatë ku i është dhënë fund,  - falë drejtimit dhe natyrës shumë bashkëpunuese dhe shumë komunikuese të Pranverës, - ryshfetit për administratën nga ana e sipërmarrjes.

Ndërkohë përballë ne kemi një hata të madhe, plus dhe për ata që janë të lënduar me një familje të shpërbërë tanimë, LSI-ja, ne kemi Ilir Metën e vërtetë këtu. Ja ku është. Se dhe Ilir Meta i Tiranës, Ilir Metaj e ka, por thotë Meta.

Ky është Ilir Metaj. Gjithkush mund të gjejë atë që përfaqëson. Kjo është një shaka që është më shumë se gjysma e të vërtetës.

Duke falënderuar Damianin dhe Anduelin si kryetar i partisë dhe të gjithë ju për procesin, për punën e madhe që është bërë për ta organizuar këtë skuadër dhe kam fjalën këtu për të gjithë skalionet e këtij formacioni që janë në territor me rrjetet e koordinatorëve dhe bërthamat organizative dhe duke rifalenderuar Fate Velaj, Ed Lekën Andrea Markon dhe mbi të gjitha, Vilma Bellon, për faktin e thjeshtë se si qytetarë në botëkuptim dhe si aktivistë të përkushtuar në këtë skuadër, jo vetëm nuk kanë shprehur asnjë rrudhje buzësh, por janë përfshirë tërësisht për të vijuar ndeshjen dhe do të jenë me ne mbas fitores së ndeshjes. Sepse, kjo është një ndeshje që na imponon procesi demokratik, por ndeshja jonë si forcë qeverisëse është në të gjitha frontet, duke filluar nga bashkia e Vlorës dhe duke vazhduar me të gjitha sfidat në të gjithë sektorët e tjerë.

Ne nuk mund të ndalojmë në vend në asnjë nivel dhe do të shkojmë përpara të gjithë së bashku, natyrisht, me mbështetjen masive të të gjithë qytetarëve dhe qytetarëve të këtij Qarku, nga sheshi i Flamurit deri në lart në Kuç, nga Kuçi lart deri poshtë në Sarandë, Delvinë, Finiq, pa harruar gjithë bregun, fshatrat e mrekullueshëm që kanë rilindur dhe do të vazhdojnë të mbështeten për të qenë një destinacion i shkëlqyer turistik, për të rritur ekonominë e tyre dhe për të bërë të mundur atë që është qëllimi i madh i vizionit të Shqipërisë 2030, kthimin e syve të emigrantëve këtej, për të filluar të mendojnë se mund të investojnë shumë më masivisht kursimet e tyre në këto territore të mrekullueshme në ato zona që, falë veprës së madhe, të shumëpritur, të rrugës së lumit të Vlorës, do të hapen për njerëzit dhe do të kërkojnë investime.

Në ditët në vijim do të fillojmë dhe ndërtimin e rrugës së Selenicës, rruga e shumëpërfolur dhe do të vazhdojmë kështu hap pas hapi.

Javës tjetër fillon puna për tunelin e Llogarasë.

Janë vepra që janë folur dhe stërforlur në çdo fushatë elektorale, qëkur ka nisur fushata elektorale, “do ju bëjmë aeroport, do bëjmë tunel në Llogara, do ndërtojmë rrugën e Lumit të Vlorës”. Të gjithë këto nuk janë më “do të”, janë o të përfunduara, o drejt përfundimit, o në proces të fillimit konkret të punës, pasi janë mbaruar të gjitha procedurat, janë bërë të gjitha gati.

Vlora duhet të flasë fort në 25 prill si Vlorë. Vlonjatët, sarandjotët, çamët, të rinjtë të rejat, lebërit, vlonjatët myzeqarë duhet të flasin fort, si një trup i vetëm, si një forcë e bashkuar për Vlorën.

Vlora nuk është e partive. Vlora është e Shqipërisë. Vlora është e Ismail Qemalit, Vlora është e fëmijëve tanë pa dallim dhe për fëmijët tanë pa dallim. Ne jemi këtu, pa diskutim, zgjedhja më e mirë, pavarësisht se edhe ne kemi kusuret tona. Fatmirësisht i dimë një pjesë, një pjesë tjetër që nuk i dimë, kemi aftësinë që t’i dëgjojmë nga njerëzit, t’i pranojmë, të reflektojmë në një proces ripërtëritje, në një proces përmirësimi të vazhdueshëm.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm