Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Shkodër

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Shkodër

18 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Shkodër, Fjala e kryeministrit Edi Rama:

Me shumë kënaqësi, të jem në këtë mjedis kaq të bukur,- që është një nga pikat e referimit të Shkodrës, të vizitorëve të saj, brenda dhe jashtë. Me shumë respekt për zonjën dhe zotërinë që i kanë dhënë jetë këtij mjedisi me mund, me talent, me kurajo dhe që kanë arritur të krijojnë këtu një zonë kaq të këndshme, me parfumin e historisë së Shkodrës dhe me gjithë artin e traditës të mikpritjes, - së bashku me skuadrën e Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës.

Jemi këtu për të thënë se duam një shans për të marrë në dorë realisht drejtimin e punës, jo vetëm aty ku e kemi pasur dhe kemi dhe ku punët flasin vetë, po edhe këtu ku, për fat të keq, në Bashkinë Shkodër jemi ndeshur përballë murit qorr dhe shurdh të qeverisë vendore të Shkodrës. Jam shumë i bindur se kemi reflektuar seriozisht mbi nevojën, pritshmërinë, ambicien e komunitetit shkodran dhe ju ofrojmë shkodranëve një zgjedhje të qartë, që është zgjedhja më e mirë që ata kanë pasur ndonjëherë, me figura të reja, me njerëz që vijnë nga ky komunitet, që i kanë rrënjët në këtë komunitet. Nga ana tjetër, me figura me eksperiencë që kanë dhënë kontribute të çmuara për komunitetet e tyre, në Malësinë e Madhe, në Pukë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku sot të gjithë ata që prej shumë e shumë vitesh ishin nën thundrën e një pushteti vendor të korruptuar dhe krejtësisht pa lidhje me aspiratat e tyre, po e shohin vetë çka po ndryshon hap pas hapi. Natyrisht me vështirësi, natyrisht asgjë nuk është perfekt, por rruga e ndryshimit është hapur edhe aty.

Jam njëkohësisht i keqardhur, realisht, sepse ka një të vërtetë të pamohueshme në shprehjen e pakënaqësisë të shumë njerëzve nga Bashkia Shkodër, në raport me mua dhe me qeverinë tonë, si pasojë e një kontrasti që bëhet gjithmonë e më i thellë në krahasim mes Shkodrës dhe Vlorës, Shkodrës dhe Korçës, Shkodrës dhe shumë qendrave të tjera urbane që po transformohen me shpejtësi. Madje edhe Shkodrës e Pukës.

Jam i keqardhur që nuk kemi mundur të bëjmë dot më shumë, por jo se nuk kemi dashur. Fakti që kemi dashur provohet lehtësisht, nëse numërojmë punët që janë bërë përtej vullnetit dhe përtej murit te bllokimit të ngritur nga Bashkia e Shkodrës dhe nga personi absurd që drejton Bashkinë e Shkodrës. Që nga rruga Shkodër-Velipojë, një rrugë turistike e shumëpritur për dekada, e shumëpremtuar për dekada dhe sot e realizuar nga ne.

Tek Stadiumi i Shkodrës, ku isha përpara pak kohësh, për të ndjekur procesin e vaksinimit aty pranë dhe ku u skandalizova nga pamja e turpshme e krejt asaj që mund të shihet nga jashtë, muret, krejt pjesa e gardheve të sigurisë, mjedisi. Pisllëk, pisllëk, pisllëk!

Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe kjo ishte arsyeja pse, qysh në krye të herës, së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit kërkuam që stadiumi të mos menaxhohej nga Bashkia, duke e ditur paaftësinë therëse dhe paditurinë ulëritëse të personave dhe të personit kryesor që drejton Bashkinë e Shkodrës, refuzuan, medemek do ta menaxhonin këta vetë dhe pamjet flasin vetë.

Më tutje kemi bërë përpjekje serioze për të krijuar më shumë oportunitete për Shkodrën, si një destinacion plot adresa dhe plot arsye për t’u vizituar për shkak të historisë, kulturës, traditës. Kemi ndërtuar një muze, i cili është një nga perlat e krejt rrjetit shqiptar të ekspozimit dhe të nxjerrjes në pah të vlerave tona kombëtare, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, një muze i cili ka fituar edhe çmime ndërkombëtare. Jemi gati për të vazhduar më tej me Muzeun e Kolë Idromenos, për të cilin kemi punuar për të siguruar të gjithë bazën ligjore, dokumentare, që lidhet edhe me pronën.

Kemi rindërtuar, ristrukturuar Teatrin “Migjeni”, i braktisur prej shumë e shumë vitesh e që sot është një godinë e restauruar dhe e konsoliduar. Plus, ka të gjithë sistemet e nevojshme, të brendshme me standarde dhe jo me telat e korrentit që ngatërroheshin në këmbët e aktorëve dhe spektatorëve.

Faktikisht jemi penguar e bllokuar pafundësisht për çdo gjë.

Kemi dhënë një shembull shumë të mirë në zonën e Shirokës që është bërë një pikë referimi për turizmin.

Po ecim për të përfunduar  Bypass-in e Shkodrës, pasi bëmë një shikim të plotë si kudo të projektit dhe jemi gati me projektin për vijën liqenore, për ta transformuar në një vije, e cila të jetë në të njëjtën vlerë si Lungomare e Vlorës, apo si ajo e Himarës, e Durrësit, e cila nga ana e vet do të zgjatet dhe do të plotësohet me të tjera kilometra, qoftë drejt Currilave, qoftë drejt plazhit, por është aty si model.

Për të gjitha këto kemi nevojë për besimin e shkodranëve dhe shkodraneve, që ma ha mendja është koha ta shohin Shkodrën të parën, ta shohin se kush është kali që i nxjerr matanë lumit dhe jo të vazhdojnë hipur mbi gomarin e tifozllëkut partiak, që e ka penguar dhe vonuar kaq shumë Shkodrën. Ma ha mendja se ndërkohë që për Shkodrën nuk kemi vërtetë shumë për të rreshtuar, nëse do të filloja me Malësinë e Madhe, do kërkoja shumë kohë, nëse do vazhdoja me Pukën, do merrja shumë kohë. Në Malësi të Madhe, ne kemi hapur jo thjesht një rrugë të re nga pikëpamja fizike, atë që çon deri lart në kufi, aty ku gjendet dhe një nga pjesët më të bukura të parajsës malore të Shqipërisë, por kemi hapur një rrugë të re për ekonominë e krejt zonës përmes turizmit. Ishte e paimagjinueshme deri 7 vite më parë të mendohej për turizëm në atë zonë, ku bukuria ka qenë, por ku kushtet, infrastruktura, mundësitë ishin vërtetë në një gjendje krejt të pamundur për të stimuluar ardhjen e vizitorëve. Mjafton të shihet Tamara si ishte dhe si është, çfarë bënin në atë pikë njerëzit që ndjeheshin të izoluar, ndjeheshin të braktisur dhe ku maksimumi mund të gjeje dyer për të luajtur bingo dhe çfarë bëjnë sot. Sa bukur dhe sa mirë po ecën ajo ekonomi e vogël aty, me njerëzit që po vazhdojnë të hapin bujtina dhe të shohin të ardhmen me optimizëm. Pa llogaritur zhvillimet e tjera që po marrin formë dhe po stimulojnë një zinxhir investimesh nga emigrantët e Malësisë së Madhe, njerëz shumë të lidhur me atë territor e shumë të dëshiruar për të vendosur aty një gur të së ardhmes, në pronën e stërgjyshërve të tyre.

Jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë është shumë i qartë Plani ynë i Veprimit, që nuk është një program elektoral për të plotësuar dëshirat e të gjithëve deri në 25 pPrill dhe për t'i lënë më pas të gjithë në radhë, që të marrin tramvajin e Tiranës.

Biznesi i vogël do t'i ketë taksat dhe TVSH-në zero deri në vitin 2029 me Partinë Socialiste, siç i ka sot, pra, nuk është një premtim që do ndodhë nesër.

Në 1 janar të 2022-shit, ne do të heqim të gjithë tatimin-fitimin e të gjitha pagave deri në 400 mijë lekë.

Do të ulim tatimin-fitimin e pagave nën 2,5 milion lekë, do të rrisim rrogën e pagës minimale më tej.

Është shumë interesante se, siç e kisha parashikuar, në momentin kur ne thamë se do ta çojmë pagën minimale 400 mijë lekë në fund të mandatit të tretë, Partia Demokratike ndryshoi programin. E kishte 360 mijë lekë, e bëri 300 euro, me kursin e këmbimit, natyrisht, duke synuar që ta rrisë e jam i bindur që deri në 25 prill do e bëjë 420 mijë lekë. Ndërkohë që ne e kemi shumë të qartë se vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë është një hap shumë i rëndësishëm përpara me në krahasim se ku ishim, sepse kemi rritur 50% pagën minimale. Por është i pamjaftueshëm dhe do ta çojmë më tutje, siç e kemi Planin tonë të Veprimit, duke e rritur vit pas viti, me garancinë që do të jetë 380 mijë dhe synimin që do të shkojë 400 mijë, për të mos treguar përralla, siç tregojnë ata që erdhën edhe në Shkodër dhe krijuan një zonë COVID-i në mes të Shkodrës, duke thyer komplet rregullat, duke vënë në rrezik shëndetin e mbështetësve të tyre më fanatikë, të cilët nuk e kuptoj arsyen pse duhet të rrezikojnë për të ngritur gishtat, për të ngritur flamujt dhe për të ulëritur njësoj sikur të ishim në fillim të viteve '90-të. Një histori që përsëritet e përsëritet me të njëjta forma, me të njëjtat klithma, me të njëjtën mënyrë absurde, që nuk i takon më kësaj kohe. Kësaj kohe krejt tjetër, aq më tepër në një kohë pandemie.

Ne jemi këtu, për të respektuar deri në fund detyrimin tonë ndaj njerëzve, një proces elektoral dhe për t’ju dhënë njerëzve mundësinë të na njohin si skuadra, të vlerësojnë gjithë skuadrat tona, të njihen me Planin tonë të Veprimit, të njihen me çfarë ne kemi ndërmend të bëjmë, por sigurisht që e gjithë kjo është më pak e rëndësishme sesa sfida e sfidave, lufta me armikun e padukshëm. Jam shumë i vendosur ta largojmë nga Shqipëria një orë e më parë, duke vaksinuar intensivisht dhe njëkohësisht, duke respektuar rregullat. Çfarë do me thënë kjo?

Që në këtë situatë bëhen shfaqe gjoja si spontane, me ulëritësa që vijnë aty për të ngritur gishtat edhe me dhëndrin që hipën mbi makinën e dasmës dhe buzëqesh duke tundur dajret. Këto janë skena që nuk i takojnë një force politike që e ka seriozisht të qenurit alternativë e vendit. Ne nuk mundet dot vërtetë të asgjësojmë efektet e virusit, sa hap e mbyll sytë, ne jemi të detyruar të ecim në një ekuilibër mes masave shtrënguese dhe nevojës së njerëzve për të punuar, nevojës së ekonomisë për të mos e ndaluar frymëmarrjen, patjetër jemi të detyruar të ulim kokën me keqardhje dhe me hidhërim kur shohim se humbasim jetë njerëzish, dita-ditës, siç ndodh në të gjitha vendet, por ne nuk mund të jemi me virusin, as me vetëdije, as me pa vetëdije, për të bërë luftë politike, për të bërë fushatë elektorale.

Kjo është absolutisht e neveritshme!

E di që gjasat që kjo të ndryshojë është thuajse zero, sepse papërgjegjshmëria është karakteristikë e mënyrës së funksionimit të Partisë Demokratike dhe të atyre kaçatorrëve që ka rreth vetes. Por një gjë di po ashtu, që të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër, është një karakteristikë e budallenjve. Unë nuk besoj që budallallëku të jetë deri në atë nivel, saqë të mos ketë asnjë lloj reflektimi. Prandaj përsëris apelin, bëjeni betejën, bëjeni fushatën, bëjini të gjitha, për të humbur se për të humbur keni, sigurisht do keni një humbje më dinjitoze se ajo e mëparshmja, sepse do arrini të merrni mbrapsht një pjesë  të atyre skllevërve, siç i quante Luli, skllevërve të LSI-së që do vijnë, do rikthehen në shtëpi, por në fund të ditës mos harroni se kush e ka sot një mundësi të shfaqet në publik ka detyrimin në radhë të parë, të tregojë përgjegjshmëri në raport me rregullat që kemi vënë dhe jo më kush kërkon përgjegjësinë për të drejtuar Shqipërinë.

Edona është vajza që kryeson listën tonë në Shkodër. Edona vjen nga një aktivitet si njeri i angazhuar në punë me organizata të ndryshme, qoftë organizata jo qeveritare, qoftë organizma financiare në mbështetje të biznesit dhe të fidanishteve, start up-eve të të rinjve. Po ashtu, në Shkodër të rinjtë e njohin edhe si një qytetare aktive për problemet dhe çështjet e komunitetit. Jam shumë i kënaqur që Edona e pranoi ftesën për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë, që ajo e gjen veten në këtë hapësirë ku, natyrisht ambicia është që gjithkush të jetë këtu për të luftuar për qëllimin e përbashkët, por duke qenë gjithmonë vetvetja.

Besoj që Edona nga njëra anë; Beneti nga ana tjetër; Diana po ashtu, që e përshëndes e falenderoj për përfshirjen; Jona që në Shkodër e njohin të gjithë si një vajzë dhe më pas, një grua dhe një nënë e angazhuar me sfidat e komunitetit; janë një grup të rinjsh që i japin një vlerë të shtuar skuadrës së PS-së në këtë zonë dhe që harmonizuar me eksperiencën e të tjerëve që vijnë nga një tjetër rrugë dhe që kanë qënë pjesë e boshtit të grupit tonë parlamentar, pa harruar edhe  ata më të rinjtë fare, - flas përsa i përket eksperiencës dhe moshës, - Alda, Kabiri dhe sigurisht e gjithë skuadra janë një arsye e fortë për të menduar se ne kemi bërë tonën dhe ja kemi ofruar Shkodrës një zgjedhje të qartë.

Ia kemi ofruar Malsisë së Madhe një zgjedhje që është e qartë prej kohësh. Është një zgjedhje e konsoliduar prej kohësh me punë, me afrimitet me komunitetin.

Ja kemi ofruar Pukës mundësinë që të këtë përfaqësuesin e vet në Kuvendin e Shqipërisë dhe të zgjedhë midis disa njerëzve me profesionalizëm, me integritet, me personalitet.

Patjetër edhe Vau Dejës ia kemi ofruar zgjedhjen.

Tani, ne thjesht do bëjmë detyrën tonë deri në fund, duke qenë pranë njerëzve, duke shpjeguar, duke komunikuar, duke dëgjuar, duke reflektuar, duke reaguar, por në fund janë shkodranët që do vendosin nëse do të duan më shumë nga ne, duke na mbështetur më shumë sesa në të shkuarën.

Po ashtu Iliri, pavarësisht se ka qenë i përfshirë më parë drejtpërdrejtë këtu dhe më pas ka pasur një ndërprerje në aspektin formal të angazhimit të tij, duke qenë i ngarkuar për të drejtuar organizimin dhe procesin e ndërveprimit mes Tiranës dhe zonave të tjera në një qark tjetër, është përsëri këtu. Asnjëherë - këtë nuk e them se duhet thënë diçka pozitive patjetër, por se kjo është e vërteta, - ka qenë i shkëputur nga problematikat e Qarkut Shkodër dhe ndër të gjithë njerëzit që unë kam punuar, nuk njoh dikë tjetër që të mund të zërë vendin e parë përsa i përket thellimit në statistika, në shifra, në fakte, në ndërthurjen mes statistikave dhe fakteve, duke i parë ato jo vetëm në aspektin sektorial, por në tërësinë e tyre. Shqetësimet e tij, nganjëherë edhe këmbëngulja e tepruar, në sensin, duke qenë, në thonjëza ose pa thonjëza, i bezdisshëm për diçka që “duhet bërë kjo, duhet bërë kjo, por shiko se këtu në Shkodër është e rëndësishme që kjo të bëhet në mënyrë që kjo të krijojë këtë zinxhir, këtë efekt” etj, e bëjnë Ilirin, padiskutim, një vlerë të shtuar edhe një pikë referimi për mua përsa i përket gjithë procesit të konceptimit, të shkrimit dhe të orientimit të projekteve dhe planit të veprimit. Ai ka një kontribut të çmuar në Planin tonë të Veprimit, falë edhe një eksperience tanimë të gjatë, pavarësisht se mua do më duket gjithmonë i ri. Unë e mbaj mend në pjesën kur ka qenë rezervë në ekipin tonë të basketbollit dhe rrinte në stol, pastaj kemi pasur periudhën që kemi luajtur në formacion të dy, po siç thashë është  një eksperiencë e gjatë, shumë e vlefshme, që i jep kësaj skuadre për Shkodrën një kontribut të posaçëm.

Ajo që është shumë e rëndësishme besoj, që është pikërisht se skuadra në Shkodër dhe skuadra në çdo qark dhe skuadra jonë kombëtare ka një ndërthurje të të gjithë elementëve që i duhen. Një skuadër nuk mund të ketë vetëm sulmues, po flas me gjuhën më të zakonshme për të gjithë, pavarësisht nëse janë apo s’janë tifozë futbolli, por të gjithë e dinë çfarë po them.  Nuk mund të ketë vetëm sulmues apo mbrojtës, ose vetëm mesfushorë, nuk mund të ketë vetëm lojtarë që dinë të triblojnë bukur, nuk mund të ketë vetëm ata që duken

bukur kur kapin topin, por edhe të tjerë që janë aty të domosdoshëm dhe që pa ta nuk mund të arrish dot të mbash ekuilibrat e skuadrës dhe të fitosh me kundërshtarin. Në këtë sens, skuadra jonë është një skuadër top. I ka absolutisht të gjitha repartet e plotësuara, ka një harmoni si asnjëherë më parë moshash, një harmoni si asnjëherë më parë gjinie, një harmoni si asnjëherë më parë përsa i përket edhe larmisë së eksperiencave. Janë nga të gjitha rrugët e jetës bashkuar në këtë skuadër, për të çuar përpara projektin tonë me vizionin e Shqipërisë së vitit 2030 dhe për të vazhduar një proces ripërtëritjeje që është organik, fiziologjik në PS.

****

Dy pika besoj se është me interes për qytetarët e kësaj zone t’i shtjellojmë;

Turizmin.  Realisht jam i bindur që ne kemi këtu një potencial të jashtëzakonshëm.

Natyrisht që infrastruktura bazë ka qenë e mbetet një prioritet i yni. Fola për rrugën Shkodër – Velipojë, por ndërkohë mos harrojmë që aktualisht është në kantier rruga e Thethit, e cila është edhe ajo një kërkesë e kahershme historike dhe sot mësova që në Theth, Bashkia e Shkodrës, i vetmi kontribut që ka dhënë dhe e vetmja prani që ka, është kontributi i taksidarëve, prania e inspektorëve për të gjobitur të gjithë ata që kanë transformuar shtëpitë e tyre në bujtina. Siç mësova se është gjobitur edhe kjo këtu, një pallat i vjetër dhe më kujtohet kur kam ardhur këtu për herë të parë dhe e kam parë këtë kryevepër që kanë bërë njerëzit e kësaj familjeje në hyrje. Jam goditur nga pamja e tmerrshme që ishte këtu. E ndërkohë që, kanë bërë gjithë këtë investim, për të kthyer një pallat të vjetër të Enver Hoxhës në këtë objekt që shihni, kanë mbi kokë një gjobë të Bashkisë Shkodër për nuk e di çfarë. Gjëra absurde, gjëra të tmerrshme!

Ndërkohë, ne, jo vetëm që kemi hapur një rrugë të re duke financuar drejtpërdrejtë ose duke marrë pjesë në financimin e transformimit të shtëpive karakteristike, të shtëpive të vjetra në bujtina, në pika turistike, në pika agroturistike, por do vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe më fuqishëm. Ne nuk po bëjmë thjesht rrugën për në Theth, por projekti parashikon dhe disa ndërhyrje brenda në Theth, siç kemi bërë ndërhyrjet lartë në Malësinë e Madhe, në Vermosh, ku sot ka infrastrukturë mikpritjeje e ku gjatë gjithë periudhës së dimrit, rruga e pastruar në mes të gjithë atyre bukurive me borë, ka çuar atje plot njerëz që e kanë frekuentuar dhe kanë qëndruar atje.

Vlen të citoj këtu si shembull dhe që lidhet me turizmin historik, me turizmin e trashëgimisë kulturore, është ndërhyrja e mëtejshme në të gjitha ato pika që mund të transformohen në arsye për të sjellë këtu sa më shumë vizitorë e turistë. Vizitova Xhaminë e Plumbit, të cilën për herë të parë e të fundit e kisha parë kur isha këtu, bashkë me një grup miqsh të Akademisë së Arteve në atë momentin historik të varrezave të Rrmajit dhe kur në ato ditë ndodhi edhe ajo ngjarja fantastike e mobilizimit të myslimanëve dhe katolikëve për të liruar hapësirat e Xhamisë së Plumbit, për të filluar ritet. Ne kemi tani jo vetëm projektin, por edhe financimin për kthimin e Xhamisë së Plumbit në një pikë referimi jo thjesht për komunitetin të besimtarëve myslimanë të Shkodrës, por për shumëkënd tjetër.

Pata një bisedë shumë të këndshme me Myftiun dhe folëm pikërisht për si gjithë ai pellg aty mund të kthehet në një pikë referimi, një objekt fantastik, një xhami që është jashtë normave tradicionale klasike të arkitekturës islame, një vepër e një personaliteti të madh, i cili faktikisht ka ndërtuar një xhami atipike. Një xhami arnaute, që është një perlë, por ku problemi më i madh historikisht ka qenë uji që përmbyt rregullisht dhe braktisja. Aty, ne do të ndërhyjmë për gjithë restaurimin deri në fund të Xhamisë së Plumbit e po ashtu, për gjithë hapësirën rreth e rrotull. Unë i propozova që hapësira rreth e rrotull të bëhet parku i pemëve të Kuranit. Gjithë pemët dhe bimët, frutat që përmenden në Kuran të jenë pjesë e atij parku dhe ai park të bëhet një destinacion. Natyrisht, një park i dëshiruar dhe mikpritës për ata që shkojnë aty për t’u falur, por një park ku mund të shkojnë e me siguri do shkojnë dhe të tjerët, turistët dhe vizitorët. E të tilla Shkodra ka plot. Nuk është thjesht një, dy apo tre. Vlerësimi i tyre është absolutisht një arsye e fortë e punës sime, e përpjekjeve të mia, e tërësisë së arsyeve pse unë merrem me këtë punë.

Pika e dytë është Universiteti.

Ne kemi bërë një reformë të arsimit të lartë që është realisht një bazë solide për Shqipërinë e vitit 2030, por sot, të gjithë e ndjejmë, të gjithë e dimë, të gjithë e kuptojmë që ka nevojë për një kapërcim psikologjik, në radhë të parë, të të gjithë trupës akademike në raport me çfarë duhet të bëjnë universitetet. Jo duke shtuar e shtuar programe që prodhojnë të papunë, thjesht për të pasur financimin e mjaftueshëm nga tarifat e studentëve, por duke u orientuar në ato programe që krijojnë mundësi pune e që e ndihmojnë ekonominë, ndihmojnë të ardhmen.

Në këtë aspekt, ne kemi një program të tërë. Një pjesë e programit është të bëjmë çmos që universitetet tona, sidomos universitetet që janë në territor, të njehsohen me universitete publike europiane apo të vendeve të tjera mike. Kur them universitete europiane publike të vendeve të tjera mike kam parasysh që të kthehen në pjesë e tyre dhe/ose të kenë brenda vetes programe të tyre, që një vajzë a një djalë këtu në Shkodër të mos ketë nevojë të iki në Itali për të bërë X program e për të marrë X diplomë, por të mund ta bëjë këtu, në universitetin në Shkodër.

Për këtë, ne do të vendosim një financim 10 milionë euro për të stimuluar çdo universitet që shkon në këtë drejtim. Do të ndërtojmë një sistem të tërë në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Arsimit dhe në Kryeministri që do merret vetëm me këtë punë, në mënyrë që të sjellim këtu universitete të huaja, publike jo private, publike brenda sistemit tonë publik dhe t’i mundësojmë universiteteve të huaja kushtet për të ushtruar veprimtari këtu, nga pikëpamja financiare. Ndërkohë t’i mundësojmë vajzave dhe djemve të Shqipërisë që të studiojnë këtu, njësoj sikur të ishin jashtë. Këtë do ta bëjmë me universitetet amerikane, këtë do ta bëjmë me universitete europiane.

Universiteti Teknik i Stambollit është i pari që do të vijë. Ai do të jetë më vete. Është një nga universitetet më të mirë të botës e do të jetë më vete, ndërkohë që një zinxhir i tërë veprimi do të vihet në lëvizje për të krijuar pikërisht këtë. Imagjinoni që Universiteti i Shkodrës të jetë universitet italian në Shkodër, cilido qoftë prej tyre, apo të jetë universiteti ku ka një pjesë të programeve që janë të universitetit italian, francez, ose çfarëdo qoftë universitet europian.

Para se të bëhej pjesëtar i skuadrave të PS-së, është bërë përpara meje në fakt, ka qenë pjesëtar i skuadrës tonë kombëtare e ka qenë pjesëtar i skuadrës kampione dhe ka qenë një nga kampionët e mëdhenj të rinisë sime të parë, Paulini, i cili është këtu pjesë e kësaj skuadre, jo thjesht si ai që prej vitesh, tanimë, është deputeti i palëvizshëm i Malësisë së Madhe, por pjesë e kësaj skuadre si një nga deputetët e Qarkut të Shkodrës. E falënderoj shumë për faktin se hyn tek ata deputetë që realisht i konsideroj vlerë të madhe të komunikimit tonë me njerëzit, vlerë të madhe të qëndrimit tonë pranë njerëzve, vlerë të madhe të të qenit pjesë e njerëzve, çdo ditë, jo vetëm kur janë kamerat aty, jo vetëm kur marrin mikrofonat për të folur, por kur nuk ka as kamera, as mikrofon, as lajme dhe kur dikush kërkon ndihmë, kërkon mbështetje a zgjedhjen e një halli që është shumë i vogël kur e sheh nga jashtë, por është hall i madhe për atë që e ka.

Është e vërtetë, koha kalon, vitet ikin dhe imagjinojeni, Paulini, kur ishte në moshën e Kabir Fishtës, vinte këtu për t’u përplasur me të atin e Kabirit në tapet, ishin dy kampionë të mëdhenj të mundjes në Shqipëri. Mua më kujtohet atëherë, ne ishim në mjediset e sportit dhe kur afrohej ndeshja e Paulin Sterkës me Sait Fishtën, ishte ngjarja më kryesore që diskutohej. Në një rast u bë një tension dhe një histori pritshmërie e hamendjeje, kush fiton, kush humbet. U ngrit peshë e gjithë Shkodra dhe si përfundim, ndërhyri komiteti i partisë dhe ai që ishte atëherë në krye i tha përfaqësuesit kryesor të Federatë së Mundjes, a ka barazim në mundje? Jo i tha, ka fitore dhe humbje. Mirë i tha, të humbin të dy ata. Pallati i sportit u bë sikur ishte finalja e kupës së Republikës në basketboll, kur e mbushte Pallatin e Sportit Sokol Kalaj që ishte kingu më i madh që ka prodhuar Shkodra. Dhe humbën të dy. Unë nuk e di ku është Saiti, por çunin e vet e ka këtu, në tavolinë. Na u rritën kalamajtë Paulo.

***

Ta shpjegoj Paulin se çfarë ndjen një djalë i ri i një babe me emër të madh dhe pse emri i madh i babës është gjithmonë një lloj peshe për djalin që pason dhe është gjithmonë një lloj sfide. Unë shyqyr e kam kapërcyer këtë sfidë, por besoj që edhe Kabiri do e kapërcejë. Jo në fushën e përplasjes fizike se aty ti, edhe kur të bëhesh sa unë, me Paulin Sterkën e me babën nuk hahesh dot, por ti në ato fushat e tjera, në internet ku këta janë dobët.

Kaloj tek Beneti. Një nga arsyet pse unë e kam ftuar Benetin të bëhet pjesë e skuadrës sonë ka të bëjë me Benetin si menaxher, me Benetin si një shkodran që nuk e ka menduar kurrë se do bëhet një ditë pjesë e PS-së, deri sa filloi të më njohë mua dhe pa që djalli nuk është aq i zi sa duket kur e sheh nga kulla e vrojtimit të demokratëve. Sa më shumë më njohu, aq më shumë e ndjeu që në fakt, vendi i tij ishte këtu. Nuk i kam kërkuar të bëhet socialist, i kam kërkuar thjesht të jetë vetvetja e të punojë në këtë skuadër, njësoj siç ka punuar deri tani, pa parë asnjëherë majtas apo djathtas, kur bën aritmetikë. Ky është një nga ata demokratë që 7 herë 7 e nxjerrin 49. Janë pak, por ky është një nga ata dhe e ftova të bëhet pjesë e skuadrës së Shkodrës, sepse ka qenë i lidhur posaçërisht me Shkodrën. Edhe si drejtor u KESH-it bëri një punë shumë të mirë, besoj e dinë të gjitha shkodranët që, pavarësisht se reshjet e këtij viti ishin të tmerrshme dhe ishin shumë më shumë se reshjet e asaj përmbytjeje apokaliptike ku u kthye Shkodra në treg shitjesh varkash taksi, prapë Beneti e kishte mendjen, çfarë do linte këtu për ditën kur do vinte pastaj ajo partia e vet e do ta hiqte si bashkëpunëtor të komunistëve. Më thoshte të bëjmë muzeun kombëtar të energjisë, të bëjmë parkun e energjisë diellore lart tek rezervuari i Vaut të Dejës, të bëjmë rrugën Koman – Vau i Dejës, të bëjmë pikën turistike atje, të hapim vijnë lundruese midis Komanit dhe lart.

Domethënë, takimet e mia me Benetin ishin 10 minuta menaxhimi i kaskadës, investimet në turbinat e reja, ripërtëritja e gjithë infrastrukturës dhe 40 minuta ishin turizmi, Shkodra. U mendova dhe me gjithë eksperiencën e tij, me gjithë bashkëpunimin e mirë, një demokrat thashë, jo tifoz, që i vihet në dispozicion kauzës së përbashkët për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, për ta bërë Shkodrën të ardhmen tonë, pse jo në skuadrën tonë. Mund të përfundosh si unë që të marrësh dhe teserën e Partisë Socialiste, por kjo nuk është një gjë që unë ta kërkoj Benet.

Është e vërtetë, është shumë e vërtetë ajo që tregoi Beneti dhe nuk është i vetmi rast në fakt. Beneti ka qenë një urëlidhës mes meje dhe disa kryetarëve të bashkive të PD-së. Ata e shikonin si të PD-ë, unë e shikoja si njeriun që bën punën dhe funksiononte. I vetmi vend nuk ka çarë as Beneti vetë është Bashkia e Shkodrës. Ky nuk e thotë se, mendja i thotë “je mirë majtas”, por zemra i thotë “rri djathtas” dhe kur i shkon mendja ta thotë historinë e urës, zemra ndalon dhe thotë “mos”. Por edhe për urën bëmë një ndërhyrje klandestine. Ura ishte në një gjendje të keqe dhe një shoqatë e disa të rinjve këtu më kontaktoi, - më çojnë herë pas here klithma vizuale të bëmave ose të mosbëmave, por të gjumit të Voltanës - dhe i thashë Benetit “si i bëhet”. Ai bëri projektin, pastaj nuk ma ka treguar sesi tentoi, por fakti ishte që nuk hapi dot derën e kalasë së bashkisë dhe e bëmë në mënyrë klandestine urën, por rëndësi ka që e bëmë. Beneti të paktën bëri të mundur që të mos sulmoheshim nga këto jeniçerët përkatës me molotov dhe mburoja ilire dhe gjëja shkoi aty ku duhet.

Skuadra që kemi bërë për Shkodrën është skuadër për Shkodrën. Nuk është skuadër për Partinë Socialiste, por është një skuadër e Partisë Socialiste për Shkodrën dhe ju kemi dhënë mundësi të gjithë shkodranëve, ju kemi dhënë mundësi dhe demokratit më të flaktë, por që sigurisht e ka mendjen në vend, i ka sytë në vend, i ka veshët në vend, se ka një pjesë unë ata i quaj demokratikas. Ata i kanë sytë top, veshët top, por mendjen e kanë tapë. Unë flas për demokratë që i kanë të gjitha në vend, që të zgjedhin brenda një mundësie të larmishme zgjedhjesh.

Një vajzë e re, një fanatike të Shkodrës, një person që nuk ka lidhje me ato tabutë e tyre që i pengojnë që të kuptojnë që jemi në shekullin e 21. Jemi në vitin 2021, nuk jemi në ’44-ën, nuk jemi as në ’90-ën, apo nuk duan të kuptojnë që kur flasin, shikojnë, mendojnë, ose kur gjykojnë për mua, nuk po flasin, mendojnë apo gjykojnë për ndonjë komunist. Po flasin, po mendojnë dhe po gjykojnë për dikë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shkodrën, dikë që është rritur nga një gjyshe katolike e Shkodrës, që ishte motra e Zef Kolombit, dikë që është rritur mes pikturave të Zef Kolombit, por përtej kësaj nuk ka rëndësi.

E rëndësishme është që e kanë mundësitë të zgjedhin, qoftë Edonën, qoftë Benetin. Kush është shumë patriarkal dhe nuk zgjedh dot një vajzë se nuk i duket e aftë të bëjë punë burrash, ka Benetin. Është një demokrat i kamufluar si socialist, mund ta zgjedhin. Kush do të shohë përtej tyre, Diana është këtu. Këtu janë edhe Lela, edhe Kadiri, edhe Jona. Për ata që janë me zemrën, mendjen dhe sytë majtas, majtas i kanë zgjedhjet e tyre. Për ata që duan njerëz me eksperiencë e kanë Ilirin, kanë Paulinin. Për ata që janë demokratë që kanë nevojë për t’u ndierë të mbështetur edhe shpirtërisht, Frroku është aty. Më shumë se kaq, nuk e di se çfarë mund të bënim.

Kush ka ndërmend të kthehet në prehrin e Zef Hilës, ne nuk e ndalojmë dot. Por një gjë është e sigurt, Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet. Partia Socialiste do të qeveris edhe për 4 vite të tjera. duan s’duan ata që s’duan. Unë nuk do doja që në të vazhdonim të ishim të penguar, të bllokuar këtu në Shkodër.

Natyrisht, sa më shumë të na mbështesni, sa më shumë të na besoni, aq më shumë na vinin në detyrim dhe aq më shumë na ngarkoni me përgjegjësi që t’ua kthejmë shumëfish atë që ju do të na jepni. Zgjidhni e merrni. Por, realisht, unë nuk e imagjinoj dot që demokratët të jenë të lumtur të votojnë për të pasur në qeveri Monika Kryemadhin ministre Financash, për të patur ne qeveri Agron Dukën ministër Bujqësie, për të patur Fatmir Mediun ministër çfarëdo qoftë se Fatmiri i bën të gjitha ngaqë s’di të bëj asgjë, për të patur ne qeveri me radhë, Shpëtim Idrizin, Vangjel Dulen. Është një katastrofë!

Se çfarë lidhje kanë këta me arsyet pse demokratët e superflaktë si Zef Gjoni nuk duan me ia dit për asgjë tjetër, përveçse tifozllëkut partiak, kjo është diçka që unë s’kam për ta kuptuar kurrë. Përtej atyre ka një pjesë që unë besoj se mund ta gjejnë arsyen për ta vrarë më në fund tifozllëkun. Nuk mund të ketë tifozllëk partiak deri në pikën kur njeriu t’i bjerë vetes dhe që një qytet i tërë t’i bjerë vetes pa pushim.

Na u rritën kalamajtë dhe këtu në tavolinë është Paulini, me djalin e rivalit të tij të famshëm kur ishin të dy sportistë, ndërkohë që disa në këtë qytet vazhdojnë akoma sikur ora ka ndalur në vitin ’90-të dhe tifozllëku mbi të gjitha.

Këtu nuk jemi duke bërë tifozllëk për skuadra që luajnë futboll. Mbaron ndeshja, ikim në shtëpi e vazhdon jeta. Këtu bëhet fjalë për kë do zgjedhësh të të bëjë punën. Unë nuk besoj që këta njerëz kur marrin elektricistin për të rregulluar dritat në shtëpi, kur marrin hidraulikun për të rregulluar lavamanin, apo marangozin për të bërë një dollap, i zgjedhin demokratë, ose ndryshe nuk i marrin. Pse, kur marrin elektricistin, marangozin, hidraulikun, zgjedhin atë që do t’ju zgjidhë problemin, ndërsa kur zgjedhin për kë do t’i qeverisë, shkojnë si tifozë. Qeverisja është hidrauliku në 100 herë katrorë, 1 milionë herë katrorë. Atëherë si mundet të jetë ky dallim?

Nuk e di. Kjo u takon atyre që kanë këtë problem ta trajtojnë. Përsa më takon dhe përsa na takon, ne jemi këtu dhe jemi gati të bëjmë gjithçka që Shkodra të mos mbetet mbrapa Vlorës, mbrapa Korçës, të mos mbetet mbrapa Pukës e Malësisë së Madhe, të mos mbetet mbrapa askujt.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm