Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Kukës

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Kukës

20 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Kukës:

Sot jemi këtu në Kukës, ku e kemi nisur ditën në fakt shumë bukur edhe pse moti nuk është dhe aq i bukur.

E kemi nisur me mikëpritjen për motrat dhe vëllezërit nga Kosova, për bluzat e bardha të Kosovës që kanë filluar të vaksinohen këtu në Kukës. Më në fund arritëm këtë qëllim pas një sërë zvarritjesh të natyrës burokratike nga ana tjetër, por pak rëndësi ka.

Ajo që është e rëndësishme është që mjekët dhe mjeket e Kosovës kanë filluar të vaksinohen dhe Shqipëria ka luajtur rolin  e saj ka bërë detyrën e saj në raport me anën tjetër të bjeshkëve, në kushtet kur siç e dimë të gjithë, Europa e ka lënë këtë lagje jashtë skemës së vet të shpërndarjes së vaksinave, qysh në krye të herës.

Ne ja kemi dalë ta çajmë rrethimin sepse vërtetë rrethim pamundësie ishte, duke shkruar një kontratë të drejtëpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe njëkohësisht duke patur tanimë në dispozicionm jo vetëm Pfizerin, por edhe Astra Zeneca- n me të cilën kemi filluar vaksinimin masiv të mësuesve dhe të pedagogëve.

Deri dje kanë qenë afro 42 mijë të vaksinuar.

Do të vazhdojmë edhe me më shumë intensitet. Kemi një sasi të konsiderushme vaksinash që do të na japinn mundësinë ta rrisim edhe më shumë ritmin, pasi nuk ëshstë ende ritmi i dëshiruar dhe i nevojshëm për ta realizuar ambicien që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga barra e rëndë e këtij armiku të padukshëm që në këtë fazë finale të rrugës kemi nisur ta zmbrapsim pak e nga pak.

Drita në fund të këtij tuneli të gjatë ku hymë së bashku me gjithë botën një vit më pare, ka filluar të duket. Jemi shumë të vendosur për të dalë nga ky tunel një orë  e më parë dhe do të dalim pa diskutim në të njëjtën kohë me shumë vende të Be edhe pse u lamë jashtë skemës së shperndarjes së vaksinave që në krye të herës. Nga ana tjetër, më vjen mirë që ky moment i fillimit vaksinimit edhe për  bluzat e bardha të Kosovës, koincidoi rastësisht, por nganjëherë sic thotë Hegeli, “rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën” me publikimin dje të një harte leshi, por e them shqip, harte leshi nga presidenti i Serbisë i cili është edhe për të qarë edhe për të qeshur se si i rikthehet herë pas here provokimeve të kësaj natyre që në fakt tregojnë  një ngërç të madh që është ngërçi i Serbisë nuk është ngërçi ynë dhe e ardhmja e shqiptarëve është në duart tona. Unë kam shumë besim që përtej ngatërresave që po me duart tona ja dalim të bëjmë duke e penguar veten hera-herës, kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve pa diskutim.

Ndërkjohë për tu kthyer në ndeshjen e 25 prillit, unë jam këtu me Regertën, me Petritin , me Halimin, tre kolege bashkëpunëtorë, miq, të skuadrës së Kukësit, e cila besoj unë është skuadra më e mirë që ne i kemi ofruar Kukësit, të paktën që prej kohës që unë jam në krye të PS, një skuadër ku qoftë komuniteti i Kukësit, qoftë ai i Tropojës, qoftë i Hasit, mund të identifikohen lehtësisht me pjesëmarrësit në këtë ndeshje të Ps.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që këtë skuadër ne e kemi formuar për këtë ndeshje, jo thjeshtë për një rezultat pozitiv këtu në Kukës, por për një rritje të cilësisë së përfaqësimit dhe një rritje të angazhimit tonë në territor. E këtu dua të sjell një shembull të thjeshtë, shembullin e bisedës që kam patur me Petrititn. Petriti është një mik i kahershëm i kohës kur ne ishim së bashku në Akademinë e Arteve. Është një personalitet i njohur përmes ekranit, por mbi të gjitha, përtej roleve të shumta që ai ka dhënë arkivës së kinematografisë shqiptare, Petriti është një personalitet publik shumë k respektuar në të gjithë rrethin e njerezve që e njohin për integritetin e tij, për seriozitetin e tij dhe për zemërgjerësinë e tij. Petriti e priti me kënaqësi, por edhe me dyzim ftesën time për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë dhe dyzimi lidhej me nje fakt që ma bëri me dije drejtëpërdrejtë dhe shumë hapur dhe qartë. Sa do t’i vlejë Tropojës përfshirja ime, pra e Petritit, sa do të jemi ne në gjendje të bëjmë më tej për Tropojën sepse përndryshe më tha nuk kam pse përfshihem dhe angazhohem nëse kjo do të ishte thjeshtë për të fituar këtë ndeshje dhe për të marrë një rezultat pozitiv.

Në fund të fundit qëllimi nuk është thjeshtë të fitojmë ndeshjen. Fitorja  e një ndeshje elektorale është thjeshtë një mjet për të realizuar pastaj qëllimet për të ndryshuar me tej dhe më mirë jetën e njerëzve. Kemi folur gjatë pastaj me Petritin, për Tropojën, për potencialet për punën që është bërë që besoj unë ishte një arsye që e nxiti Petritin që të pranionte këtë sfidë, por edhe sa shumë akoma ka për të bërë dhe pse e si potencialet e jashtëzakonshme të Tropojës mund të transformohen në ekonomi, në punësim, në një hapsirë ku në radhë të parë të rejat dhe të rinjtë të ndihen zot në vednin e tyre dhe ku edhe Tropoja, si e gjithë  Shqipëria të jenë shtëpia për të cilën fëmijët tanë nesër të jenë krenarë, jo vetëm për histoinë dhe për traditat, por edhe për çka ajo shtëpi sjell krijon si kusht dhe si mundësi për të gjithë familjen.

Nga ana tjetër, më vjen  shumë mirë që Gerta është përfshirë në këtë skuadër si  një shembull domethënës për faktin që dashuria për vendin, për vendlindjen , ambicia për të ndikuar në jetën e nje komuniteti prej nga vjen, shkojnë përtej nevojave të jetes së përditshme, të cilat me thënë të drejtën Gerta për arsye të familjes, së punës së saj dhe të punës së familjes së saj në vite, i ka siguruar. Pra nuk vjen këtë skuadër për të gjetur një punë apo për të zgjidhur probleme të vetat në sensin e ngushtë të fjalës.

 

Pra, nuk vjen këtë skuadër për të gjetur një punë apo për të zgjidhur probleme të vetat në sensin e ngushtë të fjalës, por vjen për të ndihmuar dhe kontribuuar në vendlindjen e vet si një pjesë e saj, natyrisht, duke vlerësuar potencialin e jashtëzakonshëm që ka skuadra jonë dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka Kukësi.

 

Familja e Gertës është një familje e njohur në këtë zonë, e respektuar. Përtej faktit që trungu flet vetë për prejardhjen, për kontributet, Gerta si individ është një person ambicioz, një grua me kurajë, me energji dhe me një dëshirë të madhe për të bërë më shumë për Kukësin. Ka edhe një element tjetër në përzgjedhjen e Gertës, e cila hodhi hapin për t’u ofruar si pjesë e skuadrës përmes platformës “Deputeti që duam”. Ka luajtur rol edhe vlerësimi i eksperincës së saj në biznes, si menaxhere dhe si një person që di të komunikojë, të lolobojë, të krijojë sinergji, gjë që të cilat do të jenë shumë të vlefshme për ne, të dobishme në funksion të nxitjes së mëtejshme, këtu në radhë të pare, në turizëm.

 

Kam shumë besim që e ardhmja e Kukësit është turizmi. Me aeroportin që do të çelë dyert së shpejti, - faktikisht kemi caktuar një datë për të ulur avionin e parë këtu në Kukës dhe për të sjellë ata që e kam premtuar qysh në krye të herës, që më kanë sharë e përqeshur më shumë, nga Londra, - do të krijomë një platformë ekonomike krejt të re.

 

Shumëkush kuturiset të thonë ç’na duhen aeroportet, ç’na duhen portet, ne duam bukë, së pari, njëherë për bukë shqiptarët nuk kanë vuajtur qysh nga koha e Skënderbeut, në kuptimin e ngushtë të fjalës bukë. Nuk ka vdekur njeri për bukë, asnjë shqiptar, qysh nga koha e Skëndërbeut, për një mijë e një arsye që nuk ka nevojë t’i shtejllojmë këtu. Por, nëse i referohemi bukës si metaforë që ka të bëjë me mirëqënien, ekonominë, sigurinë e të nesërmes për çdo familje, aeroportet janë fabrika buke në sensin që sjellin konsumtarorë pafund dhe krijojnë kushtet për të patur mundësi ofertash të të gjitha natyrave për ta. 

 

Është fakt i njohur që një aeroport e ka kthimin e investimit në ekonomi 1euro e shpenzuar 23 euro të kthyera, në një periudhë afatmesme.

 

Aeroportet sjellin investimet, pasi mundësia për të ardhur në Kukës drejtëpërdrejtë krijon kushtet që shumëkush që do të të eksplorojë bukuritë mahnitëse të Kukësit, që do të skijojë në Shishstavec apo Gjeth, që do të shijojë klimën e jashtëzakonshme të të gjithë kurorës këtu gjatë verërave të nxehta, të vijë, por ndërkohë që kjo nxit investimet, nxit shërbimet, nxit ekonominë dhe punësimin.

 

Kjo është gjëja më e padiskutueshme, gjëja më e thjeshtë për t’u kuptuar. Kush nuk do ta kuptojë, as ka për ta kuptuar ndonjëherë. Populli shqiptar ka një shprehje të mençur, “nuk ka qorr më të madh sesa ai që i ka sytë në vend, sytë na ballë dhe nuk do të shikojë”.

 

Më vjen shumë mirë që në këtë skuadër të vogël, se faktikisht këtu janë tre deputetë që zgjidhen, kemi dhe një djalë nga Hasi. Një familje e madhe me shumë vëllezër, i cili me kurajë, ambicie e me shumë sens përgjegjshmërie ndaj komunitetit është bërë pjesë e skuadrës sonë për të dhënë kontributin e tij. Unë jam shumë i inkurajuar nga optimizmi dhe energjia e tij e madhe dhe kam besim se do të jetë një vlerë e shtuar në këtë skuadër.

 

Në të gjitha rastet, ne shikojmë në Kukës një potencial të madh. Kemi filluar ta çlirojmë pak e nga pak, por ajo që kemi ende për të çliruar nga ky potencial është ku e ku më e madhe sesa çfarë kemi çliruar deri tani.

 

Edhe njëherë e falenderoj Gertën për kurajoen, gadishmërinë dhe jam shumë besim plotë që me Gertën, Petritin dhe Halimin, ne do të kemi një skuadër, e cila jo thjesht në 25 prill do të bëjë një rezultat pozitiv për PS, por do të jetë një skuadër në shërbim të njerëzve. Më vjen shumë mirë që në kontaktet që unë kam patur me të ta, të tre nuk kanë patur asnjsë pretendim të veçantë, përveç nevojës që unë t’i garantoj se nuk kemi ardhur së bashku, këtu, për t’u zhdukur më datë 26, por vijmë këtu për të çuar më tej një punë që është nisur. Që të tre këta që janë të rinj në skudrën tonë e vlerësojnë, por të tre duan më shumë. Duan më shumë nga qeveria në Tiranë, duan më shumë nga institucionet dhe duan më shumë nga unë personalisht. 

 

Në një farë mënyre, unë e kam të garantuar dhimbjen e kokës nga insistimet dhe kërkesat e tyre, por kjo është pjesë e punës.

E rëndësishme është që asnjëri prej të treve nuk përfaqëson një potencial rrezikshmërie përsa i përket gjërave personale, interesave personale, çështjeve të natyrës personale. Por janë të tre njerëz patriotë, që kanë dëshirë dhe pasion për vendlindjen e tyre. 

   

 

 

 

Për hir të së vërtetës i jam unë mirënjohës Petritit dhe nuk është për patetizëm, por kjo është e vërteta. Unë nuk do të kisha shqetësuar me këtë ftesë, sepse ti je një gur i rëndë në vendin tënd, në një farë mënyrë me vendin tënd në Akademinë e Arteve, i respektuar, i votuar  për të drejtuar në Akademinë e Arteve, por ka qenë insistimi i miqve në Tropojë që donin me patjetër që Petrit Malaj të ishte mundësia e tropojanëve për të zgjedhur këtë herë, që më shtyu të të shqetësoj.

 

Më ka ardhur shumë mirë, sepse biseda nuk ka qenë e lehtë, në sensin që, përtej asaj pjese të bisedës që është e lehtë se ne njihemi prej kohësh dhe nuk ka asnjë problem, nuk ka qenë e lehtë sepse më ke kërkuar në avancë se çfarë do të sillte kjo për komunitetin atje. Duke ma thënë shumë qartë që ti ndërkohë, edhe pse nuk je përfaqësues i tyre, në sensin s’e ke detyrim, shkon me familjen atje vijimësisht se është vendi i rrënjëve të tua dhe je përfaqësues i tropojanëve të butë, por të vendosur dhe insistimi ka qenë që janë disa gjëra që duhet të vazhdohen të bëhen.

 

Mua më ka ardhur shumë mirë që në bisëdë, ti si një njeri që ke shkuar edhe kur nuk ka patur aty asgjë, edhe kur kanë filluar të bëhen gjërat, e ke vlerësuar ndryshimin që ka ndodhur, por patjetër, ashtu si për ty, edhe për mua është i pamjaftueshëm për të thënë “tani ta bëjnë ata pjesën tjetër se ne e bëmë pjesën tone”.

 

Ne nuk e kemi bërë ende pjesën tonë. Të jesh i sigurtë që do ta bëjmë së bashku dhe unë besoj shumë që një nga arsyet që Shqipërinë e ka lënë mbrapa apo e ka bërë që të bëjë prapakthehu rëndom lidhet me tifozllëkun e verbër. Këtu jemi në Kukës dhe këtu ka një tifozllëk të verbër për futbollin dhe mund ta bëjmë lehtësisht dallimin. Të jesh tifoz i verbër në ato 90-të minuta ku luan skuadra jote është OK, nuk ka asnjë problem. Futesh në stadium, Kukësi me Barcelonën dhe je me Kukësin, Kukësi me Juventusin dhe je me Kukësin. Ama mbarojnë ato 90-të minuta, jeta vazhdon dhe në atë pjesë të jetës që vazhdon nuk mund të jesh tifoz i një partie ose i një partie tjetër, sikur je tifoz i një skuadre futbolli. Sepse Kukësi mund të humbasi me Barcelonën dhe kjo nuk e ndikon jetën tënde, por një parti që bën që ti të humbasësh shanse, të humbasësh mundësi, të humbasësh vite, ndikon në jetën tënde të drejtëpërdrejtë.

 

E është shumë e habitshme me tifozllëkun partiak se normalisht, sipas meje, në këtë kohë, kur nuk është më koha e ideologjive, nuk është koha e dikurshme e fanatizmave politike, por është një kohë prakticiteti, njeriu kur voton duhet të bëjë një zgjedhje dhe është njësoj si me hidraulikun kur ke një problem me rubinetin në shtëpi, apo me elektricistin kur ke një problem me dritat, me marangozin kur do të bësh derën e shtëpisë, apo me çdo zanatçi kur ke një problem në shtëpi. Ti do të zgjedhësh atë që ta bën më mirë atë punë, nuk do të nisesh nga me kë është. Nuk thua elektricisti më duhet, por elektriçisti është i partisë tjetër, por unë për dritat do të marr një rrobaqepës sepse ai është i partisë time. Ti merr atë që të bën shërbimin më mirë. E kështu duhet të ndodhi.

Edhe nëse shohim skuadrat tona, edhe këtu në Kukës është habi e madhe sesi mund të zgjidhet skuadra tjetër. Unë nuk dua të hyj në emra, se për emra dalin e teprojnë ata që janë faktikisht udhëheqja e asaj skuadra konglomerat që kemi përballë, që nga Saliu tek Iliri, nga Monika tek Mediu, Idrizi e Gon Duka, Mesila, Nard Ndoka e Paloka. Ku shkohet me gjithë këta emra? Është hata e madhe. Vetë për punë nuk janë se po të ishin, do e kishin treguar që dinë të bëjnë punë kur kanë pasur gjë në dorë. Dakord, për të pirë një gotë, me ullinj, natyrisht që Dash Shehi është i lezetshëm, por deri tek gota e dytë, pastaj tek gota e tretë nuk kuptohet më asgjë. E kështu me radhë. 

 

Në këtë sens, unë them që është koha që shqiptarët të ndahen nga tifozllëku e të gjykojnë mbi bazën e kush ma bën punën më mirë, kush është aty për mua kur, larg qoftë, bie një tërmet, kush është aty për mua kur sulmon një virus, kush është aty për mua kur ka një përmbytje, kush është aty për mua kur ka një urgjencë, kush është aty për mua ditën dhe natën,  kush është ai që nuk fle gjumë kur unë kam nevojë që të kem pranë pikërisht shtetin, kush është aty për mua për të rritur ekonominë, kush është aty për mua për të më përfaqësuar denjësisht si shqiptar në sytë e botës e kështu me radhë. Këtyre pyetjeve u jep përgjigje normalisht njeriu kur bën një zgjedhje, jo tifozllëkut, jo ngjyrës së fanellës, jo atyre që lidhen me një skuadër sporti, se sporti fillon dhe mbaron brenda atyre minutave, jeta vazhdon. E në jetën që vazhdon, çdokush në vendin e vet ka nevojë që të përfaqësohet nga njerëzit që bëjnë punët që kanë detyrë për vendin, se politika në fund të fundit është krijuar që njerëzit së bashku të bëjnë gjërat që vetëm nuk i bën dot asnjeri. Prandaj është politika, për të ndërtuar shkollat, për të ndërtuar spitalet, për të ndërtuar kopshtet e çerdhet, për të ndërtuar rrugët, për të ndërtuar sistemet e funksionimit, për të ndërtuar të gjithë karabinanë e një shteti ku njerëzit ndihen në shtëpinë e vetë, drejtësinë e me radhë. 

 

Ne jemi në kushtet, kur teksa duhet të zhvillojmë një proces komunikimi intensiv dhe në vigjilje të nisjes zyrtare të fushatës, duhet patjetër të respektojmë edhe rregullat, duhet patjetër të mbrojmë sa të mundemi të tjerët, duhet patjetër të shmangim tundimin që të grumbullohemi dhe të ekzaltohemi sepse është realisht e rrezikshme. Teksa ne po vaksinojmë e do duam të rrisim intensivisht vaksinimin, si arma e vetme për ta nxjerrë nga jetët tona armikun e padukshëm, është e domosdoshme të respektojmë rregullat, është e domosdoshme të tregojmë përgjegjshmëri dhe të jemi forca e shembullit. Është e pakuptueshme që vazhdon harbimi i dasmorëve rrugëve të Shqipërisë me Lulin e kthyer në një dhëndër që medemek ia ndalojnë makinën në mënyrë spontane njerëzit e nuses dhe e ngrenë në krahë si dhëndër i bukur. Ndërkohë që skena është po ajo e tanimë 100 vjetëve me flamuj, me dy gishta, me ulërima, me sharje që natyrisht nuk i adresohen dhëndrit, por adresohen në drejtimin tone, por nuk është problem. Problemi është që të ruajmë shëndetin dhe të mos biem në këto nivele. Nuk ka mundësi që dikush që pretendon të drejtojë vendin, dikush që pretendon të përfaqësojë një alternativë serioze qeverisëse të sillet rrugëve të vendit si Borati me kamerat e filmit nga mbrapa, në një situatë që do të ishte komike, nëse nuk do të ishte realisht e rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Është vërtet për të ardhur keq!

 

Me këtë keqardhje, unë po e mbyll, i bindur që sidoqoftë, rrugët e komunikimit dhe mundësia për të folur me njerëzit kudo, janë aty, janë të panumërta dhe duke menduar që kryesorja e kryesoreve është sfida e triumfit mbi armikun e padukshëm e pastaj vijnë të gjitha të tjerat, ne do vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm në respektimin e rregullave.

 

   
 

 

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm