Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Elbasan

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Elbasan

21 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Elbasan:

Vazhdojmë në Elbasan me ciklin e prezantimit të kandidatëve të skuadrave tona në kushtet absurde në të cilat na ka futur detyrimisht situata e mbrojtjes së shëndetit, pavarësisht se ndërkohë që ne po bëjmë detyrën tonë për të respektuar rregullat, duke respektuar njerëzit, duke respektuar të drejtën themelore të secilit për jeten dhe për shëndetin, të tjerët po shfaqin një nga tiparet e tyre më të këqija, të cilat janë disa, por ky po që po shfaqin është një tipar i politikës së rrugës, denbanaden, me gjoja grumbullime spontane tek vetura e Boratit, i cili del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharakë me dy gishta  e me flamuj, pa marrë aspak parasysh se kështu rrezikohet shëndeti i tyre, i familjeve të tyre dhe i këdo që është në kontakt me familjet e tyre.

Do ta përsëris këtë deri në fund, sa herë të më jepet mundësia, sepse lufta me armikun e padukshëm është sfida e sfidave. Zmbrapsja dhe largimi përfundimisht i armikut të padukshëm nga jetët tona është sfida e sfidave, sepse në këtë sfidë, ne jemi të superangazhuar si qeveri, për të garantuar rritjen e përditshme të numrit të vaksinimeve, por kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e rregullave. Nuk mund të vaksinojmë intensivisht, nga njëra anë dhe të tallemi e të abuzojmë intensivisht me rregullat, nga ana tjetër. Është papërgjegjshëmri dhe këtë nuk mund ta bëjë një forcë politike, e cila pretendon të ofrohet si alternativë qeverisëse. Kjo mungesë sinqeriteti, kjo mungesë karakteri, ky skuthllëk është tipar i lidershipit të tyre denbabaden dhe i politikës së tyre denbabaden.

Ne do të vazhdojmë të respektojmë rregullat, do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit në komunikimet tona, por asnjëherë nuk do të biem pre e tufologjisë, e turmologjisë dhe e boratologjisë, që në vitin 2021, në mes të një pandemie, kur shohim rretherrotull se çfarë po ndodh, Shqipëria të kishte si alternative zgjedhjeje një opozitë që të ishte kaq e papërgjegjshme, kaq e boratizuar.

Kjo vërtetë do të dukej realisht e pamundur, nëse do ta shikonim Shqipërinë e 2021-it me sytë e Shqipërisë së 1990-ës. Ja që shumë gjëra kanë ndryshuar nga ’90-ta, por janë ca gjëra që nuk kanë ndryshuar e mbi të gjitha nuk ka ndryshuar natyra destruktive, natyra vulgare e politikës së vjetër që mishërohet sot në koalicionin e ri të fytyrave të vjetra që kemi përballë.

E pamë këtu në Elbasan, pak ditë më parë.

Unë ju ftoj ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, i një punëdhënësi të madh në Elbasan, një punëkrijuesi në zonën e Elbasanit si Gjergj Luca, të kishte qenë cilido prej nesh, cilido prej djemve e burrave që janë në këtë tavolinë.

Imagjinoni për një moment sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, grabitësi i telefonit të tij, dhunuesi publik i tij të ishte Taulanti apo Luani, Florenci apo Besiani, apo cilidoqoftë.

Mendoni se çfarë do të ishte bërë, sa e sa email-e, sa telefonata e sa lumenj lumi e balte do kishin derdhur nëpër Europë!

Sa shumë do të kishin vënë kujën!

Ne e kemi të qartë; njerez të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe ata janë të dëshpëruar sepse e kanë më të qartë sesa të gjithë ata të cilëve ju drejtohen, që nuk kanë mundësi të kenë një shans tjetër. Kanë patur katër shanse për ta drejtuar këtë vend, i kanë humbur të katërta, njërin më keq se tjetrin.

I kanë humbur të katër shanset dhe sot janë grumbulluar të gjithë bashkë, siç nuk kanë qenë kurrë më pare, me një koalicion parazgjedhor, kapje prej fyti njëri-tjetrit, ndërkohë që medemek hyjnë veç e veç në zgjedhje. Një kontratë ku pjesa e fshehtë thotë çfarë do të marrë në përgjegjësitë e qeverisë së nesërme Monika Kryemadhi, së bashku me të gjithë çetën e saj të harbuar dhe në ndërkohë, demokratëve ju thuhet votoni PD-në. Për çfarë, për të marrë Monika Kryemadhin  apo për të rreshtuar në qeverinë e nesërme, Gon Dukën, Vangjel Dulen, Shpëtim Idrizin, Mesilën, Nard Ndokën, Dash Shehin e me radhë plot të tjerë?

Ҫfarë mund t’i ofrojnë Shqipërisë e shqiptarëve!

I kanë patur shanset deri në fund, për të treguar se kush janë dhe e kanë treguar deri në fund se kush janë dhe çfarë janë në gjendeje të bëjnë.

Ne, ketu në Elbasan dhe në këtë rrugë drejt 25 prillit nuk vijmë duke rrahur gjoksin, nuk vijmë duke thënë shikoni çfarë mrekullirash kemi bërë, nuk vijmë duke thënë që nuk kemi bërë gabime apo nuk kemi të meta, apo që jemi të përsosur. Jemi larg të qënit të përsosur. Kemi bërë gabime, kemi të metat tona, por vimë duke dhënë edhe një shembull tjetër, që jemi në një përpjekje të vazhdueshme, duke qenë më të mire, për të qenë sa më të mirë.

E mira s’ka fund. E dimë shumë mirë që përsosmërinë s’e arrijmë dot as ne dhe askush tjetër, por duke reflektuar në skuadrat tona atë që është kërkesa bazë e shoqërisë, një pasqyrë ku secili mund të gjejë veten, në mos tek njëri, tek tjetri, një pasqyrë ku gratë dhe vajzat janë një forcë e madhe me praninë e tyre jo sepse e kërkon ligji, por shumë përtej kuotave që imponon ligji.
Ҫfarë ofrojnë ata për Shqipërinë?Ndërkohë që ata shfaqen me skuadra, - padashur absolutisht  të them që janë të gjithë njësoj, sepse nuk janë të gijthë njësoj as në skuadrat  etyre, - ku dominanca është negative, dominanca është e shkuara, dhuna, rrëmuja, është përplasja, sherri, konflikti.

Një koalicion ku Saliu dhe Iliri vënë përfundimisht, edhe njëherë tjetër, nën thundrën e tyre drejtësinë, duke përmbysur gjithçka që është ndërtuar me kaq shumë mund dhe duhet të vazhdojë të ndërtohet.

Një koalicion ku Saliu, Iliri, Monika, sepse Luli është kukulla që ata përdorin për t’i dhënë një buzëqeshje pamjes së vrerosur të së shkuarës që ata përfaqësojnë, i bëjnë karshillëk dynjasë, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, rajonit tonë.

Me një program, i cili është i njëjti, ngjan si dy pika uji me programin që është provuar e stërprovuar që ka dështuar e stërdështuar, duke pasur mungesën e plotë të sëkëlldisë më të vogël me rikthimin e Taksës së sheshtë.

Taksë e sheshtë përsëri nga e para?

Taksë e sheshtë, për të të vënë të gjithë ata që fitojnë më pak, të paguajnë më shumë dhe për t’iu dhënë atyre që fitojnë më shumë, mundësinë të paguajnë më pak?!

Taska e sheshtë, për të rikthyer një barrë të padrejtë taksimi mbi mësuesit, infermierët, mjekët, policët, punonjësit e këtij shteti apo mbi kamarierët, kuzhinierët, shoferët,  recepsionistët e hoteleve e mbi gjithë atë pjesë të madhe tëshoqërisë sonë që punon fort, për të çuar në shtëpi një page. Një pagë që duhet rritur, që është ende e pamjaftueshme, por që zvogëlohet automatikisht me Taksën e sheshtë.

Ne nuk kemi program elektoral, ne kemi Plan Veprimi mbi bazën e të cilit kemi parashikuar hapat që do të hedhim vit pas viti. E për këtë themi që si e bëmë me taksën  zero për biznesin e vogël, TVSH-në për biznesin e vogël që është sot në fuqi dhe do ta mbajmë në fuqi deri në vitin 2029 me PS-në, të bëjmë zero, në 1 janar të 2022-it, tatimin mbi pagat deri në 400 mijë lekë, duke  bërë që 63% e atyre që jetojnë me një punë në Republikën e Shqipërisë të mos paguajnë asnjë qindarkë tatim mbi pagën, jo të marrin Taksë të sheshtë në kurriz dhe të kthehen dhe më keq akoma, seç ishin përpara sesa taksa e ndershme të fillonte të lehtësonte barrë e tyre tatimore.

Ne duam që dhe do të bëjmë që në janar të 2022-it, tatimi mbi pagën e atyre që pikërisht pse kanë një forcë pune më të kualifikuar e me Taksimin progresiv deri tani kanë paguar më shumë, ta ulim që nga paga 2.5 milionë e poshtë, midis 1.2 dhe 2.5, për të krijuar një balancë të re dhe për t’iu dhënë atyre më shumë frymëmarrje.

Ne nuk e themi dhe nuk do ta bëjmë uljen e taksës mbi fitimin e të mëdhenjve. 15% është, 15% do të mbetet. Ne nuk bëjmë fushatë elektorale me menu dëshirash, ku të gjithëve u ofrohet ajo që duan të dëgjojnë për t’iu thënë pastaj më datën 26 prill, merrni tramvajin e Tiranës dhe nisuni për dasëm.

Jo, ne nuk do të ulim Tatim-fitimin për të mëdhenjtë.

Përkundrazi, marrëdhënien me të mëdhenjtë do ta forcojmë duke zeruar konfliktet dhe ngërçet buroktratike në marrëdhëniet shtet-biznes.

Sikundër, të gjithëve do t’u themi – se ata ju propozojnë, në paçi një dyqani të vogël apo restorant, një pikë tregtare kudoqoftë, një pullë mbi xham, - jo, ne nuk ju propozojmë pulla mbi xham si ato kapëset që u vihen deleve në vesh. Ne do të heqim përfundimisht inspektorët nga hapësira mes jush dhe shtetit. Gjithçka do të digjitalizohet, gjithë transaksionet do të jenë në kohë reale. Do jetë një qendër, një tru elekronik që do të procesojë të gjitha transaksionet dhe do të jetë ai tru elektronik që do të japë sinjale për raste anomalish e që pastaj do të trajtohen nga burimet njerëzore të Agjencisë së të Ardhurave, por jo nga tufa inspektorësh që vijnë dhe shfaqen nëpër dyer. 

Çfarë propozojnë ata për pagat?

Të njëjtën gjë që kanë propzuar gjithë jetën e tyre. Ne pagën minimale e çuam 300 mijë lekë. E di që nuk mjafton, por do ta rrisim çdo vit proporcionalisht, për të arritur absolutisht 380 mijë, por duke synuar 400 mijë lekë në fund të mandatit të tretë. Na dëgjuan ne dhe e kishin 360 mijë e bënë 300 euro që të luajnë me kursin e këmbimit deri në 25. E bënë edhe 400 euro, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për atë që thonë.

Dhëndri i tyre është po ai që kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës, thoshte që unë do të ul çmimin e bukës. Është po ai dhe nuk kanë mësuar asgjë, nuk kanë reflektuar mbi asgjë. Nëse do të kishin reflektuar, nuk do përsërisnin po ato që i kanë thënë e rithënë sepse nuk kanë patur e nuk I kanë dhënë vetes kohë as të mësojnë, as të studiojnë, as të fusin ndonjë gjë të re në kokë, sepse kanë qenë rrugëve, duke u sjellë në mënyrë destruktive gjithë kohës, duke djegur mandatet, duke gjuajtur me molotovë nga të katërta anët, duke kërcënuar me destabilizim, duke kërcënuar me hedhjen në erë të qendrave të votimit. E duan sot të marrin votën për të qeverisur! Për të qeverisur kë? Si? Me kë? 

Të githë këta që janë pjesë e këtij koalicioni janë pengmarrësit e çdo mundësie për të zhvilluar një qeverisje normale, sepse do të kërkojnë copën, do të kërkojnë karrigën në qeveri. Agron Duka ka firmosur për të qenë ministër i Bujqësisë përsëri. Kthehet Agron Duka, pas 20 vjetësh, në krye të një sektori që tanimë ka filluar të dalë nga kriza shumëvjeçare dhe po hyn në një tjetër hapësirë dhe po ngjitet në një tjetër nivel. Duhet ta çojmë më tutje e jo ta kthejmë mbrapa tek veza pulën apo pula vezën e Agron Dukës.

Fatmir Mediu kërkon të rikthehet në qeveri, me atë votën e tij atje, o karrigen, o s’ka.

Dash Shehi; Shpëtim Idrizi me Vangjel Dulen, të dy bashkë duan të kthehen në qeveri. Edhe Nard Ndoka që në fund të fundit, nga të githë këta është ai që i takon më shumë sepse të paktën na bën të qeshim.

Pa llogaritur të tjerët e duke patur gjithmonë parasysh që ajo do të jetë qeveria e Monikës dhe e Ilir Metës.

Pagat e mjekëve, pagat e infermierëve, pagat e mësuesve janë rritur si asnjëherë më parë. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten përsëri 40%.

Do të rriten edhe pagat e punonjësve të administrates, të cilat nuk janë rritur, kjo është e vërteta. Po për një arsye shumë të thjeshtë e shumë të qartë; Në mandatin e pare, ne ishim të detyruar të bënim çmosin dhe e bëmë, për të dalë matanë malit me borxhe që na kishin vënë në mes të rrugës, ndërkohë që nën këmbët tona ishte një gropë e madhe. Mandati që po mbyllim është mandat i thyer në mes. Ne nuk kemi pasur një mandat normal, kemi pasur një mandat të thyer në mes nga dy goditje të tmerrshme mu në mes të mandatit, tërmeti dhe pandemia.

E përsëri ia kemi dale!

Ja ku jemi!

Shikoja dje, radhët që po bëhen në Milano, në një nga zonat më të pasura të Italisë, radhët që po bëhen në pikat ku jepen ushqime falas për njerëzit. Nuk është një situatë rozë askund, as në vendet më të pasura. Nuk ka si të jetë një situatë rozë këtu, por, sidoqoftë, lavdi Zotit dhe përpjekjeve të mëdha që kemi bërë, ia kemi dale, po ia dalim e do t’ia dalim pa diskutim deri në fund. 

Pa folur për për transformimin rrënjësor ku kanë hyrë gjithë qendrat tona urbane, për domosdoshmërinë për ta shtrirë këtë transformim edhe në shumë zona rurale ku nuk ka shkuar transformimi e kjo është e vërtetë. 

Pa folur për ujin e pijshëm, të cilit po i jepet zgjidhje më në fund, jo pas 30, por pas 60-70 vjetësh, në kushtet kur kemi trashëguar një rrumpallë dhe një humnerë totale nga pikëpamja financiare, nga pikëpamja e menaxhimit e nga çdo pikëpamje.

E mund të vazhdoj pa fund me të gjitha këto, por do të kemi kohë t’i shtjellojmë një për një, ditë për ditë, në një fushatë që me sa duket nuk do ketë atë tiparin e përhershëm të fushatave me turma të mëdha, ngjitur me njëri – tjetrin, entuziazëm, këngë, festë, por do të na japë mundësinë të komunikojmë më shumë në mënyrë direkte, për temat, për çështjet, për elementët e planeve për çdo sektor e të përballim Planin tonë të Veprimit, që është një plan konkret qeverisjeje, me menunë e dëshirave që i vë përpara shqiptarëve, përsëri nga e para, KҪK-ja. Sepse ai është vërtetë një koalicion “kap çfarë të kapësh”, “fut kë të futësh”.

Edhe në Elbasan, si në pjesën dërrmuese të skuadrave tona, në ballë të skuadrës kemi një zonjë grua nga Kalaja. Edhe këtu në Elbasan, si në gjithë vendet e tjera kemi skuadra që janë në pjesën dërrmuese të tyre nga njerëz që jetojnë këtu, që punojnë këtu e që janë të lidhur me njerëzit këtu. Është një skuadër ku janë të gjithë nga Elbasani, janë të gjithë këtu dhe janë nga të gjitha rrugët e jetës, për hir të vërtetës.

Ndërkohë që të tjerët, një pjesë e konsiderueshme e skuadrave të tyre i kanë turistë politikë që vijnë për fushatë, marrin votat, ikin dhe ku jemi pare. Edhe ata që i kanë këtu i kanë për t’u lidhur, si ai që grushtonte si huligan një sipërmarrës. Cilado qoftë arsyeja e një konflikti verbal, është e paimagjinueshme që një përfaqësues i një populli, përfaqësues i këtij qyteti të grushtojë pa pushim dhe si skuth, me ndihmën e rojeve të tij. Për çfarë i duhen rojet, njëherë? Një sipërmarrës, punëdhënësin më të madh të Qarkut të Elbasanit, njeriun që ju ka dhënë punë mijëra familjeve e që po transformon vijimisht gërmadha të mbushura me ferra e me plehra në fabrika që eksportojnë “Made in Albania”. Është e pamundur që qytetaria e Elbasanit të identifikohet me këtë lloj shfaqjeje të dhunshme të disa shëmbëlltyrave që realisht nuk janë gjëkundi në mundësinë për t’i quajtur pasardhësit e një komuniteti ku ka pasur kaq shumë figura të ndritura e ku ka lulëzuar një nga vatrat më ekselente të arsimit shqiptar dhe të shqipes, Normalja e Elbasanit. 

Ndërkohë që gruaja për të cilën flas, Evis Kushi, natyrisht është diçka krejt tjetër. Unë jam shumë mirënjohës për faktin që ajo është angazhuar tanimë prej disa vitesh në Partinë Socialiste, duke ardhur nga bota akademike, nga drejtimi i një dekanati në Universitetin e Elbasanit e ku ka lënë vetëm përshtypje të mira e nga ku nuk është dëgjuar një herë një fjalë e keqe. Ajo përfaqëson realisht jo vetëm qytetarinë e këtij pellgu të qytetarisë shqiptare, por edhe kulturën e ambicien tonë për modelin e një qeverisjeje ndryshe në vijimësi. Një model që ne duam ta përmirësojmë në vijimësi.


Qyteti Elbasanit ka një potencial të jashtëzakonshëm, që është Kalaja. Tani është radha e Kalasë, sepse nuk mund të hynim brenda dhe të bënim projektin e Kalasë me infrastrukturën që kishim në Elbasan, që ishte një qamet i madh deri kur ne erdhëm në qeveri dhe bashkuam forcat me Bashkinë e Elbasanit dhe ia dolëm të nxjerrim nga llumi qytetin ku nuk kishte një rrugë pa gropa, nuk kishte një kanalizim normal e ku sundonte reja e tymit që prodhonin plehrat në mes të qytetit, një kodër e madhe. Çfarë Kalaje do rijetëzonim e do nxirrnim në dritë dhe kush do vinte në Elbasan për të kaluar fundjavën apo më shumë sesa fundjavën, duke shijuar gjithë natyrën përreth, në ato kushte?!Të gjitha ato çka janë bërë, janë për t’u vazhduar, nuk janë punë të përfunduara. Ҫuarja në një nivel tjetër e Elbasanit dhe e vendit, në tërësi, lidhet me përfundimin e të gjithë punëve të nisura, në sensin e gjithë zinxhirit të investimeve që ne kemi kryer dhe që ne kemi në plan të kryejmë. 

Tani janë krijuar kushtet që ne të hyjmë në fazën tjetër me projektin e Kalasë. Me gjithë dashurinë e madhe që unë kam për ato pika që tanimë janë transformuar në pika referimi të turizmit si pazari i vjetër i Korçës, qendra historike e Vlorës apo si vetë Berati, Gjirokastra e të tjera, unë e them me plot gojën që Kalaja e Elbasanit, për nga potenciali, është e pakrahasueshme sepse ka një ndërthurje historie, në aspektin e trashëgimisë kulturore, monumenteve dhe të historisë së vendit tonë. Ka shumë adresa dhe shumë destinacione brenda Kalasë, e cila mund e do të kthehet në një fabrikë të re të zhvillimit ekonomik që do të ndikojë drejtpërdrejtë jetën e banorëve të saj, të pronarëve të shtëpive, por edhe drejtpërdrejtë ekonominë këtu dhe të vendit, në tërësi. Jam i bindur për këtë.

Kalaja do të sjellë flukse turistësh të paimagjinueshme për Elbasanin deri para disa vitesh, siç i kanë sjellë këto ndërhyrje Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, deri Pukës, një qytezë e harruar dhe e braktisur tërësisht, nga ku njerëzit vetëm iknin e që sot, edhe në kushtet e pandemisë, sheh një numër vizitorësh që as nuk e ka imagjinuar në ditën e vet më entuziaste. 

Përtej kësaj, Elbasani është një territor destinacionesh që krijojnë një hartë eksplorimi më shumë sesa një dhe dy ditë, me Belshin, me gjithë zonën lart në Përrenjas e Librazhd ku natyra është fantastike dhe ku vetëm sa kemi filluar ta prekim, me padiskutim pjesën e Cërrikut.

Elbasani është edhe zhvillim rural, bujqësor. Në skuadrën këtu kemi një nga protagonistët e këtij zhvillimi, që është Shkëlqimi. Unë e falënderoj shumë për përgjigjen pozitive që i ka dhënë ftesës tonë për t’u përfshirë në këtë skuadër, për të sjellë zërin e një kategorie të nënpërfaqësuar, për hir të vërtetës, në Kuvendin e Shqipërisë, zërin e fermerëve. Shkëlqimi flet me punën e tij dhe puna e Shkëlqimit dhe shumë të tjerëve si ai flet për çfarë po ndodh me bujqësinë, çfarë po ndodh me gjithë këtë sektor të ushqimit ku ne kemi praktikisht reduktuar raportin import – eksport në mënyrë shumë domethënëse. Deri dje kur ne morëm detyrën, Shqipëria eksportonte një dhe importonte shtatë në ushqim dhe produktet bujqësore ishin shumica nga importi. Sot jemi një me tre, pra, kemi reduktuar më shumë se gjysmë për gjysmë importet dhe kemi rritur eksportet. Reduktimi i importeve lidhet me faktin që gjithmonë e më shumë, prodhimi bujqësor vendas është në tregun tone. Kjo është një shifër që nuk mund të vihet as në diskutim, është një fakt.

Ashtu sikundër është fakt, transformimi që i ka ndodhur shëndetësisë në Elbasan. Deri dje, spitali i Elbasanit ishte një paradhomë e botës tjetër, nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e lënies në mëshirë të fatit të trupës mjekësore. Më vjen shumë mirë që bashkë me Evisin, ne kemi në këtë skuadër edhe Desantilën, e cila ka krijuar një imazh, një reputacion dhe respekt të madh në komunitet, si njeriu që infrastrukturën e transformuar të spitalit e vuri në dispozicion të njerëzve, motivoi trupën dhe krijoi një sinergji, jo domosdoshmërisht të lehtë, midis modernizimit të infrastrukturës dhe nivelit të sjelljes dhe të shërbimit. 

 

Dua të sjell në vëmëndje një tjetër fakt shumë të rëndësishëm, sepse Evisi dhe Santila, që përfaqësojnë për shkak të detyrës dy kategori që kanë rifituar dinjitetin e tyre në këtë periudhë të dy mandateve tona të para. Ishin dy kategori të nëpërkëmbura dhe të poshtruara në pikën që përdoreshin si mish për topat e fushatave elektorale të partive në pushtet. Dhe jo vetëm kaq, por dua t’jua sjell në vëmendje mësuesve, pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve, të gjithë këtyre pararojave të shoqërisë që janë dhe dy figura bazë të një shoqërie që funksionon, mësuesit dhe bluzat e bardha. Deri dje mund të humbnin vendet e punës sa hap e mbyll sytë dhe mund të degëdiseshin në anën tjetër të botës me një urdhër që vinte nga lart, për t’ia lënë vendin dikujt që ishte shumë më i pazoti, apo që nuk kishte as arsimin përkatës, apo nuk kishte as profilin. Vetëm e vetëm për shkaqe që lidheshin me partitë në pushtet, me shkaqe që lidheshin me korrupsionin, me rryshfetin, me krushqinë me tarafin. Këto kanë marrë fund!

Sot, ne kemi në sistemin arsimor, 11 mijë e kusur mësues dhe mësuese, të cilët kanë hyrë në sistem falë dijes dhe aftësisë së tyre, të testuar në portalin Mësues për Shqipërinë dhe që nuk i lëviz dot nga vendi askush. Ashtu sikundër, për të gjithë mësuesit e tjerë ka një proces edukimi në vazhdim dhe licensimi, që e bën të pamundur që të lëvizin nga vendi se kanë një mendim ndryshe, apo se nuk vijnë në miting, apo se nuk tregojnë votën a se nuk pranojnë të fotografojnë votën bashkë me familjen.

Këtë pyetje e kam për mësuesit dhe mësuesit dhe për infermierët, në radhë të parë, se ata ishin më të goditurit. Mjekët, ndoshta pak më pak.

Mendoni që, pse disa nga ju janë demokratë, nuk jeni të kërcënuar? Po sikur nesër, Ministrinë e Arsimit ta marri Tim Idrizi? E keni të qartë çfarë ju gjen? Mënyra sesi ndahet pushteti në politiken e vjetër të atyre që janë po ata, - mos kini asnjë iluzion, janë po ata! - është me parcela dhe në çdo parcelë, ministri është agai dhe partia e ministrit vendos. Nuk po ju them, larg qoftë, që shëndetësia të rikthehet të LSI-ja, përshembull. Që licensa e infermierit zëvëndësohet më teseren e partisë. Apo arsimi, larg qoftë!

Mjafton ta marrë një nga xhagajdurët dhe ka marrë fund çdo gjë!

E zakonish, arsimi dhe shëndetësia iu është lënë xhagajdurëve në të shkuarën. Janë konsideruar “zona për partitë e vogla”.

Ka qenë Nard Ndoka, ministër Shëndetësie në Shqipëri, e kuptoni apo jo?

Parapërfytyroni, pavarësisht të gjithë problemeve që ka shëndetësia këtu, se nuk diskutohet që ka akoma plot boshllëqe për të mbushur, sikur neve të na kishte sulmuar virusi me Nard Ndokën ministër dhe me spitalet që kishim.

Shembujt janë pafund.

Në ato stalla që vetëm spitale nuk mund të quheshin, ku mbretërontë korrupsioni, pisllëku, errësira dhe lagështira.

Kujtoni se nuk kthehen gjërat mbrapsht?

Kthehen gjërat mbrapsht, sepse fakti që bëjnë gjithmonë të njëjtat gjëra; fakti që i referohen gishtave e grushtave; fakti që akoma propozojnë të njëjtat gjëra që kanë propozuar në të shkuarën; fakti që akoma janë po ato, flet për faktin që edhe punët do t’i bëjnë po njësoj.

Pse duhet t’i bëjnë ndryshe dhe si?

Sepse i kemi parë të gjithë në veprim.

Unë dua të jem shumë të qartë me të gjithë. Nuk po u them mësuesve, infermierëve, mjekëve që ne kemi bërë mrekullira për ju.

Jo fare, por kurrë nuk keni punuar në kushte si këto, kurrë nuk keni mbrojtur në dinjitetin tuaj profesional siç po mbroheni sot dhe sigurisht, pagat tuaja do të vazhdojnë të rriten dhe pozicioni juaj do të forcohet.

Kjo gjë do të ndodhë vetëm me ne!

Vetëm me ne që nuk i përdorim njerëzit për mitingje!

Ne që nuk kemi grushtin, gjuhën e komunikimit me sipërmarrësit!

Nuk kemi provokimin dhe sherrin instrument politik! Siç na e bënë këtu në Ditën e Verës dhe pa pikë turpi thanë  erdhi Edi Rama me kriminelë. Me cilët kriminelë erdha unë, ndërkohë që isha i mikpritur nga Evisi, Taulanti dhe një grup shumë i vogël njerëzish, për të mos qenë unë qendra e festës, por për të ardhur siç kam ardhur gjithmonë.

Për çfarë më duheshin taborët partiake me flamuj e britma! Madje i kam heshtur në sekondë disa, që, për të reaguar gjatë kohës që ne po ecnim në bulevard, ndërkohë që të tjerët ishin mbledhur para hotel Turizmit dhe bënin si ata të infatuuarit e talebanëve e filluan “Rama Rama”, iu thashë stop, nuk kemi ardhur për këtë punë.

Provokatorë deri në fund!

Përderisa nisesh e vjen me flamuj dhe militantë, hypën mbi makinë, bllokon rrugën, për çfarë vjen kështu?

E mënjeherë, e njëjta teknologji, e njëjta mënyrë e manipulimit të opinionit publik, “ja çfarë na bën”.

Deri në fund, provokatorë!

Më vjen shumë mirë që në skuadrën tonë kemi këtu në Elbasan, Klevisin dhe Besjanin, dy djem që qyteti i njeh, zona i njeh. E vërteta është që në skuadrën e Elbasanit juve ju ka përfshirë puna, kontributi dhe aktivizmi juaj dhe mbi të gjitha, opinionet pozitive të komunitetit, të cilat me shumë kujdes, Taulanti, së bashku me Evisin e të tjerë i kanë dëgjuar në përzgjedhjen e kësaj skuadre. Është Taulanti, ai që si çdo drejtues politik i çdo qarku ka propozuar këtë skuadër. Për mua ka qenë shumë e thjeshtë për të dhënë mendimin tim shumë pozitiv, duke ju njohur nga larg, por mjaftueshmërtisht afër permes punës një pjesë të konsiderueshme prej jush.

Më vjen shumë mirë që në këtë skuadër është edhe Sajmiri, së bashku me Luanin. Janë dy burra që janë afruar me PS-në prej kohësh nga rruga e punës dhe e shërbimit të komunitetit.

Ndërkohë që ne u ofrojmë komuniteteve ku ju të gjithë jeni, njerëz që i përfaqësojnë ata, por mbi të gjitha kanë teguar se u shërbejnë atyre, e kam të pamundur të mos flas për një tjetër personazh, Dash Sulën.

Është kthyer Dash Sula. Vetë Dash Sula, i cili pikën më impresionuese të karrierës së vet e ka patur huligan në stadiumin e Peqinit. Për ata që nuk lidhin emrin me figurën ju kujtoj imazhin që ka bërë xhiron e botës, ka thyer rekorde në Youtube, me Dash Sulën që hidhet si laraskë, - se shqiponjë është fjalë e madhe, - me pistoletë mbi turmën për të kapur arbitrin. Shqipëria fiton me Dash Sulën! Ky është propozimi  i PD-së.

Jemi marrë dhe do merremi nuk diskutohet me gjithë këtë taborin e krushqëve me raki, me ullinj, me vezë e pula e me faqore, me kapsolla, por keta janë të gjithë garnitura, janë krushqija. Kurse familja ka lloj- lloj personazhes që janë hata fare. Një nga ata është Dash Sula. Elbasanit të Aleksandër Xhuvanit i propozohet Dash Sula. Merreni me mend, çfarë mund të sjellë Dash Sula në Shqipërinë e shekullit të 21-të. Ka qenë deputet në shekullin e kaluar dhe rikthehet si një huligan veteran, që natyrisht mund të ketë tani më pak arsye për të bërë huliganin sepse Peqini ka pësuar goditje si skuadër, mesa kam dëgjuar.

Domethënë, kjo është Shqipëria që fiton me Dash Sulën, Dash Shehin, Gon Dukën, Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin, Vanfjel Dulen, Nard Ndokën, Palokën, Mesilën.

O Zot!

Dua ta mbyll me një falenderim për një anëtar të kësaj skuadre, që ka fituar respektin dhe vlerësimin tim si njeri i mençur, i urtë dhe i ditur, profesor Enver Roshin, i cili për arsyet e mosarsyet e së shkuarës është një prej atyre që jeta politike i çoi në një rrugë tjetër për një periudhë kohe, por sot, së bashku me Besjanin janë të dy pjesë e skuadrës në Gramsh e më gjerë. Unë dua ta falenderoj profesorin për gjithçka ai bëri si një përfaqësues dinjitoz i komunitetit, pasi në  Parlament ishte me votat e tij, me mbështetjen për të dhe natyrisht nuk u bë mandatdjegës, por çoi në Kuvend dhe realisht la aty përshtypjet më të mira si njeri i dialogut , si njeri i kërkimit të zgjidhjeve pozitive, si njeri i urtë dhe i paqëm. I jam shumë mirënjohës për praninë e tij në skuadrën tonë dhe më vjen shumë mirë që edhe COVID-in e mundi me urtësi dhe me paqe. Sot gëzon shëndet të plotë dhe është këtu, bashkë me ne.

Ndërkohë është edhë Marsida, e cila ka shkëlqyer në punën e saj për të nxitur punësimin në Elbasan, duke krijuar një reputacion shumë pozitiv në komunitet. Të falederoj Marsida!

Zgjedhja është shumë e qartë, për çdo qytetar e qytetare të Elbasanit. Evis Kushin apo Dash Sulën; Desantila Tahirajn apo Luçiano Boçin; Albanën apo Dash Sulën; Besianin apo Dash Sulën; Klevisin apo Luçiano Boçin?

Emrat e tjerë janë ata që janë, nuk ka rëndësi, por këta janë boshti, janë bërthama, janë thelbi, fryma dhe grushti i Partisë Demokratike. Nuk po hyj fare tek emrat e tjerë e nuk po merrem se pastaj duhet të fillojmë me Gaz Bardhin dhe rrimë deri nesër këtu. Dash Sula dhe Luçiano Boçi, njëri me pistoletë, tjetri me grushta, njëri me shqelma, tjetri me gishta, sikur jemi në kohën para se të themelohej shkolla e parë shqipe në atdheun tonë.

Faleminderit

                                                                                 ********                                                    *******

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Në fakt punësimi dhe qasja jonë në mbështetje të sipërmarrjes dhe të krijimit të sa më shumë vendve të punës ka qenë edhe një prej arsyejeve përse Marsida është pjesë e këtij ekipi.

Gjatë vitit që kaloi sipërmarrja u përball me problematikat që solli pandemia. Por nëse i referohemi shifrave në 31 dhjetor 2020 në Elbasan në sektorin privat kishte të punësuar pak më shumë sesa në 31 dhjetor 2019. Pra, edhe përse kaluam një vit të mbuluar tërësisht nga efektet negative të Pandemisë, numri i të punësuarëve jo vetëm që nuk ra por pësoi një rritje të lehtë. Ky është një tregues pozitiv po të marrim parasysh kushtet ku në mbarë ekonominë globale vendet e punës u reduktuan. Është fakt që duhet ta themi me plot gojën se në Elbasan, falë paketave të mbështetjes së qeverisë shqiptare, ne kemi arritur të përthithim plot 12500 paga me një vlerë prej 6.7 milion dollarësh.

Këtu dua të përmend edhe rolin e Marsidës e cila në komunikim të përditshëm me Kryetarin e Bashkisë, me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve kanë shkuar në çdo zyrë të çdo kompanie për ti ndihmuar dhe asistuar në procesin e aplikimeve. Secili prej jush në këtë listë është për një arsye.

Për arsyen e thjeshtë se ka qenë i suksesshëm në punën e tij.

Nuk u përmend këtu për shembull Endri i cili vjen nga Belshi, Dumreja. Arsyeja se përse Endri është në listë vjen prej faktit sepse përveç transformimit të Belshit, që ka ndryshuar si nata me ditën, i ka dhënë zgjidhje problemit të ujit të pijshëm.

Endri bëri një punë të shkëlqyer për disa vite në krye të Drjetorisë së Ujësjellës Kanalizimeve.

Falë mbështetjes së qeverisë presim edhe fazën e dytë të projektit për ti dhënë zonës zhvillim të qëndrueshëm në të gjithë drejtimet.

Në ditët në vijim do jemi në Belsh për të parë sesi për herë të parë qeveria shqiptare ka investuar në projekte të drejtpërdrejta turistike.

Në krahun tjetër të majtë është Kristaq Skënderi, student i dhjetorit që kandidon për Partinë Socialiste në Elbasan. Me punën e tij në sektorin privat i është gjendur pranë çdo blegtori të të gjithë kësaj zone. Kristaq Skënderi përfaqëson një krahinë tepër të nderuar si ajo e Shpatit.

Ajo që bie në sy në listën e Partisë Doci

Elbasani është një qark tepër i madh që përmban brenda vetes krahina nga më të ndryshmet tepër të mëdha me komunitete të mëdha. Lista jonë nuk ka të krahasuar me asnjë parti tjetër.

Në listën e Partisë Demokratike, Shpati mungon, Gramshi mungon, Dumreja mungon. E keni marrë vesh besoj se Dash Sula do të përfaqësojë në Kuvend Dumrenë, pra Belshin.

Provokim dhe fyerje më të madhë për gjithë atë krahinë shumë të respektuar që Partia Demokratike po i bën duke e fshirë fare nga lista.

E ka fshirë sepse ne e rikthyem vëmendjen në atë zonë. Kush e mban mend para transformimit, e gjithë Kryesia e Partisë Demokratike në Belsh kishte investuar në Liqen me parimin e tyre: pamja nga rruga dhe ËC-të në Liqen.

Gjithë ai proces i transformimit që na u desh të bëjmë pati vështirësi edhe për shpronësimet. Kjo për arsye se të vetmet legalizime që janë bërë në zonën e Belshit prej PD-së ishin 10 leglaizimet mbi liqen të njerëzve të Partisë Demokratike.

Padyshim që ishte një sfidë e madhe por ne duhej patjetër ta transformonim dhe zbukuronim Belshin.

Shkojmë te Gramshi, për herë të parë pas 30 vitesh dy djem të Gramshit, njëri me eksperiencën e 9 viteve si mjek, tjetri me eksperiencën e punës pranë Grupit tonë Parlamentar prej 8 vitesh.

Dua të nënvizoj edhe emrin e Florenc Spahos si një mjek i përkushtuar i cili ka qenë për mua një surprizë pozitive e komunikimit qytetar. Florenci përfaqëson një komunitet të nderuar të Elbasanit. Është një njeri që është në komunikim të përditshëm me njerëzit. Kontrata e pjestarëve të ekipit tonë është që deputetët e Partisë Socialiste duhet të jenë çdo ditë në territor. Ajo që më ka mbajtur mua 15 vite në të njëjtën zonë zgjedhore është angazhimi për të qenë në shërbim dhe komunikim me njerëzit çdo ditë të javës.

Lista jonë me 15 njerëz që punojnë dhe jetojnë çdo ditë këtu është lista që bën padyshim diferencën.

Dua të them edhe dy fjalë për listën e fallxhores në Elbasan. Lista e fallxhores është si një thes, brenda së cilës janë fshehur persona që janë në kërkim nga drejtësia. Presona të cilët kanë abuzuar me financat publike teksa kanë pasur mundësinë të jenë kryetarë bashkish si të zgjedhur jo për shkak të votave të tyre por për shkak të një koalicioni të cilin ne kemi qenë të detyruar ta bëjmë për të larguar Sali Berishën.

Për katër vite, qoftë në Cërrik, qoftë në Prrenjas janë bërë abuzime të pabesueshme nga këto ish kryetarë të cilët sot janë subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale AntiKorrupsion.

Të vish në vitin 2021, si PD dhe LSI, e të paraqesësh një listë që s’ka asnjë lloj lidhje me Elbasanin dhe gjithë qarkun, këtë vetëm këto du parti mund ta bëjnë.

 

Kryeministri mund ta konfirmojë, teksa diskutonim në Kryesinë e Partisë Socialiste, unë kam qenë i mendimit që të jem i 9 në listë. Kjo për arsye se jam besimplotë që ne do ta marrim mandatin e 9 sepse Elbasani, Gramshi, Cërriku, Belshi, Peqini, Prrenjasi dhe Librazhdi nuk mund ta investojnë votën e tyre dhe ta çojnë dëm në disa figura të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Qarkun dhe komunitetin.

Lista e ekipit tonë është një shprehje kuptimplotë sesi Partia Socialiste e Shqipërisë ka arritur të transformojë vendimmarrjen e vet kolegjiale dhe renditjen në listë duke vendosur drejtuesit politikë aty ku është objektivi.

Jam i sigurtë se mandati i 9 i Partisë Socialiste në Elbasan është një mandat që ne do ta marrim falë angazhimit të secilit prej jush dhe gjithë asaj pune të madhe dhe transformuese që është bërë.

Unë nuk e fsheh asnjëherë faktin që gjatë këtyre viteve punësh intensive, edhe pse Elbasani asnjëherë nuk ka qenë një Qark që u prek nga tërmeti dhe rindërtimi, vlera e investimeve për frymë në Elbasan nuk ka pësuar aspak rënie, përkundrazi edhe gjatë vitit 2020 ne kemi marrë investime tepër të rëndësishme që rrisin kapacitetet e infrastrukturës dhe objektivin për të garantuar 24 orë ujë të pijshëm në këtë qark. Në vitin 2013 e kemi gjetur Elbasanin mesatarisht me më pak se 11 orë ujë të pijshëm si Qark. Në qytetin e Elbasanit madje ishim edhe më poshtë se mesatarja.

Sot kemi arritur të kemi minimumi 18 orë ujë në ditë në Elbasan.

Kemi përmbyllur investime që garantojnë 24 orë ujë të pijshëm në Bashki të tjera si Librazhdi, Prrenjasi dhe Gramshi.

Po vazhdojmë të investojmë edhe në zonat ku nuk kishte as dy orë ujë në ditë. Për çfarë të duhej të shkoje në Belsh kur nuk kishte ujë të pijshëm?

Ka qenë Partia Demokratike në Belsh nën drejtim deri në vitin 2015 dhe nuk bëri asnjë punë.

Po investojmë edhe në Peqin në sistemin e ujit të pijshëm. Po investojmë edhe për rivitalizimin e gjithë qendrës historike të Peqinit. Peqini ka qenë një stacion i rrugëve që lidhnin Kostandinopojën me Romën. Aty do të aplikojmë një projekt që gjithë qendra historike e qytetit të Peqinit të transformohet.

Në fund, sikurse kryeministri e tha, unë nuk gjej fjalë të shpreh mirënjohjen ndaj jush dhe qeverisë që e keni përcaktuar Kalanë e Elbasanit si investimin më të rëndësishëm për këtë Bashki. Pa harruar edhe By-passin e Elbasanit i cili do jetë një projekt tepër i madh, ndoshta edhe dual, për të inkorporuar aty edhe pjesën e linjës hekurudhore me qëllim që të çlirojmë qytetin e Elbasanit nga linja e vjetër hekurudhore që e ka ndarë Elbasanin si me thikë në mes.

Z.Kryeministër, ky është një ekip që e kemi menduar mirë dhe që besoj se mbart në vetëvete gjithçka që përfaqëson Elbasani. Këtu janë të përfaqësuara komunitetet, krahinat, besimet.

Si drejtuesi më i lartë i Partisë Socialiste në Elbasan dua të nënvizoj se ndjehem i turpëruar nga aktet e dhunës së inspiruara nga Partia Demokratike të cilat nuk i shkojnë këtij qyteti.

Dita e Verës është një ditë dasme për Elbasanin. Luli nuk e di këtë gjë edhe pse ka qenë deputet në Elbasan.

Le të më thotë një elbasanlli, shkohet në dasëm me flamur partie? Kush guxoi të akuzojë Partinë Socialiste se ato akte erdhën për shkak të Partisë Socialiste e ka shumë gabim. Anjë nga ato individë nuk ka lidhje me Partinë Socialiste. Asnjë!

Të akuzosh se Pjerin Xhuvani është i Partisë Socialiste ndërkohë që ka qenë shumë vite kryetar i LSI-së, të cilin Lulzim Basha e ka emëruar drejtor të Spitalit të Elbasanit në 2009 është turpshme. Partia Socialiste është zotuar para qytetarëve të Elbasanit se ne nuk do provokohemi dhe duam që të mbizotërojë qytetaria që i shkon për shtat këtij qyteti. Ky qytet njihet për bashkëjetesë.

Krimi dhe droga kanë mbetur në gojën e Lulzim Bashës kundër Elbasanit.

Sa herë që vjen në Elbasan nuk thotë asnjë gjë përveç fjalëve krim dhe drogë.

Përgjigjen do ta marrë me 25 Prill.

Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm