Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun e Lezhës

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun e Lezhës

15 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e kandidatëve në Qarkun Lezhë: 

Përshëndetje!

Shpresoj që ndryshimi i motit, pikat e shiut të jenë bereqet për Partinë Socialiste në Qarkun e Lezhës. Jam shumë krenar për skuadrën që ne kemi këtu në Lezhë dhe besoj që edhe në këtë Qark ka një dallim të madh mes skuadrës sonë dhe skuadrave të tjera që janë në fushën e ndeshjes. Një dallim që fillon qysh nga niveli i përfaqësimit të të gjithë komuniteteve të larmishmëve që formësojnë bashkësinë e madhe të Qarkut Lezhë, ku çuditërisht të tjerët as kanë menduar fare që t’ju japin gjithë këtyre komuniteteve mundësinë të zgjedhin përfaqësues. Një dallim i madh në përbërjen e moshës së skuadrës. Ne kemi një skuadër të re me profesionistë dhe të bazuar te aktiviteti i tyre i mëparshëm për të qenë aktivë në funksion të bashkësisë së këtij Qarku dhe të çdo komuniteti që të gjithë pjesëtarët e skuadrës sonë përfaqësojnë secili dhe secila.

Më vjen mirë që Lezhës, ne i kem dedikuar një prej njerëzve më të spikatur dhe një prej figurave më kuptimplota të PS-së, Linditën, e cila si mirditore, por edhe si një grua që në çdo detyrë ka spikatur për integritet, për aftësinë e komunikimit me të gjithë, për gjithëpërfshirje dhe edhe për vendosmëri. Patjetër, është këtu jo thjesht si vazhdim i mandatit të mëparshëm, por mbi të gjitha si afirmim i vullnetit për ta çuar më tutje Lezhën, për të çuar më tutje të gjitha zonat e këtij Qarku që ka potenciale të mëdha ende të pashfrytëzuara.

Ky është një moment i rëndësishëm për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë, për të gjitha kategoritë shoqërore, një moment i rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat që te Partia Socialiste kanë gjetur gjithmonë pasqyrën më domethënëse të përpjekjes për të ecur hap pas hapi drejt një barazie gjinore në formë dhe përmbajtje.

Është një moment i rëndësishëm për sipërmarrësit e vegjël, për të cilët, tanimë, taksa mbi fitimin dhe TVSH-ja është bërë zero dhe zero do të mbetet deri në vitin 2029 me Partinë Socialiste.

Është një moment kuptimplotë për ata që sot kanë një pagë minimale 50% më të lartë, por të cilëvene do t’ua rrisim pagën vit pas viti, për të arritur në 400 mijë lekë në fund të këtij mandati.

Është një moment i rëndësishëm edhe për ata, të cilët kanë një pagë deri në 400 mijë lekë që janë 63% e forcës punonjëse të Shqipërisë në sektorin privat apo publik, të cilëve nga 1 janari 2022, ne do t’u heqim Tatimin mbi fitimin. Pra, pagat deri nën 400 mijë lekë nuk do të kenë më tatim mbi fitimin.

Është një moment i rëndësishëm për ata që kanë një pagë deri në 2.5 milionë në muaj e duke filluar nga 1.2 janë deri më sot subjekt i fashës më të lartë të tatimit mbi fitimin bazuar në tatimin e taksës progresive, të cilëve ne do t’ua ulim Tatimin mbi pagën, duke i futur në fashën e mëposhtme dhe duke i lehtësuar me plot legjitimitet për ta, sepse janë një kategori që kanë kualifikimin më të spikatur mes forcave tona të punës.

Sigurisht, në gjithë këto masa besoj se është domethënës fakti që nuk do të rrisim asnjë qindarkë pagën e ministrave dhe deputetëve.

Nga ana tjetër, përsa i përket këtij Qarku, ne kemi nisur një proces për atë segment të Korridoret Blu, siç quhet tanimë edhe në gjuhën e Bashkimit Europian dhe kur ne e futëm këtë koncept në programin tonë, atëherë u përqeshëm dhe u akuzuam për ëndrra dhe mashtrime dhe segmenti Milot-Fier është pa diskutim prioritet i yni. E kemi nisur si proces me një garë ndërkombëtare që në përfundim nuk konkludoi me një kontratë me kompaninë fituese, pasi termat e kontratës ishin të pafavorshme për interesin publik dhe do ta rihapim garën ndërkombëtare, pasi projekti dhe gjithçka tjetër janë gati. Ky segmenti i Korridorit Blu, Milot-Fier, do të jetë vepra më e madhe publike në infrastrukturën rrugore e mandatit tonë të tretë.

Tanimë është realitet dhe çështje ditësh, kantieri i rrugës së shumëherë të premtuar dhe shumëpritur nga i gjithë ky komunitet, por shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, Shëngjin- Velipojë.  Pas lidhjes së kontratës me kompaninë fituese, me financimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është gati.

Jemi në proces, sikundër e kam thënë disa herë publikisht, duke informuar komunitetin kryetari i Bashkisë Lezhë, për parkun e madh industrial që do të sjellë shumë mundësi të reja punësimi dhe për të cilin ka një interes në rritje nga kompanitë e ndryshme të huaja që të vendosen në këtë park industrial pranë zonës ku gjendet aeroporti i Gjadrit.

Ashtu sikundër, edhe parku tjetër i prodhimit të energjisë së erës është tanimë në një proces pasi është marrë shprehja e interesit nga një komani e madhe dhe janë duke u finalizuar të gjithë elementët që do të çojnë në kontratën e tij pastaj në fillimin e investimit.

Natyrisht që në këtë zonë, ne jemi shumë të vetëdijshëm për potencialin e madh të agroturizmit. Këtu kanë lindur dhe po zhvillohen disa prej perlave të kurorës së re të agroturizmit në Shqipëri, falë shpirtit sipërmarrës, talentit, vizionit të disa djemve dhe vajzave të kthyer nga emigracioni, në pika të ndryshme të kësaj zone, por ka mundësi për të bërë shumë më tepër. Ne jemi të bindur që bazuar në planin tonë të veprimit dhe me mbështetjen që do t’i japim agroturizmit do të bëjmë shumë më tepër.

Zhvillimi i mëtejshëm i gjithë zonës turistike me një plan të mirëmenduar dhe me investime serioze do të rrisë ekonominë dhe punësimin në këtë territor gjatë mandatit tonë të tretë, padiskutim.

Projekti tjetër për të cilin po punojmë është porti i ri turistik i Lezhës që do të pasojë tre projekte e tjera turistike, atë të Sarandës ku ka nisur puna, atë të Vlorës ku nis puna me ditë, atë të Durrësit që tanimë e dinë të gjithë që do të jetë një nga portet më të mëdha turistik të Mesdheut dhe ku kompania e madhe ‘Emaar group’ ka paraqitur edhe projektin e fazës së parë dhe do të fillojë aty së shpejti.

Porti turistik i Lezhës është porti i katërt i këtij zinxhiri dhe praktikisht porti që e mbyll këtë zinxhir, duke iu ofruar të gjithë atyre që gjatë sezonit turistik bëjnë pjesë në turizmin e jahteve, mundësinë që të ankorohen në gjithë bregdetin shqiptar, i cili ishte si e vetmja zonë e pambuluar me asnjë infrastruktë të kësaj natyre në të gjithë Mesdheun.

Në fund, por jo nga rëndësia, në të tre komponentët kryesore, jetikë të jetës së vendit, që lidhen me:

Shëndetësinë, ku ne kemi bërë investime të rëndësishme ne Lezhë dhe do vazhdojmë të bëjmë, materniteti i Lezhës është tanimë drejt përfundimit;

Me arsimin, ku kemi bërë investime të rëndësishme dhe do vazhdojmë të bëjmë;

Me bujqësinë ku ka ende punë për të bërë edhe pse me zhbllokimin e rreth 100 km kanale kulluese i kemi ardhur në ndihmë të madhe jo vetëm fermerëve që kishin dekada që nuk punonin dot tokën për shkak të mungesë së ujit, i mungesës së prurjeve në kanalet vaditëse, por edhe komuniteteve që pavarësisht reshjeve të jashtëzakonshme të këtij fillim viti nuk janë prekur ose janë prekur fare pak nga përmbytjet tradicionale.

*Duke folur për Rindërtimin besoj që shëmbëlltyra më kuptimplotë e fuqisë sonë të ndryshimit dhe të përkushtimit tonë ndaj njerëzve për të mos lenë askënd vetëm, por edhe e aftësisë sonë qeverisëse në nivel qendror dhe vendor, në një proces kaq kompleks për të realizuar një objektiv kaq unikal në të gjitha proceset e rindërtimit që ne kemi studiuar në vende të tjera, duke i dhënë të gjithë shtëpitë dhe apartamentet falas,  - është padiskutim Kurbini, zona më e goditur faktikisht, ku sot që flasim kemi 11 kantiere në punë, 11 kantiere që mbikëqyren nga Kryebashkiakja e palodhur e Kurbinit, Majlinda dhe që po e transformon Kurbinin, në një realitet ku e ku më të mirë, në një hapësirë,  ku e ku më cilësore për jetën e njerëzve se sa ç’ishte para tërmetit.

Është në fakt qëllimi ynë që ta kthejmë krizën e rendë që shkaktoi goditja tragjike në një mundësitë re për familjet, për fëmijët që shkojnë në shkollë, për mësuesit, mjekët dhe infermierët për të sëmurët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, në ato pika, ku faktikisht tërmeti i rrënoi shtëpitë, i rrënoi shkollat, i rrënoi institucionet shëndetësore, por jo vetëm kaq.

Në Kurbin, ne kemi ndërhyrë në qytet, - në qendër, në Laç - me një investim shumë të rëndësishëm, të shumëpritur prej dekadash nga komuniteti që përmbytej me shiun më të parë gjithnjë si rezultat i mosadministrimit infrastrukturor të përroit që kalonte mes për mes. E faktikisht, besoj që shumë shpejt tanimë shëmbëlltyrat e rindërtimit janë në sytë e të gjithëve.

Laçi do të jetë një qytet rrezatues i kësaj fuqie ndryshimi, i këtij angazhimi për njerëzit, i ambicies sonë për të bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Do të jetë një qytet, ku cilësia e jetës do të ndryshojë dhe ku falë edhe bekimit që Laçi ka me atë pikë pelegrinazhi, ne aty kemi një instrument që do ta shfrytëzojmë më së mirë për turizmin fetar, duke kombinuar rindërtimin pikërisht me nevojën e qindra, mijëra njerëzve që e vizitojnë Shna Ndoun e që deri sot nuk kanë patur mundësi të ndalonin se s’kishin ku të ndalonin po thjeshtë parkonin, ngjiteshin, ktheheshin, merrnin makinën dhe iknin.

Nuk e teproj fare po të them që plani ynë i veprimit për ta futur Laçin në mes të këtyre dy pikave që bashkohen, nga një anë magneti i Shna Ndout dhe nga ana tjetër prurja e jashtëzakonshme e njerëzve që vijnë për Shna Ndo, do të japë ekonomi, do të japë punësim, do të japë transformim të mëtejshëm për Laçin.

Unë dua ta falënderoj shumë Linditën për faktin që në punën e saj për të ndërtuar skuadrën e Lezhës ka pikasur një zonjë të vërtetë, një drejtuese shembullore të një institucioni të shëndetit publik, të cilën unë nuk kam patur fatin ta njoh më parë që është këtu me mua dhe që po lufton me emocionet që janë të natyrshme në daljet e para.

*

Në Kurbin, ne e thyem mitin e burrave dhe faktikisht, kemi shembullin e një gruaje që në krye të bashkisë po bën një punë më të mirë se të gjithë burrat të marrë sëbashku. Kështu që misioni yt është që tani të forcosh mitin e grave të Kurbinit, duke u bërë gruaja e dytë që përfaqëson kurbinasit, tanimë jo në bashki, por në parlamentin e Shqipërisë dhe faleminderit që preke një element që është realisht jetik dhe i rëndësishëm, që është uji i pijshëm. Sigurisht, është absurde që të flitet në mes të Europës në vitin 2021 për ujin e pijshëm, por ky besoj nuk është turpi ynë, që trashëguam një situatë të tmerrshëm në sistemin e ujit të pijshëm në të gjithë Shqipërinë e që faktikisht kemi bërë një reformë të ujit që ka nevojë të zbatohet në vijim. Kemi hapur 150 e kusur kantiere gjatë kësaj periudhe dhe jemi në kushtet kur sot mund të themi me plot gojën që brenda vitit 2022, përjashto Bashkinë e Tiranës që do të kërkojë dhe një vit plus, pra, 2023, ne do të kemi përfundimisht 24 orë ujë të pijshëm në gjithë qendrat urbane të Shqipërisë, përfshirë dhe Kurbinin, natyrisht.

Është një heqje e një barre të madhe dhe e një sikleti të madh për të gjithë që kanë mbajtur me dekada këtë situatë absurde, në kurrizin e tyre, të familjeve të tyre, por besoj se është dhe një lehtësim për ne, është edhe një kënaqësi, është edhe një krenari që mos të kemi më fushata elektorale në të ardhmen ku të flitet për ujin.

Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që sot, ne jemi këtu në Lezhë, pasi kemi shkuar së bashku me Linditën në qendrën e vaksinimit të mësuesve. Të 38.400 dozat e vaksinës AstraZeneca janë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në gjithë Shqipërinë po bëhet vaksinimi i mësuesve. Shumë shpejt, në ditët në vijim, ne presim një sasi të konsiderueshme vaksinash të tjera, për të intensifikuar vaksinimin. Qëllimi ynë, ambicia, sado e madhe qoftë dhe në dukje e pamundur kur ne e shpallëm, por jam i bindur që do ta realizojmë, është që sezoni i tanishëm turistik të jetë më i lehtë se ai i mëparshëm dhe kjo falë një fushate shumë intensive vaksinimi në masë, ku ne do të këpusim sa më shumë hallka të zinxhirit të infektimeve.

Patjetër që është po kaq e rëndësishme edhe rritja e mëtejshme e pagave. Ne i kemi rritur pagat e mjekëve dhe infermierëve si asnjëherë më parë. Vitin e shkuar kemi marrë vendimin që ka hyrë në fuqi në janar, për një rritje që është më e larta historike për mjekët dhe infermierët, me 40%. Por 40% plus do t’i rrisim në mandatin e tretë, jo vetëm pagat e bluzave të bardha, por dhe pagat e mësuesve. Si dhe 30% plus do të rrisim pagat e administratës sonë publikendërkohë që nuk do të rrisim asnjë qindarkë pagat e ministrave e të deputetëve deri në vitin 2025. Kështu që ju që do të vinin në parlament duhet ta keni të qartë këtë gjë.

Po ia kaloj fjalën direkt tani një miku, një kolegu prej shumë vitesh në PS. Kemi qenë të vegjël kur jemi takuar për herë të parë këtu, një pedagogu të nderuar, i cili me shumë dinjitet, me shumë qytetari ka drejtuar PS-në e Lezhës në gjithë reformimin dhe ripërtëritjen e saj dhe sot, me plot meritë është në skuadër, Eduardi, që nuk besoj se ka ndonjë mosdakordësi që paga nuk do rritet deri në 2025-ën dhe të cilin realisht e vlerësoj dhe e konsideroj një zgjedhje dinjitoze të kujtdo që kërkon për Lezhën një kandidat që jeton në Lezhë, në radhë të parë. Çuditërisht, në skuadrën tjetër, nuk ka asnjë banor këtu, nga ata të cilët do të jenë në parlament, jo nga ata që janë vënë për të zbutur hatërmbetjet e shumëkujt në PD-në e Lezhës, që është anashkaluar dhe të cilit apo të cilës i është vënë mbi krye Marku dhe Gjekmarku, dy personazhe qesharake të komedive të klubeve të mbrëmjes mediatike dhe një zonjë që nuk banon këtu. Pra, nëse ne do të arrijmë objektivin tonë maksimal, që është të kemi 4 deputetë, të 3 deputetët e PD-së do të jenë banorë Tirane, që do vijnë në Lezhë për të pirë ndonjë kafe të shtunave e për të bërë sikur po flasin me elektoratin. Ndërkohë, ne i kemi njerëzit këtu dhe ky është respekt për qytetarët këtu, për komunitetin këtu, siç kemi bërë në të gjitha zonat, ose përgjithësisht në të gjitha zonat ku kemi gjetur përfaqësues të territorit, njerëz që jetojnë në territor, njerëz që e njohin territorin, që i dinë hallet e njerëzve, njerëz që në mëngjes duhet të dalin nga shtëpia këtu, jo në Tiranë dhe që do të kthehen këtu, nuk do shkojnë të vazhdojnë një jetë midis parlamentit, klubeve mediatike dhe shtëpisë së tyre në Tiranë e ta përdorin Lezhën apo Vlorën apo të tjera qytete, vetëm për ndonjë weekend pseudo-institucional.

Në skuadrën tonë, ne kemi reflektuar me të gjithë kapacitetin që kemi mundur, pikërisht nevojën e njerëzve për të pasur deputetët më pranë tyre, nevojën e njerëzve për të parë tek deputetët dikë si ata, nevojën e të gjitha kategorive të njerëzve për t’u ndjerë të përfaqësuar, qoftë si kategori sociale, qoftë si komunitet. E prandaj skuadra jonë është një mozaik si asnjëherë më parë, që harmonizon natyrisht, boshtin e eksperiencës së PS-së në qeverisje, me prurje të reja nga të gjitha rrugët e jetës, të të gjitha moshave, të të gjitha besimeve dhe të të gjitha komuniteteve relevante në të gjithë territorin.

 

Është shumë e rëndësishme kjo, sepse ne duam ta thellojmë atë që në këtë mandat që po mbyllet ka qenë hapja e një kapitulli të ri, bashkëqeverisje me njerëzit, qëndrimin pranë njerëzve përmes deputetëve. Jo të gjithë deputetët tanë, për hir të vërtetës, kanë qenë pranë njerëzve. Me të drejtë, njerëzit kanë pakënaqësi lidhur me faktin që nuk i shohin shpesh deputetët. Sistemi që kemi sot, me votën preferenciale është një mekanizëm motivues për të zgjedhurit që të jenë pranë zgjedhësve gjatë gjithë kohës, sepse në fund do të marrin vlerësimin e tyre dhe për vete, jo thjesht për kooperativën e forcës politike, siç ishte sistemi me listat e mbyllura.

Nga ana tjetër, asgjë nuk është e përsosur. Me siguri, skuadra jonë ka vend për t’u përmirësuar në të ardhmen, por ama, kur shoh skuadrat e tjera, është vërtetë për të ardhur keq sepse nuk reflektojnë asgjë nga koha, nuk reflektojnë asgjë nga shqetësimet e shoqërisë e mbi të gjitha nuk reflektojnë asnjë shqetësim të forcave politike për vetveten. Ndërkohë që shqetësim im për vetveten, për punën e qeverisë, për performancën, për punën e grupit të partisë është konstantja që më mban në alert, bashkë me bashkëpunëtorët dhe drejtuesit e tjerë të PS-së, për të kuptuar si mund të ngrihemi më shumë në lartësinë e pritshmërisë dhe të nevojave dhe të asaj që njerëzit e këtij vendi, pa dallim, meritojnë.

Faktikisht, fola për skuadrën e PD-së në Lezhë, një skuadër jo përfaqësuese absolutisht, që është një skuadër me dy personazhe groteske, që i njeh i gjithë populli shqiptar përmes salloneve, klubeve të natës mediatike. Dy personazhe ekstremistë në çdo aspekt të retorikës së tyre, të të menduarit, dy reaksionarë që e kanë kundërshtuar që në krye të herës Reformën në Arsim, duke qenë pedagogë e që faktikisht kanë  mbajtur ndezur flakadanin e tifozllëkut partiak brenda universitetit. Dy persona që nuk kanë asnjë lidhje me Lezhën, përveç origjinës e që nuk kanë çfarë i sjellin Lezhës, zero, përveçse emrin e tyre në parlament.

Nga ana tjetër është skuadra tjetër që është një kiamet më vete. Skuadra e Monikës. Të gjithë ta kuptojnë që në fund të fundit, PD-ja është një alternativë, sado e lodhur, sado e vjetëruar e sado e marrë peng në këtë moment të historisë së saj nga Saliu e nga Iliri, prapë mbetet një parti politike që është aty, ndërsa skuadra e Monikës është problemi madh i vendit tonë. Problem i madh i jetës sonë politike. Problemi i madh i vetë politikës shqiptare.

Këto zgjedhje janë zgjedhje mes të ardhmes e të shkuarës, janë zgjedhje mes taksës progresive e Taksës së Sheshtë që është armiku real i ekonomisë së të gjithë atyre që fitojnë më pak, qoftë në punë, qoftë në sektorin publik apo privat, qoftë në biznes. Është zgjedhje mes Rilindjes Urbane që duhet të vazhdojë e duhet të shtrihet në formën e Rilindjes Rurale edhe më thellë në zonat rurale të vendit dhe anti-qytetarisë në planifikim dhe në ndërtim që ka karakterizuar gjithmonë PD-në. Është zgjedhje mes shëndetësisë që duam dhe asaj që kishim e kështu me radhë.

Troç fare, është një zgjedhje mes drejtësisë së re dhe Ilir Metës, shumë thjeshtë. Kush zgjedh sidomos LSI-në, zgjedh Ilir Metën dhe jo drejtësinë dhe duke qenë se Ilir Meta është i gatshëm të japë dorëheqjen, siç ka thënë, pas 25 prillit kur të fitojmë ne dhe ne do fitojmë, atëherë ky është rasti për të gjithë ata, të cilët duan ta çlirojnë këtë vend nga barra gjithmonë e më e rëndë e imazhit që i krijon ky njeri që ka marrë peng Presidencën dhe ka marrë peng Kushtetutën, duke e shpërfytyruar komplet rolin e kryetarit të shtetit që Kushtetua e sanksionon më së miri, të bëjë zgjedhjen e qartë.

Lulzim Basha nuk është rrezik për demokracinë. Lulizim Basha nuk është problemi i këtij vendi. Lulzim Basha është një kukull në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës, që e kanë lidhur me zinxhirin e Monikës, që e kanë rrethuar me një tabor krushqish të uritur, që janë njëri më i mos o zotshëm se tjetri dhe që janë faktikisht një kukull që nuk argëton askënd, përkundrazi, nuk i duhet askujt.

Edhe në këtë sens, në sensin thjesht politik të të ardhmes së vendit, besoj që është koha për të bërë një zgjedhje konkrete për familjen, për qytetin, për fshatin, për vendin e punës të secilit, në sensin që duhet një zgjedhje për të shkuar përpara, për të rritur pagat, për të rritur pagën minimale për të gjithë ata që sot marrin 300 mijë lekë pagë minimale, për të ulur Tatim fitimin e atyre që marrin deri në 2.5 milionë në muaj si forcë e kualifikuar në ndërmarrjet dhe në organizmat ekonomikë të këtij vendi, për të fuqizuar më tuje mjekët, infermierët, mësuesit, policët, fëmijët e tyre dhe për të shkuar përtej ndasisë politike, pasi nuk kemi alternativë qeverisëse në Shqipëri, përveç PS-së.

E mbi të gjitha nuk mundet dot ta vëmë në rrezik gjithë këtë punë kolosale që është bërë deri më tani për të hedhur themelet e drejtësisë së re, duke i lënë një shteg mbijetese në pushtet Ilir Metës.

Kjo është më e thjeshta, besojmë. Pa dashur të them aspak që ne këtu jemi skuadër engjëjsh e të tjerët janë djajtë, absolutisht jo. Ne jemi njerëz shqiptarë të gabueshëm si të gjithë e përderisa, ne jemi të ngarkuar me punët e këtij vendi në nivelin qendror, në nivelin vendor, sigurisht që kush punon gabon. Kemi gabuar dhe kemi bërë gabime që i dimë me siguri, ka gabime që nuk i dimë, për sa kohë jo pak njerëz kanë pasur qoftë dhe një herë një eksperiencë të hidhur me zyrat e shtetit, por ne jemi të vetëdijshëm që thjesht jemi më të mirët në këtë vend, por sigurisht jo më të mirët e mundshëm e për t’u bërë më të mirët e mundshëm, na duhet të reflektojmë vijimisht mbi gabimet, mbi boshllëqet, mbi sfidat dhe mbi të gjitha mbi pritshmëritë e njerëzve. Duhet të ngrihemi në lartësinë e tyre çdo ditë, edhe pse mund të mos arrijmë kurrë marrjen e asaj lartësie, por çdo ditë përpiqemi dhe përpiqemi.

Dua t’i siguroj të gjithë ata që na ndjekin, por posaçërisht ata që na ndjekin nga ky Qark, kurbinas, lezhjanë, malësorë, mirditorë dhe me radhë se janë shumë këtu, por i futa brenda kufijve të emërtimit të bashkive, të gjithë, qofshin këtu, qofshin jashtë, të kenë shumë besim se më të keqen e kemi lënë pas dhe më të mirën e kemi të gjithën përpara për Lezhën e për gjithë Shqipërinë.

Vizioni ynë i Shqipërisë 2030 është që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë, Shqipëria të jetë zgjedhja e parë, jo emigracioni. Është shumë e lehtë ta thuash, është shumë e bukur ta dëgjosh, por është shumë e vështirë ta bësh. Por ne jemi këtu për punë të vështira. Nuk i bën dot punët e vështira askush tjetër. Nuk i ka bërë më parë e nuk ka si t;i bëjë sot, aq më pak ata, të cilët sa herë kanë pasur mundësinë të bëjnë punë për Shqipërinë, kanë punuar vetëm për vete e për rrethin e tyre e Shqipërinë e kanë lënë gjithmonë në batakun ku pastaj kanë qenë socialistët që kanë pasur barrën ta rinxjerrin, qoftë në periudhën pas vitit të mallkuar ’97-të, qoftë në periudhën pas rrënimit të heshtur që solli ndryshimin e drejtimit të vendit në vitin 2013.

Shumë faleminderit të gjithëve! Kushtet, hë për hë, të pandemisë dhe rregullat që kemi vendosur vetë e që po vetë duhet në radhë të parë t’i respektojmë, na e pamundësojnë në këtë fazë që të kemi një komunikim më të gjerë e më të drejtpërdrejtë me më shumë njerëz, ballë për ballë. Prandaj nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shfrytëzojmë këtë formë komunikimi përmes mediave, përmes rrjeteve sociale, por shumë shpejt do të jemi përsëri së bashku, sepse ashtu sikundër ne bëmë atë që mbase askush nuk e besonte kur u gdhitë të nesërmen e tërmetit, shërimin e plagëve të tmerrshëm të atij tërmeti që vazhdon përditë e përditë, që do të jetë i përfunduar e që nuk do të ketë më asnjë gjurmë në pranverën e vitit vjen, ashtu dhe do të bëjmë të mundur daljen nga tuneli i luftës me armikun e padukshëm, në të njëjtën kohë me vendet e BE-së. Ne nuk do mbetemi mbrapa, pavarësisht se e nisëm nga një pozicion shumë i disfavorshëm, brenda grupit të vendeve të këtij rajoni që u lanë jashtë skemës së furnizimit me vaksina, por ne e çamë atë rrethim pamundësie e po e hapim përditë e më shumë rrugën për të sjellë përditë e më shumë doza vaksinash e patjetër që do t’ia dalim.

Parafytyroni për një moment sikur larg qoftë në 3 të natës të ndodhi diçka e t’i bini telefonit të Lulzim Bashës. E pamundur! Parafytyroni për një moment, sikur në përballimin e sfidave të mëdha, të duhet të varni shpresat tek ai tabor krushqish që është thjesht e vetëm shëmbëlltyra e fosilizimit të plotë të PD-së dhe të opozitës. Jam i bindur që ky 25 prill do të jetë fillimi i një pranvere edhe për vetë PD-në që, më në fund, pas 3 humbjesh rresht, me siguri do detyrohet që të shohë nga vetja e nuk mjaftohet më duke treguar me gisht të tjerët dhe përkatësisht ne, për faktin që vetëm humbet, sepse nuk ia ka askush tjetër fajin, përveç vetvetes, as Lulzim Bashës, as PD-së.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm