Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Durrës

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Durrës

12 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit - Prezantimi i skuadrës fituese në Qarkun Durrës:

Sot, për shkak të rregullave që duhet t’i zbatojmë, kemi këtu numrin e kufizuar të deputetëve dhe deputeteve të Durrësit, ndërkohë që më vjen shumë mirë që sot, zyrtarisht, edhe unë jam pjesë e kësaj skuadre.

Ardhja ime në Durrës është e lidhur drejtpërdrejtë me dëshirën e madhe dhe ambicien për t’i dhënë një shtysë të re Durrësit, në një moment kur potenciali i jashtëzakonshëm i Durrësit nuk është më thjesht një potencial i fjetur, por është një potencial, të cilin ne po e adresojmë me projekte konkrete.

Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që në Durrës, ne kemi një skuadër që është një skuadër përfaqësuese e gjithë këtij qarku. Mbi të gjitha që në Durrës, ne kemi në radhë të parë, dy mike, kolege dhe zonja të mirënjohura dhe të nderuara jo vetëm nga qytetarët e Durrësit, por nga i gjithë opinioni publik. Milvën, ministren tonë aktuale të Bujqësisë, karriera e së cilës nuk ka nevojë për koment dhe Klodin, doktoreshën tonë, e cila është një model i njeriut qytetar, profesionist dhe aktivist.

Klodi ka bërë një hap të madh dhe jo aq të lehtë në kohën kur është përfshirë në skuadrën tonë herën e parë. Është një person i angazhuar shumë me njerëzit dhe ka lënë ushtrimin e drejtpërdrejtë të profesionit, për të përfaqësuar këtë komunitet. Ajo çka është vërtetë e admirueshme te Klodi është se deri më sot, në kaq vite sa kontribuon me shumë pasion në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me atë pjesë të aktivitetit të Parlamentit ku ajo ka rolin e saj, asnjëherë se kam dëgjuar të kërkojë çfarëdo qoftë për vete, por gjithmonë e kam dëgjuar të aktivizohet dhe të këmbëngule me çështje që lidhen me ecurinë e shëndetësisë dhe me halle e problemeve që lidhen me komunitetin këtu apo dhe me njerëz të zakonshëm, që kanë pasur nevojë për kujdes.

Më vjen shumë mirë që në këtë skuadër, përveç Milvës dhe Klodit, ne kemi dhe Anën. Ana ka qenë një aktiviste e skuadrës tonë në Durrës, vijimisht. Pasi është kthyer nga jashtë, ajo është angazhuar dhe ka qenë pjesë e skuadrës së vitit 2017, pa kërkuar asnjëherë asgjë më shumë, sesa mundësinë për të kontribuuar.

Kemi Kejdën dhe Klementinën.

E nisa nga gjysma më e mirë e çdo situatë kur flitet për burra dhe për gra, sepse gratë dhe vajzat janë gjysma më e mirë e kësaj shoqërie, ashtu sikundër nënat, gratë, motrat janë pjesa më e mirë e një familjeje. Pa dyshim, ne këtu jemi së bashku edhe me disa deputetë, cilët janë përsëri në skuadrën tonë dhe përfaqësojnë pikërisht angazhimin me komunitetin, përfaqësojnë pikërisht atë që është një karakteristikë që normalisht duhet ta kenë në lartësinë e duhur, që marrëdhënia me njerëzit nuk lidhet në fushatë dhe nuk zgjidhet pasi mbarojnë zgjedhjet. Marrëdhënia me njerëzit është një konstante e jetës së përditshme të përfaqësuesve të Kuvendit. Në këtë aspekt, jam vërtetë shumë i kënaqur me punë e kontributin e tyre, që ka bërë që, qoftë në Bashkinë e Krujës, qoftë në Bashkinë e Shijakut, por qoftë në hapësirat rurale, ne të kemi vërtetë një prani njerëzish të interesuar, të motivuar dhe të përkushtuar.

Ashtu sikundër më vjen jashtëzakonisht mirë që në skuadrën tonë na shtohen dy durrsakë, që për arsye të ndryshme janë të njohur për opinionin publik. Albani, i cili jam i bindur që do të jetë një vlerë e shtuar në punën e grupit të Ekonomisë dhe Financave në Parlament. Albani nuk ka qënë asnjëherë një person që ka kërkuar gjë nga shteti, por ka qënë vijimisht dikush që dijet e aftësitë e tij i ka vënë në dispozicion të profesionit dhe përmes kësaj ka arritur të krijojë respekt tek njerëzit, duke i asistuar bizneset. E sigurisht, na ka ndihmuar në të shkuarën me mendimet e tij për klimën e biznesit, për sistemin e taksave, për marrëdhëniet biznes-administratë dhe kështu me radhë. 

Nga ana tjetër, Terin. Teri s’ka nevojë për prezantim, por, duke qenë se sot është zyrtarisht pjesë e kësaj skuadre, duhet të them disa fjalë që lidhen me të ardhmen, sepse besoj se eksperienca, marrëdhëniet e tij me komunitetin dhe puna që ka bërë qoftë si kryetar i Bashkisë së  Durrësit, qoftë si ministër i Mjedisit, janë elementë që përbëjnë një vlerë të shtuar në këtë skuadër. Mbi të gjitha, për Terin, ky  është një kthim përfundimtar në shtëpi, sepse dimë historinë e një ndarjeje të madhe që ndodhi brenda familjes të së majtës. Më vjen shumë mirë që në këtë histori ndarje - bashkimi mes PS-së dhe LSI-së ka pasur disa njerëz që kanë qënë vijimisht ura dhe jo hendeqe, që kanë qenë vijimisht të interesuar për të qenë përbashkues dhe jo përçarës dhe mbi të gjitha, njerëz që, kur gjërat kanë shkuar keq, nuk janë bërë zëdhënës të së keqes.

Kur LSI-ja ka ribërë atë që ka bërë disa herë, por këtë herë në formën më brutale kanë vendosur që të zgjedhin jo thjeshtë PS-në, por të zgjedhin njerëzit e tyre, të zgjedhin mbështetësit e tyre, të zgjedhin arsyet pse në fund të fundit ne të gjithë merremi me politikë, pse në fund të fundit ne të gjithë jemi këtu përfaqësues të njerëzve dhe të zgjedhin qytetin e tyre, të zgjedhin ardhmen e  punëve.

Skuadra ka mesazhe të qarta, domethënëse, kuptimplota për të gjitha kategoritë. Është një skuadër që u flet shumë fort dhe bindshëm grave dhe vajzave të Durrësit, Krujës, Shijakut. Këtu dua të sjellë në vëmendje rolin e një gruaje të jashtëzakonshme, Eglantinës, e cila përsëri është këtu me ne, përsëri është pjesë e përpjekjes sonë, por, pas 12 vitesh e angazhuar si deputete e PS-së në Kuvend dhe pas një periudhe jo të shkurtër e angazhuar si përfaqësuese e Krujës ku ka pasur një rol të paharrueshëm në nxitjen e grave e vajzave për të dalë nga shtëpitë dhe për t’u përfshirë më shumë në jetën sociale, vendosi të ndërpresë aktivitetin parlamentar, por jo të ndërpresë aktivitetin e saj si militante shoqërore. Një aktivitet që e ka nisur shumë kohë më parë si protagoniste në radhët e shoqërisë civile, që e ka vazhduar si protagoniste në jetën politike të Partisë Socialiste, deputete, ministre dhe që ta vazhdojë më tutje nga një tjetër kënd, nga një tjetër pozicion.

Besoj se është shumë domethënës fakti që, megjithëse Milva është një durrsake denbabaden, do të ngjitet në malin e Krujës, për të mbushur me cilësitë e plota dhe me kapacitet të plotë boshllëkun që Eglantina do të linte, përndryshe.

Sigurisht, në fund fare të të gjithë kësaj skuadre, nuk është e tepërt të them që edhe unë jam këtu, jo thjesht për faktin se Durrësi është një zonë ku potenciali i kthyer në investime, i kthyer në zhvillim, do të ndihmojë të gjithë Shqipërinë për të shkuar në një nivel tjetër, por edhe për faktin se njëra anë e rrënjëve të mia është këtu, në Durrës.

Unë nuk mund të kem dy vende në Parlament dhe në fund do të më duhet të zgjedh njërin dhe do të zgjedh vendin ku do të më duan me shumë. Është një garë mes njerëzve të nënës dhe njerëzve të babës.

Jam kurioz të shoh se kush do të më dojë më shumë në këtë garë, por di që jam shumë i vendosur që bashkë me të gjithë miqtë, kolegët që jam këtu, por edhe me të tjerë që s’janë këtu, por janë shumë, dua të bëj për Durrësin atë që Durrësi pret dhe meriton dhe ta shëroj me fakte edhe nga një, ta quajmë, xhelozi që është krijuar për Vlorën.

Janë dy qytete bregdetare fantastike të Shqipërisë. Janë dy porta të bukura të hyrjes nga Mesdheu në Shqipëri, por edhe dy vende me karakteristika të ndryshme. Durrësi ka një potencial të jashtëzakonshëm, sepse nuk është thjeshtë një qytet bregdetar dhe nuk është thjeshtë një vend ku turizmi ka njohur një zhvillim të madh e mund të njohë një zhvillim edhe shumë më të madh, por Durrësi është një vend ku ka hapësirë për industrinë, ka hapësirë për tregtinë shumë të madhe dhe të pakrahasueshme me asnjë qytet tjetër.

Motivimi im për të ardhur në Durrës lidhet edhe me disa punë që janë vënë tanimë në vijë. Nuk është thjeshtë motivimi që vjen nga një ëndërr apo nga një dëshirë, e cila është në ajër. Motivimi vjen nga disa projekte që tani janë në vijë. 

Projekti i madh i transformimit të Durrësit në një port turistik, një ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe, me investimin që do të jetë rreth 2 miliardë dhe që bëhet nga një prej kompanive më të mëdha të botës në fushën e turizmit do të fillojë, procedurat janë kryer, masterplani është aprovuar. Kompania ka paraqitur projektin e fazës së parë për aprovim dhe është çështje ditësh. Në ndërkohë do të fillojë krijimi i menjëhershëm i shumë vendeve të punës si rezultat i këtij investimi të jashtëzakonshëm.

Do të fillojë dhe transformimi i gjithë hapësirës së tregtisë përmes detit, duke ndërtuar portin e ri tregtar, pra, duke e hequr këtë port tregtar nga zemra e qytetit ku çlirohet një potencial i madh për turizmin, duke spostuar të gjitha ato prani të dëmshme për mjedisin, të dëmshme për shëndetin, si rezultat i përpunimit të mallrave mu në zemër të qytetit dhe duke krijuar një port me standarde krejt të tjera, me standarde europiane, në zonën e Porto Romanos.

Janë dy investime të jashtëzakonshme, por nuk janë të vetmet.

Kemi në proces në gjithë zonën e Durrësit të ri nga pjesa e Spitallës, disa gjëra që lidhen me njëra-tjetrën dhe që janë një arsye shumë e fortë për t’i qëndruar Durrësit në kokë tani, drejtpërdrejtë si kryeministër, së bashku me kolegët, sepse është një zonë graviteti për ekonominë tonë kombëtare. E me radhë, Parku i dytë Fotovoltaik që është në proces me garën ndërkombëtare, pasi ka filluar ndërtimi i Parkut të parë Fotovoltaik në zonën e Karavastasë, që është Parku më i madh Fotovoltaik në rajon.

Do të ndërtohet në zonën e Spitallës, lagja e re e rindërtimit, e cila ka filluar puna me infrastrukturën, tanimë dhe do të financohet nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, është një tjetër realiteti i ri që do të krijojë strehim cilësor për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti dhe për më shumë se kaq.

Zona Ekonomike Industriale që tanimë është pjesë e këtij procesi, si një projekt në rrugën e realizimit, jo si një premtim elektoral që është bërë prej 30 vitesh, ku do të vendoset një pjesë e konsiderueshme aktivitetesh prodhuese dhe përpunuese, që do të krijojë mundësi të reja punësimi për mijëra njerëz.

EkoParku që në javët në vijim do të hapet për publikun, aty ku ishte gangrena më e madhe e Shqipërisë, fusha e plehrave në Porto Romano që u bë edhe motiv për kronika televizive në kanalet e mëdha europiane, si një vullkan ndotjeje mu në zemër të Mesdheut.

Vazhdimi i punës për të sistemuar krejt infrastrukturën në shërbim të komuniteteve që nga Durrësi, lart në Krujë dhe në gjithë zonën që mbulohet nga Bashkia e Shijakut.

Në Durrës kemi mundësinë të mbështetemi tek tre bashki, tek kryetarë bashkish që janë në punë, që kanë mbajtur një barrë të jashtëzakonshme me përballimin e pasojave të tërmetit dhe kemi mundësinë që në harmoni mes nesh, mes kësaj skuadre deputetësh dhe pushtetit vendor dhe komuniteteve, të bëjmë në këtë mandat të tretë, më shumë sesa është bërë në të gjitha mandatet tona dhe të tjerëve për Durrësin si qark.

Na duhet vetëm të marrim të gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë projekt të madh. Është një projekt transformues për Shqipërinë, jo thjesht për Durrësin dhe besoj që me këtë sinergji që kemi krijuar dhe me këtë qartësi që kemi për të ardhmen, ne do të arrijmë që Durrësin ta kthejmë në një aleat të madh të vizionit tonë të 2030-ës për Shqipërinë si një vend ku njerëzit zgjedhin të rrinë apo zgjedhin të kthehen dhe jo si një vend nga ku shumë njerëz duan të ikin.

Kjo është një çështje e një vendimmarrje që duhet ta marrin vetë ata që do votojnë, që do zgjedhin. Kështu që unë nuk i them dot atyre në Vlorë që ju më doni më shumë, sepse edhe ata më duan shumë, por kur të numërojmë votat, kush do më dojë më shumë, do më ketë prezent.

Besoj se deri në 2030-ën, kur ne kemi vendosur edhe datën apo horizontin e vizionit që do të shpalosim ditë pas dite deri në 25 prill, ne do të kemi një metropol, Tiranë – Durrës, që do të jetë për shkak të zhvillimeve të kësaj dekade një hapësirë e integruar dhe me shërbime të integruara, siç ka ndodhur edhe në të tjera vende në procese zhvillimesh demografike dhe zhvillimesh ekonomike të vrullshme. Ky do jetë një proces zhvillimesh ekonomike të vrullshme.

Po ashtu për hekurudhën, faktikisht kontrata është firmosur dhe puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Durrës thjesht është në fazën përgatitore të kantierit.

Ndërkohë projekti tjetër i hekurudhës Durrës – Hani i Hotit, është në proces me Bashkimin Europian, si një nga projektet e fondit të madh të investimeve europiane që tanimë është shpallur publikisht nga Komisioni Europian.

Përtej këtyre, unë besoj që arsimi do të jetë një pjesë e integruar plotësisht dhe Universiteti i Durrësit, së bashku me gjithë rrjetin e sistemit para universitar të Durrësit në këtë dekadë do të jenë pjesë e metropolit, e një metropoli ku afërsia, integrimi dhe shpejtësia e shërbimeve të transportit, do të bëjë që vendbanimi në Tiranë apo në Durrës të mos jetë më një vendbanim në një zonë të ndarë nga tjetra, por të jetë vendbanim në një zonë të integruar plotësisht.

Ne jemi në këtë fazë të ndërmjetme, me vetëdije të plotë që ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur, ka shumë arsye për të qenë të mërzitur, ka shumë arsye për të menduar se gjërat nuk kanë shkuar të gjitha ashtu siç do duhet të shkonin dhe unë bashkohem me këtë konstatim të shumëkujt, por nga ana tjetër nuk mundet veçse të them që nuk kemi kohë për të ndalur, por është koha për të vazhduar edhe më shpejt përpara.

Ndërkohë, kanë ndodhur gjëra që as nuk mund të mendoheshin disa vite më parë, pikërisht sepse ne kemi vendosur disa baza të reja mbi të cilat duhet të vazhdojmë të ndërtojmë ngrehinën e Shqipërie së re. Përshembull, nuk mund të mendohej disa vite më parë që brenda mandatit të dytë mund të zëronim taksën për biznesin e vogël e mund të zëronim TVSH-në për biznesin e vogël e jo me ato kufij që biznesi i vogël kishte më parë, që ishin kufij shumë të ulët, 20 milionë lekë të vjetra xhiro, për të mos paguar taksë, por me kufirin 100 milionë. 100 mijë dollarë xhiro në vit pa taksë e pa TVSH dhe me kufirin 140 mijë dollarë në vit pa taksë. Kjo është një mbështetje që nuk e ka asnjë biznes i vogël në rajon, se në Europë nuk po diskutojmë fare se aty taksat janë shumë më të larta, - po ne nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë krahasime të tilla e kur mund të mendojmë për taksa të larta mbi biznesin e vogël, - por në rajon. Nuk ka asnjë vend në rajon që e ka mbështetur biznesin e vogël, siç sot mbështetet biznesi i vogël dhe ky është fakt sot, nuk është një gjë që themi do ta bëjmë nesër. Dhe do qëndrojë kështu deri në vitin 2029, nëse deri në vitin 2029, populli do të vazhdojë të mbështesë PS-në natyrisht, se nuk mund të marrim ne përsipër gjëra për të tjerët.

Ne jemi sot në kushtet kur në planin tonë të veprimi 2021-2025 dhe kjo rezonon shumë me Durrësin ku ka një numër të konsiderueshëm punonjësish që marrin deri në 400 mijë lekë, që, nëse sot ne kemi rrogën e pataksuar 300 mijë lekë, nesër, e kur them nesër, jo pas 4 vitesh, por në janar të vitit 2022 të kemi rrogën e pataksuar 400 mijë lekë, që fut faktikisht në fashën pa taksë mbi pagën, 60 e kusur përqind të punonjësve të këtij vendi në sektorin publik apo në sektorin privat.

Po ashtu, ne kemi sot 50% më të lartë sesa ishte përpara 7 vitesh pagën minimale. Sot, paga minimale është 300 mijë lekë, por nuk mjafton. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që nuk mjafton e për këtë arsye do të vazhdojmë ta rrisim pagën minimale, bazuar sigurisht në kombinimin e gjithë këtyre faktorëve, sepse kjo lidhet me kapacitetin për të paguar. Kjo lidhet me kapacitetin për të rritur mundësitë e njerëzve, duke rritur mundësitë e shtetit dhe të gjitha këto investime, të gjitha këto punë të mëdha që kanë nisur apo janë në proces nisjeje do të na ndihmojnë. Ne pagën minimale kemi ambicie që ta rrisim vit pas viti e ta rrisim në 400 mijë lekë pagë minimale, në Shqipëri.

Ne kemi rritur pagën mesatare, por nuk mjafton dhe do të vazhdojmë ta rrisim më tutje. E kështu me radhë, ka shumë gjëra që do të ndodhin si pasojë e mundësive të reja që ne kemi krijuar e do vazhdojmë të krijojmë dhe në bazë të një plani veprimi, jo të një programi elektoral, “do ulim sigurimet, do rrisim pensionet”, “do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit”. Këto janë premtime që mund t’i bëjë vetëm një forcë politike që ka Agron Dukën si protagonist këtu në Durrës. Sigurisht që, ne nuk mundet dot të mos e themi e nuk mundet dot të mos e komunikojmë me të gjithë durrsakët, me të gjithë krutanët dhe shijaksit e me komunitete të tjera që janë këtu.

Ne kemi në skuadrën tonë një djalë dibre, i cili është këtu, për të pasur në hapësirën tonë, edhe zërin e një komuniteti të tërë dibranësh që janë spostuar dhe jetojnë sot në Durrës, janë qytetarë të Durrësit.

Duke qenë Durrësi një vend gjithmonë i spikatur, për hir të vërtetës, për një shtresë, për një grup, për një rreth qytetarësh durrsakë që qysh në krye të herës, me ndryshimin e regjimit janë bashkuar shpirtërisht me të djathtën, si mundet që këtij grupi njerëzish, këtij rrethi t’i futet në qendër Paloka?!

Si mundet që njeriu që përfaqëson këtu, ambicien e Partisë Demokratike për të ardhmen të jetë Paloka?! Për çfarë, për të ndërtuar portin turistik, apo për të ndërtuar portin e ri tregtar, apo për të ndërtuar hekurudhat? Për të vazhduar punën me ujësjellësin që sot është e vërtetë akoma nuk i ka 24 orë, por ka qenë 1 orë furnizimi këtu me ujë e sot është shumë më tepër e do të jetë shumë më tepër akoma.

Paloka do t’i bëjë këto?!

Apo për të ngritur zërin për studentët e pedagogët për universitetin, për sistemin arsimor.

Paloka do ta mbarojë procesin e rindërtimit, do ndërtojë lagjen e re në Spitallë?!

Paloka do të përfundojë gjithë infrastrukturën e shkollave që janë bërë sot në Durrës, shkollat më të bukura të Shqipërisë?! Ky është maksimumi që mund të japi Durrësi për Shqipërinë dhe për parlamentin, Palokën?!

Me Palokën apo me Gon Dukën?

Gon Duka, se ky është histori më vete, shfaqet e rishfaqet në listën e PD-së me një Parti Agrare që e mban në garazh e nuk e ka nxjerrë asnjë ditë nga garazhi, qëkur është bërë kryetar i Partisë Agrare, rri tek oborri i Partisë Demokratike. E ka bërë atë Partinë Agrare tamam si ato makinat me bombë, që rrinë në garazh dhe po nuk u fut ky në listë, se duhet të jetë patjetër ky, atëherë, makina bombë do shkojë të hedhin në erë opozitën.

Si mund të jenë këta përfaqësuesit!

E meqë këtu, ne kemi marrë goditje pas goditjesh politikisht, çfarë është ky triangolo që është krijuar këtu midis Palokës, Gon Dukës dhe një trafikanti heroine, i kapur, i dëbuar nga Zvicra, që tund dy gishtat e që shfaqet si alternativë. Për kë? Për çfarë?

Meqë këtu ka qenë një makineri e tërë balte për të kriminalizuar Partinë Socialiste, meqë Partia Socialiste këtu ka përmbysur çdo lloj rezultati të të shkuarës dhe sot është e konfirmuar si forca lokomotivë e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë dhe kur mendoj që Partia Demokratike, e djathta këtu ka pasur fytyrën dhe zërin e Bashkim Koplikut, ndjesë pastë, me respekt, pavarësisht se nuk na janë puqur asnjëherë vizionet dhe konceptet për si duhet të jetë organizimi, sepse ai ishte i djathtë dhe përfaqësonte një qytetari të djathtë durrsake, një qytet i identifikuar me të djathtën, një qytet që krijoi realisht një elitë lokale që i jepte Parlamentit të Shqipërisë fytyra qytetarie, njerëz që mund të kishe të gjithë arsyet për të thënë që jam kundër, por që flisnin me edukatë, flisnin me gjuhën e asaj tradite, pse jo edhe asaj shtrese të mesme të shquar qysh prej kohës së Mbretërisë, sot pas 30 vitesh sjell Palokën, 1-shi këtu në Durrës.

Si mundet një familje e djathtë, si mundet një familje njerëzish që kanë qenë vijimisht mbështetës të PD-së, të dalin të votojnë Palokën dhe të votojnë errësirën, të votojnë ngecjen dhe kthimin mbrapa, ndërkohë që këtu, ne nuk po flasim për partira, këtu ne po flasim për Durrësin.

Me të gjitha këto investime që janë fryt i një pune kolosale që kemi bërë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, për ta bërë Shqipërinë një vend ku të afrohen investitorët e mëdhenj, për të krijuar marrëdhënie të atilla që të sjellin këtu njerëz e kompani që as nuk e kishin fare në hartë Shqipërinë dhe pasi ata kanë ardhur, pasi kanë bërë projektet, pasi janë gati të fillojnë punën, do i vini Palokën? Për çfarë, për t’ju vënë gjoba? Apo për t’ju shkuar i dehur e për t’u kërkuar para për bixhoz? Kjo është e paimagjinueshme. Partia e Bashkim Koplikut të përfundojë në gojën e Palokës në Durrës. Mund ta kishin lënë atje, me Dashin, me Timin, me Mesilën, në atë gjullurdinë e faqoreve dhe të paçeve që zakonisht janë ushqimi më i preferuar i atyre që e gdhijnë duke pirë.

Një triangolo fatale, kjo është skuadra e Durrësit që ne kemi përballë.

Pa llogaritur që bashkë me këta, është dhe një “ambasadore” e Monës dhe e Lilos. Një “ambasadore” që vjen drejtpërdrejtë nga nuk e di se ku dhe kërkon vota këtu në Durrës. Si mundet të diskutohet që kjo është një fyerje, një tallje, një marrje për budallenj e durrsakëve, duke ju ofruar këtë milet që duhet mbajtur poshtë tavolinës, se të turpëron tavolinën.

Unë besoj që e realisht jua them këtë durrsakëve, nuk është koha më tani për t’u marrë jo e djathta, jo e majta, ky apo ai. Këtu është koha për t’u marrë realisht me Durrësin nonstop e për t’ia nxjerrë të gjitha potencialet hap pas hapi, në funksion të ekonomisë familjare, të ekonomisë lokale, të ekonomisë kombëtare.

Durrësi është realisht një aset i jashtëzakonshëm. Kemi bërë shumë, por në krahasim me çfarë mund të bëhet, jemi ende në hapat e parë. Durrsakëve dhe gjithë atyre që janë në këtë qark u them, na e jepni mbështetjen ju 1 herë, t’jua kthejmë ne 100 herë. Harxhoni ju 5 minuta dhe votoni që të vazhdojë puna, votoni që të vazhdojnë projektet, votoni që të vazhdojnë betejat e mëdha që kemi këtu, për t’i shëruar krejt plagët e tërmetit, për ta nxjerrë komplet jashtë armikun e padukshëm dhe ne do të harxhojmë ditë e natë për ta bërë Durrësin atë që Durrësi meriton të jetë për të gjithë ju e natyrisht, për të gjithë shqiptarët.

Unë kam shumë besim që ne do të sigurojmë të gjitha dozat e nevojshme të vaksinave, shumë shpejt, për të lehtësuar sezonin turistik, në mënyrë që duke vaksinuar intensivisht në javët në vijim, ne të kemi mundësi të këpusim sa më shumë zinxhirin e infektimeve, jo ta çlirojmë plotësisht, por ta lehtësojmë shumë sezonin turistik. Të krijojmë mundësinë që të vijnë shumë njerëz, më shumë sesa vjet e të ecim përpara se nuk ka kohë për t’u marrë me Palokën, me Gon Dukën e me Dash Shehin, me tymin e doganave, me Vagjel Dulen,  me Mesilën e me Gridaren.

Nuk ka kohë!

Nuk ka kohë për të humbur më me ata që i kemi parë e stërparë kur e kanë pasur mundësinë të drejtojnë e kur e kanë çuar vendin gjithmonë mbrapa. Nuk mundet të bëhet Durrësi, as gjithë Shqipëria peng i maktheve të Saliut e të Ilir Metës. Nuk mundet dot që gjithë këto përpjekje që janë bërë për ta vënë drejtësinë në rrugë të mbarë, tani kur institucionet e reja po japin shenja që kanë filluar të funksionojnë, SPAK-u po jep shenja domethënëse që ka filluar të funksionojnë, ne tani t’ia lëmë Palokës, t’ia lëmë Gridares, t’ia lëmë Gon Dukës që nuk e di për çfarë arsye do t’i braktisi pulat e veta dhe të vijë të ngatërrohet në punët e Shqipërisë, të ardhmen e këtij vendi. Është e pamundur.

Faleminderit të gjithëve dhe në ditët në vijim, në javët në vijim do të jemi në përpjekje për të mbrojtur në radhë të parë, shqiptarët nga të gjitha çuditë e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të sjellë çdo mbështetje e tepërt për ata, të cilët nuk e meritojnë një shans të dytë e jo më të meritojnë një shans të pestë. T’i japësh Saliut një shans të pestë, t’i japësh Ilirit shansin e pestë, t’i japësh gjithë këtij tabori krushqish të Lulit shansin e pestë është realisht të kthesh Shqipërinë mbrapa për të pestën herë. Kjo nuk do të ndodhë. Apeli im për gjithë durrsakët, duke qenë se jam këtu edhe si durrsak, është që mos e kurseni mbështetjen për ne që të mos kursejmë asgjë për ju

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm