Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 Prillit – Partia Socialiste e Shqipërisë çel zyrtarisht fushatën elektorale

Të reja

Rruga drejt 25 Prillit – Partia Socialiste e Shqipërisë çel zyrtarisht fushatën elektorale

25 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit – Partia Socialiste e Shqipërisë çel zyrtarisht fushatën elektorale

-Mesazhet e 12 përfaqësuesve të qarqeve-

Partia Socialiste e Shqipërisë çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Nga sheshi “Skënderbej”, duke respektuar masat protokollare anti-Covid, PS prezantoi 153 kandidatët për deputetë për në Kuvendin e Shqipërisë. Fushata startoi nën tingujt e himnit kombëtar dhe mesazhet kryesore të saj u përcollën nga përfaqësues të listës së kandidatëve të 12 qarqeve të vendit, duke u përmbyllur me fjalimin e Kryetarit të PS, njëherazi Kryeministrit të vendit, Edi Rama.

 

Mesazhet e 12 përfaqësuesve të qarqeve i gjeni më poshtë:

Edona Bilali- Qarku Shkodër

Është koha që ne të punojmë si shkodranë dhe si shqiptarë, dhe jo si demokratë dhe socialistë. Ta lëmë mbrapa kohën e tifozllikut politikë, por tashmë ti besojmë të ardhmen tonë dhe ti japim një shans vetes, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës për tu bërë dhe Shkodra si Vlora, si Korça, të cilët janë qytete të transformuara dhe nuk njihen më, nga ato çfarë ishin dje. Prandaj miqtë e mi shkodranë, ju them: kurajo, sepse ne e kemi vetë në dorë për ta bërë Shkodrën të ardhmen tonë, ashtu si gjithë Shqipëria.

 

Petrit Malaj- Qarku Kukës

Unë kam shpresë se tropojanët dhe Qarku i Kukësit më 25 prill do ta zgjedhin Edi Ramën, pikërisht se ai është njeri i punës dhe unë do t’ua kërkojë votën për të punuar së bashku me ta dhe Edi Ramën dhe gjithë këtë skuadër njerëzish të punës. Unë ndihem vërtetë mirë që jam pjesë e kësaj skuadre, ku janë mbledhur bashkë eksperienca më e mirë e PS, por dhe energjia e plotë të rinjve, jo thjesht në moshë, por në ambicien për ndryshimin të vendit tonë.

Çfarë është bërë në këto vite, tregon se Edi Rama dhe Partia Socialiste mund ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër. Padyshim, ka ende shumë për të bërë dhe le ta bëjmë së bashku, duke u bashkuar për punët e mira që i duhen Shqipërisë, që Shqipëria të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë.

 

Lavdrim Krashi- Qarku Dibër

Edi Rama më kërkoi që të kthehem nga Anglia, ku kam punuar dhe jetuar prej më shumë se 25 vite dhe ku isha shumë mirë i integruar. Menjëherë iu drejtova bashkëshortes dhe fëmijëve të mi. Nuk kishte kënaqësi më të madhe për mua, kur të dy fëmijët, më thanë: Bëje babë, sepse edhe ne duam që një ditë të jemi në Shqipëri. E dimë të gjithë sesa bukur është ta thuash apo ta dëgjosh këtë që të thuhet, por në tw njëjtën kohë e dime, që sa e vështirë është që Shqipëria jonë të bëhet shtëpia e të gjithë shqiptarëve, por siç thoshte Nënë Tereza jonë e madhe: “Ndiz një qiri në vend që të mallkosh errësirën”; dhe të gjithë ne, po të ndezim një dritë sado të vogël, për këtë vend, do të arrijmë që ta bëjmë Shqipërinë vendin e të gjithë shqiptarëve.

 

Lindita Nikolla- Qarku Lezhë

25 prilli është i veçantë për Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, sepse duhet të vijojë dhe përfundojë procesi i rindërtimit, ndaj malësorë, mirditorë, zadrimorë, lezhjanë dhe kurbinas, votoni Partinë Socialiste që të zhdukim pranverën e ardhshme dëmet e tërmetit; të kemi shtëpi më të bukura dhe të forta, shkolla të reja dhe me standard; një qytet të ri si Laçi e shumë transformime në Mirditë dhe në Lezhë. Është absolutisht emocionuese teksa shikon një skuadër kaq përfaqësuese të PS, me kaq shumë të rinj dhe të reja, me kaq shumë figura të spikatura. Nuk kanë spikatur në politikë, por kanë spikatur duke shërbyer në mënyrë shembullore në shoqëri dhe unë e jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, që do të ndërtojë Shqipërinë, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

 

Milva Ekonomi-Qarku Durrës

Natyrisht që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, sepse në këto zgjedhje vendoset e ardhmja e disa viteve për Shqipërinë. Fitorja e PS do të thotë e nesërme për drejtësinë, e nesërme për ekonominë, e nesërme për shëndetësinë, e nesërme për  arsimin dhe padyshim e nesërme për rininë. Padyshim duhet shumë punë dhe më shumë të ardhura ekonomike, por nëse fitorja e PS nuk do të ndodhë, përballë nesh do të jenë ata, që do të bëjnë dëmin e këtij vendi, sepse koha nuk pret, koha nuk mund të kthehet pas. Ne në Durrës kemi një fat të jashtëzakonshëm. Si asnjëherë në këto 30 vite, në Durrësin tonë, kandidaton Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama dhe në këto zgjedhje, padyshim që Kryeministri Edi Rama do të vijë në Durrës me një projekt transformues siç shkoi në Vlorë, ndaj edhe për Durrësin do të ketë më shumë mundësi.

 

Evis Kushi- Qarku Elbasan

Jam shumë krenare që së bashku kemi arritur të bëjmë shumë për qytetin tim, ku kam lindur, ku jam rritur, ku jetojë sot, ku po rris edhe vajzat e mia. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha menduar që në Elbasan vetëm në 7 vite e gjysmë, do të bëhej më shumë se në dhjetwra vite bashkë dhe po ashtu, jam shumë e lumtur që ne kemi arritur të bëjmë më shumë për një kategori që e kam shumë përzemër, për nxënësit dhe mësuesit e Shqipërisë, për studentët dhe pedagogët, për universitetin, i cili së fundmi ka hyrë në një fazë të re me reformën për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencorë. Në këto 8 vite kam mësuar shumë, fal punës së përbashkët me kolegë, profesionistë të aftë, të nderuar, në Kuvendin e Shqipërisë  

I kam kuptuar më mirë sfidat e mëdha të vendit për të cilat nuk mjaftojnë vetëm fjalët e mira, qëllimet apo idetë e bukura, por duhet shumë sakrificë, duhet shumë punë, duhet shumë durim për ti kthyer fjalët në vepra, idetë në projekte dhe qëllimet në realitet.

 

Hatixhe Konomi -Qarku Berat

Përpara se Edi Rama dhe PS do të merrte drejtimin e këtij vendi, Berati ishte totalisht një qytet i izoluar. Ishte i izoluar, sepse e vetmja rrugë kryesore që e lidhte me pjesën më të madhe të vendit ishte totalisht e shkatërruar, ishte një torturë e vërtetë, prandaj Berati prej shumë kohësh nuk pati numrin e vizitorëve apo dhe të turistëve që duhet të kishte.

Shumë punë janë bërë në Berat, por ka shumë punë të tjera që duhet të bëhen dhe kush më mirë se shembulli i punës dhe shembulli i anagazhimit kundrejt qytetarit, Edi Rama dhe PS, mund ta bëjnë Beratin dhe Shqipërinë të ardhmen tonë

Unë jam krenare që i përkas një skuadre të tillë dhe ne të gjithë kandidatët e Beratit premtojmë që më 25 prill do të sjellim në Kuvendin e Shqipërisë 5 deputet, për një mandat të tretë të Edi Ramës dhe PS. Suksese të gjithëve!

 

Eni Zaka- Qarku Korçë

E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e listës së kandidatëve të PS, për të dhënë dhe unë kontributin tim si një detyrim ndaj vetes, familjes, por dhe gjithë qytetarëve korçarë. Falenderim të veçantë për ju Kryeministër që besuat tek forca dhe fuqia e grave dhe vajzave shqiptare. Unë ndihem krenare që jam pjesë e kësaj skuadre, sepse me punën e palodhur që ajo kryen, ka bërë që Korça të jetë një qytet model, por gjithashtu edhe një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, jo vetëm për turistët vendas, por dhe ata të huaj. Ky moment tani shërben si një bilanc ku ne kemi çfarë të themi për këto 7-8 vite. Patjetër që ne kemi shumë për të bërë, por nëse ne kthehemi kokën pas dhe shohim në një të shkuar jo shumë të largët, Korça që ka qenë dje, nuk është Korça që është sot, ato nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

 

Pranvera Resulaj- Qarku Vlorë

Të jem pjesë e skuadrës së Vlorës, për mua është të jem pjesë e sfidës për të thyer rezultatin rekord që PS arriti 4 vite më parë në qarkun ku Edi Rama ka vënë vulën e transformimeve rrënjësore. Vlora është krenari. Të thuash që jam nga Vlora do të thotë të jesh nga vendi i Flamurit, por sot të thuash që jam nga Vlora do të thotë të jesh nga vendi ku vota për PS dhe Edi Ramën ka dhënë shpresën e të ardhmes, e ka rikthyer atë, e ka bërë Vlorën pasqyrë të ndryshimit dhe e dëshirës për të jetuar dhe punuar. Vlora nuk ndalet! Vlora nuk i jep askujt shansin për tu kthyer pas!

 

Mirela Kumbaro- Qarku Gjirokastër

Si bijë libohovite e gjirokastrite kam kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës sime duke udhëtuar dhe duke qëndruar në dy qytete, nga 7 bashkitë e qarkut të Gjirokastrës, e megjithatë nuk do të harrojë Tetorin e vitit 2013, kur si ministër i Kulturës  i Qeverisë Rama e ndjeva Gjirokastrën gri, të ftohtë, të trishtuar. Ishte ora 3 dhe dyert dhe dritaret ishin të mbyllura dhe nuk kishte njerëz në rrugë dhe pothuajse asnjë restorant hapur. Sigurisht mu duk Gjirokastra shumë e rëndë, e papërballueshme në trishtimin e saj, në rrënimin, harresën e saj.  Por ishte një vizion, i vetmi që mund të më jepte shpresën jo vetëm mua, por gjithë skuadrës  së Ministrisë së Kulturës  dhe gjithë qeverisjes, vizioni i Rilindjes Urbane. Vizioni dhe programi i PS që mori mandatin për ta nxjerrë Shqipërinë nga harresa, për ta nxjerrë Gjirokastrën, Dropullin, Memaliajn, Tepelenën, Këlcyrën dhe Përmetin nga harresa.

Rilindja Urbane ishte një vizion që i ktheu të 7 bashkitë e qarkut të Gjirokastrës në destinacion dhe në sinonim të turizmit malor, natyror, kulturor edhe bujqësor.

 

Erion Braçe-Qarku Fier

Mandati i tretë nuk është një trofë, nuk është historik, është një kontratë pune me secilin prej jush shqiptarë, kudo që jeni. Kjo është diferenca dhe diferenca vjen nga puna. Puna me nder, me dinjitet, me zemër, kanë ndryshuar Shqipërinë. Kjo punë ka ndryshuar Fierin, Lushnjen, Mallakastrën, Roskovecin, Patosin, Divjakën. Puna e bënë diferencën dhe ne punën kemi, asgjë tjetër veç saj.  Ndaj duke u mbështetur fort tek puna do të vazhdojmë më tej, për të ndryshuar, përmirësuar, jetën e gjithësecilit në Fier, Lushnje dhe kudo në të gjithë Shqipërinë. Kemi punë të madhe për të bërë, por përtej asaj që bëmë këto 8 vite, duhet të vazhdojmë të ndryshojmë veten, për të ndryshuar akoma edhe më fortë qytetet tona.

 

Najada Çomo-Qarku Tiranë

Ftesa për të qenë kandidate për deputete në Kuvendin e Shqipërisë sigurisht që më bëri të ndjehem e vlerësuar dhe natyrisht e emocionuar që do të përfaqësojë një grup të madh njerëzish, që punojnë natë e ditë për të shpëtuar jetë njerëzish që vuajnë nga COVID-19.

Unë jam një nga ata që do të përfaqësojë me anagazhimin tim maksimal dhe qytetar të gjitha bluzat e bardha. Unë nuk jam politikane dhe natyrisht do të vazhdojë ta ushtrojë profesionin tim për ta fituar betejën me COVID-19, por do të japë kontributin tim për më të mirën në fushën shëndetësore. Natyrisht unë i jam bashkuar me bindje skuadrës socialiste për arsye se kam parë njerëz të palodhur, që i bëjnë ballë sfidave, njerëz që nuk kanë llafe, por vetëm punë dhe që e çojnë atë deri në fund.  

 

Luljeta Bozo -Qarku Tiranë

Dua të them dy fjalë për popullin tonë të mrekullueshëm, që është një popull shumë i zgjuar, paqedashës, shumë punëtor dhe që di të bëjë zgjedhjen e duhur, në momentin e duhur. Populli do të dijë ta bëjë zgjedhjen e duhur dhe do të votojë patjetër PS.    

 

Bora Muzhaqi-Qarku Tiranë

Aplikova në platformën “Deputeti që duam” dhe ndjehem e privilegjuar që mes mijëra të rinjsh dhe të rejash u përzgjodha për ti përfaqësuar edhe ata. Fitorja e PS dhe e Edi Ramës është fitorja e brezit tim, e më të mirëve të këtij brezi, që pakënaqësinë e tejkalojnë me punë dhe jo me kafe, me angazhim, jo me llafe, me këmbëngulje dhe jo me qarje e sharje. Jam e privilegjuar që jam mes grash të forta dhe shembullore, vajzash të denja dhe punëtore. Jam e privilegjuar që sot më jepet mundësia të jem krah Luljeta Bozos dhe Najada Çomos, dy gra heroina në shërbim të njerëve me dijet dhe dashurinë e tyre.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm