Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga drejt 25 prillit - PAGAT, TAKSAT dhe BIZNESI në Planin e Veprimit 2021-2025

Të reja

Rruga drejt 25 prillit - PAGAT, TAKSAT dhe BIZNESI në Planin e Veprimit 2021-2025

15 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

“Shqipëria e ardhmja jonë”, nuk është një slogan elektoral, është një aspiratë kombëtare që do të motivojë qeverisjen dhe vendimmarrjet tona të kësaj dekade. Shqipëria duhet medoemos të bëhet zgjedhja e parë e çdo shqiptari dhe emigracioni nuk duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt.

E lehtë dhe shumë e bukur ta thuash, e vështirë, shumë e vështirë ta bësh.

Por ne, Partia Socialiste, jemi krijuar për të bërë gjërat e vështira. Vetë lindja e kësaj familjeje të madhe politike ka qenë e vështirë. Dhe historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar se, sa herë kemi marrë përsipër gjërat e vështira, populli ka qenë gati ta mbështesë. Sa herë i kemi rënë shkurt dhe mendjelehtësisht, u kemi bërë bisht të vështirave, populli e ka lënë Partinë Socialiste në baltën e vet.

Sot, kur mandati i dytë po mbaron dhe ne duam një mandat të tretë, populli është gati të na mbështesë, jo sepse ne kemi bërë gjithçka mirë apo se sovrani nuk ka pakënaqësi ndaj nesh. Krejt e kundërta! Madje, - e theksoj - ka dhe ka plot, e me të drejtë. Por, sepse populli e di që ne, jo vetëm nuk i kemi bërë bisht gjërave të vështira në këto 7 vite e kusur në drejtim të vendit, po punët më të vështira kanë qenë edhe gjëja më e mirë që kemi bërë.

Reforma e Energjisë, që mbylli humnerën e krijuar nga vjedhja çerekshekullore e dritave; Reforma e Sistemit të Qeverisjes Vendore, që eliminoi 300 vatra vjedhjesh të pronave e shpërdorimi të taksave të popullit përmes 300 komunash; reforma e shërbimeve për qytetarët përmes Revolucionit Digjital që po transformon rrënjësit marrëdhënien e qytetarit me sportelin e shtetit; Reforma e Pronës, që është futur më në fund në rrugë të drejtë përmes ligjit të ri për pronën, mbështetur qartësisht edhe nga Gjykata Europiane e Strasburgut; Reforma e reformave, ajo e Drejtësisë, që pas 100 vjetësh ka hapur më në fund shtegun e daljes nga kthetrat e gjykatave të korruptuara nga ideologjia më parë dhe nga paraja e zezë më pas e fijet e interesave të lidhura me politikën e korruptuar më pas.

E të tjera akoma, gjëra të vështira, punë të vështira që po të ishin nisur 30 vite më parë për së mbari, sot, Shqipëria do të ishte patjetër shumë më ndryshe.

Askush s'e pati vizionin e kurajon për t'i imagjinuar si të duhura e për t'i nisur si të mundura.

Sot, të tëra këto reforma kanë hyrë në rrugë dhe rruga e tyre është e gjatë, ende e përpjetë, patjetër shumë e mundimshme, por është e vetmja rrugë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër gjatë kësaj dekade. Dhe e vetmja forcë, sot për sot, që mund ta bëjë realitet këtë gjë të vështirë, jemi ne, unë dhe Partia Socialiste.

Sot, në fushën e ndeshjes së 25 prillit, janë përballë shqiptarëve një vizion për Shqipërinë e vitit 2030 dhe një program elektoral i njëjtë si sot e 30 vjet.

Vizioni ynë, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e çdo shqiptari, mbështetet nga një Plan Veprimi 2021-2025, sektor për sektor, kategori sociale për kategori sociale, grupmoshë për grupmoshë. Ndërsa programi i tyre elektoral mbështetet nga një nevojë e vetme, e njëjta nevojë që ka motivuar rëndom programet elektorale të partive politike në këtë hark kohe të historisë sonë, nevoja për pushtetin si qëllim në vetvete e jo si mjet për realizimin e qëllimeve të mëdha kombëtare e shoqërore.

Plani ynë i Veprimit është një program qeverisës, me objektiva konkretë, masa të studiuara, afate të përcaktuara. Programi i tyre elektoral është një menu e dëshirave të miletit, “ta hajë kush ta hajë”.

Si gjithmonë, si në të gjitha etapat dhe ndeshjet zgjedhore!

Ne themi sot, në planin tonë të veprimit, atë që do të bëjmë dhe do të bëjmë nesër atë që themi sot në planin e veprimit. Ne kemi një program qeverisës për të jetësuar vizionin “Shqipëria 2030”, jo një plan për të joshur elektorat nga të katërt anët. 

Ata thonë gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje. Shembulli më i thjeshtë për t’u kuptuar, “ulim sigurimet, rrisim pensionet”, që inshallah ta hanë edhe pensionistët, edhe të punësuarit e pastaj, punë e madhe, le të mbeten të dyja palët me gisht në gojë e le të marrin tramvajin e Tiranës.

Ne i duam votat për të vazhduar ndërtimin e rrugës së re të së ardhmes për të gjithë shqiptarët, të rrugës së re të hapur në ekonomi, shëndetësi, arsim, bujqësi, shërbime publike e me radhë. Ata kanë zgjedhur të njëjtën rrugë të vjetër të joshjes elektorale, me premtime “kap ça të kapësh” në votime.

Sot dua që së bashku me tre bashkëpunëtorë dhe kolegë t’u themi çfarë do të bëjmë konkretisht për taksat e për pagat. Unë dua të fokusohem te hapat konkretë për taksat dhe pagat.

Juve dëgjoni, gjykoni dhe vendosni.

Por ama kijeni mirë parasysh, se tonat janë masa të studiuara dhe të planifikuara për t'u zbatuar nga qeveria ime, ndërsa të tyret janë premtime të lëshuara për t'i marrë era e vjeshtës së parë në qeverisjen e Lulit, Saliut, Ilirit, Monikës, Idrizit, Dashit, Mediut, Dules, Dukës, Nard Ndokës, Palokës,  dhe tërë çufove e bubave kaçurrelë që janë mbledhur nën atë çadër cirku, ku nuk mungon deri edhe Marku dhe Gjekmarku.

Sot, ne e kemi pagën minimale 300 mijë lekë, 50% më shumë sesa ishte kur morëm detyrën. Është më shumë seç ishte sigurisht, por natyrisht nuk mjafton. Plani ynë është që ta rrisim atë çdo vit dhe të arrijmë padiskutim në 380 mijë, por duke synuar 400 mijë në mbyllje të mandatit të tretë. Ata thonë do ta çojnë 360 mijë, ka shumë mundësi që deri në 25 prill ta rrisin 420 mijë. Fundja, ata nuk kanë një plan për të qeverisur, po thjesht kanë një menu për t'i sajdisur për vota kë të munden.

Ne jo vetëm do të synojmë pagën minimale 400 mijë lekë, pra, 400 dollarë në muaj në fund të mandatit të tretë, po duke nisur nga 1 janari 2022, ne do të heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lek për sektorin publik dhe privat. Ky është planifikim financiar, jo premtim elektoral.

Duke nisur nga viti i ardhshëm, 63% e të punësuarve në Shqipëri, që marrin sot nga 300 deri në 400 mijë lekë, nuk do të kenë taksë mbi pagën. Të gjitha do t’i çojnë në shtëpi, natyrisht sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të duhen t’i paguajnë të gjithë, sepse ato nuk janë për shtetin, ato janë për të siguruar pensionin dhe shëndetin e secilit.

Ne e dimë shumë mirë se ka një kategori më të lartë të punësuarish, të cilët, për shkak të punës së kualifikuar që bëjnë, marrin mbi 1.5 milionë lekë në muaj dhe hyjnë në fashën e lartë të taksimit progresiv, 23% Tatim mbi pagën. Ne do ta shtyjmë më lart këtë fashë taksimi dhe do ta ulim Tatim-fitimin për të gjithë ata që marrin deri në 2.5 milionë në muaj. Është një masë e kërkuar me të drejtë nga një kategori punonjësish të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar, por që tanimë është e mundur. Më parë nuk ishte e mundur.

Kjo masë do të hyjë në fuqi në 1 janar 2022.

E kemi rritur pagën mesatare të të gjithë punonjësve të administratës në Shqipëri nga 580 mijë në 720 mijë lekë. Do ta rrisim më tej në mandatin e tretë: 850 mijë lekë në muaj.

Por përpara se t'ju them sa do të rriten pagat, pasi të marrim besimin tuaj në 25 prill, dua të ndalem tek rikthimi në skenë, rizbritja në fushë, bashkë me skuadrën e koalicionit të KÇK-së, e një fantazme kërcënuese për të gjithë ata që marrin më shumë se 300 mijë lekë dhe më pak se 1.2 milionë, Taksa e Sheshtë. Taksa e Sheshtë është rreziku më konkret, më i afërt për secilin e secilën prej atyre që punojnë në shtet apo në privat dhe që janë në këtë fashë nën 1.2 milionë.

Sepse me Taksën e Sheshtë 9%, të propozuar nga KÇK-ja, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 1.2 milionë do të duhet të paguajnë për shtetin më shumë seç duhet të paguajnë sot nga paga e tyre, falë taksimit progresiv që kush fiton më pak, paguan më pak.

Dëgjojeni një shifër lemeritëse për çfarë ju ka bërë në të shkuarën Taksa e Sheshtë, e këtyre që duan të rikthehen, atyre që paguhen më pak se 1.2 milionë dhe sidomos atyre që paguhen midis 400- 800 mijë lekë.

Kur ne e shporrëm Taksën e Sheshtë dhe vendosëm taksimin progresiv, hapëm një kapitull të ri për të ardhurat personale të 97% të të punësuarve, të cilëve, në total, u kemi lënë në xhep 12.5 miliardë lekë çdo vit. Lekë që me Taksën e Sheshtë ua merrte qeveria e mëparshme nga paga e tyre. Thënë ndryshe, në tetë vjet janë 100 miliardë, pra, 1 miliardë dollarë që nuk i ka mbledhur shteti nga viti 2014, por i ka lënë në xhepin e çdo të punësuari në Shqipëri, duke i lënë në  tryezën e çdo familjeje shqiptare.

Le ta marrin e ta bëjnë vetë një llogari të thjeshtë, të gjithë ata që janë punësuar para vitit 2013, mësues, infermierë, policë, punonjës të administratës apo kamarierë, kuzhinierë, shoferë, shitës e me radhë, të tërë ata që e kanë pasur pagën nën 1.2 milionë lekë në muaj. Le ta shohin në llogaritë e tyre familjare sesa i linin shtetit çdo muaj atëherë nga paga dhe sa i lenë qysh prej vitit 2014 e këtej!

E vijnë këta tani e u thonë Shqipëria fiton po na dhatë votën, prandaj ju do na jepni 9% taksë nga paga juaj. Ndërkohë, dëgjojeni pak, më të pasurve apo siç i quajnë këta, oligarkëve, që medemek do t'u bëjnë gjëmën, nuk do t'u marrin më sipas menusë së tyre 15%, siç u marrim ne sot, po do t'u marrin njësoj si atyre që paguhen shumë më pak dhe fitojnë shumë më pak e fitojnë shumë më pak, sepse kjo është taksa e sheshtë. Vënë në të njëjtën barrë fiskale edhe më të dobëtit, ata që fitojnë më pak, edhe më të fortët, ata që fitojnë më shumë. Problemi është se juve dhe të gjithë atyre që fitojnë më pak, ky 9% i barabartë u merr më shumë pasi për dikë që fiton 500 e 600 mijë lekë, 9% janë shumë, ndërsa për dikë që fiton miliona 9% nuk ndjehen fare kur shkon të blesh ushqime apo kur duhet të paguash për nevoja të tjera familjare.

Kur sfida është si t'u fusim sa më shumë lekë në xhep shumicës së shqiptarëve, ndërkohë që atij 3%-shit që fiton ku e ku më shumë, këta duan t'i lënë në xhep një dynja me lekë, të cilat taksa progresive ka 7 vjet që ua merr për shtetin!

Po si ka mundësi, që në këto kohë kaq të vështira për popullin që punon e sakrifikon, edhe në kushtet e shtrëngesave të tepërta të pandemisë, këta kanë guximin të thonë Shqipëria fiton duke ulur nga 15% në 9% taksën e fitimeve të pikërisht atyre, të cilët kanë 7 vjet e kusur që mua m'i kanë hedhur mua në kurriz duke i përdorur si gjyle balte mbi fytyrën time dhe duke i gjuajtur me topat e shpifjeve të akuzave, mbi flamurin e Partisë Socialiste.

Po si mund të tallen këta deri në këtë pikë me të gjithë ju o njerëz të mirë që punoni, që fitoni me punë të ndershme e që atë pagë e çoni në familje, duke numëruar çdo qindarkë, mbi të gjitha, si mund të tallen deri në fund me ata të verbuar e të shurdhuar politikisht, që i kanë sytë e veshët top, po e kanë mendjen tapë nga tifozllëku partiak dhe i votojnë akoma, megjithëse këta janë gati që, pa pikën e turpit t'u fusin duart më thellë në xhep, duke lënë nga ana tjetër në xhepin e pikërisht atyre që me llafe i kanë bërë copash si shokët e mi oligarkë, më shumë se gjysmë miliardë dollarë në katër vjet!

Pra unë, shoku i tyre, i oligarkëve domethënë, u kam marrë në këto dy mandate mbi 1 miliardë dollarë taksa më shumë se ç’u merrnin këta, e këta më ngritën e më ulën, për vite me radhë shërbëtor tyre, kurse tani na del që unë shërbëtori nuk kam për t'ua ulur taksën 15% as në mandatin e tretë, ndërsa këta Robin Hudët që do çlironin popullin prej tyre, do t'ua ulin e do t’ua bëjnë 9%!

Si furra e bukës, si zinxhiri i ndërmarrjes së oligarkut, 9%! Si shitësi, si kamarieri, kuzhinieri, shoferi, si ai që numëron dhe nuk arrin t’i numërojë deri në fund se lodhet, 9%!

A e dini sa kanë paguar 100 bizneset më të mëdha për shtetin gjatë qeverisjes sonë, falë heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksës progresive? 460% më shumë nga sa paguan kur në qeveri ishin këta që duan të rikthehen, me taksën e tyre të sheshtë. Bjerini pak lapsit, aritmetikë e thjeshtë: Nga viti 2006 deri në 2013, pra janë 7 vjet, falë taksës së sheshtë 10% ata kontribuuan për shtetin me vetëm 86 milionë USD, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2019, pra në një kohë më të shkurtër, ata i paguan shtetit 481 milionë USD! Tani vjen dhëndri i Saliut e Ilirit, me qesen e Monikës e me taborrin e uritur të krushqve dhe me rikthimin e taksës së sheshtë, premton dhe në fakt u fal 200 milionë USD nga arka e shtetit, pastaj kismet si ndahet ky 200 milionë USD që në një mandat avullon për të ndikuar mes tyre e pushtetit në vend se të shkojë për investime publike e për rritje pagash në shërbim të popullit!

O njerëz, a do ta kuptoni apo s'do ta kuptoni dhe kur do ta kuptoni, e kam me të gjithë ata që ende u venë atyre pas, që këta nuk janë as për ju, as për Shqipërinë, por janë vetëm për xhepin e për rrethin e tyre, siç kanë qenë gjithmonë, sa herë që u ka rënë Shqipëria në dorë dhe e kanë çuar për lesh dhie!

Nejse, kush do që të përfundojë si pulat e Gon Dukës, që rriten me dritë artificiale dhe përfundojnë për mish tavoline, le të rrijë pakicë me pakicën, sepse ne do të vazhdojmë të jemi me shumicën e për shumicën. Për atë shumicë që çon pagën e një pune të lodhshme në shtëpi, e jo për një pakicë që ka dy, tre e pesë shtëpi për t'u shlodhur.

Në këto dy mandate ne i ulëm taksat mbi pagën dhe e rritëm pagën e mjekëve e të infermierëve në spitale, 63%; të infermierëve e laborantëve në qendrat shëndetësore 68% mjekëve të parësorit 57%; të mësuesve 32% e të punonjësve të Policisë së Shtetit 46%.

Jam unë i pari, jo mjekët e infermierët, as mësuesit e policët, që e di që megjithatë nuk mjafton dhe prandaj, në mandatin e tretë, pagat e mësuesve do të rriten edhe 40% më shumë, e po ashtu dhe po ashtu, 40% më shumë do rriten dhe ato të bluzave të bardha, që kanë njohur në fakt rritjen më të lartë historike në këtë mandat të dytë të Partisë Socialiste.

30% do të rriten edhe pagat e punonjësve të administratës publike, ndërkohë që pagat e qeveritarëve e të parlamentarëve, as janë rritur qysh nga viti 2013 dhe as do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025.

Po ashtu taksa për 100 mijë biznese të vogla, ku janë të punësuar sot 150 mijë shqiptarë do të mbetet zero me Partinë Socialiste deri në vitin 2029. Bizneseve të vogla që deri në vitin 2013 paguanin taksë të sheshtë 10%, me përgjysmimin e taksës qysh ditën e parë të qeverisjes sonë, u kemi kursyer plot 200 milionë dollarë, të cilat më parë i merrte shteti. Sot kur fantazma e taksës së sheshtë është rishfaqur, u them atyre të bëjnë kujdes shumë në 25 prill, pavarësisht premtimit andej nga tramvaji, për t'ua bërë taksën 0.5% apo 1% apo siç thonë ndonjëherë, 1.5% ndërkohë që sot e kanë zero! Të kenë shumë kujdes sepse e para kjo është krejt e pasigurtë, por e dyta, mos e harroni që për ata quheshe biznes i vogël deri në 80 mijë USD xhiro në vit, e jo deri në 140 mijë USD xhiro si sot. Pa harruar dhe TVSH-në që sot e keni zero deri në 100 mijë USD! Rrini drejtë e na mbështesni në rrugën e re që kemi hapur për ju, me zero taksë, se rruga e tyre e vjetër, që ka gjarpëruar gjithnjë e ju ka çuar për dreq katër herë, sepse jeni pikërisht ata që fitoni më pak, kurse këta janë ata që juve ju marrin më shumë ndërkohë që më pak u marrin atyre që fitojnë më shumë, nuk ka mundësi që këtë herë t’u dalë për mirë sepse prapë për dreq do dalë nëse ju dilni nga rruga e re.

Po kur thonë mbaruan, u mbyllën, falimentuan bizneset e vogla, që në 2013 në librin e tatimeve ishin 33 mijë, sot janë 98 800. Para 7 vjetësh të punësuarit në bizneset e vogla ishin 52 mijë, sot janë 152 mijë!

Asgjë nuk është rozë, absolutisht. Jemi vetëm në mes të një rruge që vazhdon dhe të një pune që duhet me patjetër të vazhdojë.

Unë e di shumë mirë se nuk mjafton më vetëm të hapim vende të reja pune, po duhet të krijojmë shumë më shumë vende pune me paga më të larta në sektorin privat dhe do ta bëjmë, duke çuar përpara projektet e reja në turizëm, në shërbimet digjitale, në prodhimin “Made in Albania” e me radhë. Duhet ta bëjmë duke përmirësuar më tutje klimën e biznesit dhe rritur investimet e huaja që krijojnë zinxhir vlere, e do ta bëjmë. Duhet ta bëjmë duke fuqizuar më tutje arsimin profesional, e do ta bëjmë. Duhet dhe do ta bëjmë së bashku, me punë, këmbëngulje e durim të madh të gjithë këtë transformim. Shqipëria duhet e do të bëhet e ardhmja jonë. Kjo dekadë duhet e do të jetë dekada e përfundimit të një kthese të madhe, historike, që ka filluar e që nuk duhet assesi të ndërpritet.

Ne kemi vizionin, ne kemi planin, ne kemi eksperiencën, ne kemi rininë në skuadër dhe kemi skuadrën që na duhet, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Me durim, me durim, me durim. Me kurajo, me kurajo, me kurajo e padiskutim, me besim e me bashkim, për Shqipërinë, jo për partinë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm