Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › PS po hyn në një fazë të re në nivel drejtimi dhe organizimi

Të reja

PS po hyn në një fazë të re në nivel drejtimi dhe organizimi

16 May 2022    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri:

  • Zgjedhjet e reja në Partinë Socialiste -

Mirëmbrëma të gjithëve,

Siç edhe të gjithë jeni njoftuar, ky proces ka filluar të bëhet publik, Partia Socialiste po hyn në një fazë shumë të rëndësishme, fazën e ripërtëritjes së saj përsa i përket nivelit të drejtimit dhe organizimit, pikërisht në një moment të rëndësishëm të Shqipërisë.

Unë e kam thënë edhe më parë, jemi në mandatin e tretë, jemi shumë të avantazhuar, kemi shumë suksese por patjetër Partia Socialiste ka nevojë për ripërtëritje dhe vëmendje të shtuar.

Betejat që na presin nuk janë të lehta.  Përpara kemi zgjedhjet vendore. Partia duhet të jetë platforma e shëndoshë edhe për përmirësimin e qeverisjes edhe për përmirësimin e jetës politike shqiptare! Përsë?! Sepse Partia Socialiste e ka treguar veten që ka në themel demokracinë dhe do vazhdojë të jetë e tillë.

Ky proces i filluar, një risi përsa i përket të drejtës së çdo anëtari për të vetëkonkuruar, nuk është më si më parë kur Asambletë e mbyllura apo grupime të caktuara, që natyrshëm formohen në çdo forcë politike, diktonin 1 apo 2 kandidatë të preferuar duke u hequr mundësinë shumë talenteve, njerëz që kanë kurajo për t’u bërë pjesë e lidershipit të Partisë Socialiste.

Ky proces bëhet për të zbuluar lidershipin e ardhshëm në të gjitha drejtimet.

Unë dua të inkurajoj çdokënd që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe brenda datës 25 maj, qoftë nëpërmjet forumeve, që janë të hapura, qoftë me vetëofrim me një deklarim të thjeshtë në e-mailin e Partisë Socialiste në qendër apo në strukturat vendore, të shprehë dëshirën e tij dhe të paraqesë para anëtarësisë platformën e tij që mendon se është më e vlefshme për organizatën që do drejtojë.

Këtë proces e kemi organizuar në një mënyrë të tillë që të gjithë ata që do kenë kurajon të marrin përsipër të drejtojnë Partinë Socialiste duhet të komunikojnë me Asambletë përkatëse për të shpalosur të gjitha idetë dhe mënyrën sesi mendojnë ata ta drejtojnë më mirë Partinë Socialiste.

 

Prandaj kërkoj pjesëmarrje të shumë të të gjithë atyre që mendojnë se e bëjnë këtë punë.

Krahas kësaj kemi dhe procesin e zgjedhjes së Sekretarëve Ekzekutiv. Ky post nuk është thjesht nocion i një njeriu që do mbajë disa letra por është një strukturë e rëndësishme e asaj që përbën skeletin e nevojshëm organizativ dhe administrativ të një partie. Një organizatë e tillë ka patjetër vullnetin, energjinë por mbi të gjitha strukturën. Unë mendoj se ky është një momenti i mirë për shumë njerëz që e ndjejnë se e bëjnë këtë punë ta marrin përsipër këtë detyrë për ta kthyer Partinë Socialiste në strukturën më të organizuar që i qëndron kohës dhe që vetërigjenerohet nga Brenda.

Mendoj se procesi është shumë i hapur. Ne nuk duam të bëjmë zgjedhje si ai që bërtiste nga 300 bëjë 500 por duam një proces që ndërton vlera. Nuk duam thjeshtë disa emra për ti hedhur në një fletë votimi por duam njerëz që kanë kurajo dhe që me personalitetin e tyre të marrin përsipër këtë detyrë dhe ta çojnë përpara këtë proces.   

Prandaj, krahas Erionit si drejtues politik Qarku dhe si drejtues i Partisë së Bashkisë Tiranë, janë të gjitha partitë e Qarkut Tiranë që do ti nënshtrohen këtij procesi. U bëj edhe njëherë thirrje, mos dëgjoni njerëz që u thonë procesi është i mbyllur, kushdo që e ndjen ta marrë përsipër dhe të evidentohet në këtë proces dua ta inkurajoni ta marrë përsipër.

 

Nga ana tjetër, për Tiranën, unë mendoj që Tirana duhet të jetë e para që duhet të fillojë procesin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të partisë në këtë mënyrë brenda qershorit.

Tirana e ka mundësinë edhe më shpejt që të fillojë procesi i përzgjedhjes në të gjithë njësitë administrative.

Unë patjetër që do jap instruksionet e nevojshme si Sekretar i Përgjithshëm për ta normuar këtë proces. Mendoj se Tirana i ka të gjitha mundësitë sepse jam i bindur që Erioni si Drejtues Politik dhe deputetët përkatës duhet të inkurajojë sa më shumë individë që mendojnë se duan ta drejtojnë Partinë Socialiste.

Unë nuk dua të zgjatem më tej por dua të bëj edhe një herë thirrje: procesi është i hapur, konkurohet me vlera, me njerëz që dinë të artikulojnë, njerëz që e marrin përsipër dhe dalin përpara anëtarësisë dhe thonë se çfarë do të bëjnë. Jo thjesht të vënë ca emra aty siç ka ndodhur apo ndodh në partitë e tjera.

Unë ju falenderoj shumë.

Nga informacionet e Grupit të Punës që do e ndjekë këtë proces, procesi është pritur mirë në të gjithë Shqipërinë. Përkundër asaj që mendonin disa se do kishte kundërshtime. Ka pasur mirëpritje dhe është ndjerë çlirimi i energjive nga shumë anëtarë që e ndjejnë veten për tu evidentuar. Tani e kanë mundësinë që energjitë ti çlirojnë dhe ka shumë njerëz që e ndjejnë veten të aftë të marrin përsipër dhe ta drejtojnë këtë forcë politike.

Ju inkurajoj sa më shumë, merreni përsipër, këtu do përcaktohet lidershipi i gjeneratës tjetër.

Faleminderit shumë!

 

********************************************************************

Fjala e drejtuesit Politik të Qarkut Tiranë, Erion Veliaj:

Sapo jam kthyer nga Neë York-u, ju sjell të fala dhe të gjithë përshëndetjet e një komuniteti të jashtëzakonshëm në Neë York. Në një periudhë prej shumë pak javësh ne kemi pasur një Rrugë 'Fan Noli' dhe një Rrugë 'Gjergj Kastriot Skënderbeu' një vlerësim i jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar. Takova shumë socialistë, takova shumë familjarë tuajët. Ishte një mënyrë reflektimi për të kuptuar pak sesi ndonjëherë kombet nuk maten me metër katëror apo me popullsi apo GDP. Ndonjëherë madhësia e një kombi është sa madhësia e ideve që ka. Qartazi për një komunitet të vogël shikoja që kryetari i Bashkisë së Neë York-ut dhe shumë personalitete na bëjnë të reflektojmë për mësime që ndoshta janë të vjetra por që vlejnë ende sot. Ai tregimi i famshëm i fëmijërisë sonë kur të gjithë mësonim se: kur Gjergji i thoshte Gjonit që ti thyejë thuprat një nga një ai i thyente kollaj, por kur Gjergji i thoshte Gjonit që nëse thuprat i bën bashkë nuk ke fuqi të ti thyesh. Bashkimi bën fuqinë. Ne socialistët kemi treguar se kur jemi bashkë, kur jemi të fokusuar, kur kemi disiplinë, kur dimë të kapim afatet, kur secili bën detyrën e vet: ne me drejtimin e Edi Ramës dhe organizimin tonë jemi forca më e pathyeshme, më fitimtare, më solide në republikën e Shqipërisë. 


Të gjithë presin që Shqipëria të performojë më mirë, Shqipëria të ngrihet më lart, Shqipëria të transformohet, por koncepti i kombit është një koncept abstrakt. Kombi ka një qeveri, qeveria vendoset nga zgjedhjet, zgjedhjet janë një garë mes partish dhe e thënë më shkurt: fati i këtij kombi, varet nga fati i kësaj partie, mënyra si qeveris, si organizohet, si i fiton betejat dhe si i bashkon njerëzit Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndaj, edhe sot në këtë takim të parë, ku secili prej nesh do të duhet që të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, formula është shumë e qartë. Aty ku secili prej nesh e bën me këtë përgjgjësi pjesën e vet, atëherë e gjithë panorama e madhe e një Partie Socialiste fitimtare dhe të vendosur është kartolina jonë e fitores.

Ndaj ju uroj të gjithëve shumë suksese, shumë punë të mbarë! 

Ne patëm një vit që prapë ishte vit elektoral. Ne kemi një betejë çdo 2 vite. Një herë është beteja për Parlamentin, pastaj është beteja për bashkitë, por këtë vit ne patëm 2 beteja të parakohshme, që ishin betejat në Vorë dhe në Rrogozhinë, fatmirësisht me një sukses të jashtëzakonshëm, me mbi 60%, thuajse 70% në këto njësi. Por unë do të thoja se fillimi i vetëpëlqyeshmërisë është problem dhe nëse ne mendojmë që jemi të pathyeshëm dhe s’kemi kundërshtarë, do të thotë se nënvlerësojmë të gjithë ato që po ndodhin në shoqërinë tonë dhe të gjitha shqetësimet. Unë besoj se kjo fitore nuk është kompliment për faktin se ishim në kushte të jashtëzakonshme, me një opozitë jo në formën e vet më të mirë dhe besoj që strategjia jonë fituese nuk ka qenë llogaria e një opozite të përçarë. Strategjia jonë fituese ka qenë llogaria e punës sonë. Ne gjithmonë kemi bërë llogarinë tonë, ne gjithmonë kemi bërë patronazhimin tonë, gjithmonë kemi bërë listat tona, gjithmonë kemi bërë fushatën tonë.

Se çfarë bën kundërshtari është komplet tjetër gjë. Ndaj unë besoj që formula mbetetet e njëjta. Ne bëjmë punën tonë, bëjmë llogaritë tona, bëjmë dedikimin tonë ndaj fushatës dhe ndaj këtij organizimi. Besoj se për madhësinë që ka Tirana gjasat janë që çdo njësi e Tiranës do trajtohet me të njëjtën formulë siç trajtohet fjala vjen Bashkia Pogradec, Bashkia Lushnje apo Kukës sepse çdo njësi e Tiranës është më e madhe sesa disa prej këtyre Bashkive.

Ne do ta përkthejmë të gjithë atë vendimmarrje të Kongresit, Asamblesë dhe Kryesisë në një garë për çdo njësi a thua se është një bashki më vete për tu siguruar që më të mirët tanë, më të dedikuarit tanë dhe organizatorët më të disiplinuar që kemi të jenë në krye të formatimit të Partisë Socialiste dhe në krye të betejës së radhës për ti shërbyer këtij qyteti, këtij Qarku dhe 5 Bashkive që e formojnë atë. 

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm