Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prezantimi i kryesuesve të listave për çdo qark në zgjedhjet e 25 prillit

Të reja

Prezantimi i kryesuesve të listave për çdo qark në zgjedhjet e 25 prillit

08 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama gjatë prezantimit të kryesuesve të listave për çdo qark në zgjedhjet e 25 prillit:

Dua ta nis me një falenderim aspak formal dhe shumë të ndjerë në këtë 8 mars që ne Selinë e Partisë Socialiste ka patur një emocion të veçantë.

Së bashku me koleget deputete dhe kandidate për deputete të Tiranës, të cilave si për çdo tetë mars ju kam uruar këtë ditë të shënuar për pjesën më të mirë të kësaj bote dhe patjetër pjesën më të mirë të shoqërisë sonë po ashtu, që janë gratë, vajzat, nënat, gjyshet  dhe motrat, - kemi ndarë një moment të veçantë me dy prej tyre Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, të cilat u tërhoqën nga jeta parlamentare me një klas të lartë, jo thjeshtë duke bërë një gjest, por duke dhënë një leksion të bukur urtësie dhe ndjeshmërie ndaj familjes sonë politike.

Të dyja profesoret e nderuara si dhe aktiviste të respektuara të shoqërisë civile u angazhuan në skuadrën tonë kombëtare 12 vjet më parë me ftesën time dhe sot pas 12 vitesh ato vendosën që ta vazhdojnë bashkëjetesën në këtë familje të madhe pa qene pjesë e skuadrës sonë kombëtare.

Tina dhe Vasilika hynë në një kategori të veçantë shumë fisnike të politikës, ku jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj, por në kategorinë e personaliteteve të politikës ka dhe nga ato që zhurmën e kanë shumë të madhe, por punën e kanë zero dhe duke mos bërë kurrë asnjë zhurmë mund të kalojnë dhe pa u vënë re në ekranin e zhurmshëm të jetës politike nga publiku i gjerë dhe nga mediat po se po, por gjurmët që kjo kategori lë pas, janë në ligjet dhe në projektet, të cilat e çojnë shoqërinë përpara, si dhe në mbresat e atyre që kanë fatin të njohin, punojmë me ta dhe të komunikojnë me ta.

Vasilika dhe Tina kanë dorë në plot akte legjislative të Kuvendit, në programe dhe nisma të Partisë Socialiste të dobishme sidomos në mbështetje të grave dhe të fëmijve. Janë një numër i gjatë në këtë 12 vjeçar gjërat me të cilat njëra dhe tjetra kanë kontribuar në vijë të parë, që nga reforma në drejtësi tek reforma e planifikimit dhe organizimit të territorit, që nga nismat për kuotat gjinore të përfaqësimit tek ligjet për fuqizimin e grave, të minoriteteve, paketat kundër diskriminimit seksual dhe dhunës ndaj gruas dhe plot të tjera. Nëse do të duhej të flisja për punën dhe angazhimin e  tyre në dobi të qëllimeve të përbashkëta të kësaj familje të madhe, faktikisht sot do të mbeteshim pa e nxjerrë formacionin e skuadrës kombëtare të 25 prillit.

Kështu që, do të ndalem këtu, duke  ju thënë dhe njëherë publikisht në sy të të gjithëve faleminderit nga zemra!

Një mijë herë faleminderit për vlerën e shtuar që krijuan në këtë familje, për papërtueshmërinë e tyre të jashtëzakonshme, për urtësinë e propozimeve dhe të argumenteve të tyre në çdo debat që janë përfshirë, si dhe për angazhimin shembullor në anëtarësinë  dhe me komunitetin në zonat që kanë mbuluar në cilësinë e deputeteve të PS.

Faleminderit dhe personalisht për energjinë e veçantë pozitive që ato kanë përçuar në çdo fjali që kanë përdorur për të arsyetuar tërheqjen nga jeta parlamentare duke nënvizuar se do të vazhdojnë të kontribuojnë vullnetarisht në këtë fushatë dhe në vazhdim si pjesëtare të kësaj familje me ekspertizën dhe pasionin e tyre për temat e dashura për to dhe aq të rëndësishme për shoqërinë dhe ekuilibrat social të vendit tonë.

Siç e dini, ne sot do të zyrtarizojme në kryesinë e partisë përmes një formati hibrid nga koha që kalojmë pjesërisht në tryezë dhe pjesërisht në zoom formacionin e skuadrës tonë kombëtare për ndeshjen e 25 prillit.

Dua të ndaj paraprakisht me publikun disa fjalë për procesin dhe objektivat tona. PS ka lindur nga vullneti i posaçëm i vetëndryshimit dhe vetëndryshimi është në ADN-në e kësaj familje të madhe politike. Vetëndryshimi është pika e parë në manualin e PS të cilën e kishte si pikë referimi Fatos Nano më parë dhe unë jam përpjekur ta forcoj dhe ta gdhend në vetëdijen e kësaj partie me bindjen se kjo fuqia e vetëndryshimit është një nga fuqitë kryesore që e bëjnë PS të paplakshme dhe të pankokurrueshme në arenën politike të Shqipërisë. Kësaj fuqie i dedikohet në radhë të parë fakti që ne jemi sot e gjithë ditën në krye të konkurrencës politike dhe mbetemi alternativa më e pëlqyer e shqiptarëve pavarësisht se as nuk jemi pa të meta, as nuk jemi pa gabime, as nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka dhe pikërisht askush më mirë se ne nuk di të vetëndryshojë.

Për të ardhur deri këtu në këtë moment përfundimtar të seleksionimit të lojtarëve që do të hynë në fushën e 25 prillit, ne kemi vendosur prej kohësh piketat e procesit të seleksionimit dhe ndryshe nga herët e tjera ne kemi integruar në këtë proces edhe një mekanizëm të ri përthithje të lojtarëve më të rinj, platformën dixhitale “Deputeti që duam”, e cila ka patur një shprehje prekëse interesi nga të rinj dhe të reja 1500 dhe prej të cilës ne kemi mundur të mësojmë shumë lidhur me kapacitetet e mundshme në dispozicion. Krejt ky proces ka patur si bosht të vetin natyrisht udhëheqësit politikë të qarqeve dhe është bazuar në një hulumtim gradual të kapaciteteve në dispozicion të cilat jemi munduar t’i shtojmë për ta patur një fushë zgjedhjeje me sa më shumë lojtarë të mundshëm në momentin e  përzgjedhjes. Bazuar po ashtu në një hulumtim të vëmendshëm të pritshmërive të publikut, të cilat jemi munduar t’i analizojmë me shumë mënyra, natyrisht me kontaktet e vazhdueshme në terren me interesimin e vazhdueshmë në komunitete dhe grupe interesi, por dhe duke u mbështetur tek anketimet e bëra qoftë edhe brenda partisë, qoftë në shkallë kombëtare apo në shkallë qarqesh, të cilat i kemi bërë në mënyrë të përmuajshme, flas për anketimet në shkallë kombëtare dhe në shkallë qarqesh.

Po ashtu natyrisht në gjithë formimin e kesaj skuadre ne kemi patur në vëmendje karakteristikat e kundërshtarëve, qasjen e tyre ndaj problemeve dhe po ashtu ballafaqimin analitik mes lojtarëve.

Pa diskutim mbase juve ju surprizon, por një pjesë e rëndësishme në këtë proces ka qenë mbledhja dhe analiza e gjykimeve apo paragjykimeve mediatike ndaj nesh  duke ndjekur me vëmendje të veçantë edhe rrjetet sociale

Sigurisht që vetë dinamika e zhvillimeve sociale dhe politike në kohë, është shumë e rëndësishme por në fund jo për nga rëndësia, udhërrëfyes për ne kanë qenë objektivat dhe mbi bazë të gjithë këtyre që thashë, ne kemi përcaktuar objektiva për çdo qark dhe nivel kombëtar.

Skuadra e re do të jetë mishërim i një përpjekjeje të sinqertë për të harmonizuar eksperiencën që është një burim shumë i pasur dije dhe aftësie qeverisëse e Partisë Socialiste me energjitë e reja. Burimet e brendshme njerëzore me prurje të reja të cilat besoj që rrezonojnë mirë me nevojën e publikut, qoftë për të ashtuquajturat “fytyra të reja” por pa harruar që ne nuk jemi këtu thjesht që të fitojmë zgjedhjet dhe pastaj shohim e bëjmë sepse ne jemi forca që qeveris dhe që do të qeverisë.

E pra ne, duhet të vazhdojmë e të garantojmë suksesin e betejave tona për Shqipërinë, që do të thotë që ne nuk na lejohet që të bëjmë skuadra dhe programe elektorale sa për të marrë votat, kap çfarë të kapësh, ta hajë kush ta hajë pasi ne kemi detyrimin të jemi shumë të qartë, të jemi konkret e të garantojmë rezultatet e duhura në vazhdimësinë e qeverisjes me një skuadër të fortë në zgjedhje e me një skuadër të fortë ne qeverisje. Me një program të mirë për tu dëgjuar gjatë fushatës por me një program të mirë për tu zbatuar gjatë ushtrimit të mandatit të tretë.

Skuadrat përbërëse të çdo qarku janë produkt i propozimeve të drejtuesve të qarqeve, ashtu si dhe më parë por këtë herë, procesi ka qenë ende më i strukturuar, bazuar në disa mësime të nxjerra nga herët e tjera. Unë vetë jam njohur dje dhe sot me draftet e formacioneve të secilit qark për të cilat kam ndihmuar gjatë procesit me disa propozime për kandidate dhe kandidatë të rinj që jo në të gjitha rastet janë përfshirë sepse drejtuesit përkatës të qarqeve përkatës kanë bërë hulumtimet e tyre dhe kanë sjellë argumenta bindës pse nuk duhen përfshirë si dhe kam koordinuar konsensusin për pak lëvizje që do të bëjmë nga qarku në qark, në funksion të kërkesës së ndonjërit për të plotësuar më mirë profilin e skuadrës bazuar në karakteristikat e territorit dhe në karakteristikat e individëve dhe sigurisht duke ndjekur dhe me shumë vëmendje përmes fokus grupeve të organizuara intensivisht në çdo qark edhe pritshmërinë e publikut apo konstatimet e publikut për individët.

Tani, çfarë është e imja në këtë, e kam parë që është thënë në disa raste ga ju nëpër disa media, ka të bëjë me propozimin që këtë herë koncepti tradicional i rreshtimit në lista duhet të përmbyset. Domethënë është krejt e pakuptimtë që udhëheqja të rrijë në krye, në vendet e para të listave, që në fakt nuk është të rrish në krye të betejës sepse vendet e para të listave ne i kemi trajtuar dhe kështu e kemi mësuar dhe publikun si ballina të imazhit të skuadrës, janë, është e vërtetë. Vendet e para të listave patjetër që janë një pasqyrë ku mund të shohësh një pjesë jo të vogël të kredos dhe të materialit që ka skuadra. Vendet e para të listave janë të rëndësishme edhe për të prezantuar një pozicion në raport me publikun dhe pikërisht për këtë të fundit por edhe sepse nuk janë vija e parë e luftës për objektivin, vendet e para në çdo listë ju duhen lënë të rinjve, përgjithësisht. U duhen lënë të rinjve u duhen lënë grave, u duhen lënë vajzave që nuk janë enturazh në partinë socialiste por janë aktorë të rëndësishëm të të gjithë procesit tonë e nga ana tjetër, patjetër që fuqizimi i mëtejshëm i grave dhe i vajzave është një konstante e vizionit tim për këtë vend dhe e vizionit të Partisë Socialiste për përfaqësimin në këtë vend.

Unë mendoj që është e rëndësishme të ndalem këtu për të sqaruar këtë mesazh, se unë nuk e kuptoj për shembull, çfarë kuptimi ka që unë të jem në vendin e parë të listës në Durrës, në vendin e parë të listës në Vlorë. Unë do vendosem aty ku është objektivi bazë e bashkë me gjithë skuadrën do luftojmë për të realizuar objektivin bazë dhe për të kapur objektivin maksimal. Jo po ti je udhëheqësi i partisë, ti bën fushatë kudo, prandaj ti duhet të jesh i pari këtu, i pari atje dhe bëj lirisht fushatë. Por në fakt jo, pikërisht pse unë jam udhëheqësi i partisë kam detyrën ti bëj të dyja, se nëse nuk do bëja më shumë se sa të tjerët, nuk do meritoja të rrija në këtë vend e nuk mund ti them udhëheqësve të qarqeve ju shkoni luftoni në kufirin poshtë, e unë po ju shoh nga lart.

Tani, dua t’ju bëj një prezantim shumë të shkurtër të objektivave bazë e të objektivave maksimalë të skuadrës sonë qark për qark, duke parathënë që objektivi ynë minimal është që rezultati që kemi arritur me numrin e deputeteve dhe deputetëve në parlament në 2017 të mos bjerë, ky është minimal.

Objektivat bazë tani do ti nxjerrë qark për qark, për të pasur të qartë pastaj edhe vendosjen në pozicion.

Në Shkodër, objektivi bazë është 4, objektivi maksimal është 5.

Në Kukës objektivi bazë dhe maksimal është 2.

Në Lezhë objektivi bazë është 3, objektivi maksimal është 4.

Në Dibër, objektivi bazë dhe maksimal është 3.

Në Durrës, objektivi bazë ëhstë 8, objektivi maksimal është 9.

Në Tiranë, objektivi bazë është 19, objektivi maksimal është 20.

Në Elbasan objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9.

Në Fier objektivi bazë është 10, objektivi maksimal është 11.

Në Berat objektivi bazë është 5, objektivi maksimal është 6.

Në Korçë objektivi bazë është 6, objektivi maksimal është 7.

Në Vlorë objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9.

Dhe nëse e shohim përmbledhjen, duke pasur parasysh objektivin minimal që nuk e kemi këtu, që është rezultati i zgjedhjeve të shkuara, ne kemi objektiv bazë që të arrijmë 78 mandate dhe objektiv maksimal, 88 mandate. Nuk janë si ato numrat e filxhanëve, janë numra të bazuar në analiza, në potenciale e natyrisht të gjitha këto do të thoja, lidhen me projeksione që mbështeten në strategji, në taktika, në një sërë komponentësh të tjerë. Tani, për ta mbyllur këtë pjesën time sepse pastaj do të vazhdojmë me procesin e propozimeve, unë do të prek vetëm një element. Kush do jenë të parët në lista.

Me shumë kënaqësi po jua jap këtë informacion, duke qenë se tek të parët në lista nuk kemi asnjë debat. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe vajza dhe po filloj me radhë, me paraqitjen e tyre.

Edona Bilali është vendi i parë në listën e Shkodrës. Një personazh shumë i respektueshëm i komunitetit, një vajzë e përfshirë prej vitesh në projekte me donatorët në mbështetje e në nxitje të krijimit të ndërmarrjeve të vogla e të start-up. Pedagoge për vite me radhë në lëndën e ekonomisë dhe aktualisht doktorantë në Austri për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare dhe administrim biznesi. Është një prurje krejt e re, vjen nga aktivizmi në komunitet. Të rinjtë e të rejat në Shkodër e njohin por besoj shumë që e njohin dhe të tjerë sikundër nuk besoj por është e saktë, është fakt, nuk është opinion që në përgjithësi gjithë rrjeti i biznesit në Shkodër e njeh pikërisht sepse punon me ta.

Më tutje, Pranvera Resulaj është vendi i parë në Vlorë. Pranvera është një kandidate e mbështetur me shumë këmbëngulje nga i gjithë komuniteti i biznesit të Vlorës dhe arsyeja e konsideratës për këtë këmbëngulje të tyre është se Pranvera ka qenë për një periudhë kohe drejtore e Tatimeve në Vlorë dhe një drejtore Tatimesh që gëzon gjithë atë reputacion e për të cilën thuhen fjalët më të mira si një shërbëtore e biznesit, meriton vërtetë respekt por në këtë rast, duke qenë se përputhen më së miri për ne dhe njohja që kemi për Pranverën por dhe kërkesa që vjen në mënyrë këmbëngulëse nga i gjithë komuniteti, pa përjashtim, jo nga një grup, Pranvera do të jetë në vendin e parë të listës së Vlorës.

Më tutje është Greta Duraku e cila do  të jetë në vendin e parë në Kukës. Ajo është një vajzë, grua e angazhuar prej vitesh në sektorin privat si drejtuese në kompani të ndryshme, menaxhere dhe duke qenë se është paraqitur në platformën tonë të Deputetit të Duam dhe duke qenë se performanca e saj aty ka qenë realisht shumë pozitive, marrë parasysh edhe natyrisht gjithmonë opinionin e qytetarëve se për të gjitha këto siç thashë por jo vetëm për këto që po flas por dhe për shumë të tjerë, ne kemi bërë amtje të opinioneve për të vlerësuar pëlqyeshmërinë e individëve, Greta do të jetë aty, në Kukës.

Më tutje, Eni Zake është vendi i parë në Korçë. Eni është administratore aktualisht e universitetit Fan Noli të Korçës, anëtare e këshillit bashkiak, pedagoge për shumë vite dhe në të njëjtën kohë me shumë aktivitet komunitar kështu që besoj që edhe në këtë rast, komunitetit korçar i jepet një mesazh i qartë i përpjekjes për të përputhur atë çka ata dëshirojnë të kenë si vlerë të shtuar në skuadrën e Partisë Socialiste.

Më tutje, Lavdrim Krashi është vendi i parë në Dibër. Lavdrim Krashi është një emigrant profesionist në sensin që prej vitit 1994 ka emigruar në Britaninë e Madhe. Është shumë i njohur dhe i respektuar nga komuniteti dibran në veçanti në Londër por dhe nga komuniteti shqiptar në përgjithësi. Një njeri shumë i përkushtuar ndaj njerëzve dhe mbi të gjitha me një rrugëtim shumë mbresëlënës që e ka çuar në nivelin e shërbëtorit publik, e nëpunësit publik në bashkinë e Londrës ku drejton një sektor të planifikimit dhe strehimit social. Është një mesazh edhe ky jo vetëm për komunitetin dibran por dhe për të gjithë komunitetin e madh të shqiptarëve emigrantë dhe një ilustrim konkret i përpjekjes për ta çuar në një nivel tjetër punën tonë, marrëdhënien tonë me emigrantët dhe marrëdhënien e emigrantëve me Shqipërinë pasi kemi hedhur një bazë goxha të mirë mbi të cilën duhet të ndërtojmë më tutje. Kam folur sot dhe do flas në vijim sepse vizioni Shqipëria 2030, që do ta zbërthejmë hap pas hapi në këtë rrugëtim drejt 25 prillit, ka si aspekt themelor të vetin pikërisht bindjen se Shqipëria është e ardhmja, emigracioni është e shkuara dhe kjo bindje sot është një vizion dhe duam që të jetë një realitet në këtë dekadë ku sapo kemi hyrë.

Më tutje është Hatixhe Konomi, aktualisht nënkryetare në Bashkinë Berat, vendi i parë në skuadrën e Beratit. Master në menaxhim në Francë, një rrugëtim edhe zonja Konomi në sektorin e ndërmjetëm mes shtetit dhe privatit, atë të projekteve me donatorët dhe organizatat ndërkombëtare dhe sigurisht një mesazh njësoj kuptimplotë për komunitetin në Berat ku ne kemi shumë projekte në zhvillim dhe të tjerë që do të iniciojmë dhe kështu, në këtë sens, jo vetëm profili i kandidates së parë të qarkut të beratit por dhe në tërësi profilet e reja janë të lidhur shumë me çfarë duam të bëjmë në vijim jo thjesht me zgjedhjet apo me karriget e parlamentit.

Më tutje, këtu nuk i ndaja dot dy fotografitë. S’kemi mundësi të vëmë dy njerëz në vend të parë, kështu që, në vend të parë në Tiranë janë dy zonja shumë të nderuara që i njeh gjithë Shqipëria, dy simbole të dy momenteve shumë dramatike për Shqipërinë, dy gra që kanë arritur t’i përçojnë komunitetit një përmasë të prekshme përkujdesjeje dhe dashurie dhe natyrisht, dy profesioniste fantastike, të cilat do jenë shumë të vyera për ne, por përtej këtij fakti, unë jam shumë krenar që Partia Socialiste me këto prurje të reja u jep mundësi pensionistëve dhe pensionisteve të Shqipërisë që për herë të parë në historinë e pluralizmit të kenë deputeten e tyre në parlament, u jep mundësinë gjyshërve dhe gjysheve që për herë të parë të ndjehen të përfaqësuar nga kategoria e tyre shoqërore dhe për herë të parë të mos kenë thjesht të tjerë që flasin për ta, por të kenë një prej tyre që flet për ta. Jo vetëm kaq, por jam i bindjes se nuk është mosha që sjell të reja gjithmonë. Ka të reja dhe të rinj që mund të jenë 274 vjeç në mendime dhe ka të moshuar që janë 20 vjeçare në mendje, siç është zonja Luljeta. Unë jam shumë mirënjohës për pranimin e kësaj ftese, që tregon energjinë dhe pasionin për Shqipërinë, nuk ka asnjë arsye tjetër që një stërgjyshe të marrë rrugën e Kuvendit të Shqipërisë.

 

Më tutje, është po kaq domethënës sa gjithë këta që unë prezantova, edhe portreti që ju shikoni këtu nuk besoj se ka nevojë për prezantime, por duhet thënë se vendi i parë në Qarkun e Fierit është pikërisht vendi i një socialisti të paepur në kushtet kur një tjetër socialist i paepur drejton qarkun dhe do luftojë tek kufiri. Kështu që, e gjithë kjo skuadër është një skuadër që nuk e tejkalon Partinë Socialiste, por zgjeron kufijtë e Partisë Socialiste. Është një skuadër që ka të gjithë palcën e Partisë Socialiste, por ka dhe një frymëmarrje shumë më të madhe, që shkon përtej organizmit dhe zgjeron mushkërinë e Partisë Socialiste, duke e bërë Partinë Socialiste atë që është përpjekur të bëjë gjithmonë, pasqyrë të shoqërisë, pasqyrë të gjitha kategorive, të gjitha interesave, të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Më tutje, vendi i parë në Elbasan e njihni, është ministrja e Arsimit. Një deputete që e nisi rrugëtimin e saj duke ardhur nga bota akademike, që ka bërë më të mirën në Kuvendin e Shqipërisë për të përfaqësuar Elbasanin, Partinë Socialiste dhe që si ministre Arsimi, deri tani që flasim, është një nga surprizat më të mira të eksperiencës sime.

Mirela Kumbaro do të jetë vendi i parë për Gjirokastrën, ku ne kemi objektivin bazë për dy deputetë dhe natyrisht i dyti do jetë udhëheqësi Bledi Çuçi dhe i treti si vijon.

Lindita Nikolla do jetë në krye të vendit në Kurbin, në të gjithë Qarkun e Lezhës për një arsye krejt të mirëkuptueshme, sepse unë besoj që në këtë zonë, gratë janë e ardhmja. Shumë faleminderit për prezantimin.

Durrësi prapë një grua, ilustrim i faktit që sapo thashë. Milva Ekonomi, durrsake dem baba dem, do ta ngjisim në Krujë për të përfaqësuar gjithë Qarkun e Durrësit, por për t’u kujdesur në mënyrë të posaçme për atë zonë dhe besoj që për qytetarët e Durrësit, Milva është gjithçka që e karakterizon krenarinë. Unë jam shumë i kënaqur që të qëndroj tek kufiri në një ndeshje ku Milva është në krye të listës.

Në përfundim, dua të shtoj se më vjen shumë mirë që një sërë bashkëpunëtorësh të çmuar, të cilët, ashtu si Tina dhe si Vasilika, kanë shprehur gatishmërinë që të tërhiqen nga jeta parlamentare. Më shumë sesa për këtë, më vjen shumë mirë për Tonin. Të jam shumë mirënjohës dhe shumë falënderues dhe sigurisht që do gjej momentin gjatë këtyre ditëve që t’i veçoj një e nga një, sepse është vërtetë një kualitet jo fort i zakonshëm, as në traditën e Partisë Socialiste, që të dish momentin kur dikush tjetër mund të japë më shumë se ty dhe ta bësh këtë fakt të ditur duke qenë i gatshëm të kontribuosh aty ku të tjerët kanë nevojë për ty në këtë familje politike. Në këtë përpjekje ka një gjë që dua ta theksoj sepse është normale që të bëhen komente të tipit iku një e erdhi ai. Është njësoj si gazetarët apo publiku bëjnë komente kur një skuadër hyn në fushë dhe një lojtar apo një tjetër nuk janë në formacion, apo kur ndërrohet një lojtar me një tjetër.

Unë do doja që ju të kishit të qartë vetëm një gjë, që nuk është një sport individual, ky është një sport skuadre, politika është skuadër, partia është skuadër dhe nuk është thjesht çështje e spikatjes së një individualiteti në publik, por është shumë më tepër. Nuk është thjesht çështje e një lojtari që triblon bukur, por është çështje e të gjithëve nga pak, ata që triblojnë bukur, ata që mbrojnë bukur, ata që organizojnë mesfushën, ata që nxisin skuadrën dhe ata që presin topat e ata që bëjnë golat. Më mirë se kushdo tjetër, te lojtarët ndikon se kush i sheh jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje, por dhe në dhomën e zhveshjes, në nxemje, në udhëtim apo në stol, kur i sheh se kur zgjohen, me sa dëshirë vijnë në stërvitje, sa janë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët, sa mbështesin njëri-tjetrin gjatë ndeshjes, sa janë të gatshëm të tolerojnë nëjri-tjetrin apo ta marrin topin dhe të nisen për të bërë golin vetë e me radhë. Është shumë e rëndësishme për mua t’u them të gjithë socialistëve dhe të gjithë votuesve tanë që skuadra jonë e 25 prillit do jetë skuadër dhe nëse ja jemi arritur, ja kemi arritur sepse kemi pasur një skuadër kompetitive. Çfarë nuk kemi arritur apo nuk na ka shkuar mirë, duhet sërish të adresohet në sensin e forcimit të skuadrës, në sensin e forcimit të solidaritetit brenda skuadrës, vendosjes së qëllimeve të përbashkëta mbi egoizmat vetjake dhe patjetër kapacitetin për t’u gëzuar me fitoren e skuadrës e për t’u turrur të gjithë bashkë, kur skuadra duhet të gëzohet. Shumë faleminderit.

Ca pika shiu po bien mbi qelq e për pyetjet tuaja më mori malli, kështu që mund të më bëni vetëm dy pyetje.

 

-Pyetja ime lidhet me qarkun e Vlorës ku ju do jeni pjesë e listës. Çfarë kërkese apo propozimi i keni bërë Dritan Lelit dhe a lidhet kjo me kënaqësinë që keni ju me punën e tij në bashkinë e Vlorës apo me pakënaqësirat për punën e tij?

Edi Rama: Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendhsme. Këtu nuk ka rëndësi fare cfarë ka menduar njëri e tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar Dritan Lelit që të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme, është zgjedhje e tij. Me të e pa të, skuadra jonë në Vlorë do realizojë objektivin bazë dhe do shkojë shumë afër objektivit maksimal dhe është plotësisht i mundur sipas meje.

 

- Cili është ai mekanizëm apo arma sekrete e cila do ti japë Partisë Socialiste atë objektivin maksimal të 88 mandateve?

Edi Rama: Nuk ka armë sekrete. Unë mendoj që nëse ka një avantazh që mund ta veçoj mes të gjithave, në aspektin që më pyet, është që ne jemi shumë herë më të përgatitur. Sepse ne zgjohemi herët dhe flejmë shumë vonë. Nxjerrim mësime, përgatitemi dhe për të arritur deri këtu sot, nga pikëpamja organizative dhe formimit të skuadrës, ne kemi që para se të vinte COVID që punojmë. Nëse do veçoja një, kjo është.

 

- Unë do ndalesha tek qarku Shkodër. Ju thatë që e keni bërë vlerësimin në bazë dhe të të gjitha kritikave të marra nga mediat dhe rrjetet sociale. Me shumë gjasë, besoj do konfirmohet në mbledhjen e Kryesisë, Ditmir Bushati nuk do jetë pjesë e listës. A ishte një kriter....

Edi Rama: Do më lejoni që, e para, të ktheheni tek paragrafi i fundit i fjalës time ku thashë që në këtë betejë ylli është skuadra dhe unë flas këtu për skuadrën jo për individin. Skuadra e Partisë Socialiste nuk është vetëm skuadra e deputetëve. Kështu që, besoj që të gjithë kanë shumë për të dhënë dhe ata që kanë marrë më shumë, kanë për të dhënë edhe më shumë me siguri. Jam i bindur qe pjesa më e madhe kështu do të bëjë. Shpresoj që të gjithë të bëjnë kështu sepse ka një kohë për të marrë dhe ka një kohë për të dhënë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm