Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin të shkruajë historinë të ngjitjes në majë të shqiptarëve

Të reja

Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin të shkruajë historinë të ngjitjes në majë të shqiptarëve

20 Apr 2021    

Takimi Elbasan – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve dhe shumë, shumë faleminderit!

Faleminderit dhe atyre që janë jashtë. Unë mendova që mitingu ishte jashtë. Kur me tha Taulanti që është Brenda, thashë çfarë duam brenda. Kur hyra këtu e ndieva veten në atmosferën e një ndeshjeje të kuqezinjve. E ndieva veten pjesë e një skuadre kombëtare që në 25 prill nuk do të shkojë tek kutia e votimit për një palë, por për çdo shqiptar.

Jam shumë i frymëzuar nga gjithë këto ditë rrugëtimi në këto stacione kaq të bukura. Në këto stacione ku ne mblidhemi dhe njëkohësisht ruajmë rregullat. Në këto stacione ku ne takohemi me njëri-tjetrin dhe i japim Shqipërisë një mesazh të qartë, që ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por e duam shtetin për Shqipërinë.

Kam marrë me vete Kartën e Identitetit. E kam këtu dhe dua të lexoj numrin tim të identitetit. Dua t’ia lexoj të gjithë atyre që janë shqetësuar nga kjo përpjekje e tërbuar për t’iu futur pasigurinë, për t’iu futur ankthin, për t’i futur në konfuzion dhe për t’i çoroditur sikur çfarë ka ndodhur. Mbajeni shënim kartën time të identitetit.

Rama Edi,

Kombësia shqiptare

Lindur në Tiranë, 04.07.1964.

Numri i kartës time është G 40704039D

Ja e morët dhe kartën time, çfarë e doni, kujt i duhet ky numër, çfarë do bëni me numrin?

E dëgjuat Liken, më kanë marrë kartën, tha, më dinë numrin. O Like, ne të dimë shumë gjëra ty, se ai numër si duhet as dreqit.

Askush të mos shqetësohet. Karta e Identitetit, e cila është trashëguar nga një kohë tjetër, sot nuk është ende kartë e identitetit që duhet të jetë. Do të ishte problem nëse Karta jonë e Identitetit nuk do ishte thjesht një dokument identifikimi, por do të kishte brenda të dhëna personale, do të kishte brenda sigurimet shoqërorë, kartelat shëndetësore e shumë informacone të tjera, siç kanë kartat e identetit në shumë vende dhe në të gjitha vendet e Europës ku ne duam të integrohemi. Kurse kjo është si me të marrë targën e makinës.

Kjo është si me të marr, nuk e di, numrin 12. Merreni të gjithë numrin 12, sepse numri 12 është 12 e pavarësisë së Shqipërisë, është 12 e lindjes së Partisë Socialiste, është 12 e mandatit tonë të tretë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tone.

Më e bukura është që patronazhistët tanë nuk punojnë me numrin e identitetit të kartës. Ata që e bënë çorapin, e bënë në kuadrin e gjithë përpjekjes së tyre për të na penguar në rrugën tonë drejt fitores. E tentuan me aeroportin e Rinasit që të bllokonin vaksinat, që të krijonin konfuzion, të jepnin ide që këtu nuk ka shtet, por i kishin bërë llogaritë gabim. Tani kanë nxjerrë vërdallë hijen e patronazhistit dhe kujtojnë se ne shqetësohemi shumë. Unë jam shumë krenuar për të gjithë patornazhisët e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Patronazhistët e PS-së janë ata që e bëjnë Partinë Socialiste skuadër të denjë si të gjitha paritët e mëdha, si të gjithë partitë moderne, si demokratët dhe republikanët në Amerikë, si laburistët, konservatorët në Britaninë e Madhe dhe si të gjitha ato parti që e kanë seriozisht bashkëjetesën në familjen e tyre politike.

Ne nuk jemi parti që bëjmë xhiro gomash. Ne nuk jemi parti që vijmë në Elbasan, futim 12 ballkume dhe nxjerrim 6. Parti që edhe sobën e kanë fut në skemën që i fut 12, të jep 6. Edhe soba do ndonjë gjë. Ne nuk jemi si ata. Ne nuk jemi as si ata që ditën e verës, në anën tjetër të bulevardit i vunë një njollë një feste tradicionale, një feste të të gjithë qytetarëve dhe ky është dallimi mes nesh dhe atyre.

Ata janë ajo që ndodhi në anën andej të bulevardit ditën e festës së verës. Ne jemi këta që jemi këtu dhe që na shikon Elbasani dhe e gjithë Shqipëria.

Unë sot nuk dua t’ju flas për çfarë kemi bërë. Çfarë kemi bërë ju i dini e kemi bërë shumë, por unë dua t’ju flas për pse unë jam këtu, sot. Për çfarë arsye unë, këtu dhe në këtë ndeshje, ju kërkoj juve shqiptarëve mbështetjen për një mandat të tretë për Partinë Socialiste. Unë jam këtu sepse jam i pakënaqur. Unë jam këtu sepse të gjitha gjërat që kemi bërë, nuk janë të gjitha ato që ne mund, duhet e do të bëjmë për Shqipërinë.

Unë jam këtu sepse ne kemi një luftë të madhe për të fituar, në dy fronte, kundër pasojave të një tërmeti katastrofik dhe patjetër dhe për ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga tuneli i pandemisë dhe për të qenë ne Shqipëria e vogël, një vend nga më të shpejtët e më të fortët në Europë në luftën me armikun e padukshëm. Sot, Shqipëria, ky vend i vogël që nuk është ndër ata të zhvilluarit e Europës e nuk i ka mundësitë e tyre, jemi në shoqëri me më të mirët në Europë për ritmin e vaksinimit. Jemi lart dhe të jesh lart do të thotë t’ia kesh dalë të kesh lehtësuar qindra e mijëra njerëz, gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë. Por sigurisht këtu jemi për të parë përpara, për të vazhduar të ngjitemi në majën që unë kam parë në një ëndërr me sy hapur, jo në gjumë, kur kam vendosur të lë emigracionin dhe të kthehem e të marr këtë rrugë, bashkë me ju. Në atë ëndërr që kam parë dhe sot e shoh edhe me më shumë bindje se Shqipëria e ka vendin në majë, në atë majë ku atdheu ynë i mrekullueshëm do të jetë kampion i turizmit në Ballkan, kampion i agroturizmit në Ballkan, kampion për bujqësinë në Ballkan, kampion për energjinë në Ballkan, kampion për digjitalizimin në Ballkan.

Mbyllini sytë për një moment dhe parafytyroni Shqipërinë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Në cilën pjesë të hartës së botës e gjen, në një hapësirë kaq të vogël, vetëm 28 mijë metra katror që t’i ketë të gjitha, të ketë 2 dete, gjithë ato lumenj që përshkon trupin e tij, të ketë male me dëborë, kodra të mrekullueshme e fusha të jashtëzakonshme, gjithë ato liqene. Si ka mundësi, pse nuk jemi sot në atë majë?! Si ka mundësi që ne kemi lindur në këtë vend ku Zoti ka bërë një nga pikturat e veta më të bukura dhe ne, sot jemi ende këtu?!

Sepse atë çka Zoti ka imagjinuar për shqiptarët, kur e pikturoi sipas dëshirës Shqipërinë, dora e mbrapshtë e robit e pengoi që të bëhet realitet. E pengoi përgjatë historisë duke ndërhyrë gjithmonë në ato momente kur i gjeti shqiptarët të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur, gati-gati të dorëzuar dhe u ofroi shqiptarëve rrugë të shkurtra. Prandaj nuk e ka asnjë popull tjetër fjalën e urtë të popullit shqiptar, që rruga e shkurtër të nxjerr gjatë.

Sepse gjithë ato rrugë të shkurtra e kanë bërë të stërgjatë rrugën e shqiptarëve. Sa herë që ka ardhur momenti për të shtrënguar dhëmbët, për t’i dhënë kurajo vetes, për të mos i dëgjuar këmbët kur thonë “u lodha”, për të mos dëgjuar zemrën kur thotë “po plas”, për të mos e dëgjuar mendjen kur thotë “pusho”, por me forcën e karakterit për të vazhduar të ngjitesh. Në ato herë kanë dalë në forma të ndryshme, me emra të ndryshëm, duke thënë gjëra të ndryshme ata të cilët i kanë marrë shqiptarët e i kanë çuar pas berihajit.

Miqtë e mi, sot, ne jemi këtu për të shkuar pas pak ditësh në një provë të madhe të karakterit tonë dhe mos harroni; njeriu nuk matet sa i zoti është të qëndrojë në ditë të mira, njeriu matet sa i zoti është të qëndrojë dhe të vazhdojë të ngjitet në ditë të vështira.

Ditët që kemi përpara janë ditë shumë më të mira se ato që po lëmë pas. Vitet që kemi përpara janë vite shumë më të mira se ato që po lëmë pas. Ne kemi ngritur themelet, kemi filluar të ngremë muret, por patjetër jemi ende në qiell të hapur, sepse shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria ka nevojë për ende shumë punë. Ee prandaj në këtë rrugë, ne do të hapim 4 porta nga qielli, 4 porta të tjera nga deti. Do e bëjmë Shqipërinë vendin ku shumë më tepër udhëtarë e turistë do duan të vijnë e do vijnë, të jeni të sigurt dhe do duan të hyjnë më thellë e më thellë nëpër të gjithë trupin e saj të mrekullueshëm e do na duhet shumë e më shumë punë punë, për të pritur, për t’i ushqyer, për t’u treguar historinë tonë, për t’u dhënë mundësinë të qëndrojnë më shumë e sigurisht, për të rritur të ardhurat tona.

Kjo është arsyeja pse unë besoj shumë fort se ne, Shqipëria jemi në një moment historik se çfarë duam të bëjmë kur të jemi të mëdhenj. Kini parasysh, Kroacia është një vend i vogël. Kroacia ka vetëm 4 milionë banorë, ka 9 aeroporte dhe është fuqia e 7-të në botë për turizëm. Është një vend i mrekullueshëm, por nuk i ka të gjitha ato mrekulli që Zoti i mblodhi e i vuri mbi Shqipërinë. Ne i kemi!

Ne kemi mundësinë të kemi një turizëm që të shtrihet në të gjitha stinët. Ne kemi mundësi që të gjithë fshatrave, pa përjashtim, t’u japim alternativa, jo vetëm alternativën e prodhimit bujqësor intensiv, alternativën e eksportit që ne do ta rrisim në mbi 1miliardë euro në 4 vitet e ardhshme, por edhe alternativën e agroturizmit. Shihni Belshin, nuk është më një ëndërr me sy hapur që unë e kam parë kohë më parë dhe që i thoja gjithmonë, momentin që ne do të marrim drejtimin e vendit, ne do ta kthejmë Belshin në zemrën e agroturizmit për gjithë qarkun. Më shikonin me çudi dhe më thonin se nuk isha në vete. E mbase nuk isha në vete, sepse në Belsh, për të shkuar duhet të kaloje në një rrugë plot gropa, për të ndenjur nuk kishe ku uleshe, ferra, plehra, liqeni ishte fshehur pas ndërtimeve të shëmtuara dhe njerëzit prej Belshit donin vetëm të iknin. Kush e kishte imagjinuar vetëm 6-7 vite më parë se në Belsh, në fundjavë do kishte 4mijë vizitorë çdo javë.

Më besoni, nuk është asgjë. Shumë e shumë më tepër do bëhet jo vetëm në Belsh, por në të gjithë Elbasanin. Ne kemi në Elbasan kalanë, me histori dhe bukuri të mahnitshme, por është e ndrydhur, si gjysmë e fshehur.  Ne do ta bëjmë Kalanë e Elbasanit, një nga magnetet më të fuqishme të turizmit, jo në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë.

Dua t’i them dy llafe atyre të kalasë, sepse kam një problem me ata. Elbasani, sot ka mundësinë të zgjedhë një skuadër, e cila është krijuar për Elbasanin dhe për të qenë me Elbasanin. Këtu nuk ka njerëz që i kemi sjellë nga Tirana për të marrë vota e më pas për t’u kujtuar pas 4 vjetëve. Këtu janë të gjithë nga Elbasani dhe qershinë mbi tortë, ne kemi marrë nga Kalaja, Evis Kushin. Ata të Kalasë duhet ta ndajnë mendjen e të harrojnë “jam i djathtë, kam qenë i persekutuar”, por të votojnë për Evisin, sepse duke votuar për Evisin, votojnë për fëmijët e tyre që nuk kanë të drejtë vote dhe që nuk ia kanë borxh atyre që u ka mbetur ora tek komunizmi që ka vdekur para 30 vitesh dhe aq shumë u ka mbetur ora, sa tani nuk arrijnë të shohin se ajo Partia Demokratike vjen vërdallë si aeroplan pa bisht.

Ҫfarë arsyeja ka për ta votuar Partinë Demokratike? Më thoni një. Ma tregoni një tullë që vuri për Elbasanin, jo 100 mijë, por një. Më tregoni një shkollë që Partia Demokratike ndërtoi në Elbasan. Ma tregoni çfarë bëri Partia Demokratike për Universitetin e Elbasanit. Ma tregoni çfarë bëri Partia Demokratike për Spitalin e Elbasanit, për qendrat shëndetësore në Elbasan.

Partia Demokratike nuk e meriton që Elbasani t’ia hedhë sytë, pa llogarit pastaj atë partinë tjetër, atë partinë tjetër të profesor-doktoreshë-infermiere, Monika Kryemadhi, se ajo është hataja më e madhe. Në qytetin e Kostandin Kristoforidhit të votosh Monika Kryemadhin do të thotë t’i ngresh nga varri të gjithë rilindasit e Elbasanit, do të thotë të ofendosh të gjithë historinë e këtij qyteti e të kësaj zone.

E imagjinoni dot Aqif Pashë Elbasanin, sikur t’iu vinte pranë tek shtrati e ti thoshit, o Pashë, si thu, a votohet Ilir Meta?

Aqif Pashë Elbasani duke iu këshilluar të votoni Ilir Metën, një president, të cilit e bija i thotë babi mos pi, hajde në shtëpi. Ne duhet ta ndihmojmë Ilir Metën ta kthejmë në shtëpi. Ne nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasin trenin e histories, për t’u kthyer mbrapa e për të vënë në diskutim se mund të votohet për fosilet e historisë, për ata të cilët dalin rrugëve të Shqipërisë dhe përsërisin skenat e karvanëve me makina. Janë të njëjtat karvane si në ’90-ën, por makinat nuk janë njësoj. Makinat janë shumë të shtrenjta, me xhama të zinj. Por ne kemi patronazhistë. Patronazhistët e dinë se kush janë në ato makina.

Patronazhistët e dinë se kush janë në ato makina, në ato autokolona me xhama të zinj që xhirojnë rrotat dhe nxjerrin anash ca fatkeqë, të cilëve i është fikur qarku i trurit dhe bërtasin “Rama ik”. Aty brenda janë ata të cilët mezi presin - larg qoftë shqiptarët të shkojnë edhe njëherë mbas berihait - të rihapim bingot në gjithë Shqipërinë. Janë ata të bingove! Janë ata që morën në qafë me dhjetëra mjëra familje çdo ditë.

Brenda në ato makina janë ata drejtues policie që i nxirrnin në pritë oficerët e policies, që tradhtonin uniformën e shenjtë të policit dhe lajmëronin kriminelët. Ato po ju kthehen!

Elbasani i njeh mirë, Elbasani i ka provuar në kurriz.

Nëpër ato makina janë taksidarët dhe taksidarët. Dhe këtë e kam për gjithë dyqanxhinjtë e Elbasanit, që janë me PD. Me ne, taksën e keni zero, TVSH-në e keni zero dhe kështu do t’i keni deri në 2029-ën. Ju doni t’ju vijnë ata me makinat, t’ju hyjnë në dyqan e t’ju thonë, u bëmë gjatë në opozitë e tani kemi uri, shumë uri, ndaj hudhu.

Në Shqipëri nuk ka më forcë që e hedh dot prapë në prehrin e Saliut e të Ilir Metës. Nuk ka forcë që e lë në dorë të kukullës së tyre Lulzim Bashës.

Dhaskal Todrin, do ta respektoni në 25 prill?

Ta rrespektojmë Dhaskal Todrin, për faktin e thjeshtë se PS-ja i çliroi të gjithë mësueset e mësuesit nga kthetrat e politikës, zhduku të gjitha karvanët dhe listat.

[E shihni? Ja, diell dhe shi. Dielli është koha jonë përtej 25 prillit, shiu është vota juaj në 25 prill]

Mësueset nuk janë më tek listat për të dalë nëpër mitingjet. Këtu, në të gjithë këtë popull nuk ka asnjë mësuese që është marrë me zor, nuk ka asnjë infermiere që është marrë me zor, nuk asnjë punonjëse të administratës që është marrë me zor. Këtu ka ardhur zemra e PS-së së Elbasanit!

Mund t’ju them prindërve që investojnë për shkollimin e fëmijëve të tyre, edhe atyre demokratë. Sot, fëmijët tuaj, falë PS-së, nuk shkojnë në shkollë për të mësuar librat që shkruan Fahri Balliu. Sot, fëmijët tuaj dhe fëmijët e e socialistëve mësojnë me librat e Oxfordit, Cambridge, të Pearson. Sot, fëmijët tuaj kur nisen për në universitet nuk i pyet njeri i kujt je, nuk i thotë njeri sa lekë ka babi, nuk do të dijë njeri se me cilën parti janë prindërit, por u jepet vendi që kanë merituar, falë investimit tuaj dhe falë mundit të tyre. Do shkoni t’i tradhtoni fëmijët tuaj? Apo kujtoni se nuk kthehet mbrapsht rrota e histories.

Ҫfarë kanë bërë në histori të gjithë këto figura që kanë marrë forma të ndryshme, nga Haxhi Qamili, te Rapush Xhaferi, te Saliu e Luli?

Kanë dashur gjithmonë ta kthejnë mbrapa dhe fatkeqësisht e kanë kthyer mbrapa rrotën e historisë. Rrota e historisë nuk kthehet më mbrapa!

Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin të shkruajë historinë të ngjitjes në majë të shqiptarëve.

Mund të vazhdoj edhe më gjatë, por dua ta mbyll me një porosi për të gjithë. Ne kemi një skuadër fantastike, por ne të gjithë, unë i pari jemi 12.

Ne jemi 12!

Bëni shumë kujdes, të gjithë patronazhistët me të gjithë ata që komunikojnë që të mësojnë si votohet. Asnjë fletë të pavlefshme, 12-ta!  A e mendoni me shku me votu 12 dhe me u ngjit dhe t’ja lësh Monikës dhe del fleta e pavlefshme. Asnjë flet e pavlefshme!

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Shumë faleminderit,

Shumë faleminderit edhe atyre mijërave që janë përjashta të cilët nuk mund të futeshin brenda për shkak se na duhet të respektojmë distancën.

Ne nuk jemi si ata. Unë e di që sot pas këtij takimi në banaqet e darkës do fillojnë të thonë se Partia Socialiste i shkeli masat. Kjo nuk është e vërtetë. Distanca është respektuar në çdo cep. Ju lutem edhe atyre që janë jashtë sepse jeta është gjëja më e rëndësishme që ne kemi.

Na kërkojnë bilanc dhe na thonë se çfarë keni bërë në këto 8 vite?

Unë do ta filloj me diçka që është shumë konkrete. Këtu në Elbasan në vitin 2013 ne gjetëm vetëm 603 legalizime. Thënë ndryshe një në 2 ditë. Ne arritëm nga viti 2013 deri në vitin 2021 të realizojmë 17500 legalizime në Elbasan. Nëse do kishte vazhduar Luli dhe Saliu, Mona dhe Iliri në pushtet me njëri-tjetrin ky proces legalizimi do mbaronte në vitin 2220.

Unë sot dua ti them çdo familje të Qarkut Elbasan që ne do ta mbyllim procesin e legalizimeve në Qarkun tonë brenda vitit të parë të mandatit të tretë.

Motra e vëllezër, na pyesin se çfarë bilanci keni në Prrenjas? Unë do t’u them që me punët që kemi bërë vetëm dy vitet e fundit ata nuk krahasohen me ne për 28 vite të marra së bashku.

Kemi ndërhyrë për të garantuar furnizmin me ujë të pijshëm, infrastrukturën rrugore, rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Po kështu kemi bërë në Librazhd.

Çfarë pune është bërë në Librazhd thotë Luli? Unë nuk e di nëse Luli ka qenë ndonjëherë në Librazhd. Duhet ti kesh sytë në vendin e duhur që të shohësh gjithë atë punë të madhe që është bërë në Librazhd.

Unë jam shumë krenar që ne kemi arritur ta transformojmë Librazhdin.

Por unë ju garantoj se ky është vetëm fillimi i një pune të madhe që do të prekë çdo fshat të Librazhdit e Prrenjasit.

Le të shkojmë në Gramsh.  Deri në vitin 2013 Gramshi ishte tërësisht i harruar. Të shkojë nga Elbasani në Gramsh të duhej më shumë se një orë për të shkuar. Në Gramsh nuk ishte investuar asgjë.

Unë ju ftoj sot të shkoni të shihni Grmashin. Gramshi ka rilindur. Megjithatë puna në Gramsh sapo ka filluar.

Në Cërrik 8 vite drejtuan PD dhe LSI ndaj edhe punët nuk shkonin në drejtimin e duhur.

Vetëm 18 muaj kemi që kemi marrë qeverisjen vendore në Cërrik dhe Bashkia punon për njerëzit.

Shumë projekte në infrastrukturë, ujë të pijshëm, shëndetësi janë realizuar.

Le të shkojmë në Belsh. Belshi ishte, siç thotë Luli, një shkretëtirë sepse nuk dukej fare Liqeni.

Ne e ‘çliruam’ liqenin dhe e bëmë Belshin destiancionin më të rëndësishëm agro-turistik në Shqipërinë e mesme.

Në Peqin ne do të bëjmë më shumë sesa kemi arritur të bëjmë deri tani.

Do vazhdojmë të investojmë në ujësjellës, qendra shëndetësore dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Por, Peqinin duhet ta shndërrojmë në një destinacion për turistët përmes projektit të Rilindjes Urbane. Klaudianës do i japim shkëlqimin.

Elbasani është shembulli i qeverisjes sonë vendore.

Unë dua t’u them të gjitha njësive administrative të Elbasanit nga Shpati deri në Labinot Mal se ne do të punojmë më shumë sesa kemi bërë deri tani.

Investimet që kemi nisur do vazhdojnë përpara dhe qytetit të Elbasanit do i japin shkëlqimin që meriton.

Kalja, auto-motor parku, bypassi, uji i pijshëm do jenë sfidat tona të punës.

Motra e vëllezër ai që na ka ndihmuar të bëjmë gjithë këto punë dhe ka sjellë transformimin në çdo cep të Qarkut tonë është Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Unë i kërkoj qytetarëve të Elbasanit në çdo cep që në 25 prill të bashkohemi më shumë se kurrë për t’i dhënë Edi Ramës mbështetjen që nuk e ka parë asnjëherë më parë në këtë Qark.

9 mandate është objektivi ynë minimal.

Shumë faleminderit!

Motra e vëllezër më lejoni të ftoj kryeministrin e Shqipërisë, mikun e Elbasanit: Edi Rama.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm