Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste e Shqipërisë është porta e së ardhmes

Të reja

Partia Socialiste e Shqipërisë është porta e së ardhmes

22 Apr 2021    

Mbyllja e fushatës në Tiranë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit!

Shumë faleminderit!

Shumë faleminderit të gjithëve!

Shumë faleminderit!

Me lejen tuaj, unë dua të përshëndes Zahon nga këtu, sepse donte të vinte, por Linda i tha, “Zaho, ti nuk mund të shkosh atje se ti nuk voton”.

Dhe Zaho i tha, “ kur do votoj unë”?

“Do votosh kur të rritesh”.

“Po mirë, kur unë të rritem, ti do më votosh mua?”, - i tha të ëmës.

Unë nuk i thashë Zahos që, për të shkuar deri tek ky stad, duhet të bëjë shumë patronazhime, por këtu sot dua ta filloj  me patronazhistët dhe patronazhistet e Partisë Socialiste. Dua ta filloj me të gjithë vajzat e djemtë, të gjithë gratë e burrat dhe gjithë ata që, megjithëse kanë dalë në pension, nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike brenda familjes sonë. Dua t’ju them që unë kam qenë gjithnjë krenar për ju, por mbas asaj që ndodhi dje në Elbasan, unë jam më shumë se kurrë krenar për ju.

Ata bënë çmos që t’ju lëndojnë. Ata bënë çmos që t’ju cenojnë. Ata bënë çmos që t’ju dekurajojnë. Ata madje bënë çmos që t’ju poshtërojnë dhe ka Zot! Sepse ata që i bënë të gjitha ato kundër jush, dolën zhveshur në të gjithë përmasën e karakterit të tyre, kur pa pasur asnjë pikë turpi, pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete, morën përsipër t’u thonë shqiptarëve se po, ata e kanë një grup të armatosur, të shpërndarë kudo. Ata e kanë dhe unë besoj që sot, kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, mes nesh dhe të gjithë atyre, duhet t’i vëri gishtin kokës fort, për fëmijët e tij.

Të patronazhosh derë më derë, të trokasësh familje më familje, të pyesësh si shkoni, çfarë problemesh keni, çfarë mendoni ju për qeverisjen, çfarë opinioni keni ju për Partinë Socialiste, çfarë hallesh ju pengojnë që të jeni thjesht të vendosur për të ardhur e për të na mbështetur, do të thotë që çdo njeriu t’i japësh vlerën që ka njeriu.

Ndërsa të turresh rrugëve për t’i ndaluar njerëzit sikur je një forcë nga ato forcat paramilitare, në vende ku thika e urrejtjes dhe e ndasisë është futur deri në kockë e pasi ndalon njerëz, të lësh pas edhe viktima, do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde, ndërsa jashtë autokolonës tënde jeta e tyre nuk ka asnjë vlerë.

Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë që të gjithë shqiptarët, pa dallim, të zgjohen e të kujtojnë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vitesh po këta. Të zgjohen e të kujtojnë se në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë e shqiptarët. Të zgjohen e të kujtojnë se sa herë ka pasur humbje jetësh, sa herë ka pasur plagë të shkaktuara jo nga Zoti, por nga robi, aspak çuditërisht ato lidhen me ta. Gjithmonë me ta!

Sot të jesh i djathtë apo të jesh kundër nesh është gjëja më normale, më e natyrshme, por, nëse sot, si i djathtë, si kundërshtar i yni, vërtetë ia do të mirën asaj force që ende sot e mban demonin brenda, duhet ta çlirosh atë nga demoni, duke e braktisur në 25 prill.

25 prilli është një ditë kur Shqipëria duhet të çlirohet njëherë e mirë nga demoni që kthehet e rikthehet në forma të ndryshme, por që sa herë shfaqet në jetën tonë, ia tërheq këmbët poshtë Shqipërisë, i detyron shqiptarët të rifuten në rrethin vicioz, i humbet kohë, i humbet shpresat dhe ju mbyll derën e të ardhmes.

Ata janë rruga e të shkuarës!

Partia Socialiste e Shqipërisë është dera e së ardhmes!

Kur njeriu shkon të votojë, përgjithësisht gjykon mbi të tashmen dhe shpesh e tashmja e tij e zvogëlon peshën që ka vota, sepse mund të ketë një hall që lidhet me pragun e shtëpisë. Nuk i bën përshtypje asgjë që ndryshon larg atij pragu. Por pikërisht, ai prag ku ndryshimi nuk ka arritur akoma, e bën që të thotë, nuk i votoj më këta.

Mund të ketë shqetësim që sot do një punë më të mirë e nuk e ka. E në ndërkohë shesh të tjerë që kanë punë më të mira e thotë nuk i votoj këta. Apo mund të ketë sjelljen e brendshme të shumëkujt që thotë, “këta janë të gjithë njësoj, nuk ia vlen të shkoj të votoj”.

Kjo është vota që njeriu jep kur gjykon mbi të tashmen, por çdokush që voton nuk voton vetëm për vete, por ka detyrimin të votojë edhe për atë fëmijën që duhet të rritet për të votuar. E kur njeriu gjykimin mbi të tashmen e lidh me arsyetimin për të ardhmen, atëherë patjetër që vota e tij merr të gjithë vlerën që ka. E nuk ka diskutim që ajo votë në 25 prill ka vetëm një drejtim, Partinë Socialiste të Shqipërisë!

Unë i kuptoj, sado që e di që shumëkush prej tyre nuk më beson, të gjithë ata që janë të pakënaqur... E po thoja, po nuk filloi shiu, ne kemi një problem e ja filloi. A e dini pse filloi? Që ne, e jo vetëm ne, por e gjithë Shqipëria të mos e harrojë, - ka gjithë këto ditë shiu që bie e bie për të paralajmëruar breshrin e madh mbi kutitë e votimit në 25 prill, - zgjedhja e secilit është të bëhet pjesë e atij breshëri, apo të qëndrojë në atë karvanin që gjithmonë e më shumë duket si i dalë nga filmi “Koncert në vitin ’36”. Ju kujtohet ai plaku i Koncertit që i jepte gaz për të prishur koncertin? Ai është në Lalëz. Që kur u xhirua filmi iku në Lalëz dhe është bërë gogol dixhital. Por nuk është vetëm ai, është edhe komshiu i tij i Lalzit. Ai është bërë si ato çingijet që vinin rrotull marmitës, për të tërhequr njerëzit drejt vetes e për t’i thënë kthejani kurrizin atij Koncerti, kthejani kurrizin muzikës, kthejani kurrizin shpresave dhe ëndrrave, kthejani kurrizin Europës dhe shijes së saj dhe ejani në vallen e batakut e të batakçillëkut.

Shqipëria, në 25 prill do të përballet me një test karakteri. Shqiptarët do duhet të vendosin anën në të cilën do të gjenden në datën 26, sepse në 25 prill është dita jo për të bashkuar kënaqësitë tona, por për të bashkuar të gjitha pakënaqësitë tona dhe për t’i thënë vetes dhe njëri tjetrit, pikërisht se ka plot arsye që ne të jemi të pakënaqur me atë që kemi bërë, ne jemi ata që me fuqinë e pakënaqësive tona do të ngjitemi më lart, sado e vështirë që të jetë, sado e lodhshme që të jetë, sado sfiduese që të jetë sepse ky është misioni ynë dhe kjo është koha jonë.

Shumëkush thotë, “çfarë e do Edi Rama mandatin e tretë”?

Në fakt, unë e di që kush nuk do të besojë, nuk ka për të besuar kurrë, por mandati i tretë nuk është për mua. Mandati i tretë është për të zmbrapsur përfundimisht atë mallkim  të historisë sonë që gjithmonë ju shfaqet shqiptarëve në momente kritike në formën e personazheve të ndryshme dhe i josh drejt rrugëve të shkurtra që të nxjerrin gjatë.

Mandati i tretë është mandati që do të vulosë një herë e mirë, se ajo që ndodhi dje, në Elbasan dhe gjithë ajo autokolonë e rishfaqur në jetën e shqiptarëve nuk do të shfaqet kurrë më! Kurrë më nuk do të ketë politikanë, të cilët do të mund ta marrin përsipër të bëhen korrierët e atij mallkimi!

Historia jonë ka plot raste kur momentet, sfidat janë bërë të rënda dhe kur e përpjeta është bërë sfiduese, korrierët e mallkimit janë shfaqur dhe i kanë folur shqiptarëve me zëra joshësh, zëra të ndryshëm, emra të ndryshëm, kohë të ndryshme, fytyra të ndryshme, kohë të ndryshme, por zëri është po ai. Zëri është po ai. Zëri që i fton ta lënë betejën. Zëri që ju thotë ky vend nuk bëhet, prandaj kap çfarë të kapësh. Zëri që kërkon t’i bindi se rruga e shkurtër pas korrierit është rruga që do t’u japë atë që puna nuk e jep dot, atë që ndershmëria nuk e jep dot, atë që këmbëngulja, vullneti, vendosmëria nuk e japin dot, atë që durimi nuk e jep dot dhe historia e ka treguar sa shtrenjtë e kanë paguar shqiptarët vajtjen pas berihait të këtyre korrierëve.

Edhe Lulzim Basha, edhe ajo autokolonë vijnë nga historia. Nuk janë pjesë e asaj që rreh në zemrat e njerëzve, e asaj që i mundon mendjet e njerëzve, e gjithçkaje që brenda njerëzve sot zien për 1000 arsye të mirëkutpueshme. Jo, sepse nuk ka forcë që del nga nevoja e brendshme për çfarëdo ndryshimi, për çfarëdo përparimi, për çfarëdo sfide të një populli e që shfaqet me brutalitetin e paramilitarëve e që është e gatshme t’u marri jetën njerëzve që nuk janë në autokolonë. Lulzim Basha është një shfaqje e një forme të ndryshme, në dukej europianiste, në dukje, hajde mirë se nuk është tipi im, por e okllaisur, e buzëqeshur, e shkathët në mënyrën se si flet por nuk është një figurë e nxjerrë nga nevoja, nga aspirata, nga domosdoshmëria e popullit për të pasur një opozitë. Është korrieri i radhës i një historie që në 25 prill duhet të bëhet e shkuar, e përfunduar, e pakthyeshme dhe e harruar.

Kam një pyetje për të gjithë ata që janë prindër, qofshin socialistë, qofshin demokratë. Cili prej jush është i kënaqur si prind? Cili prej jush nuk zgjohet në mëngjes me pikëpyetjet, çfarë do bëj sot për familjen time? Çfarë do bëj sot për fëmijët e mi? Çfarë do ndodhë nesër me familjen time, me fëmijët e mi?

Cili prej jush prindër të këtij vendi, shkoni të flini pa e sjellë njëherë nëpër mend të gjithë ditën që iku dhe pa i numëruar një nga një gjërat që bëtë apo nuk bëtë dot e pa i thënë vetes nesër në mëngjes duhet të çohem herët se është për t’u bërë edhe kjo. Askush!

Të jesh prind do të thotë të jesh i pakënaqur. Prindërit e kënaqur nuk mund ta mbajnë familjen të bashkuar dhe nuk mund t’i rrisin fëmijët, karaktere të forta e të vendosura.

E pra, nëse unë nuk do të isha i pakënaqur miqtë e mi, unë nuk do isha këtu, sot. Nëse unë do isha i kënaqur, nëse unë do ndihesha se e përmbusha detyrën time ndaj vetes, ndaj njerëzve, ndaj gjithë atyre që më besuan, pse duhet të isha unë, këtu, sot?

Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që është i kënaqur. Kurrë mos besoni ata të cilët e kanë të shkruar në ballë që kanë një jetë pa teklif, që nuk duan të dinë se u gdhi, por presin që dielli të nxehet e t’u hapi sytë, apo që mezi presin të errësohet për të shkuar të flenë.

Ata të cilët, kur duhet t’i kërkojnë votën njerëzve, ju thonë erdha t’ju shoh në sy, erdha të jem zëri juaj, të jem njëri nga ju, erdha që ju të jeni ju. Dhe mbasi mbaron fushata, ja u lënë takimin te tramvaji i Tiranës.

Këto janë ditët për të kuptuar se ne jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm dhe se kush voton në 25 prill nuk voton për pragun e shtëpisë. Nuk voton për hallin, për problemin, sado të madh që ka dhe që është i tij, por voton për një gjë shumë më të madhe. Voton për t’i dhënë një shtysë tjetër, të jashtëzakonshme këtij vendi, në mënyrë që dhe ato hallet e tij të mund të zgjidhen.

Ne nuk po vijmë nga pushimet këtu. Ata po vijnë nga pushimet, mbasi u torolisën me vite e vite nëpër Shqipëri, duke i braktisur detyrat, duke braktisur punën. Duke u hargalisur e duke çoroditur dynjanë me gjithfarëlloj idesh të çuditshme dhe planesh të marra. Tani janë kurdisur, ose më saktë, është kurdisur Luli edhe shfaqet si njeriu që po mendon thellë. Shfaqet si njeriu që ka detyrimin t’i ndalojë njerëzit të ikin jashtë, që të rrinë këtu me të, që është ta fusë Shqipërinë në BE për 4 vjet. Shikojeni në fytyrë, ky sikur sapo ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vjet që bën opozitë. Kështu është e vërteta!

Ne, jo ne që jemi këtu, por të gjitha familjet shqiptare, sot nuk po kthehen nga sauna, por po dalin nga një tunel rraskapitës, i cili për ne shqiptarët u hap përpara sesa për botën, nga një goditje shkatërruese që erdhi nga lart si për të na thënë, “ej, boll, u sherrosët me njëri-tjetrin”, boll e ndollët të keqen brenda shtëpisë tuaj. Boll se unë kur bëra Shqipërinë, e bëra me kënaqësinë më të madhe në vendin tuaj të vogël. Vura 2 dete, male me dëborë edhe në gusht dhe ju lashë mbi kokë një diell që ngroh çdo pllajë gjatë gjithë vitit. Boll! Boll se ju kam dhënë gjithë ata lumenj. Jeni vendi që keni më shumë ujë, aty në vendin tuaj të vogël, sesa gjithë Europa. Boll se keni gjithë ato liqene e gjithë ato pyje.

E ne ndërkohë ne u bëmë bashkë. U bëmë bashkë, nuk e pamë njëri- tjetrin, mua mu prish shtëpia, po atij nuk iu prish, apo e kundërta, mua mu prish, atij nuk iu prish, unë po i kthej kurrizin. Solidariteti i shqiptarëve me ata që humbën shtëpitë ishte i pari, pastaj erdhën edhe miqtë tanë. Pastaj erdhën dhe partneret tanë.

E pra, ne nuk duhet të bëhemi bashkë vetëm kur i shikojmë të vdekurit para syve, vetëm kur i shikojmë të plagosurit para syve. Ne duhet të bëhemi bashkë kur shikojmë të ardhmen para syve. Ne nuk jemi një brum frikacakësh. Ne nuk jemi një brum të paudhësh. Ne nuk jemi një brum hileqarësh. Ne jemi brumi i atyre që na kanë lënë amanetet dhe jemi brumi i atyre, të cilëve do t’u lëmë Shqipërinë, fëmijëve tanë!

Si mundet të ndihemi të lodhur, të ndihemi të mpirë!

Si mundet të ndihemi të pafuqishëm, kur ne shikojmë tani majën dhe është e gjitha në dorën tonë, në zemrën tonë, në mendjen tonë për t’u ngjitur!

Më pas, tamam kur Shqipëria dhe shqiptarët buzëqeshën, sepse u mblodhën bota mbarë, u mblodhën miqtë që ishin dhe që s’ishin. Dhanë të gjithë një dorë që ne të fillojmë rindërtimin.

 

Përsëri erdhi goditja tjetër, e dyta. Erdhi për gjithë botën, po për ne ishte e tepërt. U mbyll bota mbarë brenda. E ne nuk jemi Amerika, ne nuk jemi Franca, ne nuk jemi Gjermania. Ne nuk hyjmë te më të fuqishmit, as te më të zhvilluarit e më të pasurit. Po pikërisht se jemi nga ai brumi me të cilin janë gatuar të gjitha ato histori shqiptare, ato këngë e ato rrëfime për të cilat krenohemi, ne nuk u dorëzuam.

Sot jemi lart. Sot, ne hyjmë në atë kategori vendesh që janë në “Champions League” e luftës kundër armikut të padukshëm. Sot, ne po shohim daljen e tunelit më shpejt, sesa shumë të tjerë, më të fortë, më të pasur, më të zhvilluar se ne. A nuk është kjo një arsye, dreqi e mori, që t’i themi vetes, jo vetëm kur halli madh na e kërkon, por kur fëmijët tanë na e kërkojnë, ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi. Sepse dalja nga tuneli i kësaj pandemie ka sjellë sërish diellin.

Sot nuk jemi si ata që dalin nga një kurë rraskapitëse. I kanë këmbët të drobitura, e kanë kokën të trullosur, mezi ecin, nuk dinë ku do kalojnë natën, nuk dinë me ca do ushqehen nesër.

Ne, sot kemi përpara nesh projektet e shumëdëshiruar në vite, por tanimë të përgatitura, të financuara me kompani nga më të mëdhatë e botës, për të futur në ekonominë tonë 10 miliard euro, për të hapur 4 porta nga qielli, 4 porta nga deti dhe për t’i dhënë këtij vendi të bekuar gjithë atë energji të madhe që vjen nga shumëfishimi i udhëtarëve, i vizitorëve, i turistëve. Për t’i dhënë të gjithë atyre, jo receta magjike. Është kollaj t’i thuash tjetrit, mos ik! Unë e di që ti je i shqetësuar, pra, mos ik. Unë e di që ti je i shqetësuar, por mos ik, voto për mua. Mos ik të lutem! Dhe pastaj ai të voton e ti i thua, do shkoj të flejë unë tani, shihemi mbas 4 vjetësh.

Jo! Po për t’ju dhënë të gjithë atyre që janë në emigracion perspektiven e hapjes së derës së shtëpisë së babës në çdo fshat, sepse nuk ka një fshat në Shqipëri, ku Zoti nuk e ka pasur mendjen kur i ka bërë përroin, kur i ka dhënë livadhet anash dhe malin në sfond. Mjafton që ne ata t’i mbështesim, duke iu dhënë, - siç bëhet në një familje, siç bëhet me vëllezërit më të vegjël që kanë nevojë për një shtysë fillestare, - 5 mijë euro, duke u thënë keni kursyer e nuk i keni nëpër banka, nuk ka problem, mjafton t’i keni lekë gjaku dhe djerse dhe ne do të bëjmë amnistinë fiskale për ju. Hapeni derën e shtëpisë së babës, kthejeni në një derë më shumë për të pritur ata që do vijnë nga portat e qiellit e detit dhe për ta bërë Shqipërinë të Ardhmen Tonë.

 Është shumë e mundur!

Shikojeni Tiranën. “Ka pakënaqësi në Tiranë”, e dëgjoj shpesh këtë fjalë. “Tirona nuk është mirë, ka pakënaqësi”. Madje dhe ata, autokolona e armatosur që kërkon të rikthehet për ta rikthyer Tiranën në kohën e gërhitjes së madhe, gjithë shpresën e kanë se “ka pakënaqësi në Tiranë”.

Si të mos ketë pakënaqësi në Tiranë? Tirana, kur ne e morëm përsipër ta nxirrnim nga llumi e zullumi, nuk kishte pakënaqësi kur u bëra kryetar bashkie. Njerëzit ishin pajtuar me jetën në llum dhe zullum, nuk kishte të pakënaqur, por ama, e keni parasysh atë shprehjen e tmerrshme kur i thua dikujt “si ke qenë? “Gjallë” të thotë. Nga shtëpia mirë? “Gjallë”.

Këtu kishte rënë i gjithë pazari i ambicies, “gjallë”, “e shtyjmë”. Nuk kishte pakënaqësi.

Ka tani pakënaqësi? Patjetër!

Sa më shumë pakënaqësi aq më shumë shpresë, sa më shumë pakënaqësi, aq më shumë energji, por  pyetja është, çfarë do bëjmë me pakënaqësinë. Jemi të pakënaqur që jemi këtu, duam të ishim atje,

gjëja më e mirë në botë, por do shkojmë atje duke u kapur e duke kërcyer apo të ulur e duke thënë “nuk bëhet kjo punë”.

E para është Partia Socialiste.

Të dytët janë ata të autokolonës.

Por unë qytetarëve të Tiranës, - e këtu kam parasysh që Tirana është Amerika e vogël e Shqipërisë, Tirana është vendi ku fliten të gjitha mënyrat e shqipes, Tirana është vendi nga ku kanë ardhur të gjithë krahinat, zakonet, historitë dhe janë mbledhur këtu të gjitha ëndrrat dhe shpresat, njësoj si dikur Amerika mblidhte ëndrrat dhe shpresat e një bote të tërë, -  ju them, shumë mirë që jeni të pakënaqur, por si do ja bëjmë në 25 prill? Kujt do ia lini fëmijët, kujt do ia lini të ndërtojnë çerdhet që duhen e duhen më shumë, edhe kopshtet që duhen edhe më shumë Kujt do ia lini në dorë shkollat që duhet të vazhdohen të ndërtohen për fëmijët tuaj? Kujt do ia lini në dorë rrugën e fëmijës suaj, ku ai falë mbështetjes që ju i jepni, falë kursimeve që ju bëni dhe nga buka që të mos i mungojë asgjë e duhet të shkojë në universitet, të zërë vendin atje siç e meriton, apo prapë do ia lini në dorë autokolonës që të vendosë se kë merr, kë lë dhe kë vret? Kujt do ia lini që të rrisë më tej pagat tuaja? Po ju dyqanxhinjtë e Tiranës, sipërmarrësit e vegjë, qofshin nga Tropoja, Konispoli, Korça, Vlora, Librazhdi a Puka, ju që jetoni me një biznes të vogël, kujt do ia lini punën e taksave tuaja, do ta mbani 0 siç e keni apo do shkoni pas berihajit, do futeni ne autokolonë?

 E di kush ju pret në autokolonë? I patë ata që dolën nga autokolona, dje? Ata janë vetëm njëra pjesë e asaj autokolone, ata janë ata dhe këtë e kam me studentët, ata janë ata, që po të kishit dalë ju ose po të dilni ju dhe të ishin ose të jenë ata, ju, jo që të tallnit atë që nuk thuhet, kur ju thoshte kryeministri “Kur do flasim”, po ju nuk do dinit ku do iknit me të katërta kur t’iu turreshin njerëz që duken sikur vijnë nga zgafellet e historisë për t’iu sakatuar, për t’iu mbyllur gojën, për t’iu trajtuar si qen e jo si fëmijët e shqiptarëve.

Me ata do bëni protesta ju, me ata do bëni dialog ju, me ata do mblidheni ju nëpër auditorë e do keni përballë dikë që ju dëgjon? Patjetër do kthej dhe përgjigje se unë gojën për të folur e kam, por iu dëgjon.

Nëse sot ju ekselentët nuk paguani asnjë lek, por shteti paguan për ju, nesër autokolona ju merr e iu fillon biografinë “I kujt je, për kë ka votuar babi, mami”, “sa lekë ke”. Këto nuk janë gjëra që unë i imagjinoj, janë të gjitha gjëra që kanë ndodhur. U them këtyre biznesmenëve të vegjël, nuk e doni Edi Ramën, ku është problemi? Unë jam i martuar, nuk kam dalë të kërkoj grua. Nuk dua të bëj krushqi me askënd. As nuk po vij t’iu trokas e t’iu them shihni sa të bukura i kam pantallonat” se ju nuk i doni çitjanet se jeni modernë. Unë i shkreti një copë katunar jam.

Nuk më doni? Çfarë problemi ka?

Taksën e keni 0. TVSH-në e keni 0. Inspektorët jua kemi hequr nga qafa. Vazhdoni more biznesin tuaj.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm