Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Parta Socialiste ka një skuadër që harmonizon eksperiencën me energjinë e re të shoqërisë!

Të reja

Parta Socialiste ka një skuadër që harmonizon eksperiencën me energjinë e re të shoqërisë!

09 Mar 2021    

Konferencë për shtyp e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama:

Mirëdita!

Dëshiroj të bëj sot së bashku me ju, një përmbledhje të ditës së djeshme si një moment i shpalljes së formacioneve që do të ndeshen në fushën e 25 prillit dhe besoj dhe si një moment kur është bërë shumë i qartë, dallimi mes formacioneve që hyjnë në fushë.

Pas një procesi jo të shkurtër konsultimesh me publikun, përmes anketimeve, fokus grupeve dhe kontakteve të ndryshme, kemi arritur në konkluzionin që “Shqipëria e ardhmja jonë” është motoja, slogani, deviza që karakterizon më mirë se disa opsione të tjera që ne kishim, përpjekjen tonë, përmbajtjen e kësaj përpjekjeje, dhe sigurisht orientimin e kësaj përpjekje.

Në ditët në vijim do të fillojë shpalosja e vizionit 2030 dhe e planit të veprimit 2021-2025 që janë në thelbin e tyre një ambicie të madhe për Shqipërinë Shqipëria e 2030 duhet të jetë zgjedhja e parë e çdo shqiptari dhe jo emigracioni të jetë zgjedhja e shumëkujt që për 1001 arsye legjitime preferon emigracionin dhe jo Shqipërinë.

Ne kemi një skuadër që shkon përtej PS dhe që reflekton fuqinë tonë të vetëndryshimit, e cila është pika e parë e manualit të drejtimit të PS që lindi nga një fuqi vetëndryshimi në kushte historike dramatike dhe që nën drejtimin e Fatos Nanos e pati pikë referimi: Vetëndryshimin.

Gjatë gjithë periudhës së drejtimit tim, unë jam përpjekur ta gdhend dhe ta bëj më të thellë këtë bindje dhe jam i bindur që kjo është e vetmja rrugë për një parti politike për t’i rezistuar kohës për të qenë konkurrente dhe për të mos u kthyer në një forcë që rrezaton vetëm vetveten dhe nuk rrezaton shoqërinë.

Skuadra e PD është zhgënjyese dhe për mua. Unë nuk besoj se ky ishte maksimumi që mund të bënte PD pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhet për shkak të një lidershipi, pa karakter, pa vizion, pa forcë sepse nuk besoj që perimetri i influencës së PD të jetë aq i ngushtë dhe që PD të mos ketë mundësi të ofrojë më shumë sesa kaq.

Pra, nëse lista e PS është fuqia e vetëndryshimit, lista e PD është afirmimi i fosilizimit.

Ndërsa për listën e LSI nuk dua të humbas kohë. Ajo është lista e SPAKUT dhe OFL, nuk kishte si të ishte ndryshe dhe më vjen keq për shumë të rinj dhe të reja që natyrisht nuk i përkasin këtij kategorizimi, por janë thjesht një enturazh si mezetë rreth karkalecave të tiganit të Monikës, kurse karkalecat janë aty në qendër dhe është thjesht një konfirmim i një katandie, keq e mos keq, i një force politike që ka luajtur rolin e saj në proceset demokratike në Shqipëri dhe që sot është një magazinë private që administrohet nga gruaja e presidentit që shet dokrra dhe blen vota.

PS bën një dallim të qartë me forcat e tjera dhe vazhdon të thellojë një proces që është një proces historik në shoqërinë tonë, por është një proces fiziologjik në Partinë Socialiste i ngushtimit të hendekut gjinor.

Ne kemi 10 gra nga 12 përfaqësues të shoqërisë dhe të partisë në vendin e parë në çdo qark dhe 7 prej 12 përfaqësuesve në vendin e parë të PS janë prurje të reja, janë njerëz që vijnë me kontribute në komunitet, me kontribute shoqërore dhe natyrisht që ndajnë me ne vizionin dhe bindjet mbi shoqërinë.

PS ka një skuadër që e harmonizon besoj unë mirë eksperiencën me energjinë e re të shoqërisë, një skuadër që bosht të vetin ka PS, por muskulaturë të vetën ka shoqërinë.

Është bërë debat i madh. Ju dhe kolegët tuaj keni dhënë mendimet tuaja mbi përmbysjen e traditës së hierarkisë në lista. Por më vjen pak çudi, që mbase më ka shpëtuar se unë s’kam kanale televizive në shtëpi që më lejojnë të shoh debate në darkë, jam ndarë me klubet mediatike të natës që i vogël, por sidoqoftë marr informacion për ato që thuhen, sigurisht ndjek opinionet tuaja dhe të kolegëve tuaja. Askush nuk ka patur parasysh që ne kemi hapur listat. Askush.

E më e bukura është që ata që trumbetonin listat e hapura janë mbyllur komplet. Ndërkohë që ne kemi ndërtuar një skuadër në çdo qark që merr parasysh që listat janë të hapura dhe që jep mundësi forcës tonë politike të maksimizojë kontributin e çdo pjesëmarrësi në listë që nga i pari në Tiranë tek i 36 në Tiranë dhe besoj që numërimi i votave do t’ju japë një pasqyrë shumë të ndryshme mes nesh dhe formacioneve të tjera, sepse do të shikoni që në skuadrën tonë të gjithë numrat do kenë vota. Një pjesë e numrave, ma besoni këtë gjë sepse është e gjitha e studiuar dhe e analizuar, - nuk është një “kap çfarë të kapësh” dhe “të kapim ku ta kapim vendin” - do të ketë shumë surpriza për nga prurja e listave që do të vijë nga lista në atë zonë që konsiderohet jofituese. Nuk po them që do të jenë shumë që do të thyejnë listën, do të jenë dhe nga ata, por do të ketë shumë kontribute në votë për rezultatin e PS.

Ne i kemi ofruar në Tiranë në kutinë e fundit komunitetit çam një alternativë të ndershme përballë ofertës që i bën PD, që është një ofertë marramendëse për nga niveli i mendjelehtësisë dhe verbërisë.

Të gjithë ata që i përkasin atij komuniteti kanë zgjedhje dhe nuk kanë vetëm një zgjedhje, kanë më shumë se një zgjedhje, jo vetëm në listën e Tiranës, por dhe në lista të tjera ku ka një komunitet si ai çam i cili është një komunitet i mobilizuar elektoralisht për arsye historike dhe për arsye legjitime të jetës në komunitet.

Tjetra është që nuk ka mundësi është e pamundur që të fusësh në fushë një skuadër për t’i bërë qejfin lojtarëve. Skuadra futet në fushë për të fituar ndeshjen dhe unë nuk shoh tek PD një skuadër për të fituar ndeshjen, por unë shoh një skuadër që futen lojtarët për të mos ju ngelur hatri.

Skuadra jonë është futur për të fituar ndeshjen duke patur të qartë objektivin, qark për qark objektivin bazë dhe objektivin maksimal që të kualifikohemi për të vazhduar të përfaqësojmë Shqipërinë në këtë përpjekje shqiptare transformimi.

Nuk e di ndër ju, përfshirë dhe ata ndër ju që në të drejtën e tyre e kanë zemrën djathtas, por nuk e di cili është ai qytetar apo qytetare që e ka zemrën djathtas që në Tiranë do të dalë nga shtëpia të votojë një skuadër ku kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë me radhë një në dy fosilet e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe natyrisht Dezdemona Mesila Doda, Dash Shehu, d.m.th. me këto emra që thashë mbaroi gjysma e skuadrës.

Është e pabesueshme!

Kjo është një skuadër për të mbajtur bashkë lojtarët në fushë në mënyrë që njëri të mos dehet në stol, tjetri të mos vjedhi tutat e të tjerëve në stol, tjetri të mos marri stolin e të iki në shtëpi e kjo është alternativa për Shqipërinë? Me këtë Shqipëria fiton? Me Fatmir Mediun fiton Shqipëria? Me Fatmir Mediun fitojnë pronarët që ka që ditën që vdiq i shkreti dhe i ndjeri Sabri Godo që i mori vulën, e futi në xhep dhe me atë vulë, vetëm një certifikatë prone ka vulosur Fatmir Mediu. Vendin si deputet në parcelën e PD-së. Shpëtim Idrizi? Sekseri i Çamërisë që zgjohet nga gjumi nga ora 2 e del në televizor i buhavitur dhe i hap luftë Greqisë e pastaj shkon zyrë më zyrë për të kërkuar vende pëllumbash në administratë, që t’i shesi majtas djathtas?

Vangjel Dule në Tiranë. Çfarë do Vangjel Dule në Tiranë? Apo se nuk e voton më njeri, as në minoritet në Sarandë e as në minoritet Gjirokastër?  Për çfarë e fut Vangjel Dulen, për t’i thënë të djathtës dhe atyre që janë në perimetrin e Partisë Demokratike shpirtërisht që doni nuk doni, hani Vangjelin? “Mangi questa minestra”.

Mesilën e kuptoj, ekanë futur pasi do më lidhi mua me zinxhirë, pasi dogji palmën te Kryeministria.

Sinqerisht jam shumë i keq ardhur dhe jam shumë i zhgënjyer. Qytetarët e Tiranës kanë mundësinë të zgjedhin midis dy pensionistëve, Luljeta Bozos dhe Sali Berishës dhe do të zgjedhin Saliun? Kjo është e reja që sjell Partia Demokratike për pensionistët, Sali Berisha? Se ai është përfaqësuesi i pensionistëve në krahun e djathtë. Faktikisht nuk kanë asnjë në moshën e pensionit, përveç tij dhe ai do përfaqësojë pensionistët? Për çfarë, për t’i marrë pensionistët e për t’i nxjerrë në bulevard që të djegin palma? Shumë e habitshme.

Nuk dua të përmend emra të tjerë, sepse nuk është çështje emrash, por çështje fenomeni. Nuk kam asnjë problem me emrat e tjerë. Edhe Luli në krye të listës se dhëndri vihet gjithmonë në ballë dhe pastaj është i gjithë fisi që i shkon mbrapa për të shkuar në dasëm.

Nga ana tjetër nusja është në ballë dhe gjithë SPAK-u me OFL-ja janë mbrapa. Krushqia tjetër, domethënë, subjektet e SPAK-ut dhe OFL-së do martohen bashkë në 25 prill, me bekimin e shqiptarëve këta. Katastrofë!

Unë dje fola për listën tonë, sot thashë disa gjëra. Më interesantja është që në Partinë Demokratike nuk ka asnjë prurje të re, përveç Agron Gjekmarkaj. Natyrisht është një kontribut i Partisë Demokratike që largon nga klubet e natës mediatike një personazh turbullues për familjet, por nuk besoj se është një akt serioz dhe respekti për demokratët e Lezhës. Pashë para se të vija këtu, një deklaratë të një zonjë, të cilën nuk e njoh kush është, rezulton që ishte një kandidate e PD-së në Kurbin. Për kuriozitet u interesova e më folën shumë mirë për të. Deklarata e saj ishte që ne gratë, meqë nuk kishim vend në PD, do mbështesim kandidaten e Partisë Socialiste që është grua. Gratë në listat e PD-së janë për të zbatuar ligjin, sipas të cilit duhet 1 në çdo 3 emra se ndryshe nuk të regjistron KQZ-ja, por nuk përfaqëson gratë në sensin e atij përfaqësimi që duhet të sigurojë një parti politike që do të qeverisë. Nuk ka asgjë për të thënë për gratë në vetvete si candidate, pro janë brenda mureve të SHQUP-it, nuk ka asnjë jashtë mureve.

Kjo është pak a shumë panorama që kam unë për skuadrat që janë në fushë. Natyrisht, ne nuk e kemi betejën me PD-në apo LSI-në. Ne e kemi betejën me vetveten, për t’u bërë sa më të mirë në çdo hap dhe sa më të denjë për njerëzit. Natyrisht, ne e kemi betejën për të fituar mendjet dhe zemrën e njerëzve. Ajo që u kam thënë dje gjithë Kryesisë është që ne nuk mundet që të jemi njerëz që drejtojmë këtë forcë politike dhe të listojmë bazuar në idenë që kemi për njëri-tjetrin brenda mureve, sepse nuk mjafton. Sado pozitive dhe me bindje të jetë ideja ime për njërin apo tjetrin, nuk mjafton.

Cila është ideja e publikut, jo thjesht për njërin e për tjetrin, por për Partinë Socialiste. Shqiptarët nuk janë aty që të detyrohen të votojnë pavarësisht nëse partitë shohin, dëgjojnë dhe reflektojnë apo nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk reflektojnë dhe shohin dëgjojnë vetëm brenda mureve të tyre dhe thonë ky ka bërë 20 vite luftë, ky tjetri ka qenë borizan të gryka e Mezhgoranit kur gjermani kaloi poshtë, ai tjetri ka garantuar tejkalim e të gjitha normave të kooperativës. Jo, ka shumë të tjerë që nuk janë brenda këtyre mureve dhe qëllimi ynë është të rrafshojmë muret ndarëse. U bë këngë “Rilindja apo Partia Socialiste”. Është e pakuptimtë dhe absurde që njerëz që e shohin partinë politike nga jashtë, siç janë ata që analizojnë, komentojnë, të kërkojnë nga një parti politike që të mos rilindë duke u hapur. Përkundrazi.

Nuk janë dy gjëra të ndryshme. Është Partia Socialiste që ka detyrimin të vetëndryshojë. Ky është një process, që po ta shihni zgjedhje pas zgjedhjesh, ka ardhur duke u konsoliduar. Nuk kam asnjë diskutim, përkundrazi, për disa nga miqtë, shokët, kolegët, që kanë dhënë shumë kontribute në vite dhe që nuk janë më. Ata në vetvete e kanë vendin gjithmonë të palëvizshëm në sytë e mi. Çështja është, a mjafton kjo për shoqërinë, për ata që po kalojnë me biçikletë atje e që, kur ndalin biçikletën, duan të shohin kush është kush në raport me mua, me qytetarin dhe sa jep ky për mua sot, jo çfarë ka bërë ky dje. E shkuara e secilit në një parti politike është historia e tij dhe e partisë politike. Nuk është një arsye që njeriu i rrugës, që ndalet te kutia e votimit, të votojë.

Partitë politike janë për të jetuar në lartësinë e të sotmes, jo për t’ju drejtuar njerëzve nga lartësia e të djeshmes. Kështu dhe çdo individ, unë dhe gjithë të tjerët. Nëse unë nuk e bëj këtë, për çfarë i duhem unë Partisë Socialiste, për çfarë i duhem vendit. Në fund të fundit, pyetja është e thjeshtë; Është Partia Socialiste, e krijuar për t’ju dashur vendit, apo është vendi që duhet ta dojë Partinë Socialiste pa kushte?

Jo, fare! Kjo është elementare.

Skuadrat ndërtohen me lojtarët që janë më në formë dhe që janë më në gjendje në atë moment të përballojë kundërshtarin dhe të fitojë ndeshjen. Listat e deputetëve nuk janë muzeume, stenda për të vendosur vazot e antikitetit. Vazot e antikitetit kanë shumë vlerë. Sali Berisha në historinë e Partisë Demokratike ka shumë vlerë, por për çfarë duhet të jetë këtu, tani? Për të ndaluar emigracionin, që të rinjtë të kthehen në Shqipëri, duke parë Saliun aty?

Partia Demokratike ka ndërtuar një stendë me vazo antike, po kuptohet, me fosile, në këtë rast. Nuk kanë çfarë të japin më. E vetmja gjë që kanë bërë këto kohë është që kanë qenë në televizor.

Agron Duka nuk e ka nxjerrë një ditë partinë nga garazhi e flet në emër të partisë së tij. Keni dëgjuar ju ndonjëherë Partinë Agrare që të dalë e të kërkojë votën? E kam një parti unë, po nuk më fute ti këtu, unë e nxjerr partinë që atje. Dhe këtë duhet ta gëlltisë komuniteti i demokratëve në Durrës, që është një komunitet që ka plot njerëz që janë qytetarë, që kanë një ide tjetër, të ndryshme nga tonat. Do ta hanë ata se i duhet Agron Dukës të jetë patjetër deputet. Për çfarë arsye duhet të jetë patjetër deputet, Agron Duka, apo sepse do Agron Duka të jetë ministër Bujqësie prapë. Për çfarë, apo meqë ka më shumë pula seç ka çdo shqiptar, apo se prodhon më shumë vezë se çdo shqiptar tjetër dhe ky si gjeli i agrares duhet të hyrë tek Ministria e Bujqësisë, se nuk ka kotec tjetër që e mban Agron Dukën. Kjo është oferta që i jepet Durrësit.

 

Ka mundësi që oferta më e mirë që jep e djathta të jetë Leskua i KLSH? Që para Leskos, Dash Shehi është njeriu më esëll që ka Shqipëria. Kur sheh gota e rakisë Leskon, dehet gota duke e pare. Dhe këto janë prurjet, kjo është “Shqipëria fiton”?!

Çfarë fiton Shqipëria me këta, çfarë fiton Durrësi me Agron Dukën, çfarë fiton Vlora me Bujar Leskon, se këta janë fenomene, nuk kam asgjë. Ju e dini shumë mirë sesa e dua Flamur Nokën, por deri tek 13 [numri] shkojnë dhe nuk është fare.

Syri.net: Zoti Kryeministër, pas mbledhjes së djeshme, ajo çka më shumë ka rënë në sy apo dhe është diskutuar më së shumti ka qenë largimi i disa ish ministrave dhe emrave të vjetër në Partinë Socialiste. Ju keni folur përgjatë kësaj fushate se çfarë lufte ka bërë PS-ja për Reformën në Drejtësi, por keni çuar në fund të listave atë njeri që ka punuar shumë për këtë reformë, që ishte Fatmir Xhafaj. Keni folur për luftën që ka bërë Partia Socialiste për të çelur negociatat dhe keni vlerësuar Ditmir Bushatin si ministër të Jashtëm, por e keni lënë jashtë listave, pas kritikave që ka bërë ndaj jush për përfshirje të elementëve kriminalë në Qarkun e Shkodrës, por dhe pas një ftohje që pati mes jush dhe tij, pas kundërshtimin të tij të hapur që pati për çështjen e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu dhe kontribute të tjera si Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli janë lënë jashtë listave. Pse i keni larguar nga Partia Socialiste këta njerëz? Nuk doni ju njerëz që t’ju kundërshtojnë në Partinë Socialiste dhe doni që t’ju binden dhe sa ndikim ka pasur Erion Veliaj në listën e Tiranës?

Kryeministri Edi Rama: Fakti që është shqetësuar Syri.net për Fatmir Xhafën...

[Ndërhyn gazetarja]

Kryeministri Edi Rama: Një gjë nuk e negociojmë dot bashkë. Gazetarët pyesin, i pyeturi përgjigjet dhe gazetarët nuk janë këtu për të debatuar mbi përgjigjen.

[Ndërhyn gazetarja]

Kryeministri Edi Rama: Po të them diçka publikisht. Është praktikë ndërkombëtare, që nga Shtëpia e Bardhe dhe në të gjitha selitë ku bëhen konferenca shtypi ndalimi i hyrjes në konferencë i gazetarëve që nuk respektojnë rregullat, që shkelin etikën e aktivitetit. Nuk hyn tek praktika ime që ta bëj këtë për ty, por të lutem mos shkel rregullat.

TV Klan: Zoti Kryeministër, unë në fakt nuk do ndalem tek komentet që ju bëtë për listën e Partisë Demokratike, sepse në fakt, disa prej atyre që janë në listën e Partisë Demokratike, edhe ju keni kërkuar t’i bëni pjesë të koalicioneve në 2009-2013, Duka, Dule, Shpëtim Idrizi dhe Nard Ndoka që ju s’e përmendët, por në fakt do ndalesha vetëm tek lista e Partisë Socialiste. Jam dakord me logjikën tuaj që Fatmir Xhafaj, një personalitet në Partinë Socialiste, për shkak të listave të hapura do ketë vota personale dhe renditja e tij mund të ndryshojë. Duke qenë se është i 23-ti, renditja mund të ndryshojë, por fakti që Ditmir Bushati nuk është fare në këtë listë, doja të merrja konfirmimin tuaj. Është e vërtetë që keni pasur debate të ashpra dje, edhe me Majkon, Xhafën, Ditmir Bushatin, i cili ju ka rikujtuar që ju vetë e keni vlerësuar si ministër të suksesshëm dhe tani, përmes një faze që ju e keni personalizuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, e keni përjashtuar atë. Është i vërtetë ky fakt dhe nëse mund të na thoni se kush është arsyeja që e penalizoi Ditmir Bushatin, qëndrimi i tij si minister apo qëndrimi i tij si drejtues politik i Qarkut Shkodër?

Edi Rama: Së pari njëherë, keqardhje për lëndimin momental të atmosferës për shkak të koleges suaj sepse është shumë e rëndësishme që të nënvizohet që, që nga fakti që ata të cilët nuk kanë lënë gjë pa i bërë Fatmir Xhafës, syri.net dhe neti.sy dhe me të katër sytë, që nga syri i Saliut, tek syri i Lulit, tek syri i Lulit, tek syri i Monikës, ata tani janë shumë të shqetësuar që simboli i reformës në drejtësi nuk është në listën e PS-së. Domethënë shqetësohen se PS-ja nuk po konsideron një vlerë kaq të madhe ndërkohë që atij njeriu nuk kanë lënë gjë pa i bërë duke shkuar përtej çdo limiti moral, etik, njerëzor, domethënë e kanë sulmuar si kafshë.

Tani, menjëherë ndihen të lënduar dhe flasin në emër të opinionit që është lënduar. Kjo është për tu nënvizuar sepse është e rëndësishme që njerëzit ta mbajnë parasysh këtë gjë, se sa të lënduar, se për çfarë u lënduan këta? Këta kanë hall se do humbasë PS? Këta kanë merak që skuadra e PS është dobësuar dhe këta tani po ngrenë zërin? Për çfarë? Ndërkohë që për deri sa unë erdha këtu e për deri sa po e bëj këtë bashkëbisedim sigurisht që nuk kam ardhur këtu që ti shmangem asnjë pyetje e me shumë kënaqësi do ti përgjigjem edhe pyetjeve që lidhen me individët sepse është një moment i tillë që flasim për individë edhe pse unë nuk e bëj zakonisht këtë gjë.

Po gjëja që është e çuditshme është që përsëri flitet për lista fituese, për lista jofituese, për njerëz që janë, për njerëz që nuk janë ndërkohë që këtu është komplet përmbysur koncepti. Këtu nuk ka në këndvështrimin tim dhe në konceptin mbi të cilin është ndërtuar skuadra, këtu nuk ka lista fituese, lista jofituese, këtu ka objektiva e këtu nuk ka, se këtë thashë më parë nuk ka vend për të vënë stenda e për ti vënë njerëzit në stenda sipas historisë dhe sipas kontributeve që këta kanë dhënë në 1 segment apo në një segment tjetër. E thashë dhe më parë, po qe puna për historinë e PD, Sali Berisha është pa diskutim njeriu më i rëndësishëm i asaj historie por tani kjo është ndeshje për të dalë përpara popullit për të ardhmen apo kjo është një kohë kur po shkojmë në një panair që të ekspozojmë reliket dhe antiket dhe individët sipas historisë sonë? Kjo është shumë e thjeshtë.

Skuadra ndërtohet për të fituar e për të maksimizuar rezultatin me të gjithë lojtarët që ka se nëse doni të dini dhe nëse do të flisja unë për Fatmir Xhafën, atëherë çfarë mbetet për ju pastaj? Se i kam thënë gjërat siç i kam menduar dhe siç i mendoj edhe sot për Fatmir Xhafën kur shumica nga ju, iu qep mbrapa dhe nuk i la gjë pa thënë. Pse qenka ndryshe sot për disa nga ju këtu? sepse kundërshtarët janë shumë të shqetësuar se i ka dalë përballë një skuadër që as nuk e prisnin e as nuk dinë tani se si do ta luftojnë dhe nuk kanë për ta ditur dot deri në 25 prill si do ta luftojnë se është një skuadër me shumë fuqi të reja, është një skuadër që ka energji të jashtëzakonshme për këtë ndeshje ndërkohë që skuadra e PD nuk ka energji dhe ne kemi vënë të gjithë drejtuesit e të gjitha figurat që kanë marrë nga Partia Socialiste pafundësisht vlerësime, mbështetje, promovime, aty ku duhen në skuadër. Nuk kemi bërë ne ekspozitë dhe nuk është fronti i betejës nuk është tek emrat e parë në listë. Fronti i betejës është tek objektivi dhe tek objektivi shkon gjenerali, nuk shkon gjithë trupa, nëse gjenerali nuk është aty i pari.

Pastaj meqë më pyete për Fatmir Xhafën, Fatmir Xhafa e ka pranuar sfidën për të kontribuuar për skuadrën ne një pozicion ku sigurisht duhet të bëjë një përpjekje për të thyer listën por ama duke qenë aty, kontributi i tij për skuadrën do të jetë i paçmueshëm. Është shumë e thjeshtë. Sepse nuk kemi ne  një skuadër që është 1 deri tek 19 që është objektivi bazë që funksion dhe pastaj një enturazh që shkon nga mbrapa siç ka ndodhur në të shkuarën, kur listat ishin të mbyllura. Sot janë listat e hapura dhe sot ne që nga 1 deri tek 36 kemi lojtarë që do të luajnë rolin në fushë e po ju them, prapë do të shikoni në fund kutitë. Do të marrin të gjithë vota. Secili ka një profil, nuk është kot atje, nuk është për ti thënë hajde se po të vlerësojnë ty se kur ne luftonim për liri, ti sillje ujë. Këtu është çfarë na jep secili sot, në këtë moment, për skuadrën, nuk është vlerësim. Vlerësimet e tjera bëhen jashtë kësaj. Kur futesh në fushë, nëse një lojtar shumë i mirë është i vrarë dhe nuk luan dot, nuk mund ta fusësh në fushë për atë që ka bërë në të shkuarën.

Ndërkohë që për Ditmir Bushatin e thoni ju dhe e përsërisni ju në mënyrë të pafundme. Jo po të ka kritikuar e jo ku di unë. Çfarë lidhje ka kjo? Dikush thotë jo po se keni pasur konflikt për kufijtë e Kosovës dhe unë mund t’ju them diçka që i rrëzon të gjitha këto. Nëse unë do të kisha gjëra të tilla e nëse unë do të funksionoja kështu, e para njëherë, nuk kam funksionuar asnjëherë kështu si person, nuk jam personi që mbaj inate por nëse në nivelin personal njeriu mund edhe të ketë hatër mbetje për njërin apo tjetrin, kur ti drejton Partinë Socialiste nuk mund të jesh njeriu që e ke mendjen se çfarë me tha ky atje apo çfarë dëgjova se më kishte thënë atje. ka trajner që zihet me një lojtar që i duhet në fushë dhe nuk e fut? Keni dëgjuar ju? I keni parë ju incidentet që ndodhin nëpër ndeshjet e skuadrave të mëdha? Keni parë se si një lojtar ka ardhur puna i ka hedhur dhe fanellën trajnerit kur ka dalë nga fusha dhe carë ka bërë trajneri? Asgjë, se i duhet në fushë.

Këto, kush i lidh me personin tim dhe me rolin tim, nuk di çfarë flet dhe unë e mirëkuptoj. Nëse do ishit si unë, do ishit këtu ku jam unë. Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë, që të konkretizoj për të gjithë diçka që nuk e dini ju dhe nuk e dinë njerëzit dhe që ka ndodhur mbasi të gjitha këto për të cilat ju thoni se unë e paskam larguar Ditmir Bushatin, kishin ndodhur. Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe më ka thënë, dua të bëhen sekretar i OSBE-së. Dua mbështetjen tënde dhe unë i kam thënë po, do kesh mbështetjen time. Ditmir Bushati ishte një nga kandidatët, i kemi dhënë të gjithë mbështetjen edhe pse në kushte jo fort të lehta pasi duke qenë kryetar në detyrë i OSBE-së për një vit e duke qenë në vitin kur duhej të zgjidhej katërshja e sekretariatit që kishte mbetur pa u zgjedhur, kryetari i OSBE-së ka rolin e ndërmjetësimit mes të gjitha vendeve për të garantuar konsensus dhe kështu disa vende kanë shprehur rezerva për kandidaturën nga Shqipëria në kushtet kur Shqipëria ka drejtimin e OSBE-së duke pretendua e jo pa të drejtë nga ana e tyre që si mundet shqipëria ta drejtojë OSBE-në e ndërkohë të ketë një kandidat. Gjithë vendet lobojnë për kandidatët e tyre, kjo e bën kryetarin e OSBE-së të pabesueshëm. E megjithatë, deri në fund unë e kam mbështetur Ditmir Bushatin sepse përtej çfarë debati mund të kem unë me Ditmir Bushatin që është një debat në një nivel konceptual po themi, një sekretar i OSBE-së nga Shqipëria, shqiptar, do të ishte kryevepër. Unë e kam mbështetur Ditmir Bushatin dhe Shqipërinë. Tani, si mundem unë personi që tha kështu e tha ashtu? E para, e dyta, është e vërtetë që Ditmir Bushati ka qenë një ministër i mirë. Sandër Lleshi ka qenë një ministër edhe më i mirë se Ditmir Bushati në pjesën e tij por nuk është në listën e deputetëve. Pse? Nuk do të thotë gjë që dikush ka qenë ministër i mirë dhe duhet të jetë deputet patjetër dhe ndërkohë Sandër Lleshi nuk është në listën e deputetëve sepse nuk ka pasur as kohën, as mundësinë që të bëjë më shumë se sa detyrën e vetë si ministër e si ministër Sandër Lleshi nuk ka ardhur nga Partia Socialiste. E ka thënë ai vetë e kjo është e vërteta por ka ardhur si një qytetar që ka besuar tek vizioni, programi dhe qëllimet e mia, si një njeri që punoi me mua një periudhë kohë dhe që erdhi aty me kërkesën time. Ditmir Bushati ka qenë ministër sepse e ka bërë PS ministër dhe detyrat e ministrave të PS janë shumë më tepër se sa të jesh ministër i mirë. Shokët e Ditmir Bushatit sot janë tek kufiri atje dhe nuk janë tek kufiri sepse ata nuk kanë bërë debate me mua por janë tek kufiri sepse ata përveç punës si ministra, përveç mbledhjeve dhe daljeve në televizor, kanë punuar tokën, kanë mbjellë dhe kanë kultivuar në terren me njerëzit përditë, të korrurat e 25 prillit. Ndërsa Ditmir Bushati ditën e parë që u ndryshua si drejtues i Shkodrës, ka zbritur nga treni. Nuk është shfaqur më në asnjë aktivitet nga ato aktivitete që nuk janë puna juaj natyrisht, nuk janë televizive por janë pjesë e pandashme e punës së çdo njeriu që ka një mandat nga socialistët në këtë parti. Është shumë e thjeshtë. Çfarë kam unë me Ditmir Bushatin? Ditmir Bushati ka disa mendime të tijat me të cilat unë nuk jam dakord, ku është problemi këtu? nuk kam asnjë pr3oblem unë me këtë. Ai thotë të vetat, unë them të miat, jeta vazhdon. Nëse Ditmir Bushati do të kishte punuar tokën do ishte njësoj si shokët e vetë, pavarësisht se mund të ketë ato e madje edhe shumë nga ato që thotë, nuk do i thoshte fare, sepse aty ka qenë. Kjo nuk është personale por një gjë e kam thënë në mënyrë të përsëritur dhe e kam thënë dhe dje, në atë sallë, edhe në Zoom. Kush është lartë, duhet të rrijë poshtë. Jo në listë, duhet të rrijë poshtë çdo ditë. Nuk e masë unë një lojtar të PS që është pjesë e lidershipit të PS, që është pjesë e grupit të PS, me fjalimet në parlament vetëm dhe me çfarë ka bërë në të shkuarën. Një lojtar e masë me sa duar njerëzish ka shtrënguar, me sa fshatarë ka takuar, sa biznese ka takuar për t’ju thënë si ju shkojnë punët? Çfarë keni nevojë? Sa qytetarë ka takuar? Çfarë rrjeti komunikimi ka ndërtuar në territor? Sa i di ai problemet e zonës, apo ajo, e zonës ku është? Se nuk mund të jetë historia që shkojmë tek njerëzit vetëm për fushatë dhe pastaj njerëzve i flasim vetëm nga televizori dhe bëhemi interesant me debate. Debatet i bëjmë, ,nuk ka problem fare, edhe pse edhe për debatet unë kam të tjera bindje, për ata që janë në role drejtuese e për lidershipin e një partie, debatet bëhen brenda. Foltorja e parlamentit, mikrofoni për të dalë para popullit është i popullit dhe është për popullin, nuk është për të nxjerrë kunja apo për tu evidentuar sikur je ndryshe. Nuk e kam unë fare këtë, nuk e kuptoj kështu unë partinë, nuk e kuptoj kështu punën për njerëzit dhe për të gjitha këto arsye, Ditmir Bushati nuk ka se si të jetë në skuadër, në këtë skuadër por kjo nuk ndryshon as mendimin tim për Ditmir Bushatin si ministër, as vlerësimin tim për çka ai mendon, as gatishmërinë time që Ditmir Bushati të vazhdojë të bëjë debat e unë të bëj debat me të sa herë më lidh kryesia.

Nuk kam ndryshuar unë mendim për Ditmir Bushatin, siç nuk kam ndryshuar mendim për Fatmir Xhafën, që është komplet gjë tjetër sepse Fatmir Xhafa nuk ka bërë naze për vendin, përkundrazi, ka marrë vendin ku është dhe do të përballojë sfidën që ka. Këto janë fare fare të thjeshta dhe leximi i një skuadre bëhet kështu, prandaj ua thashë dhe dje. Nuk shihen lojtarët nga stadiumi. Lojtarët shihen në stërvitje, lojtarët shihen në nxemje, lojtarët shihen në dhomën e zhveshjesh, lojtarët shihen sa herët zgjohen, sa aktivë janë kur nuk ka kamera, lojtarët shihen çfarë marrëdhëniesh kanë me njëri tjetrin, sa janë të gatshëm të sakrifikojnë për njëri tjetrin, sa ia mbajnë njëri tjetrit krahun, se xhonglera ka plot që marrin topin dhe bëjnë xhonglime dhe stadiumi duartroket por në fund nuk janë xhnglerat që sjellin fitoren. Janë ata që xhonglojnë për skuadrën, jo ata që xhonglojnë për vete. Xhonglerët për vete janë për cirk, nuk janë për fushë dhe ata që merren me politikë e që sidomos kanë detyra më të mëdha se të tjerët në një parti politike, nuk mund të bëjnë xhonglerin, janë për cirkun mediatik, nuk janë për ndeshjen e skuadrës. Ditmir Bushati është një nga investimet e mia më të rëndësishme nga pikëpamja e mbështetjes politike, morale, njerëzore dhe është një njeri të cilin unë e ndjej njeriun tim, edhe sot, nuk kam armiqësi fare por shpresoj që ta kapi trenin prapë. Unë ia kam bërë shumë të qartë të gjithëve. Partia të vë por nuk të mban, mban veten. Në tren të hipën partia, të ndihmoj dhe unë të hipësh në tren, mbase dhe unë në ndonjë moment të caktuar marr njeri dhe e fus në tren por nëse rri në tren apo zbret nga treni e vendos vetë, me të gjitha këto që thashë. Janë të gjithë këto komponentë. Unë duhet të bëj më shumë se të gjithë sepse për këtë më kanë zgjedhur dhe nuk po i kërkoj askujt të bëjë sa unë por që unë të jem rekordmeni që nga viti 1912 i kilometrave nëpër Shqipëri dhe i takimeve me njerëzit, 90% e të cilave bëhen jashtë kamerave dhe një deputet mos të takojë njerëzit në 4 vjet apo një ministër të jetë në funksion mirë si ministër, në rregull, e të funksionojë vetëm për të dalë në parlament e për të hedhur vickla pasi nuk është më ministër e ndërkohë të mos bëjë punën tjetër, kjo nuk funksionon. Është jashtë mundësive të mia për ta gëlltitur këtë, është shumë e thjeshtë.

Dhe diçka tjetër, lista gjithmonë, që kur unë jam kryetar i partisë, kemi pasur këtë sistemin zgjedhor me rajone, gjithmonë listat janë bërë nga drejtuesit e qarqeve dhe 95% e listave që mos them më shumë, janë produkt i tyre. Unë kam mesazhe këtu, komunikimesh me drejtuesit e qarqeve dhe refuzime për propozime të caktuara që unë kam bërë duke u nisur nga çfarë kam dëgjuar e nga cfarë informacionesh kam marrë e të tjera e të tjera por refuzime në kuadrin e një diskutimi të brendshëm që çfarë skuadre do kemi në Vlorë Damian? Unë jam deputet në Vlorë për shembull. Ose çfarë skuadre do kemi në Berat, Klos? Ose Niko, çfarë skuadre do kemi në Korçë dhe ndërkohë për arsye të kontakteve e të përpjekjeve dehe të njëri tjetrit, po sikur ky, po sikur kjo dhe ndërhyrje pak fare për të bërë propozime dhe jo, kjo nuk bëhet. Dhe me argumente kuptohet se nuk është puna të imponosh pro me argumente për 1, 2, 3 arsye, kjo kandidaturë nuk i vlen Vlorës, nuk i vlen Durrësit, nuk i vlen Tiranës dhe natyrisht që listën e Tiranës e ka draftuar drejtuesi i kësaj fushate, i gjithë këtij organizimi më saktë që është kryetari i bashkisë. Kemi diskutuar? Patjetër që kemi diskutuar por kemi pasur një diskutim për dikë, dhe hë mër plak (se lali është i ri). Nuk shkon? Në rregull. Kështu funksionon çështja e listave. E ndërkohë, në tiranë, duke qenë se drejtuesi nuk është deputet, Pandeli Majko është personi që do qëndrojë tek kufiri atje. i ka dhënë PS gjithçka dhe është në njësinë që është vatra më e nxehtë hambari i grurit, ndërkohë që gjithë të tjerët shkojnë për misra dhe patjetër që ka të gjithë ato që i duhen që të drejtojë këtë skuadër drejt 25 prillit me gjithë atë që ai përfaqëson, televizor më televizor, event më event, ndërkohë që gjithë aspektin organizativ vazhdon e drejton kryetari i bashkisë.

- Zoti Kryeministër, duke u ndalur tek hartimi i listave për kandidat për deputet të PS, Ditmir Bushati nga sa mësohet, ka thënë se nuk ka pasur konsultime dhe se në PS janë piketuar njerëz nga LIS, duke marrë poste kyçe që sipas tij i takojnë Socialistëve.

Edi Rama: Tani, se u bë personazh Ditmiri pa asnjë arsye në fakt, mendoj unë për kaq shumë vëmendje, megjithatë e kuptoj.

PS është një parti që ka kapacitetin edhe një herë tjetër të bëjë skuadra fituese. Koncepti im për skuadrën është ky. Unë kam luajtur në një skuadër, kam mësuar shumë nga loja në skuadër. Unë nuk ndjek futboll në sensin e një tifozi pavarësisht Juventusit që është një besnikëri e fëmijërisë por unë ndjek trajnerët. Ndjek trajnerët e mëdhenj dhe jam shumë i interesuar që të ndjek funksionimin e skuadrave. Nga pikëpamja e lidershipit, disa prej tyre i kam miq. Por miq, miq, komunikoj rregullisht. Për çështje të lidershipit dhe për çështje të skuadrës dhe i them këto pikërisht sepse është shumë e rëndësishme të kuptohet. Për mua, partia nuk është një platformë ku ti vetëm merr, sepse je aty sigurisht për merita të caktuara, jo kot, as një platformë ku ti bën vetëm atë që ti ke qejf. Nëse je i zgjedhur nga partia të bësh ministrin, patjetër do e bësh shumë mirë, do bësh maksimumin por nuk do bësh vetëm atë. Dhe nuk und të bësh vetëm ato që ke qejf. Duhet të bësh dhe disa gjëra që mund të mos i kesh qejf por do ti bësh. Ato që thash më parë, duhet të punosh për skuadrën e skuadra jonë përfaqësuese është në 25 prill ndërsa skuadra jonë e madhe, janë njerëzit që na mbështesin, ata kanë nevojë tu hapësh telefonin. Ata kanë nevojë tu qash hallin, nuk mund ti thuash që flasim dhe pastaj harron dhe emrin kush janë. Kjo nga njëra anë, nga ana tjetër, natyrisht me Ditmirin nuk jemi konsultuar, kjo është e vërtetë dhe ju keni parë, keni qenë këtu dhe ju thoja çfarë doni këtu çdo javë, cfarë bënim ne që mblidheshim çdo javë këtu gjithë drejtuesit e qarqeve? Për çfarë mblidheshim? Drejtuesit e qarqeve mblidheshin këtu çdo javë, pikërisht për skuadrën në të gjitha aspektet dhe pastaj dhe në aspektin e ku jemi me personat dhe të gjithë drejtuesit e qarqeve janë konsultuar me dreqin e me të birin e ndërkohë ne kemi bërë anketime të vazhdueshme në nivel lokal, kemi bërë fokus grupe, kemi bërë hulumtime për të kuptuar se kush janë lojtarët që na japin maksimumin, duke analizuar zonat, duke analizuar shumë gjëra të tjera e prandaj e përsëris, që mund të mos jesh. Ditmir Busahti është njeri i vlefshëm, nuk diskutohet por jo për këtë ndeshje, jo në këtë skuadër. Ka disa emra të tjerë që nuk janë apo jo? Që kanë qenë aty me vite, kanë dhënë kontributin me vite, nuk janë për këtë ndeshje, nuk janë për këtë skuadër. Ka disa që u është ofruar që të jenë në skuadër e u është thënë, në këtë pozicion. Jo nuk dua në këtë pozicion. Nuk do në këtë pozicion? Ulu në stol, ndeshja do kryhet pa ty e pastaj mbas ndeshjes vazhdon ndeshja e madhe me të gjitha sfidat tona e nëse do ketë nevojë për ty do jesh atje. Si qenka kjo? Apo ajo gallata permanente e mendimeve ndryshe në të shkuarën. Dil 3 këtej, shfaqu 4 andej, krijo telenovela, bëje PS një klub ku nuk e merr vesh i pari të dytin, fol në emër të vlerave, fol në emër të së shkuarës kur ishim ne, nuk ishim këta, çfarë janë këta që na erdhën. E çfarë fitoi Shqipëria nga kjo? Natyrisht fituat ju, fitoi spektakli, fitoi cirku mediatik por Shqipëria nuk fitoi asgjë, zero. Përkundrazi, fitoi atë që erdhi Saliu pasi e kishin nxjerrë me shkelma nga zyra, erdhi si fytyra e re me duar të pastra. Kjo është përgjigja ime.

-  Zoti Rama, e ka kontestuar ndonjë prej kandidatëve në listën përfundimtare renditjen në listën përfundimtare renditjen në atë listë? Dhe a është e vërtetë që ka patur replika të forta mes Fatmir Xhafajt, Pandeli Majkos me kreun e bashkisë së Tiranës Erjon Veliajt ?

Edi Rama: edhe një herë tjetër, kush është në listë nuk ka kontestuar. Kush ka kontestuar ka dalë jashtë, shumë e thjeshtë. Kush është në listë nuk ka kontestuar, kush ka kontestuar nuk është në listë, kaq e thjeshtë është.

Ndërsa diskutim, patjetër që është bërë se ne nuk u mblodhëm për të dhënë konferencë shtypi atje lart. Ne u mblodhëm, u diskutuan gjërat e diskutim ka pasur por dhe një herë tjetër, se nuk janë e njëjta gjë, janë gjëra komplet të ndryshme Ditmir Bushati dhe Fatmir Xhafa në këtë teatër këtu, flas mediatik. Fatmir Xhafa nuk ka kontestuar asgjë. Ka thënë qartësisht, me dinjitet, unë do të marr përsipër këtë sfidë. Natyrisht, ka bërë një diskutim shumë normal duke pyetur për logjikën e gjithë gjësë. Erjoni ka dhënë të gjitha shpjegimet dhe ajo që ka qenë e rëndësishme është që dje, është përçuar pikërisht gjithë logjika e kësaj skuadre, se ka logjikë. Logjika e skuadrës së PD-së është konservo fosilet. Logjika e skuadrës së LSI-së është mblidh të rinj e fut në mes viktimat e SPAK-ut dhe të OFL-së. Logjika e skuadrës sonë është fuqia e vetë ndryshimit. Të ndryshojmë veten në mënyrë të vazhdueshme për të qenë të denjë për at që na votojnë sa të mundemi. E mira nuk ka fund, ,por sa të mundemi tu themi ore nuk jemi këtu ca njerëz që rrinë, pushtetërojnë këtu e kujtohemi për ju. Jo, ne jemi njerëz që ju dëgjojmë, e kuptojnë, e ndjejmë që ju doni të shikoni tek politika vetveten dhe jo veten tonë, bëjmë përpjekjen tonë, mbase nuk është maksimumi, patjetër ka dhe më mirë por të paktën është një vullnet dhe është një qasje komplet tjetër.

Një parti që ka që në 2013 dhe kërkon mandatin e tretë nuk mund të presi që të plaket duke mbajtur hapur muzeumin deri sa të bijë ta marrin me shqelma, ta nxjerrin nga zyra. Duhet ta reflektojë vetë nevojën e shoqërisë por që të reflektojë nevojën e shoqërisë, duhet të njohësh shoqërinë. Duhet të kuptosh njerëzit. Duhet të ndjesh njerëzit, duhet të jesh me njerëzit, jo të rrish të flesh gjumë e të të vijë urdhëri nga Lalzi që bëj këtë e bëj atë, nuk funksionon dhe kjo është e gjitha. Diskutimet janë gjëja më normale, nuk ka asnjë problem. Imagjinoni ju mua që të jem njeri që ka frikë debatin? Përkundrazi, është një nga burimet më të pasura të adrenalinës sime. Si mund të kem unë debatin frikë? Mund të kem unë frikë të ballafaqohem me këdo qoftë për bindjet e mia? Për sa kohë nuk kam frikë nga bindjet e mia, për sa kohë nuk kam frikë nga vetja ime, nuk kam pse të kem frikë debatin.

Debati është pasuri nuk është problem. Por ama në një parti politike sa më lart shkon, aq më poshtë duhet, jo vetëm të shohësh, por edhe  të zbresësh dhe kur vjen flet duhet ta kesh shollën e këpucës të gërryer nga ai territor ku ti duhet të japësh dhe t’i japësh atyre, që të kanë dhënë ty mundësinë të jesh lart. Nuk mund të funksionojë ndryshe. Ka funksionuar dhe fakti që vazhdon të bëhet ky diskutim, kjo është tradita, bejlerë dhe agallarë socialistë.

Nuk bëhet fjalë, kanë qënë shumë dhe ka qënë shumë ky problem për PS që lija në kurriz të gjitha atij që është i pari dhe ti shih atë pjesën tënde, kap dhe ndonjë televizor dhe shiko dynjanë kur ty të preket interesi dhe të tjerat le t’i mbajë ky.

Nuk është ky problemi se unë i mbaj dhe është detyra ime dhe pasioni im, por unë nuk e kam me x dhe me y, e kam me njerëzit aty. Se unë nuk mund të jem në të gjithë territorin dhe të flas me njerëzit, aq sa njerëzit kanë nevojë. Duhet të jenë të gjithë. Këtu ka deputetë të cilët nuk janë kategoria e atyre që bëjnë këtë pjesë, por bëjnë një pjesë tjetër pa të cilën këta s’do ishin. Pa Paulin Sterkën në Shkodër, Ditmir Bushati si drejtues politik nuk do merrte dot dy deputetë. E kush është fuqia e Paulin Sterkajt? Është populli, janë njerëzit, është që rri me njerëzit dhe si ai ka plot në PS dhe ata meritojnë vlerësimin.

Ata nuk janë mbase për t’u vënë në atë stendën e historisë së luftës nacionalclirimtare dhe të luftrave të mëdha me armiqtë dhe të plagëve të mëdha që kanë marrë këta të pasclirimit të Shqipërisë, por janë boshti. Kush i bën këto të dyja është i nderuar. Çfarë ka më pak Blendi Klosi? Nuk di të flasi, nuk di të bëjë debate, nuk di të rrijë dhe të mos luajë vendit?

Është i pesti sot në Berat sepse ka punuar aq shumë atje me njerëzit, sa ne objektivin bazë kemi 5-sën, falë atij njeriu, por e gjithë kjo punë është punë që e di unë, e dimë ne brenda. Ju nuk keni as pse ta dini sepse nuk është për lajmet, për të parë njerëzit se ku shkoi Blendi Klosi dhe bëri 27 takime në ditë. Damian Gjiknuri si i merr ato rezultate? Me ato fantazitë e tyre? Gramoz Ruçi është njeriu që mund të thotë “unë po rri këtu dhe ma bini rezultatin dhe e keni për detyrë”, por jua kam thënë të gjithë këtyre tyë rinjve është njeriu që ka numrin më të madh të njerëzve në telefon që nuk bën vaki ta marrësh në telefon dhe mos ta ngrejë telefonin në një të natës, në dy të natës dhe jo sot, por historikisht. Si i merr ato  vota ai? Si shkohet në Fier dhe merren 10 deputetë në 2017, me njerëzit, me punën me njerezit, s’ka as media asnjë gjë dhe është fshat më fshat dhe jo për fushatë, por rregullisht. Atë derën e Kuvendit e ka të hapur për lloj-lloj fshatarësh dhe për lloj-lloj dynjaje që vjen të qajë halle.

Taulan Balla si, në çfarë forme do shkojmë ne në Elbasan dhe do marrim 9 atje objektiv maksimal  kur në 2017 morëm 7? Në të njëjtën formë, kur Librazhdi nga një vend ku ishin rrotë më rrotë e ka bërë sikur është Librazhdi sheshi i kuq. Si e ka bërë? Shkoni në Librazhd dhe pyesni, kapni kë të doni dhe hajde dhe më gjeni një njeri që nuk ka folur me Taulant Ballën.  Kjo është Partia. Prandaj të gjithë këto muhabetet e cirkut këtu janë estradë për argëtim.

-A keni dijeni për kandidatë të Partisë Socialiste, të cilët dëshirojnë të tërhiqen nga gara për shkak të renditjes në lista? Nëse Partia Socilaiste në qarkun e Vlorës dhe të Durrësit, nuk merr 8 mandate ju do të qëndroni jashtë Kuvendit?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Kam dijeni për një rast mbrëmë vonë të një, vetëm të  një kandidati që ishte shumë i bindur që nuk duhet të ishte dhe thoshte unë do bëj gjithçka, por nuk dua të jem në këtë pozicion. Më thanë çfarë të bëjmë, u thashë “kush nuk do, ska problem”. Fatmirësisht nuk jemi me pak kapacitete dha pak lojtarë. Synimi ka qenë të kemi për çdo qark më shumë lojtarë sesa pozicione në mënyrë që të bëjmë një përzgjedhje sa më të mirë. Besoj që kemi patur kudo më shumë lojtarë se pozicione, kemi bërë përzgjedhje besoj të mirë, u kemi dhënë shqiptarëve mundësinë që të zgjedhim një parti që nuk është ajo që ishte në 2017. Është e njëjta skuadër, por është e ripërtërirë. Përsa i përket Durrësit dhe Vlorës unë kam bindjen që objektivi bazë do të realizohet.

Unë nuk flas me “nëse”. Dilema e shumëkujt është “dakord po ku do rrish në Vlorë apo në Durrës”. Unë do rri aty ku do më duan më shumë. Njerëzit e nënës janë në Vlorë, njerëzit e babës janë në Durrës. Do jetë garë mes tyre, kush më do më shumë, do më ketë aty më shumë. Natyrisht unë do jem i të gjithëve për shkak të detyrës, por dua që për Durrësin të bëj  atë që kam bërë për Vlorën jo sepse është qyteti që kam një pjesë të rrënjëve, por është sepse Durrësi është një nga asetet më të mëdhja që ka ky vend. Është bërë shumë në Durrës pavarësisht se c’thonë, por tani ka ardhur koha për ta çuar në një fazë të re dhe Durrësi potencialin për të ndikuar në ekonominë e vendit e ka dhe më të madh se Vlora se është dhe shumë më kompleks se Vlora dhe unë dua ta bëj këtë gjë. Pastaj të shohim kush do të më dojë më shumë për të lënë njërin nga vendet.

Kurse për objektivin bazë besoj se nuk do të dali kjo pyetje. Po doli do ta trajtojmë kur të dali. Unë se kam problem, Unë s’jam nga ata që them “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Unë e bëj i pari pastaj ta bëjnë të tjerët.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm