Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, besimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë

Të reja

Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, besimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë

15 Apr 2021    

Fjala përmbyllëse në Shkodër - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Para se ë ulesha këtu, dy të rinj, një djalë dhe një vajzë më bën një dhuratë të vogël, e cila më kujtoi një kohë të bukur. Një kohë të shkuar, të lidhur me Shkodrën. Më dhanë këtë bluzë me parashikimin tim të rezultatit, 74 deri në 78, por më kujtuan një king shkodre, një shokun tim të kohës kur luaja basketboll. Një shokun tim që ishte shumë më i bukur, shumë më i shpejtë, shumë më i talentuar sesa unë, Sokol Kalajn.

Sokol Kalaj nuk është në Shkodër, është në Itali dhe dua ta përshëndes e me këtë rast edhe disa të tjerë që ishin çunat më të bukur të Shkodrës, Marin Shestani, Korab Llazani, Mikel Gjoni. Avenir Kalaja nuk është dhe aq i bukur, por ishte një mal që të dilte përpara e të fuste frikën. Patjetër, nuk e harrova, por nuk ishte aq i bukur sa ata të parët, Astrit Zaganjori. Ishin një skuadër e jashtëzakonshme, një skuadër talentesh që në Pallatin e Sportit të Shkodrës ngrinin peshë gjithë shkodranët.

Ishin një skuadër që kishte një hall të madh, sepse më kingat dhe më të mirët prej tyre jetonin me hijen e biografisë e nuk dilnin dot jashtë shtetit. Kur luante Kombëtarja, luanin këtu, por jashtë nuk shkonin dot. Kur Partizani që ishte kampion dhe luante në Kupën e Kampionëve, ata luanin për Partizanin, por jashtë nuk shkonin dot. Me ata, për mua ishte kënaqësi e jashtëzakonshme kur ishim në ekipin Kombëtar, se ishte lirshëm fare të flisje kundër komunizmit, të flisje kundër diktaturës, të flisje kundër atyre që për fat të keq e mbajnë Shkodrën peng akoma. E kanë kthyer atë në viktimën e hakmarrjes së tyre, fantazmat e të shkuarës, pikërisht ata, diktatori dhe diktatorët e vegjël rrotull tij, që i kanë kthyer shkodranët, që i thonë vetes demokratë, njësoj si veten, në urrejtës, në sharës, në mohues, në përçarës dhe që në emrin e demokracisë e në emrin e PD-së bëjnë në fakt, ekzaktësisht atë që Enver Hoxha do kishte ëndërruar t’ia linte mbrapa si mallkim Shkodrës, e cila kurrë nuk e deshi Enver Hoxhën, kurrë nuk e deshi diktaturën. Shkodrën, e cila gjithmonë diti ta ruante brenda, me shumë sakrificë, me shumë mundim, njësoj si Sokol Kalaj, miku e shoku im i ngushtë dhe të tjerët, zjarrin e besimit tek Zoti, zjarrin e besimit tek Shkodra, zjarrin e besimit tek liria.

E pra, unë po ju them këtu të gjithë shkodranëve, bëni çfarë të doni, por të jeni të sigurt, si kjo dritë që unë shoh, se Partia Demokratike e Shkodrës nuk është asgjë tjetër, po fiks siç Enver Hoxha do të donte që të ishte Partia Demokratike, fiks siç Enver Hoxha do donte që në emër të demokracisë, në emër të lirisë, në emër të luftës kundër komunizmit e gjithë Shkodra të mbahej peng, siç është mbajtur peng deri më sot, vendi më i prapambetur i Shqipërisë, ndërkohë që është një nga ato zona që duket sikur Zoti e ka bërë për telha, e ka qëndisur, që tek liqeni tek deti, nga lumenjtë tek Alpet. Ia ka dhënë të gjitha.

Shkodrën e mban peng Enver Hoxha akoma sot, me fantazmën e tij, me hijen e tij, me frymën e tij dhe e mban peng tamam si një mallkim, jo përmes nesh, as përmes qytetarëve të saj, por pikërisht përmes atyre që i thonë vetes Partia Demokratike e Shkodrës. Vetëm hija e Enver Hoxhës në tru mund ta shpallte përmes Partisë Demokratike tradhtare Jozefina Topallin.

Jozefina Topalli nuk është shoqja ime, nuk ka asnjë lidhje mes çfarë unë dua të shikoj tek një grua shkodrane që përfaqëson Shkodrën, por Jozefina Topalli tradhtare, njësoj si të ishte Liri Belishova dikur, me duart e Partisë Demokratike dhe me cipin që ju ka lënë në tru Enver Hoxha, që ju marrtë e mira, keni 30 vjet që vazhdoni luftoni komunizmin.

Çfarë komunizmi luftoni ju? Luftoni komunizmin me mua?! Unë jam komunisti, Saliu është demokrati?! Ej, a jeni në vete?

A jeni në tru të kokës apo nuk jeni në tru të kokës?

A ju ka ikur mendja e nuk do të kthehet pas 30 vitesh akoma? Partia Socialiste komuniste?! Cilat komunistë? Kush është komunist këtu? Edona është komuniste? Beneti është komunist? Paulini është komunist? Ilir Beqja ai është komunist. Ilir Beqja ka pushkatuar njerëz, Ilir Beqja ka bërë burgime të përjetshme, ka torturuar gjithë demokratët e Shkodrës, madje ka mbajtur  Voltanën në izolim? E ka izoluar aq shumë, sa që i është bërë zyra e kryetarit të bashkisë qeli e prandaj nuk pastron dot as plehrat në Shkodër, se e mban peng komunisti Ilir Beqja.

Nuk kam për ta marrë vesh kurrë, si ka mundësi që në këtë vend që nxori Migjenin, që nxori Luigj Gurakuqin, që nxori dinastinë e Marubëve, në këtë vend që nxori plot e pot të tjerë, mbiu e mbrapshtë, bashkë me lirinë, fara e poshtër e totalitarizmit komunist mu në trurin e atyre që e morën flamurin e PD-së dhe e kthyen në Shkodër flamur të përçarjes, në flamur të vendosjes së një diktature mizerabël të injorancës, një diktature mizerabël të paaftësisë, një diktature mizerabël të mediokritetit. Nuk kam për ta kuptuar kurrë.

Këta që e duan Shkodrën shumë, që e mbrojnë nga komunizmi, i kishin marrë gjithë thesaret e Marubëve dhe i kishin lënë si thasë me tallash në lagështirë, mbuluar e harruar. Kush i nxori nga lagështira e i shpëtoi ato thesare që janë jo vetëm krenari kombëtare, janë edhe pasuri europiane e krijuar nga sytë magjikë të një familjeje talentesh. Kush e bëri Muzeun Kombëtar Marubi këru? Pse nuk e bënë ata?

Sepse për ta, Shkodra nuk është kulturë. Për ta, Shkodra nuk është traditë, për ta Shkodra nuk është histori shqiptare, për ta Shkodra është një feud që e kanë marrë peng, vazhdojnë ta mbajnë peng e që flasin në emër të saj duke luftuar komunizmin.

Para se të vinim këtu, ishin nja dy qerosë si puna ime, por ishin nja 247 kile më shumë se unë dhe ma bënë me dy gishta, më thanë “Rama ik, se ne nuk i duam komunistat”.

Unë nuk pata mundësi t’ju them, të fillojnë të bëjnë pak fizkulturë se i kishte mbytur kolesteroli, i kishte vënë poshtë dhjami. Kjo është Partia Demokratike dhe Shkodra që doni ju? Ne që jemi mbledhur këtu e kemi shumë të qartë se për çfarë jemi mbledhur, por po flas me ata që “luftojnë komunizmin” akoma, po flas me ata që i shtrojën rrugët e sheqerit Lulit kur vjen këtu me krushqit.

Është reale, në Lezhë i kishin shtruar rrugën me sheqer dhëndrit dhe e nxjerrin këtu dhe fillojnë ato premtimet fantastike, “lekë, lekë, lekë”. “Rama ik” se ne nuk të mundim dot, por po nuk të mundëm, ne do vazhdojmë të rrimë mbi plehra, do vazhdojmë të luftojmë komunizmin në mes të një parajse që e ka falur Zoti, por që dora e mbrapshtë e robit meazallah s’e e lë të bëhet vendi ku të gjithë të kenë punë e të gjithë të kenë mirëqenie.

Për mua është shumë e qartë dhe dua ta bëj shumë të qartë edhe për ju e të tjerët. Unë nuk mendoj që PS-ja ka bërë më të mirën këtu në Shkodër, përkundrazi. Unë mendoj që PS-ja nuk ka dhënë këtu prova të mjaftueshme për të bindur shumëkënd që ndihet qytetar i Shkodrës e që nuk është në grupin e atyre me qafën e trashë, nuk është as në pararojën e atyre që po luftojnë me komunizmin akoma. Komunizmi ka vdekur e jeton vetëm në mendjen e tyre, por e kam parasysh shumë mirë që qytetarët, njerëzit e zakonshëm të Shkodrës që thonë nuk jam me asnjë parti dhe shohin ekranin e jetës, e shohin ekranin e politikës, e shohin ekranin e zhvillimeve në Shqipëri kështu, unë nuk mund të mos i mirëkuptoj. Kur shkojnë në hipotekë dhe u nxihet jeta, nuk mund të mos i mirëkuptoj, kur shohin sesi nga vota, lindin drejtorë. Njerëzit votojnë për të ndryshuar vendin, për të ndryshuar Shkodrën, mbas votës lindin drejtorë të tjerë, njëri këtu e tjetri atje. Kur shohin sesi deputetët, të gjithë pa përjashtim, për fat të keq, ata që jetojnë këtu në Shkodër, fusin në punë njerëzit e shtëpisë. Kur shohin sesi e sesi të tjera.

Prandaj sot jam këtu shumë krenar sepse mendoj që kam ardhur me njerëz, të cilët janë prova, sipas meje, e sigurt, qoftë e faktit që unë jam shumë i vetëdijshëm që ne në të shkuarën nuk kemi arritur t’i japim Shkodrës një ofertë bindëse, qoftë për faktin që unë nuk e dua PS-në një parti për një pjesë kundër një pjese, as një parti që jeton me veten dhe për veten, por e dua PS-në një parti ku të ketë hapësirë dhe mundësi për të gjithë ata që duan t’i bashkohen përpjekjes time dhe përpjekjes sonë për ta ngjitur Shqipërinë në majë.

Kam ardhur këtu me Edonën dhe deri kur munda ta takoj dhe ta bind që duhet të përfshihej pikërisht sepse ishte e pakënaqur, pikërisht se ishte e mërzitur, pikërisht sepse ishte e lodhur. Kisha bërë më parë disa përpjekje, kisha takuar më parë disa të tjerë, të të njëjtit profil, të të njëjtit karakter, vajza, gra, djem, të cilët jetojnë në Shkodër, e duan Shkodrën, nuk përzihen me politikë dhe i rre mendja që po nuk u përzjeve, politika nuk ta përzien jetën. Jo, sa më shumë njerëzit me vlera të mos përzihen, aq më shumë jeta e tyre përzihet nga ata që pastaj e kthejnë partinë në monopol, e kthejnë bashkinë në monopol, e kthejnë politikën në monopol dhe nuk çahen.

Unë kam ardhur këtu me Benetin.

Beneti nuk është socialist, i rreh zemra djathtas edhe tani që më sheh mua këtu. Por jemi këtu sepse me Benetin kemi punuar dhe kemi bërë shumë gjëra e për mua është shumë e rëndësishme që Shkodra, nëse do të ndryshojë, nëse do t’i japi vetes një mundësi, nëse do t’i japi një shans se si ka mundësi, provo e provo e përsërit 30 vjet të njëjtën gjë dhe prit të kesh rezultat tjetër, vetëm të jesh komplet jashtë mendjes.

Unë kam shumë besim që me Edonën dhe me Benetin, ky komunitet do ketë dy njerëz të vetët. Sigurisht, që ata të dy me qafën e trashë, do t’i quajnë komunista, patjetër. Unë po flas për atë Shkodër të arsyeshme që rri anash, për ato familje që rrinë anash, për ato gra e ato nëna që rrinë anash. Si mund të rrijë anash një nënë shkodrane që ka fëmijët për të rritur këtu e të thotë “nuk ia vlen”. Ia vlejmë apo nuk ia vlejmë ne në Shkodër, na e jepni një mundësi e ne ta tregojmë vlejmë apo nuk ia vlejmë.

E ndërkohë nënave shkodrane që çojnë fëmijët në shkollë unë u them, shiko se me siguri ia vlejmë më shumë se ata, se deri dje, kur i çonit fëmijët në shkollë, ishin librat e Fahri Balliut e të lloj-lloj bari fahrinjve që i merrnin, i kopjonin, i përkthenin mbrapsht dhe tekstet alternative. Prodho libra, jepja kalamajve, çorodit kalamajtë, çorodit prindërit, çorodit mësuesit. Ndërsa sot, nëna shkodrane e dinë që fëmijët e tyre nuk marrin më librat e Fahri Balliut, marrin librat e Oxford, Cambridge dhe Person. Fëmijët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë mësojnë sot me librat e Europës, jo me librat e kopjacëve të PD-së që nuk dinë as të kopjojnë.

Si mundet të vazhdohet t’i besohet Voltanës dhe gjithë atyre që i vijnë rrotull?

Unë disa nga deputetët e Shkodrës i njoh. I kam pasur aty, gati menjëherë, për t’u çuar në këmbë për të ardhur tek foltorja. Atë punë e bëjnë më mirë nga të gjithë, kur unë flas në parlament, të vijnë tek foltorja, ta bllokojnë e të flasin e të shajnë në emër të Shkodrës, se u duket sikur po rrëzojnë monumentin e Enver Hoxhës akoma. Vazhdojnë me luftën me Enver Hoxhën se i është futur Enver Hoxha në tru komplet. Është mallkimi i Enver Hoxhës që po e ndjek Shkodrën ka 30 vjet që po i thotë “Ma nxitë jetën sa isha gjallë se nxorët gjitha barsoletat kundër meje dhe diktaturës dhe unë do jua lë mallkimin në formën e Partisë Demokratike”. Dhe ja la Shqipërisë, kur i la Saliun në kokë. Dhe tani Saliu na del demokrat dhe unë komunist. Saliu qenka njeriu që e dashka Shkodrën ndërsa unë, nipi i Veronika dhe Zef Kolombit, unë qenkam njeri që nuk e dashkam Shkodrën.

 Unë që edhe fenë e kam dhuratë nga gjyshja ime shkodrane, unë nuk e dashkam Shkodrën. Unë qenkam i pafe, Saliu qenka besimtari që e do Shkodra. Po ky është turp dhe këtë turp ky dhe nuk ka për ta harruar dhe kush merr pjesë në këtë turp, pavarësisht se historia do e harrojë sepse historia nuk do mbajë mend deputetët e Shkodrës se nuk ka për ca t’i mbajë mend. Historia mban mend Luigj Gurakuqin. Por historia e Shkodrës do flasë për këto 30 vjet dhe do thotë “Si ka mundësi që gjithë këto familje me tradita, këto familje me rrënjë të thella në histori, gjithë ky komunitet që dikur i tregonte shqiptarëve modën, jetën matanë detit, tregtinë, zanatin, pikturën e fotografinë, i nxori shqiptarët nga shtëpitë për t’u bërë fotografi”. Mbeti në dorën e Voltanës dhe ca tipave që të kapësh njërin ta përplasësh pas tjetrit e të mos nxjerrësh dot një gram tru. Si ka mundësi? Ccfarë duhet të bëj unë, ne më shumë? Doni ti hyjmë një transformimi të madh këtu? Doni ta bëjmë Shkodrën si Vlora? Doni ta bëjmë Shkodrën si Korça? Apo doni ta bëjmë Shkodrën si Shkodra, që mjafton ta bësh Shkodrën si Shkodra dhe e ke kry për t’i dhënë mundësi vajzave dhe djemve ta gjejnë këtu të ardhmen e tyre. Shumë mirë që nuk ka këtu projekte sepse e di mirë që ne do nxirrnim këtu projektet e ata do thonin 3D, se ata projektet i kanë fletore hallvaxhinjsh.

Prandaj është Shkodra kështu. Ndërsa ne 3D i bëjmë realitet.

Edhe aeroporti i Kukësit 3D ishte. Për pak ditë vijnë ata të tjerët, çunat e Londrës. Ata luftojnë komunizmin në Kukës. Do i sjellim më aeroplan, do t’i ulim në Kukës dhe do i themi “Ja ku e keni aeroportin, shkoni votoni PD-në”. 3D ishin dhe shkollat që po rindërtohen një pas një pas tërmetit, por janë shkolla të denja për t’i vënë në mes të çdo kryeqyteti evropian, shkolla europiane të vitit 2021.

 3D ishte dhe Shiroka. Kur e kam nxjerrë në fillim 3D ma nxinë jetën, ndërkohë sot është atje realitet. Është një pasqyrë e vogël e vizionit tim, një pasqyrë e vogël e ambicies sonë, e aftësisë sonë transformuese, por sot Shiroka është finaliste në konkursin më prestigjioz të arkitekturës evropiane qe jep çdo vit një çmim për të cilin çdo arkitekt, edhe më i madhi botës krenohet.

Ajo është pasqyrë për të parë sesi ne mund ta shpërndajmë atë rreze atje mbi të gjithë Shkodrën. Shiroka mirë nga kjo anë, por Malësia e Madhe është këtu. Kur ne nisëm punën me Paulinin ishte më keq se Shkodra se ishte lënë në harresë. Nisuni tani, merrni makinën dhe shkoni deri në Vermosh dhe shikoni se çfarë perspektive është hapur atje.

Nuk është problemi që është hapur rruga, por është hapur ekonomia, është hapur puna, është hapur mendja dhe zemra e shumë emigrantëve nga Malësia e Madhe që po investojnë atje për të bërë me krenari bujtinat e tyre. Shikoni sa turistë shkojnë atje. Turistë në Malësi të Madhe, kush e mendonte!

Por ajo që mendoj unë është që janë shumë pak. Me planin tonë 2021-2025 do jenë shumëfish turistët që do vijnë në Shqipëri dhe do shkojnë në Malësi të Madhe. Do shkojnë dhe në Pukë. Çfarë ishte Puka? Një grumbull shtëpish dhe pallatesh të kohës komunizmit të braktisura komplet, me një liqen të mbushur me plehra dhe mbetje spitalore.

Puka sot është një destinacion turistik dhe këto janë embrione të një shpërthimi të turizmit dhe ekonomisë që ne e kemi para nesh, që mjafton të vazhdojmë, mjafton të investojmë, të projektojmë, t’i kthejmë projektet që kemi në realitet dhe Shqipëria nuk ka pse mos bëhet ajo që e ka pasur Zoti në mend kur u ul dhe e qëndisi nga fillimi deri në fund. Nuk ka pse. Po çfarë e ka penguar Shqipërinë të bëhet? Robi i mbrapshtë dhe mungesa e karakterit në momente të caktuara të njerëzve të kthyer në turma që pakënaqësinë, mërzinë, zhgënjimin ta kthejnë në një marrëzi, duke shkuar pas Haxhi Qamilin për t’i rënë shkurt, e pas tjetrit e tjetrit, për të ardhur deri tek, jo shumë larg por në jetën tonë, këtu janë dëshmitarë shumë njerëz, Rrapush Xhaferri, Sudja, Vehbiu, nën udhëheqjen dhe nën drejtimin e atij demokratit, Saliut, që shkonte me makina.

Ja urdhëro, se çfarë ka me nënën time ai andej. Ajo është demokracia? Ajo është Partia Demokratike në fakt. Një njeri atje, që më dërgon dëshirën e tij lidhur me nënën time që është në botën tjetër. Ajo është Partia Demokratike e Shkodrës fiks. Nuk është ai, ai është një që i kanë thënë “shko tani e thuaji atë të nënës atij që flet”. Ajo është Partia Demokratike e Shkodrës. Ajo është demokracia që do Shkodra? Për atë votojnë stërnipat e Marubit? Për atë votojnë stërnipat e Luigj Gurakuqit? Për atë votojnë stërnipat e Migjenit dhe të gjithë atyre yjeve që shkëlqejnë kaq fuqishëm në qiellin e historisë sonë? Pikërisht se kanë votuar për atë 30 vjet, Shkodra është kështu.

E fundit, ka mbetur e fundit dhe këta thonë “Ne do vazhdojmë të rrimë të fundit, por komunizmit nuk i dorëzohemi”. Siç thoshte Enver Hoxha “Do vazhdojmë të rrimë të fundit, por kapitalizmit nuk i dorëzohemi”.

Përtej të gjitha këtyre, duan nuk duan ata, do s’do ai, sot gjyshja me gjyshin buzëqeshin sepse bënë vaksinën.

 Vaksinën nuk jua bëri ndonjë engjëll duke fjetur gjumë. Vaksinën ja bëri politika. Ajo politikë që njerëzit mendojnë se është vetëm e keqe. Po të mos ishte politika, s’do kishte vaksina.

Po të mos ishte politika, s’do ktheheshin me mijëra e me mijëra fëmijë në shkolla një mijë herë më të mira e më të bukura se ato që humbën nga tërmeti.

Po të mos ishte politika, do të ishin rrugëve pa çati, pa ushqim ata që humbën shtëpinë. Ndërkohë që sot presin shtëpinë e re, janë në shtëpi me qera që politika i mundësoi. Politika i bën të dyja.

Politika bën edhe pengmarrjen e një qyteti nga më të veçantët në historinë e Ballkanit, politika bën edhe transformimin e atij qyteti. Varet në çfarë duarsh bie politika. Sa më shumë njerëz t’ia kthejnë kurrizin politikës, aq më shumë do ta hanë pas shpine nga politika. Është e thjeshtë.

Unë mund të flas këtu deri nesër në mëngjes, sepse kam aq shumë gjera që dua të them kur vij në këtë qytet, sepse aq shumë më mundon nga brenda, po si ka mundësi çfarë njerëzish janë këta? Si ka mundësi akoma e akoma, 30 vjet! Bebet që lindën në ’90-ën janë bërë burra e janë bërë me fëmijë. 30 vjet! Akoma prapë! Rrugët me sheqer, vjen Luli, me makina e buri, me dy gishta e flamuj dhe “Poshtë komunizmi”, “Rama ik!” Sigurisht, edhe premtimet “lekë, lekë, lekë”. Je një vajzë e dashurume me këtë djalin e s’ke mundësi, martohuni se ju mbaj unë me lekë, iu thotë ai. Je një grua që punon, por ke problem sigurimet shoqërore, do t’i ul unë sigurimet shoqërore, ti vazhdo punën. Je një pensionist, do ta rris unë pensionin. D.m.th, ky është vetmi që ul prodhimin e qumështit dhe rrit prodhimin e djathit. Ka gjetur, se këtu vdesin ta hanë sapunin për djathë dhe ky i jep sapun.

Ne jemi sot në një moment historik. Jo se do të vijë votimi e do të votohet partia, a s’do votohet partia. Por në një moment historik sepse sot jemi në pikën ku mund ta shohim me sytë tanë, jo të na i tregojnë të tjerët, që arritëm aty ku askush, madje shumica dërrmuese nuk mund ta besonte. Në dalje të tunelit të pandemisë më shpejtë se shumë të tjerë, shumë më të fortë, shumë më të zhvilluar, shumë më të pasur se ne.

 

Unë nuk di njeri në këtë vend të mos jetë stresuar nga pandemia, të mos jetë mërzitur, mos t’i ketë ardhur shpirti në majë të hundës. Një re e zezë mbi kokë gjithë kohës. Por pyetja është për këtë hall e për këtë stres, do gjejmë ilaçin e duhur apo do pimë ilaçin e gabuar.

Ilaçi i duhur është forca e karakterit te shqiptarët. Ilaçi duhur është fuqia e karakterit tonë që pikërisht në këtë moment të bëjmë atë që duhet të kishim bërë dhe ndonjëherë s’e kemi bërë dhe e kemi pësuar shumë keq, si në rastet që ju solla në vëmendje.

Të gjejmë forcën t’i themi lodhjes, nuk të dëgjoj!

T’i themi mërzisë, nuk të dëgjoj!

T’i themi pakënaqësisë nuk të dëgjoj sepse unë dua të vazhdoj të ngjitem, unë dua të vazhdoj të luftoj, sepse unë dua me patjetër të mbërrij në majë. E në majë mbërrijmë jo me programe dhe me premtimet që nuk mbarojnë dhe janë gjithnjë të njëjtat, por me gjithçka kemi bërë gati për të vazhduar të ngjitemi drejt majës.

 Jemi gati t’i hapim Shqipërisë porta të reja, nga qielli dhe nga deti. Aeroporte në Kukës, Tiranë, Vlorë, Sarandë. Porte turistike në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Dhe këto nuk janë “duam t’i bëjmë”, këto janë gati.

Kompania më e madhe e Emirateve, kompania që ndërtoi Dubain e ka marinën më të shtrenjtë të botës, ka ardhur këtu e kërkon ta kthejë Durrësin në portin turistik më të madh të Mesdheut. E nuk është një ide, është një projekt që i është dorëzuar qeverisë shqiptare. Është një projekt me të gjithë financimin përkatës, 2 miliardë, 2.5 miliardë varet se si do të shkojë gjithë investimi, por është një projekt real konkret.

Porti turistik i Sarandës është në kantier. Porti i Vlorës është gati të fillojë. Kanë mbaruar të gjitha procedurat. Është kompania, është financimi.

Porti i Shëngjinit është i vetmi që ende nuk e ka projektin, por ka kërkesën.

Të gjithë këto porta për të hapur Shqipërinë për shumë më tepër njerëz, për shumë më tepër turistë. Të gjithë llojet e turistëve. Turistët që vijnë nga portat e detit janë turistë që sjellin shumë nevojë për konsum, që harxhojnë shumë. Gjithë këto porta do të bëjnë që njerëzit, kur të vijnë, do të kërkojnë të hyjnë më thellë dhe të shohin pjesën e brendshme të Shqipërisë. Në pjesën e brendshme të Shqipërisë, Malësia e Madhe është një nga shembujt. Unë jam i bindur që ne jemi gati që të ndërmarrim ofensivën më të madhe në histori dhe ta kthejmë Shqipërinë brenda kësaj dekade në kampione të Ballkanit në turizëm, në agroturizëm, në bujqësi.

Ai që merrej me nënën time është nga ata që thonë, “ku ka bujqësi këtu, këtu ka mbaru çdo gjë, po të bjeri komunizmi njëherë”, por mjafton të shkosh në Malësinë e Madhe dhe këtu në rrethina, mjafton të shkosh kudo në Shqipëri e të gjesh se në fakt, bujqësia është rritur vazhdimisht. Eksportet ishin 100 milionë, kanë vajtur 400 milionë. Duhet, mund dhe do të shkojnë mbi 1 miliardë brenda planit tonë të veprimit 2021-2025.

Ju e keni bërë shpesh rrugën Shkodër-Tiranë. E keni bërë përpara e bëni sot. A ju kujtohet si ishte rruga Shkodër-Tiranë, e mbushur nga të dy anët, si të gjithë rrugët e Shqipërisë, me tezga që shisnin domate, qepë, patate. Gjithë produktet bujqësore me ato tendat e Fierit dhe ishte e gjithë rruga si një supermerkato ushqimore. Ku janë ato tezga sot?

Injorantët thonë “kanë ikur njerëzit”. Jo, se po të kishin ikur njerëzit që i nxirrnin ato prodhime në rrugë, nuk do ishte rritur eksporti, nuk do kishte rënë importi. E kishim raportin 1 me 7. Eksportonim 1 importonim 7. Sot e kemi 1 me 3. Eksportojmë 1 importojmë vetëm 3. Kjo sepse është rritur prodhimi këtu dhe ato prodhime nuk dalin më në rrugë, por shkojnë në pikat e grumbullimit që kemi ndërtuar.

Ato prodhime nuk dalin më në rrugë por shkojnë në pikat e grumbullimit që kemi ndërtuar. Janë afro 140 pika të reja grumbullimi me kushte dhe standarde europiane sepse ato prodhime shkojnë në Europë dhe nuk ka ndodhur një kamion të kthehet mbrapsht për cilësi, me dhoma frigoriferike.

Po mishi? Ju kujtohet se si në kohën e liri-demokracisë thereshin të gjithë llojet e kafshëve rrugëve nëpër ato thertoret ambulante? Ku janë ato? Apo kemi ndaluar ne shqiptarët ngrënien e mishit? Jo, ka akoma shumë mish që theret nëpër shtëpia por nga veriu në jug ka një rrjet të tërë thertoresh me standarde europiane që ta dini. Edhe këtu në Shkodër i keni, që do të thotë që ne tani jemi në një fazë që duhet të marrim një vendim. Kur arritëm të përballojmë tërmetin, kur arritëm të përballojmë dhe të sprapsim më shpejt se shumë të tjerë armikun e padukshëm, nuk arritkemi ne të fitojmë sfidën historike shqiptare që ta ngjisim Shqipërinë në majën që meriton, po pse? Çfarë na duhet për këtë? Na duhet të shpikim detin, na duhet të shpikim lumenjtë, na duhet të shpikim alpet, na duhet të shpikim natyrën fantastike? Jo, të gjitha këto na i ka dhënë Zoti. Ne na duhet vetëm vendosmëria, forca e karakterit, ne na duhet vetëm ai momenti kur njeriu e ndan mendjen, ai momenti kur njeriu nuk thotë “lëre fare se u bë gjatë kjo rrugë, hajde se po i biem këtej”, se kush i bie shkurt shkon për dreq siç kemi shkuar për dreq në të shkuarën. Çfarë doni, doni të shkojmë prapë për dreq? Çfarë do provoni? Se këta që vijnë dhe thonë hajde se ndryshim. Ndryshimi në Shkodër është Edona jo Helidoni? Çfarë ndryshimi është Helidoni? Çfarë ndryshimi janë këta? Kush është ndryshimi, Luli? Kukulla që kurdiset me dy çelësa?

Më pyet një gazetar dhe më thotë, “Çfarë do bëni ju nëse nuk keni vota”? Unë i them “kjo nuk është pyetje sepse ne votat i kemi, do ti marrim e do fitojmë”. “Po jeni gati ju të bashkëpunoni me Lulzim Bashën”? Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar përveç Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe pse? Kjo nuk është personale fare por sepse Saliu dhe Iliri janë pengmarrësit e Partisë Demokratike dhe janë pengmarrësit e vetë Lulzim Bashës. Sigurisht që unë jam gati të bashkëpunoj me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike sepse në fund të fundit, nëse politika i lë punët e veta, sherret e veta, konfliktet e veta, përçarjet e veta, historitë dhe merret me si ta bëjmë Shqipërinë kampione në Ballkan për turizëm, agroturizëm, bujqësi, energji e shoqëri digjitale, kjo është forcë e shtuar, është forca e bashkimit për ta bërë politikën atë që politika është në fakt, se për këtë është krijuar, që ti japë mundësinë njerëzve të bëjnë gjëra bashkë gjëra që nuk i bëjnë dot vetëm. Prindëri e nxjerri fëmijën nga shtëpia pasi e zgjon në mëngjes, e vesh, e ushqen, e çon në shkollë por rrugën për tek shkolla, shkollën, mësuesin me cilësi, librin me cilësi, nuk e bën dot prindi por e bën politika.

Kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet, se u çuan disa “jo po bashkëqeverisje”. Nuk ka lidhje kjo fare, kjo ka lidhje me vullnetin për t’i dhënë politikës një fuqi sa më të madhe që politika të bëjë sa më shumë për njerëzit. Luli thotë jo. Sigurisht që Luli thotë jo sepse unë kisha një kusht të thjeshtë, të ndahet nga Saliu me Ilirin dhe të punojë për Shqipërinë. Pse qenka Saliu dhe Iliri më i rëndësishëm sesa Shqipëria për Lulin? Sepse Luli është kukull me bateri, baterinë e karikojnë Saliu me Ilirin. Po ia hoqe karikuesin, Luli është si ato telefonat Nokia që nuk hapen më sot. Kjo ashtë e vërteta dhe që Luli është kukull qw kurdiset, kjo është historia e athët se vetëm një kukull që kurdiset mund të jetë edhe Spiderman edhe Barbie, edhe Batman edhe Borëbardhë. E kurdisin ata, bëhet Spiderman, thotë “do t’i qepemi mureve të Kryeministrisë dhe do ta largojmë Edi Ramën, do marrim molotovët dhe do ta djegim Kryeministrinë”. Kur e kurdisin ndryshe, del Barbie. Del Barbie dhe këndon atë këngën dhe hap e mbyll sytë. Pse lider është ky? Forcë karakteri është kjo? Sigurisht që nuk e zgjedhim ne se kë kurdisin ata. Për ketë kohë kanë gjetur Lulin dhe e kurdisin. Nesër marrin Voltanën dhe e kurdisin. E të habiteni ju fare kur nga kurdisja, Voltana papritur të bëhet papritur si Ertugrul.

Këta gjithmonë përputhen sipas kërkesave të partisë, ndërsa ne sot kemi të drejtën të besojmë që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë, që mahnit të gjithë turistët, të gjithë ata që kanë mundësi ta shijojnë, ne mund ta kthejmë në burim ngrohtësie për çdo familje shqiptare. Ne sot, jo dje, sot, sepse dje ku të investoje në turizëm, ku nuk kishe asnjë qytet ku të bëje një fotografi, gropa, parkingje, plehra. Ku në Shirokë? Sot në Shirokë shkohet me qejfin më të madh.

Sot është mundësia dhe sot jemi gati t’u japim të gjithë atyre që janë në emigracion 5 mijë euro dhe t’i bëjmë amnisti fiskale për kursimet e tyre. S’ka rëndësi se ku i kanë, në bankë a i kanë poshtë krevatit, mjafton të mos i kenë para krimi. Të hapin shpinë e gjyshit nëpër gjithë këto fshatra të mrekullueshëm, deri në Vermosh e në Theth. Ta kthejnë shtëpinë në bujtinë. Nëse s’duan të kthehen vetë, të punësojnë atje kushërinjtë, të punësojnë atje vajzat e djem dhe do të fitojnë nga ky investim shumë më tepër sesa fitojnë nga paga duke punuar për të tjerë në emigracion.

Sot jemi gati që të themi që Shqipëria në këto 4 vite do të hyjë në një fazë tjetër, duke u bërë eksportues neto i energjisë. Nuk do blejmë më energji nga të tjerët, sepse do ta prodhojmë këtu të gjithën dhe do kemi rezervë për t’ia shitur të tjerëve. Me Skavicën që do të ndërtojmë në jug dhe me TEC-in e Vlorës që do të kthehet në portë hyrëse të gazit të lëngshëm, në marrëveshje me qeverinë amerikane dhe në bashkëpunim me dy kompani super të mëdha amerikane. Kjo nuk është një gjë që do të ndodhi si ato premtimet e Lulit, “më jep 1, të jap 2”. Kjo është një gjë që po ndodh, është aktuale.

E meqë fola për qeverinë amerikane dua ta mbyll duke thënë që unë jam shumë dakord, qoftë me përfaqësuesen këtu të SHBA-së, qoftë dhe me të gjithë atë grup autoritetesh të Kishës Katolike që adresuan një plagë të madhe këtu në Shkodër, shitjen e votës dhe blerjen e votës. Jam shumë dakord që të shesësh votën është mëkat, ta blesh votën është mëkat. Jam po kaq dakord që këto zgjedhje duhet të jenë zgjedhje ku njerëzit të mendojnë jo sa do marr nga vota për këtë muaj, por çfarë vote do jap unë për fëmijën tim, se fëmijët nuk votojnë.

Fëmijët nuk votojnë, por ne votojmë dhe për fëmijët. Me votën tonë ne vendosim çfarë Shqipërie do kenë fëmijët nesër. Me votën tonë ne vendosim çfarë çerdhesh, kopshtesh shkollash do kenë fëmijët. Me votën tonë ne vendosim çfarë do kemi për të rinjtë. Dona tha me të drejtë, Shkodrës i duhet dhe ne kemi filluar me Tiranën, me Korçën dhe do të bëjmë edhe në Shkodrën, në Kukës, në Vlorë, qendra të mëdha të edukimit të të rinjve me gjuhën e kodimit, në gjuhën e kompjuterit, në mënyrë që ata të futen në tregun e madh global, pa pas nevojë të lëvizin nga shtëpia. Mjafton të dinë gjuhën dhe të hyjnë në kompjuter dhe të krijojnë biznesin e tyre atje.

Kjo nuk është një gjë që e kemi pa në ëndërr duke fjetur gjumë, kjo është një gjë që ndodh. Janë sot disa mijëra të rinj në Shqipëri që fitojnë. Natyrisht ka punë sot edhe në Shkodër, se ma bënë këngë Bangladeshin që tha ai sipërmarrësi. Në fakt ai tha një të vërtetë, që ai ka punë, po s’po gjen punëtorët. Dhe kjo është një e vërtetë e të gjithë sipërmarrësve. Natyrisht është e drejta e shumë të rinjve të thonë, po mirë, unë të iki të punoj për 400 mijë lekë, po unë dua të fitoj 1 mijë euro. Patjetër, kjo është një mundësi, po duhet ta ndërtojmë këtu dhe që të fitosh 1 mijë apo 2 mijë euro duhet të mësosh gjuhën e kodimit. Shteti, qeveria do t’i japi mundësi të rinjve në gjithë Shqipërinë që të hyjnë në këto kurse, që janë kurse ultra moderne. Janë modele që sot një sërë shtetesh i kanë adaptuar dhe po i fusin të rinjtë masivisht në këtë treg. Po kush ta bëjë këtë, ai që merret me nënën time? Jo, këtë mund ta bëjnë vetëm ata që kur shkojnë të votojnë merren me fëmijët e tyre. Të votojnë për fëmijët e tyre.

Apeli im për Shkodrën është, nëse më jepni mundësinë që Edona, Beneti, Paulini nuk diskutohet, - Paulini është senator këtu, - dhe Iliri që është njeri me dije të mëdha, por asnjeri nga këta të tre, nuk është në vetvete mjaft, ndërsa të tre, bashkë me Paulinin dhe me të tjerët që janë këtu, bëjë një skuadër fantastike që të merren me Shkodrën gjithë kohës. Natyrisht, nëse Shkodra do u japë këtyre besimin, është një borxh shumë i madh për mua ndaj Shkodrës që nuk ka nevojë të ma tregojë as Saliu, as Voltana, as këta demokratët që jetojnë me Enverin në kokë se e dua apo nuk e dua unë, sepse Shkodra për mua, sa herë e them, sa herë e dëgjoj, ka fytyrën e shenjtë të gjyshes sime.

Doja të pyesja Ilirin, sa bëjnë 7 herë 7, plus 777, minus 77, pjesëtim 7.

Kjo është një shaka që me Ilirin e bëjmë shumë shpesh, sepse Iliri ka qenë në vazhdimësi kalkolatriçja e qeverisë. Zgjidhni dhe këtu nuk është problemi që lideri i Partisë Demokratike thotë 7 herë 7 bëjnë 42. Nuk është problemi që thotë do ta bëjmë ditën natë. As nuk është problemi që thotë sëbashku do bëjmë më të keqen se këto, një njeri që nuk e ka mendjen i thotë, por një lider që nuk e ka mendjen kur firmos pa mendje dhe i jep detin fqinjëve, një lider që nuk e ka mendjen dhe pa mendje i vriten njerëzit në bulevard, një lider që nuk e ka mendjen dhe pa mendje i humbasin qindra milionë euro, nuk mendoj që është as njeriu i duhur, as në kohën e duhur e lëre pastaj me skuadrën e duhur për të merituar jo votën, por për të merituar vëmendjen e Shkodrës. Kush i thotë vetes shkodran, denbabaden e me taban, nuk mund të tallet me veten, nuk mund të tallet me fëmijët e tij, nuk mund të tallet me qytetin e tij, duke marrë në konsideratë se edhe mund ta votojë këtë parti me këtë lider.

Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, ne do ta fitojmë edhe besimin e Shkodrës, siç kemi fituar besimin e Malësisë ë Madhe, të Vaut të Dejës, të Pukës dhe po ju them se ne do të bëjmë për Shkodrën, në katër vitet e ardhshme, atë që ata që luftojnë akoma me komunizmin nuk do ta bëjnë dot edhe sikur të vazhdojnë të flenë gjumë, bashkë me komunizmin në tru, edhe 30 vjet të tjera. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm