Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne dimë ta bëjmë detyrën tonë ndaj shqiptarëve më mirë se kushdo tjetër

Të reja

Ne dimë ta bëjmë detyrën tonë ndaj shqiptarëve më mirë se kushdo tjetër

30 Mar 2021    
 

 

 

 Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Rruga drejt 25 Prillit - Takim në Lezhë

Në radhë të parë dëshiroj të falenderoj Pjerinin për ndjeshmërinë që pati për të kujtuar këtu në këtë shesh, një ditë pas humbjes së dhimbshme për të gjithë ne, Bashkim Finon, një mik i posaçëm, një vëlla në familjen tonë të madhe, një njeri i rrallë që, siç e pamë të gjithë, meritoi vërtetë atë ditë të djeshme zie dhe respektin e kundërshtarëve, që këtë rast meritojnë një falenderim për ndjeshmërinë e shprehur. Edhe pse do të ishte mirë që të njëjtën ndjeshmëri të kishin çdo ditë, sidomos në këto ditë kaq të jashtëzakonshme kur e gjithë bota dhe Shqipëria si pjesë e saj përballet me kërcënimin e vdekjes për njerëzit tanë të dashur dhe kur ajo që na takon të bëjmë si njerëz dhe pastaj me siguri na takon të bëjmë edhe më shumë si përfaqësues të njerëzve, është të bëjmë atë që na takon. Të bëjmë atë detyrë të thjeshtë që na takon që të mos shkelim lgjin, të mos shkelim rregullat, të mos shkelim kufirin etik të njerëzores për politikë dhe për vota, duke i vënë njerëzit në rrezik, duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimesh absurde, të turpshme, të papërgjegjshme, që tregojnë se në fund të ditës, politika nuk është çështje programesh, çështje idesh dhe fjalësh, politika është çështje karakteri.

Qeverisja është çështje karakteri.

Karakterin o e ke o nuk e ke. Ata nuk e kanë. Për fat të keq, karakteri i tyre i dobët, i cili mishërohet i gjithi në lidershipin e tyre, bëhet pasqyrë e kësaj të përditshmeje të vështirë për shkak të pandemisë, duke dhënë shembullin më të keq të mundshëm për të gjithë të tjerët, shembullin me absurd të mundshëm. Ndërkohë që e para gjë që ne që marrim përsipër të përfaqësojmë të tjerët duhet të kemi parasysh është të japim një shembull sa më të mire, sidomos në gjërat e thjeshta dhe në ato që quhen gabimisht gjëra të vogla.

Ne shqiptarët kemi humbur shpesh trenin e historisë për shkak se nuk e kemi zakon që t’i kushtojmë gjërave të vogla rëndësinë që ato kanë. E duke humbur betejën për gjerat e vogla, humbin pastaj kohë pafund në dëm të gjërave të mëdha.

Kombet e mëdha, vendet e zhvilluara fitojnë betejën për gjërat e vogla çdo ditë, njësoj siç fitojnë bukën që hanë. Kjo gjë është një pikë dalluese e madhe mes atyre që kanë idenë e të ardhmes si pjesë të rrugës së tyre dhe atyre që në rrugën e tyre shikojnë si një mundësi për të kapur ça të kapin në të tashmën.

Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët. Jetojmë në një sistem, të cilin e kemi zgjedhur dhe që është më i miri ndër të këqinjtë, siç thoshte Çurçilli. Kundërshtarët nuk i zgjedhim, i kemi aty. Ajo që ne mund, duhet të bëjmë, është që të përpiqemi çdo ditë të bëjmë zgjedhje më të mira të mundshme kur marrim vendime dhe kur zgjedhim njëri-tjetrin.

Sot, ne përsëri kemi bërë një zgjedhje, shumë të thjeshtë, të qartë, që në fakt nuk duhej as të diskutohej nga askush, por ja që është në diskutim. Përsëri, ne jemi këtu për të dhënë shembullin tonë. Për të bërë maksimumin që në radhe të parë, shëndeti të mos cënohet, që njerëzit tanë të jenë të mbrojtur, që kush merr pjesë në këto takime, në një format të imponuar nga koha, të respektojë rregullin. Prandaj jemi këtu në këtë numër të reduktuar, por, pavarësisht numrit të reduktuar ne jemi këtu me shumë gjëra për të thënë dhe për të bërë humë gjëra akoma.

 

Shumë punë janë bërë dhe janë bërë çdo ditë që nga dita e parë e mandatit të parë kur ne kemi marrë detyrën. Sot, shumëkush komenton duke pirë kafe apo i shtirë në kolltuk a në krevat, duke luajtur me Facebook, thotë sikur të ishin bërë kaq shumë punë gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm në fushatë.

 

Në fakt, asnjëhera nga punët që ne pamë këtu në Lezhë dhe që kemi parë çdo ditë dhe që i kemi treguar, nuk janë bërë sot, e nuk janë bërë as për fushatë. Ne nuk e zgjodhëm tërmetin të vinte 15 muaj përpara sesa ne të hynim në një fushatë zgjedhjesh. Tërmeti erdhi dhe na gjeti dhe ne punën, për të shëruar gjithë ato plagë të tmerrshme që hapi tërmeti, e kemi filluar qysh atë natë. Plaga e parë e tmerrshme që hapi tërmeti ishte lënia pa çati mbi kokë e mijëra e mijëra familjeve. Ne, qysh atë natë menduam që ata duhet të strehohen në kushte dinjitoze dhe jo të lihen siç janë lënë në shumë vende, për fat të keq. Dhe ashtu ndodhi!

 

Edhe në Lezhë, falë edhe bujarisë të shumë operatorëve që kanë hotele buzë të detit, ne mundëm të strehojmë në kushte optimale si turistë, me të gjitha shërbimet, ata që mbetën pa strehë. Pastaj menjëherë filluam punën për të bërë verifikimet e dëmeve dhe paralelisht, për të bërë verifikimet e të gjithë titujve të pronësisë dhe për të për të përputhur dëmet me titujt e pronësisë në malet me gropa, të trashëguara nga historitë e pafundme të pronësisë. Histori që këtu në Lezhë kanë arritur kulme për të cilat edhe kryetar bashkish dhe titullarë të shumë institucioneve kanë përfunduar burgjeve dhe janë akoma në procese penale.

Ne u angazhuam për projektet, për të bërë projektet e duhura, sepse qëllimi ynë, qysh në krye të herës ishte që të dalim më të fortë nga goditja e tmerrshme që morëm në gjithë këtë perimeter, ku Lezha ishte e përfshirë në rrezen e goditjes.

 

Të dalim më të fortë do të thotë të rindërtojmë jo siç ishte, por të rindërtojmë shumë më mirë sesa ishte përpara se të binte tërmeti. Kjo është ajo që po ndodh përditë e përditë.

 

 

Ne do donim t’i bënim gjërat më shpejt, por të gjitha punët kanë proceset e tyre, kërkojnë kohën e tyre, kërkojnë durim të madh.


Në ndërkohë, kur ne ishim duke u marrë me projektet dhe me procesin shumë të kompikuar të rindërtimit, ne nuk e zgjodhëm të godiste ky armik i padukshëm që e uli në gjunjë të gjithë botën e që e futi në konfuzion total edhe vënde që janë në majë për nga zhvillimi dhe për nga pasuria e tyre. Edhe kjo sfidë na zgjodhi.

Kështu tërmeti dhe pastaj pandemia na e thyu në mes mandatin dhe na e kthyen në një mandat për t’u përballur me forcën e karakterit me dy sfida të jashtëzakonshme. Dy sfida që e kanë kthyer këtë mandat në një  mandat të jashtëzakonshëm që as e kemi parë e as kemi për ta parë, - uroj dhe shpresoj, - në jetën tone, pasi pandemia godet një herë në njëqind vjet, të paktëm deri më sot kështu ka ndodhur.

E megjithatë, ne nuk u dorëzuam, por vazhduam me këmbëngulje.

Sot na thonë po bëni vaksinimin për fushatë. Si po e bëjmë për fushatë, në çfarë forme e paskemi lidhur vaksinimin me fushatën, kur në fakt ne jemi i vetmi nga dy vendet në të gjithë rajonin që kemi siguruar vaksinat për vaksinimin masiv. Ka qenë një përpjekje e gjatë, e vështire, një përpjekje e stërmundimshme për të çarë atë rrethim ku ne u ndodhëm papritur, sepse Bashkimi Europian na përjashtoi ne dhe të gjithë rajonin këtu në mes të Europës, por jo në Bashkimin Europian, nga skema e shpërndarjes së vaksinave. S’kishim as një vaksinë, as ne dhe as të tjerët në rajon.

Sot, ne bëjmë vaksinim masiv, ndërkohë që të tjerët akoma janë në fazën e disa dozave simbolike të vaksinimit. Pse e bëjmë këtë, sepse ranë vaksinat nga qielli dhe ranë këtu në Shqipëri, për fatin tonë apo e bëjmë këtë sepse ne e bëmë planin në atë mënyrë që vaksinat të vinin në të njëjtën kohë që përkon me fushatën zgjedhore?

Jo, ne e bëjmë këtë sepse ne bëjmë detyrën tonë dhe dimë ta bëjmë detyrën tonë më mirë se kushdo tjetër këtu. Edhe pse në bërjen e detyrës sonë, ne nuk jemi as pa të meta, nuk jemi as pa gabime. Prandaj ndodh kjo, që ne bëjmë sot, vaksinim masiv sepse ne dimë ta bëjmë detyrën tonë, dimë të jemi në lartësinë e sfidave.

Sot, me Pjerinin dhe me Linditën, me Gjokën, me Eduardin me të tjerët kemi qenë në disa zona që kanë qenë gangrena të Lezhës, ku në funksion të rindërtimit po bëhen transformime rrënjësore. Të gjitha këto zona, nga gangrena të djeshme po kthehen në modele rikualifikimi urban dhe zhvillimi të jetës urbane të së nesërmes, falë punës dhe vetëm punës.

Për fat të mire, këtu në Lezhë, unë kam mundësinë të bashkëpunoj drejtpërdrejtë me një njeri që është shumë i ngjajshëm me mua në kokëfortësi. Kjo shpeshherë është problem për mua dhe për të, po është problemi më i bukur që mund të kenë dy njerëz kur kanë një qëllim dhe kur janë të dy të dhënë pas punës. Kjo kokëfortësi është tipar i karakterit të lidershipit, për t’i shkuar punëve deri në fund dhe për të këmbëngulur deri në fund që puna të bëhet.

Vërtetë jam shumë krenar për çfarë faze kemi sot për zhvillimin e Lezhës, jo vetëm si bashki, por si qark. Njësoj si jeni ju këtu është edhe një grua në bashkinë fqinje, Majlinda, e cila ka bërë në Kurbin, aq sa të gjithë burrat që e patën këtë detyrë më pare, apo patën detyra të tjera, së bashku nuk kanë bërë jo aq, po as çerekun e punës së saj. Ashtu sikundër në Mirditë, prej kohësh tanimë kemi një kryetar bashkie që ka treguar se është njeri i punës.

Ajo që ne na karakterizon është ambicia dhe përpjekja për t’i bashkuar sa më shumë, çdo ditë, fjalët me veprat. Gjithmonë është e pamundur t’i përputhësh plotësisht, sado i dëshiruar të jesh, sepse i bie që të jesh përfekt, por ama nuk ka pasur në historinë e këtij vendi, një tjetër forcë politike dhe një tjetër periudhë qeverisjeje, kur fjalët dhe veprat kanë qenë më shumë të përputhura me njëra-tjetrën e kur në fund të ditës, hyzmeti punës i është bërë deri në fund, pavarësisht se në raste të caktuara mund të kemi dështuar, mund të kemi gabuar dhe mund të kemi humbur kohë e të jemi detyruar të kthehemi nga e para.

Edhe në këtë skuadër, karakteristikë e përbashkët e të gjithë këtyre njerëzve është ambiciea e vullneti për punë. Me këtë ambicie dhe vullnet për punë do të arrijmë t’i bëjmë të gjitha gjërat që i kemi vënë vetës qellim dhe të gjitha gjërat që duhet të bëjmë për Shqipërinë në këtë fazë, edhe për Lezhën si bashki dhe si qark.

Po të shkosh në Laç, është e paimagjinueshme ajo që po ndodh në Laç. Ose më saktë askush nuk mund ta imagjinonte ditën kur u zgjua pas goditjes pas tërmeti. Unë kam qenë atje dhe të gjithë njerëzit ishin të terrorizuar. Sigurisht, si të gjithë ne nga ajo katastrofë. Por në sytë e tyre nuk kishte shpresë. Në sytë e tyre mund ta lexoja me kollajllëkun më të madh që, kur unë thosha “kini durim se unë do t’i bëj më të mira shtëpitë”, s’kishte besim. Edhe ai që donte të besonte dhe pa më paragjykuar fare, përballë asaj katastrofe natyrshëm thoshte “mund ta ketë me gjithë mend ky, por kjo është e pamundur”.

Shikoni sot. Akoma puna është në mes. Sot, ne ishim në Laç, dhe duke qenë në një nga ato të martat e ciklit të të martave të shenjta, u detyruam të qendrojmë në radhë goxha. Duke qenë se unë gjithmonë respektoj të radhët në rrugë, sepse shoferët e mi e dinë që marrin gjobë nëse e shkelin semaforin, mendova atë që e kam menduar dhe thënë shpesh, por pa e provuar vetë. Ishte hera e parë që ngecja në një trafik për shkak të pelegrinazhit në Shna Ndou. Laçi ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik tek turizmi fetar, të cilin nuk e ka shfrytëzuar kurrë për shkak se s’ka pasur si ta shfrytëzojë, sepse njerëzit nuk kanë ku të ndalojnë. Thjesht shkojnë atje dhe lënë makinën aty dhe ikin.

Ajo që po ndodh sot në Laç, do të bëjë që nesër, Laçi të jetë një pikë qëndrimi, të ketë realisht interes që njerëzit të vendosin në dispozicion shtëpitë, njësoj siç vënë në dispozicion shtëpitë në bregdet në sezonin veror, gjatë gjithë periudhës së 12 të martave të shenjta. Lagjet e reja që po bëhen, qendra e re që po rikrijohet, njësitë e reja të shërbimit që do të hapen, me të gjitha klubet dhe restorantet që do të jenë me një cilësi tjetër, do të jenë një arsye për të qendruar atje. Jo thjeshtë vendi për të fjetur, por vendi për të qëndruar e për të kaluar edhe një ditë përpara dhe një ditë më pas. E jo më vendi për të pasur të vetmen dhomë makinën.

Shikojeni sot çfarë po ndodh në Mirditë që ishte një xhep fals, i izoluar komplet deri dje, ku njerëzit vetëm iknin. Nuk po them që ne kemi ndaluar ikjet as nga Mirdita, as nga Lezha, as nga Laçi dhe as nga Shqipëria, sepse kjo është një fazë historike ku kthesa është e vështirë dhe është e gjatë. Por është e mundur që, nëse ne e bëjmë çdo ditë atë betejën që kombet e mëdha janë mësuar ta bëjnë prej shekujsh, të fitojnë çdo ditë betejën për gjërat e vogla, ne mund ta bëjmë këtë, dekadën e një kthese të madhe, ku Shqipëria të bëhet e ardhmja e çdokujt që lind dhe rritet këtu dhe ku ikja në një vend tjetër të jetë një zgjedhje, jo një opsioni parë dhe i detyruar për shumëkënd.

Në Mirditë po çelin njëra pas tjetrës bërthamat bërthamat e agroturizmit. E asaj pjese të industrisë së turizmit që mund të zhvillohet dhe mund të kthehet në një nga motorët më të suksesshëm të ekonomisë shqiptare për shkak të natyrës, për shkak të traditës, për shkak të diversitetit të madh të peisazhit dhe për shkak të distancave të shkurtra që janë mes destinacioneve.

Agroturizmi është e ardhmja e çdo emigranti që është sot jashtë dhe ka ikur nga fshati i vet, ku ka lënë shtëpinë e gjyshërve, sepse investimi i atyre kursimeve për ta rihapur shtëpinë, duke ofruar mikpritjen dhe gjithçka zona rretherrotull ofron, nga bukuritë natyrore tek historia, bën që të fitojë më shumë përmes investimit të kursimeve, sesa nga rroga që merr çdo muaj jashtë shtetit. Kjo do të vijë patjetër. Kjo do të bëhët masë kritike. Ka filluar dhe do të zhvillohet, por duhet kohë.

Lezha, sot ka hyrë në një fazë tjetër, jo thjesht se po bën këto rikualifikimet dhe po sistemohen ujësjellësat apo se po bëhen gjithë këto punë që duhet të ishin bërë me vite. Por nuk është tek ne që duhet ta kërkojnë turpin, ata që thonë “sa turp, po flitet akoma për ujin e pijshëm”.

Po turp është, s’ka më turp se të flasësh për ujin e pijshëm në vitin 2021, në shekullin e 21-të, në mes të Europës. Por flitet për ujin e pijshëm sot, sepse me dekada të tëra nuk u bë asgjë. U bë vetëm kaos dhe rrumapllë.

Ndërkohë që ne, punën e ujit të pijshëm e kemi futur në sistem dhe sot po ndërtohen kudo ujësjellësa. Një pjesë kanë përfunduar, një pjesë janë duke përfunduar, një pjesë do të përfundojnë në 2-3 vitet që vijnë dhe nuk do të jetë më uji i pijshëm një subjekt diskutimi për shqiptarët.

E ky është vetëm një komponent i një pune që vazhdon në të gjithë sektorët.

Kush mendon se 25 prilli nuk ka lidhje me këto, kujt i shkon mendja që nuk ka rëndësi fare çfarë bëjmë në 25 prill, se rindërtimi do të vazhdojë po njësoj, se vaksina dotë vazhdojë po njësoj, edhe sikur largqoftë të ndodhë ajo që s’ka për të ndodhur, - por ne jemi këtu për ta thënë edhe këtë, - të vijnë në qeveri ata që sot krijojnë çdo ditë vatra infektimi, sepse janë njerëz që nuk kanë vision, nuk e kanë pasur kurrë. Unë e them kudo këtë fjalë dhe përgjigje s’kam marrë dhe nuk pres përgjigje. Më tregoni një gjë “ja çfarë bëmë”. Ju ka ngelur ajo kënga “liberalizuam vizat, futëm Shqipërinë në NATO”. Liberalizimi i vizave dhe futja e Shqipërisë në NATO ishte rezultat i një procesi shumëvjeçar. Nuk ishte fare punë e këtyre. Ata bënë një pjesë të punës së tyre. Ndërkohë që të vetmen vepër që mund t’ju llogaritet, rrugën e Kombit e lanë rrugëve. Ma tregoni një shkollë në Republikën e Shqipërisë, një, as dhjetë, as 100, as 150, 200, e 300 siç mund të tregojmë ne. Këta nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë shkollë për fëmijët shqiptarë që jetojnë në mes të Europës në Shqipëri, në shekullin e 21-të. Më tregoni një spital, një qendër shëndetësore që këta bënë. Ne mund të tregojmë dhjetra spitale dhe qindra qendra shëndetësore. Ata le të tregojnë 1.

Këto janë gjëra bazike, por janë për t’ju thënë të gjithëve, as mos t’ju shkojë mendja që rindërtimi vazhdon kështu siç vazhdon dhe do të vazhdojë me ne në qeveri, nëse ata kthehen në detyrë. As mos t’ju shkojë mendja që vaksinat do të vazhdojnë të vijnë kështu siç po vijnë. Nuk ka për të ndodhur.

Sigurisht, unë po e them se çfarë do të ndodhte.

Ndërkohë që ne kemi ambicien që sezonin e ardhshëm turistik ta lehtësojmë dhe ta bëjmë shumë më të lehtë se ai i shkuari, edhe pse mund të mos jetë komplet normal si ai i vitit tjetër. Ta lehtësojmë maksimalisht dhe ekonominë ta lehtësojmë maksimalisht, duke vaksinuar vaksinuar tani dhe çdo ditë.

Mendoni që kjo gjë vazhdon pavarësisht se kush qeveris?!

Janë disa që thonë “detyrën po bëni”. Patjetër, detyrën po bëjmë. Qeveritë për të bërë detyrën zgjidhen, nuk zgjidhen të bëjë vezën e kuqe. Qëkur ka lindur shteti, qeveritë janë zgjedhur për të bërë detyrën. Dhe detyra e qeverive është të administrojë në funksion të një vizioni e qëllimesh të përbashkëta, kontributet e të gjithëve, patjetër.

Disa të tjerë thonë “nuk po i bën me lekët e tua”. Pse, qëkur është vënë në diskutim se i bën me lekët e veta apo i bën me lekët e shtetit një kryeministër apo një qeveri e punës?!

Me lekët e shtetit, me lekët e popullit punonin edhe qeveritë e tjera, punuan edhe këta që duan të vijnë prapë. E çfarë bënë?

Në fund të fundit, mirëadministrimi i lekëve të popullit në funksion të punëve që bëhen është detyra e qeverisë, nuk është të prodhojë lekë.

Duke ardhur në terrenin konkret, si mund të vazhdojnë në këtë zonë të votojnë për personazhe që e kanë treguar që nuk janë në lartësinë e sfidave dhe nuk janë për punë. Në këtë shesh ju kam thënë kur ishte fushata elektorale, “mos votoni Frrok Frrokun”. E votuan, përfundoi në burg.

Këtu po jua them prapë; Ҫfarë do bëni me Mark Markun?

Mark Marku nuk shkon në burg, natyrisht, nuk ka arsye, por nuk shkon as në punë. Se nuk di të bëjë asnjë punë. E vetmja punë që bënte Mark Marku ishte t’u thoshte njerëzve, “do të të gjuaj me shishe” tek Fevziu. Tani, as te Fevziu nuk shkon dot se nuk është më analist, do jetë deputet, duke qenë i pari në listë.

Po mirë Mark Marku, po e doni me bisht mbrapa, bashkë me Gjek Markun. Po Gjek Markun për çfarë e doni? Po mire, një nga të dy, njëri Mark, tjetri Gjek Mark, të dy Mark, po ky tjetri për çfarë do shkojë? Një lolo. Unë e njoh nga eksperinca ime, se kam pasur disa përballje me profesorin.

Si mund të ulët niveli deri këtu dhe çfarë lidhjeje kanë këta njerëz me sfidat që ka vendi dhe që ka Lezha. Në Lezhë jemi në rrugën e çuarjes në një nivel tjetër të të gjithë jetës ekonomike dhe sociale. 

   

 

 

 

 

   

 

 

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm