Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill zgjedhim të vazhdojmë marrëveshjen me njerëzit e zakonshëm, qytetarët e këtij vendi

Të reja

Në 25 prill zgjedhim të vazhdojmë marrëveshjen me njerëzit e zakonshëm, qytetarët e këtij vendi

12 Apr 2021    

Këndi i fjalës Cërrik – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe pse me keqardhje për praninë e të tjerëve që donin të ishin të pranishëm, por në këto momente, ne jemi në këtë rrugëtim drejt 25 prillit për të respektuar detyrimin e madh karshi popullit, për t’u ballafaquar me popullin dhe për t’iu nënshtruar gjykimit të tij. Nga ana tjetër, mbi partitë, mbi interesin e çdo njërit prej nesh është shëndeti i njerëzve, shëndeti i popullit, është shëndeti i çdokujt që kërcënohet nga armiku i padukshëm për shkak të moshës, për shkak të sëmundjeve kronike, për shkak të të ndodhurit në një mjedis ku mund të infektohesh.

Ne e kemi të pamundur ta harrojmë se shëndeti është mbi të gjitha. E kemi të pamundur ta ndajmë luftën e përditshme, të përnatshme, luftën që kemi nisur prej më shumë se 1 viti me këtë armik të padukshëm nga detyrimi për ta vënë qëllimin e kësaj lufte mbi çdo qëllim tjetër. Për këtë arsye, ne i shohim me keqardhje, i shohim me shqetësim e me frikë ato grumbullime të çartura me makina, bori, flamuj e dy gishta, gjoja spontane, sepse kemi parë se çfarë ka ndodhur në vendet fqinje për shkak të fushatave elektorale. Numrat janë rritur, larg qoftë, numrat humbjeve të jetës janë rritur, pra, numri i të plagosurve është rritur. Ne nuk duam që asnjë shqiptar i vetëm të humbasë jetën për shkak të zgjedhjeve. Ne nuk duam që asnjë shqiptar i vetëm të plagoset për shkak se na duhen mitingje për zgjedhje.

Ne duam ta respektojmë deri në fund këtë detyrim që është detyrimi kryesor i demokracisë, për të shkuar deri në ditën e gjykimit të popullit me votë, pasi i kemi thënë të gjitha ç’kemi patur për të thënë, por nga ana tjetër, ne duam të fitojmë luftën me armikun e padukshëm. Është një luftë që ne po e fitojmë përditë, është një luftë kur tanimë kemi marrë avantazhin, është një luftë ku Shqipëria si pak kush tjetër në gjithë këtë rajon ka filluar vaksinim masiv dhe po i kthen buzëqeshjen çdo ditë mijëra e mijëra gjysheve e gjyshërve, nënave e baballarëve. Po ju heq çdo ditë, mijëra e mijëra njerëzve ankthin e tmerrshëm të këtij tuneli të gjatë ku ne tani shohim një dritë, ku zmadhohet e zmadhohet dhe prej ku ne do të dalim, siç ju kam thënë që në krye të herës, të fituar, më të fortë dhe më shpejt se shumë të tjerë.

Ne do të bëjmë fushatën elektorale dhe do të flasim për çka kemi bërë dhe për çka duam të bëjmë ende. Por sado kemi bërë, sado të numërojmë gjërat që ne duam të bëjmë në themelin e kësaj zgjedhjeje të 25 prillit, ka një pyetje shumë të qartë; Do të vazhdojmë të ngjitemi me të gjitha vështirësitë dhe sfidat që ka ngjitja drejt asaj maje ku duhet dhe duam ta çojmë Shqipërinë, apo do ndalemi dhe do kthehemi mbrapa?

Nëse e krahasojmë Cërrikun sot me Cërrikun dje, s’ka asnjë krahasim, por, nëse e krahasojmë Cërrikun si të ardhme të fëmijëve që lindin e rriten këtu, sot përsëri s’ka asnjë krahasim. Prandaj duhet të vazhdojmë, duhet të luftojmë çdo ditë. Të punojmë e luftojmë më shumë, prandaj duhet të bashkohemi edhe më shumë dhe më fort me njëri-tjetrin.

Pashë këtu me kënaqësi disa fytyra të njohura, të cilët i kam parë bashkë, i kam parë dhe të ndarë. Historia e afërt e kësaj bashkie tregon që kur ndahemi, humbasin të gjithë, kur ndahemi, fitojnë ata që në fund të ditës shikojnë vetëm interesat e tyre e të klanit të tyre dhe humbet i gjithë komuniteti. Kur ndahemi, humbasin edhe socialistët, edhe demokratët që në mëngjes nuk shkojnë për kafe për të bërë muhabet e për t’u marrë me politikë të madhe, por shkojnë për të punuar tokën, për të hapur dyqanin, restorantin e barin, të hapin sipërmarrjen e  tyre të vogël, apo për të punuar në qendrën e tyre shëndetësore etj. Pavarësisht bindjeve të tyre humbasin ata, sepse vetëm ne, pavarësisht të metave e gabimeve tona, e dimë shumë mirë jo vetëm se ku duhet të shkojmë, por dhe si duhet të shkojmë.

Të tjerët, asnjëherë nuk kanë dhënë provë tjetër, përveçse sa herë  iu është dhënë mundësia të drejtojnë, e kanë kthyer mbrapsht si Shqipërinë, apo çdo vend që kanë drejtuar dhe çdo punë që kanë marrë përsipër të bëjnë.

Më 25 prill testohet karakteri ynë si shoqëri përballë sfidave që kemi; sfidë së jashtëzakonshme të kthimit në shtëpi të të gjitha familjeve që ende presin në shtëpi me qera për t’u kthyer në shtëpi më të re e më të bukur, sfidës së jashtëzakonshme të kthimit në shkolla të reja shumë më të mira se ato që ishin para tërmetit për të gjithë mësuesit e fëmijëve; sfidës së jashtëzakonshme të daljes nga tuneli i pandemisë dhe të gjitha sfidave të tjera për ta çuar drejtësinë përpara, për ta çuar arsimin dhe shëndetësinë përpara, për ta çuar ekonominë përpara, duke fuqizuar turizmin, duke fuqizuar agroturizmin, duke rritur punësimin dhe duke krijuar vende të reja pune të paguara më mirë. Duke e bërë Shqipërinë nga një vend që lëngonte në një krizë të tmerrshme për drita dhe që rrezikonte të binte në humnerë si pasojë e humbjeve katastrofale, të akumuluara vite e vite të tëra, ku gjysma vidhte gjysmën tjetër, në një vend eksportues të energjisë, në një vend ku nuk ka më nevojë të blihet energji nga jashtë, në një vend që jo vetëm e prodhon energjinë këtu për vete, por edhe e eksporton.

Kjo nuk është një ëndërr në gjumë. Kjo është një mundësi reale me investimet e reja që janë në proces në bashkëpunim me qeverinë amerikane për Skavicën në veri, për TEC-in e Vlorës në jug dhe për dy parqet e mëdha të energjisë diellore që kanë nisur të ndërtohet, do të nisë së shpejti në Karavasta dhe në Spitallë të Durrësit. Shqipëria do të behet vendi që eksporton energji dhe që nuk harxhon më asnjë qindarkë për të blerë energji kur s’ka reshje të mjaftueshme, sepse do të ketë mundësi të ketë rezerva me infrastrukturën e re që do të ndërtojmë dhe për të cilën kemi gjetur financimet. Po bëhen projektet dhe puna fillon.

Po kështu me bujqësinë.

Ne duam dhe duhet ta bëjmë Shqipërinë kampione në eksporte bujqësore në rajonin tonë. Është plotësisht e mundur. Eksportonim rreth 100 milionë dollarë, sot eksportojmë rreth 400 milionë dhe në katër vitet e ardhshme, në Planin tonë të Veprimit parashohim që të shkojë mbi 1 miliardë eksporte.

Unë jam shumë krenar që në skuadrën tonë në Elbasan kemi një nga kampionët e punës me tokën, një nga ata shembuj frymëzues dhe domethënës që u tregojnë të gjithëve se puna të nxjerr atje ku do, nëse ti nuk dorëzohesh.

Pajetët ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur, të mërzitur, për të kërkuar më shumë. Sigurisht të gjitha janë të kuptueshme e të mirëkuptueshme, por ka vetëm një mënyrë për të bërë më shumë, që të mos dorëzohesh, por të vazhdosh të ngjitesh, të mos pushosh, por të vazhdosh të punosh, të mos kthehesh mbrapa, por të vazhdosh të shkosh përpara. Karakteri ynë, karakteri i qeverisjes sonë është karakteri i atyre fermerëve që kur pasi e kanë mbjellë, pasi e kanë rritur, pasi presin prodhimin ta nxjerrin në treg, përballen me breshërin që jua rrafshon të gjitha, por ata nuk dorëzohen. Ata nuk thonë po shes gjithë çfarë kam dhe në djall të shkojë e gjitha, por të nesërmen kthehen në katër të mëngjesit, tek toka dhe fillojnë nga e para. Ia dalin e kështu rriten, kështu ngjiten, kështu fitojnë, krijojnë punë për veten e për të tjerët dhe bëjnë sukses për veten e për të tjerët.

Këta jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie me njerëzit e zakonshëm, një marrëdhënie me popullin. Pavarësisht sa shumë herë mund t’i kemi lënduar njerëzit për shkak të një zyrtari këtu e atje, të një administratori këtu e atje, marrëdhënia jonë është një marrëdhënie me njerëzit. Nëse kemi arritur të bëjmë këto që kemi bërë deri më sot, kjo ka ndodhur sepse ne kemi qenë të bashkuar me njerëzit. Ne nuk i kemi ndarë njerëzit në tanët dhe të atyre. Ne nuk kemi bërë një skemë për naftën pa taksa për socialistët e as e kemi shpërndarë naftën pa taksa vetëm për ata që janë tanët. Ne nuk e kemi bërë taksën zero për bizneset e vogla vetëm të socialistëve. As nuk e kemi bërë zero TVSH-në vetëm për socialistët që merren me biznes të vogël, por për të gjithë shqiptarët që në mëngjes fillojnë punën aty ku kanë krijuar një punë për vete dhe për të tjerët. Ata ne i shohim si aleatët tanë më të besueshëm, si aleatët tanë më të fortë, si aleatët tanë të kësaj rruge që vazhdon. Për këtë arsye, deri në vitin 2029, ata nuk do paguajnë asnjë taksë, përkundrazi do të mbështeten prej nesh që të vazhdojnë të krijojnë punë për vete e për të tjerët dhe të jenë një fuqi e rëndësishme në ekonominë familjare, në ekonominë lokale dhe në ekonominë kombëtare.

Sigurisht ne e mbështesim biznesin e madh, por ama ne kurrë nuk do heqim dorë nga parimi se kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë. Ne nuk mund të pranojmë që ky vend të kthehet mbrapsht tek Taksa e sheshtë dhe biznesi i vogël që ka zero taksë të paguajë 9% dhe ku ata që fitojnë shumë më tepër, të paguajnë po 9%. Në çdo fushatë, politikanët thonë do ulim taksën këtu e aty. Jo, ne nuk do ta ulim taksën për biznesin e madh. Biznesi i madh do vazhdojë të paguajë 15% dhe të jetë shumë i nderuar që e bën këtë si kontribut për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, si kontribut për të ndërtuar më shumë shkolla, më shumë spitale, më shumë çerdhe, më shumë kopshte, më shumë qendra shëndetësore. 

Ne kemi mundësi të reja të jashtëzakonshëm, por na duhet po ashtu një punë e jashtëzakonshme. Është shumë e thjeshtë, nëse do vërtetë ta bësh dallimin mes nesh dhe atyre të tjerëve, ata kanë dalë nëpër Shqipëri dhe thonë që para 8 vitesh ndodhi një aksident, domethënë, populli lajthiti dhe i largoi ata nga pushteti e tani i kërkojnë popullit të korrigjojë gabimin. Ndërkohë ky popull e ka paguar më shumë se një herë në historinë e vetë vajtjen pas berihait. Shqiptarët, më shumë se një herë janë zgjuar nga ëndrra shumë të dhimbshme, kur kanë besuar tek Haxhi Qamili dikur apo tek Sudja, Vebiu dhe Xhaferri më pas, kur kanë besuar se pa punë, pa karakter, pa rezistencë, pa durim, pa këmbëngulje, pa besim, pa guxim e pa drejtim mund t’ia dilnin mbanë.

N nuk ofrojmë këtu as receta magjike dhe as fusha me lule. Një lule këtu e një lule atje, për secilin lule; “Do t’i japim biznesit të vogël kaq mijë euro; të rinjve kaq mijë euro; të moshuarve kaq mijë euro; familjeve kaq mijë euro”.

Këto shqiptarët i kanë dëgjuar më parë, i kanë provuar më parë dhe do të ishte kulmi që t’i provonin përsëri, duke shkuar vetë me këmbët e tyre si cjapi tek kasapi. E unë prandaj jam i bindur që nuk do të ndodhë kështu. Njëkohësisht që jo vetëm të mos ndodhë kështu, por që ne të rimarrim një mandat të fortë për të vazhduar të ngjitemi lart e për ta çuar Shqipërinë në majën ku Shqipëria meriton, duhet të mobilizohemi gjatë gjithë këtyre ditëve, të bashkohemi gjatë gjithë këtyre ditëve, t’i harrojmë të tjerat, sepse vota për numrin 12 në fletën e votimit nuk është një votë për një parti, është një votë për ta bërë Shqipërinë të Ardhmen tonë.

Ata e duan Shqipërinë vetëm për pushtetin. Kur nuk kanë pushtetin, nuk lënë gjë pa i bërë Shqipërinë. Nuk lënë dy gurë bashkë për ta bërë Shqipërinë rrëmujë. Janë gati edhe ta djegin për pushtetin e tyre, ashtu sikundër nuk lënë fjalë të ulët, nuk lënë poshtërsi, pabesi pa bërë kur flasin me të huajt për Shqipërinë.

Ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin. Ne duam që pushteti të jetë për Shqipërinë. Mua nga emigracioni nuk më ka sjellë ndonjë nevojë që të gjej një punë si ministër. Mua nuk më ka futur në politikë halli se  nuk dija të bëja punë të tjera. Politika nuk ishte pasioni im i parë. Mua më ka kthyer nga emigracioni e më ka futur në politikë bindja se maja ku Shqipëria duhet të ngjitet është e arritshme dhe se nëse shqiptarët arrijnë të rezistojnë kur ndjejnë lodhje, arrijnë të vazhdojnë të besojnë kur ndjejnë mërzi, arrijë të durojnë kur ndjejnë kundërshti dhe vazhdojnë të ngjiten, ajo majë jo vetëm është e arritshme, por atë majë, ne sëbashku mund dhe do ta arrijmë.

Shqipëria mund dhe do të bëhet kampione e krejt Ballkanit në turizëm, në agroturizëm, në energji, në digjitalizim. Shqipëria mund dhe do të bëhet shtëpia ku çdo vajzë dhe çdo djalë të jetë krenarë jo vetëm për historinë, as vetëm për bukuritë e natyrës, për traditën e tij familjare apo për traditën fantastike të mikpritje shqiptare, por për kushtet e asaj shtëpie dhe vajtja jashtë shtetit të bëhet një zgjedhje e lirë, jo një zgjedhje e detyruar për shumë vajza dhe djem. Kjo është e mundur, por për të shkuar deri këtu duhet punë, duhet durim, duhet kohë. Ata që komentojnë nga Gjermania, Belgjika, Austria nuk duhet ta harrojnë se as në Gjermani, as në Belgjikë, as në Austri nuk vidheshin dritat, deri para pak vitesh. Nuk ishin të bllokuara kanalet kulluese dhe ujitëse, deri para pak vitesh. Nuk vidhej uji e nuk shpërdorohej uji nga të katërt anët, deri para pak vitesh. Nuk ishin gjykatësit dhe prokurorit zotër të fatit të njerëzve dhe shitës të drejtësisë si në pazarin e gjësë së gjallë, deri para ca vitesh. Ato vende janë bërë me dakada, me shekuj aty ku janë.

Ne nuk kemi nevojë për shekuj, nuk kemi nevojë për dekada, sepse bota sot ka ndryshuar, teknologjia, shpejtësia e lëvizjes janë rritur në mënyrë marramendëse. Ne na duhet vetëm kjo dekadë ku kemi hyrë dhe na duhet vetëm që të mos kthehemi mbrapa e të mos bëjmë atë gabim që kemi bërë disa herë në historinë tonë e pastaj të pendohemi e të rifillojmë nga e para, si me gurin e Sizifit, ngjitet e ngjite dhe bjerë poshtë dhe fillo ngjite prapë. E nuk mbaron historia.

Ne mund ta bëjmë Shqipërinë gur të rëndë në vendin e vetë në këtë rajon e ne do ta bëjmë të gjithë sëbashku. Për këtë është shumë e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë që vota në 25 prill nuk është thjesht çështje personale, nuk është thjesht çështja jam i mërzitur, i pakënaqur, por është shumë më tepër se kaq. Është çështje e një gjykimi me peshë të madhe, njësoj si ato gjykatat amerikane ku merren njerëz me short nga populli për të vendosur për një çështje me rëndësi të drejtësisë.

E para, aty gjykohet duke pasur parasysh edhe fëmijët që nuk votojnë. Çdokush që ka një fëmijë, kur shkon të votojë duhet të shohë edhe fëmijën e duhet të thotë, çfarë është më e mirë për fëmijën tim, që nesër të vazhdojë më tutje rruga që kemi hapur për transformimin e arsimit, apo që të kthehen prapë librat rrëmujë, diplomat false, të kthehen prapë tmerret e një sistemi arsimor ku asnjë fëmijë i një prindi të panjohur, i një prindi pa lek, apo që jeton në fshat nuk kishte shansin që ka sot, që të shkonte në universitet në bazë të meritës e të mos parakalohej nga djali i ministrit, i deputetit, i biznesmenit. U bënë disa vjet që në universitet, fëmija i një çobani nga maja e malit kalon dhe hyn falë meritës e rezultateve të veta e nuk ka fëmijë deputeti që ia zë vendin.

Këto janë arritje që nuk duhen humbur, ndërkohë që të tjera duhen bërë. Ne duhet e do të punojmë që të sjellim universitete e huaja në Shqipëri, t’i bashkojmë me universitete tona që të kenë programe të njëjta, të kenë diploma me të njëjtën vlerë, që fëmijët më të mirë të mos duan të ikin ta bëj shkollën e lartë jashtë.  Do ketë plot nga ata, por plot të tjerë të rrinë këtu e të thonë po shkoj në universitetin e qytetit tim dhe aty po marr diplomën që merret në Itali, në Greqi, në Francë, në Gjermani, në Turqi, kudo qoftë.

Ka shumë e shumë gjëra, të cilat janë në ndërtim e sipër. Të vazhdosh të ndërtosh deri në fund është shumë më e vështirë se sa të ndalosh, 

ka shumë e shumë gjëra, të cilat janë në ndërtim e sipër. Të vazhdosh të ndërtosh deri në fund është shumë më e vështirë sesa të ndalosh e të thuash deri këtu isha. Por një ditë do zgjohesh, do duhet të hysh në atë ndërtesë dhe ajo nuk do jetë aty, por e rrënuar dhe do duhet ta nisësh sërish nga e para. Një fjalë e popullit thotë  se të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër, je budalla. Sa herë duhet përsëritur ajo që është përsëritur dy herë, me ata që duan të kthehen përsëri dhe të dyja herët kanë dalë keq! Nuk ka si të dalë mirë herën e tretë.

Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është për mua personalisht, por për Shqipërinë. Nuk është për mua personalisht, por është për të gjitha ato gjëra që edhe unë njësoj si ju i di shumë mirë që janë shqetësimet tuaja, bisedat, hallet tuaja. Sepse mes shumë të metave të mia, unë nuk e kam pasur e nuk e kam të metën që pas zgjedhjeve t’i kthej kurrizin njerëzve. Përkundrazi, me shumë krenari mund t’ju them se jam kryeministri që e kam shëtitur Shqipërinë, jo për turizëm, por për punë, më shumë se të gjithë kryeministrat e marrë sëbashku, qëkur është krijuar shteti. Ashtu sikundër jam kryeministri që i jam përgjigjur të gjithëve, edhe në telefon. Ashtu sikur jam kryeministri që kam krijuar një sistem të tërë në platformën e Bashkëqeverisjes apo e-albania që njerëzit t’i kapërcejnë hallkat e burokracisë dhe të shmangin ata që u dalin përpara në emër të shtetit dhe ta marrin shërbimin e ta gjejnë të drejtën.

Sigurisht ka shumë të drejta që nuk janë gjetur akoma. Ka shumë që mund të kenë përsëri dështuar që ta marrin shërbimin e dëshiruar, por sa janë ata sot që falë kontaktit direkt me shtetin përmes telefonit kanë marrë shërbimin. Unë dua që e gjithë marrëdhënia me shtetin të futen në xhep. Është e mundur dhe do ta bëjmë. Ne nuk i përdorim telefonat për t’ju nxirë jetën juve, “me kë je”, “hajde voto për ne”, por duam që çdo telefon të funksionojë që ne shteti t’ju zgjidhim juve problemet.

Ka shumë për të bërë, ka dhe shumë për të humbur për secilin. Kemi bërë shumë, do bëjmë edhe më shumë dhe nuk do lejojmë që asgjë që kemi ngritur me kaq mund të cenohet e jo më të shembet.

Kur kam ardhur në Cërrik në fushatën e 2013-ës, kam thënë që do bëjmë për Cërrikun në 4 vitet e ardhshme më shumë sesa në të gjitha vitet e tjera, të marra sëbashku. Në 2017-të ju kam thënë do bëjmë edhe më shumë. Nuk kemi bërë aq sa kemi dashur. Edhe këtu ku jemi është një Cërrik krejt tjetër. Nëse fotografinë ku gjendemi këtu e do t’ia dërgonim dikujt nga Cërriku jashtë shtetit, që nuk e ka parë Cërrikun prej 6-7 vitesh, do thoshte është 3D, nuk ka mundësi. Sot po ju them që sëbashku me kryetarin e bashkisë dhe deputetët do bëjmë 4 vitet e ardhshme për Cërrikun më shumë seç është bërë në të gjitha vitet bashkë, përfshirë dhe vitet e mandateve tona. Na thonë 2 mandate, por të jemi të vërtetë deri në fund, kemi pasur një mandat e pak dhe pastaj kemi hyrë në një luftë me dy fronte që do kishin gjunjëzuar një elefant, tërmeti katastrofik dhe tërmeti tjetër, pandemia që tronditi mbarë botën. Ja ku jemi! Po fitojmë mbi të dyja këto sfida dhe duhet të fitojmë deri në fund se nëse ka një forcë që mund t’i fitojnë këto sfida, është vetëm Partia Socialiste. Të tjerët harrojeni! 

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Faleminderit dhe mirë se ju gjeta,

Dua ti kërkoj shumë ndjesë shumë banorëve të Cërrikut të cilët janë të pakënaqur me ne që ne nuk lejuam të kishte mes nesh më shumë se sa një numër qytetarësh të përcaktuar nga një protokoll shumë të kujdesshëm.

Nuk mund të shkelim mbi ato rregulla që ka vendosur Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Besoj se biem të gjithë dakord që për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa jeta e çdo shqiptari e shqiptareje në këtë luftë me këtë armik të padukshëm që falë mençurisë së vendimmarrjes së deritanishme dhe procesit të vaksinimit që po ecën në mënyrë të shkëlqyer edhe këtu në Cërrik, unë jam shumë i sigurt që ne po shkojmë drejt një fitoreje me këtë armik të padukshëm.

Dua të ndaj me ju edhe lajmin e mirë që sot kemi filluar me vaksinimin e personave mbi 60 vjeç për të shkuar në një nivel vaksinimi që nuk e ka asnjë vend tjetër përreth nesh, përveç Serbisë e cila luan me 17 porta.

Falë, personalisht kryeministrit tonë Edi Rama ne jemi ndër vendet e pakta që kemi filluar vaksinimin masiv. U ndala pak këtu sepse e di sesa e rëndësishme është kjo sitautë të cilën kaluam dhe po kalojmë. Kemi humbur jetë njerëzish të dashur. Më e vështira ka kaluar, tashmë edhe Cërriku edhe Shqipëria po buzëqesh. Jam shumë i sigurt që fundi i majit dhe fillimi i qershorit do na gjejë në një situatë tërësisht normale për t’ju kthyer normalitetit tonë.

Shumë faleminderit për mbështetjen dhe për gjithçka që na ka dhënë Cërriku. Mesazhi im sot këtu është shumë i drejtpërdrejtë lidhur me 2017-ën dhe ku jemi. Është shumë e domosdoshme të dashur motra dhe vëllezër të Cërrikut që ne të kuptojmë që vijimi i transformimit të Cërrikut dhe ato punë të rëndësishme për të cilat ka nevojë Cërriku të mbështetet nga të gjithë qytetarët.

Thirrja ime shkon për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona këtu në Cërrik të cilët i dhanë votën Ilir Metës dhe LSI-së. Ilir Meta dhe LSI nuk kanë më punë në Cërrik sepse Cërriku me ta vetëm ka humbur kohë.

Prandaj ne na duhet që populli i Cërrikut, në mënyrë masive, ti japë mundësinë kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste të vazhdojë punët e nisura. Mjaftojnë 18 muaj që prej kur ne morëm qeverisjen vendore për ta krahasuar me 8 vitet e humbura.

Cërriku është shembulli më kuptimplotë se PD-LSI nuk bënë asnjë punë. LSI-ja nuk mbaron asnjë punë. Ne e mbështetëm për 4 vite me plot fonde por cilësia e punëve të tyre ishte dëshpëruese. Cilësia e punëve të tyre është sot subjekt i hetimit të SPAK. Nuk ka një punë të kryer nga ish-kryetari i Bashkisë së Cërrikut që nuk është sot subjekt i hetimit se ku i çoi paratë. Është turp i madh të të japin gjithë ato fonde dhe cilësia e punëve të jetë për ibret, sikurse e ka zakon LSI.

Apeli im sot është edhe për demokratët, edhe për ata pak demokratë të Cërrikut. Mos ja jepni votën Lulit sepse vota për Lulin çon ujë te mulliri i Ilir Metës. Luli është një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit.

Partisë Socialiste dhe Edi Ramës i duhet mbështetja juaj për të çuar përpara e deri në fund ato investime që kemi nisur në ujin e pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza, infrastrukturën rrugore.

Të mos harrojmë bujqësinë. Vetëm falë Partisë Socialiste u arrit të hiqej TVSH-ja e inputeve bujqësore. Vetëm me Partinë Socialiste ne sot rimbursojmë naftën pa akcizë.

Dua t’u tërheq veshin administratorëve të njësive administrative që ende nuk kanë trokitur në shtëpitë e njërzve që ata të aplikojnë për subvencionet e naftës. Është shumë e thjeshtë, mjafton të hyni në E-Albania. Thirrja ime e përhershme është që të ndihmojmë ata që merren me bujqësi. Ne po e bëjmë punën tonë.

Në fund, ju e dini që ne po e çojmë përpara betejën me përballjen me pandeminë dhe rindërtimin por kemi edhe një betejë tjetër shumë të rëndësishme, Reforma në Drejtësi.

25 prilli është shndërruar sot në një betejë mes Edi Ramës, Partisë Socialiste, partnerëve tanë nga një anë dhe nga ana tjetër Saliu, Luli, Ilir, Agron Duka, Vangjel Dule.

Ne na duhet vota juaj në 25 Prill që ti japim mundësinë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës që betejën për drejtësinë ta çojmë deri në fund. Vetëm kështu do japin hesap para drejtësisë të gjithë ata që kanë futur duart në paratë publike të shtetit shqiptar. Vetëm kështu ne mund të bëjmë transparente gjithçka që i duhet këtij vendi. Kushdo që ka guxuar të prekë xhepat e financave publike në këtë vend të shkojë para drejtësisë.

Të dashur vëllezër e motra të Cërrikut, 25 Prilli është një ditë shumë e rëndësishme. Unë jam shumë i sigurt që Cërriku si gjithmonë do ta vendosë veten në krahun e duhur të historisë, pro Partisë Socialiste të Shqipërisë, numrit 12.

Kam nderin dhe kënaqësinë ti jap fjalën kryeministrit të vendit Edi Rama.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm