Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill zgjedhim se si duam të jetë Shqipëria e kësaj dekade ku kemi hyrë

Të reja

Në 25 prill zgjedhim se si duam të jetë Shqipëria e kësaj dekade ku kemi hyrë

21 Apr 2021    

Takimi Lushnje – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

 

Faleminderit nga zemra! 

Nuk rri dot pa ndarë me ju, që për mua është moment i vështirë, sepse më duket sikur vetëm këtu, unë u pajtova me faktin që Bashkimi nuk është. Derisa pa ardhur këtu e kisha më të lehtë dhe nuk më dukej edhe aq reale ikja e tij. Ndërsa në këtë shesh ku kemi qenë shpesh, ai nuk është më dhe tani mua më duhet të pajtohem me këtë fakt. Erjoni bëri shumë mirë që na ftoi të gjithëve dhe që duhet ta duartrokasim Bashkim Finon. Por unë do t’iu lutesha që të mbajmë një minutë heshtje për Bashkim Finon.

I paharruar qoftë kujtimi!

Bashkimi hyn tek ata njerëz që edhe kur largohen, mbeten brenda nesh, falë kujtimit që lënë, falë gjurmës së pashlyeshme që lë prania e tyre në jetën tonë dhe jam i bindur që njësoj si unë, në këtë moment, mendojnë të gjithë ata mes jush që e kanë njohur Bashkimin, jo thjesht nga televizori, as nga tribunat, por nga afër. Të gjithë atyre që e kanë njohur Bashkim Finon u them që ditën e diel kanë një detyrim më shumë, kanë një borxh më shumë, jo thjesht për të votuar për veten e tyre, jo thjesht për të votuar për gjithçka që ne përfaqësojmë dhe gjithçka që lidhet drejtpërdrejtë për mirë me një detyrë nga këto që ne bëjmë e themi, por kanë një borxh më shumë për të votuar edhe për Bashkimin.

Bashkimi erdhi në Lushnje kur ishte një figurë e  mirënjohur kudo dhe Lushnja ishte një stacion tjetër i jetës së tij brenda familjes politike. Iu them sinqerisht që ai u lidh aq shumë me Lushnjen, saqë nuk linte rast kur ne takoheshim pa më folur për Lushnjen, për çfarë duhej bërë në Lushnje. Jo vetëm çfarë duhej bërë në kuptimin e punëve të mëdha, por çfarë duhej bërë për një familje, për njerëz që kishin halle dhe të cilëve, Bashkim Fino kurrë nuk ua mbylli derën dhe i siguroi të gjithë se dikujt që nuk ia ka zgjidhur një hall, të jetë i bindur se ai ka bërë të gjitha ato që ka mundur.

Sot mendoj që ne kemi arsye të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë në gjithë këto vite. E kam mirë parasysh nga ku jemi nisur, por unë nuk dua të flas për çfarë kemi bërë. Çfarë kemi bërë ju i dini, i keni para syve. Gjithkush që do t’i vlerësojë, i vlerëson jo thjesht në vetvete, por duke pasur parasysh edhe nga ku jemi nisur.

Unë do të doja të thoja çfarë kemi ende për të bërë dhe mbi të gjitha do të doja të ndaja me ju një të vërtetë shumë të thjeshtë. Këtu në Lushnje mund ta ndaj edhe më thjeshtë se në vendet e tjera, që unë përgjithësisht e konsideroi veten një njeri të pakënaqur me punën time, me punët që ne bëjmë. Dëshiroj të bëjmë shumë më tepër dhe mendoj që në çdo gjë që bëjmë, ka gjithmonë për të menduar se mund të bëjmë më mirë.  Në kampionatin e të pakënaqurve, unë maksimumi mund të luftoj për endin  dytë, se vendin e parë e zë Erjon Braçe.

Erjoni është njeriu më i pakënaqur që unë njoh. Të jenë të bindur të gjithë ata që i thonë vetes të pakënaqur në këtë moment se nuk ka shans të jenë më të pakënaqur sesa Erjoni.

Ky është momenti kur ndahen zgjedhjet që njerëzit bëjnë. Ka dy mënyra për t’u sjellë me pakënaqësinë. Njëra është mënyra për t’iu dorëzuar pakënaqësisë, për t’i lënë rrugë të lirë mërzisë e pastaj, duke i lënë rrugë të lirë mërzisë, për t’u ndierë i pafuqishëm, i lodhur, i pamotivuar, për të patur nevojë të ulesh, të shtrihesh, të rrish e të mos dalësh nga shtëpia, për të pasur nevojë të flasësh e flasësh vetëm për mërzinë. Kjo është njëra rrugë.

Rruga tjetër është rruga e Erjonit dhe fatmirësisht është dhe rruga e të gjithë atyre që janë edhe për hir të së vërtetës, njerëzit më të afërt të Erjonit, që nuk janë në Tiranë, nuk janë në Parlament, pavarësisht se Erjoni është një shok shumë i mirë dhe aty ku duhet, kur është i nevojshëm për njerëzit e tij më të afërt për të cilët ai flet me pasionin më të madh e për të cilët, ai zotohet deri në pikën që ndonjëherë më shikon mua nga poshtë, shtrëngon dhëmbët dhe matet që a mund të më arrijë grushti apo jo. Janë ata atje që gdhihen më herët nga të gjithë në fushat e Divjakës, që dalin pa u gdhirë, që kujdesen për tokën, që kur dalin nga shtëpia i puthin fëmijët në gjumë dhe kur kthehen shpesh herë i gjejnë përsëri në gjumë. Ata janë njerëz të pakënaqur. Po të ishin të kënaqur, nuk do të zgjoheshin dot aq herët, po të ishin të kënaqur ktheheshin më herët në shtëpi, do t’ua linin të tjerëve të bënin punën e tyre. Por është qenia i pakënaqur  me veten gjatë gjithë kohës që bën të shkosh më tutje. Është qenia i pakënaqur me pikën ku je ngjitur që të bën të vazhdosh të ngjitesh drejt majës. 

Dua t’i bëj një thirrje të gjithë njerëzve të pakënaqur që të bëjnë arsyetimin e ditës së diel dhe të vendosin nëse pakënaqësia do t’i shtyjë përpara, apo nëse pakënaqësia do t’i lëri ulur në vend pa lëvizur, të bëhet çfarë të bëhet.

Jo të bëhet çfarë të bëhet sepse do bëhet ajo që ne ëndërrojmë, që ne duam, që ne mundemi e që ne do të bëjmë. Nuk diskutohet! E të mos e harrojë askush se përmasat e një burri apo përmasat e një gruaje. Flasim për burrat se gratë e kanë natyrale përmasën e rezistencës, të mosdorëzimit, të qëndruarit gjithmonë mbi lodhjen, sepse gratë janë ato që prodhojnë jetën e nuk do kishte jetë, nëse nuk do kishte nëna e pikërisht se ka nëna, jeta jo vetëm lind, por jeta vazhdon e zhvillohet. Përmasat e një burri nuk maten kur është kohë e mirë e kur gjërat shkojnë vaj. Përmasat e një burri maten kur koha është e keqe e kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Natyrisht që ne vijmë nga një kohë, kur jo gjërat nuk shkuan mirë, por shkuan si nuk ka më keq. Ne u goditem nga një tërmet katastrofik që la pa çati brenda pak sekondash dhjetëra e mijëra familje në Shqipërinë e vogël, që nuk është as Turqia, nuk është as Italia. Në Shqipërinë që natyrshëm mendimi i parë që të vinte ishte nuk ka më jetë për këta njerëz. Mendimi i parë që të vinte kur shikoje gjithë ato gërmadha që nuk mbaronin dhe gjithë ato familje me fëmijë që ishin rrugëve ishte, kushedi sa vite do të kalojnë e këta njerëz do mbeten nëpër çadra e kushedi sa nga këta fëmijë të vegjël do martohen e akoma nuk do kenë hyrë nëpër shtëpi. Por ne u testuam pikërisht për përmasën tonë. Për përmasën e karakterit tonë, sepse nuk ka asnjë gjë të pamundur për karakterin e shqiptarit, kur shqiptarët sëbashku bëhen karakteri i Shqipërisë dhe menjëherë sapo ne morëm frymë të lehtësuar sepse u gjetën rrugët për të filluar rindërtimin, vjen goditja tjetër. Një tërmet që tronditi gjithë botën, një tërmet që mbylli brenda gjithë dynjanë, një tërmet që futi në krizë superfuqi, sistemet më të zhvilluara shëndetësorë të botës. E përsëri u testua karakteri ynë e përsëri, ne qëndruam. Sot, kur dielli po lind përsëri, sepse tuneli i gjatë sfilitës i pandemisë po shkon drejt fundit dhe drita në fund të tunelit po zmadhohet çdo ditë, ne Shqipëria e vogël, Shqipëria as e pasur, as e zhvilluar, si plotë të tjerë në Europë jemi lart në shoqërinë e disa shteteve që kurrë nuk e kishin menduar se do ta ndanin me ne fashën e parë të tabelës së klasifikimit për çfarëdo qoftë e jo më për ritmin e luftës kundër armikut të padukshëm dhe për vaksinimin masiv të kaq shumë njerëzve.

Si ka mundësi që ne t’ia dalim këtyre sfidave që janë realisht, objektivisht shumë më të mëdha sa ne mendojmë se jemi dhe të mos ia dalim ne shqiptarët ta këpusim një herë e mirë zinxhirin e mallkimit që herë pas herë në histori na mblidhet si gjarpër nëpër këmbë dhe na rrëzon tamam kur është momenti për të bërë ngjitjen e madhe e për të arritur majën. Atë majë që Zoti ka parafytyruar për popullin tonë, kur ka bërë Shqipërinë. Ku ka një vend tjetër kaq të vogël, brenda të cilit të gjesh dy dete, njëri më i bukur se tjetri, të gjesh maja me dëborë edhe gjatë gushtit, të përshkosh e të kapërcesh kaq shumë lumenj, të shohësh kaq shumë pyje e të zbulosh kaq shumë liqene, të ndeshesh me kaq shumë pllaja. E nga ana tjetër të shohësh pse ne nuk jemi në lartësinë e asaj maje.

Unë gjithmonë them, mua më duket sikur kur bëri Shqipërinë, Zoti e kishte pushim, ditën e diel, sepse e mori me shumë nge, e qëndisi si një pëlhurë në të gjithë sipërfaqen. Atëherë, çfarë i ka penguar shqiptarët të ishin me kohë e me vakt aty ku e kanë vendin? Dora e mbrapshtë e robit, ai zinxhiri i një mallkimi që na ndjek nga mbrapa e që bëhet gjarpër në momente të caktuara, tamam kur ne duhet të vëmë në provë e të fitojmë testin e karakterit tonë. Testi i karakterit tonë është në provë në 25 prill.

Në 25 prill ne kemi mundësinë që ta këpusim njëherë e mirë atë zinxhir. Pas 25 prillit, me fitoren e Partisë Socialiste, dëgjojeni këtë budallain këtu, nuk do ta shihni më siç e keni parë deri më sot gjithë arenën e tmerrshme, të zhurmshme, arenën cinike të idiotësive të politikës. Është përpjekja e fundit, është ai momenti kur peshkaqeni gjuan me bisht, teksa përpëlitet, i atyre që e kanë mbajtur peng, ose janë përpjekur ta tërheqin nga këmbët shqiptarin, kur nuk e kanë pasur nën kontroll e që mishërohen si nuk ka më të ulëritshim në personazhet sa qesharakë, aq edhe sekëlldisës të jetës sonë, Saliu dhe Iliri.

Saliu dhe Iliri e kanë këtë një betejë finale për ta. E kanë një betejë ku duan të provojnë, duke mbledhur të gjitha forcat e fundit se përsëri mund ta marrin në kontroll Shqipërinë. Duan të provojnë se përsëri, ai zinxhiri i një mallkimi të vjetër që na ndjek e që sa herë ne bëhemi gati të bëjmë kapërcimin e madh, mblidhet si gjarpër në këmbët tona.

Në 25 prill nuk bëhet fjalë për të zgjedhur mes partive, nuk bëhet fjalë fare, as për të zgjedhur mes disave e disa të tjerëve. Në 25 prill bëhet fjalë për të zgjedhur rrugën, për të zgjedhur se çfarë duam të jemi ne dhe si duam ne të jetë Shqipëria e e kësaj dekade ku kemi hyrë.

Në 25 prill, shqiptarët do të vendosin e do të marrin një vendim që shkon shumë përtej tyre, shumë përtej pragut të shtëpisë, shumë përtej të gjitha këtyre që janë bërë apo nuk janë bërë për secilin. Në 25 prill, shqiptarët do të vendosin nëse Shqipëria do ta mbylli këtë dekadë në majën e këtij rajoni, duke u bërë kampione e Ballkanit në turizëm, kampione e Ballkanit në agroturizëm, kampione e Ballkanit në energji, në bujqësi, në dixhitalizim, nëse duan që Shqipëria të hyjë në ligën e kampionëve të Europës për turizmin. Kroacia është një vend me 4 milionë banorë, është shumë i bukur, por kurrsesi nuk e ka gjithë këtë diversitet që kemi ne. Kurrsesi nuk e ka gjithë këtë zgjedhje që e bën Shqipërinë një vend turistik në 12 muaj. E Kroacia ka 9 aeroporte dhe është fuqia e 7-të e botës për  të ardhurat që siguron nga turizmi, të cilin e ka të zhvilluar, sidoqoftë në një kohë të shkurtër.

Po ne?

Të jeni të bindur që asgjë, përveç vetvetes nuk na ka penguar e asgjë përveç vetvetes nuk mund ta pengojë nëse ne e ndajmë mendjen dhe nëse ne me mendje të ndarë i themi këmbëve të lodhura vazhdoni ecni, i themi mendjes që na thotë ndalo, vazhdo, i themi zemrës që plas nga rrahjet dhe nga stresi, vazhdo! Ne do ta arrijmë atë majë dhe ne do ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë, jo me llafe, por realisht. Këtu është vendi që mund të flitet për bujqësinë. Deri para ca vitesh ishte bujqësia e heronjve të panjohur, e heronjve të heshtur, e heronjve që e siguronin bukën e fëmijëve të tyre duke sakrifikuar maksimalisht. Të braktisur, pa kanale kulluese, pa kanale ujitëse, pa rrugë, pa asnjë mbështetje. Edhe kur u thuhej se do u jepej një mbështetje, ajo shpërndahej midis një rrethi të caktuar. Sot, ku janë tezgat me produkte që ishin përgjatë gjithë rrugës nga Tirana në Lushnje e deri në Vlorë?

Ju kujtohen gjatë gjithë rrugës, tezga e tendat me fier ku shiteshin produktet. Sot nuk janë më, i përkasin të shkuarës, sepse sot bujqësia jonë ka hyrë në një fazë të re. Bujqësia jonë po bëhet sipërmarrëse. Sot janë 140 pika të reja grumbullimi që janë ndërtuar kudo ku ka prodhim bujqësor dhe me standarde nga më të mirat.

Sot është gjithë ajo mbështetje, brenda mundësive, asgjë e jashtëzakonshme, që ju është dhënë fermerëve. Tamam sot, unë kam përfunduar një bisedë në parim që të mos ketë më eksporte që nga këtu shkojnë në Greqi e nga Greqia sikur janë prodhuar në Greqi shkojnë në Lindjen e Mesme, në Egjipt, në Tunizi. Ne do të bëjmë marrëveshje direkte dhe një treg i madh në të gjitha ato territore do të hapen drejtpërdrejtë për të gjitha produktet shqiptare. Kjo do të bëjë që eksportet tona, duke fituar tregje të reja, të rriten edhe më shumë. Ishin rreth 100 milionë kur ne morëm detyrën, 400 milionë janë sot, mbi 1 miliardë do t’i çojmë. Këto janë të gjitha të ardhura që vijnë këtu e që do ta bëjnë këtë një vend siç e ka parashikuar Zoti kur ua ka lënë shqiptarëve. Një vend kur njerëzit e punës, njerëzit e sakrificave, njerëzve që u mësojnë fëmijëve se si puna të çon përpara, të ndihen zot në tokën e tyre.

Gjithë vija bregdetare është pjesë e këtij projekti të madh, por jo si ajo e Durrësit. Në Durrës ne do të bëjmë portin turistik më të madh të Mesdheut, i cili ka një tjetër karakteristikë. Në bregdetin e Divjakës do të bëjmë një nga investimet më të bukura të Mesdheut në harmoni me natyrën, për të pasur të gjithë atë kategori turistësh që vijnë dhe shpenzojnë shumë. Për të krijuar vende pune cilësore, për ata që shërbejnë në këto infrastruktura, por njëkohësisht pa e cenuar. gjithë atë natyrë të mrekullueshme, parkun kombëtar. Një nga zonat më të bukura të Shqipërisë deri kur ne e morëm detyrën ishte në mëshirë të fatit. Do i lini në dorë të atyre speciet e parkut kombëtar?  Sot është kthyer jeta në parkun kombëtar. Sot, parku kombëtar është bërë një vend ku numri i vizitorëve rritet e rritet. Ai park kombëtar do të bëhet një vend ku çdo ditë do të dëgjohen dhjetëra gjuhë të botës e ku çdo ditë, njerëzit e këtij vendi do të shkojnë dhe do të jenë aty mikpritës krenarë të turistëve.

Gjithë këto produkte do të shërbejnë për gjithë këtë industri të madhe turizmi që do të zhvillohet. Ne nuk duam të bëhemi fuqia e 7-të botës, t’i zëmë vendin Kroacisë, sepse Kroacia ka shumë vite që ka hyrë në këtë rruge. Po ne duam dhe do të bëhemi një fuqi, në mënyrë që dielli që shkëlqen kaq bukur për turistët dhe që është kaq i mrekullueshëm për ata që kanë mundësi, të arrijë të ngrohë çdo shtëpi shqiptare. Dhe ekonomia e çdo shtëpie shqiptare, me kushtin që puna të jetë emëruesi, të rritet. Një rritje ekonomike jo vetëm e përgjithshme për vendin, por një rritje ekonomike e fuqishme për çdo shqiptar që beson tek puna, pavarësisht është i majtë, është i djathtë, është i moshuar apo i ri. Çdo shqiptar që beson tek puna duhet dhe do të jetë në këtë vend zot.

Për këtë kemi akoma punë për të bërë. Kemi akoma shumë pakënaqësi për të shfryrë, por jo duke shkuar në kafene, as duke shkuar mbas berihait.

Këtu në Lushnje e keni njohur mirë Rapush Xhaferin ju. Është pritur me këngë e me valle, siç është pritur në gjithë Shqipërinë. Rrapush Xhaferri është thjesht një nga format, një nga emrat, një nga fytyrat, një nga personazhet që shfaqen për të qenë korrierët e atij zërit të brendshëm që u thotë shqiptarëve, “ky vend nuk bëhet”, “t’i biem shkurt”, që i thotë shqiptarëve 1001 e gjëra vetëm që shqiptarët të mos bëhen ata që janë të destinuar të jenë. Ishte Haxhi Qamili dikur. I gjeti shqiptarët të pakënaqur në maksimum, të lodhur, të mërzitur dhe u tha t’i biem këtej dhe shkuan mbas berihait dhe përfunduan në greminë. Edhe Rrapush Xhaferri vinte nëpër qytet dhe thoshte më jepni lekët, jua jap dyfish. Saliu thoshte këto janë bankat që solli demokracia, janë të pastra. Kur erdhi radha me marrë dyshen e javës së ardhshme, doli Sudja në dritare e tha “Mbaroi loja!”.

Rrapushit i shtronin edhe rrugët me sheqer. Ja kishin shtruar dhe Lulit në Lezhë rrugën me sheqer. Ju futën dy gishtat shqiptarëve mu në sy e u qorruan komplet  e si pula qorre filluan të hidheshin përpjetë, rrethuar nga zjarri që i vunë vetes.

 Këtu të çon ideja se mund të rrish dhe dikush tjetër do bëjë për ty, aq shumë sa të jesh i lumtur. Këtu të çon vota pas berihait, sepse edhe Luli është një formë tjetër e këtij personazhi që ka nevojë koha për ta shfaqur mes shqiptarëve si korrierin e atij zëri të brendshëm dhe të thotë na jep votën, ta dyfishoj pensionin, më jepni votën, t’u ul sigurimet shoqërore. Pra, do ja dyfishojë pensionin dhe do përgjysmojë sigurimet, kur dihet se pensioni paguhet nga sigurimet e këtyre. Ju jeni mjeshtër të prodhimit. Dini ndonjë variant që ul prodhimin e shegëve dhe rrit prodhimin e lëngut të shegës? Ose ul prodhimin e qumështit dhe rrit prodhimin e djathit?

Sepse të japin sapunin për djathë dhe e kam parë që dalin njerëz që i shkojnë nga mbrapa, hanë sapunin për djathë.

Ka një ndryshim shumë të rëndësishëm mes autokolonës së Rrapushit dhe autokolonës së këtyre. A e keni parë sa kushton autokolona e Lulzim Bashës? 4-5 milionë euro dhe jo makinat e tij, por atyre që e ndjekin. A keni pyetur veten se kush është brenda në ato makina që i shkojnë nga mbrapa e që bën ai ato rekordet “u nisa në Sarandë e arrita në Tropojë”, a thua së do votohet shoqata e çiklizmit në datë 25.  

Brenda janë ata që presin datën 25, jo me fjalë, por realisht ata që presin të hapin bingot me votën tuaj, që duan që të vijë Partia Demokratike dhe pastaj nga e para, bingo për kalamajtë dhe sherr e shamatë mes grave dhe burrave. Kanë ndarë gratë dhe burrat e dynjasë me bixhoz. Do kthehen prapë ata.

Brenda janë ata që ishin drejtues policie dhe që i çonin oficerët e policisë si cjapi tek kasapi, duke lajmëruar kriminelët në kërkim. Iu kujtohet sa oficerë policie janë vrarë në kohën e tyre? Vriteshin sepse tradhtoheshin pas shpine.

Brenda në ato makina janë ata të tatimeve dhe këtë e kam për të gjithë ata sipërmarrësit e vegjël të Lushnjës, të djathtë, pak ka këtu, që taksën e kanë 0 sot, TVSH-në e kanë zero. Dhe interesi yt është që taksën ta kesh 0, që TVSH-në ta kesh zero. Ja vlen të rrisësh taksën tënde që Luli të flejë në Kryeministri? Kjo është idiotësi.

I thoja Erionit dhe të tjerëve që ky do e nxjerrë një premtim që do jetë më i fortë, por çfarë, si do e uli poshtë zeros? Tani thotë do jua rris 0,5, por do ju jap nga 1000 euro në muaj. A ka laps që e nxjerr këtë llogari?

Më kujtohet kur shkonte tek furrat e bukës kur ishte kandidat për kryetar bashkie dhe thoshte do ul çmimin e bukës, por do fitosh më shumë. Më jep votën se pastaj  do më shihni tek tramvaji i Tiranës. Sapo ai u bë kryetar bashkie, iu la shëndenë dhe iu tha prisni tramvajin e Tiranës.

Nuk ka në atë program asgjë për ju, asgjë për këtë popull. Në atë program ka vetëm një përpjekje “ta hajë kush ta hajë, kap ça të kapësh”.

Ne nuk kemi ardhur për të bërë premtime elektorale, sepse ne jemi në qeveri dhe do jemi në qeveri. Ne së bashku kemi tjetër rrugë e tjetër mision. Njerëzve që vijnë e ju thonë “lekë, lekë, lekë” jepuni një përshëndetje me mirësjellje e të vazhdojnë punën, sepse me këto premtime, Shqipëria është djegur shpeshherë. Ndërkohë që unë ju them “punë, punë, punë”. Ne do ta arrijmë së bashku majën që ua kemi borxh atyre që na e trashëguan tërë historinë tonë e tërë amanetin dhe atyre që janë sot fëmijët tanë.

Lushnja e dy Kongreseve nuk mundet të fyejë të gjithë ata njerëz që e bënë Lushnjën një nga vatrat e historisë shqiptare, duke votuar për numra palidhje. Bëni kujdes shumë se 9 bëhet 6 e 6 bëhet 9, prandaj robi nuk ia ka gjetur kurrë fillin e 6 dhe 9 dhe e ka bërë 69 numrin e djallit.

Kështu që shkon në djall kush voton 6 ose 9, por mbi të gjitha shkon në djall përsëri i gjithë ky vend. Ndaj në 25 prill, 12-ta e pavarësisë së Shqipërisë, 12 si 12-të yjet e flamurit të Europës, 12 si 12-ta e lindjes së Partisë Socialiste dhe 12 se ne e dimë aritmetikën.

7x7 nuk bëjnë 42, 4x3 bëjnë 12.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm