Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 Prill votojmë pro Shqipërisë që është e ardhmja për fëmijët tanë

Të reja

Në 25 Prill votojmë pro Shqipërisë që është e ardhmja për fëmijët tanë

07 Apr 2021    

Këndi i fjalës Tepelenë– Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve dhe ndjesë të gjithë atyre që nuk mundën të qëndronin sepse u detyruam që t’i largojmë për shkak se na duhet patjetër që të jemi seriozë e  korrektë në këtë luftë me armikun e padukshëm, që kemi filluar ta zmbrapsim, por që për ta zmbrapsur deri në fund duhet të vazhdojmë intensivisht vaksinimin masiv dhe njëkohësisht të mos harrojmë distancimin.

Këtu, unë nuk mund të shmang diçka që ka ndodhur përpara pak orësh dhe me siguri ju jeni informuar se ju e keni traditë që informoheni për të gjitha çështjet e mëdha dhe jo më pastaj për lajmet nga Tirana.

Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm, është marrë peng aktiviteti i aeroportit “Nënë Tereza” nga një grup i nxitur drejtpërdrejtë nga Ilir Meta dhe nga Sali Berisha.

Sali Berisha, prej ditësh ka dalë hapur, duke e nxitur këtë akt, ndërkohe që Ilir Meta ka hedhur gurin. Një gur që quhet Leshko, nuk është simbolike, është reale dhe që pasi ka fshehur dorën edhe ai e ka lënë vetvetiu, pa dashje ndoshta të kuptohet që është pjesë. Sikundër nuk ka shqiptar që nuk e kupton menjëherë si dhe pse, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë në këtë akt, nxitës të drejtpërdrejtë në vazhdën e një përpjekjeje të dëshpëruar për të rrëzuar me çdo kusht qeverinë tonë, për të rrëzuar edhe shtetin po qe nevoja për rrëzimin e qeverisë dhe me këtë rast, kanë menduar që të vrasin disa zogj me një gurë, të bllokojnë edhe vaksinimin.

Faktikisht, sot duhet të mbërrinte në aeroportin “Nënë Tereza” sasia tjetër e vaksinave. Kjo nuk do të jetë e mundur, megjithatë i kanë bërë  llogaritë gabim, kanë gjetur qeverinë dhe në këtë rast Kryeministrin më të gabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme e në ndërkohë kanë shfrytëzuar një grup kokash të nxehta aty brenda tek kontrollorët e AlbControl, që nga ana  e tyre kanë përfshirë në operacion edhe të tjerët. Unë shpresoj shumë dhe ju bëj thirrje edhe nga këtu atyre të tjerëve të kthehen në detyrë para se të jetë vonë. Të kthehen në detyrë një orë e më parë, sepse është e paimagjinueshme që, për të kërkuar që të marrë një pagë që e kanë marrë normalisht, gjatë gjithë kohës, për arsye të punës që bëjnë në atë sistem ku janë të organizuar, që nuk ka lidhje fare me buxhetin e shtetit, por që është ulur si rezultat i pandemisë që ka goditur kudo e ka goditur më shumë se sa shumëkënd dhe shumëkund tjetër sektorin e transportit ajror, e kanë aktualisht 2400 e ca dollarë dhe nuk pranojnë të punojnë për 2400 e ca dollarë në muaj se duan të kenë pagën e plotë, sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.

E pra, kjo nuk është e mundur e mbi të gjitha, këtë nuk e zgjidh dot as qeveria, as buxheti i shtetit, sepse qeveria dhe buxheti i shteti nuk kanë lidhje me atë aktivitet. I kanë bërë llogaritë gabim dhe shumë shpejt ne do ta rivëmë nën kontroll situatën dhe plani i tyre për të bllokuar aeroportin me ditë të tëra, mundësisht deri në zgjedhje dhe plani i tyre për të goditur mu në zemër një aktivitet vital, një pikë që lidhet edhe me sigurinë kombëtare, do të dështojë.

Do ta shikoni që do të dështojë, por mos i harroni. Ju këtu nuk i harroni, por unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë, të mos i harrojnë. Të mos e harrojnë edhe këtë akt, sepse bllokimi i aktivitetit të aeroportit në këtë moment, por në çdo moment në fakt, po sidomos në këtë moment, bllokon ardhjen e vaksinave, bllokon lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, bllokon kthimin në atdhe të atyre që në këto kushte të vështira kanë nevojë të kthehen për 1001 arsye, qoftë dhe për arsye sëmundjesh, por bllokon edhe kthimin në atdhe të ndonjërit që ka humbur jetën jashtë e që familjarët duan ta varrosin këtu. Ashtu sikundër bllokon dhe të tjerë që kanë prerë biletën e duan të ikin e këta të gjithë nuk janë socialistë. Këta të gjithë janë socialistë, janë demokratë, janë me bindje të ndryshme, e goditen po njësoj në emër të asaj politike smirëzezë dhe historikisht ogurzezë për Shqipërinë, për ekonominë e këtij vendi, për të ardhmen e këtij populli. Kjo është e vërtetë.

Edhe një gjë tjetër para se të kthehem në temën e përditshme të kësaj ndeshjeje elektorale.

Dy njerëzit më të gëzuar për një gjyq që ne e humbëm pasi kemi fituar tre të tjerë me një marifetçi të paskrupullt, që ju këtu në Tepelenë e njihni mirë, ishin po këta, Ilir meta dhe Sali Berisha. Një gëzim i neveritshëm e në ndërkohë, një përpjekje po kaq e neveritshme për të nxitur e për të motivuar ata, të cilët janë ndjekësit e tyre me sytë dhe me veshët top, por me mendjen tapë nga dokrrat, broçkullat dhe helmi i tyre, duke arritur të shpërndajnë edhe trakte lart e poshtë, natën, nëpër Tiranë, se tani shqiptarët do paguajnë nga xhepi një gjobë 110 milionë. Unë nuk mund t’i them si e qysh, unë mund t’i them vetëm kaq, që ai marifetçiu, bashkë me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet, që mbetet por nuk hahet, asgjë tjetër nuk kanë për të marrë nga xhepi i shqiptarëve dhe nga Shqipëria, sepse lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon. Ai është një i kërkuar nga drejtësia shqiptare e nuk kemi për ta lejuar t’i fusë duart në xhepin e shqiptarëve.

Përsa i përket Tepelenës, Tërmeti foli për 70 milionë të investuara drejtpërdrejtë këtu në Tepelenë, gjë që është e barabartë nuk e di me sa dekada investime më parë, por unë dua të flas për 30 milionë dollarë të investuara deri më tani këtu nga njerëzit. Nga sipërmarrës apo nga emigrantë për të ndërtuar këtu, një të ardhme të biznesit të tyre, një të ardhme të jetës së tyre. Ma thoni seriozisht, kush mund ta imagjinonte përpara 5-6 vitesh se njerëzit do vinin këtu, përsëri, për të investuar, ndërkohë që kur ne morëm detyrën, Tërmeti këtu rezistonte në kushtet e një izolimi total. E vetmja gjë që kishte arritur të bënte ishte  të pastronte llozhurat dhe plehrat e mbledhura me vite e vite të tëra, ndërsa Tepelena ishte komplet e lënë mënjanë. Ishte vetëm një vend që i kalonin anash dhe askush nuk ndalonte, e jo më të investonte këtu.

Këto investime janë vetëm fillimi i një rruge të re ku ka hyrë sot, ky vend i bekuar. Janë vetëm fillimi i një rruge të re, i një perspektive të re, sepse sot, Tepelena jo vetëm që është kthyer vetë si destinacion ku ndalojnë njerëz, ku vijnë turistë, por është kthyer edhe në një pikë strategjike për turizmin e të gjithë Shqipërisë juglindore. Sot, Tepelena mban lidhur edhe njërën anë që është Gjirokastra, Përmeti, së shpejti edhe Kolonja dhe Korça me rrugën që do të rindërtohet, - është bërë projekti, është gjetur financimi, ka filluar procedura, - nga Erseka në Leskovik dhe në Përmet e kështu Tepelena është tamam një udhëkryq i madh ku do të kalojnë të gjitha numrat dhe flukset e vizitorëve, vendas e të huaj, për të eksploruar mrekullitë e natyrës, për të shijuar të gjitha ato që ofron tradita mikpritëse e për të dëgjuar këngët e kësaj treve.

Rruga që tanimë është realitet e nuk është më as një ëndërr, as një premtim, që lidh labërinë lart me detin poshtë, mbyll përfundimisht një histori të gjatë largësie e pamundësie mes labërisë lart dhe bregut poshtë dhe krijon kushtet për një zhvillim krejt tjetër. Ashtu sikundër, Tepelena do të bëhet pikë referimi për shumëkënd që do të vijë poshtë gjatë gjithë sezonit të verës dhe falë rrugës dhe lehtësisë që është krijuar tani, do të dojë të ngjitet lart.

Ju e shikoni vetë se çfarë po ndodh në Nivicë, një perlë e pa zbuluar e Shqipërisë që vetëm ka filluar të shkëlqejë në sytë e shumëkujt, por që do të bëhet një pikë referimi me siguri. Kush e kishte imagjinuar që në Nivicë do të ndodhte ndonjëherë një investim i huaj për turizëm? Një investim elitar për turizëm nga një grup investitorësh suedezë, por janë dallëndyshet e para që do të sjellin një pranverë të madhe për turizmin, por dhe për ekonominë e gjithë kësaj zone.

Përfitoj nga rasti t’ju them gjithë emigrantëve të kësaj zone që të kthejnë sytë nga rrënjët, të kthejnë sytë nga shtëpitë e stërgjyshërve, të gjyshërve të tyre, të kthejnë sytë nga fshati i tyre, të investojnë pa frikë kursimet e tyre për t’i kthyer ato shtëpi në bujtina,, për të ndërtuar agroturizëm me traditën e blegtorisë e të prodhimit të ushqimit. Duhet të jenë të bindur që ajo që do të fitojnë nga investimi këtu i atyre kursimeve do të jetë më tepër sesa ajo që fitojnë duke qenë të punësuar kudoqoftë nëpër botë, për dikë tjetër. Nuk është e thënë që të rrinë këtu menjëherë, por të fillojnë të investojnë këtu se do t’ia shohin shumë shpejt hairin atdheut të tyre.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë, në këtë dekadë, kampione të turizmit në Ballkan, të jeni të bindur për këtë. Është plotësisht e mundur tanimë, sepse traseja është shtruar, na duhet vetëm kurajo, vendosmëri për të shkuar përpara me investimet e mëdha që tanimë janë në fazën e fillimit, njëri pas tjetrit, që nga Porti turistik në Durrës, tek Porti turistik në Vlorë, tek Porti turistik i Sarandës që ka nisur, apo me aeroportet.

Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit. Mbase edhe hapja e aeroportit të Kukësit ka qenë një nga motivet që i shtyn Ilirin dhe Saliun në goditjen e çmendur ndaj aeroportit “Nënë Tereza”, duke bllokuar kullën e kontrollit e duke nxjerrë jashtë loje trafikun ajror mbi Shqipëri.

Po kështu, aeroporti i Vlorës e po kështu ai i Sarandës. Të gjitha këto porta do të sjellin njerëz, do të sjellin konsumatorë në vendin tonë. Të gjithë këto konsumatorë do të përhapin kudo lajmin, gjithmonë e më shumë, për të ardhur në Shqipëri, për të parë Shqipërinë. Sepse ne e kemi parë. Është e vështirë për ata që nuk e njohin Shqipërinë që të mendojnë se ia vlen të shkosh në Shqipëri, por ama ju e dini shumë mirë që kush vjen këtu, mahnitet e do të kthehet përsëri. Kjo është rruga jonë.

Ashtu sikundër, ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku agroturizmi do të lulëzojë. Turizmi i fshatit, turizmi i bujtinave, turizmi i produkteve dhe i traditës, turizmi i natyrës së virgjër, i natyrës që kaq shumë kërkohet nga të gjithë.

Turizmi  i  fshtatit, turizmi  i produkte edhe i traditës, turizmi  i natyrës së virgjër, i natyrës që kaq shumë kërkohet nga të gjitë.

Po ashtu, ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione në ballkan për eksportet  bujqësore.

Kjo do të ishte e paimagjinueshme kur ne morëm detyrën, kur eksportonim rreth 100 milionë.  Sot e keni çuar në 400 milionë  dhe do  ta  çojmë mbi 1  miliard në mandatin e tretë.

Shumëkush thotë  “për çfarëduhet mandati i tretë?”

Mandati i tretë  duhet për shumë gjëra dhe gjëja e fundit që ka rëndësi për këtë, që s’ka rëndësi fare, është arsyeja ime personale.  Nuk është për mua mandati i tretë, nuk është  as thjesht për të mbatjur PS-në në pushtet. Mandati i tretë është  për të mos lënë që Shqipëria të kthehet edhe një herë mbrapa, për të përfunduar të gjitha ato  punë te nisura që Shqipëria të ecë vetëm përpara.

Ne  nuk  vijmë në  këtë  mandat të tretë  nga  dy  mandatet të zakonshme qeverisëse. Ne  vijmë  nga një mandat qeverisës dhe  ndërkohë  nga një  luftë që ende vazhdon, një luftë me dy goditje të mëdha, të jashtëzakonshme, me pasojat e një tërmeti që ishte  shkatërrimtar, që la brenda pak sekondash me mijëra  e mijëra  familje pa strehë, që la me mijëra e mijëra fëmijë pa  shkollën e tyre, që la plot komunitete pa qendrën e  tyre  shëndetësore. E pastaj me një  tjetër  tërmet,  që tronditi  gjithë botën, tërmeti i pandemisë.

Dy goditje që do kishin  rrëuar përtokë një elefant, por nuk e rrëzuan përtokë Shqipëinë, nuk e rrëzuan përtokë qeverinë tonë, nuk na rrëzuan përtokë ne të gjithëve së bashku dhe ja ku jemi sot këtu. Vetëm një nga dy vendet në gjithë rajonin në Ballkan që ka filluar vaksnimin masiv dhe drita në fund të tunelit të pandemisë po vjen duke u zmadhuar.

Ne do vazhdojmë të vaksinojmë masivish dhe ndërkohë të jeni të bindur që shumë shpejt, ne do shikojmë dritë dhe pandemia  do të jetë një  histori që do t’i përkasë të shkuarës.

Ne do ta lehtësojmë  maksimalisht sezonin turistik , duke u dhënë mundësitë të gjithëve, dita-ditës, që të çlirohen, siç po çlirohen gjydhet dhe  gjyshërit nga ankthi dhe nga pamundësia për të takuar  nipërit dhe mbesat, të  mbyllur në shtëpi, duke u ruajtur se mos virusi vrastar u  hyn në  trup dhe u merr jetën.  Kjo  luftë duhet fituar dhe  këtë luftë mund ta  fitojmë vetëm ne, së bashku me forcën e karakterit tonë, me këmbënguljen dhe me durimin  tonë, me besimin dhe punën tonë të palodhur, jo për t’i fshië të  gjitha  pasojat e tërmetit dhe  për t’i kthyer të gjitha ato familje në shtëpi në kushte shumë më  të mira se ato që kishin para tërmetit, qoftë edhe për t’i nxjerrë të gjithë  shqiptarët  matanë hendekut që hapi  pandemia mes nesh dhe të  ardhmes.

Ata janë ata që  janë. Këtu në Tepelenë nuk  ia  vlen të flasësh gjatë për ta se  ju i  njihni mirë dhe ju ua keni tregua vendin gjithmonë, atëherë kur duhet , ashtu  si duhet dhe aq sa duhet. Por ja ku  janë përsëri po ata dhe dëgjoni  çfarë  thonë,  “para  8  vjetësh  ndodhi një aksident “, domethene, lajthiti populli  i  hoqi  ata nga zverku, ndërkohë që ata  po  bënin  mrekullira. Kjo mjafton  për të kuptuar që ata jo vetëm  nuk kanë reflektuar për atë që kanë bërë, por duan të kthehen për të  bërë po atë që bënë. Asnjëherë nuk bënë ndryshe, në fakt. Sa herë iu dha mundësia të  marrin  një detyrë, më shumë bënë dëm sësa bënë punë.

Më thonë pse merresh me ata, ku  është alternativa juaj  flisni për programin tuaj. Programi ynë  është karakteri ynë, është puna jonë. Ne nuk kemi një program elektoral për t’i bërë qejfin të gjithëve dhe të kapim çfarë të kapim.

Ne kemi një plan veprimi konkret. Një plan veprimi që thotë se bizneseve të vogla, taksa dhe TVSH-ja do të vazhdojnë t’u qëndrojë zero, siç janë sot, deri në 2029-ën me PS-në. Kemi një plan veprimi që thotë se atyre që kanë një pagë deri në 400 mijë lekë, ne do t’u heqim tatimin mbi pagën e do e kenë zero, ndërkohë që plani ynë i veprimit thotë se vit pas viti do të rrisim pagën minimale dhe brenda mandatit, paga minimale do të shkojë në 400 mijë lekë.

Kemi një plan veprimi që thotë se brenda vitit 2022 do përmbyllet gjithë programi kombëtar i furnizimit me ujë të pijshëm. Sot, ne pamë se si 80 kilometra të tjera ujësjellës i ri do të furnizojë me 24 orë ujë fshatra të tërë në Bashkinë e Memaliajt. Ashtu sikundër në një pjesë të madhe furnizimi me ujë 24 orë është realitet, nuk është një premtim, nuk është as një plan nga kalendrat greke.

Në planin tonë të veprimit, ne kemi synimin që mjekëve, infermierëve, mësuesve do t’ua rrisim përsëri pagat me 40%, ashtu sikundër do t’i  rrisim 30% për të gjithë punonjësit e tjerë.

Në planin tonë të veprimit, ne kemi që të gjithë fëmijëve të Shqipërisë do t’u mësojmë në shkollë anglishten duke e futur në program që në klasën e parë, në mënyrë që në bazë të vizionit tonë të 2030-ës, gjithë kjo gjeneratë e re ta ketë anglishten një armë në dispozicioni për të ardhmen.

Në planin tonë të veprimit, do të hapim në çdo qendër urbane, hap pas hapi, duke filluar nga qendrat e qarqeve e më tutje në çdo qendër urbane, qendrat për trajnimin e shpejtë të fëmijëve e të rinjve me teknologjinë e re,që të futen në botën dixhitale. Do të vazhdojmë të dixhitalizojmë shërbimet në mënyrë që të mos ketë më askund nevojë për të vajtur nëpër zyra për të marrë shërbime, por të gjitha të merren nëpërmjet telefonit, nëpërmjet kompjuterit më të afërt, siç merre një pjesë e madhe e tyre deri më sot.

Ne kemi një plan veprimi, ndërsa ata kanë një nga ato programet elektorale, si të tyret; Je në punë? Po, do të ulim sigurimet shoqërore. Ti je pensionist? Do të të rrisin pensionin. Domethënë, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Ju prodhoni djathë këtu dhe dini ju si bëhet kjo?

Kjo bëhet me sapun. Sapunin për djathë, kush ta hajë ta hajë e mbasi ta hanë, të marrin tramvajin e Tiranës e takohemi pas 4 vitesh.

Nuk ka nevojë të zgjatemi me ta e aq më shumë me Lulin se e keni dhe dhëndër këtu në Tepelenë e nuk dua t’ju lëndoj, megjithëse Tërmeti thotë dhëndurët, ne i kemi për ujë. Sidoqoftë, në fund të ditës ka edhe më keq, imagjinoni të kishit dhëndër Saliun në Tepelenë. Larg qoftë!

Shumë faleminderit! Mos harroni se në fund të ditës, në 25 prill do të vendoset çfarë Shqipërie do kemi, jo për katër vjet, por çfarë Shqipërie do kemi në 2030, pas një dekade.

Do kemi Shqipërinë që është e ardhmja për fëmijët tanë, për të gjithë të rinjtë e të rejat.

Shtëpinë që i bën ata krenarë, jo vetëm për historinë e as vetëm për bukuritë e natyrës e monumentet e kulturës, por për kushtet?

Apo do kemi prapë një rënie me këmbë përpjetë poshtë, siç ka ndodhur sa herë shqiptarët kanë shuar pas recetave çudibërëse, Haxhi Qamilët, se kështu i çuan shqiptarët në greminë edhe Xhaferrët dhe Sudet me Saliun kuptohet.

Vendi nuk bëhet me receta çudibërëse. Vendi bëhet me punë të madhe, bëhet me durim të madh. Nuk ngjitesh dot deri në majën që ke vënë objektiv, nëse nuk ke vendosmërinë të durosh e të vazhdosh, edhe kur rrëzohesh të ri ngrihesh dhe të vazhdosh. Jo të ndalosh e jo më të kthehesh mbrapa. Boll më me gurin e Sizifit, ngjitu dhe bjer poshtë. Ne jemi ngjitur deri në një pikë, maja është e lartë, rruga është e thepisur, por ne duhet t’ia dalim e ne do t’ia dalim, siç ia ka dalë Tepelena edhe në ditët më të vështira e jo më tani që ditët e mira janë përpara dhe më e keqja është pas nesh.

Faleminderit! Si gjithmonë, kur vi në Tepelenë, në fund Tërmeti porosit një shi për bereqet kështu që me bereqet në 25 prill!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm