Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill votojmë për transformimin e mëtejshëm dhe ndërtimin e Shqipërisë së të ardhmes sonë

Të reja

Në 25 prill votojmë për transformimin e mëtejshëm dhe ndërtimin e Shqipërisë së të ardhmes sonë

13 Apr 2021    

Librazhd, takim me të rinjtë - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Është kënaqësi e veçantë, kur pashë sot kalendarin e lëvizjeve dhe pashë të shënuar takimin me të rinjtë në Librazhd. Mendova se ishte një moment i duhur për të mbajtur jo një fjalë tipike fushate, por për të mbajtur para jush një fjalë më personale.

U bënë ditë, javë ndoshta, por sidomos ditët e fundit që miq të ndryshëm më shkruajnë “qesh o burrë, mos dil kaq i ngrysur se dukesh dhe i lodhur, punët janë mirë, ne do fitojmë”.

Sigurisht do fitojmë.

Në 25 prill, pa diskutim që ne do të fitojmë.

Më besoni nuk është e lehtë të qeshësh, nuk është e lehtë të jesh i pangarkuar  dhe të dukesh i freskët sikur ke fjetur gjumë 10 orë. Për mua u bë tanimë më shumë se një vit që ka qenë një kohë jashtëzakonisht  shumë e vështirë, qysh nga momenti që mora lajmin që ra një termët e pastaj minutë pas minuti merrja lajmet e dëmeve të jashtëzakonshme që ishin bërë. Ndryshimi në jetën time, aty lart në majë, ishte shumë i madh. Nga ai moment deri më sot, unë asnjëherë nuk arrij dot të ndajë veten time, - besojeni ose jo, - nga ata, të cilët presin të kthehen në shtëpi, nga nxënësit që presin të rikthehen në shkollën e tyre, por po ashtu nga të gjithë ata, sidomos më të moshuarit, gjyshet dhe gjyshërit tuaj e të gjithë Shqipërisë që presin të çlirohen nga ankthi i tmerrshëm dhe pasiguria përballë armikut të padukshëm.

E gjithë kjo kohë për mua nuk ka qenë koha e një kryeministri në zyrë që bën plane dhe bën detyrat e tij. Ajo ka qenë shumë më tepër se kaq. Ka qenë koha e rreshtimit me zemër, mendje, mish e shpirt, krah për krah të gjithë atyre që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihen vetëm, krah për krah të gjithë atyre që jetojnë larg Tiranës, larg bulevardit, larg kontakteve me të fuqishmit e kësaj toke, larg kontakteve me politikanët, larg kontakteve me biznesmenët, larg kontakteve të cilat shpesh herë ua bëjnë më të lehtë njerëzve zgjidhjen e halleve të tyre.

Janë ata në mendjen tim në çdo sekondë. Janë ata në mendjen time çdo minutë. Janë ata në mendjen time çdo ditë. Janë ata që më motivojnë. Sapo hap sytë, gjëja e parë që të mendoj është sa shtëpi do të  hapen sot për ta, sa vaksina do të bëhen për të moshuarit sot.

Kjo punë ka filluar qysh në momentin kur mijëra e mijëra familje u gjendën në qiell të hapur pa çati dhe duheshin futur në një strehë të ngrohtë, u duhej dhënë ushqim i ngrohtë jo për një ditë, as për një muaj, por për një kohë të gjatë. Pastaj kur duheshin mbledhur të gjitha burimet financiare për të filluar rindërtimin.

Një gazetar më bëri një pyetje, me të drejtë, në Thumanë, në ato momente shumë të rënda, kur atë natë ne ishim pas një funerali dhe ndërkohë po punonim për spostimin e njerëzve nga çadrat e vendosura në fushën e sportit. Ku do i gjesh lekët?

Të them të drejtën në atë moment mua nuk më foli mendja, por më foli shpirti dhe më nxori atë fjalinë “do t’i nxjerrë nga dheu”.

Taulanti solli këtu një shembull, një nga shumë shembujt, kur kemi  marrë rrugën për të shkuar e për t’iu lutur kompanisë që erdhi në Librazhd e bëri atë investimin që sot e gjithë ditën u jep punë dhe është një mbështetje e rëndësishme për disa e qindra familje. Unë këtu po ju sjell rastin kur morëm rrugën deri në Nju York, në mes të pandemisë, për të takuar të parin e Pfizer-it. “Do ta konsiderojmë patjetër kërkesën tuaj, por për momentin s’ka”, tha. Nuk i dola nga zyra deri në momentin kur i mora fjalën se ne do të kishim një kontratë. Kjo është ana e  mirë e imja.

Ka dhe një anë tjetër, të cilën ma vënë në dukje shumë njerëz, arrogancën. Mbase, por më shumë sesa arrogant, unë do të thoja kokëfortë, do të thoja këmbëngulës. Kokëfortë dhe këmbëngulës deri në pikën që hera-herës e teproj. Me sigurie teproj.

|Si mund të flasë kryeministri kështu”, thonë disa kur unë hyj në Facebook dhe komentoj. Kryeministrat me të cilat jemi mësuar, jo në Fcebook për të lexuar e për të  komentuar, por as në rrugë nuk ia kthejnë sytë njeriu, jo më të komunikojnë me njerëzit jashtë kamerave. Madje, edhe përpara kamerave ulen këmbë mbi këmbë e fillojnë u tregojnë njerëzve se çfarë mrekullish do të bëjmë.

Për mua është ndryshe. Unë ndihem dhe jam çdo ditë çdo minutë, çdo sekondë njëri nga ata, të cilët më kanë dhënë mundësinë të kem këtë nder kaq të madh, sa të jem në krye të këtij vendi dhe luftoj deri në fund për bindjet e mia. Këmbëngul deri në fund për qëllimet që i kam ndarë me ju paraprakisht. Deri në fund besoj se nuk ka asgjë të pamundur.

Sot në mëngjes shkova për të parë Xhaminë e Ethem’beut në Tiranë, që është restauruar me një punë prej disa vitesh, milimetër për milimetër, duke i hequr gjithë shtresat e kohës, duke i nxjerrë gjithë bukuritë e fshehura pas atyre shtresave, hoqa atletet dhe vesha këto këpucët, që ta kisha kollaj t’i hiqja te dera e xhamisë dhe kam harruar të vesh atletet. Ja kjo është jeta ime, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë.

Meqë patëm ndërprerje në respekt të lutjes, dëshiroj që edhe këtu të shfrytëzoj rastin të uroj të gjithë besimtarët myslimanë një Muaj të Madhërishëm të Ramazanit, me një agjërim të pranuar.

Ndërkohë dëshiroj t’ju them të gjithëve se jo shumë muaj, po 1-2 muaj më parë, askush se imagjinonte se ne do të vinim sot në situatën ku gjyshërit, gjyshet do të ishin çdo ditë duke buzëqeshur. Çdo ditë mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë buzëqeshin sepse lehtësohen nga ankthi i tmerrshëm dhe këto janë ato arsyet pse njeriu, kur është i përkushtuar me mish e me shpirt në një detyrë kaq të rëndësishme, në një mision kaq të madh, me një privilegj kaq të jashtëzakonshëm që të jetë në krye të njerëzve të vetë, i thotë vetes rezisto, vazhdo, ec përpara, duro, beso, puno se do t’ia dalim. Përndryshe, pa këto momente që sado të tmerrshme, janë edhe ato momente që e sprovojnë karakterin e një njeriu, janë ato momente që e vënë njeriun përballë një sfide që duhet fituar.

Pa këto momente ku t’i përballesh me sfida të tilla dhe arrin t’ja dalësh, çfarë shpërblimi tjetër do të kishte! Të qëndroje në këtë pozicion dhe të merrje gjatë gjithë kohës baltë, sharje, shpifje, akuza,.

Dua t’ju them që me të njëjtin intensitet, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën vëmendje i rri mbi kokë gjërave në momente të tilla, i rri mbi kokë edhe çdo halli dhe çdo problemi të kujtdo, që arrin deri tek unë. Shqetësimi im më i madh po dhe sfida e madhe e imja dhe jona është që mos të jetë e nevojshme që të arrish deri tek kryeministri, që të arrish deri tek ministri, tek deputeti, tek kryetari i bashkisë apo te dikush që i njeh këta, për të zgjidhur të gjitha ato halle të jetës së përditshme, të cilat mbeten pa zgjidhur për shkak se administrata nuk i zgjidh.

Sa shumë është bërë deri këtu, sa shumë shërbime sot jepen online dhe merren online. Sa shumë njerëz në momentin kur u detyruam të mbyllemi, u detyruan të dilnin dhe imagjinoni çfarë do kishte ndodhur sikur mos të ishte mundësia që lejet e daljes të merreshin direkt në telefon apo në kompjuterin më të afërt. Sa shumë njerëz kanë marrë tani që flasim, shërbime, të cilat deri dje merreshin vetëm në sportel.

Ju kujtohen radhët e tmerrshme në shi e në të ftohtë, për të paguar dritat. Nuk janë më dhe si ato nuk janë më shumë e shumë radhë të tjera. Janë qindra e mijëra vite radhë të kursyera, por ende ka plot njerëz që nuk arrijnë ta marri hipotekën në moment, nuk arrijnë ta marrin një shërbim në moment. Ka ende njerëz që ndeshen me murin shurdh e qorr të zyrave e sporteleve.

Pyetja është e thjeshtë; Duhet ta çojmë deri në fund ndërtimin e këtij sistemi, e një sistemi që e fut tërë shtetin në telefonin tënd, bën ta kesh shtetin të tërin në pasqyrën e kompjuterit e të mos dalësh fare nga shtëpia, madje edhe kur je jashtë shtetit thjesht të aplikosh e të marrësh shërbimin. Këto vite kanë treguar që kjo jo vetëm është e mundur, por është duke u bërë.

Pyetja tjetër është shumë e thjeshtë; Do vazhdojmë deri në fund ta bëjmë realitet në pak vite që kemi përpara, apo do kthehemi përsëri mbrapa? E të përjetojmë një tjetër uragan sulmi mbi zyrat, vendet e punës të mësuesve, infermierëve, që sot nuk merren se njeh deputetin apo se je me njërën parti apo tjetrën, por merret përmes të njëjtit sistem që garanton meritën përmes konkurrencës, siguron transparencën e bën që askush të mos parakalojë tjetrin me shtysën e mikut, politikanit apo partisë.

Do përjetojmë një uragan tjetër mbi sistemin e hyrjes në universitete? Sot, falë sistemit që po ndërtojmë, çdokush shkon në universitet sipas meritës dhe bazuar në rezultatin e vet merr vendin që i takon. Nuk ka asnjë dallim mes djalit të një çobani, vajzës së një sanitareje dhe djalit apo vajzës së një ministri apo politikani. Është rezultati që vendos dhe jo rastësisht, prej vitesh nuk kemi një ankesë të vetme kur bëhet hyrja në universitet. Ndërkohë që shumëkush nga ju këtu që jeni studentë e dini mirë se çfarë eksperiencash të pafundme dhe të hidhura keni dëgjuar për sesi një shoku apo shoqeje tuajën, me të gjitha 10-ta, që i ka bë të gjitha mundimet për të marrë një vend në mjekësi apo diku tjetër, i dilte përpara një taptopi vetëm se kishte babin të pasur, politikan, deputet apo shok deputeti.

 Deri dje jetonim në një vend ku mundimet e mëdha të prindërve, të kthyera në kursime për t’i çuar fëmijët në universitet, shkonin kot, bashkë me mundimet e fëmijëve që shkonin në universitet falë prindërve që paguanin në dhjetëra universitete fantazmë, pa llogaritur dhe pagesat e korrupsionit të tmerrshëm për të hyrë në universitet. Në fund, një diplomë pa asnjë vlerë, diplomë pas viteve të tëra mësimi e studimi që krijonin iluzionin se të gjithë djemtë dhe vajzat e Shqipërisë do bëheshin juristë. E pas diplomës, një tjetër vajzë dhe djalë në kafene, në pritje të një të ardhmeje që nuk kishte se nga të vinte. Ndaj në këto vite trefishuam numrin e vajzave dhe djemve që hynë në arsim profesional, vendosëm sistemin e rekrutimit sipas meritës të mësuesve, vendosëm sistemin e futjes në universitet sipas merite, i përgjysmuam tarifat për studentët,  investuam në infrastrukturën e konvikteve dhe universiteteve.

 Por a mjafton?

 Si mund të mjaftojë!

Nëse këto gjëra që nuk u bënë me dhjetëra vite, do mund të bëheshin të gjitha kaq shpejt në të njëjtën kohë, do ishim magjistarë.

Askush, as Gjermani, as Franca, Anglia, Belgjika, Italia nuk i kanë bërë ato gjëra që ne shohim sot, sa hap e mbyll sytë. Nuk i kanë bërë duke bredhur pas recetave çudibërëse, duke i rënë shkurt. Nuk i kanë bërë përveçse duke mishëruar sëbashku forcën e karakterit të kombit të tyre, duke qenë aty së bashku të vendosur, për të arritur aty ku kanë vendos si qëllim të përbashkët të arrijnë.

Ne jemi përpara një zgjedhjeje që është shumë e qartë. Luli, kur konkurroi për kryetar Bashkie i Tiranës, bëri shumë premtime dhe dy ishin më fantastiket:  tramvaji i Tiranës dhe ulja e çmimit të bukës. D.m.th, arriti deri aty sa që premtoi uljen e çmimit të bukës, ashtu siç premtoi që do t’u hiqte të gjitha taksat të gjithë  qytetarëve të Tiranës. Pasi hyri siç hyri në Bashkinë e Tiranës, por kjo është histori tjetër, fjeti gjumë 4 vjet.

Çfarë zgjedhjeje është kjo, midis një rrugë që po e hapim çdo ditë me shumë mund, me shumë sforco e shumë durim e ndërkohë që në mes të rrugës, papritur e pa kujtuar na janë futur dy mostra, tërmeti katastrofik dhe pandemia që gjunjëzoi botën dhe një rrugë e të cilës i dihet fundi.

Dil nëpër Shqipëri me makina e bori, me flamuj e me dy gishta, bëj sikur takohesh spontanisht me njerëz që mezi po presin t’i shpëtosh e t’i mbash këtu në Shqipëri e pastaj ulu këmbë mbi këmbë e fillo tregoju të rinjve përralla me mbret.

Keni parë ju, miqtë e mi, nënën apo babain tuaj t’i bëjnë punët këmbë mbi këmbë, keni parë gjyshërit apo gjyshet tuaja qe këmbë mbi këmbë t’ju tregojnë sa e lehtë është jeta, sa e lehtë është rruga e sa kollaj shkohet nga këtu e deri atje?

Nuk bëhet këmbë mbi këmbë asgjë. E mos harroni, ju keni qenë shumë të vegjël një pjesë e juaja, por prindërit e mbajnë mend shumë mirë që me makina, bori e muzikë e këngë e valle ishte Xhaferri që shkonte nëpër Shqipëri dhe i këndonin e mezi e prisnin se ai të thoshte “Më jep një e të marrësh dy”. Xhaferri i famshëm i piramidave me Suden dhe Vehbiun, që nën udhëheqjen e Saliut, e futën çdo shqiptar në lojën e marrë të të ardhmes së vet, duke i krijuar iluzionin se jep një të vijnë dy, rri në kafe se u bë Shqipëria, duke i krijuar iluzionin se jep një të vjen dy, rri në kafe se nuk duhet bagëtia, pyetini nëpër fshatra familjet sa krerë bagëti kanë humbur për të dhënë një e për të marrë dy. Fundi ishte po ai që ka qenë kaq herë në historinë tonë sa shqiptarët janë dorëzuar, aq herë në historinë tonë sa shqiptarët janë ndjerë të lodhur, të pakënaqur, janë ndjerë të mërzitur e kanë thënë “t’i biem njëherë këtej, nga na thërret Haxhi Qamili, këtej nga na thërret Sudja me Vehbiun”, - për të mos përmendur dhe raste të tjera -dhe po aq herë e kanë para veten në mes të rrethuar nga zjarri që kanë ndezur me duart e tyre.

Nuk ka asgjë të lehtë dhe mbi të gjitha, sfida që ne kemi marrë përsipër është shumë e vështirë, sepse po të ishte e lehtë do ta kishin bërë të tjerët përpara nesh.

Po të ishte e lehtë të ndërtohej shteti i së drejtës, të bëhej reforma në drejtësi, gjykatat, prokuroritë, sistemi të ishte i njerëzve të zakonshëm, jo i atyre që gjithë jetën e kanë kontrolluar, do e kishin bërë të tjerë para nesh.

Po të ishte e lehtë që Shqipëria të bëhej fuqi eksportuese neto e energjisë elektrike, siç unë dua të bëhet dhe siç mund dhe do të bëhet mjafton që ne të vazhdojmë rrugën, do e kishin bërë të tjerët para nesh.

Çfarë bën të tjerët para nesh?

Na lanë një vend ku gjysma vidhte dritat e gjysmës tjetër.

Po të ishte e lehtë që të bëheshin të gjithë ujësjellësit e Shqipërisë dhe të çonin ujë 24 orë kudo, do e kishin bërë të tjerët 100 vjet.

Ndërkohë që ne, të gjitha këto po i bëjmë dhe do t’i bëjmë deri në fund. Sepse ndryshimi mes nesh dhe atyre është se ne mishërojmë pikërisht atë forcë karakteri që ne admirojmë te këngët, rrëfimet, tregimet, porositë e të parëve tanë.

Pavarësisht se ne nuk jemi të rënë nga qielli, pavarësisht se mes nesh ka lloj-lloj njerëzish dhe si në çdo pyll nuk mungojnë as derrat, ne jemi ndryshe. Ne jemi këtu jo për të ikur, por për të vazhduar. Duke vazhduar në çdo hap për t’i bërë gjithmonë e më shumë shqiptarët, sidomos më të rinjtë, që ta gjejnë këtu të ardhmen e tyre. Për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Është shumë e bukur për ta thënë, është shumë e vështirë për ta bërë.

Ne jemi për gjërat e vështira. Ne jemi për punët e vështira.

Ne jemi për mos t’ia bërë rrafsh njerëzve më jep 1 e merr 2. Më jepni votën se unë do t’ju jap 1000 euro çdo muaj të gjithë atyre që kanë dyqan. Më jepni votën se unë do ju jap 5000 euro, do ju paguaj dhe kredinë e shtëpisë të gjithë juve kur të martoheni. Më jepni votën se unë do ju mbaj në shpi deri sa t’ju bëhet fëmija 6 vjeç. Më jepni votën se sapo të dilni në pension, unë do jua bëj pensionin më të madh se rrogën. Më jepni votën se pagën minimale do jua bëj maksimale dhe maksimalen unë do jua bëj stratosferike. Më jep 1 të jap 2 dhe në fund të 2 gishtat mu në sy që të mos mundësh ta marrësh veten me vite e vite të tëra.

Unë nuk dua të flas çfarë është bërë. Është bërë jashtëzakonisht shumë. Librazhdi, përpara disa vitesh, kur erdhëm këtu me Taulantin dhe me Kaçin, unë ju thashë na jepni besimin, na jepni votën dhe do bëj për Librazhdin në 4 vite më shumë se në të gjitha vitet të marra sëbashku. Ishte një xhep fals, ishte një vend ku me zi kalonte makina, rruga tym gropa. Ishte një vend kur s’merrje dot frymë, një vend ku nuk kuptoje për çfarë duhet të vazhdonin njerëzit të rrinin këtu, një vend ku flisje për biznes, flisje për sipërmarrje të vogla dhe nuk e imagjinoje as vetë sesi kjo do të ndodhte. Por në fakt ishte një vend ku unë kisha si në  çdo vend tjetër besimin se ëndrra me sy hapur që unë shoh për këtë vend, për gjithë Shqipërinë është e mundur.

Është e mundur! 

Ju e keni dëgjuar Ermonela Jahon. Kur ishte në moshën e shumëkujt këtu 14, 15 vjeç shkonte në liceun artistik për kanto. Nuk ishte më e mira e grupit, kishte të tjera ku sipas profesorëve dhe profesoreshave ishin më të talentuar. Ermonela Jaho, madje, dukej shumë e çuditshme, gati-gati e marrë sepse thoshte, një ditë unë do këndoj në La Scala. Të tjerat bënë karrierën e tyre, por ju nuk njihni askënd prej tyre, ndërkohë Ermonela Jaho këndon në La Scala e në gjithë teatrot e botës. Sepse kishte parë një ëndërr me sy hapur dhe kishte vendosmërinë për të sakrifikuar, për të duruar, për të rezistuar me besim e me punë të jashtëzakonshme, për të shkuar e për ta prekur ëndrrën e vet. Nuk ka një rrugë tjetër për të prekur ëndrrat që sheh me sy hapur!

Atyre që shihni me sy mbyllur mos i besoni fare, se ato që ju tregon Luli, janë ëndrra që ai i sheh me sy mbyllur. Unë po flas për ato me sy hapur, flas për ëndrrat që njerëzit i çojnë në majë, flas për ëndrrat që njerëzve u japin të gjitha motivet për të vazhduar atëherë kur mendja të thotë u lodha. Për të vazhduar atëherë kur trupi të thotë nuk mundem më, për të vazhduar atëherë kur zërma të thotë po dal vendit, për të vazhduar e vazhduar, për ta arritur ëndrrën tënde me sy hapur.

Unë nuk e kam parë në gjumë ëndrrën time me sy hapur, kur jam kthyer nga emigracioni në Shqipëri dhe kam vendosur të futem në këtë valle, në këtë vorbull, në këtë arenë balte e sherresh, në këtë arenë të mbushur me shejtanër e me shejtan budallenj që vijnë vërdallë e i tregojnë popullit lloj – lloj përrallash, më jep një, të jap dy.

Jo, unë e kam parë atë ëndërr me sy hapur e kur kam hyrë në këtë rrugë kam besuar fort. E sot më besoni, besoj edhe më fort se ditën e parë që jo ky vend bëhet, por që ky vend i bekuar nga Zoti, nga natyra, ky vend me njerëz të zakonshëm që kanë një fuqi të jashtëzakonshme ka vetëm një pengesë për të kapërcyer e kjo pengesë është muri që i vënë përpara, çdo ditë, shejtan budallenjtë sa në një parti, sa në një parti tjetër. Ka vetëm një gjë për të bërë çdo ditë, për t’u zgjuar herët, për të vazhduar me këmbëngulje, për të mos u lodhur, për të ndenjur pa gjumë, për t’u zgjuar përsëri, për të vazhduar me këmbëngulje, për të mos u lodhur. Njësoj si prindërit tuaj, prindër të disave prej jush me siguri që çohen në katër të mëngjesit, shkojnë punojnë tokën për të sjellë të ardhura në familje, për të investuar për mësimin tuaj, për të investuar për studimin tuaj, për të investuar për të ardhmen tuaj e një ditë të bukur, kur dalin shohin çdo gjë përtokë nga një breshër, nuk dorëzohen, por rikthehen dhe prapë ia dalin.

Është për ata e të gjithë si ata që unë jam këtu.

Shqipëria është vendi ku ka shumë hapësira të zëna nga ferra e nga derra që duhen çliruar, por ato hapësira nuk çlirohen duke fjetur gjumë, nuk çlirohen duke u pajtuar me atë pjesë të realitetit apo me të gjithë realitetin, nuk lirohen duke bërë sikur. Unë mbase jam arrogant, por unë nuk di të bëj sikur. Unë mbase jam i paduruar, por nuk di të bëj sikur. Unë mbase nuk qesh shumë, por unë nuk di të bëj sikur dhe nuk është me sikur që ju them që ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, në agorturizëm, në energji dhe në digjitalizim.

Të gjitha këto nuk janë më ëndrra ime me sy hapur dhe mendimet e krijuara duke parë majtas e djathtas. Të gjitha këto janë në proces. Të gjitha këto janë rrugës. Nuk është ëndërr me sy hapur më lidhja e gjithë këtyre fshatrave të mrekullueshëm me rrugë, nuk është ëndërr me sy hapur më gjithë ajo rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë, nuk është ëndërr me sy hapur më që në gjithë atë natyrë të mrekullueshme të shikosh emigrantët, djemtë e këtij vendi që të kthehen e të investojnë kursimet e tyre në shtëpitë e gjyshërve të tyre për të bërë agroturizëm. Një natyrë fantastike e fshehur 100 vjet nga sytë e njerëzve, se nuk kishin si të shkonin njerëzit deri atje.

Njerëzit nuk ktheheshin as këtu, por iknin dhe kthenin kokën nga tjetër kur vinte Librazhdi. Për ata emigrantë që duan të kthehen tek shtëpitë e gjyshërve për t’i rindërtuar, për t’u hapur dyert, për të ofruar shërbim e mikpritje, ne do të japim 5000 euro e do të bëjmë amnisti fiskale për të gjithë investimet e tyre, pa pyetur fare se i kanë lekët në bankë apo i kanë poshtë jastëkut, por thjesht duke garantuar që nuk janë lekë krimi.

Shqipëria është një parajsë e na takon ne ta transformojmë atë në një realitet që krijon punë, që krijon të ardhura, në një realitet ku dielli nuk është i mrekullueshëm vetëm për turistët e vetëm për ata që janë të pasur, në një realitet ku dielli nuk shkëlqen vetëm për ata që janë në Tiranë apo që janë në qytete të mëdha. Në një realitet ku dielli është i ngrohtë dhe për ata që janë në majë të malit, sepse, nëse ata nuk zbresin dot nga maja e malit për të sjellë prodhimet poshtë, janë turistët e vizitorët që shkojnë lart për të shijuar majën e malit e për të shijuar mikpritjen e ushqimet e tyre.

Nuk janë ëndrra që unë i kam parë në gjumë. Shkoni në maj të malit atje në Theth e shikoni se si shqiptarë krejt të zakonshëm në një vend komplet të izoluar kanë ndërtuar bazat e të ardhmes së tyre. Shkoni e shikoni kudo ku në këto katër vitet e fundit kanë lindur embrionet e para të agroturizmit. Pyetini, janë njerëz, të cilët jetojnë me kursimet e tyre. Pyesni ata emigrantë që kanë ndërtuar në Shqipëri. Shkoni në Tepelenë, në majën e Nivicës. Një mrekulli ku jo vetëm nuk shkelte kush, po ku t’i falnin shtëpitë, më jep një milionë lekë të vjetra e vetëm merre, po ku askush nuk e merrte. Sot nuk blen dot më as rrënoja sepse njerëzit po kthehen po investojnë.

Sigurisht ka nevojë për më shumë mbështetje dhe ne do t’ua japim atë mbështetje, ashtu sikundër eja të shikoni me mua, vajza e djem si ju, në Tiranë apo në Korçë që tanimë kanë dalë nga kthinat e tyre në shtëpi, ku me talentin e me forcat e tyre, përmes kompjuterit dhe dijeve që kanë marrë, kanë hyrë në tregun e madh botëror pa pasur nevojë të dalin nga  shtëpia.

Në çdo bashki do bëhen këto qendra, por do fillojmë nga qendrat e qarqeve e me radhë. Ju në Elbasan do të keni qendrën për t’u trajnuar me metodat e sotme të kohës, që në pak muaj të njihni gjuhën e kodimit, të njihni gjuhën e kompjuterit, për t’u bërë edhe ju aktorë të tregut online, një treg i madh sa bota, ku nuk është e nevojshme të ikni jashtë shtetit për të fituar 1000 euro, 2000 euro, 3000 euro, 5000 euro.

Këto euro nuk vijnë duke ardhur unë duke ju thënë aman më jepni një votë, t’ju jap 5000 euro, më jepni një votë dhe mos kini asnjë gajle tjetër, martohuni sa më shpejt se jam unë këtu, do t’ju jap 20 000 euro. Më jepni një votë dhe bëni sa më shumë kalamaj se unë do t’ju jap 50 000 euro e do t’ju blej shtëpinë. Këto janë më jep një, të jap dy.

Më jep një, të jap dy është historia më e dhimbshme e Shqipërisë. Nuk ka nevojë të shkojmë shumë thellë, po pyesni prindërit tuaj çfarë u ndodhi kur, duke rendur pas marrëzisë së një udhëheqësi, i cili sot e gjithë ditën është njeriu që kontrollon Lulzim Bashën, dhanë një dhe morën dy e në fund u përvëluan të gjithë në zjarrin e asaj marrëzie. Zjarri i marrëzisë në këtë tokë është gjithmonë gati që të ndizet, historikisht. Ka një arsye pse sot, ne kemi ende shumë për të bërë që të kapërcejmë prapambetjen shekullore, sepse zjarri i marrëzisë është këtu, gati për t’u ndezur.

Mos lejoni të ndizet zjarri i marrëzisë!

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Mbajtja e maskave është një domosdoshmëri për secilin. Kemi arritur të fitojmë pjesën më të madhe të luftës por ajo s’ka mbaruar ende. Dua ta filloj me një falenderim për kryeministrin Edi Rama për mënyrën sesi qeveria e tij përballoi dhe po përballon këtë sfidë të madhe me Pandeminë.

Unë jam shumë krenar që ne kemi arritur të kemi një numër rekord vaksinimesh në Librazhd dhe gjithë Qarkun e Elbasanit. Kjo na ka dhënë mundësinë të mos kemi asnjë rast të ri me covid në Librazhd.

Ky është vetëm fillimi. Megjithatë ne duhet të kuptojmë se nuk duhet kurrësesi të bëjmë gabimet që bëri Maqedonia e Veriut apo Kosova gjatë fushatës zgjedhore. Kjo mund të na rikthejë përsëri në kushtet e vështira dhe në pamundësi për ta përballuar si duhet Pandeminë.

Vaksinimi do të vazhdojë. Unë jam shumë i sigurt që ne do të fillojmë së shpejti në Librazhd të vaksinojmë moshën 60 vjeç e lart.

Motra e vëllezër të Librazhdit unë jam shumë krenar që në këto 7 vite e gjysmë ne kemi arritur të bëjmë në Librazhd një histori të transformimit urban dhe rural.

Nuk mund të flas më mirë se kryetari i Bashkisë, Kastrioti, për të gjithë ato punë publike që kemi bërë, por jam i gatshëm të përballem me çdo përfaqësues të kujtdo partie për investimet e kryera në Librazhd. Në Bashkinë Librazhd kemi bërë në 7 vite e gjysmë 10 herë më shumë investime sesa 23 vite të marra së bashku.

Megjithatë, puna vetëm sa ka filluar. Edhe përse vijmë nga një vit i vëshitrë, si Pandemia, ne jemi duke investuar në infrastrukturën rrugore më shumë se asnjëherë tjetër.

U la përgjysmë rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë. Falë kryeministrit Edi Rama do përmbyllet. Kjo do i japë mundësinë të gjithë zonës së Stëblevës një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor dhe agro-turizmit.

Motra e vëllezër, ne po investojmë aktualisht në disa rrugë të rëndësishme të Librazhdit.

Nuk duhet të harrojmë një investim jetik për zonën e Librazhdit, invsetimi për ujin e pijshëm. Edhe pse ishim mes maleve dhe rrethoheshim nga uji kudo ne kishim një rrjet tërësisht të amortizuar. Sot e marrim ujin në 1650 metër lartësi. Kemi furnizmi 24 orë me ujë falë një investimi të qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimit me qeverinë gjermane, përfshirë këtu edhe rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.

Kjo është shprehja më kuptomplotë për të parë se ku është Librazhdi sot me Edi Ramën dhe ku ishte me Saliun e Ilir Metën.

Nuk duhet të harrojmë se Sali Berisha ka qenë dy herë president dhe dy herë kryeministër. Ilir Meta ka qenë dy herë kryeministër, një herë Kryetar Parlamenti dhe një herë President. Le t’më thotë ndonjëri prej jush se cila është puna e vetme që ata kanë bërë në Librahd kur kanë qenë në pushtet? Le të mos harrojmë që jemi ende në gjysmën e rrugëtimit tonë të përbashkët për transformimin e qytetit dhe vijimin e mëtejshëm të punëve të rëndësishme në çdo cep.

Të mos harrojmë ndihmën ekonomike që ishte një tallje gjatë kohës që ata ishin në pushtet. 8 mijë lekë të vjetra ishte ndihma ekonomike në Librazhd. Le t’më thotë dikush se çfarë mund të bëjë një familje me 8 mijë lekë të vjetra? Sot çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike në Librazhd merr mbi 100 mijë lekë të vjetra. Sot në Librazhd ka familje që e kanë ndihmën ekonomike 160 mijë lekë të vjetra. 20 herë më shumë sesa e la Saliu dhe Iliri.

Unë e di që ndihma ekonomike nuk është mënyra më e mirë për të dalë nga varfëria. Unë bëj pjesë ndër ata politikanë që mendoj se mënyra më e mirë për të dalë nga gjendja e vështirë është punësimi.

E vërteta është që këtu në Librazhd historia e punësimit është një prej historive që ka filluar të japë rezultatet më të mira. Kush mendonte se në Librazhd në vitin 2013 do të kishim mundësi të kishim kompani të cilat prodhojnë veshjet e ushtrisë italiane, veshjet e ushtrisë spanjolle dhe që punësojnë më shumë se 200 gra.

Kush e mendonte në vitin 2013 se kompania më e madhe në botë e automobilave ‘Benz – Mercedez’ do prodhonte pjesë këmbimi këtu në Librazhd.

Të gjitha këto punë ka vetëm një njeri që i dha Librazhdit vëmendjen që meriton, ai është Edi Rama.

Unë gjej rastin sot ta falenderoj.

Kompania që punëson më shumë se 200 gra në Tokëz është një kompani me shumë reputacion ndërkombëtar. Askush nuk mund ta besonte se një ditë kryeministri Edi Rama do i hipte avionit dhe do të shkonte te ajo kompani në Milano e ti lutej që të hapte një kompani në Librazhd. Dhe ata erdhën.

Kështu ka ndodhur me çdo problematikë që ka pasur Shqipëria.

Kështu siguruam edhe vaksinat por edhe fondet për rindërtimin.

Betejat që kemi nisur duhet ti çojmë të gjitha deri në fund.

Ne po e fitojmë luftën me Pandeminë. Por pa Edi Ramën ne mund të rrezikojmë përsëri. Në politikë ka një thënie që është e pakundërshtueshme: kohet e vështira kanë nevojë për kryeministra të fortë. Prandaj ne nuk mund t’ja lemë timonin një dordoleci që është në duart e Saliut dhe Ilir Metës. Lulzim Basha është thjesht dhe vetëm një kukull e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Këtë e dinë të gjithë.

Ne nuk mund të rikthehemi përsëri te 97-a, te 98-a, as te 2008-a e Gërdecit, as te 2011-a e vrasjes së qytetarëve në bulevard.

Motra dhe vëllezër ne i kemi provuar të gjitha këto në kurriz.

Librazhdi as që nuk figuronte në hartën e investimeve.

Ne kemi sot shkolla të cilat kanë standardet më të mira. Kjo është qeveria e Edi Ramës që nuk bën asnjë dallim nga Veriu në Jug. Kjo është qeveria e njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj ne vendosëm që në këto zgjedhje të mos bëjmë asnjë aleancë me asnjë fosile të këtyre 30 viteve.

Ne kemi vendosur të qëndrojmë në aleancë me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm, me popullin e nderuar të Librazhdit. Qytetarët e Librazhdit më shtojnë vullnetin dhe energjinë për të punuar më shumë për këto njerëz të jashtëzakonshëm.

Unë ju falenderoj të gjithëve për këtë mbështetje që më keni dhënë.

Mos harroni në 25 prill nuk është dita që të mendojmë për hatërmbetjet e vogla. Librazhdi nuk ka asnjë arsye, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë, që të ketë qoftë edhe një hatërmbetje të vogël me Edi Ramën.

Edi Rama është kryeministri që e ka pasur dhe e ka në qendër të vëmendjes këtë Bashki me njerëz punëtorë e dashamirës.

Motra e vëllezër unë u jam borxhli gjithë jetën. Në 25 prill na duhet vota juaj për Edi Ramën kryeministër.

Shumë faleminderit të gjithëve.

Fjala për kryeministrin tonë Edi Rama.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm