Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 Prill votojmë për të ardhmen, vazhdojmë përpara edhe me më shumë këmbëngulje, durim, forcë dhe energji

Të reja

Në 25 Prill votojmë për të ardhmen, vazhdojmë përpara edhe me më shumë këmbëngulje, durim, forcë dhe energji

08 Apr 2021    

Këndi i fjalës Gjirokastër– Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Realisht është në një anë për të ardhur keq që nuk mund të jemi shumë në numër, por sidoqoftë nga ana tjetër është kënaqësi e madhe që të vish në Gjirokastër. Ndryshe nga disa vite më pare, kur sa herë vije nuk kishte asgjë të re, sot sa herë vjen në Gjirokastër ka gjithmonë gjëra të reja.

Është kënaqësi e madhe të ecësh nëpër rrugët e Gjirokastrës dhe të shohësh dyer të tjera që hapen, shtëpi të tjera që rilindin si bujtina, shkallë që restaurohen, mure që pastrohen, hapësira që transformohen në hapësira mikëpritje dhe njerëz që angazhohen në  një zinxhir ekonomik që zgjatet, pavarësisht një kohe kaq të vështirë, kur pandemia ka shtrënguar rripat e mbarë botës. Nuk ka qenë 700, as 70 vjet përpara, kur Gjirokastra kishte vetëm një hotel, kishte një mundësi qëndrimi. Sot, mundësitë për të qëndruar dhe vendet ku mund të zgjedhësh të qëndrosh janë shumë më shumë dhe vetëm shtohen. 

Ne dje kishim një takim me disa nga protagonistët e këtij transformimi të pabujshëm, por të vazhdueshëm që ndodh në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku njerëzit po i drejtohen pikërisht kësaj kategorie të re të turizmit në Shqipëri. Aty pata mundësinë të njihem edhe me dy prej tyre që janë nga kjo zonë dhe një prej tyre ishte nga nga Labova e Kryqit ku sapo kishte hapur një bujtinë të re, në një shtëpi të vjetër që deri dje kërcënohej nga shembja prej degradimit dhe braktisjes dhe që sot është kthyer në një ballkon të bukur përballë kishës së restaurar, xhevahirit të Labovës së Kryqit. E teksa mund të vazhdoj gjatë me të gjithë këto raste, dua të ndalem për të thënë që kështu është i gjithë procesi i zhvillimit ku ne jemi sot, njësoj si dyert në Gjirokastër si dyert që hapen, ndërkohë që të tjera dyer presin për t’u hapur, shtëpi që rindërtohen dhe rilindin me një shkëlqim tjetër dhe të tjera shtëpi që presin të rindërtohen dhe të rilindin pasi u bë një kohë shumë e gjatë braktisjeje degradimi, pluhuri  të indiferencës së Tiranës dhe pamundësie qeverie vendore për të hyrë në këtë proces.

Tanimë ne kemi hyrë në këtë proces dhe zgjedhja në 25 prill është shumë e qartë, të vazhdojmë të hapim dyer, të vazhdojmë të rilindim pjesë të këtij organizmi, kaq të bukur, por kaq në nevojë për t’u ripërtërirë në vazhdim që është Shqipëria apo të ndalemi dhe të kthehemi mbrapa, siç kemi bërë disa herë në historinë tonë, që nga koha kur ramë pre e sirenave joshëse të Haxhi Qamilit dhe përvëluam veten, deri tek koha më e re kur ramë pre e sirenave joshëse të Vehbiut, Sudes dhe Saliut dhe përvëluam veten.

Sigurisht që të gjitha rëniet mbrapsht janë ndryshe, por ama kanë një të përbashkët, rikthejnë të shkuarën në jetën tonë. Ndërkohë që ne kemi venosur një objektiv për të kapur një majë dhe ngjitja është e vështirë. Dhe thonë që sa më shumë të ngjitesh, aq më e largët të duket maja se aq më shumë testohet durimi, vendosmëria, forca për të vazhduar të ngjitesh. E në këtë test bëhet gjithmonë e më i fortë tundimi për të ndaluar, për të thënë mjaft, për të kthyer kokën pas dhe për t’u dortëzuar, por ne nuk mund të ndalojmë dhe nuk mund të dorëzohemi. 

E sot, ne jemi në kushtet kur karakteri ynë është testuar njësoj si ato testet që i bëhen metalit në zjarr. Është testuar në një përballje të jashtëzakonshme që është unikale, që e ktheu mandatin tonë të dytë, jo në një mandat qeverisës, por në një mandat lufte, me dy goditje  njëra pas tjetrës, një tërmet katastrofik, ku në pak sekonda mijëra e mijëra familje humbën çatitë e tyre dhe kur ne u gjendëm përballë plagësh ku askush nuk besonte se ne mund të ringriheshim më të fortë dhe një tërmet tjetër që tundi botën, agresioni i një armiku të padukshëm që sfidoi sisteme shëndetsore nga më të zhvilluarat dhe përballë sfidave të kësaj lufte ne ja ku jemi sot.

Kemi marrë kthesën për të dalë në  një tjetër lartësi, duke adresuar plagët e tërmetit sepse po kthejmë në shtëpi çdo ditë familje në një banesë më të bukur, më të sigurtë dhe në një hapësirë më të madhe se ajo që kishin. Po kthehen përditë fëmijë në shkolla shumë më të bukura, më të forta se ato që kishin, bashkë me mësuesit e tyre. E kështu po vazhdojmë me ndërtimin e lagjeve të reja, me ndërtimin e apartamenteve të reja, për ta kthyer tërmetin në një pjesë të së shkuarës dhe për ta fshirë të gjitha shenjat e tij deri në pranverën e ardhshme. Është një volum kolosal pune, por ne po e bëjmë dhe gjithçka ka hyrë në rrugën e vet.

Nga ana tjetër, ne jemi sot në kushtet e reja të një vaksinimi masiv, me një ritëm që na ka çuar në fashën më të lartë për ritmin e vaksinimit në të gjithë Europën.  

Nga ana tjetër, ne jemi sot në kushtet e reja të një procesi vaksinimi masiv, me një ritëm që na ka çuar në fashën më të lartë për ritmin e vaksinimit në të gjithë Europën. 

Këto nuk ndodhin se do ndodhin gjithsesi. Këto ndodhin përditë se karakteri ynë është ky. Vendosmëria, besimi, durimi ynë është ky.

E patë çfarë ndodhi dje. Një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve kryesore të vendit që është aktiviteti ajror, që kërcënoi të bllokonte procesin e vaksinimit për disa javë, që është  një lloj aktiviteti shumë i veçantë dhe ata që garantojnë këtë aktivitet, kontrollorët ajrorë nuk janë punonjës dosido që mund të zëvendësohen sa hap e mbyll sytë. Llogaritë ishin bërë me thënë të drejtën në mënyrë shumë djallëzore, sepse koha për t’i zëvendësuar mund të jetë disa javë dhe kaq duheshin për të krijuar pasiguri nga e para, për të nxitur krijimin e rrumpallës. Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinë, sepse ndërkohë, ne ishim duke u përgatitur për ta përballuar atë goditje dhe e përballuam.

Vaksinat u vonuan për fat të keq. Humbëm një ditë. Një ditë ja lamë hapësirë armikut të padukshëm për shkak të atyre xhagajdurëve. Ndërkohë kaluam gjithë natën duke u munduar që të mos iknin në një drejtim tjetër, se nuk e kupton njeri çfarë do të thotë kjo që i kemi porositur, është ora për t’i nisur dhe ne t’u themi “mbajini se nuk i marrim dot”. Kacafytja për të marrë vaksinat është një kacafytje botërore. Të gjitha vendet janë në këtë kacafytje. Si mund t’ua argumentosh se këtu kemi një president që së bashku me një ish president janë përfshirë në një çmenduri që kanë futur në një qorrsokak ca të tjerë, përmes ca leshkosh të tyre, për të bllokuar aktivitetin ajror të vendit.

Vaksinat mbërritën në Shqipëri para pak dhe ne do të vazhdojmë vaksinimin sepse jemi të vendosur që ta nxjerrim Shqipërinë nga tuneli sfilitës i pandemisë dhe që sezonin e ri turistik ta kemi shumë më të lehtësuar, që të gjithë ata në Gjirokastër, që kanë hapur tërë ato dyer, të kenë mundësi të presin, të shesin, të rrisin ekonominë e tyre dhe ashtu si ata, të gjithë të tjerët, kudo në Shqipëri.

Në 25 prill, vendimi është shumë i qartë, do të vazhdojmë dhe do t’i fitojmë të dyja këto sfida me luftë në dy fronte, me pasojat e tërmetit dhe për shporrjen e armikut të padukshëm, apo do të fillojmë avazin nga e para për të shkuar përsëri në një drejtim të paditur dhe për të shkuar aty ku kemi përfunduar sa herë që ata që na vijnë nga mbrapa - se përballë nuk i kemi, - kanë patur mundësinë, fatin e privilegjin që ta drejtojnë këtë vend apo të marrin një punë, një detyrë në këtë vend.

Nuk ka sesi të ndodhi ndryshe.

Ka një fjalë të mençur që thotë të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër do të thotë që je budalla. E kjo është e njëjta gjë që përsëritet. Këtë e pohojnë vetë, kur thonë që “8 vjet më parë ndodhi një aksident”. D.m.th, sipas tyre, lajthiti populli dhe aksidentalisht i largoi ata. Tani, populli duhet të rregullojë gabimin e madh që bëri, fajin madje dhe të mos lajthisë prapë dhe t’i sjellë prapë ata.

Ata që janë aty, siç e patë dje, mbrapa derës, gati, gati për t’u futur përsëri në krye të vendit dhe për ta bërë vendin përsëri çamure.

Gati për t’i kthyer përsëri mësuesit, infermierët, punonjësit e këtij shteti në mish për top. Ik ti se do vijë ky/kjo.

Gati për të rikthyer përsëri, jo më shumë e jo më pak, po arbitraritetin në futjen e nxënësve dhe fëmijëve tuaj e të shqiptarëve në universitet. Nuk mund të hyjë ky se ky nuk është i yni, nuk ka një mbiemër të njohur, ndvrsa ky s’ka lekë.

Gati për të kthyer taksën e sheshtë. Taksën e sheshtë mbi mbi të gjithë ata që i qahen pazarit, që kanë sipërmarrjen e tyre të vogël dhe kanë taksën zero dhe TVSH-në zero. 9% secili nga e para.

Gati për të rikthyer shumë më shumë gjëra të tjera, por mbi të gjitha, gati për të rikthyer karakterin e tyre të dobët dhe paaftësinë e tyre në qendër të zhvillimeve të jetës së vendit.

Ndërkohë që ne jemi këtu gati për të vazhduar edhe me më shumë këmbëngulje, edhe me më shumë durim, edhe me më shumë forcë dhe energji përpara. Për të vazhduar të ngjitemi, për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, ku gjërat nuk kthehen më mbrapsh.

Mandati i tretë nuk është për mua personalisht. Mandati i tretë është që gjërat të shkojnë në një pikë ku nuk kthehen dot më mbrapa, që drejtësia të shkojë aty ku s’kthehet dot më mbrapa. Nëse sot, gjërat marrin drejtim tjetër, të gjitha përpjekjet e bëra për të ndërtuar një drejtësi të re i merr lumi. Unë e di shumë mirë që drejtësia sot është akoma një krijesë e dobët që sapo del nga embrioni. Institucionet e reja të drejtësisë janë akoma në hapat e parë dhe padrejtësitë janë akoma shumë. Ndërkohë që zullumqarët janë akoma jashtë duarve të drejtësisë. Por, nëse kthehemi sot mbrapsht, jo vetëm që drejtësia nuk do mund të vejë dorë mbi ta, por do të jenë prapë ata që do marrin në dorë drejtësinë.

E njëjta gjë do të ndodhë në të gjitha aspektet.

Ajo që ndodhi dje është treguesi që koha e rrumpallës mund të kthehet sa hap e mbyll sytë, në rast se ne, në rast se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk mobilizohen për ta bërë atë njëherë e mirë të pakthyeshme.  Dhe këtu nuk ka lidhje jam socialist apo jam demokrat. Këtu ka lidhje me diçka krejt tjetër, sepse në fakt, demokratët, njerëzit e zakonshëm, jo ata të verbërit, jo ata shurdhët, jo ata fanatikët që janë gati të shkojnë të futen në ato dasmat infektive, por ata që janë në punë nuk mund dhe nuk duhet ta shohin këtë si një çështje tifozllëku. Por duhet ta shohin këtë si një çështje interesash të drejtëpërdrejta.

Me siguri në qafën e pazarit ka edhe të sipërmarrjeve që janë demokratë. Çfarë interesi kanë që të ndalojnë këtë rrugë ku ka hyrë Gjirokastra?

Çfarë interesi kanë të ndalojnë vazhdimin e Rilindjes Urbane në çdo derë, në çdo shkallë, në çdo sokak, në çdo fshat, për çdo objekt kulti?

Çfarë interesi kanë që të ndalojnë përfundimin e programit të furnizimit me ujë të pijshëm, i cili ka nisur dhe sot ju jep ujë të pijshëm 24 orë shumë pjesëve të këtij qarku që deri dje se kishin parë ujin 24 orë asnjëherë në historinë e tyre?

Çfarë interesi kanë të ndalojnë të gjitha proceset e tjera e të kthehemi prapë në historitë që i dimë?

Ata janë po ata. Xhakajdurët bëjnë ligjin andej, ndërkohë që Lulin e kanë nxjerrë përpara dhe bën sikur nuk sheh se çfarë ndodh. Doli dhe tha “e patë çfarë ndodhi në Rinas? Është përgjegjësi e Edi Ramës”. Një kukull që e kurdisin. Njëherë flet, njëherë s’flet. Njëherë bën sikur nuk kupton, njëherë nuk mundet.

E në fakt, shumëkush thotë, “po mirë, çfarë merresh me atë, flisni për çfarë do bëni ju”. Por ky është një dallim i madh që duhet të jetë shumë i qartë, sepse rreziku është real, nuk është imagjinar, që Shqipëria të humbasë përsëri, siç ka humbur në të shkuarën nëse i jep një shans tjetër atyre që i kanë pasur të gjitha shanset.

Nga ana tjetër ëshë e domosdoshmë që ne të vazhdojmë me këmbëngulje përpara dhe të mos lodhemi, mos dorëzohemi, sepse punët për t’u bërë janë të mëdha. Edhe mundësitë që kemi sot janë të mëdha. Janë shumë më të mëdha sesa ishin deri përpara disa vitesh. Deri përpara disa vitesh nuk mund të imagjinohej që një kompani aq e madhe, sa ajo që po vjen të investojë në Portin turistik të Durrësit, - do të jetë një nga portet më të mëdhenj turistikë të Mesdheut në pak vite - do i qaseshin Shqipërisë.

Nuk mund të imagjinohej që 2 kompani të mëdha si ato që janë në marrëveshje me ne për të ndërtuar 2 vepra të mëdha, Skavicën dhe transformimin e TEC-it të Vlorës në një impiant me gaz të lëngshëm. Do të vinin disa vite më parë dhe do futeshin në mes të një xhungle, siç ishte sistemi ynë energjitik, ndërkohë që sot futja e tyre bën që ne ta shikojmë të afërt, jo të largët perspëktivën që Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë, duke pasur parasysh edhe një tjetër investim të madh, në dy pjesë, Parkun e ri fotovoltaik të Karavastasë, parku më i madh me energji diellore në rajon që ka filluar punën dhe parkun tjeter fotovoltaik, parkun me energji diellore të Spitallës.

Të gjitha këto janë pjesë të një mozaiku që po fillon të bashkohet sëbashku me aeroportet.

Menduan që do të bllokonin vaksinat. Menduan që do të bllokonin hapjen e aeroportit të Kukësit, që do të jetë pas pak ditësh. Ai aeroport për të cilin më përqeshnin dhe më tallnin mua që këto janë 3D, pas pak ditësh do të ulim AirAlbania atje, me çunat e Londrës që kanë sharë më shumë në Facebook, që ju bëj thirrje të fillojnë të prenotojnë dhe të tregojnë ato sharjet. Kush ka sharë më shumë të vijë dhe të ulet në Kukës, ta shohë vetë 3D-në atje.

Ndërkohë mbarojmë negociatat, sipas ligjit, firmosim kontratën për të filluar punën për Aeroportin e Vlorës, mbas shumë mundimesh për shkak të pandemisë e për shkak të historive të tjera që ndodhin, që nuk i ke në dorë. Sapo të nënshkruajmë kontratën do të hapim garën për Aeroportin e Sarandës.

Do ta bëjmë Shqipërinë me 4 aeroporte, ndërkohë që për aeroportin e Tiranës fillojnë investimet për pistën që të garantojë fluturime edhe përtej oqeanit me AirAlbania dhe linja të tjera, si dhe për terminalin e ri. Janë projekte që tani thjesht e vetëm janë për t’u realizer, dikush në realizim e sipër, dikush në fillim.

Si të lihen të gjitha këto e të fillojë historia nga e para!

Gjirokastrën e kemi parë në ditë të këqija dhe në ditë të mira. E dini shumëkmirë kur ka qenë në ditë të këqija dhe kur është në ditë të mira.

Tepelena ka qene një xhep fals ku ndalonin vetëm për të lagur buzët tek kroi atje e askush nuk hynte brenda, përveç ndonjërit nga Tepelena që mund vinte për ndonjë ngushëllim apo dasëm. Të tjerë martoheshin e iknin nga Tepelena. Sot e nuk po flas për investimet që kemi bërë ne, por kush e imagjinonte se 30 milionë dollarë do hidheshin nga investitorë njerëz të zakonshëm, emigrantë që po rikthehen me investime në rrënojat e shtëpive të gjyshërve të tyre, që po i kthejnë në bujtina.

Nivica lart është një mrekulli, po kush mund të shkonte pa thyer brinjët e të bëhej për spital.

Sot, Tepelena jo vetëm është bërë një destinacion, por edhe një udhëkryq i rëndësishëm, pasi po del në det me rrugën e shumë ëndërruar prej dekadash, nga Labëria lart në mal në Jon poshtë. Ajo është një rrugë që do të mundësojë që ata që vijnë në Jon për pushime të kenë mundësinë të kalojnë këtu e të vijnë në Gjirokastër e anasjelltas.

Nga ana tjetër, rruga që lidh Kolonjën me Përëmetin, përmes aksit Kolonjë-Korçë që është drejt përfundimit, do të bëjë që Korça të jetë fare afër për Gjirokastrën e Gjirokastra për Korçën. Kështu zgjerohet gjithë ky pellg i madh me kaq shumë gjëra për të vizituar, kështu rriten edhe ditët që i duhen një turisti për të qëndruar e kështu rriten edhe kërkesat e tij, por edhe mundësitë këtu për t’i ofruar shërbim.          

Ne jemi sot në gjendje të themi e jo se e kemi parë në një ëndërr symbyllur, por në ëndrrën syhapur, bazuar në ato që kemi arritur deri këtu, që Shqipëria mund të bëhet në këtë dekadë kampione e turizmit në Ballkan. Në vizionin tonë të 2030-ës, kështu e shohim Shqipërinë, kampione të turizmit në Ballkan. Të gjitha të dhënat janë që është e bëshme me këtë plan investimesh e zhvillimi.

Nuk ka për të ndodhur, por sidoqoftë duhet thënë, që në mes të luftës dhe që në ndërkohë të gjitha piketat janë vënë dhe rruga është e qartë, të ndalosh e të marrësh një rrugë tjetër, është e pakuptimtë dhe e pamundur.

Shihni çfarë bëjnë me mitingjet, si në ’90-ën, si në ’95-ën, në ’97-ën, ’98-ën. Po ajo histori. Zhurmë, dy gishta, uragani.

Uragani i Noc Rrokut. Në 25 prill do ta shohim uraganin.

Këtë herë, përveçse banale, bajate e vulgare, është edhe e fajshme se është infektive nga pikëpamja shëndetësore. Nuk është lidership të thuash nuk kam çfarë bëj se mblidhen njerëzit se më duan shumë.

Dua t’ju siguroj për një gjë. Ju kam thënë kur kam ardhur në fillim se do të bëjmë për Gjirokastrën më shumë se në të gjitha vitet e marra sëbashku. Sot po ju them se në këtë mandat të tretë do të bëjmë për Gjirokastrën dhe për Shqipërinë, më shumë seç është bërë në të dyja mandatet tona, të marra sëbashku. Është absolutisht e mundur dhe ky është plani ynë, nuk është dëshira jonë.     

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm