Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill votojmë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

Në 25 prill votojmë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

13 Apr 2021    

Tiranë, takim me banorë të njësisë numër 1 - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Realisht e shijova atë udhëtimin 360 gradë të Erjonit dhe nuk dua të përsëris asgjë prej atyre që ai tha, aq më tepër që ka jashtëzakonisht shumë gjëra që mund të thuhen në atë vazhdë, por dua të qëndroj këtu me ju tek e sotmja, për të parë të nesërmen.

Unë e kuptoj shumë mirë sepse jetoj orë e minutë me stresin, shqetësimin, hallet e problemet njerëzve, që përgjithësisht ju jeni të stresuar. S’ka sesi të mos jeni të stresuar. Nuk është një kohë normale. Nuk është një moment i zakonshëm në jetën tonë, nuk është një çast vështirësie, por është tanimë një periudhë shumë e gjatë në fakt, mbi 15 muaj, që ju dhe të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi kanë hyrë tek një fazë stresi. Në një fazë shqetësimi më të madh se zakonisht. Në një fazë kur të gjitha halleve dhe problemeve të zakonshme të ditës i është shtuar sipër një re që trysnon dhe bën presion, qysh nga goditja katastrofike e tërmetit kur dhjetëra e mijëra familje, brenda pak sekondash, humbën gjithshka dhe më pas tek goditja tjetër, tek tërmeti që gjunjëzoi botën si kurrë në parë.

Si asnjëherë në historinë e botës, të gjitha shtetet u mbyllën në shtëpi dhe e gjitha kjo u ndje menjëherë. Jo një ditë, një javë, një muaj, por me muaj të tërë. Kaloi edhe viti. Në ekonominë e secilit u ndje menjëherë në gjithë planet që secili ka bë për vetë, për familjen, për fëmijët, u ndje menjëherë në frikën e madhe për të nesërmen, në frikën e madhe për jetën e atyre më të dobtëve mes nesh, për jetën e gjysheve e gjyshërve, prindërve. Aq më tepër që gjatë gjithë kësaj kohe, çdo ditë e çdo ditë kemi jetuar duke lexuar dhe dëgjuar për njerëz si ne, për njerëz si njerëzit tanë që ndahen nga jeta, që plagosen dhe përjetojnë një torturë të jashtëzakonshme.

E gjitha kjo në kushtet kur edhe bota është mbyllur, kur nuk lëvizim dot siç jemi mësuar, kur shumëkush që është mësuar edhe më shumë sesa një pjesë e madhe që lëvizin, por rrallë, e ka të pamundur të marrë frymë sepse i duket vetja si në një kafaz. Të gjitha këto, sigurisht bëjnë që e nesërmja të duket mision i pamundur dhe bën që njeriu të kërkojë të shfryjë dhe të gjejë çdo ditë, çdo orë, mijëra e mijëra arsye për të lehtësuar veten, duke projektuar të gjithë atë që ndodh tek të tjerët dhe padyshim që projeksionin më të drejtpërdrejtë të gjithë këtij stresi dhe shqetësimi, natyrshëm e çojmë tek ata që na qeverisin, tek ata që na drejtojnë, tek ata që na shërbejnë. E kur pastaj në të gjithë këtë që ndodh, ti shkon në një zyrë, do të marrësh një shërbim dhe nuk e merr, shkon në një zyrë tjetër, do të marrësh një përgjigje e nuk e merr, atëherë kjo është pika kur përmbys kupën.

Ky është momenti kur ne të marrim frymë thellë dhe shohim se në ndërkohë, në gjithë këta muaj të vështirë nuk kemi qëndruar në vend. Në ndërkohë, drita në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar dhe ndërkohë ne, si jo shumë të tjerë, për hir të vërtetës, rreth e rrotull nesh, po bëjmë vaksinimin masiv që po i kthen buzëqeshjen gjysheve, gjyshërve, nënave, baballarëve, që po nxjerr nga ankthi i jetës çdo ditë me mijëra e mijëra njerëz në ditë.

Ndërkohë vazhdon kthimi në shtëpi i familjeve që humbën çdogjë në pak sekonda dhe sigurisht janë në të drejtën e tyre të mos durojnë dot një ditë e jo më me muaj e muaj. Ama, nga ana tjetër, unë jam shumë krenar për faktin që, nëse shohim të gjitha praktikat dhe eksperiencat e pas tërmeteve në vende shumë më të fuqishme se vendi ynë, ne jo vetëm që nuk jemi prapa, por, përkundrazi, kemi ecur shumë shpejt e po vazhdojmë të ecim.

Erioni bëri 360 gradë mbi gjërat që kemi bërë deri këtu, por unë dua të qëndroj vetëm pak sekonda tek gjërat që po bëjmë jo thjesht për t’i kthyer në shtëpi ata që humbën shtëpinë, por për t’i kthyer në shtëpi shumë më të mira, shumë më të bukura, shumë më të forta, për t’i kthyer këtu në Tiranë, në lagje të reja, të cilat, të më fali Alqi me gjithë “Ali Demin”, por do jenë më të bukura se “Ali Demi”, do jenë më të bukura edhe se Kombinati i vjetër. Siç është sot ku e ku më i bukur Kampusi i Universitetit Bujqësor, që ishte një zonë e pushtuar nga njerëz të varfër, nga njerëz që kishin ardhur nga periferi të largëta për një jetë më të mirë në Tiranë, qysh në krye të herës pas ndryshimit të sistemit dhe ishin lënë aty pa ujë, pa drita, pa asnjë perspective, vetëm për t’i përdorur si mish për top, për t’ju marrë votat me dy gishta dhe për t’ju thënë se kjo është shtëpia juaj. Por çfarë shtëpie e tyre ishte ajo!

Sot janë 210 mijë familje, pak sipërmarrje ndër to që atë çka kishin ndërtuar në të shkuarën dhe prisnin ta legalizonin, e kanë pronën e tyre. Unë e di shumë mirë që procesi i legalizimeve nuk ka përfunduar dhe tani ka hyrë në fazën e vet më të vështirë për shkak se janë raste shumë të ndërlikuara nga pikëpamja ligjore dhe ajo teknike, por ama të mos harrojmë se, kur ne erdhëm në detyrë, vetëm 21 mijë legalizime ishin bërë qysh në kohën kur lindi procesi legalizimit. Ndërkohë, ne sot numërojmë 210 mijë, pra, 10-fishi.

Megjithatë nuk dua të them çfarë kemi bërë. Dua të rri këtu sot dhe të them se çfarë vjen më pas, sepse në fund të fundit është natyrale, është gjëja më njerëzore që në momentin kur të gjithë presin me ankth “a do ketë vaksina, do ngelet Shqipëria pa vaksinuar, do vazhdojmë të shohim që të na vdesin njerëzit e dashur rreth e rrotull”, pastaj vijnë vaksinat e fillon vaksinimi masiv e me mijëra çlirohen, atëherë natyrshëm njeriu thotë “iku kjo, çfarë vjen prapa”?

Tani nuk jemi në kushtet ku diskutojmë do dalim apo jo nga ky tunel. Dalja është gjithmonë e më afër. Jemi në kushtet ku me të drejtë duhet të ballafaqohemi me pyetjen: Po pastaj, si do jetë e nesërmja ime, ekonomia ime, si do shkoj unë më para dhe si do jetë e mundur që dhe më të rinjtë në këtë vend të mos detyrohen të ikin të gjithë në momentin që të hapen kufijtë?

Kjo është, sado e çuditshme mund t’i duket shumëkujt, arsyeja më e fortë pse unë jam këtu, sot dhe kur them sot, them sot në këtë kohë, në këtë fazë të historisë sonë, për t’iu thënë që për t’i dhënë një përgjigje kuptimplotë kësaj pyetje, këtij shqetësimi të njerëzve lidhur me ekonominë e tyre, atë që do jetë nesër puna e tyre, të ardhurat e tyre, pozicioni i tyre në këtë vend, duhet që në 25 prill të votohet Partia Socialiste.

Jo për 4 vjet të tjera për mua, sepse unë e kam thënë qysh ditën e parë dhe, për fat të keq jetojmë në një kohë dhe në një shoqëri shumë të mbartur me gënjeshtra, me të keqen, me energjinë negative, jo këtu por në të gjithë botën. Shumëçka zvogëlohet kur është e mirë dhe zmadhohet kur është e keqe dhe midis të vërtetave dhe gënjeshtrave, lulëzojnë shumë gjysmë të vërteta që në fakt janë gënjeshtrat më të mëdha. Por ama një gjë e kam themelin e krenarisë time, se qysh nga dita e parë në atë zyrë, unë thjesht kam qenë njeriu që hyn dhe del në atë zyrë, ndërkohë që pushteti i asaj zyre ka qenë pushteti juaj.

Pushteti i asaj zyre nuk ka qenë asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë arsye, pushteti im, i interesave të mia, interesave të familjes sime, interesave të një rrethi të ngushtë familjarësh dhe krushqish, por ka qenë çdo ditë, çdo natë, sidomos në ditët më të vështira jo vetëm për vendin, si ato dy goditjet me të cilat përballemi akoma, por edhe për çdo njeri me të cilën kam mundur të kontaktoj, pushteti juaj, pushteti i njerëzve.

Të mos harrojmë një gjë. Ne sot nuk vijmë pas një mandati të dytë. Ne sot vijmë sigurisht pas një mandati të dytë që morëm 4 vite më parë me votën e njerëzve, por në ndërkohë vijmë teksa mandati i dytë u kthye nga një mandat qeverisës në një mandat për t’u përballur me dy sfida të jashtëzakonshme, në një mandat për një luftë në dy fronte, me tërmetin dhe armikun e padukshëm.

E kështu, shumë nga gjërat që normalisht do kishin vijuar ndryshe, do kishin vijuar më shpejt, do kishin vijuar duke sjellë më shumë rezultate të prekshme, mbetën në plan të dytë. Është gjëja më normale. Nëse larg qoftë, shtëpia goditet nga një fatkeqësi, shumë gjëra kalojnë në plan të dytë dhe të gjithë fokusohen që të përballen me fatkeqësinë. Ama sot, ne jemi në atë moment kur kemi përgjegjësinë e madhe dhe mundësinë e jashtëzakonshme të realizojmë një hap të jashtëzakonshëm dhe të shkojmë në një lartësi tjetër.

Duke patur sot jo si dëshirë, as si një plan në letër, por duke pasur një program investimesh, të cilat janë të dakordësuara. Investime të mëdha, të huaja, por dhe investime të brendshme publike, pa harruar këtu dhe investimet private vendase. Paketën më të madhe të investimeve që ky vend ka patur në historinë e tij dhe të vazhdojmë punën për ta bërë Shqipërinë me katër aeroporte, për ta bërë Shqipërinë me katër porte të mëdha turistike. Që nga porti i madh turistik i Durrësit, tek ai i Vlorës, ai i Sarandës që ka nisur nga puna e më pas tek ai i Shëngjinit. Për ta bërë Shqipërinë me dy porte të reja tregtare, një në Durrës dhe një në Vlorë dhe për t’i dhënë Shqipërisë, një infrastrukturë të atillë që do të sjellë si asnjëherë më parë, shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër punësim, por edhe krijimin e shumë vendeve të punës të paguara më mirë.

Problemi ynë, problemi im, problemi ynë që duhet çdo ditë dhe çdo natë të merremi me problemet e njerëzve, është pikërisht problemi kryesor dhe veçanërisht i më të rinjve. Jo veçanërisht mungesa e vendeve të punës, por mungesa e vendeve të punës të paguara shumë më mirë. E për këtë na duhet të vazhdojmë të ndërtojmë të gjithë atë zinxhir që kemi nisur ta ndërtojmë me arsimin profesional, me reformën e shkollës, me reformën e universitetit. Do ta vazhdojmë me kolegjet profesionale në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj që të jenë të profilizuar dhe specializuar në mënyrë specifike në shumë zanate për të cilat sot është një nevojë x, por nesër do të jetë një nevojë shumë më e madhe në këtë treg ku gjithë këto porta të reja, nga deti e nga qielli, që do të hapen për të sjellë këtu shumë më tepër turistë, duke sjellë shumë më tepër investime të mikpritjes, të mund të shoqërohen me shumë më tepër njerëz të gatshëm për të mbuluar gjithë ato kërkesa për profesione nga më të ndryshmet dhe nga më të specializuarat. Nuk flasim këtu për inxhinier të lartë, nuk flasim këtu për shkencëtarë të lartë, flasim këtu për zanatçinj të mirëfilltë, që janë më shumë sesa njerëz me një arsim të thjeshtë profesional, por që kanë një arsim shumë më të avancuar professional, sigurisht përmes kolegjeve profesionale.

Unë dua, por kjo dua nuk është një dëshirë. Kjo dua vjen nga thellësia e shpirtit tim dhe nga thellësia e bindjes sime. Kam një bindje shumë të thellë që nuk është një dua se kështu duhet, por është një dua sepse tanimë është e mundur, që Dielli i Shqipërisë të mos shkëlqejë vetëm për ata që vijnë turistë, Dielli i Shqipërisë të mos shkëlqejë vetëm për ata që i kanë të gjitha mundësitë ta shijojnë, por Dielli i Shqipërisë të shkëlqejë me nga një rreze për secilin, kudo qoftë, që beson tek vetja, që beson tek puna, që beson tek ky vend që quhet atdheu ynë.

Erjoni përmendi disa gjëra lidhur me çfarë nuk bëri Luli kur ishte kryetar bashkie, Sot ju kujtova disa të rinjve në Librazhd dhe po jua kujtoj dhe juve se ju jeni këtu e për ju nuk është një histori televizori, për ju është historia e 4 viteve si qytetarë të Bashkisë së Tiranës. Lulzim Basha doli në atë garë e premtonte nënë e babe, kur thonë. Më kujtohen dy premtime: do të ndërtoj tramvajin e Tiranës, do të ul çmimin e bukës.

Ishin premtime të bëra pa iu dridhur qerpiku i syrit, madje duke bërë të njëjtën gjë që bën dhe sot, kur shkon takon njerëzit dhe i thotë kam ardhur të të shikoj sy më sy dhe do vij prapë sy më sy. Sy më sy nëpër dyqanet e bukës, duke kapur bukën dhe duke thënë “unë do ta ul çmimin e bukës dhe do t’ju shoh prapë në sy”. Në fakt, pasi e mori si e mori të drejtën që të hyjë në Bashkinë e Tiranës, sytë e tij nuk panë më askënd sepse u mbyllën për gjumë. Dhe ajo çka pësoi Tirana dhe ajo çka pësuan të gjithë qytetarët e Tiranës ishin 4 vjet të humbura, kur Tirana filloi të rikthehej te plehrat që s’pastroheshin, te gropat që hapeshin kudo, te shkollat që nuk mirëmbaheshin, te çerdhet dhe kopshtet që u katandisën në pikë të hallit. Pa folur këtu për trafikun dhe për investimet e tjera më të mëdha, se është gjynah dhe t’ja kërkosh.

E çfarë thotë sot?

Lekë, lekë, lekë. Të gjithëve iu premton lekë. Kudo. Me makina, me bori, me flamuj, me dy gishta.

Ndërsa unë them punë, punë, punë.

E nuk është e vështirë për asnjë nga ata që nuk kanë qenë të vegjël fare, për ta kujtuar kohën kur ishte një Xhafer, me makina, me bori, me njerëz që e shoqëronin karvan më karvan dhe me të tjerë që i dilnin nëpër rrugë dhe e prisnin me këngë. E çfarë premtonte Xhaferi? Lekë, lekë, lekë. Ju thoshte më jepni 1 t’ju jap 2.

Ҫfarëa ju thotë sot, Luli?

Të njëjtën gjë që thoshte Xhaferi, lekë, lekë, lekë. Më jepni 1 votë t’ju jap kaq lekë, më jepni 1 votë t’ju jap kaq mijë euro sa të dilni nga barku i nënës, më jepni 1 votë tju jap kaq mijë euro sa të çoni fëmijën në shkollë, më jepni 1 votë t’ju jap kaq mijë euro, t’ju jap edhe shtëpi sapo të martoheni.

Kush ju premton lekë, nuk ju jep jo lekë, por ju jep mbrapsht të 2 ato gishtat mu në të dy bebet e syrit.

Ndërkohë që kush premton punë, jo duke thënë unë do ju jap punë dhe për vete duke fjetur gjumë, por duke punuar pa pushim, atëherë kur ke një punë, vijnë edhe lekët. Kurse kur shkon pas premtimit të lekëve, jo puna që s’të vjen, po humbet dhe lekët që ke. Se lekë të tjera s’merr.

Shqiptarët kanë gabuar disa herë, pikërisht në momente kyçe kur janë ndjerë të lodhur, janë ndjerë të rraskapitur, janë ndjerë të zhgënjyer nga gjithçka. Janë ndjerë të tamam nën presionin e asaj resë që fola më parë dhe kanë thënë varja tani, të gjejmë një rrugë e të ikim pas berihait. Kap Haxhi Qamilin e nisu të dali ku të dali, po ne dum babën.

Nuk dua të vazhdojë me stacione të tjera, por që nga Haxhi Qamili deri te Sali Berisha dhe tek Xhaferi, Sudja e Vehbiu, që peshqesh i patëm nga ajo udhëheqje qorre, pa din e pa iman, që i futi të gjithë shqiptarët të jepnin 1 e të merrnin 2 dhe në fund t’i mbeteshin vetëm 2 gishtat në sy, ka qenë momenti kur karakteri ynë nuk ka qenë aty, kur forca e karakterit tonë nuk ka qenë aty.

Ndërkohë që ajo që na duhet e ajo që ka qenë aty gjatë gjithë kohës në të gjitha këto përballje, edhe me tërmetin, edhe me pandeminë është pikërisht forca e karakterit tone. Forca e atij karakteri që ne me shumë krenari ua tregojmë të huajve; Shqiptarët në këngë e shqiptarët në histori, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë e shqiptarët që u mbijetuan të gjitha kolerave të kohës. Ao është forca e karakterit që duhet të dali në 25 prill. Ajo është forca e karakterit që do të na bëjë që ne të vazhdojmë të ngjitemi. Ajo është forca e karakterit që do ta bëjë Shqipërinë me patjetër e jo mbas 100 vjetësh, por brenda kësaj dekade ku jemi, kampione në Ballkan për turizmin, kampione në Ballkan për energjinë, kampione në Ballkan për digjitalizimin, kampione në Ballkan për punësimin e të rinjve në botën e teknologjisë së re.

Janë të gjitha të mundura, janë të gjitha përpara syve tanë, mjafton që ne të mos i mbyllim sytë për të kërkuar iluzione, të cilat gjithmonë na janë kthyer mbrapsht. T’i hapim sytë e të mos dorëzohemi, të mos frikësohemi nga ndjesia që është larg, duhen edhe ca vite, është rrugë e gjatë, më mirë t’i biem shkurt. Sepse populli thotë, çdo rrugë që i bie shkurt, të nxjerr më gjatë, siç na kanë nxjerrë në të shkuarën rrugët e shkurtra që na kanë mbajtur kaq mbrapa e tamam tani, kur ne kemi provuar dhe po e provojmë çdo ditë, - çfarë prove më e madhe na duhet xhanëm? - që u përballëm me tërmetin e ia dolëm, u përballëm me armikun e padukshëm e po ia dalim. Si nuk po ia dilkemi dot ne, të bëhemi më të mirët në Ballkan dhe me patjetër do t’ia dalim si shqiptarë, jo si socialistë apo si demokratë!

Patjetër do t’ia dalim, siç ia dalin të gjithë ata që shkojnë çdo ditë punojnë tokën në katër të mëngjesit. Eksportet bujqësore - nuk do ta merrni vesh kurrë në televizor e nuk do t’ju bjeri rasti që të humbisni kohë duke lexuar shifrat, - janë rritur nga 100 milionë në rreth 400 milionë. Kush i rriti? Nga erdhën?

Gjithë ato prodhime që nga të katërt anët e Shqipërisë shkojnë në BE dhe në të katërt anët e botës. Janë fermerët malësorë që çojnë sherebelën deri në SHBA. Janë të tjerë që çojnë produktet e tyre në Hong Kong e në Kinë, lëre më pastaj në rajon. Ne do t’i cojmë eksportet bujqësore mbi 1 miliard çdo ditë. Kjo do të thotë se siç e kemi mbështetur shumë më fuqishëm se më parë njeriun e punës atje në fshat, duke e bërë ndërkohë integrimin në Bashkimin Europian në çështjen e bujqësisë, sepse aty ishin paratë e Bashkimit Europian edhe më pare, por kokërr leku nuk u mor dot për fermerët shqiptar.

E dëgjuat ambasadorin e Bashkimit Europian,  një tjetër volum financimi është vënë në dispozicion, sepse Shqipëria nga e fundit në rajon, që ne e gjetëm, për thithjen e fondeve të BE-s çdo ditë për bujqësinë, sot është e para në rajon që i thith fondet, i shfrytëzon, i kthen në prodhim, në eksporte, i kthen në punë. Por për ata fermerët atje, jeta nuk është fushë me lule. Ata dalin çdo ditë në katër të mëngjesit, shkojnë në shtëpi kur është bërë errësirë e në një ditë të keqe më saktë, dalin e shohin gjithçka që kanë mbjellë të rrafshuar nga breshëri. Kthehen mbrapsht? Apo e bëjnë tokën e tyre lanet? E shesin shtëpinë e tyre dhe thonë po futemi në Facebook e të ankohemi?

Jo! Ata kthehen prapë tek toka, mbjellin prapë, kultivojnë prap çdo ditë, mbledhin prapë prodhim, shesin prapë dhe rriten. Me vështirësi, por rriten. Kjo është Shqipëria e atyre njerëzve, Shqipëria e atyre që hapin dyqane, Shqipëria e atyre që hapin sipërmarrje, Shqipëria e atyre që krijojnë punë, që punësojnë dhe të tjerët. Këtë Shqipëri, ne do ta mbështesim me të gjithë forcën e shpirtit dhe të mendjes dhe për këtë Shqipëri, ne do të japim gjithçka mundemi e do bëjmë gjithçka që t’u krijojmë mundësi të reja këtyre shqiptarëve, pa i parë a janë socialistë apo demokratë.

Jua kemi bërë taksën zero, jua kemi bërë TVSH-në zero e unë e përsëris çdo ditë, zero do mbetet taksa, zero TVSH-ja për të gjithë ju sipërmarrës të vegjël që krijoni punë për vete e për të tjerët.

Në këtë Shqipëri ku Zoti na i ka falur të gjitha që na duhen, një vend kaq i vogël që i ka të gjitha; detin, malin, lumenjtë, pyjet, diellin, peizazhet fantastike, dëborën, ne duhet të bëjmë atë që kemi nisur të bejmë e do ta bëjmë deri në fund, ta bëjmë Shqipërinë një vend që të vizitohet nga aq shumë njerëz, saqë këtu të mos ketë jo njerëz që nuk kanë punë, por të mos ketë pjesë të këtij vendi ku njerëzit me punën e tyre, edhe në majë të malit, duke hapur derën e shtëpisë së stërgjyshërve të mos fitojnë më shumë sesa në çdo punë në emigracion.

Kjo është e mundur! Ne mundemi ta bëjmë!

Na duhet forca e karakterit tone.

Na duhet besimi.

Na duhet bindja.

Na duhet këmbëngulja.

Durimi mbi të gjitha.

Na duhet dhe koha e prandaj në 25 prill duhet të vazhdojmë t’i marrim kohës kohë, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm