Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill testohet karakteri i çdo shqiptari për të çuar deri në fund punët e nisura

Të reja

Në 25 prill testohet karakteri i çdo shqiptari për të çuar deri në fund punët e nisura

21 Apr 2021    

Takimi Fushë - Krujë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Kënaqësi e madhe që jeni mbledhur edhe që keni siguruar gjithë këtë diell të bukur, shumë faleminderit. Dielli po lind sërish për Shqipërinë dhe shqiptarët, pas një periudhe të tmerrshme. Pas një periudhe ku ju këtu dhe në gjithë Bashkinë e Krujës ishit në qendër të një cikloni të vërtetë fatkeqësie. Të ciklonit të tmerrshëm të tërmetit, ku humbën jetën njerëz që ju i njihni, njerëz që patën fatin e keq të mos ja dalin përballë asaj goditjeje vdekjeprurëse. Ju përjetuat atë tmerr që Shqipëria e gjitha e përjetoi nga shumë afër. Ju e ndjetë më shumë se tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Ju i patë fëmijët tuaj shumë të frikësuar dhe ju u ndjetë për ditë edhe ditë të tëra me ankthin dhe pasigurinë e madhe të asaj që vjen mbrapa.

Faktikisht, ajo ishte një goditje që do të kishte gjunjëzuar edhe një elefant e jo më një vend të vogël, jo të pasur si i yni, por ne rezistuam. Ne rezistuam, ne këmbëngulëm, ne provuam që në fund të fundit, përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira, nuk matet në festa dhe gëzime. Përmasa e njeriut nuk matet kur gjithçka shkon fjollë. Përmasa e njeriut matet në ditë të këqija. Përmasa e njeriut matet aty ku toka dridhet nën këmbë dhe atëherë, kur njeriu ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe përballë. Aty ne provuam se me çfarë materiali jemi bërë. Aty ne provuam se çfarë karakteri kemi. Aty ne provuam se çfarë mund të bëjmë sëbashku, përballë çdo të keqeje dhe përballë  çdo sfide.

Sot, në të gjithë këtë bashki, kudo ku të shkosh shihen provat e rezistencës tonë, e këmbënguljes sonë, e dëshirës sonë të madhe për të shkuar përtej fatkeqësive dhe për t’u bërë edhe më të fortë, edhe më të mirë dhe edhe solidariteti tonë vëllazëror për të mos lënë vetëm asnjë familje, për të mos lënë vetëm asnjë shqiptar.

Sot, nga Fushë Kruja ku po merr formën e vet përfundimtare, një lagje rezidenciale, njësoj si ato lagjet rezidenciale të të pasurve, por këtu jo për të pasur, por më të prekurit nga ne, për ata që kurrë s’do kishin mundësinë ta kishin një shtëpi si shtëpia që do të kenë së shpejti. Për ata që as sesi s’do kishin mundësinë jo pas tërmetit, por as para tërmetit ta ëndërronin se do të jetonin në një lagje me të gjithë parametrat e kushtet e çdo lagjeje rezidenciale në Europë.

Po jo vetëm në Fushë  Krujë, por edhe në Thumanë, aty ku ishte zemra e fatkeqësisë. Aty po rimerr jetë, dita-ditës, shëmbëlltyra e zemrës sonë që rreh bashkë me zemrën e çdo njeriu që u prek nga fatkeqësia, e zemrës tonë që rreh bashkë me zemrën e çdo familjeje që ka nevojë për dorën e shtrirë të solidaritetit, e zemrës tonë që rreh bashkë me zemrën e të gjithë shqiptarëve. Duke filluar nga gjyshet dhe gjyshërit  që kishin një nevojë alarmante për të dalë  nga ankthi dhe pasiguria prej kërcënimit te COVID-it.

E jo vetëm në Thumanë, por edhe në Bubq po ndërtohet një lagje e re. Një lagje ku fëmijët e Bubqit njësoj si fëmijët e Thumanës, njësoj si fëmijët e Fushë-Krujës do të rriten krejt ndryshe nga si u rritën prindërit e tyre. Do të ndjehen pjesë e një Shqipërie tjetër. Deri dje përpara tërmetit, në ato zona, ato familje dhe ato fëmijë ishin më mbrapa se të tjerët. Parafytyrojeni sa e bukur është falë rindërtimit dhe falë këmbënguljes dhe besimit se ne duhet të dalim më të fortë nga tërmeti, ata fëmijë janë sot edhe përpara shumë fëmijëve të tjerë në zona të tjera.  Ata fëmijë do të dalin sot nga shtëpia dhe nuk do të kenë më këpucët me baltë kur të shkojnë në shkollë, do të shkojnë në shkollë e në kopsht  në mjedise plot dritë, hapësirë e përkujdesje. Pas shkolle, ata fëmijë do të kenë fushat e tyre sportive, këndet e argëtimit, ku së bashku me gjyshërit dhe gjyshet do të mund të ndjehen pjesë e një transformimi të madh të këtij vendi që ne kemi misionin ta vazhdojmë.

Duke bërë të mundur që më 25 prill, vota e bashkuar për Partinë Socialistë ta çojë të gjithë popullin shqiptar, ta çojë Shqipërinë përtej pandemisë, në majën ku Shqipëria e shqiptarët meritojnë. Në atë majë ku Zoti i ka dashur shqiptarët kur krijoi Shqipërinë. Ku e keni parë një vend që në një hapësirë kaq të vogël  të ketë patur bekimin e kaq shumë mrekullive, të mbledhura së bashku nga dora e Zotit. Një vend kaq i vogël që preket nga dy dete të ndryshëm, njëri më i bukur nga tjetri. Një vend  kaq i vogël me male, maja e të cilëve  e ruajnë dëborën në të 12 muajt e vitit. Një vend kaq i vogël që përshkohet nga kaq shumë lumenj dhe që është vend i 2-të më i pasur ne Europë për burimet ujore. Një vend kaq i vogël që ka jo vetëm detin, malet, po ka dhe territore fantastike me kodra, me fusha, me peizazhe e liqene, njëra më e mrekullueshme se tjetra.

E pra, pse vallë, ne ende nuk jemi në majën që ne meritojmë e në lartësinë e projektit që Zoti pati kur bëri Shqipërinë?

Zoti ia dha të gjitha, por ka qenë dora e mbrapshtë e robit që për gjatë gjithë historisë sonë e ka penguar këtë popull ta çlirojë deri në fund talentin dhe energjinë e tyre të jashtëzakonshme. T’i kanalizojë të gjitha energjitë e njerëzve të këtij vendi drejtë të ardhmes, në funksion të ndërtimit jo të shkatërrimit, në funksion të paqes, jo të konfliktit, në funksion të fëmijëve e jo të interesave të përveçme që kaq herë në historinë tonë i kanë rrënuar interesat dhe qëllimet e përbashkëta. Sot, Shqipëria është njësoj si lagjet e rindërtimit. Ato ende nuk kanë mbaruar. Sot, Shqipëria është njësoj si në kantieret e shkollave që janë në ndërtim e sipër. Sot, Shqipëria është njësoj si kantieret e qendrave shëndetësore, të kopshteve të çerdheve, që janë në ndërtim e sipër.

Pyetja është shumë e thjeshtë. Duke parë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, duke i parë shkollat që kanë përfunduar këtu në Bashkinë e Krujës, të cilat kurrë nuk ishin imagjinuar deri disa vite më parë e sot janë realitet, çfarë do bëjmë, do t’i lëmë në mes e do t’i lëmë sërish në duart e mbrapshta që kanë provuar e stërprovuar se nuk dinë të ndërtojnë?

Do t’i lëmë përsëri rrugëve njësoj si rrugët që u lanë rrugëve, para se ne të merrnim detyrën?

Do t’i lëmë përsëri në mëshirën e fatit të keq që i ka ndjekur dhe i ka persekutuar shqiptarët, sa herë kanë shkuar pas berihait dhe i kanë rënë rrugëve të shkurtra që të nxjerrin gjatë?

Merreni me mend, asnjë popull, në asnjë gjuhë tjetër, përveç gjuhës shqipe nuk e ka shprehjen, “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”.

E populli ynë ka qenë i detyruar ta thotë këtë fjalë që ne e trashëgojmë brez pas brezi, nga gjyshërit, nga prindërit e jua themi kaq shpesh fëmijëve tanë, kujdes se rruga e shkurtër të nxjerr gjatë, sepse në historinë tonë, në momentet e ngjashme me këtë, kur lufta, mundimi, lodhja, mërzia, pakënaqësia na ka vënë poshtë, kanë dalë ata të cilët me fytyra të ndryshme na kanë tërhequr pas berihait.

Në kushtet kur ne na është dashur të  bëjmë atë sforcon që bën diferencën, në kushtet kur ne na është dashur t’i themi vetes vazhdo, kur këmbët thonë “u lodha” dhe na është dashur të vazhdojmë të ngjitemi, kur zemra na thotë “po plas” dhe ne na është dashur të vazhdojmë të ngjitemi, kur mëndja thotë “ndalo dhe pusho” dhe ne na është dashur të ngjitemi, ne kemi shkuar mbas berihait. Është shfaqur Haxhi Qamili, i cili ka ofruar një rrugë të shkurtër e ka thënë t’i biem, të dali ku të dali e jeta jonë do bëhet fushë me lule.

Më pas janë rishfaqur të tjerë në kohë të ndryshme.

Besoj se të gjithë atyre që janë pak më të rritur se ata që janë votues për herë të parë këtu, ju kujtohet shfaqja e Rrapush Xhaferrit. Ishte i njëjti personazh që ju është shfaqur shqiptarëve në historinë e tyre herë pas here, për të përsëritur të njëjtin mesazh të asaj hije që na ndjek nga pas si një mallkim, që na kap nga këmbët, na bën të kthejmë rrugë, na dorëzon në duart e cinizmit, indiferencës, në duart e sherrnajës dhe të fajësimit të njëri-tjetrit, për ta penguar këtë popull që të ngrihet në lartësinë e projektit që Zoti deshi për Shqipërinë.

Rrapush Xhaferri shkonte qytet më qytet, i shoqëruar me një karvan automobilash, njësoj si Luli sot e njësoj e prisnin me këngë e valle si shpëtimtar. Pse lodheni të shkoni në punë, të mundoheni, të gdhiheni në 4 të mëngjesit e të punoni tokën, pse duhet ta vrisni mendjen se çfarë do të bëhet nesër, me jepni mua lekët, unë ju jap dyfish e ju shkoni në kafene e merruni me politikë e futboll. Unë jam i bindur që këtu ka plot viktima të Rrapush Xhaferrit, të Sudes dhe Vehbiut, me bekimin e Saliut që u thoshte shqiptarëve “ato lekë janë të pastra, investojini në këto banka” e mos e çani kokën, jam unë garanti. Dhe Rrapushi çmendi gjithë popullin. Shitën bagëtitë, shitën shtëpitë, shit e shit gjithçka kishin, që të çonin lekët tek Rrapushi që u thoshte “më jep një, unë të jap dy”. Më jep 100, të jap 200 javën tjetër, më dhe 200 të jap 400 javën e tretë derisa erdhi dita dhe doli Sudja tha  “loja mbaroi”, nuk ka më, më jep një, të jap dy. Dhe ato dy gishta qorruan gjithë Shqipërinë, u bënë shqiptarët si pula qorre që hidheshin përpjetë në mes të zjarrit që e ndezën vetë. Sa vite na u desh me marrë veten!

Kush më thotë sot që është i kënaqur, nuk e besoj. Sot të jesh i pakënaqur është gjëja më normale. Po të isha i kënaqur, nuk do isha këtu, do isha në shtëpi. Po të isha i kënaqur, nuk do dilja çdo mëngjes për të bërë aq sa mundem, me gjithçka mundem, që gjërat të bëhen më mirë. Po të isha i kënaqur, për çfarë arsyeje do vazhdoja të luftoja me mish e me shpirt

Ama, pyetja ime për të gjithë ata që janë të pakënaqur është, si zgjidhet?

Zgjidhet duke u ulur, duke u shtrirë e duke fjetur gjumë, zgjidhet duke i rënë prapë rrugës së shkurtër, duke besuar se Rrapushi u ngjall e tani me votu Lulin, bashkë me atë karvanin e automobilave e jeta do bëhet prapë sallore? Me votu ata që nuk i kanë thënë njëherë punës “mirëmëngjes”  dhe që çdo ditë, kur kanë pasur fatin dhe privilegjin të drejtojnë këtë vend, vetëm i kanë bërë punët mbrapsht, apo kanë prishur punët e të tjerëve dhe të Shqipërisë? Zgjidhet si me tramvajin e Tiranës?

 Zgjidhet duke vazhduar të ngjitemi, zgjidhet vetëm duke provuar siç provuam përballë tërmetit, siç provuam përballë armikut të padukshëm, forcën e karakterit tonë, përmasa e një burri, - se e kam me burrat se gratë janë më të qarta. Përmasa e një burri nuk matet në ditë të mira, por matet në ditë të këqija. Përmasa nuk matet kur ecën në një rrugë të drejtë, përmasa e një burri matet kur ngjitet në një të përpjetë dhe nuk dorëzohet derisa arrin majën që i ka vënën vetes për qëllim. Kush do kishte sukses pa punë e pa sakrifica! Cili nga ata që punojnë tokën e prodhojnë nga puna me tokën do kishte mundur të mbijetonte, do kishte mundur të fitonte nëse do ishte dorëzuar para lodhjes, nëse do ishte gjunjëzuar kur breshëri ia merr të gjitha prodhimet me vete, nëse do i kishte kthyer shpinën tokës dhe do kishte shkuar pas rrapushëve?

Askush!

Po të krahasojmë Shqipërinë e sotme dhe Shqipërinë e djeshme, Shqipërinë e vajzës që foli si votuese për herë të parë me Shqipërinë e nënës së saj kur ishte votuese për herë të parë, nuk diskutohet që shtëpitë janë më të mira, shumëçka është më mirë e patjetër nuk ka vend për të qenë të kënaqur, por cila familje është dorëzuar? Më tregoni një familje nga tuajat që është dorëzuar, është ulur, i ka besuar gjumit dhe ndenjes këmbë mbi këmbë?

Cila nga nënat e gratë tona gatuajnë këmbë mbi këmbë, kujdesen për ne këmbë mbi këmbë, merret me fëmijët këmbë mbi këmbë? Siç rrinë të gjitha nënat në çdo shtëpi, të parat që zgjohen dhe të fundit që flenë, kështu dhe Partia Socialiste duhet të jetë e para që zgjohet dhe e fundit që fle.

E kështu të gjithë, sëbashku me Partinë Socialiste, duke qenë të parët që zgjohemi dhe të fundit që flemë, do ta ngjisim Shqipërinë në atë majë ku Shqipëria dhe populli shqiptar meriton.

Çfarë ka Kroacia më shumë se ne? Është një vend i bekuar, i bukur shumë, por jeton më mirë se ne. Ndërkohë Zoti ka qenë me ne edhe më bujar se kroatët. Kroacia ka 4 milionë banorë, 9 aeroporte, 9 porta nga qielli, të gjitha të hapura, për të shfrytëzuar në maksimum të gjitha ato bukuri që Zoti u ka dhënë. Bukuritë e natyrës janë të gjitha aty për t’u kthyer në motorë të ekonomisë të atyre që jetojnë në një vend të bekuar si i yni. Kroacia, 4 milionë banorë, 9 aeroporte, vendi i 7-të në botë për të ardhurat nga turizmi.

Po ne? Ne do të hapim 4 porta nga qielli dhe 4 porta të reja nga deti, që të vijnë shumë më shumë udhëtarë dhe turistë nga e gjithë bota dhe që bukuritë, histori, traditat, mikëpritja e puna jonë të vihet në dispozicion të transformimit ekonomik dhe social të të gjitha familjeve që besojnë tek puna, familjeve që u ngjajnë nënës që u rrinë mbi kokë, që rrit fëmijët, që kujdeset për burrin e kujdeset për më të moshuarit.

Kjo është ajo që vendoset në 25 prill.

Kruja është sot shumë më e mirë se dje. Se e kanë fiksim ata krutanët që thanë jemi të djathtë Çfarë të djathtësh? Ku ishin përpara sesa Arturi, sëbashku me mua të pastronte plehrat që ju kishin mbuluar, plehrat e djathta që ishin në të dy anët e rrugës, majtas e djathtas. Vazhdojnë luftojnë komunizmin që ka vdekur para 30 vjetësh.

Kruja, sot ka marrë një formë tjetër dhe këtë nuk mund ta mohojë njeri. Edhe për ujin që për 100 vjet nuk vinte. Të djathtët që qeverisnin thonin nuk e çojmë dot ujin në Kruje se nuk e hedhim dot përpjetë deri atje. Këta këtej me dy gishta, ata andej me dy gishta dhe dy gishtat në gojë në vend të gotës së ujit.

Apo edhe gjithë transformimi i asaj që është pa diskutim, pjesa më e çmuar e gjerdanit të historisë sonë, Kalaja e Skënderbeut. Të gjitha këto janë të mjaftueshme vetëm për një gjë, për të kuptuar se kush e bën Krujën vendin ku njerëzit të jetojnë në mirëqenie, ku të ketë punë për të gjithë, ku të ketë të ardhura për të gjithë ata që punojnë e kush punon më shumë, të marri dhe më shumë. Porti i Durrësit që do e bëjë Durrësin, Dubain e vogël të Mesdheut dhe që është porti më i madh turistik i Mesdheut, është porta ku natyrisht do të hyhet për ë Shqipëri, por është porta ku në radhë të parë hyhet për në Krujë. Kush vjen në Durrës e nuk dëshiron të ngjitet e të shohë atë vend të bekuar atje? Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që do ketë shumë më tepër punë dhe që edhe shumë territore rreth e rrotull që janë të mrekullueshme do transformohen, do të lindin agroturizmet. Për këtë arsye, ne do të japim 5000 euro për çdo emigrant që është gati të kthehet ose edhe nëse do të rrijë atje, të investojë kursimet e veta për ta hapur derën e shtëpisë së babës, për ta kthyer në një bujtinë e për të fituar nga shtëpia e babës më shumë, sesa fiton duke punuar për dikë tjetër duke punuar matanë detit.

Këto nuk janë përralla, këto janë pjesë e programit tonë që vazhdon. Kur ne ia dolëm me tërmetin, kur ne ia dolëm me virusin, kur ne sot, pavarësisht se nuk jemi as ndër të fuqishmit, as ndër të pasuri te Europës, jemi lart në tabelën e klasifikimit për ritmin e vaksinimeve dhe për shpejtësinë e daljes nga tuneli, si nuk ia dilkemi që ta ngjisim Shqipërinë në majën që meriton! Si nuk ia dilkemi ne, kur nuk bëhet fjalë për të përballur kundërshtinë e Zotit, bëhet fjalë vetëm për të përballur atë kundërshti që na vjen nga brenda, atë thirrjen e dembelizmit, thirrjen e asaj pakënaqësisë cinike, thirrjen e përçarjes majtas - djathtas. Shqipëria është atje lart. Majtas e djathtas është këtu poshtë. Këtu pyetja është si bëhemi bashkë dhe ngjitemi atje lart, pa ngelur këtu, duke u kapur për fyti majtas e djathtas.

Djathtas me Lulin? Pse kanë kohë akoma burrat e Krujës, që këta të djathtë të luajnë me kukulla? Lojë me kukulla e me çfarë kukulle. Kukull që e kurdis Ilir Meta, bashkë me Saliun. Se Saliun e kanë merak, nuk duhet me ia prek atë, se ai është njeriu që i solli demokracinë. Po, Noc Rrokun!

Natyrisht ju që jeni këtu keni ardhur me mendjen top. Çështja është që deri në datën 25, derë më derë, për t’ju thënë të gjithëve një gjë shumë të thjeshtë. Në 25 prill testohet karakteri. Programi ynë është karakteri ynë. Karakteri i tyre është programi i tyre. E keni parë programin e tyre, me të heq mendjen. Program që i thotë secilit, vetëm ma jep votën e unë do ta bëj jetën fushë me lule. Ma jep atë shejtan votë e unë pastaj do bëj për ty, çfarë do ti. Do bursë? Vetëm ma jep dhe do ta bëj bursën që të habitet mami dhe babi e të thonë të keqen e Rrapushit, se këtu u bë deti kos. Apo martohuni dhe ju mbaj unë, 1000 euro për çiftet e reja në muaj. Pensionistëve u thotë, do ta rris pensionin, vetëm më jep votën. Kurse ti që ke sigurime shoqërore shumë të larta, do të t’i ul, vetëm më jep votën. Domethënë, do uli sigurimet e do rrisë pensionin e nonës që paguhet nga sigurimet shoqërore që paguan dikush tjetër. Kjo është si Rrapush Xhaferri, më jep një, të jap dy.

Por krutani thotë, dardha e shkretë e ka bishtin mbrapa. Po  ia hyre nga para, të ngelet bishti në gojë. Pra, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Domethënë, edhe lopët do rrinë pushim e djathin do ta shtojmë. Ata krutonët e djathtë, sapunin për djathë e hanë me qejf të madh. Sapunin për djathë, ky është programi i të djathtëve. Djathë me qepë... për qepë keni Gon Dukën, me rakinë e sheh Dash Shehi. Me tapë... Ed Paloka, i ve tapën d.m.th., por është tapë komplet. E djathta! Këta do luftojnë komunizmin, do sjellin prosperitetin.

Ka një ndryshim karvani i Lulit me karvanin e Rrapushit. Makinat!

Se çunat e Krujës i njohin makinat. I keni parë makinat sa të shtrenjta janë. Këta që qahen për çmimin e naftës dhe po djegin naftë më shumë se gjithë Shqipëria në ato autokolona. Makinat më të shtrenjta, me xhama të zinj. E dini kush është brenda në ato makina?

Rrapushi brenda kishte këngëtarët, valltarët...dilnin i shtronin dhe rrugët me sheqer. Më thanë që edhe Lulit në Lezhë i kishin shtruar rrugën me sheqer. Ndërsa në këto makina janë ata që mezi presin të hapim prapë bingot. Nuk po jua them si metaforë, po ju flas për njerëz konkretë, me emra konkretë. Se ne patronazhistët këtë punë kemi. Ne shohim dhe mbrapa xhamit. Prandaj janë tërbuar. “Fuksa” thotë Likja. Likja vdes për video dhe i duket sikur të gjithë i bëjnë video. Po çfarë faji ka patronazhisti kur presidenti shkon me kapuç në kokë në fund të Gjirit të Lalzit, sikur është Hamit Matjani që zbriti në Divjakë. President, me kapuç në kokë! Diversant! President diversant dhe thotë, fuksat. Po cfarë fuksash? Aty, edhe më i mbaruari të jetë, të shohi presidentin me kapuç në kokë, do ja bëjë një foto.

Kjo është për të qarë e për të qesh. Kjo është për të vënë kujën që në Shqipërinë e vitit 2021, ne duhet të kemi përballë këtë farë lloji konglomerati, me bingot, me drejtorët e policisë që shisnin operacionet te banditët. Ju kujtohet sa oficerë policie janë vrarë në kohën kur qeverisnin ata. Nuk vriteshin se nuk dinin të luftonin, vriteshin mbrapa shpine. Vriteshin nga telefonatat për ata të tjerët, ata që janë te ato makinat e Lulit. I thonin, “po vijnë”, ata përgatiteshin dhe vriteshin njerëzit e ndershëm të Policisë së Shtetit. Janë te ato makina e mezi po presin të dalin nga makinat. Të fillojë bixhozi, të fillojë nga e para lidhja me gjithë farë soji kriminelësh dhe Policia e Shtetit prapë të drejtohet nga influenca e kriminelëve.

Po ashtu janë ata të doganave e të tatimeve. Kam një me këta dyqanxhinjtë e djathtë të Krujës. Kanë një dyqan, një biznes i vogël. Ne ua kemi bërë taksën zero, TVSH-në zero. Për çfarë e duan Lulin, do jua çojë poshtë zeros ky? Po bëja humor me këta shokët dhe i thashë, se do ta bëjë një premtim ky, nuk diskutohet. Ky do ta thotë, do ta çojë nën zero. Do t’i japë 1000 euro në muaj bizneseve. E kuptoni çfarë mendje kanë këta që thonë jemi të djathtë. Dakord, Edi Ramën nuk e do, por s’ka ardhë të kërkojë krushqi. Unë u martova dhe gruan e kam tiranse edhe krutane. Nuk i pëlqejnë çitjanet e mia, se këta çitjanet i kanë tmerr se janë modernë. Mos më shih, e ke kollaj fare. Telekomandën dhe iku Edi Rama. Po ngelet taksa zero. Kurse me Lulin të ngelet në qafë Luli dhe taksat shkojnë lart. Se dardha e ka bishtin mbrapa, se kështu është dardhë e bukur Luli me u pa. Po imagjino ca bishti ka. E ka bishtin me dy koka, Saliun dhe Ilirin.

Imagjino e merr Lulin dhëndër e bëhesh gati për dasmë. Në dasmë s’të vjen dhëndri, të vjen Saliu me Ilirin.

Ku do i gjejë këto lekë, njëherë Ata do vijnë do thonë “ne fituam”, - po fituan këta me dy gishta, - u bë kaq vite, opozita është e lodhshme, sa kam unë nga fitimi jot tani, ky është inspektori i taksave dhe kaq e dua unë, kaq e do ai tjetri që ka qenë në makinë e ka gjëmuar Lulin nga mbrapa. Tha edhe bëra “rekord” , brenda ditës nga Saranda në Tropojë. Pse, për çiklizëm e keni vënë. Si Saliu që thoshte “theva rekordin e notit”. Not vetëm tek pull 2 orë, duke ndenjur në ujë dhe thoshte në Facebook, sot ndenja 2 orë e 40 minuta në ujë. Ka rob normal 2 orë e 40 minuta në ujë, duke fol me vete? E thonë theva rekordin.

 Faleminderit shumë se nuk mbarojnë këta!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm