Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 Prill shqiptarët tregojnë forcën e karakterit, votojnë numrin 12 dhe Shqipëria ngjitet në majën që meriton

Të reja

Në 25 Prill shqiptarët tregojnë forcën e karakterit, votojnë numrin 12 dhe Shqipëria ngjitet në majën që meriton

23 Apr 2021    

Mbyllja e fushatës në Vlorë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë, shumë, shumë faleminderit!

Ajo goca e vogël [në ekran KM në podium  me Kiarën, fushata 2013] është kjo vajza e gjatë dhe unë besoj se çfarë i thashë kur ishte e vogël, pasi ju më dhatë besimin, sot është para syve të Kiarës, një realitet i transformuar.

Kur e pashë Kiarën tek ngjitesha, po mendoja, sikur është nga Hollivudi, kur më doli nga Kuçi.

Sot, në fakt, Kuçi nuk është vetëm histori. Kuçi, sot është një destinacion që do të bëhet gjithmonë e më shumë i njohur si një mrekulli për t’u parë e për t’u shijuar nga turistët, vizitorët e udhëtarët, sepse rruga e lumit të Vlorës me të cilën u lindën, u rritën, u plakën dhe u ndanë nga kjo botë, por nuk e panë, sot është aty, gati për t’ju shpalosur shqiptarëve një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.

Kam ardhur shpesh, zakonisht në mitingje e njerëzit janë mësuar të thonë si ky miting nuk kam parë, por sot e kuptova që nga Vlora nuk kam parë gjë akoma. Sot ju kërkoj juve që jeni këtu dhe të gjithë atyre që përpara sesa të jenë socialistë e demokratë, të majtë e të djathtë, të kënaqur e të pakënaqur, janë vlonjatë, që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë e sidomos atij turpi kombëtar që quhet president, që nuk ka parë gjë akoma.

Kur më pyeti një ditë Damiani, nuk po e marr vesh, nga mbeti Likja në Vlorë, i thashë ka vajtur tek dera e xhamisë. Në 25 prill, Vlora do t’ia lëri përgjithmonë historisë, atë, Saliun Lulin, Monikën e tërë paçavuret që 30 vjet na u qepën mbrapa si fantazmat e të shkuarës.

Ne nuk kemi bërë ende atë transformim që është misioni e koja jonë ta bëjmë dhe që është Vlora që e ka udhëhequr e do e udhëheqë deri në fund si lokomotiva e vizionit tonë, e dashurisë sonë për Shqipërinë, e pasionit tonë për shqiptarinë

Vlora, sot është dhe këtë nuk e mohon askush, vendi më i bukur ku mund të nisen për të shkuar në Shqipëri. A ju kujtohet si e lanë Vlorën, edhe të majtët, edhe të djathtët. Të majtët thonin ata i kemi në xhep, të djathtët thonin, ata me ne nuk bëhen kurrë dhe të dyja palët ia kishin kthyer kurrizin këtij vendi që i jep kuptim shqiptarisë.

Sot, Vlora flet me pamjen e saj, flet me ndryshimin e brendshëm të saj, ndryshim që vazhdon dita-ditës, flet me numrin e kaq shumë sipërmarrjeve të vogla që janë hapur dhe hapen javë pas jave, muaj pas muaji, flet me entuziazmin tuaj. Por sot ju them, siç i thashë Kiarës 8 vite më parë, ju e keni në dorë, ju e vendosni nëse në 25 prill më jepni mua dhe Partisë Socialiste 9 mandate, në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë 12 herë më shumë për Vlorën sesa kemi bërë në këto 2 mandate që po mbyllen. 12 herë më shumë!

Kur të vijë dita e zgjedhjet pas katër viteve, unë do vij këtu dhe në ekran sërish do pasqyrohet kjo që thashë sot dhe Vlora e pas katër viteve do jetë 12 herë më e mirë se kjo sot. Kur them Vlora, them jo vetëm Bashkia e Vlorës, por them Himara, Saranda, Labëria, Selenica.

Kur them Vlora, them Shqipëria!

Edona më tha, dua të vij në Vlorë që t’u flas shkodranëve nga Vlora, t’u bëj një thirrje të fundit, sepse kjo është dita, kjo është mendësia, kjo është koha që edhe shkodranët, këtë herë të mos votojnë për njërin dhe për tjetrin, për ata e për këta, por të votojnë për vete dhe për Shkodrën. Nëse shkodranët do të votojnë për vete e për Shkodrën, pas katër vitesh, kjo herë nuk do të jetë e vetmja, por e para e shumë herëve.

Është këtu vendi i duhur, është këtu momenti i duhur, është nga këtu që unë dua t’i drejtohem gjithë shqiptarëve. Askush nuk duhet ta harrojë që ne nuk po vijmë nga pushimet, as nga një periudhë normale jetese, as në shtëpitë tona, as në vendin tonë, as në botën ku jetojmë. Ne po vijmë nga një luftë në dy fronte me një tërmet që do kishte gjunjëzuar edhe një elefant, por jo Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe me një virus që mbylli brenda gjithë botën, por me të cilin sot, ne jemi duke u përballur me karakterin tonë, me forcën e vullnetit e të besimit tonë. Sot, Shqipëria e vogël, aspak e pasur si shumë të tjerë, aspak e zhvilluar si shumë të tjerë, është lart në Champions League të vendeve që janë më përpara në luftën për shporrjen e armikut të padukshëm nga jetët e tyre dhe që janë më pranë daljes nga tuneli i pandemisë.

Shqipëria përtej pandemisë, Shqipëria përtej COVID-it duhet të jetë edhe Shqipëria përtej politikës së infektuar të gjithë këtyre viteve, duke lënë pas jo vetëm COVID-in, por edhe politikën e infektuar. Duhet lënë pas kaq shumë vite me kaq shumë energji të harxhuara për sherre, për ndasi, për konflikte. Imagjinoni sa shumë më shumë do kishim bërë sikur në këto 30 vjet, pjesën më të madhe të kohës të mos e kishim kaluar duke u kacafytur me njëri-tjetrin. Por ata që kacafyten nuk janë njerëzit e zakonshëm, nuk janë socialistët dhe demokratët e zakonshëm, janë fantazmat e historisë shqiptare që në momente të ndryshme shfaqen përpara shqiptarëve me emra të ndryshëm, me fytyrë të ndryshme, me fjalë të ndryshme. Që nga Haxhi Qamili deri tek Rrapush Xhaferri, bashkë me Saliun - por atë e fusni vetë brenda ju, nuk jua kam merakun, që ju thonë shqiptarëve, kemi një rrugë të shkurtër. E nëse të tjerët, Rrapush Xhaferrin, Suden, Vehbiun i kujtojnë Vlora e jo vetëm i kujton, por nuk mundet t’i harrojë asnjëherë, sepse ishte Vlora ajo që u përvëlua për t’i shporrur ato fantazma, sot, Lulzim Basha është e njëjta gjë, në një formë tjetër.

I ri, europianist, i okllaisur, me gojën që e ka mbushur me sheqer gjithë këto javë. U desh vetëm një ngjarje për t’i parë edhe një herë që janë po ata. Është po ajo fantazmë, janë po ato forca që i thërrasin pjesës më të keqe të shqiptarit, që i thërrasin dembelizmit, që i thërrasin marifetit e hilesë, që i thërrasin kollajllëkut, lodhjes e pakënaqësisë, duke i thënë, ejani me ne se jeta do bëhet e lehtë, do ju ejani se do t’ju japim lekë. E dini mirë ju si mbaron historia me ata që japin lekë, por me Lulzimin as lekë nuk ka. Ka vetëm një kërkesë insistuese, “aman më jepni votën” dhe pastaj, takimin jua lë tek tramvaji i Tiranës.

Unë e kuptoj që në Vlorë mund të ketë të djathtë, mund të ketë pasardhës të Ballit Kombëtar, por çfarë lidhje ka Mit’hat Frashëri me Lesko pijanecin, o të marrë? Ku lidhet Mit’hat Frashëri me Leskon me kanatiere e me barkun jashtë që rrihet lokaleve!

Atij do ia lini Vlorën? Atij do ia lini Labërinë?

Atij do ia lini Sarandën?

Atij do ia lini fëmijët tuaj?

Po librat e shkollës për fëmijët, do ia lini Leskos? Çfarë do ju mësojë Lesko, bingon, bixhozin, rakinë, vjedhjen, pabesinë?

Ç’lidhje ka Mit’hat Frashëri me këta!

Të jesh i djathtë, të jesh pasardhës i Ballit, dakord, por për çfarë do shkosh me Leskon, për pula apo për keca?

Doni që Vlora, e cila po bëhet gati të ngjitet më lart, po bëhet gati të hapë një portë nga qielli, një portë nga deti 200 metra nga këtu, të kthehet prapë tek era e qofteve?

Unë e di që ju mezi po prisni të vijë e diela, por e kam me të djathtët e Vlorës, të pakënaqur. Unë jam i pakënaqur sepse po të isha i kënaqur nuk vija këtu. Po të isha i kënaqur, nuk e gjeja dot forcën t’i thoja këmbëve ej, u lodhët, punë e madhe, vazhdoni.

T’i thoja zemrës, ej, po plas, punë e madhe, vazhdo.

T’i thoja mendjes, çfarë thua, pusho. Në asnjë mënyrë, sepse Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku Zoti e ka dashur kur e bëri.

Ku e keni parë, një vend kaq të vogël, 28 mijë km katrorë me dy dete, njëri më i bukur se tjetri dhe ju vlonjatët i keni të dyja detet këtu. Edhe detet, Zoti i puthi këtu në Vlorë. Dhe ju doni Leskon? Jeni në vete!

Ku e keni parë një vend me majat me dëborë edhe në gusht dhe me diellin që shkëlqen 12 muaj. Ku e keni parë një vend që prek këtu bregun e për pak minuta ngjitesh në majë të malit dhe je sikur ke kaluar një kontinent.

Zoti Shqipërinë e ka bërë të dielën kur ishte pushim. E ka marrë me nge, e ka qëndisur, e ka dashur zonjë me tërë ato bukuri që i ka dhënë.

E ne do t’ia lëmë Xhelal Mziut Shqipërinë? Jeni në vete!

E ne do t’ia lëmë Leskos Shqipërinë? A jeni a s’jeni në vete!

Shqipërinë Monikës? A jeni a s’jeni në vete!

Nuk ka nevojë të merreni me këta, ma besoni.

Në 25 prill, ju do bëni vetëm një detyrë, merruni me Ilir Metën! Tregojini Ilir Metës që herë tjetër, kur të flasë për Vlorën, të numërojë deri në 12.

Tregojini Ilir Metës që Vlora është edhe më keq se ajo dera e xhamisë. Tregojini Ilir Metës se Vlora ka vendosur të ngjitet. Kush vjen ta kapi nga këmbët thyen hundët këtu në Vlorë.

Presidenti i 26-të i SHBA thoshte: “Vota është një armë, vlera e së cilës varet nga ai që e mban”.

Kujdes me shënjestrën, se mos më shkoni te 9-ta. Se nënta, 9-ta është me hile. Ti thua 9-të, të bëhet 6-të. Ti thua Luli, të del Monika. Ti thua 6-të, të del Iliri me gjithë Saliun dhe Lulin. Prandaj robi u mundua e në fund e gjeti, tha 69 është numri i djallit. Kush voton 6-ën, kush voton 9-ën, veten dhe Shqipërinë në djall e çon!

Ne do bëjmë punë të mëdha, po do bëjmë dhe punë të vogla. Unë e di shumë mirë se mund të bësh 5 lungomare, mund të bësh edhe aeroportin, edhe portin. Mund të bësh edhe tërë lagjet me asfalt, por ka edhe një punë tjetër që unë e di shumë mirë që juve ju shqetëson dhe pakënaqësia ime në këtë pikë është njësoj, ose më e madhe se juaja. Janë zyrat e shërbimeve. Prandaj me votën tuaj tek shënjestra e 12-ës, na jepni dhe dy-tre vjet kohë që tërë sistemi i shërbimeve, përfundimisht të futet i gjithi në celularin tuaj dhe të mos keni më nevojë t’ia shikoni fytyrën asnjë zyrtari dhe asnjë nëpunës të mos ketë mundësi t’ua gjejë se ku e keni xhepin.

Mund të flas deri nesër në mëngjes se ngado të rrotullohesh këtu është fitore, fitore, fitore. Këtu është zëmra e fitores. Dua ta dinë ata që na ndjekin, kush do të dijë rezultatin e 25 prillit, duhet vetëm të më besojë që nga këtu, duke parë gjithë këtë rreth, nuk keni parë gjë akoma. E mos harroni, çfarë e pengoi Shqipërinë që atë dhuratë që i bëri Zoti, ta kthente në mirëqenie për popullin e vet, ka qenë dora e mbrapshtë e robit. Dora e të gjithë atyre që në histori janë e njëjta gjë, një mallkim që na ndjek nga pas e na ndjek përmes figurash që dalin nga brenda nesh e që bëjnë shumë më tepër dëm për Shqipërinë e shqiptarët, seç mund të bënin tërë armiqtë po të mblidhen bashkë. Asnjë armik nuk ia bënte dot Shqipërisë atë që i bëri Saliu me Rrapushin, Suden e Vehbiun.

Asnjë armik nuk ia bën dot Shqipërisë sot, atë që i bën President i Republikës - ça presidenti është ai, - atë që i bëri burri i Monikës?

Prandaj udhëkryqi i 25 prillit është shumë i qartë; kush është i pakënaqur si unë dhe është gati që pakënaqësinë ta kthejë në energji për forcën e karakterit, zgjedh 12-ën dhe Shqipëria ngjitet në majën që Zoti e deshi kur e krijoi.

Kush pakënaqësinë e ka të pamundur ta mundë, nuk ka problem, por sot besoj se e ndiqni Liken në kohë reale. Sot, Likja ishte zbutur, fliste për festë demokracie të dielën, i kishte harruar sfurqet, sëpatat, i kishte harruar kërcënimet dhe ishte bërë goxha i matur. Ia kam thënë, Like lërë rakinë përpara se të ta nxjerrin të tjerët, se kur ta nxjerrin të tjerët është problem i madh. Like dëgjoje vajzën, mos pi më, shko në shtëpi dhe Vlora do të të ndihmojë që t’i të gjesh rrugën e shtëpisë të hënën. Keni për ta parë sesi të tërë ata trima, që na tregojnë armët me leje, sfurqet, sëpatat do bëhen lepuj, siç i keni bërë ju, kur keni vendosur të thoni fjalën tuaj.

Vlorën, edhe Vlorën thellë e kam në zemër/ Ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr.

[Zaho, hajde. Merre mamin me vete, merre motrën me vete, merre vëllain me vete.]

Ju prezantoj me dikë që sa herë i thua “bëj mësimet”, thotë. “po i bëra mësimet, do më çosh në Vlorë?” “Shko në not”, thotë, ”po vajta në not, do më çosh në Vlorë?”

Ja ku je në Vlorë.

[Zaho: Mirëmbrëma. Unë dua Vlorën.]

Zaho e do Vlorën, Vlorën e do gjithë Shqipëria.

Vlora në 25 prill do të vulosë ngjitjen e Shqipërisë në një majë tjetër.

Shumë faleminderit. Rrofshi!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm