Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill, Kamza voton për të çuar përpara investimet e nisura, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

Në 25 prill, Kamza voton për të çuar përpara investimet e nisura, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

15 Apr 2021    

Kënd fjale në Kamëz- Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Është vërtetë kënaqësi që më jepet mundësia të vij këtu në Kamzë. Duke ju falenderuar sinqerisht që keni ardhur këtu, kaq të shumtë në numër, dua të ndaj me ju një eksperiencë jetësore timen personale me Kamzën. Qysh se ndodhi fatkeqësia e madhe, ajo e tërmetit që në pak sekonda la me mijëra e mijëra familje, përfshirë familje këtu në Kamzë, pa çati, në rrugë, humbën gjithçka dhe sëbashku me Rakipin kemi shkuar derë më derë. Kemi takuar njerëz të zakonshëm shqiptarë të fortë, familje realisht njerëzish me shumë karakter. Nuk i kemi pyetur me kë je. As nuk na ka interesuar fare nëse janë majtas a djathtas, janë socialist a demokratë, por thjesht i kemi qëndruar pranë çdo ditë, derisa i kemi sistemuar fillimisht në shtëpi me qera të paguara nga qeveria, ku të gjithë ata që presin të hyjnë në apartamente do të qëndrojnë deri në momentin kur të marrin çelësat e apartamentit të ri.

Ajo çka i bashkon të gjithë njerëzit këtu në Kamzë, përtej partive, përtej politikës, përtej dasive është historia e përbashkët e fillimit të një rruge jashtëzakonisht të vështirë. Historia e përbashkët e ardhjes nga zona të tjera, nga periferi shumë të varfra, e ardhjes nga të 4 anët për të ndërtuar këtu të ardhmen për fëmijët, për të ndërtuar këtu një jetë tjetër, një jetë të re, një jetë ndryshe për çdo familje dhe mbi të gjitha për ata që vijnë më pas, që lindin këtu, që rriten këtu.

Shumëkush është edhe larguar nga këtu, për të shkuar në emigracion. Përsëri për një jetë edhe më të mirë. Përsëri për të mos lënë asgjë pa bërë që familja të bëhet më e fortë. Besoj që si askund tjetër, këtu në Kamzë, çdo njeri i arsyeshëm, çdo babë, çdo gjysh që i ka duart me kallo sepse e ka ndërtuar tullë për tullë shtëpinë, e kupton shumë mirë kur them se shtëpia e re, shtëpia ku njeriu dhe ku njerëzit investojnë për një të ardhme më të mirë, nuk ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Nuk ndërtohet duke ndenjur këmbë mbi këmbë. Nuk ndërtohet duke pritur që dikush tjetër ta bëjë për ty, apo që të tjerë të të sjellin lekët, të sjellin tullat, sjellin tjegullat dhe t’i ta bësh kollaj. Çdo shtëpi këtu është ndërtuar me gjakun dhe me djersën e sakrificave të jashtëzakonshme.

Njësoj si me tërmetin, njësoj si me COVID-in, njësoj si me çdo goditje që familja, shtëpia merr nga jashtë, familja reziston, vazhdon, nuk dorëzohet. Sa e sa herë baballarëve këtu në Kamzë iu kanë munguar lekët. Sa e sa herë kanë qenë të detyruar ta shtyjnë vendosjen e tullave tjera, hedhjen e katit tjetër, sepse dikush në familje është goditur nga një sëmundje. Sa e sa herë ka ndryshuar se është dashur që familja të fokusohet diku tjetër. Sa e sa herë, ata, të cilët i kanë prirë kësaj rruge për familjen e tyre janë ndjerë të lodhur, të mërzitur dhe të dëshpëruar. Janë ndjerë gati të dorëzohen. Po nuk janë dorëzuar!

Përtej shtëpive të secilit, është dhe shtëpia e përbashkët e Kamzës. Më vjen shumë keq, por ka një fakt shumë të vërtetë, që politika nuk ka bërë për Kamzën as një të njëmijtën e asaj që çdo kryefamiljar dhe çdo nënë në çdo shtëpi ka bërë për familjen e vet. As një të njëmijtën!

Kamza është vendi ku të flasësh pa asnjë gajle se mos nuk të kuptojnë. Për faktin që kush mendon se politika është kot, se politika është vetëm diçka e keqe, se nuk i duhet dreqit, se votove s’votove, gjërat nuk do të ndryshojnë, gabon rëndë. Pikërisht politika që për vite të tëra la Kamzën pa asnjë shpresë për një çerdhe të denjë, pa asnjë shpresë për një shkollë të denjë, pa asnjë shpresë për kanalizime, pa asnjë shpresë për ujësjellës. Vetëm rrugë, rrugë, rrugë.

Është politika që sot po i bën të mundura të gjitha këto. Po të mos ishte politika, nuk do të ishim duke prekur sot që flasim, numrin 300 mijë shqiptarëve të vaksinuar. 300 mijë!

Po të mos ishte politika, qindra mijëra gjyshër e gjyshe nuk do ishin çliruar sot akoma nga ankthi i tmerrshëm se mund t’i prekte armiku i padukshëm dhe mund të humbnin jetën. Qindra e mijëra gjyshe e gjyshër, sot nuk do buzëqeshnin të çliruar dhe nuk do ishin duke jetuar gëzimin e mundësisë për të takuar përsëri nipërit dhe mbesat.

Vaksinat nuk erdhën nga qielli, i solli politika. Ashtu sikundër politika mund të na linte pa vaksina komplet.

Rindërtimin nuk po e bën një dorë e padukshme, nuk po bëhet as vetë. Po e bën politika.

Sot, Shqipëria po del nga tuneli i pandemisë dhe shumë e çuditshme, po del shumë më shpejt se shumë e shumë vende të tjera. Sot, Shqipëria është në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit europian për numrin e njerëzve që dalin nga zona e rrezikut.

Sot, Shqipëria po del nga tuneli i pandemisë dhe shumë e çuditshme, po del shumë më shpejt se shumë e shumë vende të tjera. Sot, Shqipëria është në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit europian për numrin e njerëzve që dalin nga zona e rrezikut.

Por në fakt s’ka asnjë çudi. Sot, kur ne jemi përtej pandemisë është e natyrshme që pas gjithë kësaj periudhe të tmerrshme, pas gjithë këtij stresi të jashtëzakonshëm, njerëzit të ndjehen të lodhur, të mërzitur e të zhgënjyer e të thonë “po tani çfarë bëhet, ku shkohet, si do jetë ekonomia ime tani, si do ja dal unë më tutje tani” sepse në momentin kur ankthi për jetën thuajse është shuar, fillon ankthi për rritjen e ekonomisë, fillon ankthi për rritjen e mirëqenies, për rritjen e mundësive  për familjen. Shumë dakord, po si adresohet kjo? Duke filluar nga vota, duke filluar nga pjesëmarrja në një vendim. Çfarë do të bëjmë më tutje, si do të ecim më tutje. Dhe unë po ju them sot një gjë. Kur ne ja dolëm të kurojmë ato plagë të tmerrshme të tërmetit, - ju e mbani mend shumë mirë të nesërmen e tërmetit nuk kishte njeri që e besonte se Shqipëria do të ringrihej kaq shpejt, se shkollat do të rindërtoheshin kaq bukur,  se shtëpitë do ishin gati njëra pas tjetrës dhe njëra pas tjetrës familje të varfra do ktheheshin në shtëpi, që kurrë nuk do t’i kishin bërë vetë dhe që janë shumë më të mira se ato që kishin përpara tërmetit, kur ne ja dolëm të përballemi me armikun e padukshëm dhe nuk u rrëzuam, por përkundrazi, rezistuam dhe ja dolëm të sigurojmë vaksinat dhe tani të shikojmë dritën, - si nuk e bëkemi dot ne Shqipërinë të ardhmen tonë. Si nuk e rriskemi dot ne ekonominë, tanimë që kemi dalë nga ky makth i madh kombëtar. Si nuk e bëkemi dot ne Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, agroturizëm, në energji. Si nuk e bëkemi dot ne Shqipërinë një vend ku çdo vajzë dhe çdo  djalë të ketë krenarinë që Shqipëria është shtëpia vet, të ketë krenarinë që Shqipëria është një shtëpi, ku jo vetëm je krenar për historinë, për heronjtë, për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, ku jo vetëm je krenar për kulturën dhe këngët, ku jo vetëm je krenar për traditën dhe familjen tënde, por ku je krenar për kushtet e kësaj shtëpie.

Ne mundemi që diellin që ka filluar të ngroh përsëri, ta kthejmë nga një mrekulli për  të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë, për turistët apo për ata që kanë mundësi, në një burim ngrohtësie për çdo familje shqiptare. Është plotësisht e mundur. Por ama, ka një kusht shumë të thjeshtë dhe unë jam them këtë të gjithë atyre që janë baballarë, që janë nëna dhe përmes atyre të gjithë baballarëve këtu, të gjithë atyre që janë kryefamiljarë dhe që kanë duart me kallo. Nuk më duhet fare se janë të majtë apo të djathtë, as më intereson fare, më intereson vetëm dora  e tyre me kallo, me kallo nga lufta e përditshme dhe nga puna pa u lodhur për të ndërtuar shtëpinë për fëmijët e tyre dhe atyre ju them, kushti është që të punojmë akoma më shumë, kushti është që të mos presim këmbë mbi këmbë që të tjerët të na e bëjnë jetën rrafsh.

Kushti është që të jemi të bashkuar për shtëpinë tonë të përbashkët.

Kushti është që të mos biem pre e atyre që na ofrojnë lekë për të gjithë.

Kushti është që të mos harrojmë çfarë i ka ndodhur shqiptarëve, kur kanë rënë pre e mërzisë, kur kanë rënë pre e zhgënjimit, kur kanë qenë të lodhur dhe të rraskapitur dhe ju ka ardhur dikush dhe ju ka premtuar që t’ja u bëjë jetën rrafsh, që nga Haxhi Qamili dhe më pas në momente të tjera për të ardhur deri tek Rrapush Xhaferi.

Të gjithë ata që janë sot nëna e baballarë e kujtojnë.

Mbase shumë nga vajzat dhe djemtë që janë 20 vjeçarë nuk e kanë dëgjuar, por do t’i kërkoja të pyesnin prindërit kush ka qenë Rrapush Xhaferri.

Rrapush Xhaferri ishte dikush që xhironte Shqipërinë me shumë makina, me bori, me njerëz që i shkonin pas, me njerëz që e prisnin me këngë dhe valle dhe Rrapush Xhaferri iu thoshte “Unë do ua bëj jetën rrafsh, më jepni 1 unë do t’iu jap 2. Ju rrini e veç dyfishoni paret tuaja se kujdesem unë”.

Rrapush Xhaferi, bashkë me Vehbiun dhe Suden, sigurisht nën udhëheqjen e Saliut, i çuan shqiptarët në marrëzinë që të shisnin bagëtitë, i çuam shqiptarët në marrëzinë që të shisnin shtëpitë për t’i bërë lekë për t’ia dhënë Rrapushit sepse i jepnin 100, i jepte 200 javën tjetër, i jepnin 200 i jepte 400, i jepnin 400 i bëheshin 800. “Më jep 1 dhe unë do ju jap 2, ti rri në shtëpi, shko në kafe, bëj qejf, jeta jote u zgjidh”.

Ajo që erdhi mbrapa ishte e tmerrshme, ishte më e tmerrshme se tërmeti sepse la rrugëve gjithë Shqipërinë sepse ato 2 që nuk  erdhën në fund në formë lekësh, erdhën si dy gishta në sy që i qorruan shqiptarët dhe Shqipëria u ndje e rrethuar nga flakët e marrëzisë.

Si mundet të na përsërit sot, e njëjta skemë, por kësaj herë jo më nga një fajdexhi apo grup fajdexhinjsh, por nga një grup interesaxhinjsh që janë gati të bëjnë çdogjë, janë gati edhe ta djegin , por edhe ta gënjejnë Shqipërinë dhe shqiptarët pa pikën e gajles. Si mundet t’i besohet një pale që vjen nga mbrapa me taborë si taborë dasmorësh dhe që premton lekë për fëmijët, lekë për të rinjtë, lekë për sipërmarrësit, lekë për pensionistet, “lekë, lekë, lekë”. A ka ndonjë këtu që e ka ndërtuar shtëpinë me lekë që i kanë ardhur nga qielli? A ka ndonjë këtu që ka hedhur ndonjë kat të shtëpisë me lekë që ja ka dhënë dikush e i ka thënë edhe s’ka problem.

Nuk ka, nuk ekziston!

Prandaj në 25 prill ka dy rrugë; Ose përsëri mbrapsht duke shkuar mbas ofertës “lekë, lekë, lekë”, ose vetëm përpara “punë, punë, punë”.

Dje isha në Dibër dhe kalova nga aksi i ri që tashmë është lidhur dhe shumë shpejt do të jetë rrugë e kalueshme për të gjithë, Rruga e Arbrit.

Rruga e Arbrit nuk është e rëndësishme vetëm për ata që jetojnë atje, për ata nga këtu që do të shkojnë atje për fundjavë, apo për turistët që do të jenë gjithnjë e më shumë, por është shumë e rëndësishme për të gjithë ato familje dibrane që janë këtu. Familjet dibrane kanë ardhur këtu, kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, janë qytetarë të Tiranës, por atje kanë shtëpinë e gjyshit, kanë tokën. Sot është dita për të menduar si do bëhet shtëpia e gjyshit burim të ardhurash, si do investohen kursimet nga emigracioni apo nga puna këtu, duke i transformuar ato shpi, në ato peizazhe të mrekullueshme, në atë natyrë të natyrë të bekuar nga Zoti e në atë tokë plot me histori e me arsye, për të pasur vizitorë dhe turistë, në bujtina. Në bujtina që krijojnë punë për njerëzit atje dhe që krijojnë të ardhur për njerëzit këtu.

Shumë vajza dhe djem të familjeve nga Dibra këtu, të cilat sot mendojnë po e mbaroj shkollën, por çfarë do bëj, kanë 2 rrugë; ose të votojnë për Lulin dhe për ata e të presin të marrin lekë dhe të rrinë duke menduar se jeta është qejf, ose të fillojnë të mendojnë bashkë me babën, me nënën, si mund të jenë brezi i ri i familjeve dibrane në Tiranë apo në Durrës, ata të cilët do të shkojnë të shtëpia e stërgjyshërve të tyre dhe do të bëhen sipërmarrës, me ndihmën dhe mbështetjen tonë. E ato dyer të mbyllura prej 20 e 30 vjetësh të rihapen për të sjellë këtu, për nënën dhe për babën, fitime nga puna atje. Nga punë, jo nga qielli!

Më thonë kjo puna e aeroporteve është çmenduri, “si mund të ketë Shqipëria, një vend kaq i vogël 4 aeroporte”. Kroacia ka 4 milionë banorë, 9 aeroporte dhe është e shtata në botë për turizëm. Kroacia është ajo që është sepse është kampione në turizëm. Turizmi të krijon punë për të gjithë brezat dhe sepse përmes të ardhurave nga turizmi rrit mirëqenien për të gjitha familjet.

Në këtë mandat do të hapim porta të reja për Shqipërinë, nga deti dhe nga qielli. Aeroporti i Kukësit është gati. Do të bëjmë dhe aeroportin e Vlorës dhe të Sarandën. Do të bëjmë portin turistik të madh të Durrësit, portin turistik të Vlorës, portin turistik të Sarandës që ka filluar dhe atë të Shëngjinit. Do të bëjmë edhe 2 porte të reja tregtare në Durrës dhe në Vlorë.

Nuk janë program elektoral, nuk janë premtime . Janë informacion për ju, për plane pune, për procese që do të na japin në 4-5 vitet e ardhshme mundësinë të fillojmë dhe të ngjitemi në podiumin e kampionit të Ballkanit në turizëm. Ne i kemi trefishuar hotelet në Shqipëri. Numri i turistëve është rritur, por është ende shumë pak. Sa më shumë do të vijnë, aq më shumë do të kenë nevojë të vizitojnë, të ndalojnë, të flenë, të ushqehen, të blejnë dhe Shqipëria, të cilës Zoti i ka falur gjithçka që i duhet që njerëzit e vet ta kenë diellin në jetën e tyre ekonomike.

Por që robi nuk e ka lënë të ngrejë kokë dhe sa herë ka filluar të ngrejë kokë, ja kanë ulur kokën. Me Rrapush Xhaferrë e Haxhi Qamilë do të bëhet e ardhmja jonë! Jo si vizion për 100 vjet, po si realitet brenda kësaj dekade ku kemi hyrë dhe me punë, jo me dokrra.

Dje një gazetar më pyeti si do ndodhi nëse nuk i merrni votat. I thashë, Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet, kjo nuk diskutohet, por çështja nuk është do fitojë a s’do fitojë Partia Socialiste. Çështja është si ne do shkurtojmë kohën, si do afrojmë të ardhmen, si do ta prekim të ardhmen shumë më shpejtë, sesa përndryshe do ta preknim nëse nuk do të bëheshim bashkë.

Por për çfarë na duhet fitorja?

Fitorja nuk është për mua. Fitorja nuk është as për Elisën, as për Dallëndyshen, as për Yllin, as për deputetët. Fitorja nuk është për politikanët, nuk është për ministrat, për drejtorët. Fitorja është për njerëzit e zakonshme të këtij vendi. Fitorja është për të gjithë ato gra që janë nëpër shtëpi, që shohin televizor, që janë nëna e që luajnë mendsh kur shohin politikanët të zihen me njëri-tjetrin, kur shohin partitë që kacafyten me njëra-tjetrën, kur shohin burra që i japin gojës deri në atë pikë, sa është për t’u tmerruar se ke fëmijën afër. Fitorja është për të gjitha gratë e vajzat që ne i kemi mbështetur e që sot janë shumë më brenda jetës sociale, janë shumë më të pranishme në përfaqësim se dje. Por me ku duhet të jenë u duhet jo një fitore e PS-së, ju duhet një fitore që shkon përtej pandemisë, që shkon përtej politikës e që shkon në atë drejtim ku ato shohin çdo mëngjes sa hapin sytë, deri natën vonë kur mbyllin sytë pasi kanë vënë fëmijët në gjumë, të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për këtë është fitorja.

Po mirë, më thotë gazetari, je gati të bashkëpunosh me Lulëzim  Bashën?

Patjetër, pa diskutim, por me një kusht, duhet të ndahet nga Saliu e nga Iliri.

Lulzim Basha përgjigjet dhe përgjigja e tij është thjesht dhe vetëm pohimi i faktit që ai nuk është një lider, ai nuk është një udhëheqës, ai është udhëndjekësi i Saliut dhe i Ilirit, sepse unë për Shqipërinë, për shqiptarët jam i gatshëm të shkoj përtej të gjitha ndasive të 30 vjetëve, por që ta bësh këtë, duhet të jesh lider, të jesh udhëheqës, duhet të kesh forcën e karakterit, të kesh vizionin e të ardhmes.

Që ta bësh këtë duhet që të jetosh së brendshmi me hallet, me stresin, me problemet, me aspiratat, me ëndrrat e njerëzve. Që ta bësh këtë duhet të rish pa gjumë kur njerëzit janë pa çati, të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa gjumë sepse kanë ankthin si do dalin nga pandemia.

Që ta bësh këtë duhet të jesh mishërimi i karakterit të shqiptarit që ne e adhurojmë në këngët, në vjershat e në rrëfimet e prindërve e që nëse ne e mishërojmë në 25 prill dhe e kthejmë në një fuqi të madhe transformuese, nuk e ndal Shqipërinë asgjë.

Neve nuk na ndali armiku i padukshëm. Neve nuk na ndali tërmeti. Kush do na ndalë?

Nuk ka asnjë sfidë që ne nuk e fitojmë dot. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për Shqipërinë, përveçse suksesit, nëse shqiptarët nuk bëjnë atë që në momente të caktuara fatkeqësisht kanë bërë, të bien pre e lloj – lloj këngëve e valleve dhe premtimeve e të kthehen përsëri mbrapsht.

Nuk ka për të ndodhur! Ne nuk do e lëmë të ndodhë!

Për vajzat e djemtë këtu kam një porosi. Faleminderit shumë për gjithë këtë entuziazëm, por çdo shoku, çdo shoqeje që ju thotë nuk vij të votoj, ç’më duhet votimi, nuk merrem fare me politikë, thojuni që është e kotë sepse do ti apo nuk do ti, politika me ty merret dhe sa më shumë njerëz të mirë t’i kthejnë kurrizin politikës, aq më shumë politika mbetet në duart e njerëzve të këqij. Sa më shumë njerëz të ndershëm t’i kthejnë kurrizin kutisë së votimit, aq më shumë pandershmëria do të ndikojë nesër në jetën e tyre. Politika mund të jetë shumë e keqe, politika mund të jetë shumë e mirë. Politika i çon njerëzit në humnerë, siç i çoi kur nxori në mejdan Rrapush Xhaferri. Por politika i kthen njerëzit në shtëpia më të mira, siç po i kthen sot në Kamzë e në gjithë Shqipërinë.

Prandaj në 25 prill, Kamza nuk duhet të votojë majtas-djathtas. Kamza duhet të votojë për 23 shkollat ultramoderne që do ndërtohen brenda vitit të ardhshëm, siç kanë filluar të ndërtohen e siç po mbarojnë disa. Kamza duhet të votojë për kopshtet e për çerdhet që nuk i ka pasur kurrë dhe që do t’i ketë si askund tjetër këtu. Kamza duhet të votojë për të çuar përpara investimet e nisura. Kur i ka pasur Kamza më shumë se 70 milionë dollarë për kanalizime, për ujësjellës, për shtëpi, kopshte, çerdhe. Do i lëmë rrugëve? Në asnjë mënyrë.

U them nënave e grave të Kamzës, qofshin nga Kukësi, nga Dibra, nga Korça, nga e gjithë Shqipëria, mos i lini burrat të luajnë domino me votën. Merrini burrat për dore dhe thojuni vota nuk është as për ty, as për mua, por është për fëmijët, të cilëve u kemi dhënë jetën, për t’i ndërtuar shtëpinë, për t’i sjellë në Tiranë, për t’i edukuar, për t’i hapur një perspektivë. Mos i tradhtoni fëmijët tuaj!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm