Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill, çdokush duhet të mendojë se po shkon të votojë për veten, familjen dhe lagjen e tij

Të reja

Në 25 prill, çdokush duhet të mendojë se po shkon të votojë për veten, familjen dhe lagjen e tij

28 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Rruga drejt 25 Prillit – Takim me të rinjtë në Kombinat

Ju nuk keni nevojë për t’ju dhënë arsyet pse është shumë rëndësishme që në 25 prill, ne të marrim mandatin e tretë, por mbase ia vlen që unë t’i ndaj me ju dhe pastaj përmes jush me të tjerë që mund të jenë të lëkundur, të pavendosur. Arsye, të cilat në thelb nuk lidhen me mua personalisht, nuk lidhen me ne që jemi këtu, së bashku, Belinda nga njëra anë, Erjoni nga an tjetër, por lidhen me atë që do të jetë Shqipëria e kësaj dekade që sapo kemi hyrë.

Ju jeni ndoshta shumë të rinj për t’iu referuar pagajle historisë së këtyre 30 vjetëve, sepse keni lindur pas rënies së komunizmit. Për ju, komunizmi është një e shkuar që e mësoni nga leximet apo nga çfarë iu tregojnë prindërit, por nuk është një eksperiencë e jetuar. Ashtu sikundër ju tregojnë prindërit, kur Tirana ishte një vend i pajetueshëm dhe ku këtu, në këtë zonë ku ka ende shumë probleme për të zgjidhur dhe ende shumë punë për të bërë, ujërat e zeza rridhnin nga të gjitha anët e ku s’kishte rrugë, s’kishte asgjë.

Më kujtohet kur unë erdha në krye të Bashkisë së Tiranës kishte 78 me numër llamba që ndizeshin natën në gjithë Tiranën. Shtyllat e ndriçimit ose ishin zhdukur, ose qëndronin aty thjesht kot, pa drita. Edhe kjo fushë ku ne gjendem sot, në këtë kompleks, është ndërtuar në atë kohë, kur ne filluam të punojmë një transformim që dukej komplet i pamundur.

Sot është një kohë tjetër. Sot problemet janë të tjera. Sfidat janë të tjera.

Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se realisht nuk ka kohë për pushim, nuk ka kohë për t’u ndalur, nuk ka kohë për të kthyer kokën pas e për të bërë hapa pas.

Historia jonë e këtyre 30 viteve ka qenë një përsëritje e kohës sonë të qindra viteve, një hap para, dy mbrapa. Më në fund, në këto 7 vite e kusur kemi bërë realisht disa hapa të rëndësishëm përpara, janë hapa të një maratone, nuk janë hapa të një spriniti, sepse përpjekja jonë për Shqipërinë është një maratonë.

Do të ishte mirë që shumë nga problemet që ne kemi ende sot të ishin zgjidhur në të shkuarën, por kjo është diçka që u takon atyre që duhet t’i zgjidhnin problemet në të shkuarën. Si të gjitha reformat që ne kemi ndërmarrë, sikur të ishin ndërmarrë 30, 25, 15 vite më pare, sot do ishim duke diskutuar për gjëra të tjera. Nuk do ishim duke diskutuar për t’i dhënë fund kalvarit të ujit të pijshëm. Unë e kuptoj shumë mirë kur disa të moshës suaj, kur flasim për ujësjellësin e Tiranës apo për ujësjellësit që po investohen, shkruani “çfarë flisni, akoma me ujin e pijshëm merreni?”

Është absolutisht e drejtë, por, nëse nuk merremi ne, kush do ta sjellë ujin e pijshëm 24 orë për të gjithë?

Askush! Thjesht do të vazhdojë historia të përsëritet dhe uji i pijshëm do të vazhdojë të jetë një problem që do të rikthehet në çdo fushatë elektorale. Kjo është e fundit fushatë elektorale që ne diskutojmë për ujin e pijshëm, sepse janë qindra projekte e mbi 120 e ca kantierë që sot punojnë për të garantuar që në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, aty ku ka intensitet banimi të ketë uji të pijshëm 24 orë. Unë dje isha në Krujë dhe pas 100 vjetësh, Kruja sot ka filluar të furnizohet dhe për pak ditë, me kolaudimin përfundimtar të sistemit do të ketë uji 24 orë. Është një çështje e mbyllur.

Ne shqiptarët kemi humbur shumë shanse dhe shumë kohë në gjithë historinë tone, sepse ne nuk kemi mësuar asnjëherë në të shkuarën që t’i japim rëndësi gjërave të vogla dhe t’i fitojmë betejat e vogla, të cilat fitohen përditë. Beteja, të cilat kombet e mëdha, kombet e zhvilluara janë mësuar t’i fitojnë si bukën që hanë çdo ditë. 

Ne gjithmonë nisemi nga zgjidhjet e mëdha dhe i duam ato menjëherë, prandaj humbasim kohë dhe nuk vlerësojmë rëndësinë që ka çdo gjë e vogël që duhet bërë sot.

E sotmja ka detyrat e veta. Nëse ne çdo ditë bëjmë detyrat e të sotmes, e ardhmja është e sigurt. Ajo që kemi bërë është pikërisht kjo, që jemi përpjekur që çdo ditë të këtyre dy mandateve t’i bëjmë mirë detyrat e të sotmes.

Cilat kanë qenë detyrat e të sotmes, kur ne morëm përgjegjësinë të drejtojmë vendin?

Kanë qenë që ne t’i japim fund vjedhjes së energjisë elektrike, duke i dhënë fund përrallës që kush do e paguan, kush do nuk e paguan dhe do kemi të gjithë energji, do ulim çmimet, madje do vijë dita që do ta kemi falas energjinë. Jo, kjo nuk është e mundur, kjo nuk është e vërtetë. Kjo është një gënjeshtër sugjestive që na ka mbajtur peng vite e vite të tëra, deri në momentin kur ne nisëm t’i japim asaj fund.

E mund të marr shembuj plot, në çdo sector. Edhe ne sektorin e arsimit, aty ku ju tanimë keni kaluar një pjesë të rëndësishme të rrugës dhe ku ju e dini më mirë se unë se e keni jetuar kohën e librave që ishin një tmerr i vërtetë. E librave të shkollës që kushtonin sa frëngu pulën dhe ishin pa cilësi, e atyre lëndëve me libra që secili i zgjidhje me alternativa gjoja, që ishin një kaos i vërtetë.  Ne i dhamë fund. Sot në shkollat tona mësohet me librat e Oxford, të Kembridge, të Pirson, gjë që u krijon fëmijëve të sotëm mundësinë që të mësojnë me të njëjtët libra që mësojnë fëmijët në Europë.

Ne i dhamë fund abuzimit me mësuesit, të cilët ishin mish për top për interesat e partive në pushtet, për mitingjet dhe aktivitetet propagandistike të partive në pushtet. Ata lëvizeshin me një lëvizje të dorës nga vendi i punës, zëvendësoheshin nga mësues që nuk kishin as profilin për atë lëndë që jepnin, madje nuk kishin as arsimin përkatës. Edhe kjo ka marrë fund.

Janë gjëra që duken të habitshme të diskutohen në shekullin e 21-të, në vitin 2021, por nuk ishte 70 vite më parë, vetëm 7 vite më parë kur mësuesit trajtoheshin si skllevër të një sistemi  që nuk kishte asnjë respekt për figurën e mësuesit, nuk kishte asnjë respekt për diturinë e tyre, nuk kishte asnjë respekt për ata të rinj e të reja që donin të hynin me mëritë dhe të bëheshin mësues.

Sot janë 11 mijë e disa më shumë që kanë hyrë në sistem falë meritës së tyre përmes testimit kombëtar në portalin Mësues për Shqipërinë dhe as nuk i parakalon dot kush, as nuk i heq dot kush nga puna, sepse është merita e tyre që vendos që ata duhet të jenë në sistem dhe ku duhet të punojnë. 

Për të gjithë të rinjtë që janë maturantë ose po shkojnë drejt maturës, sot ka një perspektivë komplet tjetër, sepse kur të jenë përpara dyerve të universitetit, nuk do të jenë të kërcënuar nga hija e babait të një bashkëmoshatari në krah, që është më i dobët se ata, por që me hijen e babait deri dje i parakalonte. Sot nuk ka fare rëndësi si quhet babai, sa lekë ka babai, me kë është babai. Nëse ti e meriton degën ku do të hysh, ti hyn në atë degë dhe hyn në atë vend të listës ku ti e meriton me rezultatet e tua. Edhe kjo duket si një gjë që “për çfarë e diskutojmë”. Por e diskutojmë sepse deri dje ishte komplet ndryshe. Ne sot kemi një sistem hyrjeje në universitet ku nuk ankohet njeri që i bënë një padrejtësi, sepse është i gjithë procesi transparent në një platformë dixhitale ku çdo nxënës e ndjek rrugën që bën testimi i tij, deri kur i del vendi që ai ka fituar. 

Mund të flas shumë për të gjitha ato gjëra “të vogla” që kanë krijuar një zinxhir të ri vlere për dinjitetin e njeriut dhe për të drejtën e secilit për të marrë atë që meriton. Patjetër ka shumë akoma për të bërë, ka shumë akoma padrejtësi, ka shumë akoma stërkëmbësha, ka shumë akoma pengesa, zvarritje, vonesa. Kjo është arsyeja pse duhet mandati i tretë, që të gjitha gjërat që kanë ecur deri këtu të vazhdojnë të ecin e të mos kthehen mbrapa.

Të mos kthehemi mbrapa e të mos humbasim përsëri siç kemi humbur rëndom në historinë tone, duke qenë viktima të atij mitit të Kalasë së Rozafës, ndërto ditën, prish natën. Ju që jeni këtu, fronti i parë i kësaj ndeshjeje në zonën e Kombinatit, duhet t’u thoni njerëzve që ju thonë unë jam me PD-në, të vazhdojnë të jenë me PD-në, nuk ka problem. Por të jesh me PD-në e të votosh për PD-në, sot janë dy gjëra të ndryshme. Sepse në fakt, zgjedhja nuk duhet të jetë tifozllëk. Nëse ti je kombinats dhe një kampionat lagjesh bëhet në Tiranë, ti me Kombinatin do jesh edhe sikur të të rrahi Lapraka 10-0, prapë do mbetesh tifoz i Kombinatit.

Kur bën zgjedhje për kush do të drejtojë vendin e do të bëjë punët që duhen edhe ty, ky nuk mund të jetë tifozllëk. Thuajini të gjithë atyre që nuk jeni të detyruar fare ta pëlqeni Edi Ramën. Nuk ka dalë për të kërkuar nuse. Nuk ka dalë për të bërë krushqi me askënd. Nuk jeni fare të detyruar madje, as ta shikoni me sy. Nuk ia pëlqeni çitjanet, e keni kollaj fare, një klik në telekomandë dhe e fshini dhe nuk ekziston më si një problem për sytë tuaj, por këtu nuk bëhet fjalë për të pëlqyer Edi Ramën apo për të pëlqyer dikë tjetër. Ju pëlqen Luli, ta marrin, ta vënë në kornizë, ta vënë në mur si pikturë dhe ta admirojnë si imazh, po të duan edhe ta puthin në xham. Por kur vjen puna për zgjedhjen, është si puna e gomarit që zgjedh për të ngarkuar drutë. E sheh nga ngjyrat, nëse të pëlqen ngjyra e gomarit që fle, merr atë që të të ngarkojë drutë, apo merr gomarin që është në këmbë gati që të të ngarkojë drutë, pavarësisht se ka ngjyrën që nuk të pëlqen? Nëse zgjedh gomarin për të bërë një punë, merr gomarin që të bën punën, nuk je i detyruar ta pëlqesh fare. Je thjesht i interesuar ta zgjedhësh.


E kështu me radhë të gjitha kategoritë.Nëse ti ke një biznes të vogël dhe je me PD-në, do që të të vijë taksa e sheshtë? Sot e ke taksën zero, TVSH-në zero deri në vitin 2029. Fakti që këtë e kanë bërë ata që nuk të pëlqejnë ty, nuk është problem fare për ty se për ty, rëndësi ka që të mos nxjerrësh asnjë qindarkë nga xhepi dhe mos heqësh asnjë qindarkë nga buxheti i familjes tënde e nga fitimi yt për ta paguar. Nëse ti mendon se vetëm për të pasur atë që ty të pëlqen kur e sheh, ia vlen të paguash taksë, atëherë amanet mushkat, thoshin plakat labe. Nuk kemi çfarë të bëjmë, je i pashërueshëm, vazhdo paguaj taksë për të sjellë në qeveri ata që nuk bëjnë dot punën.

Nëse ti sot je një mësues, mësuese me PD-në, nuk ka problem, nuk të kërkon njeri të bëhesh me PS-në. Por thjesht të themi, shiko zgjedhjen që të intereson ty personalisht. Kush ta rriti rrogën dhe kush ta uli ty taksën. Kishe Taksën e sheshtë deri dje dhe shikoje sa paguaje nga rroga jote deri në 2013-ën për shtetin dhe sa paguan sot. Sot paguan më pak sepse Partia Socialiste ka një tjetër koncept dhe një tjetër qasje për taksat. PS-ja është kundër Taksës së sheshtë sepse Taksa e sheshtë është krijuar për të mbështetur më të pasurit në dëm të më të varfërve, për të mbështetur ata që kanë më shumë në dëm të atyre që kanë më pak. Taksa e sheshtë është që ai që ka më shumë, të paguajë më pak.

Partia Socialiste e ka ndryshe. Kush fiton më shumë, do paguajë më shumë, kush fiton më pak, do paguaj më pak.

Ti, meqënëse je me PD-në, do që të paguash më shumë? Se të ishte se PD-ja, të të vinte një taksë më të lartë e do bënte çudira për Shqipërinë, po e paguaje se me këtë taksë këta do ta bëjnë Shqipërinë lule. Po me PD-në, sa herë që njerëzit i kanë dhënë besimin, kanë marrë tramvajin e Tiranës, asgjë tjetër. Tramvajin e Tiranës në forma të ndryshme. Madje ka dhe më keq se kaq, se tramvajin e Tiranës nuk e ke, por me PD-në humb dhe atë që ke. 

Sot, ne kemi dy sfida të mëdha. Kemi sfidën e rindërtimit për ta çuar deri në fund, kemi dhe sfidën për të nxjerrë jashtë më në fund nga jetët tona armikun e padukshëm. Kush do t’i fitojë këto sfida, PD-ja me Lulin?

Ne kemi filluar vaksinimin masiv, Luli vazhdon infektimin masiv atje, mbledh njerëzit e vet më besnik dhe i vë në rrezik, sepse nuk e ka sensin e përgjegjësisë. Thjesht nuk do t’ia dijë, nuk i shkon mendja, njësoj si unë t’i thoja Belindës, ta bëjmë një [takim] të fortë sot në Kombinat, pa distanca, të mblidhet gjithëkush është me ne dhe të krijonim këtu një qendër COVID-i.

Kjo është e turpshme, e papërgjegjshme dhe kjo flet shumë. Flet për sensin e respektit që ti ke për njerëzit dhe kur t’i nuk respekton as të drejtën e mbrojtjes së jetës së njerëzve të tu më besnikë po e paguaj, nuk mund të jesh dot i besueshëm për asgjë tjetër. 

E imagjinoni dot të vijnë ata e të bëjnë rindërtimin?

Këtu ju njihni Monikën më shumë, se Monika ka qenë shumë e lidhur me Kombinatin. Ajo di të bëjë shtëpi, por di të bëjë shtëpi për vete. Ato i bën të mëdha, i bën me aq shumë banjo sa pastaj duhet të marrë macet e komshinjve që t’u ndajë nga një banjo. Por shtëpi për të tjerët harrojeni, nuk ndodh.

Nuk dinë! Luli dhe PD-ja, jo e jo. Për shtëpi pa leje, për kioska pa leje, për rrumpallë, kush do rrumpallë e ka të garantuar. E pate në mitingun hapës se çfarë rrumapalle bënë dhe ajo është mënyra sesi ata vendosen në marrëdhënie me hapësirën e përbashkët. Kur ata kanë kontrollin, hapësira e përbashkët është jashtë kontrollit. Ka qenë gjithmonë kështu dhe nuk ka për të ndryshuar, deri kur ata të ndryshojnë raportin e tyre me vetveten dhe me historinë.

Thonë, para 8 vitesh ndodhi një aksident, fitoi Edi Rama. Domethënë, para 8 vitesh, populli gaboi se duhet të mbante ata. Një aksident ku u iku mendja njerëzve dhe nuk mbajtën akoma në kurriz Saliun me gjithë taborin e atyre që sot janë krushqit e dasmës së Lulit.  Kur një parti ka humbur në atë farë feje, siç kanë humbur ata një herë, dy herë, tre herë dhe nuk kanë nxjerrë asnjë mësim, përkundrazi i thonë popullit ishte një aksident, nuk meriton fare vëmendje, nuk meriton fare të merret në konsideratë. Sepse është e qartë që nuk ka ndryshuar mendim për të këqijat që ka bërë në të shkuarën dhe ato të këqija vetëm ka për t’i përsëritur në të ardhmen, sepse i vlerëson si gjëra që janë gjërat e duhura, por që populli u tregua budalla dhe nuk i vlerësoi.

Sikur populli në 2013-ën të mos kishte ndërhyrë, Shqipëria do kishte përfunduar njësoj siç përfundoi në ’97-ën. Faktikisht ishte në buzë të një humnere kolapsi financiar nga e para. Nuk kishte më Suden dhe Vebiun, por ishte bërë vetë qeveria një piramidë dhe buxheti i shtetit ishte një gropë.

Ndërkohë, sot ne jemi në një udhëkryq në të gjitha drejtimet. Ne jemi në një udhëkryq dhe në raport me drejtësinë. Në 25 prill është populli që do të vendosë, do ta çojmë deri në fund reformën në drejtësi dhe a do ta mbështesim deri në fund drejtësinë e re që sapo ka filluar të belbëzojë, që të ketë zërin e saj dhe kur të flasi drejtësia, të mos ketë dallim dhe të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, apo të kthehemi edhe një herë mbrapa, do fillojë nga e para historia e të gjitha këto përpjekje do shkojnë dëm, siç i kanë shkuar shqiptarëve dëm në të gjithë historinë e tyre, përpjekjet e bëra kur ju ka marrë perëndia mendjen dhe kanë shkuar pas Haxhi Qamilëve dhe pas berihait të lloj – lloj honxho bonxhove dhe sharlatanëve.

Ka ndodhur në historinë tonë shpesh, pikërisht sepse mungesa e durimit, mungesa e vetëdijes se për të shkuar atje ku ëndërrojmë, duhet shumë punë, duhet shumë durim, duhet jashtëzakonisht shumë vullnet dhe nuk shkohet sa hap e mbyll sytë, ka munguar dhe ka sjellë rënien vazhdimisht mbrapsht, tamam si ai guri i Sizifit, ngjitu e ngjitu, pastaj shko poshtë dhe fillo prapë nga e para. Ndërkohë që ne nuk kemi arritur në majën që duam. Jemi rrugës. E përpjeta është e vështirë. Nuk ka asgjë të lehtë kur ecën, sidomos kur ngjitesh përpjetë, por zgjedhja është ose të vazhdojmë të ngjitemi, ose të biem prapë poshtë e të fillojmë nga e para. E të humbasim vite e vite të tëra nga e para. 

Që Shqipëria të bëhet vendi që njerëzit, e sidomos të rinjtë të mos e kenë ikjen zgjedhjen e pare, por ta keni ikjen jashtë si një zgjedhje alternative dhe Shqipërinë ta kenë një zgjedhje të mundshme të parë, duhet shumë punë dhe duhet që të vazhdojmë punët që kemi nisur në të gjitha drejtimet.

Askush nga ju nuk duhet t’u thotë atyre që i takon e të cilëve u kërkon votën se gjërat po shkojnë për mrekulli. Asgjë nuk po shkon për mrekulli. Mrekullia nuk ekziston.

Askush nuk duhet të mendojë se kur dikush të del përpara dhe është shumë i mërzitur, nuk ka të drejtë. Ka të drejtë të jetë i mërzitur, ka të drejtë të jetë i pakënaqur sepse me shumë të drejtë do më shumë e patjetër meriton më shumë, sidomos në marrëdhëniet me shtetin. Në fund të fundit, shteti duhet t’i gjendet të gjithëve e duhet të jetë në gjendje që t’i respektojë të gjithë, por a është e mundur kjo në një kohë kaq të shkurtër?

Vërtetë njerëzit shkojnë në Gjermani, në Angli, në Francë dhe shikojnë shtetin atje, por ato shtet janë ndërtuar me shekuj. Ato sisteme atje kanë marrë mundimin e durimin e gjeneratave të tëra për të ardhur këtu ku janë. Sot, për shkak se ne kemi fatin të jetojmë në një kohë ku mes nesh dhe të ardhmes ka hyrë teknologjia e lartë dixhitale, ne mund ta përshpejtojmë progresin. Nuk kemi nevojë të kalojmë etapat e shumë dekadave e të shekujve, sepse na jep mundësi teknologjia dhe hapësira e pafundme për të marrë në kohë reale dijet e të tjerëve e për t’i vënë në punë. Por përsëri kjo nuk e bën vitin muaj, muajin orë dhe orën minutë. Viti mbetet vit, muaji mbetet muaj dhe koha që na duhet nuk mund të fshihet. Koha që na duhet, na duhet. 

Në 25 prill, askush nuk duhet të mendojë se po shkon të votojë për Edi Ramën personalisht, por duhet të mendojë se po shkon të votojë për veten e vet, familjen e tij dhe për lagjen e tij. Nuk ka zgjedhje ideale, sepse nuk ekziston. Nëse unë e imagjinoj dhe e imagjinoj shpesh sesa më i mirë duhet të isha, sigurisht që më duket vetja që jam shumë larg asaj imagjinate. Nëse ju imagjinoni sesa më i mirë duhet të ishte kryeministri i Shqipërisë, sa më e mirë duhet të ishte qeveria e Shqipërisë, nuk diskutohet që ju shkoni shumë më larg seç është realiteti ynë. Ne nuk jemi të përsosur, ne nuk jemi më të mirët që mund të imagjinohen, por ne jemi e vetmja zgjedhje që garanton se më e mira do bëhet.

Vetëm një gabim nuk duhet ta bëjnë kurrë të rinjtë. Është gabimi më i madh që bën çdo vajzë dhe çdo djalë në moshën tuaj kur mendon se politika është një pocaqi me të cilën nuk duhet të merresh, kur thotë që unë nuk dua t’ia di hiç dhe kujton se kur bën këtë, shpëton. Nuk shpëton, ndihmon më të keqen. Politika nuk është e evitueshme nga jeta e njerëzve që jetojnë bashkë, sepse ka lindur pikërisht për t’i dhënë bashkësisë së njerëzve mundësinë për të vendosur rregulla që të mos jetë një bashkësi ujqish, por një bashkësi njerëzish. T’u japi mundësinë që bashkë të bëjnë gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot.

Mund ta bëjë dot rindëtimin e një pallati tekpull, dikush që ka humbur shtëpinë? Po të mblidhen të gjithë bashkë ata që kanë humbur shtëpinë në këtë pallat, a mund ta bëjnë dot nga e para?

Nuk e bëjnë dot. Për këtë ka lindur politika, që njerëzit së bashku të bëjnë gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot. Politika është ajo që mund të bëjë gjëra fantastike, por dhe ajo që mund të bëjë gjëra të tmerrshme, varet se në çfarë duarsh bie.

E nëse thua “unë nuk merrem fare”, në fakt ti je një më pak për duart e mira dhe një më shumë për duart e këqija.

Sa më pak njerez të angazhohen për t’i dhënë drejtim vendit të tyre, duke zgjedhur se kush udhëheq, aq më shumë ata njerëz vuajnë të këqijat që vijnë nga fakti se politika bie në duar të këqija. Çfarë e bën Shqipërinë sot të ketë vaksinim masiv? E bën politika, sepse përmes saj, përmes diplomacies, ne arritëm të sigurojmë fillimin e vaksinimit masiv dhe të jemi një nga dy vendet në gjithë rajonin tonë. Rreth errotull vendeve tona po bëjnë vaksinime simbolike, por nuk i kanë dozat për të bërë vaksinimin masiv.

Kush e bën këtë ndryshim? E bën politika.

Nëse do të kishit një kryeministër që flinte gjumë, nuk do të kishte vaksinim masiv sot. Nëse nuk do të kishit një qeveri që të trokiste me forcë në të gjitha dyert e mundshme dhe të krijonte të gjitha kanalet e mundshme, për të sjellë këtu vaksina nga të gjitha rrugët e mundshme, nuk do të kishte vaksinim masiv. Gjyshërit dhe gjyshet tuaja dhe tonat do të ishin akoma me ankthin e tmerrshëm se çfarë do t’i gjejë, ndërkohë që sot ata janë lehtësuar sepse ditë pas dite do të marrin vaksinën që i çliron nga antkhi dhe i nxjerr jashtë rrezikut.

Këtë e bëri politika.

Politika mund të bëjë keq, politika mund të bëjë mirë. Varet nga njerëzit, a bën keq dhe a bën mirë dhe mbi të gjitha varet nga ata që votojnë. Kush nuk voton dhe kujton se nuk po përzihet, në fakt është një më shumë në mbështetje të anës më të keqe, sepse zvogëlon masën kritike të atyre që vendosin.

Rindëtimin kush e bën?

Kush i solli gjithë ato fonde mbështeteje?

Këtu në Kombinat janë 4 shkolla të reja që po ndëtohen me fonde nga donacioni i Katarit. Erdhën vetë ata dhe e sollën se morën vesh në televizor se ra tërmet?

Jo, e solli politika, e solli diplomacia, e solli kembëngulja dhe kontaktet.

Që do të thotë që politika bën gjëra të mira kur bie në duar të mira. Ashtu sikundër, nëse nuk do të kishim siguruar ato fonde, nuk do ishin duke u ndërtuar shkolla në Kombinat. Fondet tona që kemi angazhuar për ndëtimin shtëpive dhe të apartamenteve - sepse shtëpitë dhe aparatmentet në Kombinat po ndërtohen me fondet tona, - nuk janë të mjaftueshme për t’i bërë të gjitha dhe shkollat e Kombinatit nuk do të rindërtoheshin, ose do të rindëtoheshin pas kushedi sa vitesh, nëse kryeministri do ishte duke fjetur gjumë, në qoftë se qeveria do ishte duke fjetur gjumë. Ndërkohë, pikerisht pse njerezit na votuan, pikërisht pse njerezit na e dhanë ne mundësinë për të qënë në krye të vendit, edhe në luftën kundër COVID-it, ne jemi përpara shumë të tjerëve në këtë rajon. Nuk po krahasohem me Amerikën se nuk kemi sesi, edhe pse ne raport me COVID-in, unë besoj se ne kemi qëndruar me dinjitet dhe të tjerët nuk besoj se kanë bërë ndonjë çudi më të madhe. Ne po fitojmë edhe betejen e çdo familjeje për të patur një shtëpi më të mire, më të forte, më të bukur.

Zgjedhja bëhet për vete, jo për t’i gjetur një punë Edi Ramës, Belindës, apo kujtdo qoftë. Që ti ve pikën, të gjithë ju që jeni këtu dhe të gjithë banorët dhe banoret e Kombinatit duhet të dini që keni mundësinë të zgjidhni një nga njerëzit me energjikë dhe më kokëfortë, - më besoni për këtë, - që nuk dorëzohet kurrë, që është Belinda dhe që nuk i harron kurrë të tjerët, që është gjithmonë aty, për të bërë aq sa mundet me gjithçka mundet.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë me gjithçka sa mundemi. Nuk bëjmë dot aq sa duam, por bëjmë aq sa mundemi. E nëse mundemi, nuk e lëmë pa bërë. Kjo është pak, por e sigurt.

Ne nuk kemi asnjë krahasim me ata të tjerët. Unë nuk e di si janë ndarë deputetët e tyre, por këtu e di që është njëri, përfaqësues i rinisë demokratike dhe e vetmja gjë që më lidh me emrin e tij janë vetëm të sharat. Di vetëm të shajë si llaxorja më e lodhur e lagjes që nuk ngopet duke sharë. Por nuk ja vlen të merremi me të këtu.

Parafytyroni të gjithë familjet e Tiranës që për gjithë këto sfida zgjedhin atë skuadër ku është fallxhorja e famshme e Kombinatit, Monika, ku është Fatmir Mediu, ai i kapsollave të Gërdecit që nuk e di sa shtëpi hodhi në erë atje dhe do të ndërtojë shtëpitë këtu. Një skuadër ku është Shpëtim Idrizi, është Vangjel Dulja, është Mesila, është Dash Shehid.m.th, një konglomeratë fosilesh, përpara se ju të lindnit.

Këta kanë patur detyra në shtet, kanë qenë ministra, zëvendeskryeministra, kanë qenë figura të larta kur ju s’kishit lindur akoma. Imagjinoni që të votoni ata. Çfarë mund të bëjnë ata, ndryshe nga çkanë bërë në të shkuarën, kur tani janë aty vetëm për inercinë e dikujt që jep shpirt, por nuk heq dorë.

Zgjedhja është shumë e qartë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm