Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Misioni ynë është ta ngjisim Shqipërinë në majën ku i takon

Të reja

Misioni ynë është ta ngjisim Shqipërinë në majën ku i takon

21 Apr 2021    

Takimi në Njësinë 2, Tiranë – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit!

Kush nuk lodhet kur punon dhe kur  ka barrë të madhe për të mbajtur jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Nuk besoj se ka ndonjë prind që nuk lodhet, nuk besoj se nuk ka ndonjë grua, bashkëshorte që nuk lodhet. Por unë nuk besoj po ashtu se ka ndonjë prind, ndonjë nënë, ndonjë babë që të nesërmen nuk ngrihet herët në mëngjes, për të vazhduar përsëri të punojë pa u lodhur, deri sa në fund të ditës së gjatë të ndihet përsëri  i lodhur, e përsëri bën të njëjtën gjë. Dhe ne këtu, sot, natyrisht që kemi shumë arsye për t’i thënë vetes ulemi e bëjmë muhabet, le ta lëmë këtë punë se u lodhëm, ulemi se në fund të fundit shumë kemi bërë, shumë jemi lodhur dhe e meritojmë që të bëjmë pushim. Por siç prindërit në një familje nuk mund ta bëjnë kurrë këtë, as ne nuk kemi të drejtë që te flasim me gjuhën e lodhjes, të flasim me gjuhën e pakënaqësisë, të flasim me gjuhën e mërzisë.

Unë jam i pakënaqur. Kush nuk është i pakënaqur, nuk ka asnjë shans që të gjejë motive për të vazhduar përpara. Në këtë moment ndahen edhe njerëzit, në këtë moment ndahen e karakteret mes atyre që janë të pakënaqur dhe prandaj vazhdojnë me këmbëngulje përpara, dhe mes atyre që janë të pakënaqur edhe ulen. Mes atyre që janë të kënaqur për lartësinë që kanë arritur dhe duan me çdo kusht të arrijnë majën që i kanë vënë objektiv vetes dhe atyre që arrijnë deri në një lartësi dhe pastaj dëgjojnë këmbët që thonë “u lodhëm”, dëgjojnë zemrën që thotë “po plas”, dëgjojnë mendjen që thotë “gjej një rrugë të shkurtër, boll”.

Sot, më shumë se kurrë po vihet në provë karakteri ynë. Si mund të themi ne boll kur jemi duke vazhduar një luftë të egër në dy fronte, për t’i fshirë të gjitha gjurmët e një tërmeti që do kishte gjunjëzuar një elefant, por ne nuk na gjunjëzoi dhe për të dalë nga tuneli i një pandemie që gjunjëzoi gjithë botën. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk jemi as më të pasurit, as ndër më të zhvilluarit, as ndër më të mëdhenjtë e këtij kontinenti, por sot jemi në fashën e parë, bashkë me të tjerë që janë shumë më të mëdhenj se ne, për ritmin e vaksinimit dhe ritmin e daljes nga tuneli i pandemisë.

Si mund të dëgjojmë atë zërin e brendshëm që gjithmonë e shoqëron njeriun, shoqëron çdo komunitet, çdo shoqëri, çdo komb, në momente kur testohet karakteri, kur sprovohet vendosmëria, kur sfidohet kurajoja dhe durimi? E kemi bërë ne shqiptarët dhe jo njëherë, në historinë tonë, mëkatin e dëgjimit të këtij zëri të brendshëm, që vjen përpara nesh përmes korrierëve që kanë trajta të ndryshme në kohë të ndryshme, me emra të ndryshëm, për arsye të ndryshme. Por që të gjithë na ftojnë të bëjmë të njëjtën gjë, të gjejmë një rrugë të shkurtër. T’i shmangemi sfidës së vështirë, të mos vazhdojë ngjitjen, por të fillojmë rrëshqitjen. Të mos e shohim sfidën tonë në sy, por të bëjmë hile, të bëjmë skuthin.

Kështu ka ndodhur në momentet kur shoqëria shqiptare është sfiduar nga prova të forta dhe në një moment të caktuar është dorëzuar, duke ja lënë fatin në dorë këtyre lloj korrierëve. Një korrier i tillë ishte Haxhi Qamili. I gjeti shqiptarët në një moment kur ata ishin të mërzitur, të çoroditur, të lodhur. Ata donin patjetër një udhëheqës, një drejtim. I mori i çoi mbas berihait, me mblidhuni t’i biem një rrugë të shkurtër, që do na nxjerrë aty ku jeta është fushë me lule. Dhe ajo që ndodhi ishte katastrofike.

Kështu ndodhi edhe në momente të tjera më pas, por përpara Haxhi Qamilit.

Rrapush Xhaferi ishte një tjetër korrier që foli me shqiptarët përmes të njëjtit zë, zërit që na fton ta marrim lehtë. Zërit që na fton t’i biem shkurt. Zërit që na fton t’i nënshtrohemi atij cinizmit që e shohim dhe e dëgjojmë çdo ditë në të gjitha kanalet, portalet. Pasqyrat ku gati nuk na e thonë troç, “nuk bëhet ky vend”, “kapim ça të kapim”. Rrapush Xhaferri, me autokolona makinash që xhironin goma, bridhte në gjithë Shqipërinë. E prisnin me valle e këngë se iu dha lirinë, ju tha më jep një, ju jap dy, më jepni dy, ju jap katër. Lujtën mendsh e shitën bagëti, shitën shtëpi dhe i çaun tek Rrapushi të gjitha. Ishte Saliu që e kishte bekuar Rrapushin, Suden, Vehbiun dhe u tha shqiptarëve janë bankat që solli demokracia, janë para të pastra, futini lekët. Jep një, merr dy dhe kur u mbush kupa e budallëkut, doli Sudja e tha “mbaroi loja”. Dy gishta në sy, u qërua gjithë Shqipëria, u bënë shqiptarët si pula qorre që hidheshin përpjetë, të rrethuar nga zjarri që e ndezën vetë.

Luli është korrieri i radhës që përcjell po atë zë që vjen nga thellë brenda nesh, që gjithë historinë tonë na ka penguar si shqiptarë që të ngjitemi në majën ku na ka parë Zoti kur ka bërë Shqipërinë. Shikoni rreth e rrotull. Një vend kaq i vogël që i ka të gjitha. Një vend kaq i vogël që preket nga dy dete, njëri më i bukur se tjetri. Një vend kaq i vogël që ka majat e maleve me dëborë gjatë gjithë vitit dhe ka brigjet fantastike, jo vetëm të deteve, por edhe të aq shumë lumenjve që e përshkojnë në trupin e tij, brenda të cilit janë përralla e kodrina të pafundme, pyje të mrekullueshme me liqene të panumërta. Unë mendoj që Zoti Shqipërinë e ka bërë ditën e diel kur ka qenë pushim. Nuk ka pasur shumë punë të tjera dhe ka thënë po e bëj për telha këtë vend. Por e ka penguar Shqipërinë që të jetë sot, në majën ku shqiptarët mund të ngjiten duke shfrytëzuar për njëri tjetrin, me njëri-tjetrin, për të mirën e tyre, të familjes së tyre gjithë këtë pasuri që ia ka dhënë zoti, dora e mbrapshtë e robit, që është vënë në lëvizje sepse vetë ne kemi rënë pre e atij zërit që na thotë është më e lehtë kjo punë, më jepni votën dhe jua bëj jetën fushë me lule.

Luli është Rrapushi me një pamje tjetër, që nuk vjen si shpëtimtar i vetëm, por me të njëjtën autokolonë, me një ndryshim; autokolona e Rrapushit kishte makina të vjetra, autokolona e Lulit kushton 4-5 milionë euro. Ju e dini se na i kanë thënë patronazhistët dhe patronazhistëve nuk i shpëton asnjë gjë. Brenda atyre makinave me xhama të zinj, që çojnë dhëndrin rrugëve të Shqipërisë, janë ata që mezi presin 25 prillin për të rihapur bingot! Me emër dhe mbiemër ua ka premtuar bingot nga e para.

Luli në fakt jetën e ka pas fjollë. S’ka bërë një punë deri më sot dhe vetëm është ngjitur e ngjitur si ajo kukulla që e mbajnë me të mira. E gjeti Saliu kukullën që t’ua nxjerrë shqiptarëve përpara dhe t’u thotë “Partie e Re Demokratike”. Mirë Saliu, u bashkua edhe krushku tjetër, Iliri. Janë dy. E kurdisin kukullën, sipas rastit dhe dëshirës. Edhe Luli njëherë bëhet Batman që thotë do kërcej tek çatia e Kryeministrisë, do ta marrim pa zgjedhje, sepse populli e ka vendosur. I mblidhen gjithë spiderman-at që turren nëpër mure dhe lënë pas ndotjen e jo mureve, por të imazhit të Shqipërisë. Dhe po ky batman bëhet barbi me flokë të zeza që shkon kudo edhe ju këndon ninullat e jetës së re që do vijnë mjafton që ju t’i jepni atë të shkretë vote.

Doja të numëroja rast pas rasti viktimat potenciale të këtij zëri që të thotë se jeta është shumë e bukur, mjafton t’i më japësh votën. S’po e bëj të gjithë zinxhirin, po ndalem tek të gjithë tregtarët e Pazarit të Ri e tek të gjithë tregtarët e Shqipërisë. Se nuk diskutohet, këtu ka të majtë, këtu ka të djathtë. Të gjithë këtu e kanë taksën zero sot. Edhe TVSH-në e kanë zero. Më thoni ç’tregtar është që të bësh llogarinë dhe llogaria të dalë që e ke taksën zero, TVSH-në e ke zero dhe votën ja jep Lulit që ta bëj, ai thotë “0.5”?

Dhe nuk është 0.5, se Luli është një lloj dardhe që bishtin e ka mbrapa. Se dardhën e Lulit e ka provuar Tirana. Ju kujtohet kur shkonte te furra e bukës atje te rruga e Elbasanit, i thoshte furrxhiut “më shih në sy, do vij prapë, ne do ta ulim çmimin e bukës. Ndërkohë i thoshte edhe ti do fitosh më shumë. Si do fitonte më shumë duke ulur ky çmimin e bukës? Do ul çmimin e bukës se e ka rritur Edi Rama. Se ç’punë kisha unë me çmimin e bukës! I kthehej edhe atij që do blinte bukën, ti do ta paguash më lirë dhe do hash më shumë bukë. D.m.th. ky do ta shiste më lire dhe do fitonte më shumë. Ai do hante më shumë bukë, do paguante më pak. E gjen dot njeri këtë ekuacion?

Kur ne vumë taksën zero, e vumë shumë përpara. Hyri në fuqi në janar edhe unë bëja gjëegjëza me Lalin e këta të tjerët, u thosha, që ky do bëjë një premtim më të, po jam shumë kurioz si do ta uli poshtë zeros. E uli! E dëgjoni se çfarë thotë? Do t’ju jap1000 euro në muaj çdo biznesi të vogël. Ou, Rapushi...Ti më jep votën, unë të jap1000 euro në muaj! Duhet të jesh vërtetë një njeri që të harrosh sesi e ke hap dyqanin, si e mban atë dyqan, si lufton përditë për atë dyqan që t’ia bësh hallall të djathtës gjithë këto të papritura që të presin rrugës. Se Tirona e ka provuar 4 vjet, lloci, filluan prapë gropat, dolën prapë plehrat, fillon të gërhasë qyteti që vraponte e vraponte. Shumë njerëz thonë që “nuk do kthehet prapë mbrapa kjo punë”. Nuk do kthehet prapë mbrapa? Do dalin prapë ata të bingove do hapin bingon. Do vinë ata drejtorët e policisë që nxirrnin nëpër prita oficerët e policisë që vriteshin e i nxirrnin nëpër prita se lajmëronin përpara kriminelët që shkonin forcat speciale për t’i kapur.  Sa funerale kemi bërë këtu tek njësia 2 të oficerëve të policisë që kemi shkuar t’i nderojmë aty te SHQUP.

Kush i vriste ata që gjendeshin komplet zbuluar përballë kriminelëve? I vriste tradhtia. Tradhtia e kujt? Tradhtia e atyre që janë në ato makina brenda, që organizojnë autokolonën, që organizojnë fushatat. Duan të kthehen prapë. Aty brenda janë gjithfarë lloj hajdutësh të doganave, tatimeve, duan të kthehen prapë. Po si mendoni ju, ju mendoni që nëse ndodh ajo që nuk ka për të ndodhur, por nëse ndodh që ata të kthehen; po do kthehen me kuç e me maç, se Luli deri aty e ka misionin.

Luli pastaj i thonë “Gjino, ik tani” e do dalin ata të dy, dy bishtat e dardhës, Saliu me Liken, bashkë me atë të zezën e farave që është përpara, Monika, e keni parasysh atë pjesën aty? E pra, dalin ata pastaj nuk ka më punë Luli i shkretë.

Luli është kukull e kurdisur, dhëndri për të shkuar për nuse. Imagjino të bësh një dasëm e nuk të vjen dhëndri fare e të vijnë dy krushq, Saliun me Liken t’i kesh krushq përballë e të të thonë “Erdhën ta marrim gocën”. “Ku është Dhëndri?” “Po fle”. Ne duhet të vazhdojmë dhe Tirana është në një test të madh karakteri, qytetarët e Tiranës.

Ka njëmijë e një gjëra që nuk shkojnë në Tiranë, patjetër, se po të shkonin të gjitha për çfarë duhem unë këtu, për çfarë duhej Lali, për çfarë duheshim ne, por duke parë sesa shumë gjëra janë bërë dhe sa shumë janë tani që flasim duke u bërë. Ndërkohë që ne jemi këtu, janë 100 kantiere në punë. Të ndërpresësh këtë rrugë, të ndërpresësh ngjitjen për t’i hapur rrugë marrëzisë që gjithmonë i ka kapur nga poshtë këmbët Shqipërisë dhe shqiptarëve pikërisht aty kur duhej ndarë të ngjitemi më lart duke i provuar vetes se ne mundemi apo tak rrugën e shkurtër.

Nuk e ka popull tjetër, në asnjë gjuhë tjetër, të paktën mesa unë kam kërkuar, nuk e ka shprehjen e popullit shqiptar “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”. I ka ardhur në majë të hundës popullit të shkretë dhe e ka nxjerrë këtë porosi; mos i bini shkurt se ju nxjerr gjatë.

Nëse gjërat që ne kemi bërë do ishin bërë shumë vite më parë, nëse reformat që ne kemi nisur do ishin nisur shumë vite më parë, sot do ishim duke bërë biseda të tjera padiskutim.

Por pikërisht se nuk u bënë duke i rënë shkurt e duke i rënë shkurt, ne mbetëm larg asaj maje ku është misioni ynë ta ngjisim Shqipërinë.

Foli Beni për votuesit për herë të parë dhe unë i them votuesve për herë të parë një gjë shumë të thjesht. 99,99% e juaja i keni prindërit të panjohur, njerëz të zakonshëm që me shumë sakrifica ju mbajnë dhe me shumë sakrifica duan që ju të shkoni në universitet.

I keni prindërit që nuk kanë mundësi te paguajnë. E pra, ne kemi vendosur për ju themelin e një rruge ku askush prej jush, nuk parakalohet dot për të hyrë në universitet nga djali i një ministri, nga vajza e një politikani, nga fëmijët e një biznesmeni sepse kush e meriton i pari, hyn i pari.

Por të jeni të bindur, të gjithë ju që jeni votues për herë të parë, pavarësisht se jeni nga familje të majta dhe të djathta, se vota tjetërkund, përveçse tek 12, është votë kundër vetes sepse do t’jua prishin atë sistem që ka mundësuar që prej kaq vitesh të mos kemi asnjë ankesë për hyrjen në universitet sepse i gjithë sistemi është jashtë kontrollit të robit.

As unë, asnjë ministër, asnjë deputet, askush nuk e fut dot një nxënës pa meritë në një fakultet, pse? Sepse të tjerët e shohin dhe të tjerët e dinë nga sistemi që u del në telefon që ky nuk është këtu, nga erdhi ky, kujt ia zuri vendin? Është e pamundur! Të votosh tani për të rihapur rrugën e shkurtër që të nxjerr gjatë, duke qenë fëmija i një prindi që nuk ka akses do të thotë t’i biesh vetes, ndërsa të mos votosh do të thotë të bësh një gabim fëminor. Ideja që unë nuk po votoj e këta të bëjnë cfarë të duan ëshët ideja më idiote sepse voton ti, nuk voton ti, merresh ti apo nuk merresh ti, do t’ia dish ti apo nuk do t’ia dish  ti për politikën, politika merret me ty gjithë ditën sepse janë vendimet e politikës që e përcaktojnë rrugën e vendit dhe rrugën tënde në sektorin ku ti je.

Janë vendimet e politikës që bëjnë që nxënësit e shkollave në Shqipëri ose të shkojnë në shkollë e të mësojnë me librat e Fahri Balliut e Bahri Falliut, siç mësonin deri dje ose të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë me librat e Cambridge, Oxford dhe Pearson siç mësojnë sot.

Janë vendimet e politikës që i hapin universitetet për t’i rrjepur prindërit e për t’u dhënë fëmijëve diploma falco, diploma pa vlerë, duke i gënjyer të gjithë me iluzionin se do bëhen të gjithë juristë e pastaj ngelin të gjithë pa punë kafeneve. Janë vendimet e politikës që u thonë stop atyre universiteteve dhe që u hapin rrugë meritës për të shkuar në universitet.

Natyrisht, unë nuk jam këtu duke thënë se çdo gjë shkon mirë. Absolutisht jo! Pikërisht se shumë gjëra nuk shkojnë akoma mirë, jemi ne këtu.

Pikërisht se shumë gjëra që nuk shkojnë mirë duhet të rregullohet, duhet votuar 12.

[Ti shikon filxhan më duket.Më thuaj, çfarë tersi është 9? E di pse është ters 9? Se bëhet 6 dhe prandaj nuk ia ka gjetur robi. Ato sytë e bardhë ngulja atyre që kruhen me patronazhistët që të mos guxojnë të dalin nga shtëpia.]

Prandaj robi nuk ia gjeti kurrë kësaj pune. Është 6, bëhet 9. Është 9, bëhet 6 e prandaj 69 është numri i djallit. Votove 9, të vjen 6, votove 6 të vjen 9 dhe shkon puna në djall, kur i thonë muhabetit. Merreni seriozisht, nuk është lojë, është serioze dhe shiheni 6 kush e ka? Mona.

Kush e ka nëntën? Luli. Rrotullohen ato bëhet gjashtëdhjetenëntë dhe të del Iliri me Saliun. Mbaroi magjia, të hedhin sirën e pastaj takohemi tek tramvaji i Tiranës.

Maja nuk është më e padukshme, maja duket, por natyrisht duhet shumë forcë për tu ngjitur e kur ju them për ato portat nga qielli e për ato portat nga deti, flas për investime që nuk janë parë ndonjëherë këtu, të cilat bëhen sot, nuk bëheshin dot dje. E dëgjuat Babaramon tek qafa e pazarit, “pse nuk i bëre ti këto që në fillim?”

Po ku ti bëje? Ku ta sillje këtu kompaninë që ka ndërtuar Dubain në një vend ku nuk kishte semaforë? Në një vend ku policët e shkretë rrinin nëpër udhëkryqe e hanin fara luledielli dhe i binin xhamit, tak-tak, kaq për mua, kaq për shefin. Ku ta sillje këtu kompaninë që fillon brenda qershorit kantierin për ta bërë Durrësin portin më të madh turistik të Mesdheut kur këtu gjysma paguante, gjysma nuk paguante energjinë? Kur këtu shifrat e kriminalitetin ishin ukubet, se flasin këta për kriminalitetin. 112 vrasje brenda vitit. 112 në kohën kur morëm detyrën. Ku ta sillje këtu? ku ti sillje këtu investitorët që bëjnë ndryshimin? Ku ta hapje? Si ta hapje aeroportin e Kukësit këtu, për ta bërë aeroport ndërkombëtar? Sepse përtej të gjithave kur të sillje këtu ata që investojnë miliarda, duhet tu tregosh, dakord, deti shumë i bukur, dielli i mrekullueshëm p or këta njerëz që do vijnë, ku do shkojnë? Në cilin qytet do shkojnë? Kur erdhëm ne në krye të detyrës qytetet ishin parkingje e konvikte. Njerëzit shkonin në punë, ktheheshin në shtëpi, rrinin në shtëpi, nuk dilnin në darkë se nuk kishin ku të dilnin, kishin vetëm gropa dhe sheshet e qyteteve ishin vetëm parkingje makinash. Si do vinin njerëzit të investojnë? Kush janë ata turistë që do dyndeshin në Shqipëri siç do dynden tani kur këto projekte të marrin jetë e prandaj unë them, është koha që sot ne jo ta ëndërrojmë por ta shikojmë që Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm është në dorën tonë. Shqipëria kampione e Ballkanit është në dorën tonë. Shqipëria kampione e Ballkanit në energji është në dorën tonë. Një vend i bekuar që ka gjithë këto burime dhe që kaloi 30 vjet, 25 vjet duke vjedhur energjinë e duke hyrë e duk hyrë në gropë borxhesh, sot është gati ti kalojë në një nivel krejt tjetër, me dy parqet e prodhimit të energjisë diellore, njëri që ka filluar në Karavasta, tjetri që fillon së shpejti në Spitallë me kompaninë e madhe franceze Voltalia, me Skavicën që ka qysh në kohën e projektit për kaskadën e Drinit që ka mbetur ëndërr në sirtar e që sot, falë marrëveshjes me qeverinë amerikane e një kompanie nga më të mëdhatë e botës do bëhet realitet dhe me Skavicën nuk ka më ka shumë shi, hap derën, mblidhe ujin. Nuk ka shi, dil dhe bli me euro si frëngu pulën energjinë. Me Skavicën, çdo pikë uji që bie grumbullohet aty dhe rri aty. Është rezervuari që balancon gjithë sistemin tonë hidroenergjetik dhe kur ka shumë shi, uji mblidhet. Kur nuk ka dhe është thatësirë, uji është aty e kur është aty më shumë se sa na duhet, ua shesim të tjerëve dhe me TEC-in e Vlorës që bëhet porta hyrëse e gazit të lëngshëm në Shqipëri, që hap një tjetër perspektivë Shqipërisë së 2030, me gazifikimin që do të uli shumë ndjeshëm pastaj koston e familjarëve për ngrohje, ne faktikisht hyjmë në një nivel tjetër e këto nuk janë çfarë duhet bërë, këto janë projekte konkrete për të cilat po punohet, janë kompanitë, janë financimet.

Ne sot kemi 400 milionë eksporte bujqësore, kishim vetëm 100 milionë. Eksportonim gjithë ky det, eksportonim 18 milionë peshk, prodhime deti, jashtë shtetit. Sot jemi mbi 100 milionë, do shkojmë 200 milionë dhe prodhimet bujqësore do ti çojmë mbi 1 miliard. Sot punohet dyfishi i tokës në bujqësi, që punohej para se ne të merrnim detyrën. Pse? Se të gjitha kanalet kulluese ishin lënë në mëshirë të fatiti, ishin mbushur me të gjithë llumin e gjithë tranzicionit të gjatë e kush e krijoi atë llum? E krijuan ata që i keni përballë. Se ne flasim për Lulin e shkretë por aty është një hata e madhe se është Saliu me Ilirin, ata kanë hall tjetër, kanë hallin e drejtësisë. Por aty është gjithë ai tabori me faqore, me qepë. Doni të vijë prapë era qepë dhe era qoftë në Tiranë? Votoni atje e do shihni që Lali do vijë vërdallë e nuk do dijë ku të ndalojë, do ta pësojë si puna ime. Do ta pësojë njësoj si puna ime. E mbani mend çfarë bëri gjënë e parë? Shkoi dhe prishi Zogun e Zi. Urdhëro tani, se e thoja atëherë, kjo duhet bërë sot, që të përballojë trafikun që vjen domosdoshmërish mbas 10 vitesh. Shiheni tani. Ajo vepra e madhe që po bëhet tek Shqiponja do lehtësojë shumë, por prapë, shiheni tek Zogu i Zi si ndodh. E pse shkoi ta prishte? Se nuk kanë lidhje këta me qytetin, nuk kanë lidhje me të bukurën. “Fasada” thonë. Po mirë more Lul, meqë fasada qenka kot, mos e përdor xhelin, lëri flokët pa krehur.

Pazari i ri këtu ishte, por nuk afrohej njeri. Shiko tani, duket sikur është një treg në Kopenhagen, njësoj. Është kënaqësi të rrish, edhe kur s’ke për të blerë, të ulesh e të rrish.

 U them qytetarëve të Tiranës sidomos atyre që thonë ‘unë jam i djathtë’, mos bëj gabim të shkosh pas berihait se do qelbet Tirana prapë. Sa herë e morën Tiranën, e qelbën, e mbushën me plehra, me gropa. Më tregoni një shkollë, që e bënë ata. Një, jo qindra siç kemi bërë ne. Nuk po flas për kopshte se kopshtet ishin qamet i zi. Sot ka ardhur dita që lista e kërkesave për në kopshte është më e madhe se kapacitetet. Dje nuk i çonin prindërit fëmijët në kopsht, se ku t’i çonin? Unë e gjeta kopshtin zoologjik në Tiranë me luanë që hanin karota dhe patate. E bëmë luanin me fol me vete, ishte bërë luani si lepur. Se harroj drejtoreshën kur tha i ha lani, se kështu ka qenë situata, ia hoqëm mishin tha se ua jepnin këtyre banorëve të varfër pastaj tha u dhamë bukë. Luanesha kishte mbaruar komplet. Luanit i kishin rënë flokët. Luan që i bien flokët unë nuk kisha parë ndonjëherë. Ia kishin sjellë Saliut, sulltani i Brunejt, dhuratë dhe mbaj mend e nxorën te Rilindja Demokratike “Demokracia, luanët zbresin në Shqipëri”. I morën i futën atje dhe i bënë lepuj luanët. Ia kishin shtruar dhe kafazin me pllaka banjoje luanit. Ata nuk ecnin dot se rrëshqisnin si pantera roza.

Çfarë të djathtësh janë këta tironsit? Do luftojmë komunizmin akoma. Çfarë komunizmi po luftoni? Piramidën e Enverit po e bëjmë qendër inovacioni për të gjithë djemtë dhe vajzat tuaj, ku do mësojnë gjuhën e kompjuterit, do mësojnë kodimet, do hyjnë të punësohen në tregun e madh on line e do marrin 1 mijë euro, 2 mijë, 3 mijë euro, sipas zotësisë së yre.

Çfarë komunizmi po luftoni ju? Unë jam i bindur tanimë që Partia Demokratike është e mallkuar nga Enver Hoxha. Mallkimi i Enver Hoxhës i ka lënë në kurriz Saliun dhe nuk ngrenë kokë ata, janë bërë qesharakë.

Nisën me makina e xhirojnë goma e pastaj thonë po vjen ndryshimi. Cili ndryshim po vjen? Nuk ka në Shqipëri ndryshim për t’u kthyer mbrapa.

Në 25 prill, shqiptarët në shumicë do votojnë 12 e pavarësisë, do votojnë 12 e yjeve të Europës, do të votojnë 12 e lindjes së Partisë Socialiste, do votojnë mandatit të tretë se 7x7 bëjnë 42, por 4x3 bëjnë 12.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm