Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mandati i tretë i Partisë Socialiste është për të çuar deri në fund reformat e nisura për Shqipërinë e të ardhmes

Të reja

Mandati i tretë i Partisë Socialiste është për të çuar deri në fund reformat e nisura për Shqipërinë e të ardhmes

25 Mar 2021    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në çeljen e fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit:

Duke ardhur nga vendi atje dhe duke e pasur shumë të qartë se çfarë përballje me temperarturën e ulët po kalonin të gjithë, e marr me mend shumë mire se çfarë po mendoni në këto momente; Kush duron tani dhe sa të mbarojë ky që kur fillon flet nuk mbaron.

Megjithatë, prandaj jemi bashkë, që vuajtjet t’i kalojmë bashkë, edhe pse në këtë rast, unë jam sidoqoftë në këmbë dhe duke lëvizur, kurse ju do vazhdoni të qëndroni ulur pa lëvizur.

Sot, ne nisim në fakt, fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të pare, sepse ndryshe nga ç’ndodhte në të shkuarën, ne qysh prej ditës së parë kemi qenë në lëvizje të vazhdueshme dhe në përpjekje të vazhdueshme, pa pushim. Por sot, zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ne jemi këtu, të gjithë së bashku, për të respektuar me mish e me shpirt këtë moment ku demokracia na imponon daljen përpara popullit, të themi çfarë ne mendojmë se kemi bërë dhe të ndajmë me njerëzit atë që ne besojmë se do të bëjmë.

Në një moment si ky sot, ne që jemi mësuar të kalojmë përmes këtyre detyrimeve që janë dhe një nga pjesët më të bukura të jetës politike, kur shkon tek njerëzit, je me njerëzit dhe së bashku me njerëzit ndan energjinë e madhe që prodhon një ndeshje, jemi faktikisht çuditshëm.

Jemi çuditshëm sepse e tillë është koha dhe ndryshe nga herët e tjera jemi këtu, duke bërë përpjekjen tonë serioze që në ndërkohë që bëjmë detyrën, të respektojmë edhe rregullat e kësaj kohe.

Besoj që bëjmë shumë mire, ashtu sikundër besoj që në këtë veçori të vetën, të paparë më parë dhe të papërsëritshme, uroj që në pjesën tjetër tjëtër të jetës sonë që vjen ta shohim si një moment që na jep mundësinë të bëjmë një fushatë ku jo vetëm flasim, por edhe dëgjohemi, ku fjala peshon shumë më tepër sesa gjuajtja e saj përballë një turme të madhe dhe ku njerëzve u jepet mundësia të ndjekin me kujdes dhe qetësi ato që ne themi.

Është një sfidë në vete e gjitha kjo. E unë besoj se ne kemi mundësinë që në këtë sfidë të bëjmë një dallim shumë të madh. Një dallim shumë të madh që po e bëjmë edhe sot.

Sot, ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina në një ekran televizori të ndarë. Mjafton të shikosh dy kartolinat për të kuptuar dhe padëgjuar shumë, ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin.

Këtu ka respekt për shtetin, këtu ka respekt për ligjin, këtu ka respekt për rregullat që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar dhe mbi të gjitha, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit.

Kjo është fytyra e fushatës sonë. 

Fytyra e fushtës së tyre është krejt tjetër.

Këtu ka përgjeshmëri qytetare, njerëzore, familjare. Atje sundon papërgjegjshmëria në atë kartolinën e tyre.

Këtu, shëndeti i të gjithë njerëzve është edhe një here, si çdo ditë, mbi gjithçka tjetër dhe mbi partinë, patjetër. Ndërsa atje, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. Këtu ka respekt për mjedisin, për hapësirën dhe për ajrin. Atje ka ndotje dhe ka zhurmë.

Sesi mund të mblidhen në këtë kohë, ku në fund të fundit, dallimin e madh mes përgjegjësisë dhe mungesës së saj e bën një akt fare i thjeshtë, që është akti i të qenit të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për shëndetin dhe mbi të gjithë të qenurit respektues ndaj kryeqytetit. Me makina dhe me dasmorë që kanë vërë përpara një dhëndër, i cili vonohet një orë.

Merreni me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë një orë në të ftohtë njerëzit që i mbledh vetë. Natyrisht po flinte gjumë. Ҫuditërisht, takimin e la në orën 5. Ajo nuk është një orë për Lulin që njerëzit të dalë dhe t’i presë, ajo është një orë për t’u zgjuar.

Përtej kësaj, këtu ka dëshirë për të folur me fjalë se në fund të fundit, njeriun nga kafsha fjala e ndan. Atje, në mungesë të dhëndrit, dasmorët dëgjonin britma, klithma, pasthirrma. Një këtu e një atje, një andej e një këtej.

Si mund të pretendohet në shekullin e 21-të, në vitin 2021, që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri e të qeveriset me britma, klithma, pasthirrma!

Atyre që shikojnë këto dy kartolina u them se, nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend, nëse ata do të vinin përsëri në krye, shikoni sheshin “Nënë Tereza”; bllokim total dhe ngatërrim me këmbët e veta i secilit ndërkohë që ai që duhet t’u lehtësojë qarkullimin është në fakt kapësi për këmbësh i të gjithë atyre.

Faktikisht, po të shikojmë vonesën, është shumë domemthënëse. Sepse ata janë shkaktarët e të gjitha vonesave të këtij vendi, madje dhe të fillimit me pak vonesë të takimit tonë.  Gjithmonë ka pasur një traditë, në një orë njëri, në një orë tjetri, ndërkohë që sot nuk u mor vesh se ka tre ditë që ndërrojnë orën. Ne lëshojmë orën dhe ikim te ora tjetër, ata vijnë të ora jonë, ne shkojmë te ora tjetër, ata vijnë te ora jonë e prapë së prapë na vonuan pak minuta. Po pak minuta vonesë për ne janë shumë. Ne nuk jemi mësuar të vonohemi sepse Shqipëria është vonuar shumë për shkak të tyre dhe arsyeja se ne kemi marrë dy mandate dhe do të marrim dhe mandatin e tretë është se Shqipëria nuk mund të vonohet më prej tyre.

Këtu ka qytetari, ka shije, një përmasë njerëzore të të qenurit të bashku dhe të dëshirës për të qenë së bashku mundësisht me të gjithë shqiptarët, por patjetër me shumicën e sqhiptarëve. Në këtë kartolinë, shqiptarët që na ndjekin dhe meqe ra fjala, për ata që nuk e dinë janë rreth 20 mijë që akutlisht janë me ne këtu, përmesë Facebook-ut, shikojnë disa njerëz të mbledhur me kujdes, me distance, me vetëdije për kohën që jetojmë dhe në anën tjetër shikojnë diçka që është shumë e vështirë të  dëshifrohet  deri në fund. Sesi mund të ndodh kur sot, në hartën e Europës, treçereku i vendeve janë me ngjyrë të kuqe, të mbyllura në çdo aktivitet të tyre. Unë isha në Paris, ishte një qytet fantazëm. As dyqane, as ristorante, as grumbullime. Absolutisht asgjë! Të gjithë në shtëpi. Dhe kështu janë kudo rreth e rrotull.

Ndërkohë që këtu janë dy botë. Në ndërkohë që për ne, fushata elektorale është një sfidë, patjetër që përballja që kemi është një sfidë, por sfida e sfidave është fitorja mbi armikun e padukshëm, zbrapsja përfundimtare e virusit nga jetët tona. Të tjerat vijnë të gjitha.

Ne nuk mund të jemi krijues vatrash infektimi.

Ne nuk mund t’i thërrasim njerëzit për t’i vënë në rrezik dhe mbi të gjitha, përveçse të vëmë në rrezik ata që i thërrasim, të çojmë mesazhin më të gabuar te ata që na shikojnë, mesazhin e tmerrshëm se kush është më lart mund të sillet si të dojë me shtetin, ligjin e me njerëzit, madje e ka kaq natyrë të dytë këtë, saqë edhe kur bëhet fjalë për një luftë mes jetës dhe vdekjes, nuk do t’ia dijë se mund të mbjellë vdekjen në trupin e atyre që mbledh rreth e rrotull dhe përçon mesazhin e vdekjes kudo tek ata që e shohin të mbledhur ashtu bashkë, rraqe ki kiko, siç thonim dikur, kur nuk kishim Smartphon-ë dhe Ipad-e për të luajtur si fëmijë.

Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është një qëllim në vetvete. 

Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është një inerci në nevojën apo dëshirën për pushtet.

Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është për Partinë Socialiste dhe për ata që PS-në e përfaqësojnë si deputetë, si ministra, si kryetar bashkish, si anëtarë të këshillave bashkiakë. Mandati i tretë i PS-së nuk është për karrigen e askujt, përfshirë edhe timen. Mandati i tretë i PS-së është që Shqipëria të mos kthehet kurrë mbrapa. Sepse me mandatin e tretë, ne i bëjmë të pakthyeshme të gjitha reformat që janë ende rrugës. Mandati i tretë i PS-së bën të pakthyeshme Reformën në Drejtësi dhe bën të pakthyeshme ardhjen në fuqi në jetën tonë të një drejtësie të re. E kundërta do të thotë humbje e të gjithë këtyre përpjekjeve, çuarjen dëm e të gjithë këtyre sakrificave dhe kthim përsëri aty ku Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të kthehet më.

Mandati i tretë i PS-së do të thotë që prona të mos jetë më një problem në mesin tonë dhe që çështja e pronës, e cila me kaq shumë mund dhe durim është futur më në fund në rrugën e mbylljes përfundimtare si një problem në mes të sofrës shqiptare, të mos vihet më në diskutim.

Mandati i tretë i PS-së do të thotë që politika të mos mund t’iu bëj më dot asgjë, as mësuesve, as mjekëve, as infermierëve, as atyre që janë një vend punë falë meritës së tyre. E kundërta do të thotë rikthim pas dhe varje e fatit të të gjithë profesionistëve të këtij vendi dhe mbi të gjitha të mësuesve, të mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve dhe të gjithë asaj pjese që është boshti i shtetit që ne po ndërtojmë në mëshirën e rrotave të atyre makinave që u mlodhën atje për një dasëm pa nuse. 

Mandati i tretë i PS-së është që Taksa e sheshtë të mos guxojë të kthehet më si një fantazmë kërcënuese për të gjithë ata që fitojnë më pak në këtë vend dhe që taksimi i ndershëm të afirmohet përfundimisht si parim në ecjen përpara të këtij vendi, ku kush fiton më shumë duhet e do paguajë më shumë; Kush fiton më pak, duhet e do paguajë më pak.

Si mund t’u jepet atyre një shans tjetër! 

Mandati i tretë i PS-së është heqja e çdo mundësie që Ilir meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi të kenë një shans tjetër për ta marrë përsëri zvarrë Shqipërinë për hesap të llogarive të tyre, të pushtetit të tyre, të pasurive të tyre dhe të të gjithë privilegjeve të tyre. E natyrisht, kur vjen puna, edhe Luli nuk ka si e merr një shans, sepse Luli nuk është Luli. Luli është Saliu. Luli është Iliri. Luli është Monika. Luli është një kukull. Është si ato kukullat që po nuk i tunde, flenë. Kur tunden, hapin sytë dhe nxjerrin atë këngën në formë ninulle, për të vënë bebet në gjumë. 

Luli është një kukull e tundur, kur e shohim. Kur ai zhduket nga ekrani është thjesht një kukull që fle. Një kukull në prehrin e tre xhagajdurëve, të cilët janë një arsye shumë e fortë për mandatin e tretë të PS-së. 

Mandati i tretë i PS-së është në thelb një mandat për të mos lënë në mes një punë të nisur në çdo drejtim. Një punë që duhet të vazhdojë me patjetër. Një punë që ka filluar të japë rezultate, por që ende nuk ka sjellë të gjitha rezultatet që duhet.

Ne po mbyllim një mandat të dytë, por kush mund ta mohojë që mandati ynë i dytë është një mandat i thyer në mes. Kush na thotë që ne kemi qeverisur 8 vjet dhe harron se në fakt mandati ynë i dytë është i thyer në mes, duhet ta dëgjojë e ta dëgjojë mirë që ne kemi qeverisur pjesërisht dhe kemi luftuar totalisht. Një luftë që do kishte rrëzuar përtokë një elefant, por nuk ka rrëzuar dot përtokë PS-në dhe falë PS-së dhe askujt tjetër, shqiptarët kanë përballur nën drejtimin e PS-së, dy goditje të njëpasnjëshme; Një tërmet katastrofik që nxori rrugëve, duke jua hequr çatinë nga koka brenda pak sekondash, mijëra e mijëra familje dhe në ndërkohë që ne, sapo kishim nisur luftën për të kuruar plagët e atij tërmeti, na hyri në mes një tjetër tërmet, tërmeti që tronditi botën mbarë, i shkaktuar nga armiku i padukshëm.

E përsëri, ne rezistuam dhe sot, çdo ditë familje të zakonshme, familje të varfra, familje që përndryshe kurrë më nuk do ta kishin dot një shtëpi po kthehen nëpër shtëpi. Kujt thotë se ne qenkemi vonuar, - se ka plot që thonë që ne qenkemi vonuar, - unë ju them, kthejeni pak kokën, jo shumë larg, por matanë detit dhe shikoni familje që jetojnë akoma nëpër rulota pas tërmeteve të rëna 10, 12 e 15 vjet më parë në një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, në Itali. 

Ndërkohë, 450 kompani, të gjitha kompanitë e mundshme dhe të imagjinueshme në këtë vend të vogël janë angazhuar për rindërtimin. Janë afro 25 mijë punëtorë që punojnë me 3 turne për rindërtimin e ndërkohë janë 3100 kantiere të hapura për rindërtimin, që nga kantieret e mëdha të lagjeve të reja, deri tek kantieret e vogla të një shtëpie të vetme. 

Janë 33 400 familje që kanë përfituar drejtpërdrejtë financim nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, qoftë për të qëndruar në apartament si gjithë të tjerët me qera, deri kur të kthehen në apartamentin e ri, qoftë për të riparuar dëmet e shkaktuara në ato apartamente apo shtëpi që ishin të riparueshme. 

E pra, unë nuk e di nëse vërtetë një shqiptar i arsyeshëm, një shqiptar që e di çfarë është puna mund ta mendojë qoftë dhe për një sekondë që këtë volum pune mund ta krijonte ajo partia që është mbledhur atje. Në fakt, atje nuk është mbledhur një parti, atje është mbledhur një shportë karavidhesh. Një shportë karavidhesh të të shkuarës. Atje është mbledhur e shkuara, që ka vënë përpara një dhëndër të ri dhe që synon të rikthehet në drejtimin e vendit, pa asnjë ndryshim tjetër, përveç fytyrës së dhëndrit. 

Imagjinojeni vetëm për një moment, sikur armiku i padukshëm të kishte zbritur në këtë vend e të na kishte gjetur me spitalet që na lanë ata, të na kishte gjetur me aparaturat që na lanë ata, me trupën shëndetësore të demotivuar dhe të braktisur që na lanë ata.

Imagjinojeni sikur, mos o zot, larg qoftë, tërmeti dhe pandemia të kishin ardhur njëra pas tjetrës, ndërkohë që ata të ishin këtu, do të ishte jashtë çdo mundësie për të përballuar ato goditje e është jashtë çdo mundësie për ta imagjinuar. Ndërkohë që faktet e thonë, - nuk e them unë e thonë faktet, - që ne kemi rifituar të gjitha vendet e punës që humbëm gjatë vitit të shkuar. Nëse në vitin 2013 numëroheshin 478 mijë shqiptarë në punë, asnjë më shumë, asnjë më pak, në vitin 2019, 677 mijë dhe në fund të 2020- ës, 688 mijë dhe e thotë raporti i Bankës Botërore që falë politikës së ndjekur nga qeveria e Shqipërisë janë shpëtuar 50 mijë vende pune në këtë vend.

Por kjo nuk do të thotë që ne kemi bërë ndonjë mrekulli, as nuk do të thotë që unë po ju them njerëzve që na ndjekin që mos na bezdisni shumë me pakënaqësinë tuaja, mos na lodhni me mërzinë tuaj, mos na shqetësoni me qoftë edhe dëshpërimin tuaj.

Jo, unë u them atyre keni shumë të drejtë.

Ka shumë të drejtë çdo shqiptar që sot është i pakënaqur.

Ka shumë të drejtë çdo shqiptar që është i mërzitur, sot. 

Nuk ka të drejtë askush të jetë i dëshpëruar, por të pakënaqur dhe të mërzitur kanë të drejtë, sepse puna jonë është larg së qeni e mbaruar. Ne vërtetë i kemi rritur pagat për mjekët, për infermierët, si asnjëherë më pare, vërtetë i kemi rritur pagat për punonjësit e policisë dhe për mësuesit si asnjëherë më pare, vërtetë e kemi rritur pagën minimale nga 220 në 300 mijë lekë, por të gjitha këto nuk mjaftojnë. Të gjitha këto janë larg së qeni të mjaftueshme që njerëzit të mos jenë të mërzitur, që njerëzit të mos jenë të pakënaqur.

Por pyetja është shumë e thjeshtë; Çfarë ilaçi ka mërzia? Çfarë ilaçi ka pakënaqësia, kur je ende duke ngjitur një të përpjetë? Të ulesh? Të ndalosh? Të kthehesh prapa?

Jo! Të durosh, të shtrëngosh dhëmbët e të vazhdosh përpara. Të ngjitesh, të ngjitesh dhe vetëm ne e kemi fuqinë për t’u ngjitur.

Fuqia jonë për t’u ngjitur nuk vjen nga ndonjë dhunti e posaçme që kemi ne këtu. Fuqia jonë për t’u ngjitur vjen nga mbështetja jonë, nga mbështetja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që ngjiten e ngjiten, pavarësisht pakënaqësisë, pavarësisht mërzisë e pavarësisht të gjitha llafeve, dokrrave dhe muhabeteve që gëlojnë çdo natë në klubet mediatike apo çdo mëngjes në klubet e lagjeve. Janë ata që ngjiten e ngjiten, që krijojnë punë për veten, që krijojnë punë për të tjerët. Janë ata që i japin jetë motorit të ekonomisë që quhet biznes i vogël e është për ata që ne jemi këtu, në radhë të parë dhe është për ata që duhet mandati i tretë. Sepse që sot, ata e kanë zero taksën mbi fitimin, ata e kanë zero TVSH-në e ndërkohë që tabori i dasmorëve kërcënon me Taksën e sheshtë e me rikthimin e ndotjes, zhurmës dhe grabitjes së të shkuarës, ne jemi këtu për t’i garantuar ata që deri në vitin 2029-të me PS-në, taksa e tyre do jetë zero, TVSH-ja e tyre do jetë zero. 

Ne jemi këtu për t’u thënë atyre që e kanë sot pagën minimale 300 mijë lekë, se absolutisht ne nuk na bën që t’ju shohim me çudi apo me shpoti, kur ju na shihni dhe thoni po si ka mundësi, çfarë mund të bëjmë me 300 mijë lekë? E si mund ta na flisni ju për 300 mijë lekë, kur ju të tjerët merrni shumë më tepër, ndërkohë që ne duhet të numërojmë çdo qindarkë dhe mezi arrijmë fundin e muajit.

Po, ata kanë të drejtë dhe prandaj jemi ne këtu e prandaj duhet mandati i tretë për ta, që paga minimale të shkojë 400 mijë lekë. Ashtu sikundër duhet mandati i tretë që jo në fund të tij, por në 1 janar të vitit të ardhshëm të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në këtë vend me punë, të gjithë ata që janë të vetëpunësuar, apo janë punësuar nga të tjerë, qofshin ata në sektorin privat, qofshin ata në sektorin public, që marrin një rrogë deri në 400 mijë lekë, të mos paguajnë asnjë taksë më për fitimin, për të ardhurat. Asnjë taksë mbi pagën.

Dhe e dini sa janë këta?

Këta janë 63% e shqiptarëve që punojnë dhe për 63% të shqiptarëve që punojnë ne do të heqim taksën mbi pagën në 1 janar të vitit 2022.

Në 1 janar të vitit 2022, ne do të ulim taksën mbi pagën të të gjithë atyre që janë në kategoritë më sipër, nga 2.5 milionë deri në 1.2, të cilët për shkak të taksimit të ndershëm, progresiv, kanë një taksë goxha të lartë. Do ta ulim edhe atë për të vlerësuar punë e tyre të kualifikuar e për të stimuluar të tjerë si ata që i duhen kaq shumë këtij vendi. 

Mandati i tretë është mandati për të mbyllur përfundimisht pronën si çështje. Qoftë në qytet, qoftë në fshat.

Unë e di që ka akoma njerëz që nuk kanë marrë legalizimin, por dua që ta dinë të gjithë që, kur ne morëm detyrën, ata që sapo bënë një ndërtim pa leje, ambulant, në sheshin “Nënë Tereza”, kishin bërë 21 mijë legalizime. Sot janë 210 mijë legalizime të bëra. Nuk janë pak, janë shumë.

Ashtu sikundër, shqiptarëve të tjerë, përveç atyre që kanë legalizuar shtëpitë, u them, me ata, pa mandatin e tretë, vetëm mendojeni për një moment se çfarë ndodh me rikthimin e furisë së ndërtimeve pa leje. E kanë fiziologjike, e kanë në natyrë. Është më e fortë se ata vetë, rrëmuja, sherri, ngatërresa, kaosi, rrumpalla, toka e xanun, kap çfarë të kapësh dhe sot kartolina e tyre ishte faktikisht fushata e tyre. Sot, ata i thanë të gjitha. Sot, ata i treguan të gjitha. Sot, ata ia dhanë të gjithëve pamjen e asaj që është Shqipëria pa mandatin tonë të tretë. 

Mandati i tretë nuk është një mandat për të vazhduar, por është një mandat për të përshpejtuar. Nuk është një mandat për të shtuar vitet tona në qeverisje, por është një mandat për të shtuar kapacitetet e Shqipërisë me sytë nga viti 2030.

Mandati i tretë ka në Planin e Veprimit 4 aeroporte dhe sot që flasim, njëri prej tyre është në përfundim brenda pak ditësh, në Kukës. Tjetri, për shkak të shumë pengesave dhe vonesave që nuk ishin subjective, por ishin objektive, fillon nga puna së shpejti. Tjetri më poshtë në Sarandë është edhe ai pjesë e planit të këtij mandati dhe tanimë me eksperiencën e të parit, me gjithë çfarë mësuam nga puna për të filluar punë për të dytin, sigurish që do ta kemi shumë më të lehtë të tretin, sepse është edhe më i vogli. Ashtu sikundër, i katërti, që është i pari fare, ai i Tiranës, më në fund do të bëhet aeroporti që meritojnë të gjithë shqiptarët që nga infrastruktura. Ne sot i sollëm vaksinat me Air Albania, sepse avioni ushtarak turk nuk ulej dot në pistën tone. Ne e dimë shumë mirë që pista e aeroportit të Rinasit nuk i ka kapacitetet për të ulur avionë, përtej një përmase të caktuar e një peshe të caktuar dhe nuk na lejon dot që ne të fillojmë dhe fluturimet me Amerikën me Air Albania. E pra, investimi në infrastrukturë të atij aeroporti, cilësia e shërbimit, por edhe çmimet e atij aeroporti, që është aeroporti më i shtrenjtë i Europës si rezultat i një marrëveshjeje koncesionare të shumë viteve më parë, do të vijë aty ku duhet.

Kush do i bëjë këto?

Kush tjetër mund t’i bëjë këto, përveç nesh dhe si mund të bëhen këto ndryshe, përveçse me mandatin e tretë?

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm