Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mandati i tretë është për çuarjen në fund të çdo pune

Të reja

Mandati i tretë është për çuarjen në fund të çdo pune

14 Apr 2021    

Kënd fjale në Dibër - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Realisht, pamja që kam përpara, pavarësisht se do të kishte qenë akoma më mirë sikur atje në fund të mos kishim mungesë distance, por e kuptoj shumë mirë vështirësinë për të kontrolluar deri në metrin e  fundit këtë fushë, e cila është e mbushur plot e përplot me ata që ishin parashikuar, ndërkohë që edhe të tjerë donin të hynin. 

Faleminderit nga zemra të gjithë juve që jeni këtu, sepse është një moment shumë i bukur i një ditë shumë të bukur!

Sot pata mundësinë që ta shikoj gjatë gjithë gjatësisë rrugën e Arbrit, cila është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur. U gjenda shumë shpejt, si asnjëherë më parë, në Mat e Burrel. Përpara se të vija këtu pata një kënaqësi të jashtëzakonshme për vizitën që bëra në bujtinën e Jufkave, ku takova një grua që më ka lenë mbresa të forta kur e kam takuar për herë të parë, bashkë me një grup grash dibrane, nëna punëtore të jashtëzakonshme, shumë të vendosura, që në atë takim më kërkuan ndihmë për të çuar më tej ëndrrën e tyre të  transformimit të atyre punishteve të vogla në një sipërmarrje që mund të zhvillohet e që mund të krijojë punë, jo vetëm për anëtarët e familjes së tyre, por edhe për të tjerë.

Falë kurajes, falë vendosmërisë, falë punës së jashtëzakonshme të asaj gruaje dhe familjes së saj dhe falë mbështetjes që i dhamë jo vetëm asaj, por  disa grave në Dibër, sot mund të shikoje konkretisht se çfarë do të jetë Dibra nesër, çfarë do të jetë për Tiranën Dibra dhe çfarë do të jetë Tirana për Dibrën. Jo më dy qytete të largëta, por dy zona që i përkasin njëra - tjetrës. Jo më një Tiranë kryeqytet dhe një Dibër e izoluar, por një Tiranë që është graviteti i jetës ekonomike, sociale, graviteti i gjithë lëvizjeve të qarkullimit dhe  një Dibër që do të jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë. Kështu si unë sot dhe nesër - jo nesër pas dhjetëra vitesh, por nesër,- vit pas viti, ne do të shikojmë sesi mijëra e mijëra njerëz do të nisen çdo ditë nga Tirana drejt Dibrës, duke hyrën përmes atij aksi të mrekullueshëm që zbulon një pjesë Shqipërie të panjohur për shqiptarët, një copë të parajsës së natyrës sonë, për të ardhur drejt Dibrës e për të shijuar bukuritë e natyrës e mikpritjen, për të qëndruar këtu në fundjava. Dibra do të jetë një destinacion turistik edhe për ata qindra mijëra e miliona turistë që do të vijnë në Shqipëri, duke filluar menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë e duke u rritur vit pas viti.

Ky nuk është më një vizion që thuhet nga dëshira e madhe. Ky është një vizion që po jetësohet. Për ta çuar deri në fund jetësimin e këtij vizioni, ne duhet të vazhdojmë sëbashku, me punë, me durim,  këmbëngulje dhe besimin e palëkundur se Shqipëria Ardhmja Jonë nuk është një slogan, Shqipëria e Ardhmja Jonë është ambicia dhe dëshira më e madhe e çdo prindi, e çdo nëne që fëmijët e saj kur të rriten të jenë krenarë jo thjesht për Shqipërinë dhe historinë e saj, për natyrën, mikpritjen, për rrënjët e tyre familjare, por të jenë krenarë për këtë shtëpi të përbashkët, e cila t’iu garantojë të gjitha kushtet që ata të ndihen gur i rëndë në vendin e vet.

Unë këtu nuk dua të flas për çfarë kemi bërë, por për çfarë ne sot mund të bëjmë ende më shumë, pikërisht sepse kemi bërë gjithçka për të arritur deri këtu.

Ne, sot nuk jemi në buzën e greminës ku e gjetëm vendin në 2013-ën. Ne, sot nuk kërcënohemi nga një kolaps financiar i shtetit.

Sot nuk jemi në errësirën në të cilën jetonin si një hije që na ndiqte nga pas, për shkak se gjysma e njerëzve paguanin e gjysma tjetër nuk e paguanin energjinë.

Sot nuk jemi në pikën kur fëmijët tanë shkonin në shkollë e hynin në një  xhungël librash që nuk u mësonin asgjë e që kishin çoroditur mësues e prindër bashkë.

Sot nuk jemi në kohën kur në spitale nuk kishte as çarçafë e batanije e jo më pastaj ilaçe.

Sot nuk jemi ende në majën për ku jemi nisur të ngjitemi.

Ngjitja në majë sot duket akoma më vështirë për shkak se nuk vijmë nga një periudhë e zakonshme, nuk vijmë nga një kohë e zakonshme qeverisjeje dhe jete të përditshme. Jemi në fund të një periudhë që nuk e kishim përjetuar kurrë më parë, që nuk e kishim ditur as që mund të ekzistonte e po të na e kishin treguar, do të na dukej si një film fantastiko – shkencor, që papritur e pa kujtuar bie një virus dhe e gjithë bota mbyllet në shtëpi, që papritur e pakujtuar nuk ka më avion, nuk ka më fluturime, nuk ka më anije e nuk ka më lundrime. Të gjithë detyrohen të mbyllen e të jetojnë me ankthin se mund të humbin nga ditë në ditë prindërit, gjyshërit, gjyshet, me ankthin e ardhjes së hijes së vdekjes në shtëpi, pasi shikoje se dikush që ti njeh humbi jetën.

Nuk është një jetë e zakonshme, por është një super hall që iu shtua halleve të jetës së përditshme, është një super stres që iu shtua asaj që është ngarkesa e përditshme e çdo njeriu, e çdo familje që jeton me punë, që kërkon më shumë, që do të mbërrijë më shumë.

Sot, ne jemi në fund të atij tuneli. Sot, drita në fund të atij tuneli po shkon duke u zmadhuar, njësoj si po zmadhohet drita në fundin e tunelit që duhej hapur me shumë segmente dhe që dibranët e prisnit prej 100 vjetësh për t’u lidhur  me Tiranën, jo si dy qytete, por si dy pjesë që kanë qëndruar të ndara për kaq shumë kohë, vetëm për një rrugë. Për një rrugë të munguar e stërmunguar që është mua aty gati, për t’u bërë pjesë e jetës së përditshme.

Është krejt normale që gjithsecili të pyesë veten se tani që ankthi për jetën po largohet, tani që mijëra e mijëra gjyshe e  gjyshër po buzëqeshin përsëri pasi vaksinohen, çfarë vjen mbrapa, si do shkojë puna jo thjesht me ekonominë e Shqipërisë, por në ekonominë e familjeve, si do bëjmë që rritja ekonomike e Shqipërisë që e kemi përpara të jetë një rritje ku çdonjëri të ndjehet pjesë dhe ku çdokush të ketë një rritje ekonomike jo thjesht për ato shifra që vijnë nga realiteti, por që ndonjëherë nuk u thonë njerëzve asgjë.

Sot dua t’ju tregoj me pak të dhëna se pse unë kam kaq shumë besim e bindje që mandati i tretë është momenti i një kapërcimi të madh, i një hapi të jashtëzakonshëm për t’u gjendur në një nivel tjetër dhe pse mandati i tretë është vendimtar në rrugën drejt asaj maje që unë e kam parë si një ëndërr me sy hapur dhe jo në gjumë, kur kam lënë emigracionin për të ardhur në Shqipëri dhe për t’u marrë me politikë. Ëndërr që unë e kam parë sa herë lodhja, stresi dhe mërzitja për lloj-lloj arsyesh më ka thënë “lëre këtë punë”.

Arsyeja pse kurrë nuk jam dorëzuar dhe arsyeja pse jam jo thjesht sot këtu, por pse jam këtu bashkë me ju në këtë moment të kësaj rruge, është se ajo majë që unë e kam parë dhe më nxjerr çdo ditë nga shtëpia për të vazhduar të luftoj, është sot e arritshme, është aty. Thjesht dhe vetëm duhet të rezistojmë dhe të mos dorëzohemi përpara tundimit që të ndërrojmë rrugë, të mos i biem shkurt.

Të mos harrojmë se populli ka thënë një fjalë shumë të drejtë, ”rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”. Të kujtohemi se çfarë na ka ndodhur kur i kemi rënë shkurt, çfarë na ka ndodhur në historinë tonë, ne shqiptarëve, sa herë kemi shkuar pas berihait, sa herë kemi besuar tek ilaçet çudibërëse e recetat magjike, sa herë dikush na ka thënë “ikim këtej se do ju çojmë në parajsë, se jeta do bëhet fushë me lule”, bërtasim “dum babën se gjithçka pastaj, baba do e bëjë për ju”.

Nuk po flas këtu për një histori të shkuarës së largët, po për historinë e një shumice të madhe të atyre që nuk kishin fëmijë në kohën kur njëfarë Rrapush Xhaferri bridhte rrugët e Shqipërisë, me autokolona me makina, me bori e britma dhe ndalonte nëpër rrugë ku dilnin e prisnin me këngë e valle. Rrapush Xhaferri u thoshte “erdha t’ua bëj jetën fushë me lule, t’ju garantoj një të ardhme që është ajo që ju shikoni në ëndrrat tuaja. Erdha t’ju them më jepni 1, t’ju jap 2” dhe jeta është qejf”. Për fat të keq, Rrapush Xhaferi, Vehbiu, Sudja, për shkak të udhëheqjes qorre, të udhëheqjes pa vizion, pa din e pa iman, të atyre që sot duan të kthehet përsëri, ju morën shqiptarëve gjithçka. I bënë shqiptarët të shesin bagëtitë, i bënë të braktisin tokën, i bënë të futen në borxhe për t’u dhënë më shumë, që të merrnin dyfishin.

Në fund, të dy gishtat në sy. I qorruan shqiptarët dhe  i bënë të gdhinin të rrethuar nga flakët që i ndezi ajo marrëzi, nga flakët që i ushqeu ideja krejt e gabuar se mund të ngjitesh në majë duke mbyllur sytë, duke ndaluar dhe duke pritur që të gjendesh në majë për shkak të një mrekullie.

Nuk ka asnjë mrekulli që të ngjit drejt majës, përveç një force të vetme që bën çdo mrekulli, punës. Nuk ka asnjë mrekulli që të ngjit drejt majës, përveç guximit, vendosmërisë, durimit dhe bindjes që për të shkuar drejt majës duhet kohë, karakter, të mos dorëzohesh kur këmbët thonë ndalo se u lodha, kur zemra të thotë ndalo se po plas, kur mendja të thonë ndalo se nuk mundem më.

E pra, ne kemi bërë shumë rrugë deri këtu. E ne nuk patëm vetëm pandeminë. Neve na ra fatkeqësia e tërmetit katastrofik, i cila la pa çati me dhjetëra e mijëra familje, por shokoi çdo familje shqiptare. Kur ne arritëm t’ia dalim edhe kundër tërmetit, edhe kundër armikut të padukshëm, kur ne arritëm t’ia dalim që, edhe pa qenë një vend i fuqishëm, edhe pa qenë një vend i BE-së, edhe duke qenë këtu në mes të Europës, në një lagje shtetesh që na lanë pa vaksina, të jemi sot në pjesën më të lartë të klasifikimit mes gjithë vendeve të Europës me vaksinimin masiv, ne patjetër mund t’ia dalim ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Mund t’ia dalim të transformojmë më tutje jetën e njerëzve, duke qenë të bashkuar, duke mos rënë pre e atyre partive e politikanëve dhe gjithë atyre që flasin e flasin premtojnë çudira, më jep një, të jap dy. Kush jua thotë këtë, nuk ka asnjë shans t’ju japë asgjë tjetër, përveç Noc Rrokut. Por Noc Rrokun ku ta gjesh, por shumë më keq.

Unë këtu kam sjellë diçka me vete. Diçka që nuk është një program elektoral, po që është pjesë e Planit tonë të Veprimit. Unë besoj që “Shqipëria 2030” nuk ka arsye të mos jetë kampione e Ballkanit në turizëm, në agroturizëm, bujqësi, në teknologjinë digjitale.

Më thoni mua sa shumë kanë vuajtur deri më sot fermerët e Dibrës, për t’i nxjerrë prodhimet matanë atij hendekut të jashtëzakonshëm mes Dibrës dhe tregjeve jashtë saj, deri në Tiranë. Më thonë vazhdimisht dhe më jehojnë në kokë fjalët që kam dëgjuar nga fermerët e qershive qysh në krye të herës. “Qershitë tona prishen kur arrijnë në Tiranë”. Vetëm me këtë lidhje midis Tiranës dhe Dibrës parafytyroni sa shumë më shpejt dhe sa shumë më tepër prodhime të Dibrës do arrijnë në Tiranë dhe sa shumë të tjerë do nxiten për të prodhuar e për të rritur prodhimin, sepse pikërisht tani, Tirana është një lagje matanë, jo një qytet në fund të botës.

E sjell këtë shembull për t’ju thënë të flasim për kampionë të Ballkanit në bujqësi. Kemi pasur 100 milionë pak a shumë nga eksportet bujqësore. Sot kemi 400 milionë. Por sa kemi akoma pa shfrytëzuar nga potencialet tona. Prandaj ju solla shembullin e Dibrës.

Nuk është një program elektoral, por një plan me laps e me letër, që ne brenda mandatit të tretë do i çojmë eksportet bujqësore mbi 1 miliardë.

Brenda mandatit të tretë, ne do mund të kemi 6 mijë hektarë sera. Brenda mandatit të tretë do kemi 150 pika të reja grumbullimi.

Ju jeni ndër shqiptarët që kanë udhëtuar më shumë brenda vendit dreqi e mori, sepse ju është dashur ta merrni aq shumë herë këtë rrugë që, më besoni, sa herë më është dashur të nisem, ka qenë një stres. Do kisha ardhur në Dibër 100 herë më tepër për gjithë këto bukuri që janë në gjithë këtë zonë, sikur të mos ishte ai stres, por një stres që tani po merr fund për të gjithë ju.

Ju kujtohet miqtë e mi, deri para disa vitesh, sa shumë shikonit rrugës nga ato tezgat të mbuluar me plastmas, me njerëz që shisnin mollë, qershi, qepë, patate. Të gjithë rrugët e Shqipërisë, deri para ca vitesh ishin si rrugët e një merkatoje bujqësie. Pse nuk shihen tani, gjëkundi, ose tek tuk mund të ketë mbetur ndonjë?

Sepse sot, në Shqipëri ka afro 140 pika të reja grumbullimi që janë ndërtuar në këto vite nga njerëzit në fshat, me mbështetjen e kësaj qeverie. Prodhimi i fermerëve që deri dje dilnin rrugëve shkon në pikat e grumbullimit e nga pikat e grumbullimit del në eksport ose në tregun e brendshëm.

Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte përpara 6-7 vitesh.

Sot, Shqipëria eksporton 1, importon 3. E dini sa ishte raporti eksport – import deri përpara disa vitesh? 1 me 7! Që do të thotë që është rritur eksporti dhe është rritur prodhimi i brendshëm, është rritur prania e prodhimit të brendshëm bujqësor në treg.

Ne kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër e pikërisht për këtë arsye, ne do të vendosim që të mos kemi taksë për 5 vitet e para për çdonjërin që investon në agropërpunim. Këtu në Dibër janë disa agropërpunues, po njëri është i famshëm, ai që bën lëngun e mollës. E pra, ka shumë më tepër mundësi dhe hapja e këtij tregu nuk është hapja e një rruge, është hapur një treg. Nuk është hapur një rrugicë, është hapur një hapësirë e pafundme për zhvillim ekonomik familjar përmes punës, për zhvillim ekonomiko-komunitar.

Ndërkohë që më tutje, agroturizumi. Ju thashë për bujtinën e Jufkave. Është një dallëndyshe e parë, por do ta ndjekin me qindra të tjera. Ne do të japim 5000 euro - ky nuk është program elektoral, është plani ynë financiar, - për çdo djalë dhe vajzë, për çdo burrë dhe grua që është në emigracion dhe që është gati të investojë në shtëpinë e vjetër të gjyshit apo të babait, për ta kthyer atë në një bujtinë mikpritjeje, duke i dhënë mundësinë që të gjitha paratë që ka kursyer atje, edhe nën jastëk le t’i ketë, të mos jenë në bankë, të jenë në regjimin e një amnistie fiskale direkte dhe emigrantët të kenë mundësi që me shtëpinë e gjyshit të fitojnë më shumë sesa fitojnë duke punuar për dikë tjetër, në Londër apo Paris, në Berlin apo kudo qofshin, në Greqi po e po. Kjo është rruga që ka bërë shumë vende nga ato që ne i shohim me admirim. Kjo është rruga që ka bërë gjithë atë pjesë të Italisë që është në një natyrë shumë të ngjashme, që nuk është pranë detit, por nuk është as në majë të malit, që jeton në një klimë fanatike, ka një natyrë të mrekullueshme, që ka ngritur një industri të tërë të mikpritjes. Prandaj ne duam të ndërtojmë një proces të tërë në mënyrë që ky dielli këtu, që është i mrekullueshëm për turistët dhe për vizitorët apo për ata që kanë mundësi, të ngrohë çdo familje, edhe në majën më të lartë. Është e mundur, nuk është më jep një, të jap dy.

Thonë “Rama ik”. Në fakt thonë të vërtetën të shkretët, ik se na plase se nuk të mundim dot. Nuk kanë faj, por nuk ka rëndësi.

Tek tuneli dhe ishte tuneli numër tre, më doli një demokrat.

A bëjmë një selfie? – më tha.

Dakord, - i thashë.

Kush fiton? - më tha.

Populli shqiptar fiton, - i thashë, - por edhe PD-në do ta nxjerrim nga tuneli, mos kini merak.

Do thoni rastësi. Rastësi, rastësi, por ishte tuneli numër tre, ishte mandati numër tre. Kështu që me mandatin numër tre, këto që po flasim janë dhe për atë që thotë “Rama rri”, edhe për atë që thotë “Rama ik”. Edhe ai që thotë “Rama ik”, për të ikur në Tiranë do t’i bjeri nga rruga e Arbrit, nuk do t’i bjeri nga rruga e Lulit.

Dëgjova që Luli kishte thënë do hapim universitetin e Peshkopisë. A e kuptoni, prapë nga e para! Universitet në Peshkopi, universitet në Ulëz, universitet në Burrel, universitet kudo ku shkel Luli.

Jo, ne nuk do hapim universitet në Peshkopi, ne do bëjmë që vajzat dhe djemtë e Dibrës të shkojnë në universitet në Tiranë dhe ashtu sikundër kudo ku ne kemi universitete, ne do bëjmë që universitetet e huaja të integrohen me universitetet tona. Programet e universiteteve të huaja të bëhen në universitetet tona. Diplomat e universiteteve të huaja të merren në universitetet tona dhe prindërit, për ata që janë më të mirët, të mos thonë të mbledhim gjithë kursimet, ta çojmë gocën a çunin jashtë shtetit, që të ketë studimin më të mirë, por t’i çojnë në universitetet tona në Shqipëri ku të studiohet me programet e huaja, ku të merret një diplomë e barabartë me ato universitete. Universitetin në Peshkopi, imagjinoni e hap Luli dhe keni dekan Xhelal Mziun.

E kam thënë shpesh herë, do hapim porta të reja për Shqipërinë. Nga qielli dhe nga deti. Do të ndërtojmë katër aeroporte, një e kemi, të dytin, atë të Kukësit e kemi dhe e hapim për pak ditë. Në aeroportin e Tiranës do të investojmë për të zgjeruar pistën, sepse me patjetër Air Albania do të fluturojë përtej oqeanit dhe fluturimet përtej oqeanit, jo vetëm për Air Albanian duhet të jenë direkte me Tiranën dhe këtë patjetër do ta bëjmë.

Është një nga ato punë që na ka penguar periudha e pandemisë, por goditjet janë për njerëzit dhe karakteri sprovohet pikërisht atëherë kur jeta bëhet më e vështirë. Me këtë provë karakteri që ne të gjithë si shqiptarë po japim, duke u përballur me një tërmet të tmerrshëm dhe me një pandemi që gjunjëzoi botën, ne nuk kemi asnjë arsye pse t’i frikemi sfidës që kërkon në radhë të parë, karakter për të bërë këto punë. Në ndërkohë, aeroporti i Vlorës është në proces kontraktimi dhe është fituar gara nga Behgjet Pacolli, me një kompani tjetër të njohur e do të fillojë puna brenda pak kohe. Aeroporti i Sarandës do të fillojë gara brenda pak kohe se nuk donim t’i nisim njëra pas tjetër, pa mbaruar proceset.

Porti i madh turistik i Durrësit është një projekt që e bën Durrësin një nga portat më të bukura të Mesdheut. Porti madh turistik i Durrësit është 2 miliardë euro investim. Nuk janë fantazira, nuk janë si ato “më jep një votë, të të jap dy miliardë euro”, por është një projekt për të cilin është punuar deri në detaje nga kompania e madhe Emar, që ka edhe portin e Dubait dhe shumë porte të tjera. Ambicia e tyre është të bëjnë portin më të madh turistik të Mesdheut, që  do të hapi për Shqipërinë një derë shumë të madhe.

Të kthehemi prapë në Dibër, ky port do të sjellë shumë njerëz nga ata që harxhojnë më shumë e që dëshirojnë shumë të njohin vendet ku ndalojnë. Të vish në Durrës, patjetër do shkosh në Tiranë, në kryeqytet. Por sot, me rrugën e Arbrit, Dibra është pjesë e kryeqytetit, nuk është më një vend në fund të botës, që mund të ishte i mrekullueshëm, por askush nuk do merrte mundimin të shkonte.

E siç do impaktojë këtë zonë, kjo portë do impaktojë ekonominë e gjithë Shqipërisë.

Porti turistik të Vlorës është një tjetër investim, i cili do të fillojë së shpejti. Porti turistik i Vlorës dhe tregtar i Vlorës.

Me portin e ri turistik të Durrësit do fillojë dhe porti i ri tregtar i Durrësit dhe janë të gjitha investime, të cilat janë në proces, nuk janë plane.

Unë e di shumë mirë, ata që thonë “Rama ik” thonë edhe tek Facebook-u im “3D”.

3D ishte dhe rruga e Arbrit.

3D ishte edhe aeroporti i Kukësit.

3D ishte dhe hyrja e re e Tiranës.

3D ishte dhe unaza e Tiranës.

3D ishin edhe shkollat që u rindërtuan pas tërmetit. E janë shkolla për të cilat, edhe ata që janë bashkuar me ne për fazën tjetër, donatorët e BE-së, thonë që nga këto shkolla, ne i kemi pak edhe në BE.

Kur kam thënë që nga tërmeti do ngrihemi më të fortë, nuk ka qenë një parullë, por ka qenë bindja se çdo familje e për fat të keq, siç ndodh gjithmonë, nga tërmete e pësojnë më të varfrit, çdo familje e varfër apo me pak të ardhura që ka humbur shtëpinë do kthehet në një shtëpi që kurrë nuk do ta bënte dot, nëse nuk do të krihte ardhur kjo situatë. Do kthehet në një shtëpi apo në një lagje shumë herë më të mirë, shumë herë më të bukur, shumë herë më të denjë se ajo që humbi.

E njëjta gjë për shkollat, e njëjta gjë për këto 3D.

Energjia ishte një problem shumë i madh për ne. Sot, ne kemi arritur në një nivel tjetër, por nuk kemi arritur në majë. Maja është ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, që do të thotë, Shqipëria të mos blejë më asnjë euro energji nga jashtë, por vetëm të shesë energji e ndërkohë të ketë siguruar energjinë për vete.

Pa diskutim, kjo është e mundur. Duhet ndërtuar Skavica.

Këtu kanë ardhur ata zëdhënësit e qoftë largut e ju thonë Skavica do bëjë hatanë, se do ju marri tokat. Çdo familje që do të preket nga Skavica do të ketë po atë që patën familjet që u prekën nga tërmeti, që do të thotë, do të marrë një shtëpi shumë më të mirës se ajo që ka e patjetër, për pjesën e tokës do të kompensohet ashtu siç e meriton. Që do të thotë që do t’i jepet perspektiva e një jete, që është një perspektivë shumë më e mirë se perspektiva që ka në atë zonë. Ne nuk i bëjmë gjërat që të fitojnë disa e të humbin disa dhe për mua, halli i çdo njeriu të zakonshëm është halli im.

Për mua, vajtjet e njerëzve të zakonshëm janë vuajtjet e mia. Për mua, ëndrrat dhe ambiciet e fëmijëve të atyre që nuk janë të njohur, e atyre që nuk kanë prindër me lekë, janë ëndrrat dhe ambiciet e mia. Prandaj sot, Shqipëria, jo rastësisht, të gjithë vajzat dhe djemtë që mbarojnë shkollën e mesme, pavarësisht se si quhet prindi, pavarësisht se lekë kanë në shtëpi, u jep mundësinë që sipas meritës të shkojnë në universitet. Unë kam takuar disa vajza nga Dibra, edhe nga fshatrat të Dibrës, që janë në Universitetin e Mjekësisë, apo në fakultetet ku duhet shumë më tepër punë për të shkuar dhe janë fëmijë të “askujt”. Janë fëmijë familjesh të thjeshta. Deri dje, ato nuk kishin shans, sepse vinte djali i ministrit, vajza e deputetit, mbesa e biznesmenit dhe i thoshte vajzës së fermerit dibran ose djalit të një punëtori krahu këtu në Dibër, “ik se do kalojë ky”. Për fëmijët e njerëzve të zakonshëm, universitetet ishin vetëm vende ku i rripeshin paratë prindërve, për t’ju dhënë pastaj diploma false.

Sakvica, nga njëra anë e transformimi i TEC-it të Vlorës në një port të gazi t të lëngshëm, të dyja këto nuk janë ide. Të dyja këto janë marrëveshje me qeverinë e SHBA-ve, në ndërkohë që marrëveshjet janë nënshkruar me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane që po punojnë për këto dy projekte. Plus, dy parqet fotovoltaike. Njëri ka filluar të ndërtohet, parku më i madh me energji diellore në zonën e Ballkanit, në Karavasta, tjetri fillon së shpejti. Na bëjnë ne sovran në energji e na bëjnë që asnjë lekë nga këtu të mos iki më jashtë për të blerë energji, por vetëm të shesim energji kur të tjerët e kërkojnë dhe të fusim lekë këtu. Kjo është  plotësisht e mundur!

Këto milionat euro që shikoni këtu, janë të gjitha jo parashikime, janë të gjithë biznes plane. Janë të gjitha pjesë e projekteve e në fund fare, kjo paketë, - pa llogaritur çfarë do vijnë investime të huaja, që çdo vit vijnë mesatarisht rreth 1 miliardë prej shumë vitesh, pa llogaritur se çfarë do shtohen investime të brendshme, - që përfshin dhe infrastrukturën për të ndërtuar rrugën nga Murriqani në Milot dhe nga Miloti në Fier, për ta kthyer në një autostradë shpejtësie që është Korridori Blu, duke lënë rrugët paralele alternative për njerëzit.

Plus, ato që patë më poshtë, bashkë me tunelin e Llogarasë që është i financuar, - u përsërit gara sepse ne nuk bëjmë gara për gara, nëse në një garë në fund, interesi i publikut preket, ne anulojmë garën dhe e fillojmë nga e para, - janë 6 miliardë e 638 milionë për të filluar të investohen.

Porti i Sarandës ka filluar të investohet. Të marrim një mesatare, nuk po them 1 miliardë, le të themi më pak, kemi 10 miliardë për të investuar në këtë mandat, për të transformuar Shqipërinë një herë e mirë.

Mos dëgjoni ata që thonë, janë shumë katër aeroporte për një vend si i yni. Kroacia është 4 milionë banorë dhe ka 9 aeroporte. 9 porta për t’i sjellë njerëzit drejt vetes e çuditërisht, Kroacia është e shtata në botë për të ardhurat nga turizmi. Ne nuk duam të bëhemi të tetët në botë. Ne duam të bëhemi ata, të cilët meritojmë të jemi si shqiptarë. Ata, të cilët patriotizmin nuk e përkthejnë në sharje e përçarje. Ata, të cilët nuk mjaftohen me këngët patriotike. Ata, të cilët nuk mjaftohen duke tundur flamurin kuqezi në stadium. Ata, të cilët nuk mjaftohen duke tundur flamurin kuqezi në fushatë. Ata, të cilët  nuk mjaftohen duke u ulur e duke thënë Shqipëria nuk bëhet se unë e dua shumë. Ata, të cilët, Zoti e ka thënë se shqiptarët mund të bëhen kur ka menduar të na dhurojë këtë Shqipëri që është një pasuri e jashtëzakonshme, që të tjerët do ta kishin zili e që vetëm dora e robit, jo dora e Zotit, nuk e ka lënë të kthehet në një pasuri për njerëzit.

Kujt ju thotë që shiko se u bënë 8 vjet, nuk janë 8 vjet, sepse midis vitit kur ne erdhëm e vitit ku jemi, u futën në mes dy monstra, tërmeti dhe armiku i padukshëm. Sot, ne jemi duke i vënë poshtë të dyja monstrat. E nga ana tjetër, në këto vite kemi hedhur themele të forta.

Kemi filluar të ndërtojmë katet, akoma nuk e kemi çatinë. Nëse do bëhej Shqipëria, ajo që emigrantët shikojnë kur shkojnë në Gjermani, Angli, apo në Greqi, në kaq pak vite, nëse do bëhej Shqipëria, vendi ku jemi këtu në Dibër, në Mat, Bulqizë, kudo ku shkoj e ku po shkon uji i pijshëm dhe nuk kishte ujë të pijshëm 100 vjet, ajo që nuk u bë 100 vjet, u bëna sa hap e mbyll sytë?!

Sot uji i pijshëm po shkon kudo sepse ne po vëmë bazat dhe mbi këto baza po ngrihemi e po ngjitemi. Jemi në momentin më kritik. Jemi në atë moment ku duhet vetëm vendosmëri, vetëm forcë dhe vetëm duhet vazhduar. Jemi në momentin kur e kemi ngrënë disa herë. Ju kujtohet Kombëtarja jonë, e ha në fund të lojës dhe themi “mos, edhe këtë herë!”. Sepse jemi pikërisht në atë moment ku duhet të vazhdojmë, të ngrihemi dhe të besojmë se maja që duket më larg sa më shumë afrohesh, sepse këmbët kanë filluar të lodhen, është në dorën tonë e arrijmë apo jo. Në 25 prill është në dorën tuaj.

Mandati i tretë nuk është për mua. Harrojeni Edi Ramën. Mandati i tretë është për të gjithë fëmijët e këtij vendit. Realisht fëmijët nuk votojnë, por, ama, për fëmijët votojmë ne. Çfarë vote do i japin shqiptarët më 25 prill, fëmijëve? Për të dhënë 1 e për të marrë dy? Nuk ka ndodhur kurrë të japësh 1 e të marrësh 2 duke pirë kafe. Nuk ka ndodhur kurrë të ngjitesh në majë duke fjetur gjumë. Mos harroni asnjëherë, nuk është Luli. Luli është një artist. Vetëm një artist mund t’i bëjë edhe atë që del e thotë do ta marr pushtetin me dhunë, të gjuajë me molotov, Edi Rama do dorëzohet, do shkatërrojmë zgjedhjet, do kapim kutitë, nuk do lëmë të votohet, do bëjmë namin. Dhe vetëm një artist kthehet e thotë unë jam thjesht këtu për ju; Ju shoh në sy, më shihni në sy; Po ju thashë që e mbaj fjalën, e mbaj.  Siç kur kandidonte për bashkinë në Tiranë, hynte në furrat e bukës dhe thoshte do ju ul çmimin e bukës, do ju bëj tramvajin e Tiranës, të ikni me tramvaj, pse me autobus; Do ju heq taksat; Do ju jap lekë.

E kemi dëgjuar kur thotë pak mijëra euro për ata që martohen. Me një fjalë, ju vetëm martohuni se për lekët keni Lulin. Ndërkohë në kohën kur ishte kryetar bashkie, - e vura unë në kohën e qepës, 50 mijë lekëshin e parë për një fëmijë që lind, - jo vetëm që mbeti 50 mijë lekë, por nuk i jepet as kalamajve. Ne, sot e kemi 400 mijë për fëmijën e parë, 800 mijë për të dytin dhe 1 milionë e 200 mijë për të tretin. Kush pastaj është aq i fortë të bëjë 3 përnjëherë, llogariteni vetë çfarë merr.

Për ata që merren me biznes të vogël, ne e kemi bërë 0 taksën, 0 TVSH-në. Unë po mendoja se ku do shkonte poshtë zeros. E gjeti, do i japë të gjithëve 1 mijë euro. E pse t’i japësh 1 mijë euro atyre që merren me biznes, kur atyre hiqu taksën, mos i vër pullën. Ai thotë do i vë pullën e kuqe në dyqan. Për çfarë do e vërë pullën e kuqe? Që të vijnë ata që do vërë Xhelali tek Tatimet të marrin një nga një bizneset, për të kërkuar pjesën e vet. Se atë dinë të bëjnë. Thotë ju që punoni po vuani shumë, “i keni të larta sigurimet shoqërore. Do jua ulim, kurse pensionistëve do i rrisin pensionet”.

Pensionet mbahen me sigurime shoqërore. Domethënë,  ky thotë që do ulim prodhimin e qumështit, por do rrisim prodhimin e djathit. Kjo bëhet me sapun. Sapuni për djathë, ta hajë kush ta hajë. Dhe gjithmonë, kudo në botë, e dini kur e kanë ngrënë njerëzit? Kur kanë besuar që lekun ta falin. Kur kanë besuar ata politikanë që thonë do ju jap lekë. E keni dëgjuar Lulin të flasë vetëm lekë këtu, lekë atje.

Unë them punë, punë, punë. Kush beson se do marrë lekë, as lekë s’ka për të marrë, as punë nuk ka për të gjetur. Kush beson tek puna, sigurisht do fitojë dhe lekët. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm